Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Rasti i parë i rubrikës “Ka një mesazh për ty” te “E diela shqiptare”, kishte protagoniste gjyshe Tahirenë, një zonjë shumë e ëmbël e cila kishte bërë shumë sakrifica për familjen e bashkëshortit të saj. Ajo ishte thirrur në studio nga mbesa e saj Erjona me të cilën jetonte, për t’i treguar që ajo është shumë e vlerësuar për sakrificat e bëra dhe gjithë dashurinë që i kishte dhënë gjatë gjithë jetës. Marrëdhënia e tyre është një shembull i sakrificës, mirënjohjes, dashurisë dhe ngrohtësisë që mbizotëron në familjet shqiptare.  

Erjona: 

Gjyshi im ka qenë i martuar para 55 vjetësh, i vdes gruaja nga një fatkeqësi. Kështu që vendos të martohet, dhe kurorëzohet me gjyshe Tahirenë që unë tashmë i them gjyshe me plot kuptimin e fjalës. Ajo nuk bëri fëmijë me gjyshin sepse thoshte nuk dua që të duket sikur po bëj diferencime, më mirë të rris fëmijët e burrit. Kjo ishte sakrifica më e madhe e saj që nuk hidhet poshtë. Erdhi momenti dhe vdiq gjyshi, gjyshja ngeli vetëm sepse pesë fëmijët e gjyshit nuk kujdeseshin fare për gjyshen.

Ardit Gjebrea: Edhe pse ajo i kishte rritur?

Erjona: 

Nuk interesoheshin fare, u harrua sakrifica. Megjithatë mami im edhe sot e kësaj ditë ka marrëdhënie shumë të mira me gjyshen. Mua më kishin pikë të dobët bashke më gjyshin. Unë jam rritur në shpinë e tyre, aty linda aty u rrita, aty kam dalë nuse. Unë bashkë me tim shoq e ndihmonim gjyshen shumë, mua dhe tim shoq Besnikun gjyshi na kishte lënë trashëgimtarë të shtëpisë. Dhe gjyshja e çoi amanetin e tij deri në fund, bëri testamentin. Ne vendosëm që kur të vdiste gjyshja të bëhej ç’të bëhej sepse nga ana financiare ishim shumë mirë. Por ne që të jetonim veç kunatit dhe kunatës, menduam të merrnin një kredi për të blerë një shpi. Kredinë filluam ta shlyenim me rrogën e tim shoq dhe jetonim për bukuri. Por para katër vjetësh, ma pushojnë nga puna, i bëjnë një padrejtësi. Ne të gjithë u bëmë shumë keq, unë bashkë me tim shoq, gocat kishin shumë shpenzime. Gjyshja na shikonte që vuanim por s’kishte ç’të bënte. Arritëm deri në atë pikë sa shpinë do ta konfiskonte banka sepse nuk po shlyhej kredia.

Ardit Gjebrea: U konfiskua shtëpia?

Erjona: 

Jo sepse tha gjyshja do e shesim shtëpinë. Shtëpinë e saj. Ajo bëri një sakrificë të madhe dhe e shiti shtëpinë. Erdhi të jetonte me ne. Ishte goxha entuziaste, kënaqej me gocat. Por u shqetësua sepse i mungonin miqtë dhe shtëpia që kishte pasur ishte e vjetër dhe mbarte të gjithë kujtimet me bashkëshortin. Megjithaë ne u rregulluam, kredia u shlye.

Erjona dhe vajzat tregojnë me emocionesh detaje rreth karakterit të nënë Tahiresë ndërkohë që stafi i së dielës shqiptare i dërgon asaj ftesën për t’u bërë pjesë e rubrikës.

Gjyshe Tahireja, një zonjë shumë simpatike, e fisme dhe e kuruar në pamjen e saj mbërrin në studio dhe mes humorit e batutave, Erjona i përcjell këtë mesazh:

Nëna unë nuk dal kurrë në televizor por sot dola vetëm për ty sepse të dua jashtë mase, të dua shumë. Sakrificën tënde, atë që ke bërë ti, unë e di shumë mirë. Të duam të gjithë shumë. Ti mos u shqetëso fare, azilin mos e përmend më. Në shtëpi do jetojmë të lumtur, unë, ti, vajzat dhe bashkëshorti im.

Gjyshe Tahireja: 

Edhe unë të falënderoj shumë të keqen nëna, që më mbani, më mbani shumë mirë. Me doni jo si gjyshe, po tamam si nënë dhe jam shumë e kënaqur sepse kam dy vajza si pëllumbesha.

Mes gjithë këtyre fjalëve e mesazheve të ngrohta, stërmbesa e saj Fjori i drejtohet gjyshe Tahiresë me këto fjalë:

 Nëna edhe ne nuk ta kemi shprehur aq sa duhet, sa të duam. Unë asnjëherë nuk të kam konsideruar si stërgjyshe apo si gjyshe, por si nënë e dytë. Nuk kam fjalë të përshkruaj sa të dua.

Rasti II

Tema e historisë së dytë të prezantuar në rubrikën “Ka një mesazh për ty” te “E diela shqiptare” shkon përtej personazheve pjesëmarrës në studio. Përdorimi i rrjeteve sociale dhe aparatëve prek të gjithë adoleshentët dhe të rinjtë e ditëve të sotme dhe Hasani nga Bulqiza erdhi sot në studio, për t’i kërkuar një premtim vëllait të tij adoleshent, Hasanit por edhe për të dhënë një mesazh dhe një mundësi për reflektim gjithë shoqërisë shqiptare.

Hasani: 

Shqetësimi im është jo vetëm i imi por mbarëshoqëror. Unë kam një lidhje shumë të veçantë me vëllain i cili është 10 vjet më i vogël se unë. Ai është student, unë jam mësues. Është ne vitë të dytë të shkollës së mesme, në Bulqizë.

Ai është një nxënës shumë i mirë, ka qenë gjithmonë shumë i mirë, mbaroi shkollën 9 vjeçare me rezultate të shkëlqyera. Me kalimin e kohës krijoi shoqëri, dhe filluan komunikimet, si çdo i ri që nis gjimnazin. Duke qenë se ai vazhdonte të mësonte shumë, vëllai tjetër i dhuroi atij një telefon të ri. Por këtu nis problemi ai filloi të ishte shumë aktiv. Shpenzonte shumë kohë nëpër rrjete sociale. Ai po humbte kohën.

Ardit Gjebrea: Sa kohë shpenzon vëllai yt në telefon?

Hasani: 

2-3 orë…Unë dua që ta ndaloj atë nga të shpenzuarit shumë kohë para telefonit. Koha është e çmuar, dua që ai ta menaxhojë mirë shkollën e mesme.

Duke qenë se ky rast fton gjithë shoqërinë për reflektim dhe për të trajtuar fenomenin më në hollësi, e ftuar ishte edhe pedagogia e Shkencave Sociale, e specializuar në Psikologji Sociale dhe atë Ligjore, Arjana Muça.

Muça: Unë do të këshilloja që të kalonte pak më shumë kohë cilësore me të vëllain, që do të thotë të jesh me të, të gjendesh aty kur ka nevojë, të luash me të dhe një lojë, të jetë çdo gjë e ardhur gradualisht dhe në mënyrë të natyrshme. Shembulli më i mirë është prindi, një prind që mban një libër në dorë, e nxit fëmijën për të lexuar një libër tjetër, e mbyll minutazhin e saj profesoreshë Muça.  

Stafi i së Dielës Shqiptare, i dërgon ftesën Adrianit në qytetin e Bulqizës. Ai mirëpriti ftesën dhe mbërriti në studio, ku nuk e fshehu habinë e tij kur pa të vëllain në ekranin e murit ndarës.

“Nuk mendoja se do të ishte dikush nga familja”,

 tha ai.

Mesazhi në studio: 

Adrian unë kam një mesazh për ty. U bëre ti nxitja e parë por flaka është më e madhe, përfshin gjithë shoqërinë shqiptare. Por unë kam për detyrë të të drejtohem ty, sepse të dua shumë, të dua maksimalisht. Unë i di aftësitë e tua, dhe për këtë dua që t’i të shmangësh telefoni, të jesh shumë më i përqëndruar në mësime, të kalosh shumë kohë me librat, sepse koha ikën dhe nuk kthehet. Vlerësoje shumë kohën. Është shumë e rëndësishme për ty. Shkolla e mesme është vendimtare për të ardhmen tënde.

Adrian: 

Unë e falënderoj shumë vëllain tim dhe i premtoj që do bëhem ai që vëllai gjithmonë ka dashur.

Pjesa e dytë përmbyllet me fjalët e drejtuesit të emisionit Ardit Gjebrea, i cili dha një mesazh jo vetëm për Adrianin por një nxitje për reflektim për të gjithë adoleshentët dhe të rinjtë që shpenzojnë së tepërmi kohë me pajisjet e tyre, duke lënë pas dore veten e tyre

.

“BLACK BOX”

Gara e shefave, te “E diela shqiptare” po bëhet gjithmonë më e ndjekur dhe e pëlqyer nga teleshikuesit.

Ashtu siç shpjegon edhe drejtuesi i emisionit Ardit Gjebrea në garë janë tetë shefa, të cilët në katër javë ndeshen me njëri tjetrin, secili prej tyre ka grumbulluar pikë por ata nuk janë përfundimtare, sepse të tetë shefat do kalojnë provën edhe të mishit edhe të peshkut. Në katër javët e ardhshme shefat që kanë gatuar mish do të gatuajnë peshk dhe anasjelltas. Garuesit e kësaj puntate vijnë nga restorante dhe hotele prestigjioze në Shqipëri.

Pjatat e tyre u vlerësuan nga juria e përbërë nga një prej shefave italianë më të famshëm të kulinarisë botërore, gjyqtar ndërkombëtar dhe instruktor i gjyqtarëve të garave të gatimit në botë, Domenico Maggi, si edhe dietologia Blerina Bombaj Troci. Pjatat e gatuara nga shefat u vlerësuan në katër aspekte, shija, organizimi, aspekti estetik dhe ekuilibri ushqimor.

Dy shefat, Artion Kurti dhe Arialdo Merko përgatiten për të bërë atë që ata dinë të bëjnë më mirë: të gatuajnë.

 Përbërësi sekret i puntatës së sotme, ishte peshku skumbri. Ndërsa shefat marrin tre minuta kohë për të përgatitur recetat e tyre, shef Maggi, anëtar i jurisë shpjegon arsyen e përzgjedhjes së këtij përbërësi.

Shef Artioni zgjedh ta gatuajë peshkun skumbri të filetuar, të marinar me hudhra me erëza. Më pas përgatit një lloj salce me speca, pomodorini, erëza. Receta e tij përmban, peshk skumbri, erëza, hudhër, speca, domate, bukë e thekur.

Ndërsa shef Arialdo, zgjedh një recetë me peshk skumbri, ullinj, finok, portokall, bukë e thekur.

Pas përzgjedhjes së recetave ata marrin 20 minuta kohë për të ekzekutuar pjatat e tyre gjithmonë me këshillat e dy anëtarëve të jurisë.

Blerina Bombaj Troci vlerësoi me 13 pikë Artionin, dhe 14 pikë Arialdon. Ndërkohë vlerësimi përfundimtar nga të dy anërtarët e

jurise shpalli fitues, shef Arialdon me 92 pikë nga 100 të mundshme.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Atë e bijë përballen sot në rubrikën “Shihemi në Gjyq” të emisionit “E Diela Shqiptare”. Familja Ahmetaj prej kohësh po vuan për tokën e saj dhe për këtë fëmijët akuzojnë prindërit. Brunilda dhe Selimi ishin sot në këtë seancë ndërmjetësimi, ndërsa tre fëmijët e tjerë e ndoqën nga publiku i studios. 

“Para disa viteve, kur u ndanë pronat me ligjin 7501, unë kam qenë e pamartuar dhe jetoja me prindërit, motrat dhe vëllezërit. Ndërkohë që u ndanë tokat, më takonte dhe mua 900 metra tokë. Pasi u martova, babi lidhi një kontratë me një ndërtues, të cilin nuk e njihte. Babi vendosi ta jepte tokën pa na pyetur ne fëmijëve. Unë herë pas here insistoj të pyes babin se përse e bëri këtë veprim dhe pse na ka futur në gjithë këto telashe sepse jemi futur në konflikte shumë të mëdha. Përvçse e humbëm tokën, nuk më kthen asnjë përgjigje në lidhje me këto. Ndërkohë ne fëmijët kemi hapur edhe një proces gjyqësor kundër nënës dhe babit sepse i dhanë tokën pa na marrë asnjë firmë ndërtuesit”.

 

Juristja Eni Çobani tregon se kërkesë-padia u pranua dhe është bërë konstatimi i pavlefshmërisë absolute të kontratës mes Selim e Zonje Ahmetaj dhe  shoqërisë “Mesaplik-05 sh.p.k”.

Selimi ndërhyn dhe thotë që u jep të drejtë fëmijëve, por edhe ata duhet t’i japin të drejtë kur të mësojnë se përse ka vepruar në këtë mënyrë.

Brunilda – Pse duhet ta dëgjojmë këtu? Pse nuk na e ke treguar në shtëpi kur kemi folur bashkë?

Selimi – 

Ne kemi një pronë te “Unaza e Re” të marrë me ligjin 7501 dhe kemi 26 vjet që e gëzojmë me të drejta të plotë.

E. Çobani – Sa veta keni qenë në certifikatën familjare kur e keni marrë?

Selimi – 

Ne kemi qenë 7 veta. Kur morëm pronën ishim të gjithë bashkë, tani jemi bërë 7 familje. Në vitin 2006 aty u bë një studim urbanistik dhe këto prona kaluan për zhvillim, ndërtime mbi 5 kate. Na vjen një ndërtues te shtëpia dhe na thotë që jam interesuar në hipotekë, kam gjetur pronën tuaj. Në atë kohë fëmijët e mi nuk ishin këtu, vajza e dytë ishte në Francë …

E. Çobani – Arsye nuk është kjo se ajo vjen nga Franca.

Brunilda – Mirë këta që nuk ishin këtu, por unë isha këtu. S’jam pyetur asnjëherë, jam trajtuar sikur jam fëmijë akoma.

Selimi – 

Dy djemtë ishin jashtë shtetit, nuk ishin këtu. Ne kemi dhënë 3045 metra katrorë tokë.

Vajza Enkeleda– Që nga Franca e merrja në telefon babin tim se kisha pyetur për atë ndërtues. Kam dy fëmijë të sëmurë dhe kisha vajtur t’i shëroja atje. E merrja, i thoja të lutem babi, vetëm me atë mos bëj kontratë pa ardhur unë se kisha pyetur e ai ishte një maskara, një hajdut!

Brunilda – Nuk ishte ndërtues, por ishte mashtrues! Ne ia kërkonim babit me insistim dhe ai më thoshte pusho se i di unë të gjitha.

E. Çobani – Babi që e ka lidhur këtë kontratë, s’do t’i merrte me vete dhe për ju do ta ketë lidhur detyrimisht.

Selimi – 

Sot unë jam në pension dhe prapë për këta fëmijë punoj sepse unë atë pronë nuk do ta marr në varr, këtyre do jua lë.

Vajza Enkeleda– Po, por çfarë na bëre?!

Selimi – 

Unë këtu disponoj një hartë të tokave të komunës Kashar të vitit 2006, të miratuar nga të gjithë institucionet e shtetit dhe thotë: “Republika e Shqipërisë, Këshilli Kombëtar i Territorit”, firma dhe vula e zotit Sali Berisha. Toka ime është futur në studim për pallate dhe në qoftë se kjo tokë nuk do të ishte në Komunën e Kasharit nuk do ta kapte ky studim urbanistik. Ndërtuesi në vitin 2013 nxjerr një leje ndërtimi në emrin tonë dhe të disa pronarëve të tjerë tokash. Çuditërisht, kur mbaroi kontrata e vitit 2007 dhe ne lidhëm një kontratë tjetër në vitin 2013 me këtë ndërtues. Aty u bë i gjithë gabimi im që unë e lidha këtë kontratë për së dyti me këtë ndërtues …

Brunilda – Prapë pa na e marrë firmën neve! Prapë pa u pyetur e pa u marrë parasysh kërkesat tona!

Selimi – 

Para se ta lidhnim kontratën e pyes çfarë do të bëhet këtu e më thotë ja do të dalë leja nesër, por e dua ta lidhim urgjent këtë kontratën. I them dua projektin dhe më thotë që ka kaluar dhe është miratuar, tani duhet të dorëzohet projekti e të miratohet leja. Ai u detyrua që më dha projektin. Kur e çojmë te një inxhinier shohim që një prona jonë ishte vënë në projekt pa e vënë në kontratë. Domethënë donin të na vidhnin një pronë se i kishim ngjitur.

E. Çobani – Ju jeni një familje bujqësore, e ndërtuar prej 7 individësh. Ligji që ju pajisi me tokë ka thënë: “Çdo pronë e ndërtuar në bazë të këtij ligji është pjesë në tërësi e familjes bujqësore”. Ti iu drejtove një noteri, por a i çove certifikatën e trungut familjar për të lidhur këtë kontratë sipërmarrjeje?

Selimi – 

Nuk ma ka kërkuar.

Brunilda – Kështu është justifikuar. Noterja i njeh ligjet, unë nuk i njoh. Por ç’kusur kemi ne të tjerët këtu?

E. Çobani – Në kontratën e parë sa keni pretenduar që jeni? Vetëm ju të dy, pra ju dhe Zonja?

Selimi – 

Ne kështu e kemi bërë, vetëm unë dhe gruaja, jo fëmijët sepse ndërtuesi dhe noterja na thanë që nuk ka nevojë, kur të bëni aneks kontratën duhet të firmosin edhe fëmijët.

E. Çobani – Ata ishin në dijeni që ishin edhe fëmijët dhe nuk jua … Ky është një problem i madh shumë!

Djali Gramoz – Noterja dhe ndërtuesi kanë thyer ligjin sepse ligjërisht duhet të na fusnin dhe ne në atë leje ndërtimi. Të dy e kanë mashtruar babin dhe babi ka rënë viktimë e tyre.

Brunilda shprehet pas vendimit të gjykatës menduan që mos ta prishnin kontratën, por të ndanin me njëri – tjetrin ato çfarë kishin rënë dakord Selimi me investitorin. Ajo thotë se problemet nisën kur ndërtuesi nuk pranonte të bëhej aneks kontrata.

Brunilda – Sa herë që shkonim tek pallati njoftohej policia dhe babi rrinte gjithë ditën në rajon sepse nuk lejohej të hynte në kantierin e ndërtimit. Babi insistonte të lidhej aneks kontrata që të ndaheshin pjesët takuese, ai njoftonte policinë e thoshte nuk keni pronë ju dhe lloj lloj justifikimesh. Ndërkohë që edhe në polici paska patur mbështetje të madhe mesa duket.

Selimi –

 Nuk na pranonte më ndërtuesi të hynim në pronën tonë sepse thoshte që ju keni probleme me pronën. Ne u interesuam në hipotekë dhe nuk na jepte njeri informacion. Ndërtuesi ishte lidhur me nëndrejtorin e hipotekës, Fatmir Isufin, që bënte falsifikimet në hipotekë e merte pjesën e tij dhe këtë e them me fakte.

Brunilda – Si mund të marrë ai pjesë, kur unë nuk kam marrë pjesën time?

Selimi – 

Ne, në mënyrë miqësore, ndërhymë në hipotekë dhe morëm dokumentacionin se çfarë ka prona jonë. Aty gjejmë që në pronën tonë kishin regjistruar dy shtëpi, një fillimisht. Kishte bërë njëri një legalizim, kur unë këtu kam një vendim që thotë: “Kur ka studim urbanistik nuk ka legalizim”. Një ligj tjetër e rregullon që këta informalët që kanë bërë shtëpi në tokën e tjetrit duhet t’i strehojë me banim ndërtuesi i pallatit. Ligji thotë nga 9 deri në 11 metra katror për frymë, por unë dhe ndërtuesi u lamë nga 200 metra katrorë për familje.

Brunilda – Shiko gabimi tjetër. Ju ka dhënë atyre që s’kanë asnjë dokument për tokën, kur unë pronarja e tokës nuk kam marrë asnjë centimetër. Babi im u fal 200 metra katrorë ndërtim informalëve.

E. Çobani – U fale tokë me koshiencë?

Selimi 

 Po.

E. Çobani – Po tokën e kujt fale?

Brunilda – Tokën e fëmijëve.

Selimi – 

Timen, tokën e familjes time.

E. Çobani – Nuk ka qenë tëndja, por e 7 vetave. Nuk je ti pronari Selim, është familja bujqësore Ahmetaj, ku ju jeni kryefamiljari dhe keni 6 anëtarë të tjerë.

Selimi – Ky është gabimi im. Mua të më falin fëmijët që kam bërë një veprim të tillë, por kjo punë nuk ka përfunduar.

Vajza Enkeleda – Shkon përditë në prokurori e nuk na tregon asnjë gjë.

Selimi – Unë u kam sjellë pasoja shumë të rënda fëmijëve të mi, por unë nuk e dija që isha lidhur me një grup kriminal, se kriminalë janë derisa kanë arritur të më vjedhin pronën, më kanë vënë edhe bomba.

Brunilda – I lejove ti të venin bomba se po të ishim pyetur ne s’do të kishin bërë asgjë.

Djali Ardi – Është e vërtetë. Mua më 4 Mars 2017 më është vënë tritol në makinë. Kam qenë me djalin tim 9 vjeç. I denoncuar si rast, unë jam arrestuar dhe pas 3 ditësh më ka nxjerrë policia. Faji është i këtij që na lidhi me ata kriminelë e mafiozë. E dinte ky se i kemi thënë mos u lidh me këta.

Selimi – 

Ne kërkonim një mbrojtje nga shteti se jeta jonë ishte në rrezikProkuroria vazhdonte hetimet e më pas mori një vendim të bëjë një akt-ekspertimi se  çfarë kishte ndodhur në këtë pronë. U caktuan disa oficerë të policisë gjyqësore dhe zbarkuan në këtë pallat, që sot ka mbaruar dhe kanë hyrë njerëzit. Avokati im thotë që duhet të njihemi me akt – ekspertimin, ndaj i bëjmë një kërkesë prokurorisë. Pasi e lexojmë, aty dalin të gjitha të palarat në shesh.

Ndërtuesi na kishte marrë jashtë lejes së ndërtimit 800 e ca metra katrorë, për të cilën jemi ankuar disa herë deri te kryeministri. Pastaj shikojmë që gjithë pallati ishte shitur dhe ne s’kishim asnjë gjë!

Aty gjejmë hajdutin që na kishte vjedhur pronën, Fatmir Isufin, nëndrejtorin e Hipotekës, të cilin ne e kemi kallëzuar penalisht. Ai është i kujdesshëm, nuk e kishte regjistruar në emrin e tij këtë pronë, por në të nipit. Kush është nipi i tij? Është njëri që bën llaç dhe ka marrë gjithë katin e dytë të pallatit dhe ka bërë 16 dyqane! Çfarë bën shteti? Çfarë bën prokuroria?

Gramozi – Këta janë një grup shumë i madh që na mpleksi babai me ta. Grupi është shumë i organizuar.

E. Çobani – Ju flisni me hamendësime sepse nuk keni prova e fakte.

Gramozi – Këto janë me prova dhe fakte dhe ne mbajmë përgjegjësi për të gjitha këto se i kemi kaluar në kurriz.

Selimi – Këta donin që këtë vjedhje ta finalizonin se s’bën. Shkon një qytetar te verifikimi i titujve të pronësisë, te Lindita Tako, e cila brenda 10 ditësh merr një vendim, të hiqet toka e t’i kaloj shtetit.

Gjyqtari Avni Sejdi, që çfarëdo lloj gjëje mund t’i thuash vetëm gjyqtar jo. Zoti gjyqtar hajde rrëzoje pallatin e jepja tokën shtetit, kur unë kam 26 vjet që e gëzoj atë pronë. Gjyqtari ka marrë një vendim me vdekje për 28 pronarët e tokave.

E.Çobani – Ju i jeni drejtuar gjykatës dhe jeni bërë bashkëpronarë. Përmëndëm të dy kontratat që Selimi ka lidhur me këtë zotërinë dhe që ju me të drejtë i keni nxjerrë të pavlefshme. Kur jeni pajisur me këtë akt-marrje toke Selim?

Selimi – 

Në vitin 1993.

E. Çobani – Fillimisht e keni patur në përdorim.

Selimi – 

Nga viti 1993 deri në 1998 e kemi patur në përdorim, pastaj e morëm në pronësi.

Juristja Çobani tregon se pretendohet që më parë janë marrë vendime të gabuara pasi personat nuk kanë patur shumë informacione mbi ligjet, ndaj dhe rishqyrtohen. Sipas ligjit, nëse Komisioni i Pasurive të Paluajtshme e gjen pasurinë në emrin e pronarit të parë mund të ndërmarrë veprim dhe jo kur prona është tjetërsuar, siç ka ndodhur me rastin e familjes Ahmetaj. Pra, shoqëria që ka lidhur kontratën e sipërmarrjes me Selimin dhe bashkëshorten e tij, Zonjën, gëzon titullin e pronësisë tanimë. Zonja Eni shton se nuk mund t’i merret toka pronarit pas 20 vitesh, për më tepër nga po i njëjti institucion që i është dhënë.

Një nga djemtë e Selimit, Gramozi tregon se i kanë dorëzuar gjyqtarit Avni Sejdi një vërtetim ku thuhet se toka e tyre ka mbivendosje dhe se për këto familja Ahmetaj ka kallëzuar penalisht Hipotekën dhe Komisionin e Verifikimit  të Titujve në Pronësi në prokurori, duke i kërkuar në këtë mënyrë pezullimin e gjyqit deria prokuroria të marrë një vendim. Por gjyqtari vijoi gjyqin dhe doli me një vendim që ata e cilësojnë si “dënim me vdekje”.

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” i dha të drejtë fëmijëve të Selimit dhe jo këtij të fundit, i cili ka vepruar i vetëm për  fatin e pronës së tyre familjare.  

Kjo seancë ndërmjetësimi arriti të qetësojë marrëdhënien e agravuar prej kohësh të familjes Ahmetaj.

“POWER KIDZ 4”

Konkurentët:

Dea Celibashi,

Enri Maliqi,

Dalia Kaciqi,

Bora Fetahu,

Bjorna Nushi,

Daniel Pojani