100 votat në Parlament që miratuan rezolutën e socialistëve e që treguan gatishmërinë për shkarkimin e tij, Ilir Meta i shpërfill, duke e cilësuar në mënyrë indirekte Parlamentin aktual si jolegjitim.

“Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti, natyrisht jo nga ky, por një plotësisht legjitim. Presidenti i takon Republikës dhe Republika u takon vetëm qytetarëve”.

E menjëherë pas kësaj deklarate të Presidentit mbi ilegjitimitetin e Parlamentit aktual, u bë publik fakti se Presidenca i është drejtuar zytarisht kryetarit të KQZ me një shkresë ku i kërkon informacion brenda një kohe shumë të shkurtër mbi numrin aktual të mandateve të deputetëve në Kuvend. Aktualisht, pasi kanë shteruar listat e të dy partive opozitare, Parlamenti ka 122 deputetë.

Meta, në aktivitetin e aleancës për dhurimin e gjakut, me vendosmëri deklaroi se dekreti i tij që shfuqizoi 30 Qershorin si datën e zgjedhjeve, është i detyrueshëm për të gjithë. “Kush zgjedh paligjshmërinë – thotë ai – do të përballet me pasojat që ka provokimi i paqes sociale”.

“Presidenti nuk ndalon askënd të çmendet, përkundrazi ftoj për të izoluar çdo të çmendur i cili në këtë ditë të dhurimit të gjakut bën thirrje për gjëra të ndryshme. Presidenti ka drejtë të bëjë thirrje për reflektim, ata që e ecin në rrugën e paligjshmërisë do të kenë të gjitha pasojat që provokojnë paqen sociale në vend dhe stabilitetin demokratik në vend”.

Lidhur me vendosjen e një date të re për zgjedhjet në funksion të së cilës ka nisur dhe konsultimet me partitë politike, thotë se po punon me përgjegjshmëri për ta gjetur. Pasi, sipas Presidentit, shqiptarët kanë nevojë për zgjedhje të lira e të ndershme, çka do të siguronte dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Tv Klan