Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Koha e fundvitit shpeshherë aktivizon peshoren që bën bilancet e jetës, çfarë kemi dhe çfarë na mungon. Ndonjëherë jemi të prirur të marrim shumë gjëra për të mirëqena kur në fakt asgjë nuk është e tillë. Mendojmë që është pjesë e natyrshme e jetës të kemi shëndet, të kemi një bashkëshort apo bashkëshorte, të kemi fëmijë, por në fakt nuk është gjithmonë ashtu. Nuredini dhe Malvina Lika kanë 5 vite të martuar dhe ende nuk kanë gëzuar një fëmijë. Pas vështirësive me të cilat i ka përballur jeta, të dy i ishin drejtuar rubrikës “Ka një mesazh për ty” të programit “E diela Shqiptare” në Tv Klan për të falenderuar njëri-tjetrin. I pari që hyri në studio dhe që rrëfeu historinë ishte Nuredini.

“Unë jam me origjinë nga Laçi, por që në moshën 13-vjeçare jetoj në Greqi. Në vitin 2013 kriza bëri të vetën dhe unë u ktheva në Shqipëri, isha 27 vjeç dhe beqar. Malvina për mua ishte dashuri me shikim të parë. Jemi njohur me rekomandim. U fejuam dhe pas një viti u martuam dhe qëndrova 2 vite në Shqipëri. Më pas vendosa të kthehem sërish në Greqi pa Malvinën. Në atë periudhë Malvina ishte shtatzënë. Pasi, qëndrova 3 muaj në Greqi mora lajmin se nusja humbi fëmijën. U mërzita, qava dhe për 20 ditë u ktheva në Shqipëri. Ishte moment shumë i vështirë për mua. Ika sërish në Greqi dhe pas një muaji erdhi dhe Malvina dhe prej 4 vitesh nuk jemi ndarë më. Shtatzënia e dytë e ishte në 2018-ën në Shkurt dhe u ndërpre përsëri. E përjetuam shumë keq të dy, por Malvina u mërzit shumë. Sot unë kam ardhur se asaj i ka hyrë në mendje diçka tjetër. Më thotë si ndihesh kur të pyesin a ke fëmijë. Më kërkoi divorcin sepse ndihet në siklet sepse nuk më ka bërë baba. Unë jam martuar me të, jo për fëmijë, kur ta shkruaj Zoti do kemi fëmijë. Ne duhemi të dy. I kam thënë që divorcin nuk do t’ia jap, do jem deri në vdekje me të. Sot kam ardhur që ti them që jo vetëm divorcin nuk do ia jap, por nga shtëpia ime nuk do të ikë kurrë. Dua ta falenderoj shumë edhe për sakrificën që ka bërë për familjen time”, tha Nuredini.

Pasi përfundoi, ndryshe nga rubrikat e tjera të “Ka një mesazh për ty” Ardit Gjebrea la Nuredinin duke dëgjuar historinë që do të rrëfente Malvina, e cila mendonte se ishte ajo që e kishte ftuar bashkëshortin. Ajo po ashtu tregoi historinë e dashurisë, humbjen e dy shtatzënive dhe se çfarë e çoi të kërkoj divorcin.

“Arsyeja se përse kam ardhur është se kam ftuar bashkëshortin tim, Nuredinin. Kam 6 vite që jam bashkë me të. Për fat të keq Zoti nuk ka dashur të na gëzojë me një fëmijë deri tani. Pas 6 muajsh martesë unë mbeta shtatzënë dhe nga gëzimi i tepërt Dini edhe nëse ishte në një kafene më merte dhe më thoshte: “Si është bebushi babit”. Por kjo lumturi nuk zgjati shumë. Në vizitën e radhës mjeku më thotë se shtatzënia është ndërprerë dhe duhet të abortoja. E përjetuam shumë keq. Dinin nuk e njoftova që ditën që abortova. Lajmin ia ka dhënë vjehrra. U mërzitëm shumë për muaj të tërë. Nuredini u kthye nga Greqia dhe me mori me vete. Pas 6 muajsh pasi isha larguar më vjen lajmi se babai im kishte ndërruar jetë, por nuk munda të vi për arsye dokumentash. Mamaja ime më tha: Kur nuk erdhe për babain, nëse vdes unë as për mua mos eja. Nuk dua të jesh e pranishme”.

Tani i kemi rregulluar marrëdhëniet. Humbjen e babait e përjetova keq dhe gati kalova në depresion. Ishte bashkëshorti im që u largua nga puna dhe për muaj të tërë ishte pranë meje. Ishte ai që më dha dorën të ngrihesha. Një vit më vonë mbes sërish shtatzënë, nuk e besoja. Mjekët janë të habitur me rastin tim. Unë e çoj shtatzëninë deri në javën e 12-të. Kemi qenë në disa klinika. Dinin sot e kam ftuar ta falenderoj për gjithçka që ka bërë për mua. Para një muaji për arsye familjare u ktheva në Shqipëri dhe çdo ditë takoja njerëz që më thonin: “Çfarë po bëni… U bënë 5 vite dhe ju akoma nuk jeni bërë prindër. Dini ka moshën të ketë një fëmijë”.

Kalova në një moment që s’po duroja dot dhe i them Dinit që nuk do të kthehem më në Greqi, kurdo që të kthehesh ne do të bëjmë ndarjen. Ia kërkova këtë sepse e përjetova shumë keq faktin që çdo ditë më pyesnin për këtë gjë. Dini ka shumë dëshirë të ketë një fëmijë”, tregoi Malvina.

Pasi, Malvina përfundoi dhe priste Nuredinin, drejtuesi i emisionit Ardi Gjebrea i tha se bashkëshorti i saj nuk kishte ardhur. E habitur, Malvina mbeti pa fjalë për disa çaste, derisa pas saj Nuredini hyri me një tufë me lule dhe e përqafoi.

Në fund ajo falenderoi bashkëshortin e saj dhe i shprehu publikisht dashurinë.

“Falemindërit për gjithça që ke bërë për mua. Në krahët e tua e kam ndjerë veten si princeshë dhe të dua më shumë se jetën time”, tha Malvina teksa shihte në sy bashkëshortin.

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

Ajo kishte ardhur nga Italia për “çliruar” vëllanë e saj nga një peng. Përmes rubrikës “Ka një mesazh për ty” në programin “E diela shqiptare”, Miranda surprizoi vëllanë e saj Dhimitrin. Disa vite më parë ai kishte marrë kredi në bankë për të ngritur disa sera, por puna nuk kishte ecur ashtu siç ishte parashikuar dhe përmbarimi kishte shkuar t’i sekuestrojë shtëpinë. Ishte pikërisht motra e tij Miranda ajo që i kishte paguar të gjithë borxhin dhe vëllai i saj kishte lënë peng shtëpinë në emër të saj. Fakti që kishin kaluar 4 vite dhe Dhimitri nuk i kishte kthyer paratë e bënte atë borxhli ndaj motrës së tij. Por sot në prag të Vitit të Ri ajo bëri gjestin human dhe i fali vëllait të saj 24 milionë Lekë që kishte paguar për të.

“Kam ikur pa lejen e fëmijëve dhe ata nuk e dinë se ku jam. Vajza e vogël para 4 ditësh më priste në Londër, mendoj që vajza më ndjek dhe i uroj nipit të bëhet 100 vjeç. Prindërit e mi sot nuk jetojnë më, por unë jam e kënaqur që ata kanë nxjerrë në dritë 14 fëmijë. Ndonjëri thotë janë shumë… Nëna ime ka lindur 12 fëmijë dhe dy vajza ia ka gjetur babait tim, por unë i kam motra ato dhe nuk i ndajmë asnjëherë. Jemi rritur me fukarallëk të madh, nëna ka bërë shumë sakrifica, na ka rritur me gjakun e trupit. Unë jam fëmija i 10-të. Jam martuar shumë e vogël, kam lindur dy fëmijë dhe jam ndarë nga burri në moshë të re. Fëmijët i kam rritur vetë. Kam qenë pa mbështetje sepse në atë kohë ishte turp të ndaheshe nga burri. Vëllai i madh Ilia më ka ndihmuar shumë më ka mbajtur si vajzën e tij. Gjatë periudhës së rrëmujave kam ikur në Itali me skaf bashkë me vajzat. Kisha frikë të rrija në Elbasan sepse isha në një lagje ku kishte shumë banda. Fillimisht kam shkuar në Genova. Në Itali jeta ime ka shkuar shumë mirë. Për dy vite nuk kam patur marrëdhënie me familjen në Shqipëri sepse mendonin shumë keq. Pasi ka ardhur vëllai im i madh Ilia në Itali dhe ka parë ku jetoja, atëherë u hapën dyert e mia me familjen në Shqipëri. Me mamanë flisja fshehurazi, ajo më lutej të kthehesha. Disa vite më vonë jam martuar me një italian dhe jeta vazhdoi. Kam një vëlla që e kam pikë të dobët sepse ka qenë me një rrogë, Dhimitër quhet. E kam ndihmuar djalin e tij me punë. Arriti të ndërtojë një shtëpi. Pas disa kohësh nipi u kthye në Shqipëri. Vëllai donte të ndërtonte disa sera dhe mua nuk më tha gjë sepse i vinte zor të më kërkonte. Këto sera nuk i ecën dhe ndodhet debitor me 24 milionë Lekë dhe banka do ti sekuestronte vilën. Fola me vëllanë dhe nuk më tregoi. Marr në telefon vëllanë e madh dhe ai më tregoi. Mora sërish vëllanë që do t’i sekuestonin shtëpinë dhe fillimisht nuk më tregoi. Kam ardhur brenda 12 orëve dhe me paratë që kisha për familjen time kam shlyer borxhin e vëllait. Nuk i kam thënë asgjë, ia përfundova të gjithë borxhin. Nga turpi ai më ka lënë peng tapinë e shtëpisë ku jeton sot. Ma ka lënë mua derisa t’më kthejë mua borxhin.

Vëllai im e ka bërë këtë vetëm se ne jemi familje shumë korrekte ndaj njëri-tjetrit. Kanë kaluar 4 vite dhe ai nuk më ka kthyer paratë dhe e ka vuajtur shumë këtë. Ndaj unë kam ardhur këtu për t’i thënë vëllait tim dhe djalit të tij Ervisit të jenë të lumtur dhe me mua nuk ka asnjë borxh. 24 milionë Lekët ia fal, nuk dua t’ia di fare. Sa më bëjnë vëllezërit nuk më bën leku”, tha Miranda.

Dhimitri i surprizuar nuk priste të shihte motrën dhe nuk i fshehu emocionet që përjetoi kur ajo i tha se nuk i ka asnjë borxh asaj.

Dhimitri: Më preve në besë. Më ka bërë surprizë mua ajo sepse me mua ka vuajtur shumë.

Miranda: Miti të më falësh 100 herë që të gënjeva. Të them të drejtën kam ardhur vetëm të të bëj ty të lumtur sot. Nuk dua të të shof dhe të dëgjoj të më thuash jam kokëulur para teje. Ti e more borxhin të ecje përpara. Motra ka sjellë me vete tapinë e shtëpisë. Vetëm korrektesa jote që nuk doje të ishe borxhli me mua ka bllokuar tapinë e shtëpisë në emrin tim. Vëlla i dashur ne jemi në prag të festave. Për Krishtlindje të urova me një mesazh, ndërsa sot motra të bën të lumtur dhe sa të jem gjallë nuk do t’iu le të vuani. Dua të marrësh një noter, shtëpia nga sot e tutje është e jotja dhe borxhi me mua është zero.

Dhimitri: Faleminderit. Motra bën për vëllain, vëllai s’para bën shumë për motrën.

NE JEMI CFARE HAME KUJDES SHENDETIN

Intervista me aktorin Xhevat Limani!

“SHIHEMI NË GJYQ”

Sot në rubrikën “Shihemi në gjyq” të emisionit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan u përballen tre vëllezër. Në seancën e ndërmjetësimit Ilir, Bujar dhe Ramadan Sulati diskutuan për ndarjen e padrejtë të tokës mes vëllezërve. Vëllai i madh Bujari ka marrë si kryefamiljar 24.420 m2, ndërkohë vëllai i vogël Ramadani është pa tokë. Pas disa minutash debat ku nuk munguan tonet e larta mes tyre, duket se me ndërmjetësimin e juristes Eni Çobani vëllezërit vendosën që të bashkuar ta zgjidhin përmes rrugëve ligjore çështjen e pronës.

Eni Çobani: Sot kemi këtu tre vëllezër të shkëlqyer Ilir, Bujar dhe Ramadan Sulati, por që kanë ardhur veç e veç nga qyteti i Durrësit. Më ka takuar secili më vete me një qejfmbetje shumë të madhe. Problematika është e gjatë ndër vite dhe halli është i madh. Do doja që këtë fundvit të mos jemi shumë të ashpër.

Ilir Sulati: Në vitin 1991 janë ndarë pronat, unë kam qenë ushtar dhe nuk kam qenë prezent. Në këtë vit janë ndarë 3.800 metra tokë për frymë. Në atë kohë isha i martuar. Po të marrësh nga 3.800 metra për frymë i bie 7.600 metra. Ndërsa në aktin e marrjes së tokës në pronësi unë kam vetëm 6.200 metra. Nga hipoteka më del një tjetër akt dhe me shkrim dore janë shkruar edhe 4.220 metra të tjera.

Eni Çobani: Ju pretendoni që duhet të kishit 7.600 m2?

Ilir Sulati: Po, sepse kam dokumentin këtu që janë ndarë 3.800 metra për frymë dhe më mungojnë 1.400 m 2. Unë kam vetëm 6.200 metra dhe vëllai im ka 24.000 metra.

Eni Çobani: Bujari në ndryshim nga ju ka marrë 24.420 m2 dhe si trung familjar keni qenë vetëm 2 persona. Si është e mundur?

Bujar Sulati: Në 1991 babai im ka qenë gjallë dhe në ’92 vdiq. Komisioni këto toka mi ka lëshuar si kryetar i familjes, jo si dy pjesëtar.

Ilir Sulati: Pse ke nxjerrë vëllanë e vogël pa asnjë metër tokë, këtë dua të di unë.

Eni Çobani: Ky është një akt shumë i rëndë.

Bujar Sulati: Ju keni një dyshim sikur unë dua t’iu gënjej dhe t’iu marr pronat. Unë nuk dua t’iu marr pronat. Unë jam përplasur në bashki.

Ramadan Sulati: Pse nuk e rishikove ti që unë jam pa tokë. Sot nuk ma njeh njeri tokën. Kam qenë 11 vjeç atëherë dhe sot nuk e njoh të drejtën.

Bujar Sulati: Mua nuk më japin asnjë zgjidhje.

Ilir Sulati: Unë kam ardhur këtu se me vëllain s’po gjej zgjidhje, jemi gati duke u vrarë. Unë i kam lënë prokurë vëllait disa kohë më parë dhe nuk kam marrë asgjë. Nuk kam më besim.

Eni Çobani: Çudia ime është se ku ka qenë ky shtet gjithë këto vite që i ka çuar këta vëllezër deri këtu? Ky problem duhet çuar deri në fund. Nga ana tjetër prefektura është ajo që do ta çojë më tej këtë betejë juridike dhe të nxjerrë se e kujt është kjo pronë. Unë iu jap të drejtë shqiptarëve sepse këto janë detyra dhe përgjegjësi të shtetit, jo të qytetarëve. Janë dokumente që i prodhon shteti dhe njerëzit janë bërë pjesë ndoshta edhe pa dashje. Në këtë rast prefekti i Durrësit duhet të fillojë një proces gjyqësor dhe familja e zotit Mersin duhet të bëhet palë në këtë proces. Bujarit do t’i jepet pjesa që i takon dhe pjesa tjetër e pronës do t’i kalojë Mersin Sulatit. Kjo është zgjidhja më e mirë që mund të merrni, përndryshe nëse e lini në këtë konfuzitet edhe prona do t’iu humbasë edhe konflikti do të shtohet. Unë iu premtoj publikisht që do të më keni në krah dhe prona do të ndahet për frymë sipas kohës dhe ligjit 7501. I kërkojmë ndjesë Bujarit se i folëm pak rëndë, por edhe ti ke gabim, duhej të ishe kujtuar më parë. Jemi pak vonë, por më mirë vonë se kurrë.

Ilir Sulati: Unë Bujarin do ta shikoj me sy kur të marrë tokën vëllai. Se ai është fajtor kryesor sepse ka qenë prezent kur është ndarë toka.

Bujar Sulati: Unë dua të them vetëm kaq, që si Iliri, si Ramadani pronat do t’i marrin. S’kam përse t’i marr pronat vëllezërve të mi.

Eni Çobani: Meqë Bujari nuk kërkoi ndjesë, atëherë dua të kërkoj ndjesë ndaj të gjithë shqiptarëve, për tonet e larta. Ndoshta edhe për ndonjë fjalë të tepërt, por dua t’iu them edhe faleminderit sepse më keni dhënë një titull të madh “Zonja Eni” dhe unë do t’iu mbështes. Ju lutem besoni në Shqipërinë që ne jetojmë.

“TELEBINGO SHQIPTARE”