“E dashur nënë” është një faqe në Instagram që bën bashkë gratë në pritje të ëmbël për herë të parë apo dhe nënat me shumë fëmijë.

Ishte ideja e 3 shoqeve të cilat nuk kishin lidhje me mëmësinë, por që besuan se një faqe e tillë ishte e nevojshme për nënat në Shqipëri, si një hapësirë motivuese, këshilluese dhe me shumë informacion.

Blogerja Blerta Methasani ishte ajo që u përkushtua me kohë të plotë kur ishte shtatzënë. Në një intervistë për “Jo Vetëm Modë” këtë të Shtunë, Blera rrëfen se pasi solli në jetë Matiasin, pasioni i saj për të frymëzuar nënat e tjera mori kuptim tjetër.

Faqja ka nisur më përpara se unë të isha shtatzënë, e kam pasur me dy shoqet e mia ku ne postonim thjesht të frymëzuara. Unë kam punuar gjithmonë me fëmijët, me fotografinë dhe veshjet që realizoj. Kështuqë bota e fëmijëve ka qenë gjithmonë e preferuara ime, pa qenë nënë. Por, pasi isha shtatzënë, ndodhi periudha e pandemisë dhe unë isha në shtëpi. Shkruaja, motivoja njerëzit, tregoja rreth shtatzanisë time dhe kur pashë që njerëzit e pëlqenin shumë atë që po shpërndaja, kjo më jepte motiv për të ecur përpara. Pastaj pasi u bëra nënë, ishte një gjë komplet tjetër, që më buronte çdo gjë instiktivisht të tregoja për mëmësinë. Por, jo vetëm kaq.

Nuk është vetëm pjesa për të reklamuar jetën që unë kam, por e kuptova, e ndjeva nën lëkurë që çdo nënë e re ka nevojë për ndihmë. Për këshilla, gjidhënia, paslindja, janë shumë gjëra që ne duam të dimë. Ose kur vuan nga pagjumësia dhe sheh se dikush tjetër është si ti, ndihesh më e ngushëlluar. Shoqet e mia ishin iniciatore për të më ndihmuar, por duke parë pastaj se unë e ndjeja natyrshëm që ta bëja këtë gjë, hapësira ishte e gjitha e imja.

Pas shtatzanisë e menaxhoja, ishte një punë me kohë të plotë. Më merrte kohë, por duke qenë se unë isha lidhur shumë me njerëzit, ata prisnin nga unë, sigurisht parësor ishte bebi, por mundohesha kur ai flinte të gjeja kohë. Shkruaja goxha shumë, i kam bërë dhe çunit një ditar. Pasi linda kuptova që ti tjetërsohesh, është një ndjesi që mundohem ta hedh në fjalë, në të shkruar dhe prapë nuk e bëj dot. Përshembull kur jam me çunin e më përqafon, në atë moment dua të marr një letër ose në telefon te notes dhe të shkruaj për ndjesinë. Ka njerëz që e gjejnë veten te fjalët dhe ndihen mirë”, rrëfeu Blerta./tvklan.al