Ky është Dardan Krivaqa i cili është duke u kërkuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar kryesor për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, ndërsa i dyshuari tjetër Arbër Sejdiu tashmë është arrestuar.

Të dy një ditë më parë e kishin dërguar 18-vjeçaren pa shenja jete në spitalin rajonal të Ferizajt dhe ishin larguar, por që policia më pas i kishte identifikuar.

Krivaqa raportohet se dy muajt e fundit ka bashkëjetuar me 18-vjeçaren, ndërsa sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, dyshohet se e ndjera ka vdekur nga dhuna që është ushtruar mbi të.

“I dyshuari D.K. që gjendet në arrati dyshohet se për motive të ulëta ka keqtrajtuar fizikisht tashmë të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra është ndarë nga jeta në vendin e ngjarjes. Mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj kanë konstatuar vdekjen e saj, ndërsa i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

I dyshuari kryesor për vrasjen e 18-vjeçares Dardan Krivaqa është emër i njohur për policinë, derisa edhe në rrjete sociale ai vazhdimisht kishte postuar fotografi me armë ku promovonte dhunën.

Gjitashtu edhe të rinjtë Ferizaj kanë vërshuar me komente në rrjete sociale duke treguar se Krivaqa ka qenë njeri i dhunshëm, derisa policia ka kërkuar bashkëpunim të qytetarëve për venddodhjen e tij.

Mësohet se avokati të cilit i ishte caktuar detyra zyrtare ka refuzuar të mbrojë tashmë të arrestuarin Arbër Sejdiu për shkak të rastit të ndjeshëm.

Tv Klan