Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Mimoza është nga qyteti i Vlorës, por jeton prej vitesh në Francë. Sot ajo ndodhet në studion e “Ka një mesazh për ty” për t’i shprehur vlerësimin dhe dashurinë babait dhe njerkës së saj. Mimoza e humbi nënën disa vite më parë. Babai u martua dhe të 5 fëmijët e mirëpritën bashkëshorten e tij Valbonën në familje. Por Mimoza thotë se prej disa kohësh ka diçka që nuk funksionon siç duhet në marrëdhënien e saj me babain dhe pikërisht për këtë ajo ka ftuar në studio të atin dhe bashkëshorten e tij.

“Para 17 vjetëve, në vitin 2001 ne kemi humbur mamin në moshën 50-vjeçare. Për 4-5 vjet babai qëndroi vetëm, sepse unë me motrën jetojmë në Francë, ndërsa vëllezërit janë të martuar. Ne jemi 3 djem dhe 2 vajza. Pas 4 viteve babai u martua dhe lindën një princ të vogël që sot është 11 vjeç dhe quhet Kevin”.

Mimoza tregon se kur babai vendosi të martohej, fillimisht ishin disi të trishtuar, pasi dikush tjetër po zinte vendin e nënës së tyre, megjithatë ajo thotë se dashuria për babain dhe dëshira që ai të ishte sërish i lumtur bëri që gjithçka të kalonte.

“Në fillim kemi qenë pak të trishtuar, po normale menduam sesi ishte e mira për babain tonë, që nuk mund ta linim dot vetëm. Ishte i detyruar, nuk mund të qëndronte dot me ne. Donte ngrohtësi, përkrahje. Kur vdiq mami, babai ishte 55-vjeç. Nuk pati ftohje mes nesh, madje atë ditë që është martuar, kam qenë unë ajo që ia kam bërë dhomën e gjumit. Ndjeja pak trishtim shpirtëror, por nga ana tjetër isha e lumtur, ngaqë e shikoja të trishtuar më përpara babain dhe thoja do të ndryshojë gjithçka. Dhe në të vërtetë ndryshoi”, tregon Mimoza ndërsa shton: “Por këto dy vitet e fundit nuk e di përse babai është i trishtuar. Është pak i trishtuar, pak i ftohtë, të dyja bashkë”.

Mimozës i duket sikur babai është larguar dhe nuk arrin të kuptojë përse. Ajo thotë se më parë flisnin më shpesh në telefon, ndërsa kohët e fundit flasin 1 herë në muaj. Sa i përket njerkës, ajo thotë se është shumë e respektueshme: “Unë nuk mund t’i them dot njerkë, e kam pak si motrën e madhe”.

Babai i Mimozës nuk e di që ajo ndodhet në Shqipëri, pasi i ka thënë se ndodhet në Portugali. Ftesës për të qenë në studio, bashkëshortët Veliu dhe Valbona iu përgjigjën pozitivisht. Të ndodhur në studion e “E Diela Shqiptare”, reagimi i tyre sapo panë kush ishte në anën tjetër të ekranit ishte i menjëhershëm, atyre iu mbushën sytë me lot.

“Babi të kam thënë që kam ikur në Portugali, por nuk është e vërtetë. Kam ardhur sot këtu për ju të dy. Sot e kam marrë rrugën për ju të dy, sepse kemi 4 vjet që nuk e kemi festuar Vitin e Ri bashkë. Më duket sikur këto kohët e fundit, nuk e di, këto 1 apo 2 vjet, sikur jemi ftohur pak. më parë kemi qenë shokë, nuk e di në është reale apo jo. Dhe këto kohët e fundit të shikoj pak të trishtuar dhe dua që të dish që ne fëmijët e tu të kemi në zemrën tonë, me të gjitha hallet që ke hequr në jetë dhe aq më keq në 2001 me çfarë ka ndodhur. Unë këtë vit thashë do mbyll derën e shtëpisë time dhe dua që të festojmë Vitin e Ri dhe Krishtlindjen bashkë. Krishtlindjen e kam më shumë për Valbonën dhe Mandalenën se janë katolike. Dua të kemi atë dashurinë që kemi pasur më parë, jo se nuk e kemi, por këto kohët e fundit ke qenë pak larg. Dhe me Valbonën kam folur herën e fundit dhe më tha çfarë t’i them, nuk e di përse është kështu. Edhe Mandalena më ka thënë fol me babain”.

Pasi e dëgjuan Mimozën, të dy bashkëshortët e siguruan atë që nuk ka ndodhur asgjë dhe se e duan atë shumë.

“Nuk jam i ftohtë, jam shumë i afruar dhe i dua njëlloj njerëzit. Ndoshta të duket edhe nga largësia. Edhe hallet tona janë pak të shumta, edhe jeta është pak e vështirë dhe mblidhen të gjitha”, tha babai i saj.

“Të falenderojmë shumë, shumë, edhe të duam shumë, ty edhe të gjithë”, tha Valbona.

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

Djali i Elisabetës është i veçantë, sepse ka lindur albin dhe për këtë gjë ai ka rënë pre e bullizmit që i vogël. Kjo e ka bërë që ndonjëherë të braktisë dhe shkollën. Në studion e “Ka një mesazh për ty”, nëna e 11-vjeçarit rrëfen vështirësitë me të cilat përballet i biri, por edhe ajo vetë.

“Unë jam fëmijë i një divorci, në moshën 5 vjeçare më janë divorcuar prindërit. M’u ndanë prindërit, mamaja emigroi në Greqi, babai erdhi me shtëpi në një fshat të Fierit dhe me peripeci u rritëm. Siç e kanë shqiptarët që martojnë vajzat e vogla, më martuan edhe mua shumë të vogël. E pranova, u martova, të gjitha në rregull. Pas 2 vjetësh erdhi në jetë djali, për të cilin jemi këtu. Orgesti në Prill mbush 11 vjeç. Unë si e vogël që isha (16 vjeçe), edhe këto vizitat nuk i kryeja tërë kohës, sado ishte shtatzëni e vështirë… Duhet të merrja shumë vitamina për djalin, që unë nuk i mora. Djali lindi albin.”

Çdo të thotë albin?

“Pa pigment, bjond. Unë kam lindur ashtu vetë, por tani jam ndryshe. Ndoshta e kemi pak në gen. Por peripecia fillon tani, që është bjond. Deri në moshën 4 vjeç, që e kisha në shtëpi, ne e pritëm dhe e deshëm ashtu siç ishte. Por kur u përball me realitetin, kur filloi të shkonte në kopsht… edhe atje nuk e pati shumë të vështirë, sepse ishte i vogël për të kuptuar. Në klasë të parë e pati më të vështirë. Mësuesja, të cilën nuk dua ta gjykoj se është edhe nënë vetë, nuk ma priti mirë fare dhe e uli djalin në bankë të fundit. Djali ka edhe probleme me përqendrimin e syrit (i dridhet syri). Ai mendon se po ta ketë më afër diçka e sheh më mirë, edhe pse në të vërtetë njësoj e sheh.”

Elisabeta tregon se i biri vinte në shtëpi dhe e pyeste përse ishte kështu, përse nuk ka të tjerë si ai.

Por çfarë të keqe ka të jesh albin?

Nëna e Orgestit tregon se në rastin e tij, ai përballet me talljet e shokëve. “Tani u rrit dhe nuk m’i shpreh sepse e sheh që mërzitem”, shton ajo.

Elisabeta tregon se djali i saj ka ndryshuar disa shkolla, ndërsa nuk janë të pakta rastet që iu është dashur të përballet edhe me banorë të lagjes, të cilët e paragjykojnë Orgestin nga mungesa e dijes…

“Më 4 Gusht, kishim një dasmë nga njerëzit e burrit dhe shkoj në parukeri për t’u rregulluar dhe kthehem dhe për 2 orë do të nisesha për në lokal. Unë punoj banakiere në një lokal. Shpeshherë gjatë gjithë beharit, djali vinte më thoshte, dy-tre herë, që është një burrë, më bezdis… thonë që është pijanec. Unë e anashkaloja këtë gjënë, nuk e dija që ai rrallë pinte, ishte normal. Atë ditë, sa isha rregulluar ndërsa djali luante jashtë hyrjes. U mbështeta, se mendova gjithë natën, thashë po fle pak. Djali vjen dhe i bie derës me të dyja duart. Trembem, hap derën dhe e pyes “çfarë ke mami?”. Mbante dorën tek faqja që e kishte të skuqur. Më qëlloi ai burri më thotë, që të kam thënë tërë kohës. Para se të dilja lajmëroj policinë dhe dal dhe e qëlloj atë burrin dhe i them ca fjalë në nerva e sipër. Në moment vjen policia.”

Por përse e qëlloi djalin?

“I dukej si i sëmurë dhe nuk donte që t’i rrinte afër fëmijëve të tij. Kishte vetë dy goca. Dhe e më e keqja ishte që në polici tha: E qëllova se më ngacmon gocat. Shkojmë në polici. Një polic i ri, të cilin e falenderoj shumë, iu duk anormale: Po ti burrëri me këtë bën, i tha? Në polici më thanë të bëja denoncim, por më erdhi keq, kështu që vendosa të bëja vetëm një ankesë”.

Ndryshe nga sa besonte Elisabeta, gjërat nuk do të mbylleshin me kaq. Bashkëshortja e zotërisë në fjalë do ta përballte pak ditë më vonë në rrugë, duke mos i kursyer fjalët e rënda.

“Pas një jave, unë po ikja për në punë me djalin. Unë zonjën se njihja fare, ne jetojmë në një lagje, por ngaqë jam gjithë kohës në punë, se njihja. Ndalon në rrugë dhe më thotë: Ty po të kërkoja. Ndal dhe e pyes, njihemi? Më thotë: Jam gruaja e atij që futi surrati jot në burg. I thashë, ti je nënë vetë, nuk e mendon që pata të drejtë të mbroj fëmijën tim. Por rri mi, më tha, ty të ka dënuar Zoti me këtë fëmijë.”

Këto fjalë kaq të rënda dhe të padrejta sollën edhe reagimin e vetë drejtuesit të “E Diela Shqiptare”, Ardit Gjebrea, i cili tha: “Për çfarë? Një fëmijë si drita, se i ka flokët e bardhë dhe vetullat e bardha të paska dënuar Zoti? Domethënë shenjë e një injorance të theksuar dhe mjerë ajo për këtë injorancë që ka. Nëse ka dënuar Zoti, dënon këta njerëz për injorancën e tyre, e jo djalin tënd e dashura ime.”

“Unë nuk mund të edukoj tërë shqiptarët, por të paktën me një fëmijë… jo timin, me çdokënd. Unë kam qenë edhe në Greqi, ndoshta dhe atyre nuk u pëlqente, por thonin: Sa i veçantë, sa i bukur… e bënin të ndihej mirë. Ndërsa këtu thonë: “Iii si qenka ky “, shtoi Elisabeta më tej.

“Faleminderit Zotit nuk janë të gjithë kështu, por ata që janë, e kanë problemin me veten e tyre dhe nuk është problemi tek djali yt”, tha më tej Gjebrea.

Elisabeta tregon se në shkollën “Jani Bakalli”, ku i biri studion aktualisht, është shumë më mirë. Megjithatë për një periudhë 10 ditore Orgesti nuk shkoi në shkollë, për arsye të cilat nuk ia tha asnjëherë nënës së tij.

Për të luftuar bullizmin nuk mjafton vetëm familja, por edhe shoqëria e mbi të gjitha shkolla. Për këtë arsye, stafi e “E Diela Shqiptare”, kishte ftuar në studio drejtoreshën e shkollës, zonjën Majlinda Hyka.

“Unë jam drejtuese në një shkollë që ka 630 nxënës, nga familje të ndryshme, me probleme të ndryshme, kush më shumë e kush më pak. Unë jam drejtuese e re në atë shkollë, 3 muaj kam, por shkoj çdo ditë, në çdo klasë, pyes nëse ka mungesa, ka shqetësime? Dhe një ditë më thotë mësuesja kujdestare e Orgestit, që nuk po vjen në shkollë. E shqetësuar e marr Elisabetën në telefon dhe e pyes se çfarë problemi kanë, sepse Orgesti nuk po vjen në shkollë? Vjen Elisabeta në shkollë bashkë me Orgestin, por ai prap nuk na e tregoi. I thashë: Unë jam këtu për ty, çdo problem që do kesh. Ke një mësuese shumë të mirë, që u qëndron pranë fëmijëve, bën aktivitete të ndryshme, edhe Orgestin, duke parë natyrën e ndjeshme që ka. I thashë për çfarëdolloj problemi të kesh unë jam këtu. Dhe që atë ditë nuk ka bërë më mungesa”.

“Orgesi është një fëmijë shumë i edukuar, një fëmijë që përdor fjalët magjike, që nuk ofendon kurrë të tjerët, por që preket dhe lëndohet kur e ofendojnë të tjerët. Kjo është e vërteta e Orgestit. Unë jam këtu për t’i thënë jo vetëm Orgestit, sepse si ai ka edhe fëmijë të tjerë, jam këtu nga pozita e një prindi, si mësuese, si drejtuese u bëj thirrje të gjithëve, pavarësisht statusit, të kontribuojmë, të shqetësohemi për këtë kategori fëmijësh që ky fenomen të mos bëhet një epidemi sociale”, tha drejtoresha Hyka.

E ndonëse nëna e tij sëbashku me drejtoreshën thonë se në shkollën që studion ai është mirë, kur mori mesazhin për të qenë në studio Orgesti tha: “Nuk e di kush ma ka nisur. Shokët jo e jo, se nuk është se kam ndonjë shok të mirë fare.”

“Biri im ti e di që mami të ka trajtuar gjithnjë si shok, jo si fëmijë…”, ishin fjalët me të cilët iu drejtua Elisabeta djalit të saj. Ky i fundit, me një shkathtësi dhe me fjalë prej të rrituri iu përgjigj: “Edhe ti je shembulli i im. Dua të marr forcën tënde që të arrij gjëra në jetë.”

“Dua që siç kemi qenë gjithmonë shokë, prap të jemi shokë. Gjithmonë të m’i thuash gjërat, sepse kur i ndan me dikë është edhe më mirë. Dhe pse se jo me mua që dua gjithmonë të mirën, bashkë do t’i zgjidhim të gjitha”, shtoi Elisabeta.

Në fund një mesazh kishte edhe Ardit Gjebrea: “Ka diçka që nuk shkon dhe duhet ta rregullojmë, që është në mentalitetin e njerëzve dhe këtë gjënë duhet ta rregullojmë shumë fort. Në bashkëpunim me fëmijët, me familjet dhe të kuptojmë që problemin e kanë ata, siç e thashë edhe më parë, është problem i tyre, problem që do ta vuajnë në një mënyrë tjetër kur të rriten, sepse do të përballen me shoqërinë dhe do të jenë ata, të cilët… Kush e do një njeri që sillet keq? Që fyen? Që shan? Në jetën tonë askush nuk e do. Dhe do të jenë ata të larguar nga rrethi social dhe do të jetë Orgesti i preferuari i shoqërisë e jo ata. Dhe këtë gjë, duhet që prindërit t’ua bëjnë të qartë fëmijëve sa janë të vegjël. Prindërit, mësuesit, ne me emisionet televizive, sepse ne nuk jemi vetëm për të argëtuar këtu, por mbi të gjitha për të reflektuar. “Ka një mesazh për ty” është flamurtari i kësaj gjëje. Prandaj do doja që realisht të reflektonim këtë gjë dhe jo sepse erdhëm këtu, por kjo gjë të ndodhë kudo, në çdo vend”.

Bullizmi është një plagë e shoqërisë në mbarë botën. Shumë fëmijë ndihen të ngacmuar, të fyer, të rrezikuar, të përjashtuar, saqë rrezikojnë edhe të mos shkojnë në shkollë nga sjellja e bashkëmoshatarëve të tyre.

Në studion e “Ka një mesazh për ty”, këtë të diel ishin edhe një grup gjimnazistësh, nga shkolla “Pandeli Sotiri”, në Gjirokastër. Të shoqëruar nga mësuesja e tyre, këta të rinj përcollën në studio kauzën e tyre kundër bullizmit.

“Jam shumë i privilegjuar që kam sot këta të rinj sot këtu, të cilët vijnë nga Gjirokastra për t’ju bashkuar mesazhit të sotëm”, tha Gjebrea.

Me qëllimin për të nxjerrë në pah këtë fenomen dhe për të ndërgjegjësuar sado pak komunitetin, nxënësit e kësaj shkolle realizuan një film të financuar nga vetë ata, që trajtonte pikërisht bullizmin.

“Bullizmi është një plagë e shoqërisë sot, kështu që besoj se ndjehet në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Në shkollën tonë është e përhapur, jo e tepërt, por besoj se është e përhapur. Ndaj edhe ne nxorëm një film për ta shpjeguar këtë fenomen dhe për t’i thënë Stop”, shpjegoi një prej nxënëseve në studion e “E Diela Shqiptare”.

Filmi në fjalë u shfaq në kinemanë e Gjirokastër dhe të rinjtë thonë se pjesëmarrja ishte shumë e madhe. Paratë që fituan nga shitja e biletave, nxënësit vendosën që t’ia bënin dhuratë Orgestit, 10-vjeçarit albin, i cili sëbashku me nënën e tij, treguan për vështirësitë me të cilat përballet një person i veçantë.

Orgesti mbush 11 vjeç në Prill. Ai është një djalë shumë inteligjent dhe shumë i ndjeshëm. Në studion e “Ka një mesazh për ty”, ai ishte thërritur nga nëna e tij Elisabeta, e cila tregoi për vështirësitë me të cilat janë përballur për shkak se i biri është albin, që do të thotë se ka mungesë të pigmentit dhe është bjond. Ndonëse një fëmijë si gjithë të tjerët, Orgesti nuk ka mundur t’i shpëtojë bullizmit, jo vetëm nga bashkëmoshatarët, por edhe nga të rriturit.

E teksa vitet kalojnë, nëna e tij rrëfen se Orgesti nuk i tregon më vështirësitë me të cilat përballet në shkollë e rrugë. I tillë ishte rasti i mungesës së tij 10 ditore në shkollë, për të cilën nuk i tregoi asnjëherë të ëmës, se përse nuk kishte shkuar.

Megjithatë, Orgesti e zbuloi këtë për Ardit Gjebrean.

Ardit Gjebrea: Kam marrë vesh që disa ditë nuk ke shkuar në shkollë. Përse?

Orgesti: Nuk dua të flas fare për këtë temë, thjeshtë…

Ardit Gjebrea: Përse? Të ka mërzitur dikush?

Orgesti: Po.

Ardit Gjebrea: Çun apo gocë?

Orgesti: Të tërë.

Ardit Gjebrea: Të tërë? Janë shumë?

Orgesti: E gjithë klasa.

Ardit Gjebrea: Po përse? Nuk sillen edhe aq mirë?

Orgesti: Jo, thjeshtë u mërzita nga paragjykimet.

Ardit Gjebrea: Se ti je më i bukur se ata?

Orgesti: Jo, thjeshtë më shanin.

Ardit Gjebrea: Ti i the mësueses apo e mbajte për vete?

Orgesti: Sa herë që jam zënë me shokët i kam thënë një qind herë. Mësuesja nuk i thoshte asnjë gjë atyre, kështu që nuk i thashë as këtë herë fare.

Ardit Gjebrea: Pra ti ke provuar që të flasësh me mësuesen, por nuk të ka mbështetur dhe aq shumë?

Orgesti: Po, për mësime më ndihmon shumë mësuesja. Nuk është se i thotë pse thoni kështu, thjeshtë i thotë mos e bëni më. Ata nuk e kanë frikë fare.

Ardit Gjebrea: Pra mësuesja iu flet, por ata nuk reagojnë? Domethënë mësuesja nuk ka autoritetin që t’ju thotë prindërve të tyre, që këta të fundit t’u flasin dhe t’u thonë…

Orgesti: Jo, prindërve u ka thënë ajo, por as prindërit nuk iu flasin. Hë i thonë, se edhe ata fëmijë janë.

Ardit Gjebrea: Po mamit përse nuk i ke treguar?

Orgesti: Mamit nuk i tregoj sepse do të shkonte të zihej fare atje me ata prindërit. Nevrikoset shumë kur më shajnë. Nuk dua që të futet mami në sherre.

NE JEMI CFARE HAME KUJDES SHENDETIN!

“TELEBINGO SHQIPTARE”

Joni Pici Store!

“SHIHEMI NË GJYQ”

Sot në rubrikën “Shihemi në gjyq” të emisionit “E Diela Shqiptare” përballen bashkëshortët Violeta dhe Nasi. Ata ndodhen prej rreth 50 vitesh në konflikt për një pronë, për të cilën Nasi pranon se ka neglizhuar ndjekjen e dokumentacione për pronësinë.

Gjithçka ka nisur pasi bashkëshortja e të atit të Nasit, Thomait ndërroi jetë dhe ky i fundit bashkëjetoi me një grua, Cien, e cila ishte e ndarë dhe kishte dy fëmijë. Nga kjo marrëdhënie erdhi në jetë Nasi. Pas dy vitesh Thomai ndërroi jetë dhe Cia vijoi të mbante mbiemrin e bashkëshortit të saj, Çuko.

Por problemi qëndron tek vëllai i tij nga nëna, Dhimitri, që pretendon pronësinë, duke e lënë Nasin pa asnjë të drejtë mbi pasurinë që i takon nga i ati.

Në këtë mënyrë Nasi ka lënë dhe fëmijët e tij pa pronë, ndaj dhe vazhdojnë konfliktet me bashkëshorten e tij. Ai shprehet se ka patur marrëdhënie të mira me familjen nga nëna, por tanimë i kanë dalë të pabesë, duke i marrë trashëgiminë që i takon.

Ndërsa bashkëshortja e tij i thotë: “Ti nuk ke asnjë dokument. Ti ke marrë dokumentet e gjyshit tënd nga Arkiva Qendrore dhe në Lushnje ke të babait tënd. Sot në Lushnje të thonë që nuk ke dokument, bëj gjyq. Pse nuk e ke bërë? Çfarë ke pritur deri më sot?”

Juristja Eni Çobani shpjegon se pas vdekjes së gjyshit të Nasit, prona u trashëgua nga i biri Thomai dhe e bija. Kjo e fundit vendosi t’ia shesë pjesën e saj fqinjit, ndërsa Thomai i shiti vetëm një të tretën e pjesës së tij.

Në dokumentin e Zyrës Vendore të Regjistrimit në Lushnje, të datës 19.10.2018, me drejtues Shkëlqim Mebeli, thuhet se nga verifikimi në sistemin elektronik të pasurive të paluajtshme nuk rezulton që i ndjeri Thoma Cirroku të ketë pasuri të paluajtshme, të regjistruar në pronësi apo bashkëpronësi. Ndërkohë që kjo pronë ka të gjithë dokumentacionin e nevojshëm pranë Arkivës Shtetërore.

Ndërsa në vitin 2014, në dokumentin e lëshuar nga kryeregjistruesi Bledar Koçiu thuhet: “Pasuria për të cilën pretendohet, e llojit truall, me pronar sot Kozma Dhimitër Çuko, nuk disponon numër reference dhe për këtë arsye nuk i bashkangjisim dot informacionin e duhur”. Pra, kjo pronë sot është në emrin e nipit të Nasit, me të cilin ky i fundit nuk ka asnjë lidhje biologjike apo trashëgimie.

Pasi Violeta u interesua sërish pranë këtij institucioni në vitin 2016, iu tha nga kryeregjistruesi Astrit Dervishi se për pasurinë me sipërfaqe 200 metra katrorë është hapur një kartelë e regjistrimit sporadik në emër të Dhimitër Çukos, çka do të thotë regjistrim i përkohshëm. Më pas, në bazë të trashëgimisë, kjo pronësi ka kaluar tek i biri, Kozma Çuko.

Por e zhgënjyer zonja Eni thotë: “Është hera e parë në kulturën time juridike që lexoj një dokument të tillë, që regjistrohet një pronë në mënyrë të përkohshme!”.

Ndërsa në vitin 2017, kryeregjistruesi Eris Stambulliu gjeti dokumentacionin e pronësisë në regjistrisin hipotekor të viteve 1936 dhe 1939 dhe e citoi në dokumentacionin e lëshuar, por nuk ka bashkangjitur asgjë.

Por një dokument i vitit 1924, që mund të gjendet lehtësisht tek Arkiva Shtetërore, tregon se Marsi Cirroku, gjyshi i Nasit ka blerë pasurinë, për të cilën debatohet me vlerën 200 franga, duke vërtetuar pronësinë.

Zonja Eni shprehet: “Shteti funksionon zinxhir dhe dokumentet duhet të jenë patjetër online. Çfarë ka Arkiva e Shtetit duhet ta ketë çdo Hipotekë në Republikën e Shqipërisë. Përse kjo lodhje e shtuar qytetarëve për të gjetur dokumente?”.

Por ajo çfarë e shqetëson Violetën është një deklaratë noteriale që Nasi ka bërë në vitin 2003, për të cilën nuk vuri në dijeni as bashkëshorten dhe as fëmijët. Nasi justifikohet me faktin se duke qenë se nuk figuronte në asnjë dokument si pronari legjitim i pasurisë, vendosi të firmoste, për shkak edhe të presionit psikologjik dhe fizik që i bëri i vëllai.

Violeta shprehet e vendosur: “Unë dua të marrësh pronën, përndryshe do ikësh nga shtëpia ime! Shko atje te nipi jot, te shtëpia e babait tënd se shtëpinë e kam marrë vetë! Unë kam një fëmijë të sëmurë, djalin tjetër e kam 15 vjet me qira dhe është me borxhe. Bëj dokumentet për fëmijët e tu!”

Por Nasi i thotë: “Unë të solla nga Berati këtu ty! Nga ligji i Gjendjes Civile je e detyruar t’i nënshtrohesh burrit dhe unë gruas”, duke rrëmbyer duartrokitjet dhe buzëqeshjen e të gjithë të pranishmëve. Ai shpjegon se gjithçka e ka toleruar për të mos prishur marrëdhëniet me vëllain.

Juristja Çobani tregon se regjimi juridik i bashkëshortëve ligjërohet me pasuri të përbashkët vetëm në momentin e celebrimit ligjor, por gjithsesi në këtë rast prona është trashëgimi e bashkëshortit dhe jo e fituar gjatë martesës, ndaj dhe e ëma e Nasit nuk mund ta përfitojë gjysmën e pasurisë.

“Zonja nuk ka gëzuar ligjërisht të drejta të barabarta me bashkëshortin, pasi ajo ka qenë vetëm në bashkëjetesë dhe ka ardhur në këtë shtëpi, pra e ka gjetur këtë banesë dhe banesa ka qenë në emrin e zotit Thoma, bashkë me truallin”, shton zonja Eni.

Në vitin 1962 Nasi dhe familjarët e tij morën një kredi, për të cilën vendosën të ndryshonin pronësinë e pasurisë. Në vendimin e gjykatës thuhet: “Gjykata vërteton gjyqësisht faktin për pronësinë e zotit Dhimitër, Cie (nëna), Stavri dhe Nasi Cirroku në një shtëpi, në mënyrë të përbashkët dhe të pandarë, në 2 dhoma dhe një korridor, me truall prej 40 metrash katrorë”.

Ky vendim duhet të ishte regjistruar në Hipotekë, por ky regjistrim nuk rezulton, pasi sot kjo pronë duhet të ishte në pronësinë e të katërt familjarëve dhe jo vetëm të njërit. Por në vitin 2003 Nasi ka shkuar në një zyrë noteriale dhe ka firmosur një deklaratë, ku pranon se janë të katërt pronarë, ndërkohë që është pronar i vetëm. Më pas, ai vendos t’i drejtohet gjykatës për të zhvleftësuar deklaratën, por përballet me një përgjigje që nuk e priste.

Kjo deklaratë është e pavlefshme dhe nuk ka patur asnjë pasojë juridike, pasi nuk ka patur asnjë veprim në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Në Arkivën Shtetërore ndodhet edhe dokumenti që Thoma Cirroku i ka shitur një pjesë të pronës fqinjit të tij, kundrejt vlerës 100 franga. Ndërkohë që Shkëlqim Mebeli pretendon se nuk ka asnjë dokument për të vërtetuar që kjo pasuri është në pronësinë e Thoma Cirrokut.

Nipi i Nasit ka prishur ndërtesën e vjetër dhe ka ndërtuar një shtëpi tjetër në këtë pronë, duke marrë leje ndërtimi nga Bashkia Lushnje. Zonja Eni ngre pyetjen se si është e mundur që ky institucion e ka dhënë këtë leje, ndërkohë që Kozma Çuko figuron si pronar i përkohshëm, nëpërmjet një regjistrimi sporadik.

Në datën 17 Janar të vitit 2011 familja Cirroku nëpërmjet një shkrese, i ka kërkuar Bashkisë Lushnje të mos e japë lejen e ndërtimit, pasi për këtë pronë ndodhen në procese gjyqësore. Por kryetari i atërhershëm Albert Sanxhaku e ka dhënë këtë leje ndërtimi, ndaj dhe juristja Çobani kërkon nga organet kompetente shqyrtimin e kësaj dosjeje.

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” përkrah Violetën në këtë seancë ndërmjetësimi, e cila kërkon të drejtën e fëmijëve. Ajo kërkon nga bashkëshorti të ndjekë çështjen në gjykatë dhe nëse nuk e merr pronën që e ka të trashëguar nga i ati të shkojë të jetojë me nipin e tij, pasi sipas saj: “Aty e ka vendin”.

Juristja Eni Çobani e përmbylli duke thënë: “Ky është një çift që unë e dua shumë se kemi 3 vjet që jemi sëbashku. Besoj që pas ditës së sotme nuk do të lemë më vonesa dhe do t’i drejtohemi edhe një herë Zyrës Vendore të Regjistrimit Lushnje. Nëse andej nuk marrim sërish përgjigje, atëherë do t’i drejtohemi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnje për ta zbardhur përfundimisht të gjithë këtë proces”.

Pas kësaj seance ndërmjetësimi, bashkëshortët u qetësuan për të zgjidhur sëbashku konfliktin që i ka larguar prej rreth 50 vitesh.

Bashkëjetesa është kthyer në një fenomen normal në shoqërinë e ditëve të sotme. Çiftet të cilët zgjedhin që të mos martohen, por të jetojnë sëbashku e të krijojnë edhe familje, janë gjithnjë e në rritje. Por shumë prej tyre ndoshta nuk e dinë se çfarë ndodh me pronën që kanë sëbashku, në rast se ndahen. Pikërisht këtë pyetje i drejtoi edhe Ardit Gjebrea, juristes Eni Çobani në rubrikën “Shihemi në gjyq”.

Ardit Gjebrea: Një pyetje thjeshtë për njohurinë time… Është djali i dy prindërve që kanë një apartament. Vendos të bashkëjetojë më dikë, bëjnë edhe fëmijë. Le të themi se prindërit kanë vdekur, nuk është asnjë rast, por unë thjeshtë po supozoj.

Eni Çobani: Në emër të kujt është shtëpia, këtë dua të di.

Ardit Gjebrea: Prindërit vdesin dhe ky është djali i vetëm.

Eni Çobani: Ngelet në emrin e djalit.

Ardit Gjebrea: Tani ai bashkëjeton 20 vite me dikë. Nuk celebrohen, bëjnë edhe fëmijë dhe më pas ndahen. Ka ndonjë pjesë (gruaja)?

Eni Çobani: Jo!

Ardit Gjebrea: Fare, fare? Edhe pse kanë bashkëjetuar 20 vite, edhe pse kanë bërë fëmijë?

Eni Çobani: Fare, fare! Edhe pse kanë bërë fëmijë!

Ardit Gjebrea: Ka pjesë fëmija sigurisht. Gruaja jo.

Eni Çobani: Ka pjesë sigurisht, por kur vdes prindi. Duhet të kuptojnë të gjitha gratë që në momentin që ndahen nga këto bashkëjetesa. Pyetja që vjen natyrshëm është: “Po pjesë për fëmijën?” Jo, u them, kur të vdesë ai prindi, në bazë të trashëgimisë fiton fëmija.

Ardit Gjebrea: Po në qoftë se prindi martohet me dikë tjetër dhe ia lë në testament fëmijës tjetër që ka bërë në martesën e celebruar?

Eni Çobani: Ngelet pa pronë.

Ardit Gjebrea: Fare, fare?

Eni Çobani: Fare, fare!

Ardit Gjebrea: Celebrohuni ose mos harroni kontratën! Do që të bashkëjetojmë? Shkruaj një herë kontratën, pastaj problem tjetër nëse martohemi. Ka shumë rrugëzgjidhje.

BE coffee!