#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Jeta ime ka shkuar sterrë”, 67-vjeçarja jeton në mjerim: Tualeti i fqinjit kthehet në ‘shtëpi’

“E Diela Ndryshe” e përfundoi  me sukses misionin e parë javën e kaluar dhe ai i radhës e dërgon në Eminas të Shijakut. Ndërsa Arbër Hajdari drejton makinën në një terren të vështirë e me baltë, i shpjegon moderatorit të programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebreas se përgjatë vitit 2024, ”Fundjavë Ndryshe” ka mundësuar 26 banesa nga veriu në jug dhe ndihma të llojeve të ndryshme për  680 familje.

Duket se asnjë situatë e hasur më parë nuk  e kishte përgatitur Arbër Hajdarin për historinë e Ikes. Një 67-vjeçare e vetme, pa fëmijë e bashkëshort që jeton në kushte të papërshkrueshme mjerimi. Fillimisht, ai e Gjebrea i afrohen shtëpisë që i kanë mbetur vetëm rrënojat, gurë të shembur, drurë të kalbur që s’kanë lënë asnjë gjurmë të ndërtesës së dikurshme.

Krah saj, gjendet një lloj shtëpie e vogël, por Ikja nuk banon aty. Realiteti që të përplaset syve është një lloj kubi gri, me një çarje në vend të dritares dhe një deriçkë prej së cilës del  një grua me shami. Sytë i janë lodhur nga të qarët  e sëmundja që s’e lë të qetë. Gjendja brenda ‘shtëpisë’ që në të vërtetë është tualeti i fqinjit, është e paimagjinueshme: në mure varen qese plastike me sendet e saj personale, shtrati, vendi i tualetit, ca karrige të vjetra e të pluhurosura, kurse jashtë gjenden bidonë të mëdhenj plastikë.


Ike: Jeta  ime ka shkuar sterrë, me trastë përpara sa andej-këtej.

Ardit Gjebrea: Sa fëmijë keni qenë ju?

Ike: Kemi qenë 9, 2 kanë vdekur, 7 jemi.

Ardit Gjebrea: Kjo shtëpia këtu e kujt është?

Ike: Është e komshiut tim.

Ardit Gjebrea: Më trego pak për prindërit e tu.

Ike: Çfarë të them për prindërit, ka 20  e ca vjet që kanë vdekur.

Ardit Gjebrea: Ti ke qenë me ta deri ditën e fundit.

Ike: Deri ditën e fundit.

Ardit Gjebrea: Pastaj shtëpia pas sa kohësh u rrëzua?

Ike: Pasi ika unë te motra se isha vetëm fare.

Ardit Gjebrea: Jetove vetëm fare.

Ike: Po.

Ardit Gjebrea: Të gjitha janë të martuara?

Ike: Po.

Ardit Gjebrea: Vetëm ti nuk u martove.

Ike: Kam ndenjur me prindërit e mi.

Ardit Gjebrea: Dhe pastaj ku jetoje?

Ike: U rritën kalamajtë e motrës dhe nuk donin më.

Ardit Gjebrea: Që ti të jetoje atje sepse krijuan famiiljet e tyre dhe pastaj… si përfundove te kjo…  s’di si ta quaj…

Arbër Hajdari: Banjë e kësaj shtëpisë.

Ardit Gjebrea: Domethënë kjo ka qenë banja e kësaj shtëpisë?

Ike: E komshiut, po.

Arbër Hajdari: Dhe kjo banja u përshtat për të jetuar Ikja dhe ka 2 vite që jeton aty.

Ike: Po.

Ardit Gjebrea: Si ia bën për t’u larë?

Ike: Për t’u larë, me thënë të drejtën gjithë verës jam larëkëtu. Në dimër kam shkuar te vëllai.

Ardit Gjebrea: Shkon e lahesh te vëllai.

Ike: Po ashtu, me siklet. Ca rroba dore i laj këtu në ujë të ftohtë.

Ardit Gjebrea: Ku je larë këtu?

Ike: Fshihem atje brenda.

Ardit Gjebrea: Po ujin ku e mbush?

Ike: E mbush larg.

Pas dy vitesh në kushte çnjerëzore, “E Diela Ndryshe” rikthen shpresën për Iken!

Prej 2 vitesh, Ikja, 67-vjeçarja që jton në Eminas të Shijakut, gjendet në mjerim. Ajo është e vetme, pa fëmijë e bashkëshort sepse gjithë jetën u është dedikuar prindërve që prej 20 vjetësh janë ndarë nga jeta. Shtëpia ku jetonin është plotësisht e shembur dhe e pabanueshme, ndaj rrethanat e kanë detyruar të jetojë në tualetin e fqinjit që është përshtatur si një lloj strehe për të.

Kjo vijon prej 2 vitesh, ndaj kur “Fundjavë Ndryshe” mësoi rastin e saj, nuk vonoi t’i futej menjëherë punës. Arbër Hajdari dhe moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea e takuan Iken, mësuan për jetën e saj të vështirë, sëmundjet që e mundojnë vazhdimisht për shkak të gjendjes ku ndodhet dhe gjithçka nisi në kohë rekord.


Fillimisht, Arbër Hajdari i tha Ikes që menjëherë pas takimit, ajo do të vendosej në një shtëpi të improvizuar me të gjitha kushtet e nevojshme derisa të realizohej shtëpia e saj. Pas pak ditësh, është momenti i madh kur Ikja do të prekë nga afër magjinë e së “Dielës Ndryshe” për të parë shtëpinë e saj  të re.

Shtëpia nuk është më në rrugën me baltë e gropa, por më afër fshatit që ajo të ketë mundësi të jetojë në komunitet. Aty ndodhet edhe një qendër shëndetësore dhe si për ta mirëpritur Iken, një dallëndyshe ka ndërtuar folenë aty.

67-vjeçarja s’arrin dot ta besojë se më në fund, gjithçka ka mbetur pas dhe nuk resht së falënderuari me lot gëzimi ndër sy. Shtëpia ka gjithçka i duhet asaj, teksa Arbër Hajdari e siguron se “Fundjavë Ndryshe”  do të jetë gjithnjë pranë saj për ta ndihmuar.

/tvklan.al