#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Udha e Shkronjave”- Enxhi vs Greta

3 ditë me 5 yje – Kledia dhe Hodo Koçiu

“Ka një mesazh për ty” – Pranvera kërkon nënën

“Të kanë gjetur në koshin e plehrave. Ata s’janë prindërit e tu!”, Pranvera kërkon të vërtetën

Pranvera ka rreth 7 vite që kontakton çdo ditë me “Ka Një Mesazh Për Ty” në kërkim të së vërtetës së saj. Në jetën e saj ka një pikëpyetje shumë të madhe për të cilën ajo shpreson të marrë një përgjigje.

Në rubrikën e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Pranvera ka ftuar gruan që e ka rritur dhe atë që e ka lindur. Ajo përshkruan fëmijërinë e saj të vështirë dhe momentin e parë të përballjes me prejardhjen e saj të vërtetë.


Ardit Gjebrea: Në çfarë rrethanash ke marrë vesh që ke qenë e birësuar?

Pranvera: Kam qenë në klasën e parë.

Ardit Gjebrea: 7 vjeç?

Pranvera: 7 vjeç. Ka qenë ora e vizatimit ndërkohë që një shoqe para bankës time kthehet dhe më thotë që “e di që ti s’i ke prindërit e tu vërtetë? Që të kanë gjetur në koshin e plehrave?” Dhe në atë moment jam rebeluar shumë, kam bërë një zhurmë shumë të madhe në klasë. Një zhurmë që në atë moment ka ardhur mësuesja që jam e bindur… nuk e di nëse jeton, do t’i kujtohet episodi. Erdhi dhe tha “ç’është kjo zhurmë këtu në klasë?” Edhe tha “Pranvera po bën zhurmë”. Ajo erdhi për të më goditur në kokë dhe unë në atë kohë kisha gërshërët dhe lapsin në dorë dhe për t’u mbrojtur kisha duart në kokë dhe kur ajo tentoi për të më goditur, iu ngul gërshëra. U bë një problem shumë i madh në atë klasë dhe më pas zbuluan arsyen pse unë isha rebeluar dhe pse ndodhi e gjitha.

Ardit Gjebrea: Ato e dinin?

Pranvera: Të gjithë e dinin.

Ardit Gjebrea: Vetëm ti nuk e dije.

Pranvera: Isha e vogël.

Ardit Gjebrea: Ti  pyete në shtëpi pas këtij episodi?

Pranvera: Po. Shkova në shtëpi duke qarë, gjithmonë shkoja duke qarë në shtëpi. I thosha pse më thonë që unë jam gjendur në kosh dhe ju nuk jeni prindërit e mi?

Ardit Gjebrea: Ty ta thonin edhe të tjerët?

Pranvera: Po.

Ardit Gjebrea: Ah, pas asaj dite ty ta thoshin non stop këtë gjë.

Pranvera: Kudo. Prindërve të mi iu duhej që të shkonin derë më derë dhe të thoshin që “mos më sepse ajo nuk e kupton” dhe nuk ndalonin.

“Tentova të vrisja veten për 15 vjet”, Pranvera: E përfytyroja në kosh plehrash, të braktisur, të refuzuar…

Në moshën 7-vjeçare Pranvera mësoi një të vërtetë që i shembi të gjithë botën e saj të sigurt: prindërit që ajo njihte nuk ishin të vërtetët. Nga ai moment ajo nisi të kërkonte me çfarë mundej për të mësuar sado pak mbi prejardhjen e saj.

Momenti i parë kur asaj iu konfirmua ishte gjatë adoleshencës. Pranvera rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ndjesinë e fortë të refuzimit e cila në 15 vitet e ardhshme e shtynte në mendimet e vetëvrasjes.


Pranvera: Në klasën e shtatë një nga të afërmit tanë, shkova, e kam pyetur pasi në familjen tonë është edhe një pjesëtar tjetër që ka adoptuar dhe ishim dy vajza të adoptuara. Kemi shkuar të dyja, kurioze dhe i thamë që po ti je në dijeni që ne jemi të adoptuara? Dhe ajo tha “po, ti je gjendur në koshin e plehrave” dhe asaj tjetrës i tha diçka tjetër. Kam ikur në shtëpi, prindërve të mi iu desh të përballeshin me një tornado. Aty ka qenë hera e parë, fillimi që unë tentoja të vrisja veten nga refuzimi dhe nga ajo që kuptova. Klasa e shtatë.

Ardit Gjebrea: Që në atë moment fillove të mendoje dhe më pas e ke menduar shpesh ta bëje këtë gjë.

Pranvera: Po, për 15 vjet radhazi.

Ardit Gjebrea: Çfarë të ndaloi?

Pranvera: Zoti.

Ardit Gjebrea: E falenderon?

Pranvera: I jam mirënjohëse, jam falë Atij këtu.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë që kushëriri të tha që të kanë gjetur…në… s’e di pse nuk ma nxë goja ta them, ti pate guximin ta thuash, unë nuk mbërrij ta them dot..

Pranvera: Kjo ka qenë imazhi i vetëm që unë kam jetuar për vite me radhë, veten time, të pisët dhe në kosh plehrash, të hedhur, të braktisur, të refuzuar.

Vetëm kur panë se vajza e tyre nuk reshtte së gërmuari për përgjigje, prindërit birësues i konfirmuan Pranverës të vërtetën. Asokohe ajo ishte 30 vjeçe.

Të lidhur nga fati, historia më e bukur e dashurisë mes babait birësues dhe vajzës së tij

Në moshën 30-vjeçare, prindërit i rrëfyen Pranverës të vërtetën që e mundonte prej vitesh: ajo nuk ishte gjetur në një kosh mbeturinash siç i kishin thënë. Imazhi i vetes së braktisur e të refuzuar e çliroi disi kur mësoi një histori të veçantë e të vërtetë dashurie me babain birësues.

Pranvera ndan në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan një moment që tingëllon thuajse imagjinar. Sa mundësi ka që dy persona të zgjedhin njëri-tjetrin ende pa u njohur?


Pranvera: E vërteta nisi me historinë tonë më të bukur të dashurisë, domethënë momentin e birësimit edhe që është një nga momentet që unë do ta ruaj deri në frymën time të fundit. Në momentin kur ka ardhur në jetimore dhe ka bërë kërkesën për të birësuar një fëmijë edhe që në momentin e parë i kërkoi vajzë drejtoreshës.

Ardit Gjebrea: Pra ti nuk ishe gjetur në koshin e plehrave.

Pranvera: Jo.

Ardit Gjebrea: U çlirove nga kjo ide?

Pranvera: Po.

Ardit Gjebrea: Por pse nuk ta thanë për kaq vite?

Pranvera: Kishin frikë.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Pranvera: Të më humbisnin, mendoj.

Pas refuzimit të parë, babai i Pranverës u rikthye një ditë tjetër në jetimore. Fati dukej se i kishte lidhur bashkë tashmë pasi zgjedhja këtë herë i takoi Pranverës.

Pranvera: I ka treguar disa fotografi dhe nga ato fotografi zgjodhi një fotografi dhe tha “dua këtë vajzën”. Edhe i tha që “kë paske zgjedhur, këtë gjete? Kjo ka qenë e sëmurë, është me probleme dhe nuk ta sugjeroj që ta marrësh”. Ai tha “nuk ka problem, unë do ta shëroj”. Nxorën polemika, i nxirrnin fotografi të tjera, nuk ishte e vendosur atë ditë. Kishte ardhur një ditë tjetër, ne kishim dalë anës detit, na kishin nxjerrë anës detit dhe…

Ardit Gjebrea: Pse ku ishte kjo jetimore?

Pranvera: Në Vlorë. Anës detit dhe kishte thënë që “shiko se ke vajza, ke djem, zgjidh ndonjë”. Dhe në momentin që ishin radhitur baballarët se ishin baballarë atë ditë, unë kam vajtur direkt te këmba e tij dhe i kam thënë më merr mua dhe ai tha që “kjo është vajza ime dhe këtë do ta marr unë”. Më vonë, u zbulua që vajza në foto ishte po ajo vajzë…

Ardit Gjebrea: Që vajti te këmbët e tij.

Makthet e jetimores e përndoqën për vite: Hera e parë që i kam flokët kaq të gjatë

Me largimin nga jetimorja, Pranvera mori me vete trauma të forta. Pavarësisht takimit më të veçantë që ajo pati me babain e saj birësues të cilin e rrëfeu në “Ka Një Mesazh Për Ty”, fotografisë së parë familjare apo dashurisë së pakushtëzuar prindërore, nuk mjaftuan të zbehnin çfarë kishte kaluar.

Pranvera e la jetimoren në moshën 3-vjeçare por kishte mjaftuar që te ajo të krijoheshin themele të forta sjelljesh përsëritëse të cilave nuk ua kuptonte burimin. Ajo vazhdon rrëfimin e saj në rubrikën e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan duke e nisur nga flokët e saj që zbresin paksa poshtë supeve.


Pranvera: Këto flokë janë për herë të parë kaq të gjatë.

Ardit Gjebrea: Pse?

Pranvera: Sepse që e vogël, i prisja. Shkoja para pasqyrës, i prisja, baluket… edhe kur shkoja te parukierja i doja gjithmonë të shkurtra domethënë që me dorë të ndieja pjesën e qafës që ishte bosh, pa flokë. E kam vuajtur shumë këtë pjesë, shumë dhe për një kohë shumë të gjatë i kërkova Zotit më ndihmo dhe më zbulo pse unë e kam këtë ves, pse unë e kam këtë gjë që sa herë shkoj para pasqyrës nuk i mbaj dot flokët e gjata dhe e vuaja shumë sepse qeshesha nga të tjerët për flokët e mi të shkurtër, bullizohesha, më thoshin çun por që nuk ishte për fajin tim, nuk e doja unë atë gjë, unë i adhuroja flokët e gjatë, adhuroja shoqet e mia kur i shikoja me flokë të gjatë dhe nuk i rrisja dot. Për një kohë shumë të gjatë i jam lutur Zotit, Zot më ndihmo ta kuptoj nga vjen dhe që t’i rris flokët, më jep një teknikë. Kur e zbulova, kam ndenjur 4 ditë, unë nuk kam dalë nga shtëpia. Ishte trauma dhe gjëja më e dhimbshme që unë përjetova në atë momente pasi kjo më ishte ngulitur dhe pasqyruar nga jetimorja. Të gjithë fëmijët, vajza dhe djem detyroheshin para pasqyrës që t’i prisnin flokët për shkak se s’kishin mundësi që t’i lanin, s’kishin mundësi..

Ardit Gjebrea: Shkak  higjiena.

Pranvera: Shkak higjiena dhe parazitët dhe për këtë arsye, përpara pasqyrës ata duhej të ishin të pastër dhe të rregullt me flokët dhe që nuk kishin problem.

Ardit Gjebrea: Ke vërejtur se ke patur sjellje të tjera që i ke marrë nga fëmijëria dhe i ke çuar në adoleshencën tënde dhe më pas?

Pranvera: Shumë.

Ardit Gjebrea: Për shembull?

Pranvera: Ka qenë pjesa e disiplinës, domethënë ndryshimi nga institucioni në institucion, në jetimore, aty ku u rrita ishin tre etapat më të vështira. Kisha marrë 3 vjet programim që duhej të disiplinohesha në atë mënyrë se në qoftë se nuk e bëja në atë mënyrë, do ndëshkohesha, do dënohesha, do qortohesha, qoftë edhe për këpucët. Për këpucët ka qenë pjesa që i doja gjithmonë drejt. Kudo që shkoja, në qoftë se do gjeja një këpucë shtrembër, ajo këpuca patjetër duhet të ishte e drejtë dhe çdo gjë duhet të ishte ashtu siç unë doja, patjetër.

Ardit Gjebrea: Po  ndëshkimi cili ishte?

Pranvera: Ndëshkimi… në banjë…në errësirë dhe unë për kohë shumë të gjatë nuk qëndroja dot në errësirë. Kaloja në gjendje shumë të keqe, atak paniku dhe kur iknin dritat që ndodhnin ndonjëherë në shtëpi, bëhesha shumë keq, kisha një frikë të tmershme se do më mbysnin ose do më bënin keq dhe nuk e kuptoja nga më vinin.

“Mendoj se kam takuar familjen biologjike. Refuzuan testin e ADN-së, por ngjaj me ta”, dyzimet mundojnë Pranverën

Historia e Pranverës është krejtësisht e ndryshme nga rrëfimet e birësimit që janë transmetuar në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Ajo kontakton prej 7 vitesh me stafin e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan me shpresën se një ditë do të mësojë të vërtetën e prejardhjes së saj.

Përpara se të birësonte vajzën, drejtoresha e jetimores i tha babait se fëmija ishte e sëmurë. Gjithsesi, në moshën 3-vjeçare Pranvera u bë pjesë e një familjeje që i dhuroi të gjithë dashurinë që mundej.

Por në moshën 7-vjeçare asaj i thanë se ishte gjetur në një kosh mbeturinash, një fjali që e përndoqi deri në moshën 30-vjeçare kur prindër birësues i rrëfyen të vërtetën.

Nga ai çast, nisi kërkimi i familjes së saj biologjike dhe prej 7 vitesh që Pranvera kontakton me programin, ka mësuar të dhëna të ndryshme. Ajo ka arritur të kontaktojë me atë që dyshon se është familja biologjike, por kjo e fundit nuk ia ka pranuar apo mohuar diçka të tillë.

Ata e kanë refuzuar kërkesën e saj për testin e ADN-së, edhe pse Pranvera mendon se ngjason shumë me ta. Në mes të të dhënave që ka mësuar përgjatë viteve, është edhe një emër që ajo e ka përjetësuar si tatuazh në kyçin e dorës.


Pranvera: Kishim marrë informacione që familja ime ndodhej në Tepelenë, me të njëjtin mbiemër, Hoxha. Ishin Nexhmije dhe Luftim Hoxha në certifikatën ku babi kishte marrë dhe drejtoresha i kishte thënë që kanë qenë burrë edhe grua bashkë. Babi me mamin kur e morën në dorë thanë si ka mundësi,  bashkëshortë burrë edhe grua paskan braktisur një vajzë? Arsyeja që kjo i kishte thënë që kjo ka qenë e sëmurë dhe e kishin deklaruar të vdekur.

Ardit Gjebrea: Për ty?

Pranvera: Po, por që faleminderit Zotit jam shëndoshë e mirë. Më pas në bazë të këtyre informacioneve që babi kishte, unë për 7 vjet kam menduar që ishte familja ime. Jam takuar me ata dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ata kurrë nuk e mohuan dhe pohuan që unë jam vajza apo s’jam.

Ardit Gjebrea: Si e gjete ti këtë familje?

Pranvera: Nëpërmjet një mikes time. Ajo filloi po hetonte sepse ndodhej nga i njëjti vend dhe më pas, rastësisht në një spital ku unë isha shtruar ishte një zotëri që njihte zotin Luftim. Babi kishte vetëm informacion që i kishin thënë që ky ka qenë oficer, kaq i kishin thënë. Për Nexhmijen nuk kisha absolutisht asnjë lloj informacioni.

Ardit Gjebrea: Si e gjete?

Pranvera: Atë ditë në spital, babi siç e kemi  ne shqiptarët, nga je, nga s’je thotë që “këtu-këtu, çfarë ke punuar”, thotë “kam qenë oficer në Memaliaj dhe në Tepelenë” dhe ne pamë njëri-tjetrin sepse të dy ishim duke kërkuar në atë periudhë. Dhe babi shkon e pyet dhe i thotë që këtu-këtu, “ne e kemi ditur që ka një histori por që nuk e dimë saktë, Luftimi por unë do të të jap numrin e djalit sepse ai është në moshë dhe nuk mund të flasë”. Kam marrë kontaktin e djalit, kam folur dhe impakti i parë sa më ka parë më ka ngatërruar me motrën e vet, ngjaja shumë dhe ngjaj shumë, ekstrem sa dhe sot që pak a shumë  e di, unë nuk e besoj që ata s’janë…

Ardit Gjebrea: Ti mendon që ata janë?

Pranvera: E kam shumë të vështirë, e kam shumë të vështirë që ta besoj që s’janë ata, por që s’e di.

Ardit Gjebrea: Ti e vazhdon kontaktin me këtë familje?

Pranvera: Jo.

Ardit Gjebrea: Ata kishin një histori të ngjashme?

Pranvera: Nuk e kam kuptuar dot deri më sot sepse ata edhe kur i kërkuam pjesën e ADN-së, ata e refuzuan dhe kjo ishte një nga gjërat që mua më bëri të isha e bindur 100% që janë ata, pjesa e ADN-së që e refuzuan dhe ngjashmëria ekstreme që unë kisha.

Ardit Gjebrea: Ti çfarë nuk ke dëgjuar, ke dëgjuar edhe që për nënë biologjike të kanë thënë që ka vdekur, po?

Pranvera: Po, kam bërë edhe një tatuazh këtu. (Tregon kyçin e dorës).

Ardit Gjebrea: Që është?

Pranvera: Emri i saj dhe krahët e engjëllit.

Ardit Gjebrea: Me emrin Nexhmije?

Pranvera: Jo, Miranda.

Ardit Gjebrea: Me emrin e mamasë tënde?

Pranvera: Kështu më thanë.

Ardit Gjebrea: Po nëse nuk është Miranda çfarë do bësh?

Pranvera: Do ta fshijmë.

Në kërkim të nënës biologjike, vajza ka një mesazh për birësuesen: Je e vetmja në jetën time!

Urania nuk është gruaja që e solli në jetë Pranverën, por e ka rritur me gjithë dashurinë dhe ngrohtësinë e saj.

Gjatë “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Pranvera rrëfeu sfidat e saj, traumat e forta nga 3 vitet e para të jetës në jetimore, ndjesinë e refuzimit, mendimet e errëta dhe kërkimin e gjatë për të vërtetën. Ajo foli me shumë dashuri për babain e saj birësues dhe humbjen e tij të vështirë, para së cilës nuk e kishte kuptuar se marrëdhënia me Uraninë ishte e brishtë.

Të dyja janë munduar fort për të arritur te njëra-tjetra e për t’u bërë të pandara e të pashkëputura ndaj Pranvera ka një falenderim për gruan që nuk hoqi kurrë dorë prej saj.


Pranvera: Mami, sepse ti je e vetmja dhe ke për të qenë e vetmja nënë në jetën time. Sot doja të të falenderoja përballë Zotit dhe përballë të gjithëve për gjithë mundin e jetës tënde. Të kërkoj flaje për të gjitha kohët e vështira, të kërkoj falje për gjithë ato lotë që ke derdhur dhe të jam mirënjohëse gjithë jetën për dashurinë dhe për ato netë që nuk kanë të numëruara që i ke kaluar në këmbët e mia. Faleminderit që ekziston!

Nëna biologjike refuzon ftesën, vajza: Stacioni i fundit që ne lamë takim/Gjebrea i dorëzon një zarf

Pas falenderimit për nënën e saj birësuese në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ka ardhur momenti që Pranvera të mësojë të vërtetën që kërkon prej vitesh.

Në fillim të rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ajo u shpreh se veç gruas që e ka rritur, kishte ftuar edhe atë që e ka lindur. Pranvera ka kaluar vite të tëra me një pikëpyetje se kush është familja e saj biologjike.

Ajo u birësua në moshën 3-vjeçare, por kur shkoi 7 vjeçe i thanë se ishte “gjetur në koshin e mbeturinave”. Disa vite më vonë, dikush ia konfirmoi këtë version dhe për 15 vite të tjera i shkonte ndërmend vetëvrasja sepse përfytyronte refuzimin. Në moshën 30-vjeçare prindërit birësues e zhveshën më në fund frikën e tyre për ta humbur dhe i rrëfyen se e kishin marrë në jetimore.

Nga ai moment, ata iu kthyen në ndihmë për të gjetur rrënjët e saj. Përgjatë rrugës, Pranvera kontaktoi me programin dhe për 7 vite rresht, nuk ka reshtur puna për të mësuar të vërtetën.

Dikur, ra në gjurmët e një familjeje në Tepelenë, emrat e së cilës (Nexhmije dhe Luftim) përkonin me certifikatën që kishte babai birësues i Pranverës. Kur takoi djalin e familjes, ai u habit nga ngjashmëria e Pranverës me motrën e tij. Në këto 7 vjet, Pranvera i ka takuar dhe ka qëndruar me ta, por asnjëherë nuk është pohuar ose mohuar nëse ishte vajza e tyre.

Më vonë, ajo ka kërkuar një test ADN-je, por kanë refuzuar. Në kyçin e dorës së Pranverës ndodhet një tatuazh me emrin Miranda, pasi në informacione të tjera të gjetura rezultonte se nëna e saj ishte një grua me këtë emër që ka ndërruar jetë.

Për t’i shpjeguar të vërtetën e gjithë kësaj enigme, Ardit Gjebrea shkon pranë Pranverës dhe nënës së saj birësuese, Uranisë. Ai konfirmon se nëna biologjike është Nexhmija dhe rrjedhimisht, emri i tatuazhit nuk qëndron.


Ardit Gjebrea: Kur ka folur në fillim me Bernardin, edhe pse ne tashmë e kemi të verifikuar gjithçka, nuk ia ka pranuar këtë histori. Më pas, ne kemi dërguar një person tjetër shumë të afërt me të, për të folur,  për të biseduar dhe më në fund zonja është dorëzuar dhe i ka thënë “po, unë jam”. Ke edhe një vëlla, ke më shumë se një vëlla dhe njëri jeton me nënën tënde biologjike. Kemi kontaktuar edhe me vëllain, siç ka qenë një traumë për ty me siguri do të ketë qenë një traumë shumë e madhe edhe për të. Nuk kanë ardhur sot as nëna dhe as vëllai, por vëllai është treguar i gatshëm që të flasë me ty dhe pse jo, ndoshta edhe të takoheni.

Në duart e moderatorit mbërrin një zarf i cili brenda tij ka foton e Nexhmijes dhe kontaktin e saj dhe të djalit. Pranvera sheh fotografinë dhe në fytyrën e saj të përlotur lexohet një tronditje e thellë.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndien? Flasim.

Pranvera: Të vërtetën?

Ardit Gjebrea: Të vërtetën.

Pranvera: Mëshirë.

Ardit Gjebrea: Mëshirë?

Pranvera: Po.

Ardit Gjebrea: Që do të thotë?

Pranvera: Sepse nëse do të ndieja urrejtje në këto momente, do t’i kthehesha pas sëmundjes. Mëshira jep hapësirë që të zbutet zemra sepse ky është refuzimi tjetër që unë mora dhe ky ishte stacioni i fundit që ne lamë takim. Ndiej mëshirë… sepse çfarëdolloj arsyeje që ajo duhet të kishte nuk mendoj që mund ta ndalë për të takuar vajzën dhe mendoj që Zoti ma dha shenjën prapë, fillimi dhe mbarimi.

Ardit Gjebrea: Kam një pyetje. Mendon se të ngjan pak ose i ngjan asaj?

Pranvera: Jo.

Urania: Ngjan.

Ardit Gjebrea: Mamaja thotë që ngjan, edhe unë them që ngjan por ti tashmë nuk do as që të të ngjajë, as t’i ngjash.

Pranvera: Jo.

Ardit Gjebrea: Dëshiron ta marrësh këtë zarf me numrat e telefonit apo jo?

Pranvera: Zarfin me fotografinë jo.

Ardit Gjebrea: Numrat e telefonit i do?

Pranvera: Po, nëse më vonë…

Ardit Gjebrea: Varet se si të vjen. Nuk e do fotografinë?

Pranvera: Jo.

“Shihemi në gjyq”- Akuzon babain: Nipi është djali yt?

Vajza kërkon përgjigje nga i ati: Nuk del nga këtu pa më thënë të vërtetën! Je babai im apo jo?

Brikena është një bijë e cila ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” babain e saj, Mustafain. Përveç atyre të dyve, e pranishme në rubrikën nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është edhe nëna e Brikenës, Dhurata. Brikena thotë se nuk e di nëse “zotëria”, siç e quan ajo Mustafain është babai i saj dhe kërkon të vërtetën.


Brikena: Unë sot kërkoj të vërtetën nga zotëria këtu prezent.

Ardit Gjebrea: Nga baba!

Eni Çobani: Ju i thoni zotëri pra, nuk i thoni baba.

Brikena: Jo.

Eni Çobani: Nuk e ndieni t’i thoni baba. Është shumë e rëndë të fillosh një seancë ndërmjetësimi duke i thënë zotëri.

Brikena: Jo se nuk e meriton.  Nuk ka qenë asnjëherë prezent.

Mustafa: Po ça goce je ti që të biesh babain këtu? Për çfarë arsyeje i kam bërë gjithë këto sakrifica? Kam 26 vjet që punoj në Itali.

Brikena: Figura mashkullore që unë kam pasur kur kam qenë e vogël deri para se të shkonim në Itali, por edhe pasi shkuam në Itali ka qenë gjithmonë gjyshi prezent. Ai ka qenë gjithmonë që ngrihej, më rrinte nga mbrapa, ka qenë ai që më ka dhënë hapat e para të rritjes.

Eni Çobani: Pra burri që ju ruani si figurë në jetën tuaj është gjyshi nga mamaja, nuk ëshë babi figura burrërore që ju keni ndierë ngrohtësi.

Brikena: Jo se këtë gjë… ka qenë gjithmonë gjyshja, mamaja e zotërisë prezent që gjithmonë e ka mbajtur larg. Këtë mendoj, por asnjëherë nuk e ka kundërshtuar, asnjëherë nuk i ka thënë “jo, ajo është vajza ime!” Nuk të kam dëgjuar asnjëherë e sidomos kur ishte jot ëmë, motrat e tua duke thënë “nuk ka problem, le të vdesë se bën një tjetër, vjen një tjetër kalama”, këtë kanë thënë kur isha në spital!

Mustafa: Edhe nipin e dua, familjen time e dua, fëmijët e mi i dua!

Brikena: Çfaë nipi po thua? Kush është nipi në këtë mes? Këtu jam unë!

Dhurata: S’është e drejtë zotëri të flasësh ashtu për gocën!

Brikena: Këtu jam unë, as nipi, asnjeri. Kush është nipi?

Mustafa: Nuk janë të vërteta fare!

Brikena: Ti duhet të më thuash kush jam unë për ty! Kush jam unë për ty? Unë kështu nuk vazhdoj duke folur. Zonja Eni, më falni, ky kështu ka bërë gjithmonë. Nuk arrin dot të kesh një dialog, asnjëherë. Gjëja e vetme që ka është të ngrejë zërin, ti të ulesh dhe të mos flasësh, mos të kesh një opinion, mos të kesh të drejtën të dish një të vërtetë. Ti nga këtu sot nuk del pa më treguar të vërtetën, kam pritur shumë!

Mustafa: E vërteta është se shtëpinë me zor e kam bërë!

Eni Çobani: E vërteta për çfarë?

Brikena: Është babai im apo jo? Ky po ndërron muhabet!

Me ndërhyrjen e Dhuratës, qartësohet se Mustafai është babai biologjik i Brikenës. Problemi midis të dyve është te lidhja shpirtërore që Brikena thotë se ka munguar gjithnjë nga ana e të atit.

“Nipi yt është vëllai ynë?”, Mustafai gjendet mes akuzave: Dole në mes të plumbave për kunatën!

Babë e bijë përballen në “Shihemi në Gjyq” për një dashuri të munguar. Brikena e ka thirrur Mustafain në seancën e ndërmjetësimit të “E Diela Shqiptare” në Tv Klan dhe i kërkon përgjigje nëse ai është babai i saj sepse kurrë nuk e ka ndierë prezencën e tij.

Nga ana tjetër, qëndron edhe konflikti lidhur me nipin e Mustafait. Mustafai i cili sapo ishte martuar jetonte në familjen e bashkëshortes. Vjehrri i dha një tokë në të cilën çifti ndërtoi një shtëpi dhe në këtë banesë, ai mori vëllain e vogël dhe nënën.

Vëllai i tij u martua dhe erdhi në jetë një djalë. Më pas, vëllai ndërroi jetë kur djali ende nuk kishte bërë 1 vjeç. Këtij fëmije, Mustafai i ka falur një dhomë në banesën e tij dhe Brikena thotë se ka parë një dashuri të pakufishme të babait të saj ndaj tij. Gjyshja dhe të afërmit flisnin vazhdimisht për këtë djalë, ndaj ajo ka dyshime për prejardhjen e vërtetë të tij.


Brikena: Rrinin duke thënë çuni, çuni, çuni! Iu drejtova babait, është një pyetje që s’ka pasur asnjëherë përgjigje se nuk ma ka dhënë. I thashë, pyeta është ky çuni është vëllai jonë?  Çfarë marrëdhënieje ke pasur me nusen e xhaxhait?

Mustafa: Këto gjëra, unë nënën time nuk e braktisa, unë nipin e dua dhe juve ju dua. Këto janë gjëra që i kombinon ti bashkë me nënën, këto nuk janë të vërteta!

Bashkëshortja e Mustafait, Dhurata ndodhet e pranishme në studio dhe ndërhyn në debatin e tyre. Ajo përmend disa situata që mbështesin pyetjet e së bijës.

Dhurata: Vëllai yt, kur ka vdekur rahmet pastë se po e përmendim, ka vdekur me divorc të hapur.  Dëgjove? Atë ditë që ka vdekur vëllai yt ka ardhur letra e gjyqit për t’u ndarë.

Mustafa: Këto gjërat unë nuk i di fare, nuk më intereson fare!

Dhurata: Ashtu se ty ta kanë mbajtur njerëzit, nëna jote, motrat e vëllezërit, ajo është puna jote!

Eni Çobani: Domethënë ka qenë duke u ndarë vëllai nga nusja?Dhurata: Vëllai po, para se të vdiste vëllai kishin filluar letrat e gjyqit, i kanë bërë letrat e gjyqit e të gjitha. Në atë kohë vëllain e kanë çuar në spital në Tiranë, te 5, kanë firmosur për vëllain që e kanë shtruar, do i jepnin një lloj ilaçi, nuk e di se çfarë i kanë dhënë, atë e di e ëma me gjithë vëllanë e këtij, ne nuk e dimë. Atë ditë që ka shkuar vëllai, pas një jave na ka

ardhur në shtëpi dhe na ka thënë që “dëgjo, unë kam ardhur të shoh çunin për herë të fundit”. I thashë pse ke ardhur të shohësh çunin për herë të fundit? “Unë do vdes se unë nesër do pi ilaçin dhe do vdes”.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ka qenë çuni atëherë?

Dhurata: Çuni s’i kishte mbushur 1 vjeç, ka qenë shumë i vogël. Dhe vjehrra, nusen atë natë që ka ardhur çuni nga Tirana në shtëpinë në Durrës, vjehrra ime atë ditë e ka çuar nusen te njerëzit e vet, te i ati. Ky i tha “unë nuk kam ku të të çoj ty atje se mua nuk më duan”. Ishin motrat e vëllezërit që ishin të gjithë kundër këtij (i drejtohet Mustafait). Se kur ka ikur nusja nga shtëpia në ’97 me gjithë foshnje, ky ka shkuar i ka dalë në mes të plumbave, ka shkuar e ka marrë, “hajde se ti vendin e ke në shtëpi”.

Brikena qan në krahët e Eni Çobanit: Trembem kur babai më afrohet, më kujtohet kur…

Segmenti i dytë i “Shihemi në Gjyq” shfaq Brikenën e përlotur, të fshehur pas një prej kolonave të studios së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan dhe të strukur në krahët e Eni Çobanit. Këtë problem e vënë re menjëherë Ardit Gjebrea dhe nëna e Brikenës, Dhurata të cilët drejtohen menjëherë tek vajza.

Deri në këtë moment, Brikena ka debatuar ashpër me babain e saj, Mustafain dhe ka patur momente kur i janë afruar njëri-tjetrit në mes të studios. Këto çaste kanë nxitur kujtime traumatike për Brikenën.


Eni Çobani: Nuk e duron dot? Ah!

Ardit Gjebrea: Çfarë ka Brikena?

Eni Çobani: E paska traumatike këtë gjënë sepse ai gjithmonë ka qenë i ashpër dhe kur më vjen përballë gjithmonë më kujtohet vegjëlia që më gjuante dhe unë jam e trembur kur më afrohet.

Ardit Gjebrea: Ke merak?

Eni Çobani: Ka merak që e godet ose i bën diçka.

Ardit Gjebrea: Nuk e do dot?

Brikena: Nuk bën…

Eni Çobani: Kjo prapë i vjen ai sensacioni…

Ardit Gjebrea: Të kujtohet ajo gjë.

Brikena: Herën e fundit kështu ka qenë kur kam mbushur 18 vjeçe kështu që për të njëjtën arsye…

Ardit Gjebrea: Hajde, do të të siguroj unë që nuk do të ndodhë gjë.

Brikena: Jo, e di por e ka kështu… e di ajo që nuk e bën. E di që nuk e bën se nuk është më ai që ka qenë, por…

Ardit Gjebrea: Të kujtohet fëmijëria.

Brikena: Po.

Ndodhej me vajzën e sapolindur në spital, trondit Dhurata: Vjehrra tha le të vdesë se bën çun

Brikena nuk ruan kujtime të ëmbla me babain e saj Mustafain, të cilin e ka thirrur në  “Shihemi në Gjyq”. përgjatë gjithë seancës së ndërmjetësimit të “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ajo ka shprehur se nuk e ka ndierë prezencën e tij.

Në mendimin e së bijës, bashkohet edhe nëna e saj, Dhurata. Ajo kujton një episod shumë të hidhur kur solli në jetë Brikenën.


Dhurata: E vetmja gjë që ky ka bërë me gocën e vogël, atë që ky nuk ka bërë me të madhen… kur ka lindur kjo, ai nuk është dukur dhe nuk donin… e kam pasur në spital gocën dhe i tha nëna e vet “le të vdesë se bën çun mbrapa”. Kështu i ka thënë e ëma kur unë po vuaja me gocën brenda në spital.

Eni Çobani: Pra domethënë nuk e ka marrë Mustafai në dorë vajzën e sapolindur.

Dhurata: Nuk e ka marrë asnjëherë.

Mustafa: Mentaliteti në atë kohë ka qenë kështu.

Eni Çobani: Pse mentaliteti?

Mustafa: Mentaliteti në atë kohë…

Dhurata: Çunin e vëllait e merrte, e çonte nga shtëpia e vëllait te vjehrra e vëllait kurse gocën kur u bë vetë me fëmijë nuk e mori njëherë në dorë gocën e vet.

Brikena: Nuk e mbaj mend ta ketë bërë njëherë.

“Mam, po ti !? 2” – Faza 2, java e 9-të