E DIELA SHQIPTARE – EMISIONI 20 (SEZONI 11)

Emision: 10.02.2019

Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”
Rasti I

Matilda është nënë e dy fëmijëve. Ajo nuk ka pasur një jetë të lehtë dhe shkaku kryesor për këtë ishin problemet me ish-bashkëshortin, me të cilin qëndroi 9 vjet. E reja nga Tirana tregon në studio edhe për një prej periudhave të saj më të vështira, momentin kur kishte menduar të merrte vendimin fatal për veten dhe fëmijët. Por jeta e saj ndryshoi falë mbështetjes së motrës së saj Shpresa, të cilën e ka ftuar në “Ka një mesazh për ty”, në “E Diela Shqiptare”.

“Në moshën 17-vjeçare unë u fejova me shkuesi. Pimë një kafe, i dhamë llafin njëri-tjetrit dhe nuk kishim kohë që të njiheshim. Deri në Gusht të 2008-s që u martuam, pas një viti erdhi djali. Gjatë kësaj kohe çdo gjë në rregull. Pastaj pas një viti erdhi një shtatzëni tjetër, edhe aty filluan edhe debatet. Nuk ishte aq i pritur ai fëmijë, pavarësisht se im shoq e dëshironte shumë. Ishte një shtatzëni shumë e shpejtë e dyta dhe nuk e donin aq shumë. Unë isha pa punë, im shoq punonte, por nuk kishim ndonjë të ardhur të madhe. Ishte kjo fraza që ju jeni 4 vetë, ndërsa ne jemi 2 apo 3, sa ishim ne në atë kohë. Aty filloi gjithçka…”

Matilda tregon se ata jetonin bashkë me vjehrrit dhe kur nisën problemet vendosën që të ndaheshin prej tyre. “Jetonim në një shtëpi me prindërit, unë në katin e dytë, ndërsa vjehrrit në 4 e parë.”

Kjo ndarje i rëndoi edhe më shumë gjërat, sepse burri të ftohej çdo ditë e më shumë.

“U ftoh me mua, më fëmijët. Ikte në orën 6 të mëngjesit dhe kthehej në 1 të natës. Pasi ndamë ekonominë, pas 6 muajve unë fillova punë. Aty e kishim punën me normë, sa të merrje. Shkoja diku tek 150 mijë lekë të vjetra në muaj. Nuk mjaftonin, por mendova që të bëhem krah shtëpisë. Pak ose shumë do ishte diçka e mirë. Bashkëshorti sa nxirrte, aq merrte.”

E reja tregon më tej se ana ekonomike ishte molla e sherrit. “Sepse me 2 mijë lekë të vjetra, unë duhet të përballoja të gjithë shpenzimet e shtëpisë. Deri kur bëmë debate dhe unë vendosa që rrogën time ta mbaj vetë”.

“Ai nuk pranonte që unë të merrja situatën në dorë. Dita ditës rëndohej më shumë situata, si çdo femër që i sheh këto largësitë e bashkëshortit, unë vendosa t’i kontrolloj telefonin. Aty zbulova se kishte një lidhje tjetër. E mblodha veten dhe për disa kohë nuk i rashë në sy, rreth 2 muaj. Kur ia thashë më tha e kam thjeshtë shoqe. Unë vazhdoja ia kontrolloja telefonin dhe kur i kapa përsëri mesazhe të tjera, i thashë: Këto nuk i shkruhen një shoqeje”.

Nga e gjithë kjo histori, Matilda thotë se pasur një moment që ka dashur t’i bënte keq vetes.

“Kam menduar të helmoj veten dhe dy fëmijët. “

E pyetur nga Ardit Gjebrea se “si është e mundur një nëne t’i shkojë në mendje të helmojë veten, për më tepër edhe dy fëmijët. Të helmosh dy fëmijët e tu duhet të jetë kulmi i dëshpërimit, i depresionit”, Matilda tha: “Sepse kisha arritur në depresion, isha dobësuar shumë, 38 kilogramë. Çdokush që më shihte habitej, thoshte kjo edhe 2 javë jetë ka”.

Ajo tregon se tentoi shumë herë të fliste me bashkëshortin, por ai e injoronte. Derisa vendosi të merrte fëmijët dhe të largohej. Por këtë e bëri pasi bisedoi me motrën e saj dhe ishte kjo e fundit që i dha forcën e vetëbesimin që Matilda kishte humbur.

“E kisha menduar dhe ia shpreha motrës që kam thërritur sot këtu. Që unë nuk kam rrugëzgjidhje tjetër dhe ia tregova sepse nuk ia kisha treguar askujt nga njerëzit e mi situatën time. U thoja jam dobësuar ngaqë dy fëmijët e vegjël. Kisha momente që s’i përballoja dot, por vendosa t’ia tregoj motrës. Ajo më tha merr fëmijët dhe hajde. Ajo ishte forca ime, atë forcë që unë e kisha humbur tashmë. Ajo më dha vetëbesim, unë e kisha humbur besimin te vetja, ajo është gjithçka”.

“Shkova tek mami, atje më priste motra dhe ajo më tha se nuk ka asgjë të keqe. ‘Për çfarë duhet ta helmosh ti veten, aq më shumë fëmijët’, më tha. Ti nuk je njeri pa njeri, jemi ne, do të japim gjithë mbështetjen e duhur. E vendosa që do të vazhdoj përpara. Në atë kohë kur ika, vjehrri ishte në Itali dhe brenda javës ai u kthye. Më tha, nëse vjen, çdo gjë do sqarohet. Për hatrin e fëmijëve unë e bëra këtë përpjekje, por kur arrita në shtëpi, asgjë nuk u sqarua, vetëm sa u përkeqësuan gjërat. “

Matilda rrëfen edhe një moment tjetër, kur asaj i mbyllën derën dhe bashkë me fëmijët e vegjël u detyrua të futej nga dritarja. Kjo ndodhi në kohën kur ajo filloi një punë të dytë, pasi sipas saj, bashkëshorti nuk kontribuonte në shtëpi.

“Fillova një punë të dytë. Ishte 2 Shtator. Punova për 1 muaj punë të dytë. Një natë kur kthehem në shtëpi, më ishin mbyllur dyert. Iu luta që ta hapte derën, nuk pranoi. Pastaj vjehrri tha: A mund të sqarojmë dy llafe. Po i thashë, por kjo nuk është e drejtë. Nëse për diçka më të vogël dyshoni tek unë, ma thoni. Sepse unë ia kisha kërkuar gjithmonë këtë, sepse mbase gabimin e kisha dhe unë. Më thoni ku kam gabuar dhe unë rregulloj sjelljen, por të mos jetë ajo përgjigja juaj që ‘unë kështu dua dhe po të pëlqeu mirë, po nuk të pëlqeu…’ Unë u futa nga dritarja”.

“Unë jetova edhe rreth 4 vjet e gjysmë aty. Im shoq flinte te mami i tij, për 3 vjet e gjysmë, ndërsa unë flija me fëmijët lart”.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj vazhdonte të kishte lidhje me një tjetër. Matilda tregon se e zbuloi vetë edhe këtë ‘tjetrën’.

“E zbulova vetë edhe këtë, me këtë tjetrën kam folur edhe vetë në messenger. Zbulova letra, fotografi të cilat ajo nuk i pranoi. Mesa më tha ajo, nuk e dinte që bashkëshorti ishte i martuar. Sepse nëpër statuset e Facebook, ai dilte beqar, ose me nipin e me mbesat, por asnjëherë me fëmijët.

Kur bashkëshorti i saj u sëmur nga shtylla kurrizore dhe u kthye në shtëpi, Matilda thotë se vendosi t’ia falte të gjitha. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi dhe asgjë nuk ndryshoi në martesën e tyre. Pikërisht këtu vendosi të ikte. Por përpara kësaj Matilda foli edhe me të dashurën e tij. I tha që ishte bashkëshortja e tij, por ajo nuk e besoi.

“I thashë unë jam, kam 9 vjet e martuar, kemi 2 fëmijë. Ajo nuk e besoi dhe komunikon me kunatin tim. Ai i tha të vërtetën. Pas kësaj vendosa të ikja te mami. Gjatë kësaj kohe motra, ikte në punë shkonte në shpi tek bashkëshorti, i shërbente atij dhe po të them përditë vinte edhe tek unë. Çdo ditë. Më thoshte, nuk ke përse mërzitesh.”

Kur u largua Matilda mori me vete djalin e vogël, 8-vjeç, ndërsa djali i madh (9 vjeç e gjysmë) ishte në Itali me gjyshen nga babai. Ajo tregon se edhe sot, ky i fundit rri më shumë tek i ati.

“Me vendim gjykate fëmijë i kam unë. Gjyqi i Shkallës së parë mbaroi dhe u vendos që të m’i jepte mua. Ai nuk ishte dakord dhe e hodhi për Apel”.

Motra e Matildës, Shpresa e pranoi me kënaqësi ftesën për të qenë në studion e “Ka një mesazh për ty”. Mes lotëve, Shpresa tha se nuk e priste që e kishte thërritur motra e saj. “Unë nuk pres shpërblim, sepse të kam motër, të kam shpirt, sepse ke qenë motra më e vogël dhe të kam rritur vetë”, tha ajo mes të tjerash.

“KA NJË MESAZH PËR TY”
Rasti II

Gjyshërit me nipërit e mbesat janë si “bletët me mjaltin”. Japin shumë ëmbëlsi, por ndonjëherë njëra palë edhe mund të “pickojë”. Luvja e do shumë gjyshin e saj, por ka një kritikë për kushërirën, e cila nuk bën të njëjtën gjë, sepse ajo është e lidhur me gjyshen. Për këtë arsye Luvja ka thërritur në studion e “Ka një mesazh për ty”, pikërisht kushërirën e saj të vogël.

“Kam ardhur sepse kam një konflikt interesi me dikë dhe arsyeja është gjyshi. Duke qenë se unë kam qenë mbesa e parë edhe gjyshi gjithmonë ka qenë shumë i dhënë pas meje, gjithmonë për gjithçka, përdor kryefjalën Luvja. Gjithashtu edhe unë e kam pikë të dobët dhe një nga arsyet që e kam edhe më shumë pikë të dobët është sepse nuk është shumë mirë nga ana fizike”.

Por cili është konflikti i interesit?

“Kushërira ime e vogël (vajza e tezes), 10-vjeçe, Orkida, nuk e ka puthur asnjëherë gjyshin dhe gjithmonë del kundër tij, sepse mendon se ai abuzon me gjyshen. Mund ta puthë kur e imponon dikush. Nuk mund të ndodhë asnjëherë që ajo të shkojë dhe ta puthë gjyshin dhe t’i thotë sa shumë e do. Gjyshi, duke qenë se ka probleme i kërkon gjyshes ujë, apo ta ndihmojë të ngrihet të ecë dhe sipas Orkidës ky është abuzim, sepse duhet t’i bëjë gjërat vetë”.

Luvja tregon se gjyshi nuk do që bashkëshortja t’i largohet në asnjë moment. Ata janë njohur me dashuri, por për një periudhë kanë jetuar larg njëri-tjetrit, pasi ai jetonte në emigrim. Luvja tregon gjithashtu se historia e tyre e dashurisë është si nëpër filma. Ata u arratisën sëbashku.

“Gjyshi me nënën janë njohur jo rastësisht mund të themi, sepse një ditë kur gjyshi kishte shkuar tek motra e tij, atë ditë takon gjyshen pasi kishte shkuar në dyqan. Por gjyshja nuk shkoi vetë, atë ditë motra e gjyshit i kërkoi asaj të shkonte në dyqan. Dhe kur hyri atje, pati një dashuri me shikim të parë, në atë çast mes tyre pati shkëndija”.

Luvja sot në studion e “Ka një mesazh për ty” ka thërritur pikërisht kushërirën e saj 10-vjeçare, e cila e pranoi ftesën me shumë kënaqësi.

“Kidushe e di që u habite që më pe këtu, por kam ardhur sepse dua të të them disa gjëra. Janë gjëra që zihemi sa herë që ne takohemi, për shembull ndoshta do bëje mirë të paktën ta puthje njëherë gjyshin dhe të silleshe pak më mirë me të. Por edhe diçka tjetër, ti sa herë që të shkruaj detyrat dhe të ndihmoj, me nis mesazhe që të kam xhan edhe pse më ke lënë pak mënjanë. Unë nuk të le asnjëherë mënjane, ti je motra ime”, ishte mesazhi i Luvjas për Orkidën.

“Unë do e le gjyshin të më puthë, por vetëm me dy kushte: Që të mos e lodhë shumë nënën është kushti i parë, kurse tek i dyti dua të më tregojë se kë do më shumë nga mbesat”, u përgjigj Orkida.

Sipas Orkidës, gjyshi e lodh shumë nënën dhe nuk e le të qetësohet, ose e do gjithmonë pas vetes. “Ajo nuk më është ankuar, por e kam parë vetë që lodhet”, tregon e vogla.

Vajzat u përqafuan në studion e “Ka një mesazh për ty”, por Ardit Gjebrea u tha se kishte edhe një surprizë për to. Zoti Ylli, gjyshi i vajzave sëbashku me bashkëshorten e tij erdhën në studio.

Orkida i kërkoi gjyshit të saj që të tregonte të vërtetën se kë donte më shumë.

“Prandaj më keni thërritur ju mua këtu? Po kë gisht të pres edhe nuk të dhemb? Kam 7 nipër e 7 mbesa dhe ju kam të gjithëve njësoj”, tha Zoti Ylli. Orkida në fund e përqafoi gjyshin e saj, ndonëse nuk mori përgjigjen që kërkonte.

NE JEMI CFARE HAME KUJDES SHENDETIN!

“TELEBINGO SHQIPTARE”

POWER KIDZ 5!

“SHIHEMI NË GJYQ”

Nuk janë të pakta rastet kur punëtorët dëmtohen në vendin e punës dhe jo vetëm që nuk dëmshpërblehen, por vazhdojnë të bëjnë të njëjtën punë, ndonëse jeta e tyre mund të vihet edhe në rrezik. Pa dëmshpërblim dhe me gojën e mbyllur, të shumtë janë ata që vazhdojnë të ulin kokën dhe të punojnë në kushte tepër të vështira. I tillë është edhe rasti i Aidës, një gruaje nga Fieri e cila 6 vite më parë humbi njërin gisht, gjatë kohës që punonte me një makineri në një fabrikë fasonerie. Në atë kohë vetëm 28-vjeçe, Aida punonte për 150 mijë lekë të vjetra dhe e vetmja gjë që mori në këmbim pas aksidentit ishte paga e një muaji. Ajo heshti dhe punoi derisa siç thotë edhe vetë “iu nxi jeta”.

Këtë të diel, në “Shihemi në Gjyq”, Aida Prifti ka sjellë babain e saj, zotin Vero, të cilin e fajëson se nuk është kujdesur për të. Përtej pakënaqësive që Aida ka me babain e saj, rasti në fjalë për juristen Eni Çobani është i patolerueshëm, si për vonesën e reagimit nga vetë e dëmtuara, ashtu dhe për heshtjen nga këta njerëz që shfrytëzohen, dëmtohen dhe nuk kërkojnë të drejtën e tyre.

“Sigurisht zonja është shumë vonë, është në kohën ekstrem të njoftimi të kësaj ngjarjeje. Ne vendosëm që këtë seancë ta bëjmë publike, sepse unë dua ta nis “unë kam qenë e detyruar zonja Eni të hesht”. Kjo fjala jote do të jetë lajtmotivi i shumë gjërave të mëpasshme që unë do të bëj, sepse në fakt unë sot jam pikërisht dhe më shumë për ju gratë që paskeni qenë të detyruara të heshtni dhe unë sot dua t’ju them një fjalë: Edhe nëse ju heshtni unë do të vazhdoj të ngrejë zërin për ju. Por nëse ju nuk vini, unë e kam të vështirë të ngre zërin për ju. Aida është e patolerueshme, prandaj dhe unë vazhdoj të flas. Nëpërmjet teje flas me të gjitha ato gra që ne na shikojnë në këto momente, që mund të kenë dhe fatkeqësi si e jotja dhe ulin kokën e vazhdojnë jetën e tyre edhe pse ju dhemb shpirti dhe ju qan syri”.

Aida:“Nuk kanë rrugë tjetër moj zonja Eni, nuk kanë rrugë tjetër”.

Çobani: “Jo unë e refuzoj me forcë fjalën tënde, që nuk kanë mundësi. Sot janë të gjitha mundësitë”

Aida:“Shkollimi që kanë ato është fare i vakët për të gjetur një punë që atyre t’u përshtatet. Çfarë do të bëjnë? Janë të detyruara të punojnë në ato fabrika, të heshtin, siç kam heshtur më, por që u detyrova, nuk po mundesha më, plasa, plasa… Kur mua dikush më mësoi dhe më tha merr një raport dhe shko paraqitja atyre, ata thanë nuk të duhet raporti ty dhe u mjaftuan me një muaj rrogë të hedhur. Dhe pastaj me dorë të fashuar në punë, se ndryshe… dhe në të njëjtin proces punë që unë vazhdoj dhe punoj edhe kësaj dite”.

Aida e humbi gishtin e saj të dorës gjatë kohës që punonte me një makineri të quajtur tranxha. Zonja Çobani shpjegoi se kjo makineri është një mjet me një burim të lartë rrezikshmërie. Në ligj, tha ajo, të tilla fabrika me të tilla mjete, quhen veprimtari me burim të shtuar rreziku. Që çfarë do të thotë? Dhe nëse ai pronari nuk ka përgjegjësi direkte për çfarë i ndodh zonjës në kushtet e punës, ai ka përgjegjësi për mjetet e ndërmarrjes që punëtorët përdorin. Pra nëse vajzës i është prerë gishti, pronari duhet të mbante përgjegjësitë e veta ligjore, pikërisht për këtë veprimtari të shtuar rreziku që kanë këto mjete.

Nëna e tre fëmijëve tregon gjithashtu se nëpër fabrika të tilla nuk ekziston trajnimi. Më e mira që ndodh është një periudhë 3 ditore praktike dhe më pas fillon punë.

Por përse e solli Aida babain në studio?

Aida: “Ky baba vërtetë mua më martoi, më bëri me familje me të gjitha. A u interesua ndonjëherë ky për kushtet ku unë punoja? Nuk u interesua.”

Vero: “Moj çupë, e di ça pranoj unë. Gabimi im është që të mora dorën ty, të kisha vajtur vetë atje në fabrikë se më le pjesën e trupit atje. Edhe ti më dole pengesë, se më the që nuk të njeh njeri ty…”

Por Aida tha se nuk ka qenë e vetëdijshme. “Babi e di ça do të thotë një njeri që ka humbur pjesën e trupit… Nuk kam qenë në gjendje të logjikoja siç duhej”.

Zonja Eni shpjegoi se edhe sot Aida nuk është normale.

“Nuk është dhimbja e gishtit ajo që është e madhe, se gishti ka kaluar, por është dhimbja shpirtërore, sepse ka kaluar nga gishti tek mendja. Ajo sot ka një fiksim. Edhe nëse nuk ia di kërkush atë defektin, ajo kudo që është e ulur, thotë më panë të tërë që jam pa gisht. Atë se shikon kërkush, por ajo e ka të fiksuar që është pa gisht. Dhe për më tepër që është grua, por edhe për një burrë është e rëndë, por për një grua akoma dhe më tepër. Jam e bindur që shumë shqiptarë sot thonë: Po hë më se një gisht preu. Por ai gishti është një pjesë shumë e rëndësishme e trupit, çdo pjesë e trupit ka rëndësi, se për ndryshe përse do t’i kishim. Kur ikën një gisht ikën një pjesë e trupit dhe kjo ka rëndësi për ne”.

Aida ishte vetë 22-vjeçe kur filloi punën dhe 28-vjeçe kur pësoi aksidentin në fjalë. Ajo u rikthye në punë pas 1 muaji dhe ka 1 vit që është larguar nga kjo fabrikë.

“Jo se jam larguar, më kanë detyruar, sepse atje përdorin një metodë shumë të mirë me gratë. Venë një përgjegjëse që i shan, i ofendon, i fyen, e çon deri atje sa i mërzitet jeta punëtorit, jo puna, por jeta. Më është mërzitur mua jeta që ika nga atje, mua ma kanë bërë ferr jetën.

Si mund të pranohen kushte të kësaj natyre, që është të fyeni gjatë një procesi pune? Pyet juristja Çobani ndërsa shton: “Dhe nuk denonconi asgjë?”

Aida:“I përtypin dhe vazhdojnë ulin kokën, janë fëmijët në mes…”

Por për juristen Çobani kjo është e gabuar, pasi nëse nuk ngrihet zëri edhe vetë shteti nuk ka sesi të dijë të vërtetën dhe të ndihmojë.

“Edhe shteti është në pozicionin tim. Pra më thoni ju mua, sa dija unë për këtë histori deri në momentin kur Aida erdhi tek unë. Pra, sa mund të dijë shteti, nëse këta njerëz nuk reagojnë. Këta janë brenda një muri rrethues, me një derë hekuri, ku punojnë, futen në mëngjes e dalin pasdite. Dalin si grup dhe hynë si grup dhe kushdo që i shikon thotë: Bravo këtyre njerëzve që u kanë hapur vende pune shqiptarëve, që punojnë dhe marrin para për të ushqyer familjen. Pra këta njerëz janë bërë heronj të shqiptarëve, nuk e dinë që ata janë shfrytëzuesit e shqiptarëve, sepse këto gra punokan në mënyrë të detyruar në thonjëza, sepse nëse je i detyruar punon 1 ditë në javë një muaj, por jo 6-7 vjet. Ju vazhdoni heshtni. Unë edhe njëherë u them shqiptarëve, mos heshtni se jetoni vetëm njëherë!”

“Unë sigurisht i kam bërë një analizë shumë të thellë procesit tënd, e para për vonesën e gjatë në kohë që ti je paraqitur para meje. E dyta për këtë heshtjen tënde të pakuptimtë dhe kam dashur të hy në psikologjinë tënde dhe shumë grave të tjera si ty, që edhe pse jetojnë në kushte minimale jetese, prapë nuk reagojnë për atë të keqen që gjejnë, por mjaftoheni me paratë që merreni dhe ktheheni kokë ulura në shtëpi”.

Por kur Aida i thotë juristes se gjithçka e durojnë e bëjnë “për fëmijët”, zonja Eni përgjigjet: “Për fëmijët, ti sot nuk je ajo nëna e dikurshme, sepse sot je pa një gisht”.

Për rastin në fjalë, juristja Çobani shpjegon se për 3 vjet me radhë Aida kishte mundësinë që të merrte dëmshpërblimin që i takonte, por kjo nuk ndodhi pasi ajo nuk ndërmori asnjë veprim dhe i besoi premtimeve boshe të punëdhënësve. Për të gjithë periudhën që ka qenë në punë, Aida rezulton e siguruar, por duke qenë se nuk e ka denoncuar rastin e saj, ajo nuk ka marrë asgjë.

Në fund publiku votoi pro babait të Aidës, duke mos i dhënë të drejtë asaj që e fajëson të atin që nuk e ka ndihmuar. Çobani shpjegoi se Aida kërkonte vetëm ndihmë familjare, në rastin konkret nga babai i saj.

Krah publikut u vendos edhe Gjebrea. Madje, duke iu drejtuar Çobanit, ai theksoi se në 8 vjet, kjo është hera e parë që nuk janë në të njëjtën ‘llogore’. Por Çobani tha se besonte si ishin në të njëjtën, por i shprehin ndryshe.

“Unë besoj se ai ka bërë aq sa ka mundur“, u shpreh Gjebrea, ndërsa Aidës iu drejtua me fjalët: “Aq shumë të kuptoj dhe më beso më dhemb shpirti. Kur mendoj fëmijët e tu dhe ty, gjithçka që të ka ndodhur, por edhe kur shoh babain tënd që thotë që kam bërë çfarë kam mundur…”

Aida thotë se sot kërkon mbështetje. “E nisa vonë, shpresoj që drejtësia të vihet në vend, sepse tani edhe unë e kam humbur pak a shumë shpresën për një drejtësi, se kur nuk u vendos kur duhej”.

“Këtu shprehet pak gabim Aida, sepse nuk t’u vu drejtësi jo për shkak të drejtësisë, por për shkak të heshtjes tënde. Nëse ti nuk do heshtje atëherë këtu do ishim për të parë çfarë drejtësie u vu, por sot ti po kërkon drejtësi. Ke ardhur shumë vonë, sepse i thonë 6 vjet. Por unë besoj dhe shpresoj shumë që drejtësia do të gjejë formën dhe mënyrën më të mirë t’i përgjigjet kërkesës tënde. Puna jote e parë që nesër në mëngjes, duhet t’i drejtohesh Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, ku do denoncosh çfarë ka ndodhur dhe më pas ne do të luftojmë që kush ka pasur përgjegjësi në kohë për të dhënë dëmshpërblim përsa i përket aksidentit tënd, të arrijmë që ta marrim këtë drejtësi dhe ti të fitosh dëmshpërblimin që të takon”, e mbylli Çobani.

Nga ana e tij, Zoti Vero tha se do t’i qëndrojë në krah të bijës në rrugën e saj për të gjetur drejtësinë.

BE coffee!

Kategori
E DIELA SHQIPTARE
0 Komente

Përgjigju

*

*