Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Olivia është vetëm 23 vjeç, por ka kaluar shumë vështirësi në jetë. Ajo u detyrua të mos ndiqte studimet në universitet për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike që familja e saj kishte. Duke qenë një vajzë e përgjegjshme dhe me shumë dëshirë për të ndihmuar familjen, Olivia vendosi të emigrojë drejt Arabisë për të punuar. Por një moment i vështirë familjar e detyroi të rikthehej në Shqipëri.

Prej një viti e ëma është në gjendje të vështirë psikologjike, pasi nuk mund të përballojë humbjen e njeriut më të shtrenjtë, vëllait të saj, të cilin e kishte rritur. Por në atë kohë e bija nuk ishte afër që ta ndihmonte për ta kapërcyer këtë moment të vështirë.

Olivia e ka përjetuar shumë trishtimin e mami Agentinës, ndaj dhe e ftoi sot në rubrikën “Ka një mesazh për ty” të emisionit “E Diela Shqiptare” për t’i kërkuar ndjesë, si dhe për t’i dhënë një mesazh.

“Nëna ime ishte vetëm 10 vjeç kur gjyshja ime ndërroi jetë. Edhe pse shumë e vogël mori një përgjegjësi shumë të madhe sepse në prehërin e saj u ulën tezja dhe daja, që ishin më të vegjël. Mami u detyrua të linte shkollën dhe të fillonte një punë që të suportonte ekonomikisht familjen. Me të gjitha vështirësitë kaluan vitet dhe erdhi periudha e tranzicionit dhe daja me gabimet e tij u dënua dhe i hoqën lirinë për 7 vite”, rrëfeu Olivia.

Ajo shton se Agentina vijoi të ishte si një nënë për të vëllanë, duke u përkujdesur për të kur ishte në burg, si dhe për familjen e tij, të përbërë nga dy fëmijët dhe bashkëshortja. Por kjo e fundit vendosi të mos e priste bashkëshortin dhe të vijonte jetën e saj, ndaj dhe daja i Olivias u martua sërish dhe emigruan drejt Italisë. Por gjendja ekonomike e familjes së Olivias vijonte të mos përmirësohej.

“Ëndrra ime u la përgjysmë, që ishte gazetaria dhe mori fund për arsye ekonomike. Unë nuk mund ta vazhdoja shkollën dhe u detyrova të kërkoja një punë. Me disa njohje dhe pak mundime gjeta një punë në Arabi. Punoja shumë, por nuk kishte asnjë moment që unë të flija gjumë pa më thënë Tina ime (mami) natën e mirë, apo në mëngjes që më thoshtë çohu shpejt e bëhu gati për punë. Më 2 Shkurt të vitit të kaluar mua nuk më erdhi telefonata e mamit. Më mori motra dhe ishte duke qarë. Të betohem që ngriva dhe mendova gjënë më të keqe se mos i kishte ndohur gjë mamit. Motra më tha që daja kishte ndërruar jetë në Itali. Vetëm imagjinova mamin në ato momente, por nuk kisha mundësi të kthehesha në Shqipëri”, tregoi Olivia, e cila ndihej shumë fajtore që nuk mund të ishte pranë të ëmës në ato momente shoku që kishte.

Pas disa muajsh e ëma vijonte të ishte në gjendje të rënduar psikologjike, ndaj dhe Olivia u detyrua të linte gjithçka në Arabi dhe të rikthehej në Shqipëri për t’i qëndruar pranë Tinës së saj.

“Gjyshi dhe njerëzit e familjes nuk e kanë lejuar mamin që ta shikonte dajën. Unë dua t’i jap kurajo, sepse ajo e ka peng këtë. Duhet të gjejë forcën! Po mundohem të bëj të pamundurën që mami të rikthehet ajo që ka qenë dhe të buzëqeshë prapë se gjërat e tjera do rregullohen”, theksoi ajo.

Pavarësisht trishtimit të saj, Agentina gjeti forcën dhe pranoi ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty”. Ajo nuk priste të shikonte fëmijët e saj pas murit ndarës, pasi ata e dinin gjendjen e saj, por kur pa Olivian në ekran, iu rikthye buzëqeshja.

Olivia: Mbretëresha ime!

Agentina: Kjo është vajza ime e vogël, është qetësia e shpirtit tim!

Olivia: Dua të të them dhe për këtë nëse do të kisha mundësi të vija aty te ty, do të ulesha në gjunjë dhe do të thoja më fal që nuk u gjenda pranë teje në momentin më të vështirë tëndin. Më fal që jeta më hodhi aq larg dhe nuk pata mundësi të të shtrëngoja krahët dhe të të fshija lotët. Tashmë çdo gjë që të të them unë, ti e ke marrë atë shok që nuk duhej ta kaloje. Ti nuk je vetëm! Unë të premtoj që do të jem gjithmonë me ty dhe pranë teje, si në raste të mira ashtu edhe të këqija që jeta do na sjellë bashkë. Nuk dua që në asnjë moment ti të qash, të ndihesh vetëm dhe të largohesh nga ne. Ma premto që në sytë e tu nuk do të ketë më lot. Sa për buzëqeshjet et ua, ma lër mua në dorë sepse do të sigurohem që çdo ditë në fytyrën tënde të ketë një buzëqeshje.

Agentina: Të do mami shumë!

Ardit Gjebrea i kërkoi Agentinës të gjejë forcën brenda vetes dhe të ecë përpara për fëmijët dhe bashkëshortin e saj. Ajo u shpreh se vëllain e ka rritur vetë dhe se i ka ngelur peng që nuk ka ardhur me të në rubrikën “Edhe unë këndoj”, pasi ia kishte kërkuar shpesh.

“Do vish sivjet dhe këngën do ta këndojmë bashkë. Më konsidero mua vëllaçkon tënd”, tha Gjebrea, duke i dhënë kurajo Agentinës ta mbajë mend të vëllanë ashtu siç ka qenë. Por asaj i ka ngelur peng që nuk e pa në arkivol, pasi ende nuk e pranon dot humbjen e tij.

Ardit Gjebrea i ofroi Olivias të bëhej pjesë e stafit të “E Diela Shqiptare”, çka ka qenë ëndërr për të, si dhe i kërkoi Agentinës që të heqë zinë kur të kalojë një vit nga humbja e të vëllait.

“I jam lutur mamit tim për babain dhe ma plotësoi. Pas një viti ajo i hoqi rrobat e zeza dhe të njëjtën gjë dëshiroj dhe për ty. Të lutem ma premto”, u shpreh Gjebrea. Por për Agentinën është shumë e vështirë pasi ai për të ka qenë edhe vëlla, por edhe djalë, pasi e ka rritur vetë.

Ardit Gjebrea shtoi: “Dalëngadalë do të kuptosh që duke u rritur vajza jote do të bëhet jo vetëm vajzë, por edhe motër. Është e njëjta ndjenjë, siç është bërë djali im. Unë e kam djalë, por e kam edhe shok. Unë jetoj për të, vajzën dhe bashkëshorten time”.

Historia e Agentinës dhe Olivias na tregoi se ndonjëherë dhimbja për të dashurit që ndahen nga jeta, na bën të harrojmë se për kë duhet të jetojmë. Por fëmijët dhe familja janë bekimi i çdokujt dhe motivi për të ecur përpara.

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

Liljana ka përjetuar dhunë psikologjike e fizike për disa vite, derisa u detyrua të marrë vendimin e vështirë për t’u divorcuar. Por sado e madhe të jetë vuajtja, për një fëmijë ky është një moment që le gjurmë dhe pasoja të pakthyeshme. Ndaj dhe Liljana ftoi të bijën 16-vjeçare në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, të emisionit “E Diela Shqiptare”.

“Kam përjetuar një jetë shumë të vështirë që në moshën 16-vjeçare. Një martesë me shkuesi, shumë e vështirë dhe e hidhur. Në moshën 18-vjeçare erdhi në jetë një vajzë dhe unë isha shumë e lumtur, por ish-bashkëshorti, jo sepse ishte vajzë dhe jo djalë. Për një vit nuk ka folur fare me mua dhe as vajzën nuk e merrte në krahë. Pas dy vitesh erdhi në jetë djali dhe burri u gëzua shumë. Pas dy vitesh erdhi në jetë djali tjetër. Por gjithmonë kishim mosmarëveshje. Ai ushtronte dhunë ndaj meje, por gjithmonë e kam duruar për hir të fëmijëve. Ai pinte (alkool) dhe luante bixhoz dhe për 18 vjet më dhunonte dhe më ofendonte në prezencën e fëmijëve”, rrëfeu e prekur Liljana.

Më 30 Gusht 2017, ish-bashkëshorti e dhunoi dhe e ofendoi shumë rëndë, por një goditje me grusht në shtyllën kurrizore do të rezultonte fatale për Liljanën, duke e lënë për 4 ditë në gjendje kome. Por kjo ishte e vetmja zënkë e rëndë mes tyre. Një mbrëmje, ai e goditi me thikë për arsye banale dhe më pas pretendoi se po thjeshtë një shaka.

“E kam duruar për hir të fëmijëve. Nuk doja ta shkatërroja atë familje sepse mendoja ku do përfundoja me tre fëmijë”, u shpreh Liljana. Por fëmijët ishin ata që e shpëtuan të ëmën nga i ati, duke e denoncuar dhunën e tij të vazhdueshme në polici.

Ish-bashkëshorti u dënua me burgim, por Liljana tërhoqi denoncimin dhe mori kredi për të paguar një avokat që ta lironte. Pas 8 muajsh ish-bashkëshorti i saj u lirua dhe e falenderoi duke i thënë: “Merri fëmijët dhe zhduku nga kjo shtëpi!”

Por përpos të gjithave, Liljana ka dëgjuar se ai kishte një familje tjetër në Maqedoni, pasi punonte aty. “Fëmijët dinë vetëm dhunën nga babai i tyre dhe asgjë tjetër. Dinë që është i martuar, por vajza prapë nuk e shpreh”, tha ajo. Liljana gjithashtu rrëfeu se vijon të paguajë kredinë e marrë për të liruar ish-bashkëshortin nga burgu dhe se mban familjen me një shumë tepër të vogël parash.

Ajo dëshiron vetëm t’i thotë të bijës të mos e përjetojë aq shumë divorcin, por të fokusohet te mësimet dhe të bëhet dikush në jetë. Për shkak të dhunës së vazhdueshme në familje, Florida ka kaluar 3 muaj gjendje ankthi dhe është trajtuar në spital.

Por Florida është një vajzë shumë e fortë dhe pranoi të bëhej pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” për të zbuluar surprizën që ishte përgatitur për të.

Liljana: Të kam thirrur sot këtu se dua të të them që ti të mos vuash më aq sa ke vuajtuar deri më sot. Dua që të vazhdosh shkollën, të ecësh përpara dhe të bëhesh dikushi në jetën tënde. Nuk dua të shqetësohesh më kaq shumë për mua. Ajo që ka ndodhur, ka ndodhur. Tani e tutje duhet të vazhdojmë një jetë të re të dyja bashkë. Siç kemi qenë të lidhura deri tani, ashtu do të jemi gjithmonë. Do të qëndroj në krah ashtu siç ke qëndruar ti për mua!

Florida: E kam mbështetur deri më sot dhe do të vazhdoj ta mbështes përherë dhe i them që e dua shumë, sepse ka bërë shumë sakrifica për mua dhe vëllezërit e mi. Tani e kam unë radhën ta ndihmoj sado pak.

Ardit Gjebrea shpehu bindjen se Florida është shumë e fortë, çka do ta bëjë të ecë përpara dhe të bëhet një person shumë i rëndësishëm.

“Fëmijët që lindin dhe rriten në këto kushte bëhen më të fortë sesa shumë fëmijë të përkëdhelur që nuk u mungon asgjë. Ndoshta një ditë do të jesh ti që do të marrësh komandën në dorë të një brezi të tërë, që është brezi yt. Unë këtë e ndiej dhe më beso. Kur të bëhesh shumë e rëndësishme, kujtoji këto fjalët e mia që po të them sot, sepse unë e di që ti do të bëhesh e rëndësishme nesër në jetë. Ky është brezi që ne ëndërrojmë të rritet në këtë vend”, u shpreh Gjebrea.

Liljana na bëri të kuptojmë se ajo që nuk të vret të bën më të fortë. Prindër, mbajini fëmijët larg debateve dhe dhunës që në të ardhmen të keni frytet e një familjeje e shoqërie të shëndoshë.

NE JEMI CFARE HAME KUJDES SHENDETIN

Telebingo shqiptare!

Power Kidz 5!

“SHIHEMI NË GJYQ”

Fetiu dhe Luljeta janë bashkëshortë prej vitesh, por një kredi e marrë nga bashkëshorti pa pëlqimin e Luljetës, është bërë shkas për konflikte të mëdha mes tyre.

“Kam marrë një kredi në 6 Tetor të vitit 2008 shumën 75,600 Euro. Kam hapur një biznes, por gjithmonë bashkëshortja ime nuk ka dashur ta marr këtë kredi”, tregoi Fetiu.

Por bashkëshortja e tij e ndërpreu duke shpjeguar se për muaj me radhë kanë këmbëngulur familjarisht për të mos e marrë këtë kredi sepse nuk kishin nevojë për ndërtim tjetër. Për të lidhur kontratën me bankën për kredinë nevojitej edhe firma e vëllait të Fetiut, Xhemilit, pasi ndajnë të njëjtën hipotekë shtëpie. Por tanimë rezultojnë se bashkëshortët dhe Xhemili kanë firmosur tre kontrata, çka ata e mohojnë.

“Unë kam firmosur te kontrata me 75,600 Euro, ndërsa kontrata me 3,000 Euro ishte që të vinte shuma 100 milionë Lekë. Do ta bëjmë me rimbursim tha drejtori i bankës. Nuk e di se si e ka bërë atë kontratë. Unë i kam marrë këto lekë”, tregoi Fetiu. Por bashkëshortja mohoi në mënyrë kategorike të ketë firmosur kontratë tjetër.

Juristja Eni Çobani ngriti pyetjen se si është e mundur që brenda një dite të bëhen tre kontrata dhe të merren tre shuma parash. Ajo shpjegoi se gjithçka ka nisur në vitin 2012 kur familja Kanani pësoi krizë ekonomike. Atëherë bashkëshortët nisën të kontrollonin dokumentet se sa kishin paguar dhe sa ishte vlera e ngelur për t’u paguar.

Luljeta tha se drejtori i bankës u mori kontratën origjinale të kredisë në vitin 2012, me pretendimin se do bënin kontratë të re, ku nuk do të ishte më vëllai i Fetiut si garantues. Por Çobani u shpreh se kjo është e papranueshme, pasi duhet të jenë disa kontrata dhe se drejtori i bankës e ka vetë dokumentin origjinal. Gjithashtu në një dokument rezulton se pagesa e kësteve të kontratës së lidhur në vitin 2008, është bërë për vitin 2007.

Pasi bashkëshortët Kanani nuk kryen shlyerjen e kësteve, paratë iu morën pa dijeni Xhemil Kananit në llogaritë e tij bankare. Por problemi kryesor qëndron të fakti se të tre pjesëtarët e familjes Kanani, që kanë firmosur kontratën e kredisë, nuk e kanë lexuar këtë të fundit.

“I ke marrë tani të gjithë të tjerët në qafë. Ke marrë bashkëshorten, Xhemilin dhe Marien dhe i ke futur në bankë të firmosin. Sot thua nuk kam lexuar kontratën, por kjo nuk është e lehtë!”, u shpreh juristja Çobani.

Familja Kanani ka firmosur tre kontrata për vlerat 75,600 Euro, 3,000 Euro dhe 78,000 Euro. Sipas Eni Çobanit, me sy të lirë dallohet ndryshimi i firmave nga kontrata e parë në dy të tjerat.

Në lidhje telefonike me studion e emisionit “E Diela Shqiptare”, Xhemil Kanani tregoi se ka bërë një deklaratë noteriale, ku thuhet se Feti Kanani mund të përdorë në bankë vetëm pronën e tij, të specifikuar me detaje, në mënyrë që të mos ngatërrohej me pronën e tij. Ai theksoi se nuk kishte fare informacion se po firmoste në bankë si dorëzanës, por vetëm si bashkëpronar i shtëpisë.

Në dokumentin e Dhomës së Noterisë së Shqipërisë thuhet: “Kam sqaruar Dhomën Kombëtare se në kontratën e përpiluar prej saj ka bërë një gabim teknik sepse duhet të vendoste numrin 48/19. Gjithashtu noterja ka sqaruar se nga ana juaj janë bërë dy kontrata huaje, por në kopjen e kontratës nuk ju ka bashkangjitur kalendarin e shlyerjeve që i bashkëngjiten kontratës. Për të sqaruar më hollësisht këtë problem, mund t’i drejtoheni Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka kompetencën për kontrollin e veprimtarisë së noterëve”.

Fetiu akuzon drejtorin e bankës se i ka “fotokopjuar firmën”. “Nuk i kam dhënë lekë njeriu. Kujt i kam dhënë lekë unë Zonja Eni? Më ka shkatërruar jetën, më ka shkatërruar familjen. Jam bërë, nuk dua më veten. Nuk po dal me një kontratë, dal me 6 kontrata zonja Eni. Nuk po e mohoj bankën. Shikoje, nëse nuk kam të drejtë, fol para publikut. Më është nxirë jeta. Ç’është ky drejtor banke? Nuk është vetëm për mua, ka shumë hallexhinj. Këtu ka filluar sherri. Vëllai më kërkon lekët, nuk ia mora unë lekët vëllait, ia mori banka. Ia vodhi banka. Ça të bëj unë i ziu, bashkëshortja më nxiu jetën, çupa nga ana tjetër. Nuk e dua më jetën. Unë do të bëj vetëgjyqësi Zonja Eni”, tha ai.

Ndërsa Zonja Eni iu lut për qetësi, pasi “vetëgjyqësia nuk është zgjidhje”.

Edhe bashkëshortja i tërhoqi vëmendjen: “pak na ka kredhur në borxh e tani të bëjë edhe vetëgjyqësi e t’i paguajmë ne që të gjitha pastaj”.

Por Eni Çobani u shpreh: “I drejtohem presidentes së nderuar, zonjës Sadushi. Si mundet që një notere të pranojë vetë që ka bërë dy gabime, numrin e kontratës gabim dhe ka bashkangjitur shlyerjen e disa kësteve në kohën kur zotëria nuk ka lidhur kontratë?”

Ajo tha me bindje që kontrata origjinale është 18/19 sepse e ka vërtetuar edhe urdhri i ekzekutimit, ku është marrë titulli ekzekutiv për ekzekutimin e shumës së zotit Xhemil Kanani, të cilit i janë marrë 24 mijë Euro.

Juristja Eni Çobani premtoi se do t’i shkojnë kësaj çështjeje deri në fund me ekspertizat përkatëse për të gjitha shkeljet që kjo bankë ka bërë kundrejt familjes Kanani.

BE coffee!