Trupi i 44-vjeçarit u gjet 20 klm nga vendi ku ai dyshohet se kreu krimin e rëndë
Gjendet i pajetë trupi i Alfred Vefës, ish-bashkëshorti i Klodianës, 36-vjeçares së vrarë mbrëmjen e së enjtes në Firence. Trupi i 44-vjeçarit u gjet nga karabinierët rreth njëzet kilometra larg vendit ku ai dyshohet se kreu krimin e rëndë.
Karabinierët kanë qënë në kërkim të tij prej dy ditesh. Një kalimtar i rastit ka pikasur një mjet në San Casciano, në një zonë të pabanuar dhe ka lajmëruar policinë. U konstatua nga karabinierët që makina ishte e Alfred Velës, i cili ishte në kërkim për vrasjen e bashkëshortes së tij. Disa metra larg mjetit Golf është gjetur trupi i pajetë i 44 vjeçarit dhe pranë ishte dhe arma pistoletë.
Mbrëmjen e së enjtes, Alfredi debatoi në banesën e bashkëshortes së tij, me të cilën ishte në proces divorci. Duke ndjerë rrezikun, ajo ka zbritur poshtë, por është ndjekur nga pas. Alfredi e qëlloi me tre plumba përballë hyrjes së pallatit, duke e lënë të vdekur.
44-vjeçari ishte me profesion murator, ndërsa Klodiana punonte në fabrikë dhe të shtunave punonte dhe si kamariere në një piceri, jo shumë larg banesës. Fqinjët i thanë mediave se Klodiana dhe Alfred Vefa ishin në proces divorci, ndërsa kohët e fundit mosmarrëveshjet mes tyre ishin shtuar për shkak të xhelozisë së 44-vjeçarit. Çifti lanë pas dy fëmijë, një djalë 17-vjeçar dhe një vajzë 14-vjeçare.
Klan News