#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Udha e Shkronjave”- NE vs ALAN

Ka një mesazh për ty- E “shpëtuan” nga Bregu i Lumit, supriza e Anxhelës

“Nëna shiste gjakun e saj që të na rriste”, një histori mbijetese: Çaja dru për dymijë lekë

Anxhela nuk di as shkrim, as këndim, por gjeti një mënyrë për të kontaktuar “Ka Një Mesazh Për Ty” dhe të rrëfejë historinë e saj. “E diela shqiptare” në Tv Klan kësaj here është zhvendosur jashtë studios dhe ka shkuar drejt Teatrit të Operas dhe Baletit për ta takuar. Me një qese në dorë, Ardit Gjebrea takon Anxhelën, e cila nis të tregojë se si është të mbijetosh çdo ditë me lëmoshën e njerëzve, duar që zgjaten për ca monedha apo për të rrëmuar në koshat e mbeturinave.

Ardit Gjebrea: Ti ke lindur në Korçë, apo jo? Sa fëmijë keni qenë në shtëpi?

Anxhela: Po. 8 fëmijë.

Ardit Gjebrea: Si ishte jeta jote?

Anxhela: Babi më ka vdekur kur isha 6-7 vjeçe. Mamaja detyrohej të shiste gjakun e trupit që na rriti ne 8 fëmijët, gjysmë kile gjak, dyzetmijë lekë.

Ardit Gjebrea: Të vjetra?

Anxhela: Po. Në momentin që ne u rritëm një çikë, dilnim, lypnim, lanim, pastronim.

Ardit Gjebrea: Në Korçë?

Anxhela: Po, në Korçë, në fëmijëri. Pastaj kur dilte zonja që i thoshte mamasë “hajde Moza të japësh gjak”, ne nuk arritëm ta linim më sepse arriti në një fazë ekstreme mamaja, sëmundjet filluan radhë ato gjëra.

Ardit Gjebrea: Ngaqë jepte gjak pa ndalur?

Anxhela: Po, një ditë po, një ditë jo. Pastaj u detyruam të çaja dru, ngjitesha në kat të pestë për dymijë lekë, i stivonim, që i jepnim një ndihmë nënës. Arrita në moshën 16-vjeçare, u martova që t’i jepja një ndihmë familjes.

Në moshën 18-vjeçare, Anxhela u bë nënë e një djali dhe më pas erdhën 4 fëmijë të tjerë, prej të cilëve vetëm një vajzë. Ndërkohë, jeta ishte edhe më e vështirë.

Anxhela: Burri ishte i sëmurë. Ka që në fëmijëri që vuan nga astma, qëkur ka lindur. Nga peshat e rënda iu shkëputën 4 rruaza të kurrizit dhe jam detyruar pastaj vetë burrë, vetë grua. Ata fëmijë donin të hanin, me të lypur, me plehra, me kanaçe, me të gjitha. I falënderoj të gjithë ata njerëz që kush ka pasur mundësi, me 50 lekë, me 100 lekë se për familjen time ishte shumë e madhe. Edhe për plehrat që gjeja e haja dhe akoma ashtu trajtohem përsëri.

“Nuk ia fal vetes që nxora në dritë 5 fëmijë”, Anxhela: Më është mërzitur jeta

Marsi dhe Ledioni, dy njerëz që panë vuajtjen e Anxhelës, vendosën t’i zgjasin dorën dhe ta ndihmojnë për ta  nxjerrë nga rruga, për ta larguar nga lypja, kërkimi në koshat e mbeturinave apo kanaçet. Sic tregon Anxhela gjatë “Ka Një Mesazh Për Ty”, por jo në studion në Tv Klan të  ”E diela shqiptare”,por nga shtëpia e saj e dikurshme në lagjen “Bregu i Lumit”, ata shkuan deri atje. Një vend i improvizuar me mushama për t’u mbrojtur nga shiu dhe me një dollap për të bllokuar të ftohtin nga dritarja që nuk ndodhet aty.

Çifti bamirës shkoi herën e parë me disa gjëra të vogla për Anxhelën dhe familjen e saj, ndërsa kishin në mendje një plan më të madh. Nga ana tjetër, Anxhela rrëfen se është lodhur nga një jetë vetëm në luftë, por ka edhe një brengë të madhe që nuk ia fal vetes.

Anxhela: Më ka ardhur në datën 24 për Krishtlindje më kanë sjellë ushqime pafund.

Ardit Gjebrea: Kushedi sa u gëzuan fëmijët!

Anxhela: Po, lloj-lloj gjërash, banane, gjalpë, çdo gjë më sollën. Nuk më thanë  sërish që do më hiqnin që këtu, fare. Kur më thanë “Anxhela, çfarë do dëshiroje të kishe dhe të shikoj, vetëm loton?” I thashë, “ç’të dëshiroja?  Do i lutesha Zotit të kisha vetëm një banesë se nuk kam çati mbi kokë. Edhe të vdisja, t’i lija fëmijët me një  çati mbi kokë, sado e pabanueshme, vetëm si vend ta kisha timen, mos t’i lija kështu fëmijët, në mes të katër rrugëve” sepse kam bërë një gabim më të madh që nuk ia fal vetes, që kam bërë 5 fëmijë që i nxora në dritë. Dhe këtë nuk ia fal vetes që i nxora në dritë sepse jeta është shumë e vështirë për t’i rritur. Nuk mbahet gjithmonë familja vetëm me plehra, me kanaçe, duke lypur.

Ardit Gjebrea: Anxhela, nuk ke mundur të bësh diçka tjetër?

Anxhela: Ma gjeti Marsi edhe një punë për mua, pastruese, kam vajtur.

Ardit Gjebrea: Përtej kësaj, ti për vete mendoje, apo nuk shikoje dritë jeshile fare?

Anxhela: Fare, fare. Tërë jeta më ka ikur, ç’të të them, më është mërzitur jeta, po ta them drejtësisht. Fare, më është lodhur edhe truri vetëm nga hallet, vetëm nga problemet. Shoqet e mia s’janë martuar akoma unë i futa vetes gjithë këto strese, gjithë këto halle.

“Djali pësoi hemorragji, lashë punën si pastruese”, Anxhela: U riktheva te plehrat, fitoj më shumë

Tashmë, “Ka Një Mesazh Për Ty” është zhvendosur nga shtëpia e dikurshme e Anxhelës tek “Bregu i Lumit” në lagjen “Ali Demi”. Në këtë lagje, Marsi dhe Ledioni, dy njerëzit që shpëtuan Anxhelën nga gjendja e mëparshme, gjetën një shtëpi për të, bashkëshortin dhe 5 fëmijët e saj, të cilës i paguajnë qeranë dhe faturat. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi dhe Anxhela sot gjendet sërish në vështirësi, por rrethanat i sqaron gjatë rubrikës nga “E diela shqiptare”  në Tv Klan.

Ardit Gjebrea: Të bëra një pyetje dhe të thashë e kishe menduar ndonjëherë që të ikje nga rruga, të ikje nga kazanët, të gjeje një punë dhe Marsi të gjeti një punë.

Anxhela: Më gjeti një punë Marsi, si më solli këtu, si vazhdoi ca jeta.

Ardit Gjebrea: Ajo donte të të fuste në një punë, ty, bashkëshortin, fëmijët nëpër shkolla, një jetë e cila do të të jepte çdo mundësi që ti të realizoje një ëndërr. Madje unë di që të ka bërë edhe pasaportizimin.

Anxhela: Po, më solli pasaportizimin këtu që të mund të fusnim në shkollë kalamajtë. Nuk donin të m’i fusnin në shkollë.

Ardit Gjebrea: I bënë të gjitha?

Anxhela: Po, i bënë të gjitha, mori një gazetë “Çelësi”, kontaktoi me telefonin e saj për punë, më gjeti, jo se nuk isha dakord, vazhdova dy javë në punë. Por më ndodhi fatkeqësia e çunit që m’u sëmur me hemorragji të paparë.

Ardit Gjebrea: Po çfarë kishte?

Anxhela: Hemorragji nga goja, nga hundët.

Ardit Gjebrea: Pse?

Anxhela: As unë nuk e kuptoj dhe sot e kësaj dite pse-në nuk e gjeti spitali.

Ardit Gjebrea: Tani, prej shëndetit të fëmijës ti e le punën dhe u riktheve…

Anxhela: Po, përsëri te kjo puna ku isha dhe jam akoma që po vazhdoj në këtë situatë.

Kjo situatë nuk ishte e lehtë për t’u pranuar nga Marsi e Ledioni që kishin bërë çdo përpjekje për ta larguar Anxhelën dhe familjen e saj nga “Bregu i Lumit”  dhe nuk e kuptonin pse duhej të rikthehej. Anxhela shpjegon se nuk mund t’ia dilte vetëm me asistencën apo edhe duke i kërkuar vazhdimisht ndihmë Marsit, ndërsa mbeturinat i sjellin edhe të ardhurat që i duhen.

Ardit Gjebrea: Ku fiton më shumë, me punën që bën tani apo me punën si pastruese? Të vërtetën.

Anxhela: E  vërteta është që më mirë te kjo puna e plehrave, nuk kam pse gënjej, nxjerr, është edhe me risk.

Përpiqet t’i surprizojë, çifti i jep një mesazh Anxhelës: Jo çdo mundësi të jepet pa limit kohe

Nga “Ali Demi”, Anxhela dhe Arditi shkuan drejt e në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty” për t’ia dhënë këtë të fundit Marsit dhe Ledionit. Çifti humanitar ka ndihmuar Anxhelën dhe familjen e saj prej muajsh në një përpjekje për t’i nxjerrë nga skamja dhe për t’i dhënë mundësi. Kjo është arsyeja pse Anxhela i ka thirrur  në këtë pjesë të programit “E diela shqiptare në Tv Klan, por Marsi nuk është shumë e lumtur. Ajo nis të sqarojë këndvështrimin e saj mbi rrethanat e vështira të Anxhelës dhe cila do ishte vërtet shpërblim për ata të dy.

Marsi: E para sepse nuk është thjesht një çështje humanitare dhe unë do kisha preferuar shumë, shumë që surprizën Anxhela të ma kishte bërë në një mënyrë tjetër. Anxhela e di shumë mirë se cilat janë pritshmëritë e mia, ndonjëherë jam edhe e rreptë me të. Për mua është shpërblimi më i madh për një akt të tillë, është ndryshimi që shikon tek personi që ti do, tek familja që ti do. Në qoftë se personat që përfshihen, kjo mundësi që Zoti ua jep, e marrin, e përqafojnë, por jo thjesht e përdorin tani dhe pastaj nuk bëjnë asgjë, prandaj zgjedhja është gjithmonë atje.

Zoti ta ka dhënë mundësinë, por ti duhet të fillosh pastaj të ndryshosh dhe ta përqafosh atë ndryshimin sepse jo çdo mundësi të jepet për një afat kohe pa limit. Ndryshimi fillon në zemër dhe në mendje, në qoftë se nuk ndryshohen ca mendësi, është e pamundur që të ecësh përpara dhe atëherë mua do më vinte vërtet keq dhe do ta quaja, në thonjëza, investim i humbur sepse investimi nuk është thjesht pjesa monetare që bën dikush apo nuk  e di, se çove diku ushqim apo…por është vërtet ai investimi emocional.

Anxhela: Nuk dija si t’jua shpërbleja dhe doja t’ju sillja këtu që t’ju bëja një surprizë të tillë sepse nuk kisha mënyrë tjetër t’jua shpërbleja. Kërkoj një falenderim shumë, shumë të madh nga ju për gjithçka që keni bërë për familjen time. Familja ime nuk ka që t’jua shpërblejë, por Zoti jua shpërbleftë familjarisht dhe nuk di çfarë të them, edhe prindërit t’i kisha gjallë, gjithë këtë barrë që ju më keni ndihmuar aq shumë, edhe prindërit e mi nuk do ma kishin bërë këtë gjë.

Ardit Gjebrea: Po Marsi nuk është shumë e gëzuar.

Anxhela: Më fal, edhe pse nuk je e gëzuar, domethënë edhe çfarë kemi bërë këto kohët e fundit që kemi prerë marrëdhëniet, unë prapë ta di për faleminderit, edhe pse më paguan qeranë, dritat dhe ujin.

Ledion: Ne e bëjmë për një gjë pak më të madhe. Ne duam që fëmijët e Anxhelës të kenë një mundësi të re, bashkë me Anxhelën, bashkëshortin e saj patjetër, por fëmijët kryesisht. Është shumë e rëndësishme për ne që fëmijët të ndjekin shkollën, mund të bëjnë një arsim profesional nëse duan, i kemi parë që fëmijët janë shumë të dashur, shumë të zgjuar, shumë punëtorë.

Le të themi që koha që ne kalojmë me Marsin dhe impenjimi që ne kemi ndaj tyre ka qenë pikërisht për këtë arsye, për t’i dhënë fëmijëve një mundësi. I kemi konsideruar si fëmijët tanë në njëfarë mënyre, i kemi si miq edhe kur i prezantojmë me të tjerët, i prezantojmë si miq sepse duam të ndihen si të tillë, mos të ndihen si një familje që po i ndihmon dikush, por që ka mundësi të barabarta si çdo familje tjetër.

“Fëmijët le ta ndihmojnë nënën, por jo të mbledhin plehra e të lypin”, Anxhela: Nuk më pyesin

Nga surpriza e rezervuar për Marsin dhe Ledionin prej Anxhelës në “Ka Një Mesazh Për Ty” dalin në pah disa probleme të forta. Marsi thotë gjatë programit “E diela shqiptare” në Tv Klan se është kundër punës që familja e Anxhelës bën nëpër koshat e mbeturinave apo lypjes sepse nuk është e mirë për asnjërin prej tyre. Dy prej fëmijëve të Anxhelës janë të sëmurë dhe Marsi është dakord me pjesën që familja ka nevojë për paa, por duhet një mënyrë tjetër për t’i siguruar.

Marsi: Tani ku qëndron problemi tek fëmijët e Anxhelës specifikisht? Në qoftë se Anxhela do shiste, nuk e di, zarzavate, le të qëndrojë fëmija atje, nuk ka problem, të shiste lule, sikurse shesin shumë persona në rrugë. Nuk ka problem, le të qëndrojë fëmija dhe le ta ndihmojë mamanë, por jo që të shkojë të mbledhë e të riciklojë.

Ardit Gjebrea: Dhe jo vetëm, por edhe të lypë.

Marsi: Absolutisht, edhe të lypë. E para e punës, rrezikon veten njëherë sepse të gjithë e dimë që mbeturinat bartin lloj-lloj sëmundjesh. Tani,  si do shërohet ai fëmijë në qoftë se ai i jep një dozë të mirë mikrobesh atij sistemi imunitar? Shtoji asaj edhe pjesën e mungesës së ushqimeve cilësore, shtoji  edhe ndonjë dozë sheqeri dhe pastaj ja ku e ke, çfarë pret pastaj, normale që do ketë sëmundje dhe problematika nga më të ndryshmet lidhur me shëndetin.

Anxhela: Kjo puna e plehrave duket sikur ne i kemi aq qejf plehrat…

Ardit Gjebrea: Jo, nuk është problemi aty, është çështje të ardhurash, unë e kuptoj.

Anxhela: Kjo situatë që dalim ne të riciklimit, e di ça problemi është më i madh? Që neve na na ndikon më shumë?  Është kjo, që të ra një hall, një sëmundje, nuk të kërkon një llogari si puna e pronarit që të thotë “hajde në punë”. E lashë, ika. Kjo është  situata e këtyre plehrave që ne punojmë në këtë.

Më tej, Anxhela shton se fëmijët nuk e dëgjojnë dhe sërish dalin në rrugë për të lypur e kërkuar në kosha. Nga ana tjetër, Marsi i jep shembuj se si duhet të veprojë që ata t’i binden nënës së tyre dhe  të braktisin rrugën.

Shihemi ne gjyq- I vdes vajza, i marrin dëmshpërblimin

“Hiqjani aparaturat se po vuan, s’ka jetë më”, mes lotëve babai rrëfen vdekjen e së bijës 12-vjeçare

Bardhyli është një baba që 6 vite më parë ka humbur vajzën e tij 12-vjeçare në një aksident. Sot, ai ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” babanë e tij, Ibrahimin. Përballja në studion e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan nuk është aspak e lehtë, ndërsa në publik ndodhet edhe bashkëshortja e Bardhylit, Lavdia. Si fillim, mes lotëve, ai nis të rrëfejë ngjarjen e tmerrshme që ka shenjuar jetën e tyre.

Bardhyl: Në datën 26 Qershor të 2016 më ka bërë vajza aksident. U nis nga shtëpia, kishim dasmë, martuam mbesën, u nis ditën tjetër për të ikur. I dhashë prokurën vëllait tim për të ikur në Korfuz. Gjatë rrugës, ka bërë aksident në Qafë-Muzinë, aty e ka bërë aksidentin.

Eni Çobani: Dhe nga të gjithë njerëzit që ndodheshin në makinë, vetëm vajza juaj humbi jetën.

Bardhyl: Vetëm vajza ime.

Eni Çobani: Në moshën?

Bardhyl: Në moshën 12-vjeçare. Duke parë televizor, ishte vëllai tjetër nga shtëpia e vet, pashë makinën me targa greke, ka bërë aksident.

Eni Çobani: Ju e patë në televizor lajmin?

Bardhyl: Po. Kur kam shkuar në spitalin e Gjirokastrës, ç’të shihja më? Mirë që më ka mbajtur Zoti mendjen. I thashë atyre doktorëve “hiqjani aparaturat se kjo po vuan, s’ka jetë më”. E puth babi se edhe e kemi bezdisur këto ditë, edhe ajo nuk ndihet mirë atje, na e bëj hallall se ai që na e ka bërë, do dalë e vërteta,  të vërtetën do ta gjesh ti zonja Eni.

Eni Çobani zgjidh misterin e dëmshpërblimit të aksidentit: Mashtrim

Paratë e dëmshpërblimit nga humbja e vajzës së Bardhylit janë arsyeja pse ai sot në “Shihemi në Gjyq” ndodhet përballë babait të tij, Ibrahimit. Pas vdekjes së vajzës në aksident, në vitin 2016, Bardhyli iu drejtua Francës dhe qëndroi 6 vite pa u kthyer në Shqipëri. 10 ditë pas varrimit, djali i hallës, Selim Sala, i ofrohet për ta ndihmuar për të marrë paratë e dëmshpërblimit.

Asokohe, siç rrëfen Bardhyli në “E diela shqiptare” në Tv Klan, gjendja psikologjike nuk e lejonte të merrej vetë me procedurat, ndaj i la disa prokura Selimit ku e autorizonte. Shuma e dëmshpërblimit, pas zbritjes së shpenzimeve ligjore, është 135 milionë lekë, të cilat Selimi ka thënë se ia ka dorëzuar Ibrahimit,  së bashku me prokurat, që ky i fundit i ka firmosur.

Bardhyli, ka marrë vetëm 50 milionë lekë, ndërsa 85 milionë të tjera nuk i ka parë kurrë. Ku janë paratë dhe çfarë ka ndodhur me to? Eni Çobani sqaron qartë palët dhe publikun.

Eni Çobani: Në prokurën e Selimit, se ky është gabimi që ka bërë zotëria, ja ku e kemi dhe prokurën e Selimit dhe unë e kam vijëzuar me të kuqe, i thotë, “me anë të kësaj prokure, shprehemi se jemi dakord se shuma që presim të përfitojmë kalojnë nga llogaria e avokatit te Selim Nexhip Sala”. Atëherë, ti i ke dhënë një prokurë këtij zotërisë, është e vërtetë, por avokatët nuk e kanë që duhet t’ia japin Selimit. Atëherë, avokati duhej të ngrihej e të thoshte, “Bardhyl i dashur, unë shumën nuk ia kaloj dot këtij se përgjigjem në prokurori”, se ai është njeri i ligjit, Selimi nuk e di ç’profesion ka, por avokati është njeri i ligjit.

Pyetja ime sot është kundrejt avokatëve të nderuar dhe kolegëve të nderuar, ku e keni pasur ju të thënë në prokurën tuaj që e kam unë këtu prej 3 faqesh, që shumën që ju do përfitonit nga dëmshpërblimi i humbjes së jetës së vajzës 12-vjeçare duhet t’ia kalonit Selim Salës? Nëse ju më thoni që e keni pasur në mënyrë ligjore këtë, atëherë unë tërheq çdo fjalë që kam thënë deri në këto momente, por unë ligjin e njoh mirë dhe ligjin e kam frikë shumë.

Banka që ka kaluar paratë nga emri i avokatit tek Selimi, ku ka qenë detyrimi ligjor që banka që kërkon 100 dokumenta për lloj-lloj gjërash, në këtë rast ka marrë një prokurë dhe ka thënë, është këtu që duhet të kalojë nga avokati tek Selimi. Është prokurë e Selimit dhe jo e avokatit, paratë kalojnë te avokati dhe avokati nuk e ka që duhet të kalojnë tek Selimi.

Ardit Gjebrea: Është pakujdesi apo është diçka tjetër?

Eni Çobani: Është komplet mashtrim në keqinterpretim të ligjit me dashje nga të gjithë operatorët që kanë qenë në mes, por mbi të gjitha, çfarë ndodh? Merr 135 milionë lekë Selim Sala. Ka marrë 135 milionë lekë se kam letrat e bankës këtu.

Humbi vajzën 12-vjeçare në aksident dhe u vodh nga kushëriri, Eni Çobani: Ka Zot, por ka edhe ligj! Të premtoj se…

Bardhyli humbi vajzën e tij 12-vjeçare në një aksident 6 vite më parë. Nga dhimbja, u largua për në Francë dhe procesin e dëmshpërblimit ia la ta ndiqte kushëririt të tij. Ky i fundit, siç u zbulua gjatë seancës së ndërmjetësimit të “Shihemi në Gjyq”, nga shuma 135 milionë, i ka dorëzuar 50 milionë cash në dorë babait të Bardhylit, Ibrahimit.

Babë e bir u përplasën në rubrikën nga “E diela shqiptare” në Tv Klan sepse Ibrahimi nuk e besonte që Selimi, nipi i tij të ketë vjedhur paratë. Bardhyli, i ka kërkuar paratë babait të tij, por ai thotë se ia ka dhënë të gjitha. Situatën e zgjidh Eni Çobani.

Eni Çobani: Që nesër, bashkë me Bardhin, më vjen shumë keq, kërkoj edhe bashkëpunimin e zotit Ibrahim, do bëjmë një kallëzim penal pranë prokurorisë së rrethi gjyqësor Tiranë për zotin Selim Sala, por njëkohësisht edhe për avokatët përkatës. Njëkohësisht, në bazë të të gjithë dokumentacionit të paraqitur në këtë seancë ndërmjetësimi, do të shkojmë të paraqitemi dhe do të themi vetëm të vërtetën, do të shohim se ku ka shkuar kjo shumë.

Zoti Selim Sala, në qoftë se nuk erdhe këtu, në prokurori do vish se e ke detyrim ligjor dhe atje do të marrim vesh të vërtetën e madhe që në qoftë se ju nuk vini, do t’ua them unë shqiptarëve. Pra, ku kanë shkuar lekët e vajzës 12-vjeçare?  50 milionë ia ke lënë Ibrahimit pa prokurë, cash në dorë, 85 milionë zotëri, në qoftë se i ke marrë dhe i ke ngrënë, ka dhe Zot, por ka edhe ligj, kështu që do të përgjigjesh deri në fund për 85 milionët e Bardhit.

Bardhi edhe mund të ikë sepse ka edhe një djalë, edhe një vajzë, por unë jam këtu dhe deri në fund Bardhi, të premtoj me shumë emocion, që unë nuk do të të jap thjesht dhe vetëm atë që të takon, por do të të jap mbi të gjitha atë çlirim shpirtëror që ti ke për humbjen e vajzës që ti ke dhe shumën, që dhe shuma që ti ke fituar, po e them në fund, është pak për humbjen që ke pësuar.

Kënga Magjike

Kujt i thotë “t’kam dasht” Lorenc Hasrama?

Në javën e dytë të “Kënga Magjike”, Lorenc Hasrama është i pari që çel kategorinë “BIG”. Balada “T’kam dasht” shoqërohet nga një performancë unike dhe bëhet fjalë për një dashuri të “humbur”. Moderatori i programit të Tv Klan, “E diela shqiptare” , Ardit Gjebrea e ‘ngacmon’ pak Lorencin për të mësuar më shumë se kujt i është dedikuar kjo baladë.

Ardit Gjebrea: Lorenc, ti beson në atë shprehjen e treta e vërteta?

Lorenc Hasrama: Jo.

Ardit Gjebrea: Pse?

Lorenc Hasrama: Unë besoj te ajo hera e tretë më e mirë se e dyta dhe se e para.

Ardit Gjebrea: Pse  nga tekstet e tua duket se dashuria gjen më shumë dhimbje sesa gëzim? Je pesimist?

Lorenc Hasrama:  Jam i ndjeshëm.

Ardit Gjebrea: “T’kam dasht”, i thua kujt?

Lorenc Hasrama: Çdo njeriu që më ka dhuruar sado pak  mirësi në jetën time dhe dashuri.

Ardit Gjebrea: Por që nuk e do më?

Lorenc Hasrama: Dhe që  më ka duruar ashtu siç jam.

Ardit Gjebrea: Ndërsa ajo që do publiku më shumë nga ti është zëri yt dhe këtë vit Lorenci nuk ka ardhur vetëm, por edhe me piano. Dhe nuk do të jetë edhe vetëm me pianon.

“Ku ke qenë gjithë këto vite?”, Gresa Gjocera: E fshehur në…

Janë dueti i vetëm në edicionin e këtij viti të “Kënga  Magjike”. Gresa Gjocera dhe Bledi Kaso sjellin “Zemër për zemër”, një rikthim pas 14 vitesh i këngëtares në kompeticion. Ku ka qenë gjithë këtë kohë, Gresa e thotë  përpara se të performojë në skenën e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan.

Ardit Gjebrea: Gresa, na ka marrë malli.

Gresa Gjocera: Edhe mua.

Ardit Gjebrea: Por nëse mund ta themi kështu, të ka zënë simptoma e dinozaurëve. Ku ke qenë gjithë këto vite?

Gresa Gjocera: E fshehur në muzikën ‘live’.

Ardit Gjebrea: Ku?

Gresa Gjocera: Performoj në ambiente të ndryshme muzikën ‘piano bar’ dhe shumicën e kohës nëpër klabe.

Ardit Gjebrea: Çfarë të joshi të rikthehesh pas 14 vitesh?

Gresa Gjocera: Magjia që sjell kjo skenë.

Ardit Gjebrea: Dhe pse me Bledin?

Gresa Gjocera: Sepse Bledi është mjeshtri i muzikës ‘live’.

Ardit Gjebrea: Ju nuk e keni provuar votimin e hapur të artistëve për njëri-tjetrin. Jeni përgatitur për betejën?  Bled?

Bledi: Deri diku, po.

Gresa Gjocera: Nuk mund ta quaj betejë, është thjesht gjendje shpirtërore.

Vesa Smolica vjen me një këngë për tradhtinë, ‘tremb’ Ardit Gjebrean

Vesa Smolica zgjedh që në pjesëmarrjen e parë të saj në “Kënga Magjike” t’i këndojë dashurisë së lënduar, tradhtisë, por edhe zgjimit shpirtëror. Në “E diela shqiptare” në Tv Klan, Vesa thotë se ka dashur prej kohësh të ishte pjesë, por ka qenë në pritje të një materiali dinjitoz. Ndërkohë, çfarë kuptimi ka kjo këngë për të?

Ardit Gjebrea: Si duhet ta interpretojmë faktin që ti i këndon tradhtisë?

Vesa  Smolica: Po të gjithë ndonjëherë kemi qenë të tradhtuar, kemi gjithë këto vite.

Ardit Gjebrea: Sa mirë sepse po mendoja të gjithë ndonjëherë kemi tradhtuar dhe thashë mos!

Vesa  Smolica:  Jo, unë kam qenë në këtë rast.

Situatën e saj aktuale të dashurisë Vesa nuk ngurron të na e thojë me një varg kënge./tvklan.al