#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“E Diela Ndryshe” – Episodi 1

Nga ekrani në zemrat e njerëzve, “E Diela Ndryshe” me Ardit Gjebrean dhe Arbër Hajdarin

Përgjatë viteve, “E Diela Shqiptare” në Tv Klan e ka shprehur qartë se nuk është vetëm një program  televiziv për të gjithë familjen, por një mision që ka në qendër marrëdhëniet njerëzore. Programi është gjendur pranë mijëra njerëzve me dëshirën për të ndihmuar, lehtësuar sadopak dhe përçuar humanitarizmin.

Por shprehja “sa më shumë, aq më mirë” tregon sesi të gjithë bashkë, mund të bëjmë ndryshimin. “E  Diela Shqiptare” shkon në “Fundjavë Ndryshe”, fondacionin  e Arbër Hajdarit për të bashkuar forcat në këtë mision të madh dhe kështu lind “E Diela Ndryshe”.

Arbër Hajdari e nisi këtë mision rreth 10 vjet më parë dhe sot ndihet “sikur ka jetuar 100 vite” nga ajo ditë fundjave që do të ndryshonte shumë jetë, përfshirë edhe tijën.


Ardit Gjebrea: Po si lindi kjo ide, domethënë 21 vjeç?

Arbër Hajdari: Për hir të së vërtetës ka lindur krejt spontane, e paplanifikuar ku në një ditë të caktuar feste, ashtu siç ishte menduar që ne ta festojmë me familjarët tanë, unë vendosa ta kaloj ndryshe. Atë  ditë e mbaj mend shumë mirë kur unë vendosa që të merrja disa ushqim të gatuar dhe të shkoja në një nga lagjet më të varfra të  Tiranës, në njësinë nr. 4  ku atë ditë edhe pse ishte ditë feste, aty nuk kishte aromë feste dhe mblodhëm gati 25 fëmijë jetimë të asaj zone dhe të gjithë ashtu shtruar në tokë, u ulëm duke ngrënë drekën së bashku. Kemi kaluar gati 7-8 orë mjaft mirë me njëri-tjetrin, të gëzuar, gjetëm një kasetofon të vogël, të vjetër duke vënë pak muzikë, duke kërcyer me njëri-tjetrin dhe aty ishte momenti i parë kur unë mora atë shkëndijën që unë duhet të bëj diçka, duhet të nis diçka sado e vogël të jetë ajo,  në fundjavë se në atë kohë isha edhe në shkollë, në fundjavë gjeja kohë më tepër.

Ardit Gjebrea: Ndaj dhe emri erdhi “Fundjavë Ndryshe”.

Arbër Hajdari: Ndaj dhe emri erdhi “Fundjavë Ndryshe” krejt naryrshëm, por edhe ftesa publike që më pas vendosa t’u bëja njerëzve ishte për në fundjavë pasi kanë më tepër kohë për t’u angazhuar në aktivitete sociale. Ishte pikërisht ajo ditë që për hir të së vërtetës ndjeva një emocion të veçantë dhe një shkëndijë që unë ta nsis këtë gjë. Menjëherë, mbaj mend që po atë javë, kur kërkoja te njerëz të tjerë që  të na ndihmonin, ishin shumë të gatshëm. Mbaj mend shtëpinë e parë kur e kemi nisur, ka qenë vërtet e vështirë, nuk kemi fjetur me ditë sepse kishim frikë a do të kemi ne fuqinë ta realizojmë këtë gjënë? Por  kemi pasur shenja të pastra që “Fundjava”  lindi në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur.

“Zgjohej me ulërima dhe e përqafonte”, djali parandjeu vdekjen e të atit/ Tullumbacet nisen me mall drejt qiellit

 “E Diela Ndryshe” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është gati për misionin e saj të parë. Ardit Gjebrea dhe Arbër Hajdari nisen drejt Ballshit, në shtëpinë e Silvana Isufit. Shtëpia është e rrënuar, trarët e tavanit të kalbur, muret të çarë, mobiliet  të vjetruara dhe në të jetojnë një nënë e vetme me të birin.

Ajo është 36 vjeçe, ka jetuar në Berat dhe më pas studioi në Tiranë për Shkenca Politike. Pamundësia  ekonomike nuk e lejoi të përfundonte universitetin dhe nisi punë në një rrobaqepësi, ku u njoh me bashkëshortin. Deoni ishte gëzimi i tyre i parë, por fati kishte rezervuar sfida të paimagjinueshme për  çiftin.

Në vitin 2020, bashkëshorti humbi jetën në një aksident. Silvana kujton sesi djali e parandjeu fatkeqësinë 3 ditë përpara se të mbërrinte lajmi i tmerrshëm. Ajo ngjarje e bëri të kalontee në depresion dhe dëshpërim të thellë, duke mos e lejuar të mendonte për gjë tjetër.

Silvana: Pata probleme shëndetësore. Dola me hepatitin B. Fillova të merrja mjekime se kisha hallin e  djalit se mos merrte virusin tim. Kur erdhi në jetë djali, i bëmë vaksinën.


Ardit Gjebrea: Dhe çdo gjë në rregull.

Silvana: Deri  këtu po. Çdo gjë,ishim shumë të lumtur me ardhjen e djalit.

Ardit Gjebrea: Ndryshoi, erdhi gëzimi në shtëpi.

Silvana: Një lumturi e madhe. Me bashkëshortin kalonim shumë mirë, nuk kishim konflikte e gjëra, ishim  shumë të lumtur. Ishte 10 muajsh e gjysmë djali. Flinim në një dhomë e kuzhinë se ishte më ngrohtë dhe  kishte dy divanë. Unë flija me djalin dhe burri flinte te divani tjetër. Fëmija në 3 të mëngjesit ngrihej me një ulërimë, qante, nuk e kuptonim se çfarë kishte dhe shkonte tek i ati, e përqafonte, mua kjo më tmerronte. 3 ditët e fundit para se burri të pësonte aksidentin. Ka qenë shkurt 2020. Burri u nis për në punë, iku në mëngjes dhe kur më marrin në telefon më pyesin, më thonë “me kë të iku burri në punë” dhe  unë u them ka ikur vetëm, fillojnë telefonata të tjera, më thonë që “mos u mërzit se burri ka pësuar një aksident”. Unë isha një nënë e re dhe nuk e përballova dot atë lajm se ne sa e kishim ndërtuar, ishim një familje e re. E kam  përjetuar shumë keq. Kam kaluar në depresion, edhe fëmijën nuk e merrrja dot më në atë moment, nuk e di çfarë i kam bërë. Shtëpinë, çfarë kisha aty i hodha, nuk mendova gjë derisa më erdhën njerëzit që më mblodhën. Më thanë “shiko se ke fëmijën”, unë nuk e dija se çfarë do të thoshte fëmijë se isha një nënë e re, nuk e kuptoja që fëmija është gjithçka, është një lumturi më vete, pavarësisht se unë në atë gjendje nuk e kuptoja ç’do të thoshte.

Sot ajo shpreson se e ardhmja e  tyre mund të jetë diçka më e mirë dhe reflekton për dëshirat e shprehura nga dhimbja e pikëllimi.

Silvana: Në ato momente kam lutur Zotin, kam thënë o Zot mua jeta…më iku burri, më merr dhe mua e djalin pa e ditur se ç’do të thotë jeta më mbrapa dhe i kërkoj falje 1000 herë Zotit të madh që të mos më marrë  djalin se ajo është pasuria, jeta ime tani.

Për të siguruar jetesën, Silvana punon në një supermarket në Fier si sistemuese. Çdo ditë, ajo shkon nga Ballshi drejt Fierit ku i duhet  të shohë dhe përjetojë ndjesinë e humbjes së bashkëshortit në rrugën ku ka ndodhur aksidenti. Ajo lëngon për jetën e këputur në mes, ëndrrat, dashurinë që fatkeqësia nuk e kurseu.

Silvana: Ajo rruga mua  më është bërë…  më kujton burrin sepse burri aty më ka rënë. E shikoj përditë. Më duket sikur… do të më vijë, më kujtohen gjëra sesi ka ndodhur, sesi ka rënë aty dhe mua më kalon në një ankth, në një stres më vete ajo pjesa aty, më rëndon psikologjikisht, mendërisht, i lutem Zotit më ndihmo sepse nuk është e lehtë për mua kur shikoj dashurinë time që iku, atë që unë kisha krijuar jetën.

Dhimbja prek edhe vogëlushin. Deoni e kërkon vazhdimisht të atin, të cilit nga fotot kuptohet se i ka ngjarë shumë. Shpesh, ai i shpreh Silvanës dëshirën për të blerë një tullumbace që t’ia dërgojë të atit.

Silvana: Më thotë “dua babin, më ka marrë malli, dua ta përqafoj, ta puth”. I them ke një faqe të babit dhe një të mamit që ti mund ta puthësh që të nxjerrë mallin. I them unë që na shikon babi, e kemi lart te qielli dhe më kërkon tullumbace, “më bli tullumbace që t’ia nis babit, që t’i nis një përqafim”. Më prek shumë. Qan, e kërkon.

“Jam në ëndërr?” Nënë e bir s’u besojnë syve, “E Diela Ndryshe” u mundëson një jetë të re

Një nënë 36-vjeçare, e mbetur e ve dhe me një djalë të vogël,  ë një shtëpi në Ballsh që frikësohen çdo ditë se nga momenti në moment do t’u bjerë mbi kokë. Kjo është historia e Silvanës dhe Deonit që rrëfehet përmes dritares së re, “E Diela Ndryshe” të programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.

Ndërsa nisen drejt Fierit për të shkuar në ambientin e punës së Silvanës që çdo ditë detyrohet të shohë vendin ku i shoqi ka humbur jetën, Ardit Gjebrea  dhe Arbër Hajdari e njoftojnë se do të bëjnë një ndalesë. Ata ndalojnë përpara derës, hyjnë dhe në banesë nuk gjendet njeri. Në shtëpi shihen fotot familjare të Silvanës dhe Deonit që më në fund  kuptojnë se kanë një shtëpi të re, për të cilën nuk mund t’u besojnë syve.

Rasti i tyre, siç bën me dije Arbër Hajdari, është identifikuar nga “Fundjavë Ndryshe” një javë më parë dhe puna nuk ka reshtur për t’u mundësuar sa më shpejt një jetë të re.


Silvana: Faleminderi shumë… nuk e di…jam në ëndërr? Nuk e besoj që…nuk e besoj që është shtëpia jonë kjo?

Arbër Hajdari: Në fakt, po. Kjo është shtëpia jote!

Silvana: Shumë faleminderit Arbër! Nuk e prisja brenda një jave të realizohej kjo ëndërr! Të falënderoj shumë! Shumë, shumë, shumë!

Arbër Hajdari: Silvana, i gjithë ekipi ynë ka qenë i angazhuar që kjo të realizohet në kohë rekord!

Të katërt ulen në dhomën e ndenjes ku në tavolinë janë shtruar disa pije e qerasje të vogla. Arbër  Hajdari i jep edhe një tjetër lajm Silvanës.

“Për njëfarë kohe do t’i suportojmë edhe në anën e një pensioni”, i thotë ai duke dorëzuar çelësat e shtëpisë. Silvana është mëse gati për një jetë të re duke e lënë dhimbjen në atë shtëpi të vjetër.

Arbër Hajdari: Ekipi jonë do të jetë gati nëse dëshiron që të shkosh sot atje ku ishe që të marrësh ndonjë gjë…

Ardit Gjebrea: Do të kthehesh prapë atje?

Silvana: Jo.

Ardit Gjebrea: Nuk do fare të shkosh aty.

Silvana: Nuk dua fare të shkoj atje!

Arbër Hajdari: Më vjen mirë që tani çdo  dhimbje që ke kaluar, çdo gjë ta lësh atje dhe të fillosh një jetë të re. Djalin e ke si drita dhe ne do të të asistojmë edhe për regjistrimin në shkollë që të duhet dhe për çdo gjë që do të kesh nevojë këtu që tani t’ia nisësh një jete të re.

Duke lënë në shtëpinë e re Deonin dhe Silvanën me sytë që u ndrisin nga lumturia, Ardit Gjebrea dhe Arbër Hajdari dalin me zemrën plot dhe gati për një tjetër mision në javën e ardhshme.

“Kujdes shëndetin” – Virozat dhe pasojat e Covid-it

“Ka një mesazh për ty” – Të jetosh pa identitet


Nga gomonet e kamionët në malet e Kosovës: Familja kalon 25 vite në hijen e padukshmërisë

Për 25 vjet, Brunilda dhe familja e saj kanë jetuar pa identitet. Të drejta të mohuara, të pazbatueshme që vetëm i jepnin hov kalvarit të vështirësive. Fëmijët nuk shkolloheshin dot, nuk merrnin kujdesin shëndetësor, nuk mund të lëviznin lirshëm sepse për autoritetet, nuk kishin ekzistuar kurrë.

Brunilda dhe djali i saj i vogël, Drini vijnë në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për të rrëfyer si nisi gjithë kjo histori. Fjalën e merr Brunilda që tregon se në vitin ’97 ajo u martua në Malësi të Madhe. Një vit më vonë, bashkëshorti nuk lajmëroi askënd dhe vendosi të bëhej pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke  e lënë Brunildën shtatzënë.

Kur ai kthehet në muajin gusht, familja s’e lejon më të largohet dhe vendosin të shkojnë në Londër. Nga gomonet në kamionë, Brunilda e quan mrekulli faktin që arriti t’ia dilte mbanë duke qenë 8-muajshe shtatzënë.


Brunilda: Unë isha 8-muajshe shtatzënë, vendosëm të shkojmë në Londër. Shkojmë drejt Vlorës, me gomone në Brindisi.

Ardit Gjebrea: 8-muajshe shtatzënë me gomone?

Brunilda: Me gomone.Pastaj mbërrijmë në Itali, rrimë disa ditë derisa gjetëm rrugën për Angli.

Ardit Gjebrea: Që ishte?

Brunilda: Që ishte me kamionë, e mbyllur rreth 16-17 orë, pa dalë fare. Dashtë Zoti më ndihmoi që mos ta humbja fëmijën, gjithë ai udhëtim, gjithë ajo vështirësi. Hyjmë në Londër. Në momentin që hyjmë në Londër, policia londineze na ndan në dy pjesë: mua më gjen banesën ngaqë isha shtatzënë dhe minorene dhe burrin e dërgojnë në kamp.

Në Londër, çifti u regjistrua si nënshtetas të Kosovës. Tashmë ishin bërë me tre djem të regjistruar me identitete të tjera në Angli, ndërsa në Shqipëri nuk pasqyroheshin në gjendje civile a në ndonjë dokument. 

Në vitin 2005, familja kthehet në Kosovë dhe Brunilda tregon se me shumë vështirësi, ia doli qëdjali i madh, Sovrani të regjistrohej në shkollë. Për të marrë shërbimin shëndetësor ishte e vështirë dhe nevojiteshin një mori shkresash. Kufiri Shqipëri-Kosovë duke e përshkuar nga mali ishte kthyer në një rrugë thuajse të zakonshme.

Brunilda: Kalonim malin, djemtë kalonin malin bashkë me bashkëshortin, unë kaloja doganën që të kaloja pajisje të tjera. Ndjenjëm disa muaj, por ndërkohë djemtë humbin një vit shkollë sepse nuk mundja t’i fusja as në shkollë atje.

Ardit Gjebrea: U kthyet prapë në Shqipëri.

Brunilda: Po, shkaku i shkollimit të fëmijëve se thosha mos të më rrinë pa shkollë.

Ardit Gjebrea: Sa herë e keni bërë Shqipëri-Kosovë?

Brunilda: Të them të drejtën, 10 vjet e deri tani, mund të jenë bërë edhe një herë në 2 muaj, një herë në 3 muaj.

Ardit Gjebrea: O Drin çfarë kujton ti nga gjithë kjo?

Drin: Neve na binte të shkonim andej nga Dragashi për shembull. Ishte shumë…  Shqipëria këtej, Maqedonia dhe Kosova, ishin malet më të larta.

Ardit Gjebrea: Kishe frikë?

Drin: Jo se kishim frikë  se e bënim shpesh atë, u mësuam, por kishim frikë gjëra  të tjera,mos na kapin,  mbajnë e hajde shpjegoja si s’kemi dokumente, ndonjëherë s‘kuptonin, ishte zor të gjeje gjuhën e përbashkët.Ishte edhe rruga ekstrem e gjatë, s’është se i dinim rrugët. Mendonim po shkonim nga Kosova, por mos ia fusim nga Maqedonia, krejt tjetër vend, pastaj bëhu lëmsh.

Avokatja që u kthye në një mike, familja rigjen shpresën në luftën 25-vjeçare për identitet

Prej momentit kur vendosën të emigronin, Brunilda, bashkëshorti dhe tre djemtë e tyre janë përballur me një traumë të jashtëzakonshme. 25 vite ata kanë jetuar pa një identitet duke vuajtur  pasojat e një zgjedhjeje. Siç tregoi Brunilda në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, kur shkuan në Angli në vitin 1998, u regjistruan si nënshtetas kosovarë për të marrë dokumentet, pa e ditur se ç’do të shkaktonte kjo më vonë.

Vitet në vijim kaluan mes Kosovës e Shqipërisë, pa lëvizur të lirë por përmes maleve. Fëmijët s’mund të shkolloheshin, të shkonin në spital, të kishin një jetë normale me të drejta të barabarta.

Në vitin 2016, Brunilda e provoi të merrte edhe azil në Kosovë, siç e këshilloi policia, por as kjo nuk funksionoi. Vendosin të kthehen në Shqipëri, në Shkodër kur bashkëshorti i përmend emrin e një avokateje që ndiqte në rrjetet sociale. Greta Smoqi i kishte ngjallur një fije shprese dhe ndjesia s’e kishte gabuar, por  Brunilda ishte e papërgatitur për mirësinë që gjetën.


Brunilda: Se Greta po më bëhet një shoqe, se  Greta po më ndihmon, pa asnjë lloj interesi, pa asnjë lloj  pagese, unë këtë nuk do e kisha besuar.

Ardit Gjebrea: Vërtet?

Brunilda: Kurrë! Më dha shpresë kur unë s’kisha fare shpresë. Bisedonte shumë herë edhe me djemtë, sidomos me djalin e madh që ishte pak më i madh se këta dy të tjerët dhe e qetësonte edhe atë. Neve na u bë një mike, një psikologe, një shoqe, një motër.

Ardit Gjebrea: Të gjithë ishit dorëzuar?

Brunilda: Të gjithë ishim dorëzuar.

Ardit Gjebrea: Si e mori përsipër?

Brunilda: Kjo e mori përsipër se kur i tregova që ne vijmë nga kufiri dhe vijmë malit, vuajmë shumë të vijmë në Shqipëri.

Ardit Gjebrea: Çfarë ju tha Greta, do ta bëjmë këtë gjë?

Brunilda: Do ta bëjmë, do të jetë kohë e gjatë, do të jetë e vështirë.

Ardit Gjebrea: Analizën e ADN-së e bëtë?

Brunilda: E bëmë ADN-në, i morëm edhe certifikatat në Londër, origjinalet, duke deklaruar me ADN dhe dokumente që janë fëmijët e mi.

Ardit Gjebrea: Sa kohë ju mori gjithë kjo histori për ta rregulluar me Gretën?

Brunilda: Gjithë kjo histori me Gretën ka marrë mbi 4 vite e gjysmë!

Nuk pranoi asnjë qindarkë nga familja e Brunildës, avokatja përçon mesazhin e fuqishëm

Pikërisht atëherë kur u duk se për Brunildën dhe familjen e saj gjithçka kishte marrë fund dhe tre djemtë nuk do të gëzonin kurrë identitetin e tyre, trokiti një mundësi e re. Një avokate që dukej se e besonte profesioni e saj, besonte ligjin dhe nuk  dorëzohej, e cila premtoi se s’do t’i linte vetëm e madje s’kërkoi as para, ia doli që t’i jepte fund 25 viteve sfiduese.

Pas 4 vitesh nga takimi i tyre dhe shumë pengesave, tre djemtë e Brunildës gëzojnë falë punës së Greta Smoqit, pasaportën shqiptare dhe njëkohësisht, të gjitha të drejtat që i takojnë çdo qytetari. Kjo është fitorja më e madhe për familjen ndaj Brunilda dhe djali i vogël, Drini kanë një mesazh të veçantë për Gretën  në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.


Brunilda: Greta!

Greta: Zemër!

Brunilda: Falënderoj Zotin që të njoha, që arritëm deri këtu sot pas shumë e shumë viteve, vuajtjeve, sakrificave që kisha unë me fëmijët e mi! Të jam shumë mirënjohëse që këtyre tre djemve u bëre sakrificën e madhe për të pasur një identitet këtu në Shqipëri. Për mua ke një vend shumë të shenjtë, siç e di. Doja ta bëja këtë publike që njerëz si ti pata fatin unë ta kem!

Greta: Faleminderit shumë! Shumë faleminderit! Unë mendoj se kam bërë vetëm punën. Unë ushtroj profesionin tim si avokate prej vitesh. Çështja e Brunildës dhe e familjes së saj ka qenë një nga çështjet  më të vështira që unë kam pasur si avokate, por i kam premtuar vetes që nuk do të hiqja dorë, por nuk  mjaftoi kjo sepse unë kam pasur gjatë gjithëkohës besimin e tyre maksimal që unë do t’ia dilja. Edhe në momentin kur thoja që nuk mund t’ia dal ishte Brunilda që thoshte kemi besim te ty, ti do t’ia dalësh, ti do e zgjidhësh këtë gjë. Jam vërtet shumë e lumtur dhe eemocionuar që ne ia dolëm që djemtë e Brunildës të kishin të gjitha të drejtat dhe liritë kushtetuese si shtetas shqiptarë. Faleminderit!

Ardit Gjebrea: Gjëja që na bëri përshtypje në gjithë këtë histori është edhe përtej gjithë zgjidhjes së kalvarit të vuajtjeve dhe të pabesueshmërisë së sakrificave që kanë bërë, sidomos edhe fëmijët, ishte edhe ana financiare, na tha që e ke bërë pa asnjë kontribut financiar.

Greta: Çdo njeri nëse e ka të mundur mund të ndihmojë, gjithsecili nga ne, me aq sa ka mundësi mund të ndihmojmë njëri-tjetrin. Bota do të ishte akoma më e bukur nëse të gjithë do të jepnim kontributin tonë, qoftë një gjë të vogël apo të madhe. Ndoshta për ne është e vogël, por për personin tjetër mund të jetë diçka shumë madhore.

“Ka një mesazh për ty” – Frymëzimi i Ajkenës


Ëndrrën e nënës e realizoi te vetja, historia frymëzuese e Ajkenës: M’u duk sikur preka qiellin

Ajkena, vajza e buzëqeshur dhe plot energji në “Ka Një Mesazh Për Ty” ndërthur bashkë tri kultura. Ajo lindi në Kavajë ku jetoi deri në moshën 4-vjeçare dhe më pas familja u shpërngul në Itali. Si çdo familje emigrantësh, vështirësitë nuk mungonin. 

Ajkena tregon në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan sesi prindërit përpiqeshin të bënin nga dy punë që asaj dhe dy vëllezërve mos t’u mungonte asgjë. Në moshën 18-vjeçare, për Ajkenën lindi një ëndërr: universiteti në një vend që ofron më shumë mundësi. Nëna e saj nuk  kishte mundur ta realizonte, ndaj Ajkena i kërkoi që ta lejonte të shkonte në Gjermani dhe ajo nuk e pengoi.

Ajkena: Kur i thashë mamit unë po iki në Gjemani, më duhet një shtet më i zhvilluar për jetën që unë  imagjinoj të bëj dhe ajo më kuptoi menjëherë dhe e dinte që të tjerët nuk do të ishin dakord dhe më tha nëse ti do këtë dhe nëse ti mendon që kjo është gjëja më e mirë për jetën tënde, unë do të jem prapa  teje, gjithmonë! Kur mami më tha ashtu, për mua ishte…

Ardit Gjebrea: Të dha gjithë botën! Siç dinë ta japin nënat!

Ajkena: Pastaj kur ia thamë babit dhe tezet e mia, dajat e ata nuk e kuptonin, më thoshin ne nuk i bëjmë këto gjëra, duhet të rrish te familja, nuk më kuptonin.

Fillimet e Ajkenës në Gjermani nuk ishin më pak sfiduese. Ajo ishte e vendosur  për të mësuar gjuhën sa më shpejt dhe të hynte në universitet.  Realizimi i kësaj ëndrre ishte arritja më e madhe për të sepse ia dedikon gjithçka nënës.

Ajkena: Mami bëri një marrëveshje me babin dhe tha që nëse ne e lëmë gocën të shkojë në Gjermani sepse unë kur shkova në Gjermani nuk dija mirë çfarë të bëja, si ta bëja si ta mësoja gjermanishten  sepse  nuk dija asnjë fjalë në gjermanisht, por unë  vetëm dija që duhet të studioja atje. Mësuesja ime, unë fola  me atë çfarë opsioni kisha për të studiuar në Gjermani dhe ajo më tha që mund të bësh si një babysitter  që ti jeton në një familje, pra unë në një familje gjermane dhe i ndihmoja me fëmijët t’i çoja në shkollë,  në kopsht, t’i mësoja detyrat.

Ardit Gjebrea Dhe kështu mësoje edhe gjuhën.

Ajkena: Edhe kështu mësova edhe gjuhën dhe takova një familje të mrekullueshme që për mua sot janë familja e dytë.

Ardit Gjebrea Paske pasur fat!

Ajkena: Shumë njerëz thonë që kam pasur fat. Unë them që ka qenë një miks mes fatit dhe… se edhe për mua ishte një realitet i ri të mësoja të bëja punët e shtëpisë se isha mësuar që mami bënte gjithçka.

Ardit Gjebrea Për sa kohë e bëre këtë?

Ajkena: E bëra për 6 muaj dhe ndërkohë që mësoja, shkoja edhe në kurs për gjermanishten…

Ardit Gjebrea Për 6 muaj mësove gjuhën?

Ajkena: Mësova gjuhën. Mësoja shumë, ditë e natë por këtu e kuptova edhe njëherë gjithë sakrificat që mami bëri për mua sepse kur unë vendosa të shkoja në Gjermani, mami pastaj filloi të bënte një punë të dytë…

Ardit Gjebrea Për  ty.

Ajkena: Për mua dhe unë doja ta shpërbleja dhe t’i thoja mami, unë këtë që po bëj tani, me sakrificat e mia të vogla e bëj që të realizoj ëndrrën tënde.

Ardit Gjebrea Po tani kjo ëndrra  jote, si vazhdoi? U fute në shkollë, vazhdove studimet?

Ajkena: Po. Për të hyrë në universitet në Gjermani ty të duhet C1…

Ardit Gjebrea E more?

Ajkena: Kalova, po dhe kur mora mamin në telefon ajo filloi duke qarë, filluam të dyja duke qarë nga gëzimi sepse për mamin siç thashë, ëndrrën që ajo kishte e realizoi vajza e vet dhe kjo për mua ishte sikur preka qiellin në një ditë me një gisht.

Sot Ajkena është përgjegjëse në një nga kompanitë gjigante të makinave në botë, BMW.

“Shihemi në Gjyq” – Dhunë e divorc në azil, nëna kërkon fëmijët


Mirela trondit studion, sjell pamjet e dhunës! Babë e bijë s’mbajnë lotët para njëri-tjetrit

Historia e radhës në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan zhvillohet mes Mirelës dhe  babait të saj, Bektashit. Në insertin prezantues  të rubrikës,  Mirela thotë se është e dhunuar nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj, e tani ka mbetur mes 4 rrugëve.

“Jam një grua  e dhunuar, e  keqtrajtuar nga burri, nga vjehrri. Për këtë arsye unë ndodhem  këtu sepse  jam në mes të 4 rrugëve, s’kam ku të shkoj. Kërkoj ndihmën tuaj”.

Mirela trondit studion duke sjellë pamjet e dhunës makabre, ku shihet fytyra e çarë.

“Kjo është fotoja ime kur jam dhunuar, masakruar nga burri dhe nga vjehrri”, thotë ajo.

I ati, Bektashi thotë në insert se nuk do të merret më me vajzën e  tij.

“Të vish nga Italia këtu. Vajza ime është 35 vjeçe dhe të merresh me vajzën. S’ka bërë vaki! Nuk vij më! Është hera e fundit që unë merrem me të!”

Kur hyn në studio, Bektashi përlotet kur sheh Mirelën.

Bektash: Pse më ke sjellë këtu?

Mirela: Të kam sjellë këtu sepse burri nuk më ka ardhur sot që më ka dhunuar, masakruar në sy të  fëmijëve, më ka ulur, më ka ofenduar dhe për këtë arsye unë kërkoj ndihmën tuaj dhe të znj. Eni.

Bektash: Ti nuk je e vogël më, je 35 vjeçe. Ai të vinte të përballej me ty, jo unë!

“Kemi 5 vjet pa marrëdhënie bashkëshortore!” Babai-vajzës: E kape me tjetër, thuaje troç!

Mirela ka jetuar një martesë të vështirë 15-vjeçare, nga e cila ka 3 fëmijë por dhuna ka qenë e  përsëritur. Kjo martesë, siç tregon ajo në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ishte me shkuesi. Në një moment, vendosin të largohen drejt Gjermanisë për arsye ekonomike dhe nga aty nisën konfliktet e forta.

Mirela thotë se nga bashkëshorti ka pasur dhunë fizike, gjë që e dëshmon përmes fotove tronditëse që sjell në studio. Nga vjehrri pretendon se ka pasur dhunë verbale e psikologjike. Jo vetëm kaq, por ajo tregn se marrëdhënia bashkëshortore ishte inekzistente, ndërsa i ati, Bektashi që ndodhet përballë saj, zbulon se Mirela ka gjetur të shoqin duke  e tradhtuar.


Mirela: U nisëm në Gjermani  për një jetë më të mirë dhe kështu vazhdoi dhuna me radhë…

Bektash: Po tregoje se e kapa me tjetër! Thuaje troç!

Mirela: Unë s’kam pasur burrë në jetën time përveç burrit tim! Kam 15 vjet martuar, një burrë kam  pasur!

Eni Çobani: Pse, dyshojnë edhe për këtë, dyshojnë Bektash?

Bektash: Jo,  e kapi kjo me tjetër! Nuk më tregoi as mua asgjë!

Mirela: Ne s’kemi pasur marrëdhënie burrë e grua, kemi 5 vjet…

Bektash: Pra që në moshën 30-vjeçare, se është shumë e rëndë kjo, ti pretendon dhe po e thua publikisht që s’ke pasur asnjë marrëdhënie me bashkëshortin?

Mirela: Jo, s’kemi  pasur marrëdhënie. As mirëkuptim në shtëpi. Jetonim në një shtëpi por nuk kishim marrëdhënie si burrë-grua apo mirëkuptim. Vetëm debate, sherre.

16 herë heshtje! Mirela tërheq denoncimet e dhunës: Babi e mori vesh kur më çau me thikë

Në 15 vite martesë, Mirela numëron 16 denoncime për dhunë nga bashkëshorti. Të gjitha janë bërë në Gjermani, aty ku jetojnë dhe i ka tërhequr me mendimin për të mos ndarë familjen dhe me shpresën se gjërat do të zgjidheshin. Në vitin 2023, tregon ajo në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ishte momenti final.

Pas një tjetër episodi dhune, ajo ka njoftuar policinë por duke qenë se kishte reaguar ndaj bashkëshortit, veprimi i saj është konsideruar dhunë.

Mirela: Në dhjetor 20203 më ka dhunuar dhe ka ardhur policia sepse e kam  telefonuar unë në shtëpi,  e kam kërkuar unë ndihmën. Ka ardhur policia dhe më ka thënë “çfarë ka ndodhur”, i thashë burri nuk më lë që të çoj çupën te doktoresha se është sëmurë, “çfarë ka”, është me temperaturë.  Nuk më lë, thotë që do të rrish mbyllur, nuk të jap as lekë që të udhëtosh me autobus që të çoja çupën te doktoresha, më tha do të rrish këtu mbyllur se kështu doja unë. Për çfarë arsyeje, unë i thashë ka 10 ditë që çupa është sëmurë, po vdes aty. “Le të vdes mu në vend, do të ngjallet prapë”, më thoshte. Për këtë arsye unë mora në telefon policinë sepse m’u afrua, më çorri këtej nga duart, më bllokoi damarët dhe m’u qas në fytyrë për të më qëlluar. Unë e shtyva pak se s’kisha rrugëzgjidhje tjetër, do të mbroja veten.

Eni Çobani: E shtyve pak, po çfarë kanë thënë gjermanët?

Mirela: Policia tha “zonjë, ju i jeni vërsulur”.

Eni Çobani: Ja, e kanë quajtur që e ka dhunuar vajza jote Bektash.

Mirela: I thashë policit nuk e godita, e shtyva. Burri im kishte 3 ditë që është kthyer nga spitali i thashë se është operuar. Më tha mua “ju e keni lënduar, e keni vrarë ju”. Jo,  nuk e kam vrarë i thashë unë. “Mirë”, tha, “merr rrobat dhe hajdeni t’ju japim një shtëpi tjetër, urdhër mbrojtjeje”. “Mirë”, i thashë, “por unë do të marr fëmijët”. Dy djemtë ishin në shkollë, vajza ishte aty, shumë e trembur. “Mami ik dhe hajde prapë më merr”, tha. U largova 10 ditë nga shtëpia… kur u ktheva në shtëpi nuk gjeta as fëmijët, as burrin. Shtëpia ishte bosh. Kishte ikur në mes të natës pa më thënë mua, kishte marrë fëmijët dhe kishte ikur.

Mirela thotë se familja e saj nuk ka qenë në dijeni të këtyre rasteve deri në momentin që bashkëshorti e ka sulmuar me thikë.

“Kur më ka qëlluar, më ka bërë me gjak që më ka çarë me thikë, atëherë e ka marrë vesh im atë”, rrëfen ajo.

“Kush e gjakosi gruan tënde?” Kledioni ‘kyç’ gojën para pyetjes së Gjebreas

Në pjesën e dytë të “Shihemi në Gjyq”, u mundësua një lidhje telefonike me bashkëshortin e Mirelës,  Kledionin.  Ai pretendon se akuzat e dhunës prej tij janë të pavërteta dhe refuzon të japë shpjegime rreth situatës duke thënë se për gjithçka është e informuar policia dhe gjykata gjermane.

Me të njëjtën retorikëë vijon për çdo pyetje që i drejtohet, ndërsa në studio janë fotot ku Mirela është dhunuar. I pyetur për këto foto nga moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea, Kledioni shmang çdo deklaratë.

Ardit Gjebrea: Kam vetëm një pyetje shumë të thjeshtë. Mirela na ka sjellë një foto ku ajo është e gjakosur. Presupozohet që ajo është bashkëshortja juaj. Kjo është një foto e montuar? Nëse ajo foto  e gjakosur që ne pamë është bërë nga dikush tjetër, ti si bashkëshorti i saj ke pyetur ndonjëherë kush të ka gjakosur? Kush e ka gjakosur gruan tëne?

Kledion: E para e punës, po të kishin qenë këto gjëra të vërteta, unë nuk do të kisha qenë në këtë pozicion ku jam.

Ardit Gjebrea: Jam dakord, ti je në një pozicion, kush e ka gjakosur gruan tënde?

Mirela: Trego të vërtetën, lëri pozicionet! Trego të vërtetën që më ke rrahur, më ke dhunuar në sy të fëmijëve, më ke ofenduar, më ke ulur në sy të nënës e babit tënd, trego të vërtetën ore! Merrje të gjitha lekët i fusje në xhepin tënd dhe fëmijët i lije pa bukë derisa shkonte djali vidhte ndonjëherë në market! Trego të vërtetën! Më ke ulur sa një Zot e di! Çupa po qan, thotë mami hajde më merr, mos më lër vetëm!

Kledion: Unë jam ai që kur ma kanë shtrembër njerëzit, ua jep Zoti vetë atë që u takon.

Ardit Gjebrea: Po, po, jam dakord me gjithçka thua. Kush ta ka gjakosur gruan? Një burrë që i gjakosin gruan, kush ia ka gjakosur gruan?

Kledion: Janë të gjitha të deklaruara, s’kam pse jap shpjegime.

Ardit Gjebrea: Po kush e ka gjakosur? Këtë pyetje bëj unë.

Kledion: Z. Ardit, ti mund të bësh pyetje… gjërat janë e zezë mbi të bardhë për çdo hap, çdo pikë,  çdo presje, është e vendosur aty ku duhet. Unë s’kam pse të të jap shpjegime pa lidhje.

Ardit Gjebrea: Unë po e nis nga pika 0. Nuk kemi dëgjuar asnjë histori. Shikojmë një grua të dhunuar që është gruaja jote. Kush e ka dhunuar këtë njeri, kaq?

Kledion: Nuk është më gruaja ime ajo sepse ne i kemi ndarë gjërat.

Ardit Gjebrea: Po, por kur  është bërë kjo foto ka qenë gruaja jote.

Kledion: Z. Ardit! Gruaja ime po të kishte pasur mendje dhe t’i bënte gjërat siç duhej, nuk do të kishin përfunduar kështu.

“Të Panjohurit” – ROBERTO GEGA (11 Maj 2025)


#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. I ftuari VIP: Albana Nanaj Me pjesemarrjen e: Luna Çausholli

Për të qenë konkurrent, ose nje nga identitetet e fshehta kontaktoni ne whatsapp ne: +355 68 60 65 656

/tvklan.al