Një kontroll rutinë i policisë rrugore të Sarandës, jo vetëm që zbuloi një rast dhune në familje, por në fund çoi në pranga 2 persona. Gjithçka nisi kur efektivët ndaluan një makinë në timonin e së cilës ishte një 37-vjeçare. Pasi iu bë testi i alkoolit, ajo rezultoi në gjendje të dehur, ndaj dhe u shoqërua në komisariat. E kur shkoi atje, ajo rrëfeu se ishte dhunuar nga ish-bashkëjetuesi i saj. Përballë këtij kallëzimi, autoritetet policore u vunë në lëvizje dhe arrestuan 40-vjeçarin. Pavarësisht dhunës që 37-vjeçarja kishte pësuar, as ajo nuk i shpëtoi përgjegjësisë ligjore për drejtimin e automjetit në gjendje të dehur dhe përfundoi gjithashtu në pranga.

“Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë ndaluar për verifikim, automjetin tip “Benz”, me drejtuese shtetasen M. K., 37 vjeçe, e cila, pas kryerjes së testit të alkoolit, ka rezultuar ne gjendje të dehur. Për këtë arsye, kjo shtetase është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme, ku ka kallëzuar se ishte dhunuar nga ish-bashkëjetuesi i saj. Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan shtetasin S. Ç., 40 vjeç, pasi dyshohet se më datë 19.02.2024, ka ushtruar dhunë ndaj kësaj shtetaseje. Gjithashtu, pas komunikimit me prokurorin, për këtë rast, është arrestuar në flagrancë shtetasja M. K., për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, tha Policia e Vlorës në një njoftim për mediat./tvklan.al