Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

E Diela Shqiptare nisi këtë të dielë me një zotëri të moshuar, Eqeremin. Ai ka kaluar një jetë të vështirë, pasi gruaja e parë jo vetëm që e braktisi, por edhe e ka mashtruar. Eqeremin dhe bashkëshorten e tij aktuale Vera i bashkuan fatkeqësitë që të dy kishin kaluar para se të njiheshin. Historia e Eqeremit dhe Verës është shembulli më i mirë i partneritetit, përkushtimit, mirënjohjes dhe dashurisë pa kushte. Teksa Eqeremi flet, krejt natyrshëm rrëmben respektin e gjithë audiencës dhe pa dyshim atë të Verës, e cila e shpreh fort dhe me zë të lartë gjithë mirënjohjen dhe dashurinë që ka për bashkëshortin.

Eqeremi tregon si u njoh me Verën: Me zonjën Vera jemi njohur në ’96 dhe unë kisha një fatkeqësi dhe ajo kishte një fatkeqësi. Historia ime ishte, se unë isha i ndarë nga gruaja, pasi ajo iku në Amerikë me djalin dhe unë ngela këtu.

Rastësisht një miku im, më foli për Verën. E pashë atë, por nuk e doja si grua. Vendosa thjesht ta mirëpres në shtëpinë time dhe t’i fal mbështetje.

Ardit Gjebrea: Ti thjesht vendose t’i hapësh derën, por jo si grua?

Eqeremi: Po, thjesht mbështetje. Por ndërkohë që fillova të njihesha me Verën kuptova që ajo ka pasuri. I thashë shkojmë ta shohim ku e ke ti këtë pasuri. Kur shkoj atje u përballa me disa persona që synonin të merrnin pasurinë e Verës. Ata ishin patriotë, fqinjë dhe njerëz të saj.

Duke parë si qëndronte situata, kontaktova një mikun tim jurist. Ai më sugjeroi që unë ta bëja gruan time Verën në mënyrë që ta kisha rrugën e hapur për ta ndihmuar që ajo të fitonte pasurinë që i takonte. Pas shumë e shumë përpjekjeve dhe vështirësive, arrita të bëj të mundur që ajo të merrte pasurinë. Jam përballur me situata shumë të vështira, që kërkonin guxim dhe kurajo, por ia dola.

Djali i Verës i kërkon asaj të shkojë të jetojë me të në Amerikë. Por ajo nuk pranon. Ajo i është tepër mirënjohëse Eqeremit për gjithçka që ai ka bërë për të dhe thotë që nuk e braktis kurrë. Eqeremi është në studio pikërisht për t’i kërkuar Verës që të bashkohet me djalin dhe familjen e tij në Amerikë sepse ai mund të shkojë të jetojë në azil.

Stafi i së dielës shqiptare i dërgon mesazhin Verës, e cila e pranon atë me kënaqësi. E qeshur dhe me një hije çiltërsie në portret, Vera mbërrin në studio.

Eqeremi: Vera, djalit t’i shkojë rruga mbarë për në Amerikë. Mund të shkosh edhe ti bashkë me të, unë do gjej një zgjidhje për veten time. Unë do shkoj në azil vetëm për të mos i prishur jetën djalit.

Gjebrea: Ky ishte mesazhi që ka ardhur të të japë Eqeremi sot. Do ta lësh?

Vera: Jo! Faleminderit që më dhe një mesazh kaq të bukur, po unë nuk e bëj gjallë në botë këtë gjë. Do të jem mirënjohëse gjithë jetën dhe do të jemi bashkë deri në frymën e fundit. Nëse jam kjo që jam sot është vetëm meritë e jotja.

Mesazhi i Eqeremit për Verën mbyllet me përqafime, humor e batuta. Ndërkohë që Vera është aty edhe për t’i përcjellë një mesazh djalit të saj.

Rasti II

Rubrika “Ka një mesazh për ty” te “E diela shqiptare” vijoi me historinë e jetës së Verës, protagoniste edhe në pjesën e parë të rubrikës, dhe marrëdhënies së veçantë me djalin e saj. Vera ka kaluar një jetë plot pengesa dhe ngjarje që kanë shënjuar jetën e saj. Por përveç mbështetjes së bashkëshortit të saj Eqeremit ajo ka pasur të pandarë edhe djalin e saj të vogël Gertianin.

Vera tregon historinë e jetës së saj: Më fejuan prindërit që në moshë të vogël. U njoha me burrin në moshën 14 vjeçe dhe ai më mbushi mendjen më rrëmbeu. Unë me origjinë jam nga fshati Ndroq i Tiranës, dhe u martova në fshatin Romanat të Durrësit. Jetuam 17 vjet bashkë. Nga kjo martesë erdhën 3 fëmijë të mrekullueshëm. Kishim vështirësi dhe vuajtje megjithatë ia dilnim për bukuri. Ish bashkëshorti im ishte hidraulik. Ai njihet me një familje që ishte zhvendosur nga Kukësi në Durrës, jetonin pranë nesh.

Në bisedë e sipër ata i flasin për vajzën e tyre e cila ishte martuar prej një viti dhe jetonte në një fshat të thellë në Kukës. Duke qenë se ne ishim shumë të dhimbsur nga natyra, burri im propozoi që ta merrte çiftin duke iu ofruar të qëndronte në një dhomat e shtëpisë që kishte familja e tij. Unë e pranova këtë gjë. Ata erdhën, ishin të dy të rinj. Sapo ishin martuar. Unë isha 30 vjeçe, burri im 40. Vajza që ne strehuam 20 vjeçe. Gjithçka shkonte shumë mirë në fillim, pastaj im shoq nisi të shkonte shumë shpesh tek ata. Burrin e asaj e largonte me punë diku ndërsa shkonte qëndronte gjithë ditën te shtëpia e asaj. Ai ishte një bashkëshort shumë i mirë më përpara, por ndryshoi. Të gjithë më thonin që ai nuk ishte besnik ndaj meje, por i kundërshtoja, pasi besoja tek ai.

Pastaj e pyeta, i thashë “është e vërtetë që ti më tradhton”? I thashë që nëse është e vërtetë mund të shkonte të jetonte me atë, sepse nuk doja të isha në një situatë të tillë. Ai më në fund e pranoi që më tradhtonte. I thashë përsëri që mund të largohej me atë, por i kërkova që të mbaja fëmijët. Ai u nda nga unë ndërkohë që edhe gruaja me të cilën më tradhtonte u nda nga i shoqi. Mirëpo nuk pranoi të më linte fëmijët. Kam vuajtur tej mase për t’i marrë të tre, po arrita të mbaj me vete, vetëm djalin e vogël, Gertianin. Nuk donte të më linte asnjë pjesë nga pasuria. Kam hequr vuajtje dhe tortura të tmerrshme nga ish burri im.

Vera ka ardhur në studion e “Ka një mesazh për ty” për t’i dhënë një mesazh djalit të saj Gertit me të cilin jeton. Ai ka fituar lotarinë amerikane dhe dëshiron të shkojë atje bashkë me familjen e tij dhe nënën.

Gerti ka ardhur në studio me bashkëshorten dhe vajzën e tij. Në ekranin e murit që i ndan shfaqen Vera dhe Eqeremi.

Vera: Ju jeni engjëjt e mi. Ti je gjithçka për mamin tënd. S’je ndarë asnjë sekondë me mamin tënd. Mami të uron rrugë të mbarë dhe mos e kthej më kokën pas. Unë do jetoj me Eqeremin sepse gjithë ato mirësi që ka bërë Eqeremi për ne, unë nuk i harroj kurrë.

Gerti: I kam thënë mamasë që kur më doli llotaria, i kam thënë nëse ajo nuk dëshiron që unë të iki, unë atëherë nuk iki. Unë do shkoj por nuk do jem me mendje të qetë. Mamaja ime është kryesorja në jetën time.

Ashtu siç tha edhe drejtuesi i emisionit Gjebrea, si një film i bukur por i vërtetë mbyllet edhe pjesa e dytë e “Ka një mesazh për ty”.

“BLACK BOX”

“Black Box” është në javën e tetë të saj dhe gara bëhet gjithnjë dhe më e fortë. Këtë të dielë në garë ishin shef Gledis Qershori dhe shef Arjaldo Merko.

Arditi e quajti me humor garën e sotme “një derbi”, pasi të dy shefat edhe pse vijnë nga restorante të ndryshme, punojnë për të njëjtin pronar.

Menjëherë ata prezantohen me përbërësi kryesor të pjatave që do gatuajnë, i cili ishte mishi i kecit.

Kujtojmë edhe një herë rregullat e garës:

-Shija vlerësohen nga 1 deri në 50 pikë.

-Organizmi dhe teknika e ekzekutimit të recetës vlen nga 1 deri në 20 pikë.

– Prezantimi dhe aspekti estetik i pjatës vlen nga 1 deri në 15 pikë.

Të treja këto elemente i vlerëson shef Domenico Maggi, ndërsa ekuilibrin ushqimor, i cili vlen nga 1 deri në 15 pikë e vlerëson Blerina Bombaj Troci. Në total një konkurrentët mund të fitojë 100 pikë.

Shef Gledis zgjedh të ekzekutojë këtë recetë: mish keci, patate, asparag, kërpudha, panxhar, hudhër. Ndërsa shef Arjaldo gatuan: mish keci, patate, karotë, bukë integrale, erëza, bajame, limon.

Pjatat e tyre u vlerësuan nga juria e përbërë nga një prej shefave italianë më të famshëm të kulinarisë botërore, gjyqtar ndërkombëtar dhe instruktor i gjyqtarëve të garave të gatimit në botë, Domenico Maggi, si edhe dietologia Blerina Bombaj Troci , për ekuilibrin ushqimor.

Gledis dhe Arjaldo morën shumë komplimente për punën e bërë ndërsa fitues u shpall Gledis me 95 pikë, duke lënë pas Arjaldon me 94 pikë.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Çifti i bashkëshortëve, Luljeta dhe Qani i janë drejuar rubrikës “Shihemi në Gjyq” në “E Diela Shqiptare” për një temë mjaft delikate dhe tronditëse.

E bija e tyre ka sjellë në jetë një vajzë 12 vjet më parë, por nuk e dinë se kush është i ati dhe ku gjendet sot fëmija.

“Unë jam Luljeta Bana. Kam ardhur për vajzën e Fatmira Banës, që është mbesa jonë, për të bërë kërkime. Më kanë mashtruar, ma kanë fshehur fëmijën, vajza më qan përditë. Nuk dimë gjë (për babain), s’na ka treguar gjë vajza, vetëm për fëmijën dimë. Fatmira ka qenë 18 vjeç. Ne jetojmë në Ibë dhe vajza ka lindur te materniteti i ri në Brryl. Ia morën fëmijën, vajza kërkonte t’i jepte gji, këta nuk ia jepnin. E morën fëmijën dhe nuk e dimë se ku e çuan. Na thanë që e kanë çuar në Sauk te Shtëpia e Fëmijës, shkuam aty përditë, por s’na tregonin gjë. Vajza nuk ka firmosur gjë se sa ka lindur e kanë nxjerrë jashtë. Neve na u dogj shtëpia, ky ishte i sëmurë, unë grua bridhja pas fëmijës e ata ishin mashtrues, nuk tregonin”.

Ajo fajëson bashkëshortin e saj për birësimin e mbesës, ndaj dhe e ka sjellë në këtë seancë ndërmjetësimi. Por Qaniu shprehet se nuk i kanë treguar për shtatzëninë e të bijës, pasi Luljeta e ka çuar vajzën tek i vëllai, që të mos e mësonte ai. Qaniu shton se në qoftë se do të ishte në dijeni që prej muajve të parë, vajza do të kishte abortuar dhe gjërat nuk do të kishin shkuar deri në këtë pikë.

Luljeta – Nuk tregoja se do më vrisje fëmijën!

Qaniu – Fëmija ka lindur më 9 Shkurt 2006…

Eni Çobani – Në fakt nga kërkimet tona nuk është kjo data e saktë. E dini mirë që ka lindur në Shkurt? Unë kam një informacion që ka lindur në Maj.

Qaniu – E di se ka lindur në një ditë me një grua të fisit tim dhe kanë qenë përballë në dhomë.

Eni Çobani – Duhet vërtetuar informacioni, që unë besoj se është zyrtar. E ka në Maj të vitit 2006.

Qaniu – Zonja më tha që fëmija ka lindur i vdekur.

Luljeta – Ta kam thënë se kisha frikë se mos vrisje fëmijën!

Eni Çobani – Pse e ke patur këtë mendim që Qaniu e vret fëmijën?

Luljeta – Kisha frikë se njeriu me gjaknxehtësi vret. Kishte frikë vajza se do vriste vajzën Qaniu, prandaj s’i tregoja këtij unë.

Qaniu – Unë s’kam vrarë njeri deri më sot. Kam dy funksione të rëndësishme në jetë dhe as kam bërë terrore e as kam vrarë njeri.

Ata disponojnë vetëm një dokument të datës 3.11.2008 nga Shtëpia e Fëmijës, ku thuhet se fëmija është birësuar sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave që përmban Kodi Civil në Republikën e Shqipërisë.

Juristja Eni Çobani shprehet se ky dokument nuk jepet, por ndoshta është bërë vetëm nga presioni i ushtruar nga familja Bana. Ajo shton se nuk e kupton si mund të jetë birësuar vajza, kur asnjë nga familjarët nuk ka firmosur për këtë gjë, por duke qenë se nuk kanë asnjë dokumentacion ligjor për të parë se çfarë ka ndodhur.

Qaniu tha se nëse do të ishin interesuar dhe do ta kishin ndjekur çështjen, fëmija nuk do të ishte birësuar. “Që të kërkosh një fëmij në rrugë private unë ngrej duart! Kur kam marrë vesh që vajza ishtë shtatzënë më ra si bombë se isha sëmurë vetë dhe më ishte djegur dhe shtëpia!”, u shpreh ai.

Juristja Çobani tregon se Fatmira nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe psikologjike, por kërkon vetëm të bijën sepse nuk e ka parë kurrë.

I ati i saj thotë se nëse Luljeta do ta kishte dëgjuar dhe do ta kishin dërguar vajzën në shkollë fetare në Durrës, asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur. Por Luljeta i përgjigjet se nuk donte Fatmira, ndaj nuk mund ta çonte me detyrim.

“Kësaj nuk i pëlqeu mbulimi, por i pëlqeu zbulimi që e nxorri jashtë në rrugë. Atë (mbulimin) donte shkolla sipas rregullave të veta. Krahas shkollës fetare, mësimeve fetare, do të merrte dhe një profesion, ose rrobaqepëse ose parukiere. Po të dilte mirë me mësime, mund të shkonte direkt në Turqi se ishte kolegji turk. Do bëhej dikushi vajza, kjo s’e la! Më solle dhe këtu në publik për të më nxjerrë bojën!”, u shpreh Qaniu.

Ai fajëson bashkëshorten për çka ka ndodhur, por ajo i thotë se nuk e ka ndaluar vajzën të shkojë në shkollë dhe përsa i përket mbesës nuk i ka treguar nga frika se mos e vriste.

Eni Çobani shprehet se sipas personave që ajo vetë ka pyetur, Fatmira ka pranuar dhe ka firmosur që vajzën t’ia lejë shtetit, por nuk dihet nëse ajo ka qenë në gjendje për të lexuar dhe vlerësuar se çfarë është ai dokument, pasi nuk është e arsimuar. Pavarësisht këtij vendimi pas lindjes së saj, ajo mund të kishte shkuar për ta kërkuar të bijën, por nuk rezulton asnjë përpjekje e tillë nga ana e saj apo e familjarëve. Ndërsa prindërit thonë që Fatmira nuk ka firmosur asnjë dokument.

Juristja shton se sipas burimeve të saj zyrtare, Fatmira nuk e ka të saktë datëlindjen e fëmijës dhe më pas ka nënshkruar një deklaratë, që e ka kërkuar me dëshirën e saj, për birësimin e fëmijës, duke ia besuar institucioneve shtetërore.

Moderatori i emisionit “E Diela Shqiptare”, Ardit Gjebrea i afrohet Fatmirës, e cila ndodhet në publikun e studios, për ta pyetur nëse vërtetë ka firmosur dokumentin e birësimit të së bijës, çka ajo e pohon duke lotuar dhe shton se ia kanë marrë firmën me zor.

Eni Çobani shpreh habi duke thënë se po e dëgjon për herë të parë këtë gjë, pasi është takuar 4-5 herë me Fatmirën dhe e ka mohuar, duke thënë se ia kanë rrëmbyer fëmijën.

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” i jep të drejtë Luljetës , ndoshta duke e menduar situatën në sytë e një nëne, por Gjebrea thotë që nuk e kupton këtë “aleancë”, pasi Luljeta e mbron të bijën, duke gënjyer bashkëshortin e duke këmbëngulur që nuk ka firmosur, ndërkohë që vetë Fatmira e pohoi në studio që ka firmosur për birësimin e vajzës së saj. Juristja Çobani thotë se çdo nënë ka natyrën e vetë biologjike se si e mbron fëmijën, por në këtë rast është e gabuar.

Ajo shton se nuk mund të kërkohet pas 12 vitesh një fëmijë që është falur, pasi prishet mirëqënia mendore dhe shëndetësore e fëmijës që është birësuar pranë një familjeje tjetër. Ligji parashikon që dosja e birësimit të fëmijës nuk i jepet kurrë familjes biologjike, por vetëm fëmijës në moshën 18-vjeçare dhe familjes birësuese në raste shumë të veçanta.

Qaniu shprehet se fëmija nuk është fajtor i veprimeve të atyre që e kanë sjellë në jetë, ndaj ai nuk mund t’ua falë gënjeshtrat bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Por me këmbënguljen e moderatorit Gjebrea, juristes Çobani dhe publikut të “E Diela Shqiptare” ai vendosi që t’i falë dhe i jep dorën bashkëshortes, duke e përfunduar kështu me sukses edhe këtë seancë ndërmjetësimi.

“POWER KIDZ 4”