#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

E Diela Ndryshe- Episodi 2

“Jeta ime ka shkuar sterrë”, 67-vjeçarja jeton në mjerim: Tualeti i fqinjit kthehet në ‘shtëpi’

“E Diela Ndryshe” e përfundoi  me sukses misionin e parë javën e kaluar dhe ai i radhës e dërgon në Eminas të Shijakut. Ndërsa Arbër Hajdari drejton makinën në një terren të vështirë e me baltë, i shpjegon moderatorit të programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebreas se përgjatë vitit 2024, ”Fundjavë Ndryshe” ka mundësuar 26 banesa nga veriu në jug dhe ndihma të llojeve të ndryshme për  680 familje.

Duket se asnjë situatë e hasur më parë nuk  e kishte përgatitur Arbër Hajdarin për historinë e Ikes. Një 67-vjeçare e vetme, pa fëmijë e bashkëshort që jeton në kushte të papërshkrueshme mjerimi. Fillimisht, ai e Gjebrea i afrohen shtëpisë që i kanë mbetur vetëm rrënojat, gurë të shembur, drurë të kalbur që s’kanë lënë asnjë gjurmë të ndërtesës së dikurshme.

Krah saj, gjendet një lloj shtëpie e vogël, por Ikja nuk banon aty. Realiteti që të përplaset syve është një lloj kubi gri, me një çarje në vend të dritares dhe një deriçkë prej së cilës del  një grua me shami. Sytë i janë lodhur nga të qarët  e sëmundja që s’e lë të qetë. Gjendja brenda ‘shtëpisë’ që në të vërtetë është tualeti i fqinjit, është e paimagjinueshme: në mure varen qese plastike me sendet e saj personale, shtrati, vendi i tualetit, ca karrige të vjetra e të pluhurosura, kurse jashtë gjenden bidonë të mëdhenj plastikë.

Ike: Jeta  ime ka shkuar sterrë, me trastë përpara sa andej-këtej.

Ardit Gjebrea: Sa fëmijë keni qenë ju?

Ike: Kemi qenë 9, 2 kanë vdekur, 7 jemi.

Ardit Gjebrea: Kjo shtëpia këtu e kujt është?

Ike: Është e komshiut tim.

Ardit Gjebrea: Më trego pak për prindërit e tu.

Ike: Çfarë të them për prindërit, ka 20  e ca vjet që kanë vdekur.

Ardit Gjebrea: Ti ke qenë me ta deri ditën e fundit.

Ike: Deri ditën e fundit.

Ardit Gjebrea: Pastaj shtëpia pas sa kohësh u rrëzua?

Ike: Pasi ika unë te motra se isha vetëm fare.

Ardit Gjebrea: Jetove vetëm fare.

Ike: Po.

Ardit Gjebrea: Të gjitha janë të martuara?

Ike: Po.

Ardit Gjebrea: Vetëm ti nuk u martove.

Ike: Kam ndenjur me prindërit e mi.

Ardit Gjebrea: Dhe pastaj ku jetoje?

Ike: U rritën kalamajtë e motrës dhe nuk donin më.

Ardit Gjebrea: Që ti të jetoje atje sepse krijuan famiiljet e tyre dhe pastaj… si përfundove te kjo…  s’di si ta quaj…

Arbër Hajdari: Banjë e kësaj shtëpisë.

Ardit Gjebrea: Domethënë kjo ka qenë banja e kësaj shtëpisë?

Ike: E komshiut, po.

Arbër Hajdari: Dhe kjo banja u përshtat për të jetuar Ikja dhe ka 2 vite që jeton aty.

Ike: Po.

Ardit Gjebrea: Si ia bën për t’u larë?

Ike: Për t’u larë, me thënë të drejtën gjithë verës jam larëkëtu. Në dimër kam shkuar te vëllai.

Ardit Gjebrea: Shkon e lahesh te vëllai.

Ike: Po ashtu, me siklet. Ca rroba dore i laj këtu në ujë të ftohtë.

Ardit Gjebrea: Ku je larë këtu?

Ike: Fshihem atje brenda.

Ardit Gjebrea: Po ujin ku e mbush?

Ike: E mbush larg.

Pas dy vitesh në kushte çnjerëzore, “E Diela Ndryshe” rikthen shpresën për Iken!

Prej 2 vitesh, Ikja, 67-vjeçarja që jton në Eminas të Shijakut, gjendet në mjerim. Ajo është e vetme, pa fëmijë e bashkëshort sepse gjithë jetën u është dedikuar prindërve që prej 20 vjetësh janë ndarë nga jeta. Shtëpia ku jetonin është plotësisht e shembur dhe e pabanueshme, ndaj rrethanat e kanë detyruar të jetojë në tualetin e fqinjit që është përshtatur si një lloj strehe për të.

Kjo vijon prej 2 vitesh, ndaj kur “Fundjavë Ndryshe” mësoi rastin e saj, nuk vonoi t’i futej menjëherë punës. Arbër Hajdari dhe moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea e takuan Iken, mësuan për jetën e saj të vështirë, sëmundjet që e mundojnë vazhdimisht për shkak të gjendjes ku ndodhet dhe gjithçka nisi në kohë rekord.

Fillimisht, Arbër Hajdari i tha Ikes që menjëherë pas takimit, ajo do të vendosej në një shtëpi të improvizuar me të gjitha kushtet e nevojshme derisa të realizohej shtëpia e saj. Pas pak ditësh, është momenti i madh kur Ikja do të prekë nga afër magjinë e së “Dielës Ndryshe” për të parë shtëpinë e saj  të re.

Shtëpia nuk është më në rrugën me baltë e gropa, por më afër fshatit që ajo të ketë mundësi të jetojë në komunitet. Aty ndodhet edhe një qendër shëndetësore dhe si për ta mirëpritur Iken, një dallëndyshe ka ndërtuar folenë aty.

67-vjeçarja s’arrin dot ta besojë se më në fund, gjithçka ka mbetur pas dhe nuk resht së falënderuari me lot gëzimi ndër sy. Shtëpia ka gjithçka i duhet asaj, teksa Arbër Hajdari e siguron se “Fundjavë Ndryshe”  do të jetë gjithnjë pranë saj për ta ndihmuar.

“Kujdes shëndetin” – Problemet urinare tek femijet, Liv Hospital

Ka një mesazh për ty

Babai donte ta shiste,premtimi i Adrianës 

‘Mëkati’ i të qenët vajzë! Adriana: Hallat i dhanë mamit helm miu, babai donte të më shiste 

I ka bërë të 18-at dhe tashmë është nënë e një vajze, por historia e Adrianës nuk i përngjan ndonjërës  që jemi njohur më parë në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Ajo prezantohet në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan duke thënë se vjen nga Vora dhe gjëja e parë që kujton nga fëmijëria është dhuna.

I ati e rrihte nënën dhe e torturonte, madje donte edhe ta shiste të bijën jashtë vendit. Arsyeja?  ‘Mëkati’ i vetëm i Adrianës ishte fakti që lindi vajzë. Ajo erdhi në jetë nga një shtatzëni binjakësh, por tjetri nuk ia doli sepse hallat i dhanë nënës së saj helm miu. Ironia e fatit ishte që Adriana erdhi në jetë, ndërsa binjaku që ishte djalë i aq shumëdëshiruar, nuk ia doli.

Adriana: Kur kam qenë e vogël, kam pasur probleme me babin.

Ardit Gjebrea: Me babin?

Adriana: Po.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Adriana: Sepse ai e rrihte mamin, e torturonte, ka pasur raste që e lidhte përjashta, e linte gjithë natën jashtë.

Ardit Gjebrea: E lidhte?Ku e lidhte?

Adriana: Kemi pasur një fik te oborri dhe e lidhte aty.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe ti, e mban mend?

Adriana: 4 vjeçe.

Ardit Gjebrea: E mban mend atë skenë?

Adriana: Po, e mbaj mend. E mbaj mend edhe kur donte të më shiste jashtë shtetit.

Ardit Gjebrea: Të të shiste jashtë shtetit?

Adriana: Po, se nuk donte që të kishin goca, vetëm çuna.

Ardit Gjebrea: Kush donte të të shiste, babi?

Adriana: Po, me gjithë hallën.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe ti kur donin ta bënin këtë gjë?

Adriana: 4 vjeçe, nuk donin të kishin goca.

Ardit Gjebrea: Po pse, duhet të ishin vetëm çuna?

Adriana: Po, ashtu i donin. Madje mami im më ka treguar që kur ka qenë shtatzënë me mua, ka  pasur edhe një fëmijë tjetër dhe…

Ardit Gjebrea: Domethënë ju kur keni lindur keni qenë binjakë?

Adriana: Po, dhe i kishin dhënë helm, kishin kujtuar se janë 2 goca.

Ardit Gjebrea: Dhe çfarë i dhanë mmait?

Adriana: Helm. Helm miu.

Ardit Gjebrea: Kush ia dha helmin e miut?

Adriana: Hallat.

Ardit Gjebrea: Mamit, që të mos lindte.

Adriana: Po, mos të më lindte mua por për rastësi, u dëmtua fëmija tjetër.

Ardit Gjebrea: Po fëmija tjetër çfarë ishte?

Adriana: Djalë.

E mbijetuara nga aborti selektiv në familje: Hallat i kanë abortuar vajzat, babai ka 11 djem

Ndërsa mendojmë se aborti selektiv është një plagë që ngadalë po mbyllet, rrëfimi i Adrianës në “Ka Një Mesazh Për Ty” është shokues. 18-vjeçarja nga Vora është e vetmja vajzë në familjen e saj. Ajo tregon në rubrikën e së “Dielës Shqiptare”në Tv Klan se nga ana e të atit, ai dhe familjarët e tij nuk dëshironin vajza.

Hallat kishin tentuar t’ia dështonin shtatzëninë nënës së saj e cila kishte binjakë, por Adriana mbijetoi ndërsa djali jo. I ati e rrihte nënën e Adrianës dhe më pas u ndanë sepse donte ta shiste  vajzën.

Sot e kësaj dite Adriana nuk e di arsyen pse i ati nuk e donte. Ai e përbuzte që ishte vajzë, por kjo ndodhte jo vetëm tek ai. Edhe hallat i kanë abortuar vajzat, kurse tani që i ati është rimartuar, ka 11 djem.

Ardit Gjebrea: Po hallat kanë goca vetë?

Adriana: Jo.

Ardit Gjebrea: Kanë vetëm çuna?

Adriana: I kanë dështuar gocat, kanë vetëm çuna dhe prandaj mami është ndarë përgjithmonë prej babit. Tani që është martuar me gruan tjetër, ka 11 çuna.

Ardit Gjebrea: Babi?!

Adriana: Po. Ka pasur edhe goca, por i kanë dështuar.

Ardit Gjebrea: Domethënë ti je e vetmja vajzë që i ke mbijetuar?

Adriana: Po.

“Këtë s’ma kanë bërë as vajzat e mia!” Gjyshja preket nga surpriza, i jep premtimin mbesës

Adriana ndau një histori shumë të vështirë në “Ka Një Mesazh Për Ty”. 18-vjeçarja tregoi në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për dhunën në familje, mbijetesës nga aborti selektiv, dashurinë në mohshën 14-vjeçare prej të cilës ka edhe një vajzë 1 vjeçe.

Kjo dashuri qe shpëtimi i Adrianës nga e shkuara, por përreth ka pasur edhe njerëz që e kanë përkrahur si nëna apo gjyshja. Këtë të fundit e ka pikë të dobët dhe nuk ia harron kurrë të mirat që  i ka bërë. Gjyshja, Sulltana ka 14 fëmijë por ka mbetur e vetme sepse të gjithë e kanë përzënë.

Momentalisht ajo jeton me mbesën dhe familjen e saj ku e kanë mirëpritur me shumë dashuri, por u duket se u është bërë barrë. Për këtë arsye, Adriana i kërkon që t’i premtojë se s’do ta lërë kurrë.

Adriana: Nëna! Ti për mua ke qenë gjithçka qëkur kam qenë e vogël, më ke rritur, më ke çuar në shkollë, më ke thënë fjalë të mira. Njëherë kur isha sëmurë më ke shpëtuar. Kur linda gocën, ti kishe djalin tënd që ishte duke vdekur, por mirë që kishe hallin e djalit a do të shpëtonte apo jo në  spital… unë të kam prurë sot këtu sepse ti për mua je gjithçka dhe ti më the një ditë se do të largoheshe prej meje. Unë të kam sjellë se do të të premtoj se derisa të jesh gjallë, në frymën e fundit, unë do të të mbaj, unë dhe burri im. Dua mos të largohesh, dua të më premtosh sot këtu.

Sulltana: Faleminderit shumë! Të të rrojë goca, të të rrojë bashkëshorti! Shumë faleminderit, këtë s’ma kanë bërë vajzat e mia atë që më ke bërë ti mua sot këtu, që më ke sjellë këtu. E kisha për detyrë t’ju rrisja se ishit jetimë e pa babë, ashtu rrita edhe të mitë pa babë.

Adriana: Dua  të më premtosh se nuk do të largohesh kurrë nga unë. Do të ma premtosh këtë gjë?Sulltana:Ta premton nëna, derisa të jap shpirtin nuk ndahem prej teje.

“Rrëmbehet” çifti, ribetohen për jetë

Në timon me vdekjen, trauma që shenjoi jetën e Ervisit: Babi humbi jetën para syve të tij

Shoku më i mirë i Marios është vëllai i madh, Ervisi. Në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ai përshkruan sakrificat e vëllait që ishte vetëm 13 vjeç kur emigroi për herë të parë në Greqi, përpjekjet për mos t’u dorëzuar në asnjë rrethanë, shembullin që ka përçuar si djalë, vëlla dhe bashkëshort, të cilat e bëjnë Marion të ndihet shumë krenar për të.

Momentet e vështira kanë qenë të shumta për Ervisin, por një prej tyre shënoi një pikë kthese. Mario tregon në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për humbjen e të atit që ndodhi gjatë kohës kur Ervisi po e dërgonte në spital. Ajo humbje i shkaktoi ankth e panik dhe sërish e kaloi gjithçka i vetëm.

“Vëllai është përballur me shumë vështirësi, por një nga momentet më të vështira të jetës, ka qenë viti 2016, në mars. Prindërit e mi vendosin të shkojnë në Itali te vëllai për pushime sepse nipi im kishte ditëlindjen. Një gjë në fakt më thoshte në zemër që ta takoj babin patjetër para se të ikte sepse unë jetoja te kompleksi “Dinamo në një zonë tjetër dhe… vendos ta takoj babin. Kur e takova ishte duke fërkuar krahun dhe thoshte ‘sikur jam ftohur një çikë o djalë.’ Nuk e di, kisha një ndjesi të çuditshme sikur nuk do ta shikoja më, Ardit. Ka qenë një moment shumë, shumë i vështirë. Pasi shkuan atje, babi nuk u ndje mirë, kishte vajtur në një farmaci, kishte marrë një ilaç, pastaj një mbrëmje i thotë vëllait ‘dëgjo or djalë, më duket se do ta prish atë ditëlindjen e djalit, nuk do të kem mundësi të jem se nuk po mbushem dot me frymë’. Vëllai im që është gjithmonë  i gatshëm për çdo njeri, jo më për prindërit e vet, i thotë ‘hajde dhe ikim në spital’. E merr në makinë dhe ishin këta të dy sepse menduam që do të ishte një shoqërim normal, do të bëhej një vizitë normale dhe kaq. Në fakt, ai ka qenë me një shpejtësi të madhe se kishte urgjencë normalisht, po e çonte në spital dhe babi pëson infarkt dhe i varet nga pjesa e timonit vëllait. Ka qenë periudhë shumë e vështirë, ishte i vetëm dhe duhet ta përballonte këtë moment i vetëm.  Pasi u thirr ambulanca, babi nuk shpëtoi, ai humbi jetën aty. Kjo ka qenë edhe një traumë shumë e madhe në jetën e tij sepse ai për 3 vite është përballur me panik e ankth dhe duke qenë se mentaliteti i  njerëzve ‘nuk mund të kemi ne burra të dobët, nuk mund të shfaqim dobësi’ apo qoftë edhe të shikojmë të takojmë një psikolog për ta folur situatën, për të shprehur atë që ndiejmë, atë që po kalojmë. E kaloi i vetëm. Patjetër që Rina ka qenë një mbështetje e madhe për të, por ka qenë një periudhë shumë e vështirë, një moment shumë i vështirë sepse ne kemi pritur 10 ditë derisa e kanë sjellë babin dhe në shtëpinë tonë ka pasur gjithmonë njerëz. Ky është një moment i jetës kur ti e kupton që vdekja ekziston vërtet sepse kur ndodh në vende të tjera, i vdekuri fle në shtëpinë e tjetrit thotë populli dhe nuk mund ta ndiesh dhimbjen që kalon një person tjetër nëse ti nuk e përjeton. Për 3 vite vëllai im e kaloi i vetëm këtë dhimbje shumë të madhe”, përfundon Mario.

“Uroj të jeni të dashuruar gjithë jetën!” Çifti feston dy festat e veçanta në “Ka Një Mesazh Për Ty”

Mario rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” një histori dashurie, jo të vetën, por të vëllait, Ervisit. Ai tregon se Ervisi është njohur me bashkëshorten, Blerinën apo Rinën siç i thërrasin qëkur ishte 14 vjeç. Ata janë bashkë prej 20 vitesh, të pandarë dhe ashtu hyjnë  edhe në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan,  të kapur për dore.

Duke qenë se Rina feston 40-vjetorin që përkon edhe me përvjetorin e tyre të martesës, Mario ka vendosur t’i surprizojë duke i marrë nga aeroporti “Nënë Tereza” drejt e në studio për t’u dhënë një mesazh.

Mario: Vëlla, ti nuk ke kërkuar asgjë në jetë. Ke sakrifikuar gjithçka, ke bërë çdo gjë për familjen, ke qenë model i shkëlqyer për t’u ndjekur. Je kryefamiljar shumë i mirë, për burrë i mirë duhet të flasë Ministria e Brendshme, por je një vëlla shumë i mirë, je një djalë shumë i mirë, je ai njeriu me zemër të madhe që do të donte çdo njeri ta kishte afër. Prandaj, për t’ju shprehur mirënjohjen dhe për ditëlindjen që Rina ka gëzimin dhe Rina ka qenë ajo ëmbëlsia e shtëpisë sonë dhe për mbështetjen që të ka dhënë sepse ne, babi dy djem, vëllai dy djem, unë djalë, e vetmja gjë që na e zbukuroi shtëpinë ishte ardhja e nuses së  vëllait, Rinës që ishte një dashuri. E kam si motër, ne të dy grindemi, por grindesh me njerëz që çmon dhe do kështu që e vetmja mënyrë për t’ju thënë që ju dua shumë, ishte t’ju rrëmbeja në Rinas dhe t’ju sillja këtu tek Arditi se e di që s’keni  nevojë për asgjë. Uroj të jeni të dashuruar gjithë jetën, jeni të lumtur me dy çunat!

Blerina: Faleminderit, edhe ti! Unë të falënderoj, të kam si vëlla, jemi si motër e vëlla siç e them, jemi rritur bashkë. Faleminderit shumë!

Edhe njëherë “po”! Pas 20 vitesh Ervisi dhe Blerina betohen sërish për dashuri të përjetshme

Pas mesazhit të Marios kundrjet vëllait, Ervisit dhe kunatës, Blerinës në “Ka Një Mesazh Për Ty”, u duk se gjithçka mbaroi, të paktën për çiftin. Por ndërsa moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea u afrua drejt tyre dhe nisi të bisedonte me ta, pas shpinës nisi të ndodhte magjia.

Duke qenë se Blerina do të festojë 40-vjetorin që përkon me 20-vjetorin e martesës me Ervisin, ka qenë dëshirë e çiftit që të rifreskojë betimet e martesës. Ata u njohën kur ishin fëmijë, por vazhdojnë të jenë të dashuruar marrëzisht. Për këtë arsye, Mario ka vendosur t’i surprizojë duke realizuar betimin e tyre në programin më të dashur të së dielës.

Ardit Gjebrea: Yt vëlla na tha një sekret: që ju të dy jo vetëm që nuk ndaheni, por gjithmonë doni t’i bëni premtimet e dashurisë njëri-tjetrit, e vërtetë?

Blerina: Po.

Ervis: Kemi një javë që zihemi, thotë pse s’më puthe kur u martove me mua, por më takove?

Blerina: Para 20 vjetëve.

Ervis: “Pse s’më puthe thotë aty po vetëm më takove?” I thashë ndoshta koha.

Ardit Gjebrea: Zëre se jemi 20 vite para dhe ju do t’i ribëni njëri-tjetrit. Do të donit që t’ia bënit premtimet njëri-tjetrit?

Të dy njëzëri: Po.

Ardit Gjebrea: Jepi dorën, por duhet të ktheheni pak këtej.

Kur Ervisi dhe Blerina shohin ndryshimin e skenës dhe pastor Altin Kitën që i pret, mrekullohen. Megjithëse në studio ka dëshmitarë mjaftueshëm, ashtu si teleshikuesit që dëshmojnë dashurinë e tyre, falë teknologjisë, bashkohen edhe familjarët e tyre në ekranin e madh. Pastori merr fjalën duke bërë një përmbledhje të dashurisë së tyre.

“Do e ripërkushtojmë dashurinë tuaj që filloi kur ishit fëmijë, si e ndau Mario dhe sot duket sikur nuk na  habit më asgjë në këtë kohë se çfarë s’kemi parë, çfarë s’kemi dëgjuar, por një dashuri që ka rezistuar 20 vite, me sfida, me ulje, me ngritje është e rrallë, plus 7 të tjera dhe më ngjan me një përshkrim që thotë Bibla:

‘Dashuria është e durueshme, nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të  pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq. I duron të gjitha, beson të gjitha,  shpreson të gjitha, mban çdo gjë. Dashuria nuk ligështohet kurrë’.

Kjo lloj dashurie na duhet akoma dhe sot dhe sa mirë që ju kemi juve si model dhe jemi gati ta ripërkushtoni e ta zmadhoni këtë gjë. Ervisi dhe Blerina, para 20 vitesh, kur u martuat atëherë dhe e patë njëri-tjetrin në sy dhe s’e di sesi  ia thatë premtimet njëri-tjetrit, por ishit të vegjël dhe nuk e di a e dini çfarë priste. Ama në këto 20 vite, jeni gati për të ripërkushtuar dashurinë ndaj njëri-tjetrit dhe për të thënë edhe njëherë ato që i thatë para 20 viteve njëri-tjetrit”.

Edhe njëherë si 20 vite më parë, Ervisi  dhe Blerina i thonë “po” njëri-tjetrit me gjithë zemër duke e korrigjuar ‘gabimin’ pasi e vulosin betimin me puthje.

Pastor Altin Kita: Ervis,  a zgjedh sot edhe njëherë, me gjithë zemër, si atëherë për të qenë burri i  Blerinës, por edhe miku i ngushtë i saj, por edhe mbrojtësi i  saj, edhe partneri i saj, a pranon që do ta duash siç Krishti deshi kishën, me besnikëri, me sakrificë, me dashuri pa kushte derisa vdekja t’ju ndajë?

Ervis: Po!

Pastor Altin Kita: Blerina, a zgjedh ti sot edhe njëherë me një zemër plot mirënjohje për të qenë gruaja e Ervisit, por edhe partnerja e tij, edhe mikja e tij më e mirë, edhe fansja e tij më e madhe, a premton që do ta duash me gjithçka ke, me gjithë forcën tënde, me gjithë butësinë tënde, me gjithë besnikërinë tënde, përkushtimin e palëkundur ndaj tij në vitet që keni përpara derisa vdekja t’ju ndajë?

Blerina: Gjithmonë! Deri në frymën e fundit!

Shihemi në Gjyq

“E kam gjetur të vogël”, Eni Çobani uron djalin e ditëlindjes

Seanca e ndërmjetësimit të “Shihemi në Gjyq” nisi me një urim të veçantë. Ndërmjetësja Eni Çobani mori disa sekonda për të bërë një urim të veçantë për djalin që “është rritur në sytë e saj”. Joni, djali i moderatorit të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebreas feston ditëlindjen.

Eni Çobani: Sot është 18 maj dhe besoj ndonjëri edhe e ka harruar, por unë jo.

Ardit Gjebrea: Kur thua “ndonjëri”,  e ke fjalën për mua?

Eni Çobani: Më lejo të uroj atë që e dua pafund sepse e kam gjetur shumë të vogël dhe më duket sikur është rritur në sytë e mi, Joni! Joni Gjebrea sot ka ditëlindjen!

Ardit Gjebrea: Faleminderit!

Eni Çobani: Joni i dashur, ti je larg, por unë e ndiej veten sikur jam me ty, të dua shumë! Gëzuar  ditëlindjen! Gëzuar zemër!

Ardit Gjebrea: Faleminderit!

Eni Çobani: Gëzuar Ardit! Ju patjetër që e keni uruar që në të gdhirë, s’diskutohet, Anila me pikën e saj të dobët, pa diskutim.

Ardit Gjebrea: Edhe unë gjithashtu!

“Mallkuar dita kur e njoha!” Dilberja e prekur: Më akuzojnë se e ndava tim shoq nga gruaja

Një çift bashkëshortësh përballen në rubrikën “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Dilberja ka thirrur bashkëshortin, Bashkimin duke mallkuar ditën kur u njoh me të sepse ishte i martuar.

“Nuk ka më keq se të marrësh një burrë të martuar! Qoftë mallkuar ajo ditë që u njoha me të!”, tha ajo në insertin prezantues. Kur hyri në studio, ajo sqaroi se Bashkimi ishte i divorcuar kur u njoh me të.

Në insertin e tij, Bashkimi i cili është baba i 5 fëmijëve, thotë se nuk e lëshon pasurinë e tij.

“Kam punuar tërë jetën. Kam 5 fëmijë dhe tani po më nxjerrin jashtë se duan të më marrin pasurinë, të më lënë pa shtëpi e pa gjë. Nuk lëshoj asnjë centimetër! Është djersa ime që kam derdhur për tërë jetën!”

Dilberja thotë se bashkëshorti i saj i ka premtuar shumë  gjëra prej momentit kur janë njohur në vitin  2011 dhe nuk është realizuar ndarja e pasurisë. Kjo është një nga arsyet që e ka sjellë, si dhe fakti që e akuzojnë se ka qenë ajo shkaku i ndarjes  së Bashkimit me gruan e parë.

Bashkim: Unë jam i divorcuar, kisha gruan e parë me 4 kalamaj. Kam punuar tërë jetën, erdhëm nga Burreli në Tiranë…

Dilbere: Po mirë mo mirë, ç’më duhet mua se çfarë ke bërë ti me të parën? Mua më duhet jeta ime se  më ke  premtuar shumë gjëra e s’ke arritur asgjë. Ç’më duhet mua?

Bashkim: Të gjitha gjërat i ke, shtëpinë e ke…

Dilbere: Nuk kam as shtëpi, kam vetëm djalin.

Bashkim: Edhe shtëpinë, edhe djalin, edhe burrin e  ke.

Dilbere: Jo, nuk kam asgjë. Kur t’i  bësh ti me letra, atëherë i kam. Ore unë fëmijët e tu as nuk i njoh, më  keni akuzuar kot se unë kam ndarë çiftin  kur unë nuk kisha asnjë lidhje as me ty, as me njeri!

Eni Çobani: Pra Dilbere që ta kuptojë publiku, ju akuzoheni që jeni futur mes çiftit të parë, me znj.  Lumturie që është bashkëshortja e parë dhe e ke ndarë ti Lumturinë nga Bashkimi?

Dilbere: Po.

Bashkim: Ti nuk ke probleme për atë punë…

Eni Çobani: Jo, ka probleme se akuzohet. Është shumë e thjeshtë në rolin tuaj si bashkëshort të thuash që s’ka probleme me ty. Për gruan është tjetër gjë sepse në qoftë se vjen akuza nga gruaja e parë juaja dhe  nga 4 fëmijët, është shumë e rëndë që ta përballojë.

Bashkim: Siç më gjetën mua këto halle, edhe ajo do t’i përballojë.

Eni Çobani: Po tani ti s’e more për halle, më vjen keq!

“I ri ishte në kohë të vet, jo sot!” Pasuria ndan çiftin: Ka vdekur dashuria!

Dilberja është bashkëshortja e dytë e Bashkimit, me të cilin përballet në “Shihemi  në Gjyq” nga “E  Diela Shqiptare“ në Tv Klan. Bashkimi ka pasur një martesë 27-vjeçare me Lumturinë, me të cilën ka 4 fëmijë. Gjatë martesës ata kanë vendosur si pasuri një apartament dhe një shtëpi. Pas divorcit, ka filluar pjesëtimi i pasurisë, i cili s’ka marrë ende formë të prerë.

Nga martesa me Dilberen, ka një djalë 11-vjeçar, por kjo e fundit nuk ka siguri për jetesën nëse Bashkimi  largohet nga jeta para saj. Dilberja thotë se fëmijët e Bashkimit shkojnë në pronën e saj, hyjnë me polici duke pretenduar se janë bashkëpronarë. Dilberja kërkon që Bashkimi t’i dhurojë asaj shtëpinë, kurse ai jo. Konflikti mes tyre arrin deri në pikën sa ajo të thotë se “dashuria ka mbaruar”.

Dilbere: S’bëheesh djalë i ri pasi ke dalë në pension!

Eni Çobani: Pse, s’është si djalë i ri?

Dilbere: Jo, jo i ri është në kohë të vet, jo sot që ka dalë në pension.

Eni Çobani: Ja se Dilberja flet më mirë se unë, nuk flas! Atëherë Dilberja ka një sakrificë më të madhe.

Dilbere: Unë dua shtëpinë me letra se jetës nuk i dihet!

Eni Çobani: Pse Bashkimin nuk e do ti? Burri nuk merret vetëm për shtëpinë se tani po të kthehem edhe ty.

Bashkim: Kemi bërë disa herë gjyqe.

Eni Çobani: Do bësh edhe shumë gjyqe të tjera ti se kjo punë nuk mbaron, është pafund!

Bashkim: Nuk po them që ajo mos të marrë pjesë, unë nuk kam qenë dakord. Jemi ndarë, 50 me 50.

Dilbere: Jo znj. Eni! Dua shtëpinë!

Eni Çobani: Do shtëpinë të ta dhurojë ty?

Dilbere: Po, të ma dhurojë shtëpinë time. Bashkim, dua shtëpinë. Dhuroje shtëpinë në emrin e çunit,  shtëpinë që kemi, tjetrën lërja asaj.

Bashkim: Mos ki merak, edhe shtëpinë aty e ke nuk ta merr kush!

Dilbere: Jo, nuk e kam aty, e dua me letra se ato vijnë tek unë. Nuk je ti në shtëpi, ato vijnë tek unë. Jo, e dua me letra shtëpinë, me letra!

Bashkim: Do të ta japim me letra por shko ulu atje!

Dilbere: E dua me letra!

Bashkim: Do e marrësh edhe ti me letra.

Dilbere: E ka  marrë ajo, e ka marrë. E ka marrë, si s’e ka marrë? Pallatin me 14 milionë, sot nuk bën një  makinë 14 milionë lekë. Si s‘e ka marrë shtëpinë ajo?

Eni Çobani: Po 14 milionë ia ka vendosur gjykata asaj, nuk e ka vendosur ajo. Dilbere, e ke marrë me dashuri ti këtë a me çfarë e ke marrë?

Dilbere: Jo, jo, s’ka dashuri më.

Eni Çobani: Po mos e merrje!

Dilbere: Ka vdekur dashuria! Të jesh në rrugë ka vdekur dashuria!

Më thoshte s‘dua fëmijë se kam 4”, prapaskenat e martesës së vonuar

Dilberja dhe Bashkimi janë bashkë që prej vitit 2011, pas ndarjes së tij nga bashkëshortja e parë me të cilën ka 4 fëmijë. Gjatë debatit në “Shihemi në Gjyq” del një detaj nga martesa e tyre. Ata janë lidhur në 2011, por Bashkimi s’e kishte përfunduar ende procesin e divorcit. 

Në pjesën e dytë të rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Dilberja shpjegon se janë martuar ligjërisht në 2014, kur ka lindur djali. Ajo thotë se edhe për djalin, Bashkimi ka pasur kundërshtime në fillim sepse nuk donte të bëhej sërish baba.

Dilbere: Martesën ligjore e kemi lidhur më vonë, kur na ka lindur çuni, në 2014.

Eni Çobani: Më the në 2011, mendova… Edhe për këtë ka vonuar, pse ka vonuar?

Dilbere: Ka qenë pa ligj, pa letra. Kur ka lindur çuni, kanë bërë divorcin se ka qenë në proces divorci dhe duhej bërë divorci që të bëja unë celebrimin.

Eni Çobani: Pra ti e ke marrë të martuar, të padivorcuar?

Ardit Gjebrea: Ishte në proces divorci.

Eni Çobani: Po jo edhe ky është një gabim se nuk mund ta marrësh zonjën se ajo mund të sillte në jetë një fëmijë dhe fëmija do të regjistrohej me Lumturinë e Bashkimin, edhe ky është një problem tjetër.

Dilbere: Edhe për djalin nuk ka qenë dakord se më ka thënë unë kam fëmijë, unë nuk dua fëmijë më dhe ne kemi këmbëngulur shumë…

Eni Çobani: Si e solle ti fëmijën në jetë, me Bashkimin e ke sjellë.

Dilbere: Me Bashkimin, por kam këmbëngulur shumë për të bërë atë fëmijë se nuk dëgjonte, thoshte nuk bëj fëmijë se kam 4 fëmijë, se ka qenë puna te pasuria se unë për të vdekur kisha, fëmijë s’kishim,  pasurinë fëmijët e tij do ta merrnin s’do e merrja unë.

“Të Panjohurit” – SERXHI KULLA

/tvklan.al