Halili: Jemi të pastër. Braka: UEFA pa diçka që s’shkon

Këtë të martë ishte radha e Tiranës për t’u paraqitur para Komisonit të Etikës, për t’u pyetur rreth dyshimeve për paracaktim rezultati në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë me Bylisin e luajtur më 2 Korrik në Ballsh ku vendasit fituan 2-1 me përmbysje.

Presidenti Refik Halili, drejtori sportiv Arbi Laçi, trajneri Emanuel Egbo dhe lojtarët Erando Karabeci dhe Ilion Lika dhanë versionin e tyre njëri pas tjetrit për ndeshjen. Halili tha se nuk ka frikë nga ky hetim dhe se sipas tij Tirana ka luajtur drejt.

“Absolutisht, jo nuk kam frikë. Ne nuk kemi lejuar që të bëhet gjë e keqe, pra unë e di që nuk është bërë ashtu siç kanë dashur dhe kjo është bërë vetëm falë klubit Tirana”.

Pas seancës kryetari i Komisionit të Etikës, Fatmir Braka tha se në informacionin e mbërritur nga UEFA thuhet se ka diçka që nuk shkon.

“U kërkua nga Presidenti Halili të paraqesë të gjithë deklaratat e tij. Ka një informacion nga UEFA që diçka nuk shkon”.

Etika do të vijojë me hetimin e saj, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 22 Korrik, ku pas kësaj date pritet të ketë një vendim. Të enjten e kaluar para Komisionit ishin zyrtarët e ndeshjes dhe përfaqësuesit e Bylisit.

Tv Klan