ISHP dërgon mostra në laboratorin e referencës në Gjermani

E teksa në shumë vende të Europës varianti i ri i Omicron ka rritur numrin  e infektimeve, Instituti i Shëndetit Publik ka dërguar mostra te dyshuara në laboratorin e referencës në Gjermani. Lajmi u bë i ditur nga shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, e cila së bashku me ministren e shëndetësisë Ogerta Manastirliun inspektuan qendrën e re shëndetësore ne fshatin Dritas, në zonën e Zall-Herrit.

Silva Bino: Kemi dërguar mostrat nëpërmjet Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve Europiane në laboratorët e referencës në Gjermani dhe po presim përgjigjiet. Brenda 10 ditëve përgjigjia vjen dhe ne do të kemi një rikonfirmim të dyshimeve apo të varianteve që ne shikojmë të qarkullojnë. Ajo që doja të theksoja është që vaksinimi vlen për të gjithë variantet.

Ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manstirliu vuri theksin tek rëndësia e vaksinimit anticovid, si mbrojtje për të gjitha variantet e Covid-19.

Ogerta Manastirliu: Një nënvariant i Omicron BA.2 është duke qarkulluar në vende të ndryshme, kryesisht vendet europiane, ku ka një tendencë sot në rritje të rasteve të infektimeve, sepse ka një transmetueshmëri shumë të lartë. Ajo çfarë po vërehet është që gjithashtu vaksinimi, sidomos doza e tretë, ndihmon në reduktimin e rasteve të rënda dhe uljen e hospitalizimeve dhe tek fatalitetet. Aktualisht në Shqipëri nuk kemi ende raste të konfirmuara. Por sigurisht ne jemi duke vijuar nëpërmjet survejancës tonë aktive dhe duke vlerësuar mostrat të cilat vijnë në ISHP, për t’i çuar në laboratorët e referencës.

Nënvarianti i ri Omicron BA.2 ka bërë që Gjermania të regjistrojë shifra rekord infektimesh. Për këtë arsye, ekpertët thkesojnë të mos ndërpritet procesi i vaksinimit. Mbulesa vaksinale me dozë të parë për popullatën mbi 16 vjeç në Shqipëri është rreth 55%.

Tv Klan