#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Music & Beauty” – Faza III

“Ne jemi çfarë hamë”- Helmimet nga ushqimet, si t’i evitojmë

“Ka një mesazh për ty” – Autizmi, mësimi që na jep Erinaldo

“Më dukej sikur fliste për tim bir”, Mirela zbulon diagnozën e djalit nga pasagjerja në autobus

Mirela është nëna  e dy djemve,  por në “Ka Një Mesazh Për Ty” është djali i vogël arsyeja që e ka sjellë. Soirdjo është 16 vjeç dhe siç shprehet Mirela në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, është “speciali” i familjes. Këtë veçori  të tij, prindërit e vunë re në moshën 2-vjeçare kur Soirdjo nuk kishte filluar ende të fliste fjalët e para apo të reagonte.

Mjekët në Burrel, ku jetonin asokohe iu rekomanduan të shkonin në Tiranë dhe ta vizitonin për dëgjimin. Testet treguan që Soirdjo ishte krejtësisht në rregull dhe ndërsa prisnin një diagnozë, familja u shpërngul në kryeqytet. Një ditë, krejt rastësisht, Mirela merr përgjigjen e gjendjes së të birit.

Mirela: Një ditë në autobus, kur po shkoja për te motra ime, një grua ishte me fëmijën e saj, me vajzën.  Soirdjo, sa herë që ne futeshim në autobus, ulëriste sepse donte vendin që të ulej ngaqë nuk fliste, reagonte duke bërtitur. Kjo zonja, sapo më pa më tha “të lutem, a mund ta ulësh djalin këtu afër vajzës time?” Faleminderit i them dhe e ula.

Më thotë kjo zonja “djalin e ke autik?” Në moment shtanga sepse nuk e dija ç’do të thotë autizëm dhe që kemi edhe atë turpin që s’e kemi të sëmurë fëmijën dhe i them jo, jo është thjesht i llastuar dhe do të ulet. “Më fal”, thotë, “se ta thashë kështu por ngaqë vajza ime është autike dhe nga mënyra që kështu reagon kur hipën në autobus dhe mendova që edhe ti kishe djalin”.

Aty, si mamatë që janë kurioze i thashë po çfarë ka vajza? Ndërkohë që ajo tregonte për vajzën që reagonte dhe kishte të njëjtat simptoma si Soirdjo…që rrinte vetëm…

Ardit Gjebrea: Ty tu duk sikur po fliste për Soirdjon.

Mirela: Direkt këtë mendova, thashë janë të njëjta gjëra që djali im ka. Unë mezi prisja të nesërmen për të shkuar te mjekja, s’bëhej fjalë. Të nesërmen shkuam te “Nënë Tereza”. Aty pas vlerësimeve, pas testeve, pas të gjithave që iu bënë, Soirdjo, na thanë që është me autizëm.

Ardit Gjebrea: Si e pritët këtë lajm dhe për çfarë u bëtë gati?

Mirela: Gjëja e parë që  të shkon në mendje është t’i japësh fund jetës sepse s’e përballon dot, Ardit. Është shumë e dhimbshme, te fëmija është… mos e provoftë asnjë, të marrësh vesh që ka një sëmundje të pashërueshme. Mes lotëve, dhimbjes i thashë vetes që jo, ti nuk do e bësh atë gabim, ti do luftosh për fëmijën tënd, do e bësh këtë që ai t’ia dalë mbanë, të luftojë kundër sëmundjes dhe të bëhet të paktën te ai 80% që mjekët më dhanë shpresë që bëhet.

“I shkarraviste fletoret dhe i griste librat”, Mirela: si e mbështeti shoku i bankës djalin tim me autizëm

Në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” në Tv Klan, Mirela rrëfeu historinë e Soirdjos, djalit të saj të vogël i cili është diagnostikuar me spektrin e autizmit. Në moshën 2-vjeçare Soirdjo nuk reagonte ndaj thirrjeve ndërsa me marrjen e diagnozës dhe terapitë intensive, nisi të thoshte fjalët e para në moshën 5-vjeçare, pa ua ditur kuptimin.

Kur ishte 8 vjeç, prindërit vendosin ta dërgojnë në një shkollë publike, edhe pse me frikën e madhe se si do të gjendej aty. Frika e tyre nuk u trupëzua kurrë sepse jo vetëm stafi, por edhe nxënësit ishin gjithnjë në krah të Soirdjos duke e mbrojtur nga gjithçka.

Mirela ka ardhur për të falenderuar një nxënës shumë të veçantë nga kjo klasë, pa e ditur se një pjesë e kësaj të fundit ka ardhur në studion e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për t’iu gjendur pranë. Pasi moderatori Ardit Gjebrea i zbulon këtë surprizë, Mirela përlotet nga mirënjohja.

Mirela: Kjo është klasa, por mes klasës kemi edhe një Erinaldo që është gjatë gjithë kohës në bankë, nga klasa e parë e deri tani me Soirdjon. Erinaldo ka duruar Soirdjon kur Soirdjo i  shkarraviste fletoret, i griste librat, i priste çantën me gërshërë, çanta që Erinaldos mund t’i vinin nga jashtë, nga Amerika, por që Erinaldo nuk u ndie asnjëherë, që të ankohet apo që të thoshte që unë nuk rri më me të në bankë sepse s’e duroj dot ose…

Unë që shkoja te mami i Erinaldos dhe ndihesha keq e në faj dhe i thosha të ta paguaj ose të blejmë çantë të re ose çfarëdo domethënë. Ajo që thoshte “s’bëhet fjalë, vetëm të kemi çunat mirë”, domethënë një bravo të madhe për prindërit e këtyre  fëmijëve sepse i kanë rritur në një mënyrë që të kujdesen për këto persona, Ardit.

Erinaldo kujdeset për Soirdjon në çdo moment. Çdo ditë kur unë shkoj ta marr, Erinaldo i bën çantën gati, i fut librat në çantë që mos të harrojë diçka, kujdeset në fizkulturë kur kanë, e merr. Më thonë edhe në rrugë Ardit, ishte një periudhë kur Erinaldo e sillte edhe në shtëpi, nga shkolla e sillte në shtëpi dhe i vendos dorën në qafë, e mban afër, i mban çadrën, sikur ta kishte vërtet…

Ardit Gjebrea: Vëlla.

Mirela: Vëlla. Kujdeset se këto që janë adoleshentë kanë dhe atë ndrojtjen se mos… ai s’e ka problem fare, fare që të shoqërohet me një fëmijë si Irdjo im.

Nuk u dorëzua kurrë, nëna e 16-vjeçarit me autizëm falenderon “djalin e tretë të shtëpisë”

Pjesën e parë të rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty”, moderatori Ardit Gjebrea e cilësoi në fillim të saj si një shembull kur të rriturit mund të mësojnë nga fëmijët. Një rast që e reflekton më së miri është Erinaldo. Që prej ditës së parë që ai është njohur me Soirdjon, i cili është me spektrin e autizmit, Erinaldo nuk është ndarë kurrë prej tij pavarësisht sfidave të vështira.

Me këmbëngulje dhe shumë dashuri, ai i është gjendur pranë duke u bërë kështu “djali i tretë i shtëpisë” për Mirelën, nënës së Soirdjos e cila ka ardhur ta falenderojë.

Pak më parë në studion e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan hyri edhe Soirdjo, si një surprizë  për Erinaldon. Dy djemtë u ulën pranë e pranë, njësoj siç kanë bërë që nga klasa e parë e deri në vitet në vazhdim.

Mirela: Përshëndetje Erinaldo!

Erinaldo: Përshëndetje!

Mirela: Ti e di që unë të kam falenderuar çdo ditë sa herë e marr Soirdjon nga shkolla, por sot mendova të ta bëj këtë surprizë që të të falenderoj publikisht ty, prindërit e tu, dua të të falenderoj që ti nuk je mërzitur, edhe kur Soirdjo t’i griste fletoret, librat, çantat që të sillnin nga Amerika. Dua të të falenderoj që ti në çdo ekskursion, bashkë me mësuesen, kuptohet, nuk e ke ndarë nga klasa Soirdjon, e ke marrë me vete në çdo moment dhe duke më thënë që nuk ka nevojë të vish ti për ta shoqëruar sepse e mbajmë ne sikur të jesh ti.

Këtë e ke bërë jo për t’u dukur, por e ke bërë sepse ti e ke ndierë. Ti e ke bërë në rrugë, e ke bërë në shkollë, e ke bërë kudo duke u kujdesur për Soirdjon në çdo moment. Fjalët janë të pakta, e di sepse…je tamam shembulli i mirë që duhet të ndjekin bashkëmoshatarët e tu.

Erinaldo: Ndihem me të vërtetë shumë i lumtur që vlerësohem për diçka të tillë, por gjithashtu dua të përmend se nuk do t’ia kisha dalë kurrë mbanë pa ndihmën e mësueses tonë kujdestare, mësueses Hanke dhe klasës tonë.

“Ka një mesazh për ty” – Ëndrra profetike e Armandos

“Do ikësh në Amerikë dhe do martohesh me një bionde”, ëndrra që u bë realitet për Armandon

Dikur dikush i tha se e kishte parë në ëndërr që ishte martuar me një bionde në Amerikë. Kjo është historia e Armandos nga Korça, i cili prej 3 dekadash jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aty ku dhe njohu bashkëshorten dhe nënën e 3 fëmijëve të tyre.

Ai ka ardhur në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për të treguar historinë e tij.

Armando u largua nga Korça përmes një të huaji nga Zelanda e Re që kishte ardhur në Shqipëri. Ai e mori me vete Armandon në Athinë, ku jetonte dhe vetë. Në kryeqytetin grek Armando njohu miq nga SHBA, të cilët e ftuan të shkonte në Amerikë.

Armando: Takova disa miq amerikanë në Athinë dhe ata më thanë mua në qoftë se ju doni të vini të mbaroni studimet tuaja në Amerikë, ata thanë dera jonë është e hapur.

Ardit Gjebrea: Tani kush e pa ëndrrën dua unë.

Armando: Ky ishte viti 92’ në mos gabohem. Në atë vit, Mary Jane, gruaja ime, kishte ardhur këtu në Shqipëri, një nga shoqet e mia, shoqe e ngushtë në Greqi, ajo pati një ëndërr para se unë të largohesha. Dhe më tha, të pashë në ëndërr. Juve vajtët në Amerikë dhe unë, tha, isha pjesëtare e dasmës tuaj në Amerikës dhe ju po martoheshit me një vajzë amerikane bionde, më tha ajo. Dhe unë i thashë unë po shkoj në Amerikë për të mbaruar studimet dhe do kthehem në Shqipëri.

Ardit Gjebrea: Dhe ti do martoheshe me një shqiptare?

Armando: Me një shqiptare, ajo ishte gjithmonë ëndrra, dëshira ime. Ndërkohë, unë jam në Amerikë ditën e tretë atje dhe më bie telefoni, dikush më merr në telefon edhe flet një fjalë shqip, ‘njatjeta’ ose diçka e tillë. Dhe unë i thashë kush jeni ju? Ajo tha, unë jam Mary Jane, unë isha në Shqipëri beharin e kaluar dhe do kisha shumë dëshirë që ju të takoheshit me mua dhe me studentë të tjerë amerikanë që kaluan beharin në Shqipëri në vitin ’92. Dhe unë thashë çfarë mrekullie, takohemi thashë.

Ardit Gjebrea: Të kishte parë në ndonjë foto ajo ty?

Armando: Jo. Shtëpia kishte një dritare shumë të madhe dhe ajo eci para dritares time dhe e mbaj mend si tani, eci para meje, kishte veshur një pallto të zezë dhe ishte bionde. Doli biondja. Megjithatë, unë e kisha përgatitur shpirtin zemrën time që të mos lidhja me asnjë marrëdhënie më shumë se sa shoqërore.

Ardit Gjebrea: Po të pëlqeu?

Armando: Po. Që sapo e pashë.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi?

Armando:
 Ramë në dashuri.

“Obobo është djalë i bukur”, Mary Jane vjen nga Amerika dhe tregon si u njoh me bashkëshortin shqiptar

Sot Armando dhe bashkëshortja e tij janë prindër të 3 fëmijëve dhe kanë 2 nipër e mbesa.

Armando nga Korça tregoi në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në E Diela Shqiptare në Tv Klan se si emigroi drejt SHBA-së 3 dekada më parë dhe aty u njoh me dashurinë e jetës, me të cilën sot ka 3 fëmijë.

Ai i ka bërë një surprizë bashkëshortes së tij amerikane dhe e ka sjellë në studion e “E Diela Shqiptare” për t’i dhënë një mesazh falenderues për vitet që kanë kaluar bashkë dhe për gjithçka që ajo ka bërë për komunitetin shqiptar në Amerikë.

Mary Jane erdhi në studio dhe tregoi se si u njoh me Armandon, që në vitin 1992 kur ajo së bashku me disa studentë amerikanë vizituan Korçë në atë kohë.

Ardit Gjebrea: Kur e keni parë për herë të parë burrin tuaj, hera e parë fare, ku ka qenë?

Mary Jane: Erdha në Shqipëri herën e parë në 1992 dhe kur vajtëm në Amerikë prapë, dëgjova në Universitet kur unë punoja, kemi studentin e parë nga Shqipëria dhe unë thashë dua të takohem me studenten. Mendoja se vajza donte ndihmë në anglisht dhe jetën në Amerikë.

Ardit Gjebrea: Ti mendove që ishte vajzë?

Mary Jane: Po.

Ardit Gjebrea: Dhe kur e zbulove që ishte djalë?

Mary Jane: Një shoqja ime më mori në telefon edhe tha një djalë shqiptar erdhi në kishë sot edhe folëm për jetën e tij dhe unë mendova që studenti i ri është djalë. Vajta atje, kur hapi derën unë mendova ‘obobo është djalë i bukur’.

Ardit Gjebrea: Të pëlqeu?

Mary Jane: Që në momentin e parë.

Armando: Mesazhi im për ty është mesazh zemre. Mbase gjatë viteve të jetës tonë, ditët kanë qenë të zëna shumë me jetë të përditshme, me punë të përditshme, me angazhime të përditshme dhe mbase dhe nuk kam qenë edhe shumë specifik ose sensitiv për të të thënë sa shumë të dua. Shumë faleminderit që ke për Shqipërinë, për shqiptarët, për atdheun tim, për miqtë e mi që jetojnë këtu në Shqipëri, faleminderit që keni dedikuar jetën tuaj për këta njerëz dhe për këtë vend. Ne u larguam për herë të parë nga Indiana në Michigan për të ndihmuar njerëzit e mi, shqiptarët, dhe mezi presim që lëvizja e dytë të vijë përsëri sa më shpejt që të jetë e mundur që Perëndia të bëjë të mundur që ne të bëjmë lëvizjen e dytë nga Amerika këtu në Shqipëri për t’i dhënë të njëjtën dorë Shqipërisë dhe shqiptarëve këtu në Shqipëri siç bëri dhe vajza jonë.

Ardit Gjebrea: Ju dëshironi që të vini dhe të jetoni në Shqipëri?

Armando: Vërtetë, po shumë.

Ardit Gjebrea: Ju Mary Jane dëshironi që të jetoni në Shqipëri?

Mary Jane: Dua, dua shumë. Kam zemrën time këtu në Shqipëri.

Ardit Gjebrea: Djemtë do jetojnë në Amerikë apo doni t’I merrni edhe djemtë këtu?

Mary Jane: Ndoshta do të qëndrojnë atje.

“Shihemi në gjyq”- “Hakmarrja” e motrës

“Nuk janë motra, por monstra”, testamenti fut vëllain në konflikt

Iliri ka ardhur posaçërisht nga Italia në “Shihemi në Gjyq” ku tregon konfliktin me motrën e tij. Në insertin e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan që na njeh me Ilirin, ai i quan motrat e tij monstra për shkak të një firme që Iliri nuk arrin ta marrë prej tyre.

Ilir: Ngelëm rrugëve, ç’është kjo punë kështu? Është e dhjeta herë që vij, nuk ka sens, nuk ka vend të qëndrojë kjo punë. S’e marr vesh, nuk e kuptoj.Nuk mbaj dot as nervat nuk mbaj. Vetëm lekë që kam harxhuar rrugëve dhe punët që kam lënë atje nuk ia vlen për aq pronë sa është ajo. Nuk e kuptoj, ajo është një monstër! Përveç vetes, ka mbajtur edhe dy motrat e tjera, ajo i detyron ato që mos të firmosin! Ato nuk janë motra, ato janë monstra! Kjo është hera e fundit që unë vij këtu! Di unë pastaj se si do ta zgjidh këtë problem!

Kur hyn në studio, Iliri thotë se nga tetë fëmijët e familjes, ai është më i vogli. Atij i duket se ky fakt e bën atë edhe më të dënuarin.

Ilir: Për sa i përket familjes tonë, jo për t’u mburrur, siç thoshte edhe nëna ime që të mirat bëji dhe harroji, të këqijat bëji dhe kujtoji. Tani unë vij nga Firence për një motiv. Është e dhjeta herë që vij në Shqipëri për një fakt që duhej kryer shumë kohë më parë. Kam një problem për sa i përket pronave që nëna dhe babai më kanë lënë dhe për atë kam testamentin. Tani me gojë motrat ma kanë lënë testamentin, ama nuk kanë ardhur të firmosin.

“Mafiozi i Italisë”, motra refuzon t’i japë firmën vëllait: Ka 4 vila e do akoma

Sadetja është motra e thirrur nga Iliri në “Shihemi në Gjyq” për t’i kërkuar asaj firmën për testamentin e prindërve. Në insertin prezantues në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Sadetja shprehet me deklarata të forta kundër vëllait.

Sadete: Ku është ai mafiozi i Italisë që më ka thirrur mua sot? Për çfarë më ka thirrur njëherë, ta di dhe unë? Ku e ka hallin ai? Kur desha unë atë që desha, ai më ktheu kurrizin mafiozi që ka katër vila edhe do hala. Do më shikojë sot mua ai kush jam!

Për këtë deklaratë të Sadetes, Iliri u përgjigj në studio se duart e tij janë “duar punëtori, jo mafiozi”. Kur moderatori Ardit Gjebrea fton Sadeten në studio, ajo refuzon të ulet dhe menjëherë shkon drejt të vëllait duke u përplasur verbalisht me të.

Sadete: Për çfarë më ke thirrur ti mua sot ore?

Ilir: Qysh për çfarë të kam thirrur?

Sadete: Për çfarë më ke thirrur?

Ilir: Ti e di shumë mirë për çfarë të kam thirrur unë.

Sadete: Pse më ke thirrur, çfarë kërkon nga unë?

Ilir: Firmën.

Sadete: Pak po vuaj me këto që kam në shtëpi?

Ilir: Nuk më intereson fare, unë kam familjen time.

Sadete: Jam pa shtëpi e pa fëmijë, jam rrugëve.

Ilir: Rrugëve? Nuk është faji im, nëna e baba të kanë dhënë burrë.

Sadete: Çfarë burri thua ti ore?

Ilir: Burrë pra, të kanë dhënë burrë. Unë do shikoj familjen time, jo tënden.

Sadete: Po mirë kështu më ndodhi mua, si t’ia bëj?

Ilir: Unë çfarë të të bëj ty? Unë i kam ndihmuar të gjithë…

Sadete: Më fëlliqe ti mua këtu, çfarë kërkon, çfarë do nga unë?

Ilir: Unë desha firmën.

Sadete: Thirri mendjes se na fëlliqe këtu, çfrë do, çfarë do nga unë?

 Ilir: Desha firmën tënde dhe shko ulu atje.

Sadete: Firmë unë ty s’të jap sikur në qiell të hipësh ti e unë të zbres poshtë.

Ilir: Unë do ta marr.

Sadete: Fare! Shtëpinë njëherë nuk ke gjë ti gjallë në botë

I kërkoi vëllait një fëmijë, Sadetja: Certifikata e shtëpisë më ka lënë pa të

Sadetja hyri në studion e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan shumë e revoltuar ndaj Ilirit, vëllait të vogël që e ka thirrur në “Shihemi në Gjyq”. Vëllai i kërkon firmën e një testamenti të lënë nga prindërit, por Sadetja nuk ia jep. Ajo ka si kusht marrjen e një certifikate shtëpie e cila ka lidhje me një fëmijë që ajo ka kërkuar nga një tjetër prej vëllezërve.

Ardit Gjebrea: Sadete, pse je e mërzitur me vëllain?

Sadete: Jam e mërzitur zoti Ardit se kur kisha unë hallin më të madh për një certifikatë shtëpie unë kam ngelur sot pa fëmijë, pa shtëpi, asnjeri s’më ndihmon, pa gjendje. Jam në këtë moshë sot, po punoj grua plakë atje në rrobaqepësi.

Ardit Gjebrea: Më fal Sadete, çfarë lidhjeje ka certifikata e shtëpisë me fëmijën?

Sadete: Ka lidhje se unë më përpara disa viteve, unë i kam kërkuar këtyre një fëmijë.

Ardit Gjebrea: Kujt?

Sadete: Jo këtij, po vëllait tjetër.

Ardit Gjebrea: Si, domethënë doje që t’ia merrje vëllait?

Sadete: Po, doja që të kisha edhe unë një fëmijë. Kur unë humba shpresat e mia, s’kisha më shpresa.

Ardit Gjebrea: Doje që familja e vëllait të bënte një fëmijë dhe të ta jepte ty?

Sadete: Po.

Ardit Gjebrea: Ta adoptoje ligjërisht?

Sadete: Po. Kurse unë pengesë kisha certifikatën e shtëpisë, s’e kisha.

Eni Çobani: Një nga kushtet e birësimit është të kesh një banesë, një banesë në emrin tënd dhe detaj edhe sot, unë i thërras Dete se kemi krijuar aq afrimitet me njëra-tjetrën,  edhe sot e kësaj dite nuk ka shtëpi, edhe atje ku ajo është martuar prej 44 vitesh, nuk ka banesë. Për arsye të tillë, ua ka kërkuar këtyre.

Vëllai që ka pranuar t’i japë Sadetes fëmijën i ka thënë se vetëm kaq mundet të bëjë për të, por certifikatë nuk ka. Megjithatë, vjehrrit e kanë kundërshtuar këtë dëshirë të Sadetes dhe i kanë thënë ta marrë fëmijën në jetimore e ajo nisi të ndiqte procedurat.

Sadete: Ai kishte tre fëmijë dhe më tha një për ty do ta jap. Edhe nisi të katërtin për ta marrë unë. Unë shkova kam bërë seanca atje në… e harrova, ndërkohë iu thashë pleqve që kisha në shtëpi, isha bashkë me vjehrrin dhe me vjehrrën edhe i thashë këtyre unë desha të birësoj një fëmijë nga vëllai im. “Jo”, thanë ata, “jo te vëllai jot po ik merre aty ku kanë ikur të gjithë”. Edhe unë shkova atje.

Eni Çobani: Pra nuk donin ta merrnin nga familja, e donin të huaj komplet.

Ardit Gjebrea: Kuptova.Dhe ti vajte në befotrof.

Sadete: Vajta atje. Ato, pasi bëra 6 muaj seanca ik e hajde që isha pa punë edhe më thanë në fund që ne duam certifikatën e shtëpisë, unë s’e kisha.

“Jepi firmën Ilirit”, Eni Çobani arrin ndërmjetësimin e vështirë mes motrës e vëllait

Sakrificat dhe përpjekjet e Ilirit më në fund u shpërblyen në  “Shihemi në Gjyq”. Emocionet e forta, përjetimet e vështira dhe konflikti mes tij e motrës, Sadetes ka  mbërritur në një rrugëzgjidhje në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.

Duke qenë se kushti i Sadetes për t’i dhënë Ilirit firmën që ai të vazhdojë përpara me testamentin e prindërve është një ndihmë që ajo të përfitojë certifikatën e pronësisë së shtëpisë bashkëshortore, Eni Çobani ka një propozim tjetër.

Eni Çobani: Shpirtërisht, e ndien që t’ia japësh dokumentin vëllait? Shpirtërisht, të lutem.

Sadete: Shpirtërisht unë ia kam dhënë me vakt.

Eni Çobani: Atëherë, meqenëse ju vini një kush që kërkoni një ndihmë për bërjen e një dokumenti në qytetin e Kavajës, unë si ndërmjetëse po ju them zonjë, bëni kalimin e pjesës tuaj në emër të Ilirit dhe unë po ju premtoj publikisht që do ta çoj deri në fund bërjen e certifikatës së familjes tuaj, tëndes dhe të Bilalit dhe nëse kjo gjë nuk do bëhet, unë prapë publikisht, bashkë me Arditin  do të vazhdojmë ta trajtojmë deri ditën kur ju të dy bashkëshortët, edhe pa fëmijë, sikundër fati ju la por shyqyr ka njerëz të mirë dhe ja erdhët këtu dhe prapë të solli ky Iliri, letrat e shtëpisë do t’i bëjë Eni Çobani, jepi firmën Ilirit!

Sadete: Kam hequr torturë zonja Eni. Ai më ka mbajtur peng që nuk më la të marr fëmijë, ai po më mban peng certifikatën që të marrë pronësinë vetë, ai po më shan nëpër shtëpi, ai më ka dhunuar, më ka prurë policinë vakt pas vakti.

Eni Çobani: Do t’ia japësh firmën Ilirit?

Sadete: Po, ia jap kështu në vend!

Motra mban peng vëllain: Më jep para që të bëj certifikatën e shtëpisë sime!

Iliri është djali më  i vogël mes 8 fëmijëve i cili është kujdesur për prindërit e tij derisa kanë ndërruar jetë dhe për këtë ata i kanë  lënë një testament. Në këtë testament, sqaron ai në “Shihemi në Gjyq”, përfshihet shtëpia dhe një pjesë toke. Iliri ua ka lënë motrave e vëllezërve tokën duke mos marrë asgjë për vete dhe duke kërkuar vetëm shtëpinë.

Përballë tij në rubrikën e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është Sadetja, njëra prej motrave e cila refuzon t’ia japë firmën për këtë shtëpi. Ajo thotë se nuk ka asnjë mundësi financiare dhe arsyeja që e mban peng Ilirin është certifikata e pronësisë së shtëpisë së saj. Duke pretenduar t’i shesë Ilirit pjesën e shtëpisë së prindërve, ajo mendon të sigurojë paratë për të marrë certifikatën e banesës bashkëshortore.

Sadete: Unë kërkoj hall, strehim koke. Jam jashtë pa shtëpi. Ti mua më do firmë që ke katër copë.

Ilir: Moj motër, unë kam shkuar ditën e tretë të operacionit se kam bërë dy operacione. Ditën e tretë kam shkuar në punë moj të ngisja ekskavatorin. Duhej të shkoja moj se duhej të haja. Moj ç’është kjo moj zonja Eni, të lutem?

Sadete: Më kanë poshtëruar.

Eni Çobani: Tani është e vërtetë që ke katër vila se thonë ke katër vila, ti paç dhjetë xhanëm…

Ilir: Moj zonja Eni çfarë vilash? Kam të tria vajzat, unë kam hyrë garant që të blejnë shtëpi.

Sadete: Edhe 700 metër që ke te shtëpia e vjetër aty. Ore unë nuk do marr shtëpi në varr, unë desha sa të strehoj kokën, ta gëzosh ti shtëpinë. Por unë nuk të jap firmë ty kurrë pa marrë certifikatën e shtëpisë time, të qetësohem edhe unë një ditë, të qetësohem edhe unë si gjithë njerëzit. Jam pa asnjë kusht në këtë moshë! Jam pa sallon, kam bërë një copë shtëpi shtesë.

Eni Çobani: Tani më fal zonja Sadete, me gjithë dhimbjen që na përcollët me faktin që ti nuk ke pasur fëmijë dhe kjo është një fatkeqësi që s’e keni pasur vetëm ju, por ka shumë gra. Tani ky kusht që ju vini, po s’mora unë certifikatë banese, unë s’të hedh firmën, tani çfarë lidhjeje ka ky me banesën tënde se tani më vjen keq? Tani ti kërkon para nga zotëria se duhet ta thuash troç tani që ta dëgjojë publiku, kërkon para apo jo?

Ilir: Dil hapur!

Eni Çobani: Kërkon t’ia shesësh vëllait atë pjesë toke që ti të marrësh lekë që të bësh certifikatën se kështu i bie!

Sadete: Po ashtu desha se unë jam pa gjendje.

Eni Çobani: Motrat që flasin në këtë formë unë nuk i kuptoj dot se jemi motra vetë, e kupton.

Sadete: Të më ndihmojë se unë nuk kam gjendje.

E dhunuar nga kunati, Sadetja e ngashëryer rrëfen detajet tronditëse

Firma e testamentit që Sadetja nuk pranon t’ia japë vëllait të saj, Ilirit, ka pasoja më të thella se sa vetëm  zvarritja e çështjes. Siç sqaron ndërmjetësja e rubrikës “Shihemi në Gjyq” Eni Çobani, nëse Sadetja ndërron jetë përpara bashkëshortit të saj, atëherë ky i fundit ka të drejtë të kërkojë pjesë nga shtëpia dhe toka e familjes së Sadetes dhe Ilirit, që prindërit e tyre kanë lënë trashëgimi.

Jo vetëm bashkëshorti i Sadetes, por edhe familjarët e tij dhe të gjithë brezat fitojnë këtë të drejtë në një rast të tillë. Gjatë seancës në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan Sadetes iu shpjegua disa herë se Ilirit i takon me të drejtë kjo firmë sepse prindërit ia kanë lënë atij trashëgimi, pavarësisht se ai ua ka lënë tokën motrave e vëllezërve duke mbajtur shtëpinë.

Sadetja pranoi se e vetmja arsye që ajo nuk ia jep firmën është tentativa për të përfituar para nga Iliri që të marrë certifikatën e pronësisë së banesës së saj bashkëshortore. Në këtë pikë të rubrikës, Sadetja shpërthen në lot dhe nis të tregojë të gjithë dramën e saj familjare duke denoncuar publikisht dhunën e ushtruar ndaj saj nga kunati.

Sadete: Vjehrri me vjehrrën më çoi në gjyq, më tha “do t’i jap letrat me gjyq”. Më çoi dy herë në gjyq, nuk ma dha.

Ilir: Po s’të kam çuar unë në gjyq.

Sadete: Kunati shkon, më del përpara me gjithë çun, thotë “mos i jepni këtij se s’ka fëmijë”, ç’e drejtë ish kjo? Ku të shkoj unë? Ai ka pushtet, ne s’kemi, ne jemi punëtorë të thjeshtë. Çfarë t’i bëj unë Qemal Veizit? E ka blerë pushtetin, na ka vrarë, na ka dërrmuar, e di gjithë Kavaja. Thotë unë ty “o do të të çmend, o do të të ndaj”, më thotë mua nëpër shtëpi, shan të zezat e më të zezat. “Qen bir qeni”, shan edhe prindërit e mi në varr, “qen bir qeni thotë, ti më ke zënë vendin më të mirë”. Aty ku na lanë, aty ndenja. Çfarë të bëj unë, ai më shan prindërit e mi në varr?

Moderatori Ardit Gjebrea i shkon pranë dhe e pyet nëse ajo ka kryer denoncim për këtë rast.  Sadetaj thotë se po, por nuk ka marrë kurrë trajtim dhe mbështetje nga institucionet.

Sadete: Kam denoncuar, por nuk flas dot se kam siklet. Kam denoncuar, kam shkuar në polici. Më vrau, më dërrmoi, kam fotot aty. Shkova te mjeku ligjor, shkoi e bleu, nuk u bë asgjë. Unë shkova atje, thoshte ka ikur me pushime, dy javë rrugëve të Durrësit.

“Ajo zonja mban dhe turpin” / Revoltohet Ardit Gjebrea: Nuk ka turp për të kërkuar të drejtën tënde

Gjatë “Shihemi në Gjyq” Sadetja u shpreh se nuk ka fëmijë, mbështetje e përkrahje dhe gjithmonë ka qenë e shtypur nga familja e burrit. Ajo tha se bashkëshorti i saj nuk ka dashur kurrë të punojë dhe ajo ka qenë e vetmja që e bënte.

Nga ana tjetër, vëllai i saj Iliri, i përmend të gjitha rastet kur ai i ka zgjatur dorën për ta ndihmuar. Duke qenë se Iliri jeton në Itali, ai i ka bërë garancinë si Sadetes, edhe bashkëshortit  të saj për të shkuar atje dhe ajo nuk ka shkuar për shkak të këtij të fundit. Gjithashtu ai është ofruar t’i gjejë punë dhe Sadetja sërish e ka refuzuar.

Pavarësisht këtyre, ajo e akuzon si “mafioz” dhe i thotë se nuk ia jep firmën për testamentin e prindërve që i takon Ilirit me të drejtë duke e mbajtur peng vëllain. Në momentin e votimit, publiku shpreh mbështetje për Ilirin, përveç një vote të drejtuar tek Sadetja.

Ky detaj nuk i shpëtoi moderatorit Ardit Gjebrea, i cili u drejtua menjëherë për te publiku i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për të biseduar me zonjën që është në krah të Sadetes.

Zonja: Unë jam tiranase dhe kam pasur edhe unë dikur toka dhe tokën ia kam falur vëllait. Sot vëllai mua nuk më jeton për arsye të tokës por duke menduar që kjo zonjë ka shumë probleme me burrin sepse burri është dembel, nuk punon dhe janë ca gjëra që ndodhin në familje dhe duke menduar këtë vëllai duhet t’i japë një dorë.

Pavarësisht se ne gjithmonë kemi menduar te djemtë, thonë gjithmonë pasuria të shkojë te djali, ashtu siç i kanë lënë prindërit pasuri atij por edhe për motrat duhet të kujdesen pak pasi ajo është në një  moshë shumë të madhe, është pa fëmijë, pa përkrahje, ka një burrë dembel në një kohë kur ajo nuk ka me çfarë jeton dhe është 62 vjeçe dhe akoma punon. Unë prandaj gjithmonë kam mbajtur anën e asaj zonjës gjatë gjithë kohës që zotëria fliste, ai është i siguruar, është jashtë shtetit, punon, ka gjithë të ardhurat, është punëtor, por duhet të kthejë një çikë kokën mbrapa dhe të mendojë një çikë edhe për motrën që e ka me aq probleme.

Ardit Gjebrea: Ai e ka menduar për motrën gjithë jetën, i ka thënë hajde,hajde, hajde.

Zonja: Po çfarë t’i bëjë burrit që nuk do? Tani ai thotë hidhe burrin në lumë. Nuk hidhet burri në lumë në këtë moshë, 44 vjet martesë dhe ta hedh burrin unë në lumë? Jo, unë nuk e hedh.

Ardit Gjebrea: Edhe ditën e fundit të jetës mund ta hedhësh në momentin që ai nuk të jep asgjë në jetë.

Zonja: Po ç’ti bëj unë tani në pleqëri?

Ardit Gjebrea: Ilir, ti e merr motrën në Itali po të vijë sot tek ti?

Ilir: Ore e marr edhe që tani.

Ardit Gjebrea: Urdhëro!

Zonja: Po nuk do ajo pra.

Ardit Gjebrea: Ah, nuk do ajo? Por nuk është faji i Ilirit dhe ti ia jep votën asaj se s’do ajo. Burrin s’do ta lërë, burri nuk punon, nuk i jep pronat, thotë më kanë shfrytëzuar gjithë jetën, vëllai ta ndihmojë, si qenka kjo punë?

Zonja: Mos të raftë! Çfarë t’i bësh, të kesh një fatkeqësi…

Ardit Gjebrea: Fatkeqësi? Jo! Njeriu e ka vetë jetën në dorë, këtë duhet të kuptojnë gjithë shqiptarët.

Zonja: Tani në këtë kohë po, por më përpara nu ishte kjo, sidomos nëpër fshatra.

Ardit Gjebrea: Po sot ajo ka mundësi, ajo ka një vëlla që e merr në Itali, po flasim për sot.

Zonja: Ajo zonja ka edhe turpin tani se s’mund ta lërë burrin tani e të ikë në Itali.

Ardit Gjebrea: Cilin turp? Nuk ka më turp! Për të kërkuar të drejtën tënde nuk ka më turp sot dhe asnjë shqiptar s’duhet të ketë më turp! Në momentin që i ndodhin fatkeqësi të tilla, duhet të tregojnë veten, është i lirë… pse nuk je dakord me mua?

Zonja: Jo, dakord jam.

Ardit Gjebrea: Ah, mendova që nuk je dakord. Po nuk jetojmë më në ato kohë, jemi në kohëra të tjera. Çfarë lidhjeje ka, në momentin që në shtëpi nuk ka të drejta të barabarta, qoftë nga ana e burrit, qoftë nga ana e gruas, jepini drejtim! Nuk mund të qëndroni, sikur 5 ditë jetë të kenë mbetur, jetojini të lumtur me ata që ju duan dhe që ju respektojnë!

Joni Peci – Dokumentar – “Tirana Kryeqyteti i Modës”

Joni Peci New Collection “Tirana Kryeqyteti i Modes”

/tvklan.al