I ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, ka qenë regjisori, skenaristi, karikaturisti dhe aktor i mirënjohur shqiptar Bujar Kapexhiu i cili foli edhe për karrierën e tij. Ai kujtoi një moment kritik të karrierës së tij në vitin 1972, ku ishte prezantuesi i Festivalit i11-të të Këngës. Ky festival u dënua nga udhëheqësi i asokohshëm i Shqipërisë si një festival që përhapte kulturën borgjeze (diçka e shpallur në kundërshtim me parimet shtetërore) perëndimore dhe shumë nga organizatorët dhe pjesëmarrësit u dënuan me burgime të gjata.

Kapexhiu tregon se pasi u dënua, përfundoi duke punuar tek Kombinati Josif Pashko për 3 vite dhe i shpëtoi burgut për shkak të opinionit të mirë dhe fatit.

Mirela Milori: Ti more një goditje pas Festivalit-11, shumë shkurt ato vitet e goditjes, largimit nga skena, punuat në Uzinë?

Bujar Kapexhiu: U pushova nga puna dhe duhet të shkoja atëhere quhej “Partia e çon për riedukim” sepse ishim të pa edukatë (qesh), një edukatë të re duhet të merrje në punë. Mua më dërguan në Kombinatin Josif Pashko në Tiranë si fillimin, se pastaj siç dolën gjërat më tutje isha dhe unë i caktuar në burg. Por mesa duket opinioni i mirë, punova mirë dhe fat, kështu që u dënova por aty u tha që të jetë pa afat ose mund të ishte 3 vjet. Kur shkova në Kombinat njerëzit ishin puntorë, njerëz të thjeshtë, më kishin parë në film, kënaqësia e tyre që do punoja me ta.

Mirela Milori: Çfarë pune bëje?

Bujar Kapexhiu: Punë krahu. Fillimisht unë shkova tek tubat e betonit, ishte një makineri që i bënte këto tuba dhe më pas kalonte në një si karrocë të vogël të cilën e drejtonin 3 vetë. Shyqyr unë jam marrë me sport dhe isha i fuqishëm. Pastaj kam punuar në fabrikën e çimentos. Kur uleshim për të ngrënë, ndonjëherë makineritë sillnin tymin dhe hapnim tymin me duar për të gjetur ku është buka.

Bujari tregon se ka qëndruar përreth 3 vite dhe më pas për fatin e tij në Kinostudio u hap reparti i filmit të animuar që quhet filmi vizatimor. Një operator dhe piktor që kishin studiuar në Rumani erdhën për të filluar filmin. Por i lindi nevoja për një regjisor dhe kishin dëgjuar për Bujarin, kështu shkuan e kërkuan dhe partia ia hoqi dënimin dhe në vitin 1975 ai filloi punë në filmin vizatimor. /tvklan.al