Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Zamira ka nguruar shumë që të jetë pjesë e “Ka një mesazh për ty“, mbi të gjitha për shkak të kërkesës që ajo ka ndaj prindërve të saj. Ajo jeton në Tiranë dhe është nënë e dy fëmijëve. Zamira është shumë e lidhur me prindërit e saj, e mbi të gjitha me babain, i cili siç shprehet ajo, ka sakrifikuar shumë për të. Por prindërit e Zamirës, babai 69-vjeçar dhe nëna 63-vjeçare jetojnë prej më shumë se 20 vjetësh në Itali. Ata janë integruar mirë në shoqërinë italiane dhe nuk e shohin kthimin në Shqipëri si diçka që mund të ndodhë në një të ardhme të afërt. Por Zamira duket se nuk është dakord me këtë gjë, sepse dëshiron që t’i ketë prindërit pranë, të kujdeset për ta dhe të mos jetojë me frikën se mund t’u ketë ndodhur gjë.

“Unë jam vajzë e përkëdhelur babai, një baba që ka qenë shumë i përkushtuar, i sakrificës dhe që nuk ka dashur asnjëherë të na përfshijë në sakrificat që ka bërë në jetën e tij. Im atë prej gati 23 vitesh ndodhet në Itali, sigurisht jo për dëshirë të tij, por si shumë shqiptarë të tjerë ndryshimi i sistemeve solli ndryshime të jetës së gjithësecilit. Shkoi më gomone, në një periudhë dimri, në një kohë që nuk dihej në do të kthehej apo do të mbërrinte gjallë, fatmirësisht gjithçka shkoi mirë”.

Zamira tregon se një ndër arsyet përse ai nuk i mori fillimisht fëmijët ishte ajo, pasi nuk donte që ta shkëpuste nga studimet. Megjithatë pasi mbaroi shkollën Zamira iu bashkua prindërve, por nuk u vendos atje.

“Vajta pasi mbarova studimet, babai krijoi mundësinë që të pajisesha me dokumente. Por pas një periudhe të shkurtër kohore filloi të më bindte se kjo lloj jete nuk ishte për mua. Ai tek mua shihte diçka më shumë, nuk donte që tek unë të ndërpritej e ardhmja për shkak të emigracionit”.

Prindërit e Zamirës jetojnë në Ravena të Italisë dhe ajo tregon se ata i mungojnë shumë. Ajo rrëfen se i ati ndihet si në tokën e vet atje, aq sa kur vjen në Shqipëri, mezi pret të kthehet në Itali. Por Zamira kërkon që ata të kthehen, pasi është gjithnjë e merakosur për ta dhe dëshiron që dy djemtë e saj të kenë gjyshërit pranë.

“Unë dua që ai të vijë këtu, sepse kanë një vajzë që në çdo ditë që lind apo në çdo mbrëmje që vjen, unë jam gjithë kohës me merakun se nëse nuk më përgjigjen në telefon, do t’i ketë ndodhur ndonjë gjë…”

I pranishëm në studio, Zoti Alush mori nga vajza e tij një mesazh vërtetë të ndjerë, që siç e cilësoi edhe vetë moderatori Ardit Gjebrea, ishte një prej më të bukurit që është bërë në këtë studio.

“Babush, unë nuk jam këtu të të them sa mirë që të kam pranë momentalisht apo përkohësisht. Unë e di shumë që ti nuk pranon që pas kaq shumë vitesh të kthehesh dhe të qëndrosh me ne, të qëndrosh me mua, me djemtë e mi, në Tiranën tënde që ti e ke dashur shumë, që të dha dhe i dhe shumë, por edhe në vendin tënd. Unë e di që ti nuk ndihesh i huaj atje, por sigurisht nuk mund të jesh i huaj as këtu. Unë e kam të vështirë që në këto momente të flas gjatë, sepse më mund malli për ju. Do doja shumë që përkujdesjen që ke pasur e ke për mua, ta kaloje tashmë tek nipërit e tu. Sot, në mundësinë që m’u krijua nga Zoti Gjebrea, apo dhe nga Televizioni Klan, do të dëshiroja që të më jepje një përgjigje pozitive. Sigurisht unë e di që nuk do të mund të vendosësh tani, ti nuk je nga ato natyra që vendos përnjëherë, por të lutem më jep shpresën e afërt që do të bindesh për t’u kthyer”.

“Ja rrëfimi u bë, shkurt u bë, i qartë u bë…”, tha Zoti Alush.

“Dhe është nga më të bukurit që është bërë në këtë studio”, shtoi Gjebrea.

“Edhe unë, edhe pse jam përpara jush këtu dhe ndjej pjesën e përgjegjësisë morale. Emigrimi ishte jashtë vullnetit. U krijuan kushtet të tilla është që unë mbeta, nuk është se unë dua të rri dhe përcaktuese janë kushtet, jo dëshira, dëshira është shumë e madhe. Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem i lidhur me Zamirën dhe atë që thotë sot, këtë kërkesë publike, do mundohem brenda mundësive më të mundshme… nuk kam idenë që të qëndroj në Itali, jo se s’më pëlqen atje, por prap si dheu ku jam lindur e rritur nuk ka. Me mundësinë më të parë, për t’u realizuar ajo pengesë që kemi, unë jam i ardhur. Edhe e shpreh para jush…”

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

Çdo prind mburret me fëmijën e tij, por kur ky i fundit bën zgjedhje të gabuara, jo detyrimisht është faji i prindit. Këtë kanë ardhur t’i tregojnë Mediola dhe Ibrahimi mamasë së tyre Dhuratës. Mediola tregon se është nënë e dy vajzave dhe tashmë e kupton shumë mirë nënën e saj dhe sakrificat që ajo ka bërë për të dhe vëllain e saj. “Dua t’i them që të mos mërzitet më, pavarësisht pengesave që sjell jeta”, thotë Mediola.

Ajo rrëfen më tej së nëna e saj ka pasur një jetë të vështirë. Fëmijën e parë ia dha xhaxhait, që nuk mund të kishte fëmijë, ndërsa të dytin e abortoi…

“Mami që 18 vjeçe është njohur me babain tim, u fejuan dhe pas disa kohësh mbeti shtatzënë. Dhe siç ishte mentaliteti i asaj kohe, gjyshi nuk e pranonte si gjë dhe e përzuri nga shtëpia. Mami u largua, pastaj u martua me babin. Bëjnë dasmë, por nga njerëzit e saj nuk ishte askush. Në atë kohë mami jetonte me xhaxhain dhe kur lindi djalin e parë ia dhuruan xhaxhai, sepse nuk kishte fëmijë”.

E pasi hoqi dorë nga fëmija e parë dhe tashmë jetonte me bashkëshortin e saj, Zonja Dhurata mbeti sërish shtatzënë. Fatkeqësisht ajo e humbi fëmijën në muajin e gjashtë të shtatzënisë.

“Bashkë me babain menduan se nuk do të bënin më fëmijë…”, rrëfen Mediola

Por fati deshi që Zonja Dhurata të bekohej me 4 fëmijë të tjerë. E megjithatë, fati i keq duket se ndoqi edhe vajzën e madhe të çiftit.

“Kohët e fundit ne në familje kemi pasur diçka jo të mirë. Motra e madhe pati një divorc dhe djalin e saj e mban mami. Meraku jonë është që mami e vuan shumë, bashkë me babain, por mami e vuan më shumë dhe mendon se është ajo fajtore për atë që ndodhi. Mendon që nuk ishte e zonja që fëmija nuk eci në hapat e saj. Jemi këtu për t’i treguar se absolutisht nuk është faji i saj, ajo është më e mira dhe ka bërë punën e duhur si nënë”, rrëfeu më tej Mediola.

Zonja Dhurata jeton bashkë me bashkëshortin në Elbasan, ku kanë një dyqan të vogël mishi.

Teksa ajo mori mesazhin për të qenë në “Ka një mesazh për ty”, në studio, Ibrahimi, mes emocionesh tha se nuk ia kishte shprehur kurrë dashurinë nënës së tij.

“Jam shumë e i emocionuar, sepse unë kam një tip që asaj s’ia kam shprehur kurrë dashurinë, nuk i kam thënë njëherë të dua. Kur më tha motra që donte t’i bënte diçka, unë nuk doja, i thashë nuk vij. Por kur mendova pastaj që ajo është kaq e mrekullueshme sa unë nuk i kam thënë të dua, thashë do dal dhe do t’ia them publikisht”, rrëfeu Ibrahimi.

E duke qenë se Zonja Dhurata me gjasë nuk e pret që në studion e “E Diela Shqiptare” e ka thërritur djali i saj, ky i fundit ishte i pari që i përcolli asaj mesazhin.

“E mora guximin të vija këtu të të falenderoja, sepse ti e di që unë nuk jam tip i tillë. Ti e di që për mua je njeriu më i veçantë dhe e di që unë gjumë nuk fle pa më mbuluar ti. Kam ardhur të të falenderoj sot për gjithçka dhe dua që t’i të bëhesh shumë e fortë, sepse duhet ta dish që ke lindur dhe ke rritur shumë fëmijë të mrekullueshëm. Nuk dua t’i bëj vetes komplimente, por ti je një nënë që nuk ka fjalë për ty”, tha Ibrahimi.

Ndërsa Mediola, iu drejtua nënës me këto fjalë: “Sot kam ardhur të ta tregoja në sytë e të gjithëve se je më e mira. Jam krenare që ti je mami im, falenderoj Zotin çdo ditë dhe unë mësoj nga ty çdo ditë, marr nga ty çdo ditë, që t’i rris vajzat njësoj siç më ke rritur ti mua. Ti je shembulli i prindërit perfekt dhe kurrë mos e vë në dyshim këtë”.

NE JEMI CFARE HAME KUJDES SHENDETIN

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Pronat duket se vijojnë të jenë burim konflikti në shumë familje shqiptare. Këtë të diel, në rubrikën “Shihemi në gjyq” ishin bashkëshortët nga Shkodra, Suzana dhe Gasper Rrotaj. Shkaku ishte një konflikt disa vjeçar mes tyre i nisur nga një pronë, që sipas zonjës Suzana, bashkëshorti ia kishte dhuruar fshehurazi vëllait të tij, duke lënë kështu familjen pa pasuri.

Suzana dyshon se bashkëshorti ka bashkëpunuar me familjen e tij dhe fshehurazi ka firmosur për të hequr dorë nga prona, duke ia dhuruar vëllait, Gjergji. Por zoti Gasper e mohon këtë në mënyrë kategorike, ndonëse kundër fjalës së tij janë dokumentet zyrtare, në të cilat rezulton firma e zotërisë, e dhënë para noteres.

“Që prej 2014-ës në shtëpinë tonë ka vetëm shamatë. Ka hedhur firmë që nuk dua tokë, ku do shkoj unë me 6 frymë“, tregon zonja Suzana. Por reagimi i bashkëshortit të saj është i menjëhershëm. Prerazi ai thotë: “Kush është ai familjarë që do me heq dorë nga pasuria?”

“Unë nuk kam qenë prezent, të betohem ajo firmë nuk është e imja. Nëse unë kam hedhur firmë, që në këtë moment unë me bashkëshorten time nuk kam më punë”, thotë Zoti Gasper.

Zonja Çobani sqaroi se nga kërkimi që kishte bërë rezultonte vërtetë se vëllezërit dhe motrat kishin hequr dorë nga e drejta e pronësisë, për njërën nga pronat e përfituara. “Pra, sqaroi Zonja Çobani, keni disa prona në aktin e marrjes së pronës, por këtu flitet vetëm për njërën që ju keni hequr dorë dhe për të cilën Gjergji thotë: Zonjë, nuk e donte Gasperi këtë, po kërkonte të merrte tek pronat e tjera të gjyshit, ka bërë ndërrimin me kushëririn”.

Çobani tregoi më tej se kjo pronë është shitur.

“Kemi edhe një kontratë shitje. Gjergji dhe bashkëshortja e tij ia kanë shitur Simon Hasanit, pra sot nuk është pronar as Gjergji. Por çfarë rezulton më vonë?”, tha Çobani.

Gjatë seancës u zbulua gjithashtu se Gasperi kishte bërë një kallëzim për vëllain e tij, për falsifikim të firmës. Por për një arsye apo një tjetër, ai nuk kishte shkuar kurrë të merrte vendimin e organit të akuzës.

Çfarë zbuloi eksperti i prokurorisë? Organi i akuzës kishte dalë në një vendim, që në mënyrë ironike, vërtetonte pretendimin e zotit Gasper, që firma e tij ishte e falsifikuar dhe se në të vërtetë nuk kishte hequr dorë asnjëherë nga prona. Por këtë zoti Gasper nuk e kishte marrë vesh kurrë, sepse nuk ishte rikthyer në Prokurori për t’u interesuar për kallëzimin e bërë nga vetë ai.

“Ju i jeni drejtuar prokurorisë me një kallëzim penal kundër vëllait me pretendimin se është falsifikuar firma. Eksperti i prokurorisë ka dalë në konkluzionin se nënshkrimi është i Gjergji Rrotaj, e ka thënë Prokuroria e Shkodrës”, sqaroi Çobani.

Pra, eksperti ka zbuluar se vërtetë firma ishte e falsifikuar. Megjithatë më pas prokuroria vendosi pushimin e çështjes, sepse kishin kaluar afatet.

“Domethënë, këtu janë gjetur dy vepra penale, falsifikim firme dhe shpërdorim detyre (nga noterja) dhe kemi një pushim të veprës penale, për shkak të vonesës në kohë. Sepse mos harroni që dokumenti është hartuar në 2002-in, kallëzimi është bërë në 2014-n. Por sërish prokuroria lë mënjanë faktin se ky dokument, është akoma në vazhdimësi në fuqi. Pra nuk është shfuqizuar, sepse Gjergji thotë se zonjë unë jam pronar dhe e ka shitur atë pronë. Pra ky dokument është akoma dhe ekziston. Pra prokuroria nuk mund të thotë pushim çështjeje, duhet të vazhdonte hetimin e çështjes, vazhdimin për gjykim dhe deri në dënimin e përfundimtar të atij që falsifikoi dhe të asaj që shpërdoroi detyrën”, sqaroi Çobani.

Juristja Çobani tha më tej se duke qenë se “nënshkrimi i zoti Gasper, në aktin e heqjes dorë nga pronësia është haptazi i falsifikuar, i provuar nga eksperti, ky akt është absolutisht i pavlefshëm, për pjesën që disponohet e pronës të zotit Gasper Rrotaj. Njëkohësisht edhe kontrata e shitjes është i pavlefshëm, për pjesën që i takon Gasperit”.

Falë ndërhyrjes së juristes Eni Çobani, seanca e sotme e ndërmjetësimit bëri që jo vetëm drejtësia të vihej në vend, por më në fund mes dy bashkëshortëve Suzana e Gasper të vihej paqja.

Një firmë e falsifikuar, prej vitesh mundonte familjen nga Bushati i Shkodrës. Bashkëshortja e akuzonte burrin e saj se kishte lënë familjen pa prona, duke ia dhuruar fshehurazi vëllait. Por Zoti Gasper e mohonte kategorikisht një gjë të tillë. Madje ai kishte bërë edhe një kallëzim në Prokurorinë e Shkodrës disa vite më parë, por nuk kishte marrë asnjëherë vendimin.

Pikërisht ky vendim, që tregonte se firma e Gasperit ishte e falsifikuar, u lexua publikisht nga juristja Eni Çobani, në studion e “Shihemi në Gjyq“.

E pasi e siguroi çiftin e bashkëshortëve se firma ishte e pavlerë, e se prona ishte marrë në mënyrë të jashtëligjshme, Çobani i tha bashkëshortëve se fakti që nuk kishte shkuar në prokurori për të marrë vendimin, ishte i pafalshëm.

Eni Çobani: Juve nuk ju falet momenti që shkoni i drejtoheni prokurorisë dhe nuk merrni vendimmarrjen.

Zonja Suzana: Jemi bërë çorbë, si i themi ne nga Shkodra. Që në moshën 35 vjeç jam rrugëve, si për pronat e vjetra dhe për pronat e reja.

Në fund, Zonja Suzana i kërkoi falje bashkëshortit të saj. Ky i fundit, i kënaqur që e vërteta më në fund doli në dritë tha: “Kush është ai që do me heq pronën e vet, shtëpinë e vet.”

Post Kenga Magjike 2018!