“Synon të godasë satelitët e komunikimit”. Moska e mohon

Rusia mund të jetë duke zhvilluar armë bërthamore hapësinore. Dyshimet u ngritën në rangjet e larta të politikës amerikane, pas denoncimit të kreut të Komisionit për Zbulimin në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan se Moska po zhvillon një projekt që përbën kërcënim të rëndë për sigurinë kombëtare.

Majk Tërner nuk u dha mediave, detaje për këtë projekt pasi informacionet janë në dosjet që përbëjnë sekret shtetëror. Por që ato të bëhen publike dhe administrata amerikane të marrë masa, Tërner i bëri thirrje presidentit Xho Bajden t’i heqë nga lista e sekreteve shtetërore.

Media të ndryshme prestigjioze, si Nju Jork Tajms citojnë burime të brendshme në Kongres dhe në Shtëpinë e Bardhë që thonë se ushtria ruse ka në plan të ndërtojë një bazë ushtarake me armë bërthamore në hapësirë, për të goditur satelitët. Pasojat mund të jenë fatale dhe mund të çojnë në kolaps sistemin e komunikimit mbi të cilin bazohet e gjithë jeta moderne.

Moska hodhi poshtë këto pretendime, duke i quajtur ato “një tjetër dredhi” të Shtëpisë së Bardhë.

Tv Klan