#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
“Udha e Shkronjave”- NINA vs FETIE
Nina & Fetie do të ndeshen sot në garën për të bërë sa më shumë pikë dhe sa më shpejt kombinimet e shkronjave. Nina nga Berati, ka punuar si mësuese specialiste; Fetie nga Përmeti, është me profesion juriste. Asnjëra prej tyre nuk del e humbur nga kjo garë, pasi pikët konvertohen në para.
“Kujdes shëndetin”- Kirurgjia robotike e zemres, Liv Hospital
“Ka një mesazh për ty”- Jeta e pashijuar e një familje
Babin e shohim një herë në muaj, nëna punon nga e hëna në të diel”, sakrificat mbajnë larg familjen
Albisa dhe Anita janë dy motra që kanë ardhur nga Italia në “Ka Një Mesazh Për Ty” për prindërit e tyre. Arsyeja është se prej vitesh prindërit kanë sakrifikuar vazhdimisht për vajzat duke mos mundur të jenë pranë tyre nnë çdo kohë. E para që merr fjalën për të ndarë historinë në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është motra e vogël, Anita.
Ajo shpjegon se i ati ka punuar 25 vite si oficer marine në Durrës ku edhe jetonin, ndërsa nëna si edukatore kopshti. Më pas, për shkaqe ekonomike dhe prej problemeve shëndetësore të Anitës, familja u zhvendos në Itali.
Anita: Babi shkoi para nesh edhe punon në tunel,domethënë është përherë nëntokë. Edhe atje është larg, vjen në shtëpi njëherë në muaj, përherë me këto çantat me vete, me çarçafë, me gjëra për t’u ndërruar për t’i larë te shtëpia, për t’i çuar prapë te puna.
Ardit Gjebrea: Prej sa vitesh e bën babi këtë punë?
Anita: Gati 20 vjet, pak a shumë.
Albisa: Nga 2003.
Ardit Gjebrea: Dhe babi bën të njëjtën punë?
Anita: Të njëjtën punë.
Ardit Gjebrea: Vazhdon akoma edhe sot?
Anita: Po, vetëm se për shembull kur mbaron puna në një vend duhet të ikë te vendi tjetër.
Ardit Gjebrea: Sa herë në muaj e shihni babin?
Anita: Një në qoftë se është okej por ka raste që një por ne jemi në punë dhe nuk iknim dot.
Albisa është e martuar, ndërsa Anita e fejuar dhe është vendosur në një shtëpi pranë prindërve. Gjithsesi, kjo nuk mjafton që ta shohë të ëmën më shpesh.
Anita: Mami fatkeqësisht punon nga mëngjesi deri në darkë dhe punon shumë, domethënë punon nga e hëna dhe ka raste deri të dielën. Ne nuk shkojmë gjatë javës ose kur e shohim që ajo është e lodhur, nuk shkojmë sepse na vjen keq sepse ajo sa herë që shkojmë ne do gatuajë, do na presë dhe neve na vjen keq që ajo të lodhet akoma më shumë.
“Ka një mesazh për ty” – Nëna e paragjykuar
Vajza çliron nënën nga pengu i 38 viteve: Ti ike, por kokën e le mbrapa. Për ne mbetesh ikonë
Siç e tha edhe në fillim të rrëfimit të saj në “Ka Një Mesazh Për Ty”, Luli ka ardhur që t’i largojë një peng së ëmës, Sadetes. Nga historia që tregoi në rubrikën nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, prindërit u divorcuan kur Luli ishte 8 vjeçe dhe Sadetja la në shtëpinë e burrit 7 fëmijët.
Sadetja krijoi një familje tjetër por shkonte çdo javë për të takuar fëmijët sepse kokën e mbante pas. Kur ish-burri po ndërronte jetë, ajo i qëndroi pranë, e falenderonte dhe ishte mirënjohëse ndaj tij që kishte rritur fëmijët e tyre.
Prej atëherë kanë kaluar 38 vite. Luli është bërë nënë e dy vajzave dhe jeton në Angli, por e di fare mirë sa rëndon ai largim te Sadetja. Pengu i nënës e ka sjellë deri në anën tjetër të ekranit për t’i thënë se ajo nuk e ka gjykuar kurrë, madje ka kuptuar arsyet e Sadetes.
Luli: Unë këtu jam për të të dhënë një mesazh të cilin unë mendoj se ti e ke mbajtur për shumë vite. Të pyeti pak më përpara Arditi çfarë meraku të ka ngelur dhe ti i the atë që normalisht ka sjellë edhe pasojën më mbrapa. I the që doje një komunikim me bashkëshortin, dashuri, të kaloje jetën. E kuptoj sepse atë nuk e kishe dhe aty të vajti menjëherë mendimi yt i parë.
Kur ti ke ikur, unë kam qenë e vogël dhe unë e kuptoj shumë mirë që ti e ke pasur merak këtë gjë që ike por kokën e le mbrapa sepse këto janë nënat, kështu janë nënat. Ma, unë dua të të them, jo unë, sepse kur unë vij këtu unë jam dhe përfaqësoj motrat edhe vëllezërit dhe flas në emër të tyre gjithashtu, dua të them që mos ta kesh merak që ke ikur dhe na ke lënë me babain që ti e di shumë mirë që ai u kujdes shumë mirë për ne.
Të qenit nënë më bën që të të kuptoj më mirë nga ana shpirtërore. Ti i ke plotësuar të gjitha ato që ne kishim nevojë, me dashurinë tënde të madhe ma, me fjalët e tua të ëmbla, me këshillat e tua, me edukatën që na ke dhënë dhe dua të të them që për ne, je, ke qenë dhe do të ngelesh ikonë në sytë tanë, ashtu siç ngelet babai për ne heroi jonë.
Ti ma, je një nga shembujt që unë do të thosha që duhet të të ndjekin se si duhet të ketë një komunikim të mirë edhe kur një çift divorcohet. Ma, unë asnjëherë nuk të kam ndierë larg, ti ke qenë gjithmonë me mua siç ka qenë edhe Zoti me mua sepse ti gjithmonë na thoshe që nëse ndiheni vetëm, thjesht bëni një lutje dhe do ta gjeni mënyrën sepse është një Zot lart që kujdeset për ju si prind.
Ma, kur njerëzit më komplimentojnë për vajzën, për femrën që jam, për gruan, për nënën që jam, unë menjëherë në mendje të vë ty dhe them faleminderit ma për ato që na ke dhënë, për gjithçka na ke mësuar.
Ky ishte mesazhi im për ty ma sepse e ndiej që ti brenda teje e ke dhe unë dua të ta nxjerr, thjesht dua të ta nxjerr atë merak. Dua të shikoj sytë e tu që të ndriçojnë gjithmonë por pa patur atë pikën në qendrën e syve apo në shpirtin tënd. Të dua kaq shumë, të duam kaq shumë dhe mezi pres që të të takoj.
“Mora këmbët, por shpirtin e zemrën i kisha aty”, Sadetja shërohet nga e shkuara
Pas 38 vitesh, Sadetja është e çliruar nga pengu që e kishte brengosur. Fjalët e së bijës, Lulit në “Ka Një Mesazh Për Ty” i kanë larguar peshën që mbartte për divorcin nga bashkëshorti duke lënë 7 fëmijët në shtëpinë e tij.
Sadetja ndërtoi një jetë të re, por do të kthehej çdo javë në Sarandë për t’i takuar e për të qenë pranë tyre. Megjithatë, vetëm sot 80-vjeçarja ndihet plotësisht e lirë nga e shkuara, diçka që e shpreh mes lotësh në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.
Sadete: Mamaja juaj vdekjen e priste, por që të vinte në studion “E Diela Shqiptare’, ju paçi fat, jetë, shëndet. Më rinove, më shërove dhe unë jam prind, jam nënë si gjithë nënat dhe nëna e ka për detyrë. Gjatë jetës se si i ndodh nënës, fjala që the “ike por e le kokën mbrapa”. Unë vërtet ika, mora këmbët, shpirtin e zemrën i kisha aty. Vinte java, mamaja do shkonte te fëmijët.
Luli: E drejtë, ma.
Sadete: “O Luli”, poshtë ballkonit, Luli te dritarja. “Zbrit poshtë”.
Luli: Nuk kishe nevojë të flisje ma sepse ndiehej. Kaq shumë dashuri sa jepje, ndiehej.
Sadete: Ju kërkonte shpirti, gjaku i zemrës që keni pirë në barkun e nënës dhe u rritët e sa munda, ju edukova si nënë, si përgjegjësi familjare, prindërore. Hallall jua bën mamaja në këtë jetë e në atë, të më rroni sa malet!
La burrin e parë dhe u martua sërish, 80-vjeçarja i heq një merak Gjebreas
Sadetja, nëna e Lulit ka pranuar ftesën për të qenë e pranishme në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Pavarësisht moshës së thyer (80 vjeçe), Sadetja rrezaton energji dhe bisedon me çiltërsi e humor me moderatorin e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrean.
Kur vjen momenti për t’iu përgjigjur pyetjeve për të shpjeguar nga ana e saj historinë që rrëfeu më herët e bija në studio, Sadetja e përmbledh shkurtimisht jetën e vet nga Saranda në një fshat të Tepelenës.
Ardit Gjebrea: Si të ka shkuar jeta?
Sadete: Jeta ime, jo edhe mirë, por jeta kështu është, me shkallë. Herë mirë, herë keq. Herë të gëzon, por edhe të helmon, po edhe kurajën ta jep. Unë kështu e kam kaluar.
Ardit Gjebrea: Ti më dukesh e fortë mua, një grua shumë e fortë.
Sadete: Sot, ku di unë, mos të ma bëjnë qejfin kaq shumë, por unë kështu kam kaluar, kështu jam.
Ardit Gjebrea: Të gjetëm në fshat. Çfaë të pëlqen në fshat?
Sadete: Në fshat unë kam vajtur sepse mua fati i parë nuk më eci. Isha në Sarandë.
Ardit Gjebrea: Me dashuri?
Sadete: Po ku kishte dashuri atëherë, 14 vjet, fëmijë, merre martoje, bëj dashuri, nuk dinim nga dashuria ne.
Ardit Gjebrea: Nuk të vajti mirë e para, po?
Sadete: Nuk më vajti mirë e para.
Ardit Gjebrea: Po e dyta?
Sadete: Sot jam në fshat, u martova në fshat. Bashkëshorti punëtor ishte, traktorist.
Ardit Gjebrea: Çfarë të bëri që u dashurove me të?
Sadete: Po nuk u dashurova more Ardit.
Ardit Gjebrea: Edhe me të dytin nuk u dashurove?
Sadete: Po nuk u dashurova more vëlla, e kam merak dashurinë, por nuk u dashurova.
Ardit Gjebrea: Pra edhe me të parin nuk u dashurove, edhe me të dytin nuk u dashurove. Pra të bënë nuse?
Sadete: Po nuk ishin këto kushte.
Ardit Gjebrea: Dua të heq një merak timin, personal.
Sadete: Do ta heq unë, fol.
Ardit Gjebrea: Atëherë, ti nuk u ndave me të parin se u dashurove me të dytin?
Sadete: Jo. Ç’është kjo ndahu me të parin, dashuro të dytin, jo. U shkurorëzuam, ndenja ca kohë e më doli fati atje. Me porosi, me ndërhyrës. Të doli meraku?
Ardit Gjebrea: Më doli meraku sepse mendova që e le të parin për dashurinë me të dytin.
Sadete: Jo, jo, jo. Nuk na ke nga ai fshat, nuk piqemi me këto gjëra.
Ardit Gjebrea: Edhe ato janë gjëra që ndodhin, janë gjëra normale, të jetës.
Sadete: Po mirë nuk është.
Ardit Gjebrea: Po njerëzit çfarë mendonin, çfarë thoni?
Sadete: Për mua nuk thanë asgjë?
Ardit Gjebrea: Po ti vetë, kishe ndonjë peng?
Sadete: Unë peng kisha vetëm në jetën time të mos kisha debate në shtëpi, të kisha mirëkuptim, të kisha dashuri me familjen. E bëjmë, e bëjmë, e prishim, e prishim edhe të jetojmë derisa na ka dhënë Zoti jetën. Edhe kështu më ka dalë.
“Nëna la 7 fëmijë dhe ndërtoi një familje tjetër”, Luli: Nuk e kam gjykuar kurrë, vinte çdo javë…
Luli është një kampione noti e cila ka ardhur nga Anglia në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan që të ndajë historinë e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Kanë kaluar 38 vite nga një ngjarje në jetën e familjes së Lulit, për të cilën ajo mendon se edhe sot është një peng për njeriun që e ka sjellë në jetë. Një histori divorci, zgjedhjesh dhe sakrificash e cila nis kur Luli ishte 8 vjeçe.
Luli: Kam jetuar me mamin dhe babin për 8 vite sepse kur unë isha 8 vjeçe, prindërit e mi u divorcuan.
Ardit Gjebrea: Sa fëmijë ishit ju?
Luli: Ne kemi qenë7 fëmijë, 4 çuna dhe 3 goca. Pikërisht për këtë kam ardhur sot që të them atë pengun që unë mendoj se nëna ime ka pasur për shkak të këtij divorci. Ne kemi qenë të vegjël, domethënë unë kam qenë fëmija më i vogël, 8 vjeçe, ndërkohë motra ime më e madhe ka qenë 20. Pas divorcit, një familje nuk është ajo që do të ishte. Për shkak të mosmarrëveshjeve të tim ati me nënën time, nëna ime vendos që të largohet duke na lënë të gjithëve me babain.
Ardit Gjebrea: Të gjithë fëmijët me babain?
Luli: Të gjithë fëmijët me babain.
Ardit Gjebrea: Po gjykata ju ndau apo ju la të gjithëve me babin?
Luli: Jo, gjykata na ndau gjysmë për gjysmë, fëmijët e vegjël me mamanë dhe më të mëdhenjtë me babanë.
Ardit Gjebrea: Por ndërkohë ju mbajti babi të gjithëve?
Luli: Ne na mbajti babi, po. Nuk ishte se nëna jonë na la dhe iku. Unë mendoj se ka qenë një grua e zgjuar sepse para se të ikte ajo na pyeti nëse dëshironim që të shkonim me të. Ajo do shkonte do krijonte një familje tjetër në një fshat të Tepelenës. Tani që e mendoj ka bërë gjënë më të mirë, mendoj ka qenë e zgjuar dhe ka menduar për të ardhmen tonë.
Ardit Gjebrea: Prit pak, ju la juve dhe shkoi për të krijuar një familje tjetër?
Luli: Po.
Ardit Gjebrea: Po ku qëndron zgjuarsia këtu?
Luli: Nuk e kisha në prizmin që na la ne dhe shkoi për një familje tjetër. Ndonjëherë është më mirë që nëse ka mosmarrëveshje është më mirë të ndahesh, të divorcohesh.
Ardit Gjebrea: Kjo pa diskutim.
Luli shton se nga 8 vitet që ka jetuar me të ëmën ajo mban mend çdo fjalë e këshillë dhe mendon se është meritë e nënës e cila ka ditur të ndërtojë themele të forta. Ishte zgjedhja e Lulit që ta refuzonte kërkesën e nënës së saj për të shkuar me të në fshat, por e ëma e dinte se atje nuk do kishte mundësi të ndiqte ëndrrën e saj e të bëhej kampione kombëtare në not.
Luli: U gjykua shumë. Kushdo mund të thotë që okej, la 7 fëmijë dhe iku. Unë nuk e kam gjykaur ndonjëherë nënën time. Ndoshta duket absurde nga dikush që mund ta dëgjojë, por çfarë më ka bërë mua që mos ta gjykoj është dashuria e saj. Nuk më ka munguar dashuria sepse vinte çdo javë dhe më mbushte me dashuri. Fjalët e saj ishin… nuk e di, kishin magji brenda?
Ardit Gjebrea: Babi u martua prapë?
Luli: Jo.
Ardit Gjebrea: Fliste ndonjëherë mami për babin ose babi për mamin?
Luli: Mami, vazhdimisht, vazhdimisht për njeriun që ishte dhe që na mbajti, sigurisht që ishte shumë mirënjohëse. Babi jo dhe shumë, biles edhe na ndalonte që të na takonim. Kur ajo vinte, kur do shkoja në shtëpi edhe pse isha mbushur me dashuri, do kisha diçka tjetër nga babai. Nuk ishte njeri i keq, absolutisht. Madje unë them që ka qenë hero për atë që ka bërë.
“Shihemi në gjyq”- Vajza përze nënën
Vajza përlotet, nëna mbyll veshët me duar, Ardit Gjebrea bën përpjekjen e fundit për t’i pajtuar
“Shihemi në Gjyq” i afrohet fundit, por Fatjona e përlotur nga situata, vazhdon të mbajë qëndrimin e saj ndaj nënës dhe të refuzojë të jetojë me të. Arsyeja e saj kryesore është djali me spektrin e autizmit që nuk ndikohet keq nga sjellja e gjyshes. Ndërmjetësja e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani përpiqet që ta bëjë Pieretën, nënën e Fatjonës të reflektojë mbi këtë fakt.
Piereta: Unë do iki në shtëpinë time, le të ikë Fatjona, le të më rrahin gjitonët.
Fatjona: Po s’është shtëpia jote.
Piereta: Edhe ju zoti Ardit e merrni si qesharake këtë punë…
Ardit Gjebrea: Po kush po e merr si qesharake?
Piereta: Po më bëni tani që të bëj një krim ndaj vetes ose ndaj dikujt.
Eni Çobani: S’e marrim fare të atillë, ne do të të ndihmojmë deri në fund për të dalë e vërteta që ti të qetësohesh. Por themi në vazhdim, do jesh kështu në këtë situatë me fëmijët e Fatjonës apo do jesh më e qetë? Duhet të jesh e qetë zonjë. Duhet të jesh e qetë sepse kështu siç je e acaron fëmijën, po ta thotë vajza.
Piereta: E di.
Eni Çobani: Jo e di, po do jesh e qetë apo jo? Premtomë një gjë!
Piereta: E di se djali ia bën kështu (zë veshët me duar). E kam gjetur se unë nuk dëgjoj dhe nga veshët dhe unë e kam një çikë të madhe, e ngre zërin.
Eni Çobani: A po mirë, problem tjetër atëherë.
Piereta: Të më falni se nuk dëgjoj, jam e operuar nga veshët edhe djali kur dëgjon që unë ngre zërin “nëna, stop shouting” (mos bërtit). Por nëna nuk dëgjon mirë i them unë prandaj bërtas se edhe argumentojmë.
Duke qenë se situata mes nënë e bijë nuk po shkon drejt pajtimit, Ardit Gjebrea provon diçka të fundit. Ai shkon fillimisht pranë Fatjonës duke iu drejtuar Pieretës.
Ardit Gjebrea: Unë jam në këtë anë dhe lejomë të të them një gjë që për dashurinë, për atë që ke bërë për vajzat e tua gjithë jetën, mundohu që të rregullosh disa marrëdhënie. Mundohu të rregullosh atë që sot një pjesë e madhe e “Të Dielës Shqiptare”, publikut ka vënë duart kështu (zë veshët me duar). Të garantoj për këtë gjë. Të lutem, për dashurinë e fëmijëve mundohu që të evitosh që jo vetëm djali, por çdo njeri që ke përreth të vendosë duart kështu. Jepi vetes pak qetësi dhe bëje për dashurinë e vajzave dhe të nipit tënd.
Gjebrea largohet prej saj dhe shkon te Piereta e këtë herë bën të anasjelltën, teksa Fatjona është me lot në sy.
Ardit Gjebrea: Ne prindërit nuk i zgjedhim. Janë ata që janë. Edhe në qoftë se ngrenë zërin, edhe në qoftë se kanë këtë mënyrë të shprehuri, të gjejmë një rrugë për zgjidhje. Nuk po them për t’i duruar, por për të gjetur një zgjidhje. E di që e ke shumë të vështirë prej djalit, por në fund të ditës është nëna jote.
Piereta ngashërehet: Më akuzojnë se ndaj çiftet!
Fatjona nuk dëshiron që nëna e saj, Piereta të jetojë me të në shtëpinë në Vlorë, të cilën e ka dhuratë prej saj dhe as në Angli. Arsyeja është djali me spektrin e autizmit i cili nuk arrin të kuptojë reagimet shpërthyese të gjyshes së tij. Edhe pse ka 2 vajza të tjera, Piereta nuk ka asnjë kontakt me to, një situatë që vazhdon prej vitesh.
Një tjetër konflikt paralel janë debatet me fqinjët në shtëpinë në Vlorë, që siç përmendi Fatjona gjatë “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ndodhin vetëm kur është nëna e saj. Për këtë arsye, vajza do që t’i largohet këtyre problemeve.
Ardit Gjebrea: Ti nuk do që as në Angli të jetosh me mamin?
Fatjona: As në Angli. Mua më qepen problemet nga pas. Tha ai kështu, bëri ai kështu, policia kështu. Nuk kam më fuqi.
Ardit Gjebrea: Po motrat e tjera ku jetojnë?
Fatjona: Në Londër. Ia gjej unë motrat.
Eni Çobani: Jo, motrat e thua thotë.
Fatjona: Po, po ia gjej unë motrat. E çoj unë.
Piereta: Po kush do më pranojë mua moj?
Fatjona: Rregullo marrëdhëniet, si e prishe me mua.
Ardit Gjebrea: Pse nuk të pranojnë vajzat e tjera?
Piereta: Po ashtu kanë ardhur o zoti Ardit se iu duk atyre, se është bërë një çikë kapitali keq. Nuk di ça të të them nëna. Kjo u nda nga burri, ato janë me burra. Edhe unë u mundova që ta ndihmoja këtë sepse ngeli me dy fëmijë dhe një të sëmurë, nuk e kisha idenë e autizmit.
Eni Çobani: Dhe atyre iu ngeli hatri që ti u ndave dhe shkove te Fatjona?
Fatjona: Të gjithë pretendonin se unë i merrja pasurira kësaj dhe prandaj e kam mbajtur dhe i ka ngelur hatri…
Piereta: Mendojnë se kam pasur kapital e ti dhashë ty! Të bleva shtëpi në Birmingam!
Fatjona: Po edhe unë kam bërë.
Piereta: Ke bërë për sëmundjen time.
Eni Çobani: Pra blerja e banesës në Angli të futi në konflikt me dy vajzat e tjera?
Piereta: Ato s’flasin tani se ia kam dhënë kësaj me demek.
Fatjona: Ato nuk duan t’ia dinë. Ato edhe të vdesë kjo, larg qoftë, nesër se nuk e dua në shtëpi por jetën e ka nga Zoti dhe të vdesë kjo, nuk i shkojnë në varrim.
Fatjona shpjegon se biseda e fundit me motrën e saj të madhe ka ndodhur 7 vjet më parë. Kjo përkon me të njëjtën periudhë që Piereta është në konflikt me fqinjët që e akuzojnë se prish familjet. Konflikti është për shkak të disa fotove që Pieretës dhe disa prej mikeshave të saj iu kanë mbërritur në celular, por tashmë akuzohet se është Piereta ajo që i ka shpërndarë.
Piereta: 7 vjet ka kjo bisedë, 7 vjet. Edhe 7 vjet është gjithë kjo historia. Ti merresh me njerëzit, ti i ndan nga burrat. S’kam ndarë njeri, unë kë të bashkoj korba!
Eni Çobani: Pra për këtë akuzoheni, që ju ndani njerëzit?
Piereta: Po!
“Doja të flisja shqip me dhëndrin”, vajza: Vjehrra s’më merrte në telefon, mori shqiptarin kjo!
Mentaliteti e ka shtyrë Pieretën që mos të pranojë të dashurin e huaj të vajzës së saj, Fatjonës dhe të pranonte mblesërinë me një djalë shqiptar. Nga biseda mes tyre në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan kuptohet që Fatjona ende nuk e ka përtypur këtë situatë pasi nga burri që zgjodhi e ëma është ndarë sepse ai e donte për pasaportë duke qenë se ajo jeton në Angli.
Ardit Gjebrea: Shiko Piereta, ti çfarë kishe kundër të dashurit që kishte Fatjona?
Piereta: Po ishte i huaj.
Ardit Gjebrea: Po ishte i huaj edhe çfarë pastaj?
Piereta: Doja që të flisja unë shqip.
Ardit Gjebrea: Doje të flisje shqip me dhëndrin.
Piereta: Po, po. Po mentaliteti, unë po e tregoj.
Ardit Gjebrea: Po mentaliteti, ja pra, nuk është më.
Piereta: E bëra.
Ardit Gjebrea: Nuk është më me dhëndrin.
Piereta: Tani duhet të më vrasë?
Fatjona: Pa ardhur andej, i tha “mirëmëngjes, natën e mirë” të gjitha ia thoshte ai. Vinte atje, në telefon ai. Njëherë nuk më merrte vjehrra në telefon, isha për të lindur. Mori të thoshte “gëzuar ditën” se ishte ortodoks dhe i thoshte “gëzuar ditën e emrit” ish-burrit tim dhe unë ditën për të lindur e kisha në të njëjtën datë, në datën 2 Dhjetor dhe s’më thoshte “moj Fatjona, linde apo jo?”
Eni Çobani: Vjehrra.
Fatjona: Vjehrra. Edhe mori shqiptarin kjo, jo se janë të gjithë njësoj po resmen që kisha me resmen që më dhanë këta.
Deshi të huaj, e ëma e martoi me shqiptar: Donte të pinte kafe në mëngjes me dhëndrin
Fatjona ka sjellë një “Shihemi në Gjyq” nënën e saj, Pieretën. Ajo merr fjalën e para për të shpjeguar konfliktin që i ka sjellë në rubrikën nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Fatjona jeton në Angli së bashku me nënën dhe dy fëmijët e saj.
Rreth 3 vite më parë, Piereta i dhuron shtëpinë në Vlorë dhe Fatjona e rregullon dhe mobilon që të mund ta përdornin. E çuditshmja është se çdo herë që Piereta shkon në këtë shtëpi, ka zënka e debate me fqinjët, diçka që s’ndodh me Fatjonën. Piereta ndërpret Fatjonën duke ndryshuar kursin e bisedës dhe duke shfaqur edhe konflikte të tjera mes tyre.
Piereta: Moj si nuk të vjen zor që më bie mua këtu, që u ndave me burrin, të martova, të rrita fëmijët.
Fatjona: Jo, burrin ma keni gjetur ju, s’e kam gjetur vetë. Burrin ma kanë bërë me lajmësi. Burri im pasi ka ardhur në Angli, kam bërë fëmijën e parë, vajzën, kam rënë shtatzënë me fëmijën e dytë, më deklaron që më ka marrë për pasaportë. U ndava. Lajmësinë ma ka gjetur gjitonia e famshme që kemi ne ballë për ballë. Tani, mua më ke ndarë ti me ata përderisa ju ma keni dhënë.
Piereta: Po ku e dija unë, xhaxhi Pandin ti e kishe si vëlla moj.
Fatjona: Ju e keni gjetur, ju ma keni dhënë, unë s’e njoha fare, ju besova.
Eni Çobani: Po si e pranove ti Fatjona se ti vajzë e re… se edhe sot ta akuzosh mamanë për diçka që ti e ke pranuar vetë, ke sjellë në jetë dy fëmijë, pra është një çikë akuzë e rëndë kjo për nënën tënde.
Fatjona: Kultura, edukata, çdo gjë janë zhvilluar në Shqipëri, por jo edhe aq shumë. Mamaja ime është një gjeneratë komplet ndryshe nga gjenerata ime.
Eni Çobani: Po pra, ju si e pranuat këtë?
Fatjona: Unë jam njohur me një njeri në Angli, mamaja ime nuk ka qenë dakord.
Eni Çobani: Ah, kishit një njohje tjetër?
Fatjona: Po.
Lajmësi ishte fqinji i tyre dhe Piereta i dhuroi 1500 Paund për këtë lidhje që kishte realizuar. Ajo pranon se e kundërshtonte lidhjen që Fatjona kishte në Angli sepse djali ishte i huaj, një fakt që e konfirmon edhe e bija.
Fatjona: Mamaja ime donte shqiptar me idenë që kur të zgjohet në mëngjes t’i thojë “mirëmëngjesi, hajt pimë kafe”, kjo ishte ideja.
Piereta: Të vija të mbaja lagjen në gojë, për atë e doja se ça më bëri, s’më bëri nder veç se më ka shkatërruar edhe me këtë.
Fatjona: Edhe prishi shtëpinë, thotë s’kam faj unë që u ndave ti..
Ardit Gjebrea: Po pse nuk e binde ti mamin për atë që dashuroje?
Fatjona: Nuk bindet kollaj, nuk e kuptoni, mamaja ime nuk bindet kollaj. Për faj të saj unë nuk flas me motrat, nuk flas me tezen, nuk flas me dajën, nuk flas me asnjeri.
Ardit Gjebrea: Pse?
Piereta: Po pse moj të kam ndarë moj të keqen nëna, po ato u bënë me burrin tënd më pas moj, që nga tezja bënte barbekju, që nga motra jote, burri i motrës tënde punonte në lavazh. Pse?
Fatjona: Po të flisnin me mua nuk do bëheshin. Më ndave ti.
Piereta: Më shkatërruat ju mua që ju duhet të më mbanit mua kështu se ju mora një copë mish, ju çova në mes të Londrës, jam gjymtuar nga vetja ime.
Fatjona: Kanë ikur ato histori, ajo ka ikur.
Piereta: Po të rris edhe fëmijën autik.
Fatjona: Faleminderit për aq, tani ku jemi?
“Mam, po ti !? 2” – Faza I
/tvklan.al