Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar nga policia e Fierit, që mund të përfundonte në tragjedi.

Mësohet se është arrestuar 36-vjeçari Ilirjan Progonati gjatë aksionit të koduar “Parandalimi”. Bashkë me të u arrestua dhe 59-vjeçari me iniciale A.M., i cili kishte ndihmuar autorin e dyshuar.

Sipas informacioneve policore, Progonati po qarkullonte i armatosur me kallashnikov mbrëmjen e së premtes në qytetin e Fierit dhe dyshohet se do të kryentë një vrasje. Pas marrjes së informacionit nga qytetarët, forcat policore u vunë menjëherë në ndjekje të 36-vjeçarit, por ky i fundit ishte arratisur për t’u fshehur.

Përgjatë natës dhe paradites së sotme, policia kreu disa kontrolle ambiente të ndryshme, në rrugë, në automjete, në  banesa të braktisura, në disa banesa të të afërmve të personit të dyshuar, deri sa u bë e mundur kapja e tij mesditën e kësaj të shtune. Ilirjan Progonati qëndronte i fshehur në banesën e 59-vjeçarit A.M, pasi ishte strehuar nga ky i fundit.

Nga hetimet e bluve të Fierit ka rezultuar se autori i dyshuar kishte patur konflikt për motive të dobëta me 3 persona me iniciale L. P. 30 vjeç; K. P. 25 vjeç dhe A. P. 28 vjeç, të tre nga Fieri. Këta të fundit dhe i dyshuari Progonati ishte konfliktuar në lagjen “15 Tetori”. Pas ngjarjes, 36-vjeçari ishte larguar për të marrë armën dhe u rikthye me synimin për t’i vrarë personat me të cilët pati konflikt.

Për fat të mirë, kjo ngjarje u parandalua nga policia, e cila u njoftua nga banorët se 36-vjeçari po qarkullonte në zonë i armatosur. Kallashnikovi u sekuestrua nga uniformat blu, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur tërësisht këtë ngjarje. /tvklan.al