E DIELA SHQIPTARE – EMISIONI 21 (SEZONI 10)

E DIELA SHQIPTARE – EMISIONI 21 (SEZONI 10)

15:08 05/02/2018

Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Kanë kaluar pak më shumë se dy javë kur rasti i 23-vjeçarit nga Bajza e Malësisë së Madhe, ish-përdoruesi i heroinës, tronditi mbarë audiencën me historinë e tij. Sot, ai fatmirësisht duket të ketë lënë gjithë episodet e errëta të jetës së tij pas dhe vazhdon jetën normalisht duke u përpjekur për veten dhe për mbarëvajtjen e familjes.

Kjo falë motrës së tij Albina e cila bëri publik rastin dhe ndihmën e çmuar të dhënë nga stafi i së Dielës Shqiptare, me në krye drejtuesin e emisionit Ardit Gjebrea, i cili premtoi t’i gjente një punë Pjetrit në Shkodër dhe të ndihmonte babain e tij të sëmurë.

Në emrin e familjes të së Dielës Shqiptare, Ardit Gjebrea deklaroi se do të shkonte personalisht në Shkodër për të gjetur një punë për Pjetrin dhe se do kujdesej për babain e sëmurë të tij.

“Dhe në fakt nuk pati nevojë fare që unë të vija në Shkodër sepse menjëherë pas programit më vjen një telefonatë, nga zoti Mark Molla, administrator i Kanalizimeve dhe Ujësjellësit në Shkodër. Ai u tregua i gatshëm që ta punësonte Pjetrin, dhe unë e falënderova pa fund, ai që ditën e nesërme u paraqit në punë dhe filloi punën. Nuk erdha në Shkodër ashtu siç premtova për t’i gjetur punë Pjetrit, por nuk mund të mos vija në Shkodër për të falënderuar zotin Mark për gatishmërinë e tij dhe që bëri të mundur të plotësonim këtë premtim që dhamë në programin tonë”.

Gjebrea udhëtoi për në Shkodër për të falenderuar zotin Molla dhe njëkohësisht për të takuar Pjetrin dhe për ta pyetur nëse është i kënaqur me punën e re. Bashkë me zotin Molla ata nisen për ta takuar dhe gjejnë Pjetrin në vendin e punës së tij, shumë i përfshirë në rolin e tij si ndihmës hidraulik në një ditë të zakonshme pune.

“Punët ecin mirë, me stafin jam i kënaqur. Janë njerëz të mirë të gjithë dhe unë vij në punë me qejf”. Orari është 8 me 16, por unë vij 5 minuta para pasi jam shumë i angazhuar në punë, kur mbaroj shkoj drejt e në shpi”,

  tha Pjetri kur Gjebrea i drejtoi mikrofonin.

Gjebrea

: “Unë pasnesër kam lënë takim me babin tënd, kështu që ta çojmë deri në fund gjithçka çfarë thamë në program”.

Pasi bënë një foto me të gjithë punonjësit e stafit, ata lanë Pjetrin të vazhdonte i qetë punën ndërkohë që Gjebrea dhe stafi i së Dielës Shqiptare vazhduan misionin e tyre për të çuar deri në fund edhe premtimin e dhënë për babain e Pjetrit, Franin.

Ata takohen në spitalin “Hygeia” ku Ardit Gjebrea i ka mundësuar atij një takim më një nga kirurgët më të mirë të Greqisë.

Doktori: 

“Vizita shkoi shumë mirë, bëmë një biopsi uroj që rezultati të jetë negativ”.

U larguan nga spitali, bashkë me Albinën, motrën e Pjetrit e cila ishte edhe iniciatorja e bërjes publike të këtij rasti duke lënë një takim tjetër pas 10 ditësh për të ndjekur hap pas hapi gjendjen shëndetësore të Franit.

Rasti II

Rubrika “Ka një mesazh për ty” tek “E diela Shqiptare” në Tv Klan, këtë të dielë vijoi me rastin e një nëne të vuajtur e cila kishte thirrur djalin e saj 13-vjeçar në studio.  Hajria nga Elbasani, nuk kishte pasur një jetë të lumtur martesore, përkundrazi asaj i është dashur të përballet me shumë probleme, ekonomike dhe jo vetëm. Tashmë sfida më e madhe për të janë rritja e fëmijëve dhe sidomos ajo e djalit të saj adoleshent, Ismailit.

Hajrie:

 “Historia ime është një kalvar i gjatë. Pasi u martova fillimisht, shkuan gjërat shumë mirë. Pastaj “mollë sherri” në familjen time u bë një orë. Një orë që gjoja i humbi kunatës, por e gjitha ishte një histori e sajuar për të më shkaktuar probleme në familjen. E marrin orën e fshehin diku, une nuk dija gjë fare…”

Ardit Gjebrea: Pse e bëri kunata këtë gjë?

Hajrie: 

Ajo donte që burri të merrte për grua dikë që ia kishte gjetur ajo një të afërmen e saj..

Ardit Gjebrea: U gjend ora?

Hajrie:

 Ajo orë u gjet pas 3 vitesh. E kishte sajuar ajo këtë vjedhje bashkë me njerëzit e saj. Por për mua kjo gjë solli vështirësi të mëdha. Bashkëshorti im për këtë shkak ushtronte dhunë ditë natë mbi mua. Dhuna filloi që në momentin e orës. Përdorte madje edhe rripin e pantallonave për të më rrahur. Nuk mundesha dot më ta duroja.

Ardit Gjebrea: Për sa vite vazhdoi dhuna në familje?

Hajrie: 

Vazhdoi shumë. 25 vjet. Pas ca kohësh më lindën të dy binjakët. Por nuk zgjati shumë dhe më vdiq i pari. Më vdes në duar. Prapë pas 2-3 muajsh sëmuret edhe tjetri, vdes edhe tjetri. Në ato momente që vdes tjetri, u bë varrimi në drekë, mirëpo një grua e moshuar e lagjes, duke qenë se e dinte se unë isha njeri pa përkrahje dhe i vinte shumë keq për mua, dhe më pyet nëse janë larë rrobat e foshnjes që më kishte vdekur. I thashë që nuk di gjë. Atëherë po nuk pate njeri më tha, dërgoj unë vajzën time t’i lajë. Ndërkohë kunata po përgjonte pas murit. Pas varrimit vjen bashkë me të shoqin dhe më pyet për bisedën që pata me gruan e moshuar të lagjes. Në atë moment filloi sherri, kunata dhe kunati im më bënin me faj pa

 

pushim. Në ato momente isha me temperaturë, sapo kisha humbur fëmijën tim, trishtimi ishte i madh.

Ardit Gjebrea: Pse nuk u ktheve në shtëpinë e prindërve të tu?

Hajrie: 

Nuk kthehesha dot sepse ata donin të më largonin, dhe unë prandaj qëndroja për mos t’ju bërë qejfin atyre.

Ardit Gjebrea: Linde fëmijë të tjerë më pas?

Hajrie: 

Po linda edhe fëmijë të tjerë. Mendoja se do të kalonte kjo periudhë dhe burri im nuk do të më dhunonte më. I kërkova burrit të blinim një makinë qepëse, pasi unë dija të qepja. Rrija deri vonë natën, punoja shumë. Nuk e përballoja dot se kisha edhe fëmijën. Dhuna vazhdonte përsëri.

Ardit Gjebrea: Pas disa vitesh linde prapë një djalë tjetër?

Hajrie: 

Po, linda dhe një djalë tjetër Ismailin. Djali i madh ishte 9 vjeç kur lindi Ismaili. Ismaili lindi vetëm 900 gramë. Vetë isha me tension të lartë.

Hajria ka thirrur djalin e saj të vogël në studio duke qenë se prej 4 vitesh ai nuk shkon në shkollë, për shkak të mundësive të pakta ekonomike që familja kishte pas shpërnguljes në Tiranë.

Hajrie: 

Unë shkova në çdo shkollë, asnjëra nuk ma pranoi. Donin të shihnin kontratën e shtëpisë, por unë një të tillë nuk e kisha. Burri nuk më mbështeste. Djali kishte shumë qejf të shkonte në shkollë, i vinte turp nga shokët. Ai kishte filluar duhanin, ikte kohë pa kohë nga shtëpia. Më shqetësonte shumë. Mendoja se do më ikte fëmija nga duart.

Mesazhi në studio:

 Lili ti e di si të ka rritur mami ty. Dhe unë bëra një gabim që erdha në Tiranë, por e bëra për të ardhmen tënde. Por unë të premtoj që do bëj çdo gjë të mundur që ti të shkollohesh. Ti i di shumë mirë sakrificat e mia për juve. Kam ardhur vetëm për ty Ismail. Prandaj do më japësh fjalën që cigaren nuk do ta pish më, dhe do vazhdosh shkollën. Do t’i lësh të gjitha mbrapa sepse asgjë s’është më e rëndësishmë se shkolla. Do bëj gjithçka për ty.

Ardit Gjebrea-Ismailit: Tani që le të themi sapo e ke nisur cigaren, më jep fjalën që do ta lësh?

Ismaili: 

Po ju jap fjalën.

Biseda më pas ia lë vendin një përqafimi të ngrohtë nënë e bir.

“BLACK BOX”

Rubrika e shumëpritur “Black Box” për amvisat dhe për të gjithë ata që kanë pasion gatimin, nisi sot me prezantimin e dy shefave, pjesëmarrës në garë, Ilir Hysa dhe shef Arti Sejdini. Të dy shumë të vlerësuar në fushën e tyre dhe që kanë eksperienca në restorantet dhe hotelet më prestigjioze në vend.

Pjatat e tyre u vlerësuan nga juria e përbërë nga një prej shefave italianë më të famshëm të kulinarisë botërore, gjyqtar ndërkombëtar dhe instruktor i gjyqtarëve të garave të gatimit në botë, Domenico Maggi, si edhe dietologia Blerina Bombaj Troci.

Përbërësi bazë në “Black Box” ishte kontrafiletoja e viçit. Rregullat e konkurrimit u shpjeguan edhe një herë nga anëtari i jurisë, Domenico Maggi, sipas të cilave secili prej shefave mund të zgjedhë vetëm pesë përbërës të rëndësishëm. Secilit prej konkurentëve iu dha vetëm tre minuta në dispozicion për të zgjedhur një recetë për të prezantuar pjatën e tyre.

Shef Iliri zgjedh të gatuajë kontrafileto viçi e tiganisur me verë të bardhë, perime të stinës dhe me djathë të bardhë të tharmuar. Ndërsa shef Arti gatuan kontrafileto viçi të aromatizuar me trumzë të freskët, spec i kuq, patëllxhan, brokoli, pomodorini dhe xaferano.

Pasi recetat i dorëzohen jurisë, fillon koha për përgatitjen e pjatave nga shefat të cilët duhet të përfundojnë gjithçka në vetëm 20 minuta. Ata nisin të gatuajnë nën mbikëqyrjen e jurisë, duke pasuruar aftësitë e tyre edhe me këshillat nga profesionistët.

Pjatat e gatuara nga shefat u vlerësuan në katër aspekte, shija, organizimi, aspekti estetik dhe ekuilibri ushqimor.

Për sa i përket organizimit të punë, Maggi vlerësoi shef Artin si më të programuar. Ndërsa tha për shef Ilirin që ka disa mangësi në organizimin e procesit të gatimit.

Në fazën e fundit shefat prezantuan pjatat përpara jurisë.

Domenico Maggi: 

Për sa i përket pjatës së shef Artit, ai ka përdorur një teknikë të vendosjes në pjatë duke u rritur vertikalisht. I vetmi aspekt pakëz negativ, është zgjedhja e pjatës, nuk është e përshtatshme. Ndërsa gabimi që të dy shefat kanë bërë është përdorimi i cepave të pjatës për dekorim, pasi supozohet që anët e pjatës janë bërë për që kamerieri të vërë duart kur shërbën vaktin. Kjo përsa i përket pjesës teknike.

Blerina Bombaj Troci: T

ë dyja pjatat të kënaqin syrin dhe pjesën e pritshmërisë së vlerave ushqyese por të dyja pjatave iu mungon një element shumë i rëndësishëm që është elementi i brumit.

Rezultati final i dhënë nga vlerësimet e dy anëtarvë të jurisë shpalli fitues shef Artin me 87 pikë duke lënë pas shef Ilirin me 80 pikë. 

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Valentina Stefani nga Borshi ka sjellë në rubrikën “Shihemi në gjyq” në emisionin “E Diela Shqiptare”  vëllain e saj, Arqilenë, pasi ky i fundit i ka marrë çelësat e shtëpisë dhe nuk ia kthen derisa t’i shlyejë borxhin, duke e kërcënuar madje se do t’i marrë shtëpinë, e cila në fakt nuk është as e të motrës.

“Isha e martuar në Konispol, më vdiq burri, e shita shtëpinë në Konispol dhe isha pa shtëpi. Kam qenë në Greqi. Në Dhjetor të vitit 2009 unë operohem për herë të parë për kancer sepse kam patur edhe herë të dytë. Bëja kimitoterapinë, me paruke në kokë dhe kam ardhur në Sarandë se ndihesha më mirë. Më thotë djali të më ndihmonte të bëja një shtëpi e të qëndroja në Borsh. Bëj kërkesën në komunë se tokë në Borsh nuk kisha”.

Arqilea e ndërpret duke i kërkuar të thotë të vërtetën se kush e ka ndihmuar nga ana ekonomike si për operacionet që ka kryer, ashtu edhe për shtëpinë dhe ajo i përgjigjet:

 “Edhe ti vëlla më ndihmove nuk e mohoj, nuk e hedh poshtë”.

Ajo vazhdon të tregojë procedurën e ndërtimit të shtëpisë prej 200 metrash katrorë në tokë të shtetit, larg zonës së detit. Në  Mars të vitit 2010, Ylli Shehu pretendoi se kjo tokë është e tij, ndaj hapi çështje gjyqësore, por me vëllezërit e Valentinës.

“Do e dëgjoni historinë time, është një kalvar i gjatë 8 vjet. Luftova 2 herë me kancerin, në vitin 2013 u operova prapë. Luftoja me Gjykatën e Sarandës, me fëmijët në shtëpi kam probleme se dhe ata më thonë të ndaloj sepse nëqoftëse nuk ia dal dot unë mbanë ia dalin ata thonë. Si do ia dalin fëmijët? Do vejë gjakderdhje se fëmijët janë fëmijë, nuk e kanë guximin dhe durimin që kam patur unë”.  

Arqilea tregon se e motra i ka kërkuar ndihmë kur kishte nevojë për dy operacionet, si edhe për të ngritur një “kasolle” për të jetuar dhe pranon që e ka ndihmuar. Por ajo nuk i kishte thënë për gjyqin që kishte me Shehun dhe kjo gjë e ka acaruar Arqilenë, ndaj dhe janë zënë, i ka marrë çelësin e shtëpisë dhe nuk flasin prej 5 vitesh.  

Valentina i thotë: 

“Çdo ditë po më vrasin gjykatat. 8 vjet, e kupton?”. 

I vëllai shprehet se kërkon vetëm paratë që ka dhënë për shtëpinë, jo ato që i ka përdorur për operacionet, duke thënë: 

“Dua lekët e shtëpisë ose i marr shtëpinë!”.

Ajo shton

: “Nëqoftëse nuk më zgjidhet tani kjo çështje në Gjykatën e Sarandës, unë një rrugëzgjidhje kam, të vras veten! 8 vjet të dalësh nga spitali në orën 3, të marrësh autobusin e orës 7 që të vish të nesërmen që të bësh gjyq. Gjykata e Sarandës nuk do!”

Juristja Eni Çobani thotë se më 25.12.2010 komuna Lukovë e ka pajisur Valentina Stefanin me një leje ndërtimi, duke i dhënë të drejtën për të ndërtuar një objekt të përkohshëm, por në kundërshtim me këtë leje, ajo ka ndërtuar me tulla. Pasi Valentina nisi ndërtimin është shfaqurr Ylli Shehu, i cili ka pretenduar se është trashëgimtar i kësaj toke, duke mos e lejuar të vazhdonte punimet. Çobani shprehet se rezulton një çështje gjyqësore e hapur nga Ylli Shehu që më 20 Prill të vitit 2010, kur Valentina ende nuk e kishte marrë lejen. Më 30.06.2010, gjyqtarja Enkeleda Doda ka pezulluar këtë çështje, pasi paditësi pretendonte se ka patur një çështje tjetër paralel në këtë gjykatë.

Si është e mundur që kjo zonjë ka qenë e paditur në procesin e datës 30.06.2010, pra 6 muaj përpara? Kësaj pyetjeje përgjigjen nuk mund t’ia japim ne, do ta japin ato organe që do të merren me gjykimin e kësaj çështje. Valentina që këtu kemi një parregullsi proceduriale sepse ju keni hyrë në këtë proces pa marrë lejen e ndërtimit. Si jeni futur këtu? Kjo ngelet për t’u studiuar!”,

 u shpreh juristja  Eni Çobani.

E pyetur nga moderatori Ardit Gjebrea se përse ndërtoi me tulla, në kundërshtim me lejen e komunës, Valentina tha se e shtyn njerëzit, të cilët i thonin se të gjithë janë pa leje, ndërsa ajo që e ka dhe që e paguan tokën, do të ndërtojë më dërrasa.

Gjebrea iu përgjigj duke thënë: 

“Themi ky vend nuk bëhet, por nuk bëhet sepse jemi ne dhe nuk na ka faj vendi. Fajin e kemi vetëm ne! Gishtin ta kthejmë një herë nga vetja, pastaj nga shteti!”

Eni Çobani shprehet se Valentina ka gabuar, por gabimi më i madh ka ndodhur më 18.09.2007, kur tre gjyqtarë i kanë dhënë 6500 metra katrorë tokë në Borsh Ylli Shehut, duke saktësuar kufijtë e tij, pa asnjë palë kundërshtare, me mungesën e  Zyrës së Administrimit të Mbrojtjes së Tokës Delvinë, Zyrës së Administrimit të Mbrojtjes së Tokës Sarandë, Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Delvinë dhe Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Sarandë, me një akt – ekspertimi të rremë, e cila është vërtetuar nga Prokuroria Sarandë që është e falsifikuar. Ajo shton se Ylli Shehu nuk është bërë ende pronar i tokës, pasi Agjencia e Kthimit të Pronave nuk e ka bërë të tillë. Por Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka pezulluar gjykimin, duke lënë disa persona pa ndërtuar, pasi pretendohet se ai është pronar.  

Komuna Lukovë ka paraqitur pranë gjykatës disa vërtetime që toka, e pretenduar nga Ylli Shehu si pronë e trashëguar, janë pronë e shtetit. Një problem tjetër shfaqet ne dokumentin e lëshuar nga Gjykata Sarandë më 18.09.2007, pasi ky proces gjyqësor ka patur 3 gjyqtarë, por vetëm një prej tyre ka firmosur vendimin.

Juristja Çobani thotë që Valentina ka bërë kallëzim penal për ekspertizën e rreme dhe prokurori e ka pushuar çështjen, pasi kanë kaluar 8 vite dhe është parashkruar vepra penale, por ai ka “harruar” që ky vendim vazhdon të qëndrojë në dosjen e Ylli Shehut në Agjencinë e Kthimit të Pronave në Tiranë, i cili vijon të presë pronësinë e kësaj toke.

“Kodi, të cilit ti (prokurori) i drejtohesh për të gjykuar çështjet, të thotë që duhet të shkosh deri në asgjesimin e këtij dokumenti, që të mos përdoret më në asnjë proces gjyqësor dhe para asnjë institucioni që merr vendimmarrje administrative për pronën!

Në bazë të nenit 300 të Kodit Penal, nëse të gjithë ne jemi vënë në dijeni të një akti të kryer në kundërshtim me ligjin, kemi detyrimin ligjor të shkojmë dhe të bëjmë kallëzim penal. Nëse ju nuk e bëni, dënoheni më gjobë ose me burgim deri në 3 vjet. ”

Pas gjithë shpjegimit që u bë për këtë pronë, ku Valentinës i ka dhënë të drejtë komuna Lukovë të bëjë një objekt të përkohshëm, Arqilea vazhdon të kërkojë paratë që i ka dhënë për ta ndërtuar, përndryshe kërkon vetë pronën.

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” , në këtë seancë ndërmjetësimi i ka dhënë të drejtë Valentinës, e cila nuk ka para për t’i shlyer borxhin vëllait dhe jo këtij të fundit që kërkon t’i marrë ndërtesën në këmbim.

Arqilea – 

Çelësin nuk e jap, harroje atë punë! Ajo duhet të më kthejë ç’më detyrohet, veç atyre që i kam dhënë për dy operacionet që ka bërë se nuk i dua. Të më kthejë lekët e shtëpisë, unë i kam marrë çelësin, do t’i marr shtëpinë!

E

Çobani – E ule pak detyrimin se unë e dija që doje dhe ato të operacioneve …

Arqilea – 

Të më bëjë një proces, të më firmosë me ty zonja Eni, që i detyrohem kaq lekë.

E. Çobani – Po ti nuk na ke thënë sa lekë të detyrohet …

Arqilea – 

Ta thotë ajo. E di ajo sa i kam dhënë. Unë nuk e publikoj se …

E. Çobani – Z. Arqile, ju drejtohem edhe një herë, si motër tani kundrejt një vëllai të kuptojë …

Arqilea – 

Nuk bën vaki që ai çelës të jepet. Më vjen keq, por nuk bën vaki.

E. Çobani – Pra është e vetmja gjë, të cilën ju keni besim se duke mbajtur çelësin …

Arqilea – 

Po.

E. Çobani – Po zonja mund të bëjë edhe një çelës tjetër se s’është problem kjo.

Arqilea – 

Po mirë, le ta bëjë. Do bëj dhe unë tjetër.

A. Gjebrea – Po ku do rrijë zonja, jashtë?

Arqilea –

 As që më intereson fare. Ashtu i solli punët ajo dhe unë do t’i jap zgjidhje vetë.

Valentina – Nuk i solla unë vëlla, më detyruan …

A. Gjebrea – Po ç’faj ka ajo?

Arqilea –

 M’i jepni ju Ardit!

A. Gjebrea – Po ta kisha motër do ta kisha ndihmuar.

Juristja Çobani i thotë Arqileas që në momentin që pasuria do të vendoset në emrin e Valentinës, do të mund të bëjnë një marrëveshje. Por ai thotë se pa u bërë marrëveshja nuk do t’ia japë çelësin e shtëpisë, duke e mbyllur kështu këtë seancë ndërmjetësimi në rubrikën “Shihemi në gjyq” të emisionit “E Diela Shqiptare”./ 

tvklan.al

“POWER KIDZ 4”

Nikola Branko,

Lura Paheshti,

Kendi Prifti,

Arbi Myzeqari,

Sibora Huda,

Ajsi Kaliu

Të ngjashme
UKT