E DIELA SHQIPTARE – EMISIONI 22 (SEZONI 11) – TV KLAN

E DIELA SHQIPTARE – EMISIONI 22 (SEZONI 11)

Emision: 24.02.2019

Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”
Rasti I

Megjithse e martuar me dashuri, Blerta nuk arriti të mbante të bashkuar familjen e saj. Në përpjekje për të krijuar një të ardhme më të mirë për dy fëmijët e saj i ktheu kurrizin gjithçkaje, përfshirë dhe bashkëshortit, i cili i bëhej pengesë.

Blerta Koçiasi vjen nga Korça. Ajo është nënë e dy fëmijëve, Elenës dhe Ersit. Në emisionin “E Diela Shqiptare” në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”, ajo ka një mesazh, por edhe një premtim për fëmijët e saj.

Blerta tregon se në moshën 19 vjeç vendosi të lëri prindërit dhe vëllezërit dhe mori iniciativën edhe pse ata nuk ishin dakord, të shkonte tek ish-burri dhe të formonte një familje.

“Vendosëm bashkë që unë të largohesha dhe u largova. Më rrëmbeu më saktë. U largova dhe nga ai moment filloi jeta ime. Për një vit e gjysmë nuk kam folur me prindërit dhe vëllezërit. Ka qenë një katastrofë e vërtetë, edhe pse unë në atë një vit e gjysmë ngela shtatzënë me gocën. Edhe pse nisi jeta e re ishte e vështirë për mua. Fat ishte martesa e vëllait të madh, për të shkuar tek prindërit dhe të bashkohesha me ata, sepse vëllai tha nëse nuk vjen motra unë nuk bëj dasmë. Për mua ishte shumë e rëndësishme.”

Ardit Gjebrea: Bravo. Me pesë vëllezër edhe guxove?

Blerta: Guxova. Nuk e di, por guxova.

Ardit Gjebrea: Pse nuk u shpërblye ky akt i yti ? Flas nga ana e bashkëshortit.

Blerta: Se di. Pyes veten se ku kam gabuar, por nuk e di. Pas kësaj martese kam dy yjet e mi. Goca bën 18, ndërsa djali 16 në Prill. Unë jam shumë e lumtur, jam shumë e plotësuar në kuptimin që edhe pse nuk kam një bashkëshort në krahë që t’i rris ata fëmijë, jam shumë, shumë e lumtur. Ata janë forca ime që unë eci përpara dhe jetoj.

Ardit Gjebrea: Më trego pak momentin kur u divorcove. Si e përjetuan fëmijët ?

“Kur unë jam ndarë, goca ka qenë 8 e gjysmë dhe çuni 6 e gjysmë. Çuni fillonte klasën e parë dhe goca në klasën e dytë. Ishte shumë e vështirë, largësia për të shkolluar fëmijët ka qenë një katastrofë. E çoja gocën me kalë dhe e merrja me kalë nga shkolla, sepse ishte 50 minuta larg nga autobusi. Në këmbë ishte e vogël, jetonin në një fshat të Korçës. Nga aty merrte autobusin dhe vazhdonte rrugën për në shkollë. Kthehej me autobus dhe dilja ta merrja me kalë. Erdhi mosha që do shkonte në shkollë djali, gocën e kam futur 1 vit me vonesë. Vendosa të divorcohem, nuk ishte për shkak të grindjeve, por edhe për shkak të shkollimit. Unë vendosa të divorcohem, për një mundësi më të mirë për fëmijët. Kam shkuar tek babai im, sepse shkollën e kisha shumë afër. Nuk kisha mundësi tjetër. Bashkëshorti nuk donte, ai donte të rrinte aty ku ishim, e kishte të vështirë të largoheshim. Edhe pse kisha grindje në familje, mund t’i tejkaloja”.

Ardit Gjebrea: Pra shkollën e fëmijëve nuk e toleroje dot, doje që ata të shkolloheshin.

Ardit Gjebrea: Ti çfarë arsimi ke ?

Blerta: 8-vjeçar Ardit.

Ardit Gjebrea: Është ky një peng i jetës tënde që tashmë do që ta rikuperosh tek fëmijët e tu?

Blerta: Nuk fajësoj njeri, s’fajësoj prindërit se kushtet mbase i kanë bërë edhe ata të kuptoj se s’mundesha, ose nuk mundeshin ata për të më shkolluar mua, por unë do insistoj, do bëj sakrificat më të mëdha për të shkolluar fëmijët e mi.

Gazetari i rubrikës “Ka një mesazh për ty” shkoi në Korçë për t’i dhënë mesazhin dy fëmijëve, Elenës dhe Ersit. Ata pranuan me kënaqësi, por në studio hyri vetëm Elena, ndërsa Ersi e priste në ambientet e Tv Klan.

Blerta: Duhet të kuptoni që çdo sakrificë e bëj vetëm për juve. Dua të më premtoni që do të lini celularët dhe të shikoni shkollën. Për mua, jeta për ju është shkolla. Ju lutem.

Ardit Gjebrea: Ky ishte mesazhi, thjeshtë, pastër, qartë, shkurt, bukur.

Elena: Normalisht që ajo ka sakrifikuar gjithë jetën e saj për ne dhe ne do mundohemi t’ia shpërblejmë në të njëjtën mënyrë. Pse jo duke mësuar dhe duke arritur diçka.

Ardit Gjebrea: Sa kohë qëndroni ju në telefon ?

Elena: Varet, jo gjatë gjithë kohës, sepse normalisht kemi familje, kemi njerëz në shtëpi, por që jemi shumë të fokusuar tek telefoni.

Ardit Gjebrea: Me mësime si je?

Elena: Mirë. Kënaqshëm jo, por që mirë.

Ardit Gjebrea: Ti e di sakrificën që ka bërë mami për ju apo jo? A nuk do ia vlente që ta linit atë celularin dhe t’i jepni më shumë kohë studimit?

Elena: Ia vlen, kjo dihet, por që ndonjëherë dëshira të rrëmben. Të merresh me diçka që të përshtatet moshës tënde dhe ty. Kush nuk do t’ia shpërblej. Ne do mundohemi.

Ardit Gjebrea: Nuk është problemi i shpërblimit. Çfarë shikon në celular? Facebook-un?

Elena: Instagramin.

Ardit Gjebrea: Unë e kuptoj që mund të marrësh një kohë të caktuar duke parë Instagramin, por të shpenzosh orë e orë duke parë se me kë është Arditi, çfarë po ha Arditi, ça ka veshur Arditi, çfarë operacioni plastik ka bërë Arditi, fjala që bie se nuk e bëj, por më duket pak e tepruar. Ty më shumë të duhet jeta jote sesa jeta ime dhe në qoftë se të duhet jeta jote merr librat. Nëse nuk lexon, do shpenzosh gjithë kohën se çfarë bëj unë në Instagram, por unë e kam në terezi, se një foto e bëj për 1 minutë e hedh edhe mirupafshim. Aty fillon dhe aty mbaron.

Përpjekjet e Blertës për të parë të realizuara ëndrrat e saj tek fëmijët kanë patur vështirësi. Elena dhe Ersi do e kuptojnë sakrificën e mamasë së tyre për t’i shkolluar ashtu siç ajo u premton se do jetë më shumë prezente në jetën e tyre, duke nisur nga sot. Çdo gjë duhet të jetë e balancuar, sidomos në marrëdhënien prind-fëmijë.

“KA NJË MESAZH PËR TY”
Rasti II

Donika ka kaluar një kalvar të vërtetë vuajtjesh me familjen e ish-bashkëshortit të saj. E sikur të mos mjaftojë fakti që ajo po rriti e vetme fëmijët në Itali, paragjykimet e ndjekin nga prapa. Opinioni i shtyn prindërit e saj që vazhdimisht t’i kërkojnë që të rikthehet tek martesa e mëparshme. Ajo ka ardhur për t’i thënë “stop” kësaj situate.

“Unë isha dhjetë vjeç, gjyshja pësoi një paralizë dhe u ndjeva shumë keq, por ashtu prapë e sëmurë kishte atë dashurinë e vet. Gjyshja ndahet nga jeta, por unë isha gjithmonë mbas gjyshes dhe prindërit mendonin se unë nuk i doja ata. Vdes gjyshja dhe bëjmë 6 mujorin e saj. Mamaja shkon për të ndihmuar një komshie aty bëjnë muhabet për të lidhur një fejesë. Unë isha 15 vjeç, ndërsa djali ishte 28, pra 13 vite më i madh dhe jetonte në Itali. Djali më takoi dhe tha këtë vajzë nuk mund ta fejoni në asnjë vend, sepse kjo do jetë e imja, pa përgjigjen time, pa praninë time. Nuk e njihja fare. I thanë që unë doja, më detyruan, komshia gënjeu dhe unë u fejova. M’u këput shpirti më keq, sesa kur vdiq gjyshja. Të nesërmen ai iku në Itali. Nuk mund ta duroja më jetën. Shkova tek shtëpia e tij që atë ditë dhe ndjenja dy javë me nipër, mbesa, kunata, vëllezër që një person i vetëm nuk ia dilte dot. Në Korrik u fejova, në Maj vjen im shoq, një javë kaloi fejesa dhe pastaj vendosëm të martoheshim. Vjehrra më thotë nëse nuk je shtatzënë do të çoj andej nga ke ardhur. Dua të shtoj familjen më thoshte. Mbeta shtatzënë në Dhjetor. Duhet të vazhdoja me analizat, kontrollohet, mirëpo një ditë ishte ditë e humbur për to, sepse duhet të shërbeja. Isha 7 muajshe dhe vjehrra për të ditur se çfarë do vinte në jetë shkuam në spital”.

“Ata donin djalë, por unë me zemër doja një vajzë. Linda njërën vajzë dhe mbeta prapë shtatzënë për të lindur një djalë, por përsëri erdhi një vajzë dhe ata e pritën përsëri më keq. Burri ishte në Itali, në lindje ka qenë vetëm 2 javë dhe më pas ka ikur. Pas dy vitesh ngela prap shtatzënë për të lindur djalin dhe fëmija i tretë erdhi djalë. Babai i fëmijëve nuk ekzistonte. Fëmijët i thërrisnin baba kunatit. Familja e burrit nuk më linin që unë të flisja dhe të përshëndesja njerëzit aty afër, sepse djali i tyre abuzonte ndaj alkoolit dhe kishte problem edhe bixhozin”.

“Linda djalin dhe e futën në inkubator, sepse ishte në rrezik për jetën, nuk më vinte askush. Isha si skllave, është shumë e rëndë, por ashtu ndiesha. Ata ishin shumë, por unë isha vetëm një. Gjashtë fëmijë nuk mund të jetonim në një shtëpi, sepse familja u shtua. Duhet të ndërtonim një shtëpi. Unë kam edhe motrën që u martua me kunatin e vogël, vjehrra vendosi që njëri nga këta duhet të kujdesej për prindërit e mi dhe donte që mua dhe burrin tim të më kthente tek prindërit, sepse atje kishte tokë dhe ndërtuam shtëpinë”.

“Mbas tre viteve, goca bëri 7 vjeç, mamaja shkon tek vjehrri dhe vjehrra dhe rrugës për në shtëpi goca kishte lotuar, syri ishte nxirë dhe lotonte. Në Peshkopi nuk kishte okulist, mjekët më thanë të shkonim në Maqedoni ose në Tiranë. Vjehrri dhe vjehrra më thanë mos u bë merak. Vajza arriti në një pikë sa humbi shikimin. Babai i vajzës më thoshte të pyesja prindërit. Nuk besonin, thoshin se unë e ekzagjeroja. Kur vajza u bë keq shkuam në Tiranë. Shikimi nuk i vjen më, thanë mjekët, rrezikohej jeta, sepse infeksioni kishte kaluar në një gradë shumë të rëndë. Vjehrri thoshte se s’ka më fugona për në Dibër, nuk donte t’ia dinte për vajzën. Unë jetoja me prindërit, ai vinte i pirë, ishte i dhunshëm”.

“Ishim dy motra për dy vëllezër, sakrifikoja aq shumë që mos të shkatërrohej familja e motrës, prindërit. Edhe sot nuk e kam bërë divorcin. Shkova në Itali, për të vizituar gocën, sepse këtu nuk mundesha. Vajzës iu rikthye shikimi. Goca më falenderon çdo ditë për këtë. Atje fillova edhe punë, por të gjitha paratë i merrte ai, vendosa të shkoj në polici dhe morën masën mbrojtëse 600 metra mos të afrohej, por nuk e zbatoi dhe vinte i pirë. Aktualisht është në arrest edhe për 2 vite.”

Këtë herë gazetari i rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” shkoi në Maqellarë, Dibër për të dhënë mesazhin Agushit dhe Nafijes, dy prindërve të Donikës.

“Unë kam ardhur që ju nuk duhet të jetoni më për njerëzit, që ju të jetoni ashtu siç jeni, jo nën presionin e të tjerëve. Ju e dini sa kam vuajtur unë me katër fëmijë, por më shumë e vetme. Kam ardhur këtu ta bëj publike, sepse ju gjithmonë më thoni faji jot. Nuk është faji im, kur dikush nuk e do veten dhe fëmijët e vet, nuk do asnjë në botë përveç alkoolit dhe bixhozit. Ju e dini shumë mirë sa kam vuajtur, por kjo është më shumë kur ju më merrni në telefon, apo keni ardhur nga Dibra vetëm për të më thënë që duhet ta falësh, por ishin gjykatat ato që vendosën për fatin e atij, nuk vendosa unë. Mamaja gjithmonë më merrte gjithë njerëzit dhe kurrë nuk ma ka thënë në sy që ti duhet ta falësh, apo diçka tjetër. Nuk është e mirë për një fëmijë që dy prindër të thonë që për ne je shkatërruar, nëse ti nuk e tërheq denoncimin, por nuk ishte në dorën time. Jam ndjerë shumë keq, kur ti erdhe nga Shqipëria dhe më the kam ardhur babai këtu të them disa fjalë, sepse babai jot nuk mund të flejë natën, sepse kur zgjohem në mëngjes gjej familjen e burrit në shtëpi për të më thënë që duhet të flasësh me vajzën. Erdhe dhe më the një fjalë shumë të rëndë, jam mërzitur shumë, sepse ti nuk je ai që e thua këtë, por nga presionet e të tjerëve më the që ti nga unë je e vdekur, nëse ti nuk e fal më burrin tënd dhe i nxehur ike, kur unë kam duruar 15 vjet, pa folur me asnjë njeri në botë, që im shoq abuzonte me alkoolin, me bixhozin. Tani kur unë mora një vendim, të gjithë njerëzit thonin e la Donika burrin. Po kur ai burrë e linte Donikën të vetme? Pa bukë, me lot.”

Ardit Gjebrea: Agush, kam unë një pyetje për ty. Ti e di gjithë historinë e vajzës tënde. Ti e di shumë mirë se ç’ka hequr ajo. Edhe zonja jote e di. Po pse i thoni që ta falë atë ?

Agushi: Ardit, njeriu bën në jetën e vet një gabim.

Ardit Gjebrea: Po 15 vjet Agush ?

Agushi: Rakinë e pinte ai, luajti bixhoz. Tani dënimin e ka mbaruar. Të gjitha gabimet që ka bërë i ka pranuar. Kjo tani është në dëshirën e vajzës nuk është në dëshirën time. Si të dojë vajza.

Ardit Gjebrea: Po si mundet që një baba ti thojë vajzës fale? A e do vajzën tënde Agush?

Agushi: Unë e dua vajzën time.

Ardit Gjebrea: Po ta ka rrahur, ta ka dhunuar.

Agushi: Këto nuk i kam ditur të rrahurat.

Ardit Gjebrea: Sigurisht që po.

Agushi: Jo, sigurisht që jo. Nuk i kam ditur.

Ardit Gjebrea: Atëhere, të ka dhunuar apo jo Donika?

Donika: Po.

Agushi: Për dhunë ne nuk e dinim.

Ardit Gjebrea: Në mënyrë sistematike, por Donika nuk ka dashur ndoshta dhe të të lëndojë që të thotë.

Agushi: Nëse e ka rrahur, të nesërmen të më tregonte mua.

Ardit Gjebrea: Çfarë do bëje ti?

Agushi: Unë vëlla e motër nuk kam, do mblidhja fisin dhe ta shkatërronim këtë punë. Ai në punë të vet dhe vajza në drejtimin e saj.

Ardit Gjebrea: Agush kanë ikur ato kohëra. Sot nuk ka më farefis.

Agushi: Unë vajzën time nuk e kam prek, e kam rritur si me bukë e pa bukë.

Ardit Gjebrea: Sot nuk është më koha të mbledhësh farefisin, sepse nëse farefisi thotë që vajza ta durojë, do ta durojë vajza? Sot vendos vajza për jetën e vet dhe për fatin e vet.

Agushi: Kur shkurorëzohet një familje duhet të mbledhësh farefisin që kush i ka fajet.

Ardit Gjebrea: Unë i respektoj shumë zakonet tuaja, por në këtë rast ky zakon nuk vlen, kur ka drru në mes.

Agushi: Ka bërë gabim vajza që nuk më ka treguar.

Ardit Gjebrea: Ja tani vajza ta tregoi. Tani vajzës nuk besoj që ju do t’i thoni më fale.

Agushi: Ajo e di vetë.

Ardit Gjebrea: Ajo e di vetë këtë gjë, derisa nuk e fal, por asaj i dhemb shpirti që ti nuk e mirëkupton. Ajo ju ka thirrur sot të dyve që ta mirëkuptoni vajzën. Sepse ajo e di vetë këtë gjë, fëmijët e kanë parë vetë. Imagjino ato fëmijët që i keni si dritë, mbesat dhe nipin që të shikojnë nënën e tyre që dhunohet nga babai. Si mund të rriten ato fëmijë me këto skena përpara syve ? Ata do t’i marrin me vete gjatë gjithë jetës këto skena dhe do jenë të traumatizuar që të kenë në kujtesën e tyre jo një nënë që përqafohet nga babai i tyre, por një nënë që dhunohet nga babai i tyre. Këtë ne duhet ta kuptojmë shumë fort dhe mos ta lejojmë.

Agushi: Ajo e di vetë, unë sa të kem mundësi do e mbështes.

Ardit Gjebrea: Dhe do jesh me vendimin e saj.

Agushi: Po me vendimin e vajzës, patjetër.

Ardit Gjebrea: Ajo e ka zgjidhur jetën e vetë. Tani do dashurinë tuaj dhe mbështetjen tuaj, sepse për fat të mirë ajo i ka dalë zot vetë jetës dhe madje bravo i qoftë që çon përpara një familje me fëmijë. Ajo ka ardhur enkas nga Italia, sepse i dhemb shpirti për ju dhe nuk do edhe një dhimbje tjetër, se boll dhimbje ka patur në jetë.

Agushi: Prej nesh s’do ketë dhimbje kurrë.

Të kthehesh pas nuk është zgjidhja e duhur, por as të harrosh çfarë ka ndodhur. Tani që Donika gjeti mbështetje nga prindërit e saj, një kapitull i ri hapet në jetën e saj. E ardhmja është gjithmonë më e bukur sepse lufton paragjykimet e vjetra. Ky ishte një mesazh i fortë për të gjithë prindërit që gjenden në pozita të tilla si Agushi dhe Nafija. Në fund të ditës, asgjë nuk ka më të shtrenjtë se familja. Nëse një pjestar vuan, e gjithë familja vuan.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

POWER KIDZ 5!

“SHIHEMI NË GJYQ”

Këtë të diel në rubrikën “Shihemi në Gjyq” tek “E Diela Shqiptare” ishte Albi Zeko, i cili kishte sjellë babanë e tij Flamur Zeko, të cilin e akuzon si shkaktar të divorcit të tij dhe faktit që prej më shumë se 1 viti e gjysmë nuk takon 3 fëmijët e tij. Babë e bir kishin 6 muaj pa folur me njëri-tjetrin për shkak të kësaj çështjeje.

Albi Zeko: Kam sjellë babanë tim këtu sepse ai ishte shkaktari që unë arrita deri këtu. Ai zotëria është shkaktari i divorcit dhe mostakimit të fëmijëve.

Flamur Zeko: E para, mua nuk ke pse të më thuash zotëri, mua më ke baba. E dyta, cili prind do që të ndahet fëmija? Ishe me 3 fëmijë zotëri dhe unë vajta në Greqi për të ndihmuar familjen.

Albi shpjegoi që në vitin 2016 kishte hapur në Gjirokastër një gjyq për divorcim nga Silvana Karagjozi, me të cilën kishte 3 fëmijë. Por gjyqi u pushua nga i ati i tij, pas një tentative për t’i pajtuar bashkëshortët. Në krahun tjetër, vetëm pak kohë pas pushimit të gjyqit, Silvana kishte nxjerrë në policinë greke një urdhër mbrojtjeje nga bashkëshorti me pretendimin për dhunë në familje. Por gjykatat greke e shpallën të pafajshëm Albin.

“E bënte për xhelozi, apo donte të më nxirrte nga shtëpia? Këtë nuk e kuptova”, tha Albi.

Flamuri tha se gjithçka e kishte bërë nga dëshira e mirë për të shpëtuar një familje dhe se nuk e kishte pritur që nusja e tij t’ia punonte pas shpine.

Albi Zeko: A e dije që bënte sherr në shtëpi?A e dije që djali të thotë ngaherë që nuk e di nëse do vete në shtëpi dhe do më bëjë sherr, apo s’do më bëjë sherr gruaja?

Flamur Zeko: Ore ti të mi kishe thënë.

Albi Zeko: Të thashë që unë nuk vete dot të në shtëpi dhe rrija në lokal jashtë, se nuk veja dot në shtëpi.

Flamur Zeko: Ore ti të mi kishe thënë këto probleme dhe ta zgjidhja ndryshe problemin.

Albi Zeko: Zonja Eni, unë prisja që ta zinte gjumi gruan që të futesha në shtëpi që të mos më bënte sherr.

Zonja Eni: Pse deri në këtë pikë kishit mbërritur?

Albi Zeko: Po, kishim arritur deri në këtë pikë.

Zonja Eni: Zakonisht kur e zinte gjumi?

Albi Zeko: Mund ta zinte në 11 të natës, mund ta zinte në 12 të natës.

Zonja Eni: Dhe ju deri atëherë rrinit jashtë?

Albi Zeko: Më merrte babai në telefon dhe më thoshte, ku je? Përjashta je akoma? Çfarë të bëj, i thosha, jam përjashta. Ik, futu në shtëpi dhe fli gjumë – më thoshte, mos bëj sherr ti. Duke i ditur të gjitha këto probleme, vete dhe e mbyll gjyqin. Me ç’të drejtë e mbyll gjyqin ti? Gjyqin e kisha hapur unë.

Albi tregon edhe si e kishte zbuluar tradhtinë e bashkëshortes.

Albi Zeko: Një moment që kishim konflikte në darkë me bashkëshorten, isha në Facebookun e saj dhe aty zbulova të gjithë të vërtetën.

Zonja Eni: Tani të të bëj një pyetje. Albi, më ndje, tani telefoni i saj në dorën tuaj dhe ju shikoni Facebookun e saj, cila ishte arsyeja? Më fal që të pyes, është gjë private, por…ndodh shpesh kjo, për çfarë arsyeje burri duhet të marrë telefonin e gruas, nuk duhet të ketë fare privacy?

Albi Zeko: Arsyeja ishte e thjeshtë, jo për xhelozi, por për të parë një video, nuk e mbaj mend, thjeshtë ma dha zonja për të parë një video, kur erdhi mesazhi i lidhjes së zonjës dhe aty filluan grindjet më të mëdha.

Zonja Eni: Pra ju zbuluat nëpërmjet telefonit që gruaja kishte disa vite në një lidhje jashtëmartesore…

Në një lidhje telefonike me zonjën Eni Çobani, Silvana Karagjozi tha se nuk kishte asnjë gjë për të thënë. “Çdo gjë e ka zgjidhur shteti. Të më falësh, përgjigjen e ka marrë në gjykatë.”

Një veprim ky që çuditi jo pak zonjën Eni Çobani, e cila tha se nuk bëhej fjalë më për çiftin, por për fëmijët, të cilët kanë dy prindër dhe jo një.

Albi thotë se bashkëshortja i ka thënë edhe se fëmijët nuk janë të tijtë.

Albi Zeko: Më thotë vajzën e kam çuar tek babai i saj që ia gjeta mbas kaq kohësh. Mos më merr më në telefon. I thashë marr për fëmijët, jo për ty zonjë e nderuar, ti ke gjetur rrugën tënde dhe unë time.

Zonja Eni: Pra pretendohet se fëmijët nuk janë tuajt?

Albi Zeko: Ashtu thotë zonja Eni, dhe ia kam dërguar me mesazh vajzës së madhe, i them i thuaj mamasë meqë nuk më përgjigjet në telefon që të ma japë me deklaratë dhe të vete të bëj ADN-në e fëmijëve dhe të ma japë me deklaratë që këta fëmijë nuk janë të mitë. Deri atëherë unë do të përgjigjem për fëmijët sepse janë të mitë.

Zonja Eni vuri në dukje edhe parregullsitë gjatë proceseve gjyqësore, duke theksuar se psikologia nuk mund të marrë fëmijët në intervistë me “skype” dhe në një gjuhë të ndryshme nga ajo e vendit në të cilin zhvillohet gjyqi.

Në përfundim të seancës së ndërmjetësimit, Albi Zeko kërkoi që të rivazhdojë gjyqet nga e para.

Zonja Eni: Ardit, mua më vjen shumë keq, por sikur vetëm një element i gjyqit të dalë i pavlefshëm, i gjithë vendimi del nul. Unë pres reagim nga të gjithë kolegët, për këto vendimmarrje që kanë marrë sepse nuk ka qenë një, duhet të themi të vërtetën. Kanë qenë 3 të shkallës së parë dhe 3 të apelit. Si është e mundur që nuk është kontrolluar për asnjë moment vërtetësia e dokumentacionit të psikologëve, që është e para, forma e pyetjes së fëmijëve, gjuha e përdorur dhe si është e mundur që gjykata ka vlerësuar me gjuhën greke një vlerësim psikologjik që ka bërë psikologia me tre fëmijë që nuk dinë asnjë fjalë shqip?

Zonja Eni i premtoi ndihmë Albit në betejën e tij të drejtë ligjore për të takuar fëmijët e tij.

BE coffee!

Kategori
E DIELA SHQIPTARE
0 Komente

Përgjigju

*

*