Një i moshuar humbi jetën këtë të premte në ambientet e Gjykatës së Tiranës. Gazetarja Glidona Daci raporton se Ilia Drini, 68 vjeç, ndodhej në hollin e gjykatës, kur nuk u ndje mirë dhe gjeti vdekjen. Paraprakisht dyshohet se ai pësuar infarkt.

Ndërkohë, Klan News kontaktoi me avokatin e qytetarit, Ndue Pjetra. Ky i fundit u shpreh se “klienti im u hetua para tre vitesh për dhunë në familje dhe nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën. Sot kisha për ta takuar në gjykatë, pas tre viteve hetime u kujtuan t’i ngrenë akuzë”.

Sipas dosjes së siguruar po nga Klan News, 68-vjeçari hetohej në gjendje të lirë për veprën penale “Shkaktim i vetëvrasjes në dëm të A.Xh.”, ish-bashkëjetuesja e tij me të cilën kishte pasur një lidhje 3-vjeçare. Kjo e fundit mësohet se e kishte kallëzuar Drinin në vitin 2020 për dhunë e përndjekje.

Në dëshminë e saj, ajo shprehej se si pasojë e gjendjes së rënduar psikologjike kishte tentuar të vetëvritej me mbidozë ilaçesh.


“Marrëdhënia e tyre kishte funksionuar deri në një moment, më pas ishte tronditur dhe kishte përfunduar në ndarje. Pas ndarjes kallëzuesja pretendon se është përndjekur nga Ilia Drini, i cili në disa raste ka ushtruar dhunë fizike, e ka kërcënuar duke i shkaktuar gjendje ankthi e si pasojë ajo është detyruar të marrë dhe mbidozë ilaçesh, (medikamente) për t’i dhënë fund jetës. Të gjitha këto veprime të kryera në mënyrë të vazhdueshme i kanë sjellë kallëzueses një gjendje ankthi, frike dhe pasigurie vetjake, veprime këto në vetvete që përbëjnë elementët e figurës së veprës penale të “Shkaktim i vetëvrasjes”, dhe për këtë fakt duhet të akuzohet”, thuhet mes të tjera në dosjen penale që prokuroria kishte dërguar në gjykatë në ngarkim të Ilia Drinit./tvklan.al