Gazetarja e emisionit “Historia ime” në Tv Klan ka udhëtuar drejt Matit për të vizituar Rudina Xhepmetaj, 42 vjeçe e cila jeton në Gërman të komunës Komis në një kontenier.

Para 16 vitesh, Rudina u martua me shkuesi me Urimin, bashkëshortin që ka edhe sot. Kur u martuan në fillim, Rudina nuk e dinte se i shoqi kishte pësuar një aksident me motorr i cili i kishte ndryshuar jetën. Ky aksident ka bërë që Urimi të ketë skizofreni hepatike, duke e shndërruar në invalid dhe duke e bërë që kryesisht natën të ketë kriza të mëdha. Ata kanë së bashku dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, djali 14 vjeç e gjysmë, ndërsa vajza 9; djali në klasë të 9-të, kurse vajza në klasën e tretë. Në fillimet e tyre Rudina dhe bashkëshorti jetonin megjithë prindërit dhe motra e vëllezër të Urimit. Por më pas u desh të largoheshin sepse patën mosmarrëveshje dhe gjithashtu sepse një prej vëllezërve të Urimit u kthye nga emigracioni dhe krijoi familje në po atë shtëpi.

Para 6 vitesh, duke parë nevojën e kësaj familje për t’u strehuar diku, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ju dhuroi një kontenier për t’u strehuar dhe prej 6 vitesh jetojnë në këtë kontenier, me një hapësirë të vogël, që kur bie shi futet ujë, si dhe pa tualet, familja i kryen jashtë në natyrë dushin dhe nevojat e tyre personale. Para 3 vitesh djalit të Rudinës iu shfaq sëmundja e epilepsisë në sistemin nervor.

E megjithatë nën efektin e mjekimeve dhe me kujdesin e Rudinës, ai vazhdon shkon edhe në shkollë, dhe pse e kanë larg, mbi gjysëm ore më këmbë vetëm vajtje. Por gjendja e tij kërkon kujdes të vazhdueshëm dhe është shumë delikate, pasi shpesh atij i bie të fikët. Bashkëshorti i saj merr një kemp prej 100 mijë lekësh dhe Rudina merr 1 asistencë prej 50 mijë lekësh. Kaq janë të ardhurat e tyre, ndërkohë që u duhen shumë ilaçe.

Rudina kërkon 1 ose 2 dhoma ku të strehojë familjen e saj. I kanë ofruar një shtëpi me qera në Burrel, të cilën t’ia paguajë Bashkia por ajo nuk ka pranuar pasi thotë që e ka të pamundur të jetojë në qytet, për 2 arsye: sepse i rriten kostot dhe nuk i përballon dot me aq të ardhura sa merr, dhe sepse të dy të sëmurët që ka në shtëpi janë problematikë për shkak të krizave që kanë.

Rudina: Vjehrri punonte, pinte raki dhe vinte e ziheshe, ky i imi ishte me skizofreni, një rast iku vjehrra ime tek baba i vet dhe u rrahën, unë kisha djalin e vogël në 2007. Kur erdhi nga Tirana i thashë vjehrrës, nuk jetoj më këtu nëse ti s’je këtu, do marr djalin dhe do iki.

Gazetarja: Pse kishte grindje mes babait dhe bashkëshortit tuaj?

Rudina: Po, ai ishte i sëmurë, ky nuk e duronte thoshte po bën vetë. Edhe unë dyshoja se bënte vetë, por kur e çova burrin vetë, e vizitova…

Gazetarja: Nga çfarë vuan bashkëshorti juaj?

Rudina: Ka skizofreni hipatike. Ka dhimbje koke, shqetësime, i vijnë zëra, sikur e shajnë të tjerët, e ofendojnë. Janë tip krizash 1 orë, 2 orë.

Gazetarja: A ke momente të bukura me të?

Rudina: Po çfarë momente të bukura unë me të, por për hir të djalit kam ndenjur. Nuk e kam ditur që ai ishte i sëmurë sepse po ta dija, nuk do e bëja një gjë të tillë kurrë në jetën time. Sa kam vuajtur vetëm shpirti im e di se çfarë kam hequr që kur kam ardhur. Nuk kisha ku të përplasesha. Nuk kisha as bukë që të haja, kam ndenjur dhe 24 orë pa bukë, veç djalit i bëja.

Gazetarja: Si ka qenë ecuria e tij?

Rudina: Është përkeqësuar ndër vite. Ka një tre vite që më është sëmurë djali, është mërzitur edhe më shumë bashkëshorti. Ta dija së më sëmurej djali, nuk isha martuar, ka thënë. I thashë nuk ke faj ti se e ka thënë dhe doktoresha.

Gazetarja: Nga se është sëmurë djali?

Rudina: Dhimbje koke, temperaturë e lartë dhe i binte të fiktë. Ka qenë shumë mirë, shkonte në shkollë, më vinte keq që e çoja pa një 2 qind lekëshe në shkollë. Shikonte shokët dhe shoqet e veta që hanin, unë nuk kisha çfarë t’i jepja. Tani është i sëmurë, e ka nervore, a e ka prej kushteve që jemi, a se si i ka ardhur nuk e di.

Ajo tregon se vishen vetëm me rroba të falura dhe djalit nuk i ka blerë kurrë një palë çorape të reja. Rudina i ka treguar ambientin e kontinierit gazetares, ku shihen kushtet e mjerueshme. Të katërt flenë në një dhomë, nëna e vajza flejnë në dysheme, ndërsa burri dhe djali i sëmurë flenë në krevatë që i kanë dalë telat.

Ajo rrëfen se lahen në natyrë dhe kryejnë nevojat personale në një kanal që gjendet pranë kontenierit. Nuk kanë lavatriçe dhe rrobat i lan jashtë me dorë në natyrë. /tvklan.al