E DIELA SHQIPTARE – EMISIONI 27 (SEZONI 11) – TV KLAN

E DIELA SHQIPTARE – EMISIONI 27 (SEZONI 11)

Emision: 31.03.2019

Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”
Rasti I

Eni vjen nga qyteti i Pogradecit, në një familje me dy motrat, vëllain dhe prindërit e saj. Vajza është pika e dobët e babait të cilin e ka ftuar në “Ka një mesazh për ty”, në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për t’i kërkuar falje.

Ka rreth dy vite që Enin e mundon një histori e kaluar, një dashuri e përfunduar jo ashtu siç e kishte ëndërruar. Ajo ndihet fajtore që nuk i ka treguar të vërtetën babait për atë çfarë ndodhte me lidhjen e saj e që shpesh herë nuk i ka dëgjuar këshillat e tij.

“Historia ime është ndoshta edhe historia e shumë vajzave të tjera që nuk e shprehin, që mendojnë se marrin vendimin e duhur, marrin jetën e tyre në dorë. Mendoja se e dija kush ishte e drejta, jam unë ajo që vendos. Nuk dëgjoja, isha 19 vjeçe, gënjehemi që kalojmë moshën 18 dhe jemi rritur. Mami është e papunë, ndërsa babai polic në doganën e Kapshticës. Unë kam përfunduar universitetin, ndërsa motra vazhdon shkollën e lartë për Drejtësi. Babi është si shok me ne. Prindërit e mi kur e morën vesh nuk ishin dakort, për arsye të moshës, shkollës, jetës të cilën bëja unë dhe ai. Nuk ishin me zgjedhjen time, këmbëngulën që mos ta merrja vendimin për t’u lidhur, të kuptoja që nuk ishte ai zgjedhja ime, por unë besoja.

Ne femrat jemi edhe pak delikate që biem shpejt dhe mendojmë që do i’a dalim, kemi forcën që mund të bëjmë gjithçka për të mbajtur edhe familjen dhe një marëdhënie të shëndetshme, por ja që nuk ishte kështu për mua. Rezultoi totalisht zgjedhja e gabuar, e kuptova sepse unë sapo vija dhe po mbyllja jetën, po largohesha nga njerëzit, duhet të bëja shumë sakrifica. Duhet të zgjidha çdo muaj problemin e qirasë, ujin, sepse jetonim bashkë në Tiranë dhe lodhesha shumë. Ai nuk më donte ose edhe mund të më ketë dashur, por nuk e shprehte kurrë. Të duash dikë duhet t’i qëndrosh pranë, jo thjesht të rrinte gjithë kohës me mua në shtëpi. Në çdo moment donte të isha vetëm për të dhe vetëm në shtëpi, mos të takohesha me miqtë edhe shokët. Ai punonte më parë, pastaj jo më. Kur vinte momenti që duhet të paguheshin shpenzimet, duhet t’i zgjidhja unë duke ndenjur në shtëpi. Gjithmonë më ndihmonin prindërit e mi.

Babi dhe mami e kishin kuptuar që ne kishim probleme, më flisnin gjithmonë, por pavarësisht kësaj më ndihmonin, sepse unë nuk i tregoja të vërtetën, por gjeja arsye të tjera. Është edhe një mashtrim që i kam bërë, por unë vdisja pak e nga pak. Unë arrita që nuk njihja më as veten. Nuk gjeja dot shpëtim. E kisha të vështirë të thoja “stop”, sepse nuk doja që marrëdhënia të prishej për shkakun tim. Ishte një moment që prindërit më thanë që ne kemi marrë një vendim për ty dhe të fejuarin, por ti gjeje kurajon dhe vendos. Unë kisha humbur mes mureve të shtëpisë, por u dorëzova dhe mora babin dhe i thashë të lutem hajde më merr nëse do të jetoj. Sot dua që të paktën unë të çlirohem, sepse u bë kohë që ne nuk flemë. Unë isha ajo që i ka mërzitur ata. Do doja që të ikja pak e çliruar, mos të më mbetet koha pas. Kam vendosur të largohem drejt Gjermanisë për një jetë të re, sapo të përfundoj gjuhën. Tani kam filluar të dua veten”.

Njeriu mund të zhgënjehet e të dashurojë sërish në jetë, por ajo që mbetet unike është dashuria për prindin, për familjen. Aty je gjithmonë i mirëpritur, siç ndihet sot Eni në krahët e babait të saj Ali.

“KA NJË MESAZH PËR TY”
Rasti II

Përpara 9 vitesh Yllsoni mësoi se kishte dy motra, por pavarësisht kërkimeve të vazhdueshme ai nuk arriti të binte në gjurmë të tyre sepse e vetmja e dhënë që kishte ishin dy emra: Magdalena dhe Anila.

Ai ka ardhur sot në “Ka një mesazh për ty” në E Diela Shqiptare në Tv Klan jo vetëm t’i kërkojë, por edhe t’u përcjellë një mesazh dashurie. Natyrisht ai nuk e di që ne i’a kemi gjetur motrat dhe Magdalena do e dëgjojë historinë e tij për herë të parë. As kjo e fundit nuk e di se kush e ka ftuar por do e kuptojë gjatë rrëfimit të vëllait.

“Bëra një udhëtim të gjatë, 18 orë. Unë kam lindur në Cërrik të Elbasanit, babai kishte patur një martesë të parë me të cilën kishte dy vajza. Ai u divorcua dhe u lidh me mamanë time. Mamaja studionte për laborante, ndërsa babai ishte oficer. Nga martesa vjen në jetë fëmija i madh, vëllai im. Më pas kishin disa konflikte në familje, sepse mamaja kishte kuptuar që ai kishte një lidhje paralele. Divorci i parë me familjen tjetër kishte ardhur për të njëjtën arsye, sepse babai kishte një lidhje. Ata bënë një ndarje jo të ligjshme dhe mamaja shkon tek prindërit. Për mentalitetin e kohës, gjyshi nga mami thoshte bashkohu për të mbajtur familjen, për shkak të turpit, opinionit, kështu bashkohen prapë dhe vij në jetë unë. Ata shkonin shumë keq. Ai mbase edhe nga shkarkimi nga detyra si oficer që hodhi poshtë gjithë punën e tij, filloi edhe pijen.

Gjatë kësaj martese, ngelet shtatzanë me fëmijën e tretë. Një ditë mamaja shkon më herët nga puna në shtëpi dhe gjen babain me të dashurën. Kthehet përsëri në Korçë tek gjyshi dhe tregon gjithë historinë. Aty mamaja martohet përsëri, por të gjitha fatkeqësitë rikthehen. Nga martesa njerku sjell djalin e tij, i cili u kthye në një vëlla për mua. Ai më ka mbështetur, sepse jeta nuk ishte ashtu siç e prisja. Kisha shumë dëshirë të takoja babain biologjik. Pas disa vitesh shkoj në shtëpinë e tij, por më dha një përqafim jo të ngrohtë. Ne shkuam të qëndronim disa ditë me babain për ta njohur, por ai tha se nuk i pranoj.

Në shtëpi isha me njerkun dhe nuk rrija dot, u arratisa 13 vjeç për në Greqi, në një udhëtim 6 ditor. Kam shkuar në Selanik, kam fjetur edhe jashtë, stolave dhe atje gjej një të njohur i cili është edhe shpëtimtari im. Më pas kushuriri më merr në Athinë, ku u vendosa dhe aty jetoj edhe sot. Bashkëshortja është ndodhia më e bukur në jetën time me të cilën kam edhe tre vajza. Nuk e dija që kisha një hallë, vëllai i jep numrin tim dhe takohem në Greqi.

Folëm për një kohë të gjatë dhe ajo më tregoi për jetesën tonë. Halla jetonte me babain dhe e njihte shumë mirë. Ajo më tregoi që nga martesa e parë kishte edhe dy vajza dhe mësova që kam dy motra në moshën 32 vjeç. Më erdhi mirë, sepse kam dashur të kisha një motër. Duke treguar historinë halla, mendova si ka mundësi që një prind të ketë pesë fëmijë dhe asnjë t’i rrijë në krah. Dija që ishte inteligjent, gjithë ato vite shkollë dhe të përfundonte kështu nuk më besohej. Kërkova që të njihja motrat, por halla nuk kishte informacione dhe më tha vetëm emrat. Magdalena dhe Anila ishin emrat e motrave, por me pak të dhëna nuk mund të kërkosh. Fola me babin pas shumë vitesh dhe e shihja si një të huaj, por e mora për motrat edhe ai më tha që nuk kam asnjë kontakt”.

Ardit Gjebrea: Bashkëshortja jote na shkroi, na dha vetëm me dy emra. Imagjino sa e vështirë është, por ne t’i gjetëm dy motrat. Njërën e ke në Greqi në Selanik, tjetra është në Tiranë. Tani do të njohësh virtualisht motrën tënde.

Teksa sheh motrën për herë të parë, Yllsoni përlotet dhe sheh se ngjason me atë. Arditi largohet përsëri nga studio e “Ka Një Mesazh Për Ty” dhe shkon tek Magdalena, e cila gjithashtu është e prekur nga gjithë historia e vëllait. Ajo tregon se të njëjtën histori e ka përjetuar, por Zoti na jep kurajo, dashuri, durim për të kapërcyer sfidat dhe sot na presin surprizat e bukura. Disa herë kam kontaktuar me babain, thjesht për respektin si prind, por gabimet i kanë përjetuar ata dhe do japin llogari, tregon Magdalena e cila shkon pranë vëllait dhe i jep atij përqafimin e munguar.

“Ka një mesazh për ty” bashkon vëlla e motër për herë të parë pas 38 vitesh. Vështirësitë të rrisin dhe ndonjëherë të bëjnë njeri më të mirë. Pavarësisht se kanë jetuar në familje të ndryshme, në vende dhe kultura të ndryshme, gjaku i tyre është i njëjtë. Yllsoni dhe Magdalena kanë shumë për të treguar e për të shkurtuar distancën e largët kohore prej njëri – tjetrit. Ajo që ka rëndësi është fillimi i mbarë që nisi nga përqafimi i sotëm.

NE JEMI CFARE HAME KUJDES SHENDETIN!

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Dy vëllezër prej vitesh janë në një konflikt për pronat e tyre. Medi dhe Eglantin (Altini) vijnë sot në seancën e ndërmjetësimit “Shihemi në gjyq” , në Tv Klan për të sqaruar konfliktin e lindur mes tyre. Për çfarë e akuzon Altini Mediun dhe a do të munden ata ta sqarojnë çështjen e tyre?

Mediu nga Patosi, tha se konflikti i tyre familjar ka 1 vit që ka filluar qëkur ai nisi një proces gjyqësor në Gjykatën e Fierit, por vëllai i tij, Altini e hodhi poshtë këtë duke thënë se kanë më shumë vite.

“Konflikti vazhdoi kur unë humba seancën gjyqësore në Fier, aty e quaj fillimin e konfliktit brenda vëllazërisë, sepse më parë nuk kemi bërë debate”.

Por, Altini shpjegoi se debati është për një borxh dhe Mediu e kishte hapur gjyqin, pa ditur ai asnjë gjë.

“Mediu ka humbur gjyqin dhe unë kam humbur pasurinë, kam hyrë tek vëllai një borxh të padeklaruar. Në fakt kemi një debat me një palë të tretë, punë pasurie toke, pas 30 vitesh. Unë e kam marrë vesh, pasi është hapur një proces gjyqësor për këtë tokë, se nuk kam ditur asnjë gjë. Prona është familjare dhe besoj se me takon të njoftohem. Është pasuri e të gjithë fëmijëve. Unë e mora vesh pas 2 javësh si Mediu ka humbur gjyqin dhe më tha, se sa kanë shkuar shpenzimet”.

Mediu, deklaroi se pronari i tokës është motra e tyre, por edhe këtu Altini e kundërshtoi, pasi tha se toka është marrë me ligjin 7501 dhe toka është e të gjithë fëmijëve.

“Nuk është pronarë motra, toka është marrë më ligjin 7501. Mua më kanë thirrur për rrëmbim tokë, sikur ja kam marrë tokën me dhunë në vitin 1997, por nuk është e vërtetë dhe nuk i kam marë asnjë pjesë toke, sepse po ta kisha marrë do e merrja të gjithën”.

Juristja, Eni Çobani, tha se shqetësimi i Altinit është pse nuk e ka njoftuar vëllai (Mediu) lidhur me gjyqin.

I pyetur nga avokatja, Eni Çobani, se kush i ka thirrur në proces gjyqësor dhe kush pretendon se ja kanë zaptuar tokën, Mediu tha, “Në Prokurori dhe në Gjykatë na ka thirrur një qytetar që është ngjitur me fshatin tonë dhe jeton në komunem e Portzës. Artan Hoxha ka ardhur në komunën e Portzës në vitin 1992 dhe kërkon tokën. Hoxha, me një vendim komisioni ka fituar tokën”.

Zonja, Eni Çobani, lidhur me dosjen që disponon, tha se, ka bërë një studim dhe rezulton se, Roza Kurteshi ka lënë prokurë që ta ndjekin vëllezërit e tij. Shtetasi Artan Hoxha i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, me padi dhe të paditur zotin Medi të lirojë dhe ti dorëzojë sipërfaqen e tokës dhe detyrimin për shpërblim për përdorimin e sendit.

Mediu, tregoi se gjyqi ka filluar në 2016-ën dhe prona është në emër të Rozës (motra), dhe në fshatin e tyre të gjithë ata që kanë AMTP, ne emrin e tyre, kanë qenë burrë e grua në fermë dhe kanë marrë të gjithë AMTP.

Ndërsa, Altini shpjegoi se Roza është si kryefamiljare dhe ka marrë 10 mijë m2 tokë dhe babai ka 2 mijë m2, dhe një vëllai tjetër që ka 3 mijë m2. “Në AMTP e motrës jemi të përfshirë 4 persona, 3 vëllezërit dhe Roza. “

“Ne nuk e kemi ndarë tokën, sepse nuk kemi pasur probleme me tokën në familje. Toka është bërë ullishte rreh 20 vjeçarë janë ullinj, toka është mbjellë, punuar. Prandaj jam revoluar unë se nuk me njoftoi Mediu.”

Juristja, Çobani, tha është çudi sesi një pasuri toke kaq e madhe është lënë vetëm në një AMTP, por kjo varet nga fshatrat.

Mediu shpjegoi se si e kanë marrë dhe fituar tokën.

“Deri në vitin ’84 kemi jetuar në këtë tokë me shtëpi, pas vitit ’84 i bashkohemi planimetrisë dhe jemi rikthyer në vitet 91-92 dhe komisioni na ka vendosur përsëri në këtë tokë ku kemi pasur shtëpitë e gjyshit. Nga viti 1990 deri në vitin 2016 babai im ka qenë nëpër gjyqe, xhaxhai dhe të gjithë sepse e kanë kërkuar si tokë gjyshi. Ne kemi shumë vjet tek ai fshat. E vërteta është ndryshe dhe është deformuar”.

Por, Altini ka pretendime të tjera lidhur me këtë situatë. Ai tha se familja e Artan Hoxhës pretendon për një sipërfaqe toke se ka dy AMTP dhe aty nuk ka as datë, as numër protokolli dhe as emrat nuk duken mirë. Ai dokument është marrë nga zyra e regjistrimit. Dhe gjëja tjetër e çuditshme është se ka dhe një tjetër dokument dhe ka një tjetër historik, ka të shënuar, vendin nga vjen, numrin re protokollit dhe më pak metra katror.

Pra, se kush është dokumenti i saktë për të shkuar drejt fitores së Zotit Artan Hoxha të kësaj pasurie nuk dihet.

Zoti, Artan Hoxha i përgjigjet telefonatës për të marrë pjesë në rubrikën “Shihemi në gjyq”.

Artan Hoxha: A keni dokumentat e mija përpara?

Eni Çobani: Po i kemi dhe kam nxjerrë se ka 2 AMTP dhe kanë metra katrorë të ndryshëm, njëra 26 mijë dhe tjetra 19 mijë metra katrorë. Pse konflikti ka filluar në vitin 2016 dhe jo në vitin 91 -92 dhe 95-96.

Artan Hoxha: Familja ime është vendosur në fshatin Portez të Fierit në vitin 1900 por sistemi që ishte nuk na lejonte të merrnin pasaportizimin nga fshati kur ishim në Portëz. Prindërit e mi kanë filluar punë në janar të 1991 në ndërmarrje bujqësore dhe në ligjin 7501 thuhet se të gjithë anëtarët kanë të drejtë të pajin me tokë.

Mediu tha se në shtëpinë e tij, kanë shkuar disa herë policë dhe makina policie pa qenë e nevojshme, për ti bërë presion, pasi Prokuroria me një telefonatë mund ta thërriste.

Artani u shpreh se Mediu ka falsifikuar dokumentat dhe i kërkoi Mediut që të flasin në telefon, pasi është i hapur për të komunikuar me njëri- tjetrin.

Sipas Mediut, Altini nxehet kot dhe nuk duhet ta bëjë atë fajtor se ka humbur gjyqin. Ndërsa Altini kërkohet që të vihet drejtësi, pasi ka besimin tek juristja Eni Çobani dhe nuk do të humbasë vëllain e tij. Por, ai tha se në rrethanat ku ndodhet në gjendjen ekonomike nuk mund të fali qindarka dhe jo më miliona. Altini gjithashtu u shpreh se është i gatshëm për të folur me vëllain e tij, por edhe me Artanin.

BE coffee!

Kategori
E DIELA SHQIPTARE
0 Komente

Përgjigju

*

*

Emisione