Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

“Ka një mesazh për ty” te “E diela shqiptare”, sot nuk nisi sipas formulës së zakonshme. Të parët që erdhën në studio ishin Safeti dhe Kujtimja, një çift shqiptarësh që jetojnë në Strugë të Maqedonisë. Ata u ftuan në studio, pasi miku i tyre i vjetër Xhevahiri do t’ju bënte një surprizë. Puntata e parë mban skena plot emocione dhe të qeshura. Mikpritja, mirënjohja dhe ndershmëria janë baza mbi të cilat është ndërtuar miqësia e protagonistëve të kësaj të diele, të cilët përcollën një mesazh të shumë të vlefshëm për të gjithë.

Xhevahiri: Unë jam Xhevahiri, nga Librazhdi. Jetoj në Patra të Greqisë. Si gjithë shqiptarët edhe unë u mundova të ikja në Itali kur u hapën kufijtë, por nuk arrita dot. Meqë unë kisha bërë ushtrinë në kufi me Maqedoninë, ish-Jugosllavia në atë kohë, edhe gjatë shërbimit ushtarak kisha zbuluar nga hartat që mbajnë oficerët se në Maqedoni, në fshatrat e Strugës, kishte shqiptarë. Bashkë me shokë të tjerë, i mora, kalojmë kufirin, për të shkuar në Strugë.

Të gjithë emigrantët kalonin pranë rrugës ku banonte familja Polisi. I zoti i shtëpisë ishte një pensionist që kishte punuar emigrant në Gjermani. Meqë kishte punuar emigrant dhe ishte shumë merakli, donte të ndihmonte. Ai zinte pritë dhe në vendin ku kalonin emigrantë shqiptarë ju jepte të gjithëve bukë dhe djathë. Ai kishte punuar emigrant dhe i dhimbte shpirti për emigrantët.

Të gjithë kalonin në rresht dhe ai u jepte të gjithëve nga pak bukë. Mirëpo unë mora një herë pastaj ndërrova bluzën edhe u futa prapë në rresht për të marrë prapë bukë pasi nuk më dilte. Ai më pa, dyshoi por nuk më tha gjë.

Unë e përsërita prapë këtë gjë, herën e tretë unë vura kapele. Ai e vuri re dhe më tha të qëndroja aty. Ai më pa si një njeri të shkathët dhe vendosi të më mbante në punë mua, në shtëpi.

Më tha mua: e çon traktorin? E çoj i thashë.

Do punosh tek unë më tha. Gjatë kohës që unë punoja aty, djali i vogël Safeti punonte në Gjermani. Dhe kur erdhi më ka sjellë një kuti me rroba, për mua, sepse unë tashmë isha kthyer në një pjesëtar të familjes. Kur u ktheva në fshat, vesha njërin nga xhupat që më kishin dhënë Safeti dhe nusja e tij, Kujtimja. Aty gjeta një unazë mirëpo unë nuk ia dija vlerën e floririt kështu që e shita me pak lek.

Më vonë kur u ktheva të shtëpia e tyre për të punuar, dëgjoja që çifti po debatonte për unazën. U ndjeva shumë keq, por nuk munda t’u tregoja që e kisha shitur unazën.

Xhevahiri ka jetuar për shumë vite me këtë brengë. Ai ka ardhur në studion e së “Dielës Shqiptare”, jo vetëm për t’i shprehur publikisht mirënjohjen familjes Polisi por mbi të gjitha për të kërkuar falje për gabimin e bërë si edhe për t’ju sjellë atyre një unazë tjetër.

Në ekranin e murit ndarës shfaqet çifti të cilët dëgjuan të gjithë rrëfimin e bërë nga Xhevahiri.

Xhevahiri: Safet të kam thirrur ty sepse ishe më i afërt nga të gjithë me mua. Edhe pse në fillim kemi qenë “kundërshtarë politikë” bashkë. Unë ju falënderoj familjarisht për respektin dhe bukën që më keni dhënë. Në xhepin e xhupit të bukur që më dhe, siç edhe e dëgjuat, kam gjetur një unazë. Unë kam përpjekur në shumë mënyra për ta kompensuar gabimin e bërë, por sot ju kam sjellë një unazë.

Safeti: Unë e kam harruar fare atë unazë. Kjo ngjarje nuk ka ndikuar aspak në marrëdhënien tonë si çift. Ne kemi më shumë se 25 vite bashkë dhe kemi 3 fëmijë të mrekullueshëm. Unë kam shëtitur shumë në Europë dhe kudo dhe kam bërë shumë miq. Xhevahiri është një mik i palodhur, ai vjen te ne në çdo rast, merr pjesë në çdo festë edhe pse jeton larg. Ai nuk harron asnjë ditë të shënuar për ne, udhëton nga Patra për të qënë i pranishëm në gëzimet tona. Xhevahiri ka qenë pjesë e familjes dhe do të ngelet gjithmonë i tillë.

Xhevahiri: Unë të falënderoj Safet dhe të jam mirënjohës. Tani e tutje unë jam shumë i qetë.

Mes të qeshurash dhe humorit, drejtuesi i programit Gjebrea fton Xhevahirin t’ju japë unazën çiftit. Ashtu siç është bërë traditë, në fund miqtë shkëmbejnë përqafime me njëri tjetrin.

Rasti II

Në pjesën e dytë të rubrikës “Ka një mesazh për ty” ka ardhur Stelina, një vajzë e re, bukuroshe e cila ka thirrur mamanë e saj Jonidën. Ajo dëshiron t’i japë mamasë së saj një mesazh publikisht, duke i kërkuar njëkohësisht që të kenë një marrëdhënie më të afërt si nënë e bijë dhe të komunikojnë më shumë, gjë që i ka munguar në vitet e fundit.

Stelina: Historia nis në vitin ’97, viti i trazirave. Në atë kohë prindërit e detyruan mamin të linte shkollën, sepse kishin frikë ngaqë vajzat përndiqeshin atëherë. Duke ju përshtatur mentalitetit të asaj kohe, u detyruan ta martonin mamin, ne moshë shumë të re.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç je ti sot?

Stelina: 16. Në moshën që jam unë sot, mami më lindi mua dhe më pas vëllain. Më vonë mami dhe babi im u divorcuan. Pas divorcit mami u mbyll në vetvete, na u përkushtua neve dhe nuk kujdesej fare për veten. Na mundësoi të gjitha gjërat materiale që deshëm sepse ajo donte të mos vuanim për asgjë. Më pas mami u detyrua të largohej në Itali duke menduar më shumë për ne sesa për veten e saj.

Stelina tregon se asaj i ka munguar shumë komunikimi me mamanë e saj dhe ka nevojë që ta shembin “murin” që ata kanë mes tyre.

Stelina tregon se mamaja e saj dëshiron që ajo të ketë prioritet shkollën dhe të fokusohet vetëm aty. Frika më e madhe e mamasë së Stelinës, është që vajza e saj të martohet në moshë të re, prandaj stafi i rubrikës “Ka një mesazh për ty”, ka vendosur t’i bëjë Jonidës një shaka të vogël.

Në studio vijnë një zotëri nga Tropoja me emrin Alban si edhe një djalë me emrin Kevi. Atyre iu është thënë të luajnë rolin e dhëndrit dhe vjehrrit për ta bërë Jonidën të besojë se vajza e saj është në një lidhje serioze.

Jonida mbërrin në studio dhe intuita i thotë që është vajza e saj ajo që e ka thirrur. Megjithatë, në ekran shfaqet Albani dhe i thotë: Unë mendova të të ftoj si prind, vajza jote dhe djali im po shoqërohen shumë këto gjashtë muaj. Ne jemi nga veriu, kemi tradita të tjera…

Jonida: Kisha shumë besim te Stelina. Nuk doja që gjërat që më ka ndodhur mua të përsëriteshin tek ajo. Prioritet për atë është shkolla dhe të bëhet dikush në jetë.

Shakaja nuk zgjati shumë. Jonida më pas shprehu që i besonte së bijës paçka se kjo shaka e kishte bërë të dyshonte pak.

Mesazhi i Stelinës për të ëmën në studio: Unë nuk të kam thirrur këtu për këtë pjesë sepse kjo gjë do të ndodhë shumë më vonë. Unë nuk kam ardhur për vete por për ty, për të dyja. Do doja që murin që kemi në mes ta shembnim dhe ta merrje jetën tënde më me pozitivitet. Dua që të nisësh jetën tënde pa menduar shumë për të tjerët.

Stelina madje i thotë mamasë së saj se ajo është e lirë të gjejë dikë dhe të ndërtojë jetën e saj. Një pyetje e tillë vjen edhe nga Ardit Gjebra për Jonidën.

Jonida: Nuk e kam menduar asnjëherë. Unë e kam jetën të mbushur plot. Kam dy yje që ma mbushin jetën. Falëndëroj Zotin çdo ditë që i kam. Dhe në momentet më të vështira janë ata që mua më ngrenë moralin. Ata janë gjithçka për mua.

Mesazhi përmbyllet me premtimin e Jonidës për të qenë më pranë të bijës dhe për të zhvilluar më shumë komunikimin mes tyre.

“BLACK BOX”

Sot në “Black Box” ishte ndeshja e dytë gjysmë finaliste, mes dy shefave të cilët kanë grumbulluar pikë më shumë se tetë shefat të cilët kanë qenë pjesë e garës.

Drejtuesi i programit, Ardit Gjebrea, e quajti garën mes shefave, një garë të niveleve ndërkombëtare, kjo jo vetëm për faktin që rregullat respektohen rigorozisht, por edhe për jurinë e cila ka drejtorin kontinental për gjithë Europën jugore, të organizatës botërore të shefave të kuzhinës, anëtarin e komisioneve të garave kulinare, gjyqtar ndërkombëtar dhe instruktor i gjyqtarëve të konkurseve të gatimit në botë, shef Domenico Maggi.

Si edhe pjesëmarrjen e dietologes të mirënjohur dhe shumë të vlerësuar, Blerina Bombaj Troci.

Procedura për të arritur në finale është kjo: do të mblidhen pikët e të katër gjysmë finalistëve, për të parë se cilët janë dy shefat e vlerësuar me pikët maksimale dhe ata do të jenë finalistët.

Gjysmë finalistitët e kësaj puntate ishin Artjon Kurti dhe Gledis Qershori.Përbërësi kryesor me të cilin shefat duhej të gatuanin pjatat e tyre ishte mishi i qengjit.

Receta e shef Artionit:

Receta e shef Gledis:

Shef Domenico Maggi vlerësoi pjatat e të dy shefave dhe u dha komplimente për rritjen profesionale që ata kanë pasur gjatë këtyre javëve.

Fituesi u shpall shef Gledis me 96 pikë duke lënë pas shef Artionin me 95 pikë. Dy finalistët e javës së ardhshme do të jenë shef Ermali dhe shef Gledis.

“SHIHEMI NË GJYQ”

Dy ish – miq, Murati dhe Zabiti bëhen pjesë e kësaj seance ndërmjetësimi në Tv Klan për shkak të një problematike të lidhur me një portë të përbashkët. Tre familje hyjnë nga rruga në të njëjtën portë për të shkuar në banesat e tyre në fshatin Orizaj të Beratit. Në publikun e emisionit “E Diela Shqiptare” ndodhen edhe familjarët e tyre, i ati dhe bashkëshorja e Zabitit dhe i biri Muratit, të cilët shpeshherë janë përfshirë në debat.

“Kam 25 vjet që dergjem për dokumente. Më kanë dhënë zotërinjtë një certifikatë, një letër dore. Shkoja për të bërë dokumentet, por ishte e pamundur. I kërkoja te kryetari dhe ish – kryetarët e komunës, që sot po përgjigjen para prokurorisë, se doja të m’i bënin dokumentet që të dija dhe unë se ku e kam pronën. Sa të jemi ne nuk të bëjmë dokumente më thonin, ndërsa unë i thoja që ka dalë vendimi i qeverisë”, shprehet Murati.

Ai tregon se pas shumë këmbënguljesh, në vitin 2016 u pajis me certifikatë pronësie për 375 metra katrorë tokë. Asokohe fqinji i tij i ofroi t’i shiste shtëpitë, pasi i biri ndërroi jetë dhe do të largoheshin. Por këtu nis konflikti i dy protagonistëvë të kësaj seance ndërmjetësimi, pasi shtëpitë e fqinjit i mori i biri i Muratit dhe tanimë ndan një portë të përbashkët me Zabitin. Ky i fundit e ndërpret duke thënë se më parë ishin shumë të afërt dhe konsideroheshin një familje, por miku i tij filloi t’i qëndronte ftohtë.

“Unë doja ta hiqja portën. Ajo përmblidhte këtë zotërinë që shiti shtëpinë, mua dhe vëllanë, kishim një portë. Shkonim mirë, pa cënuar njëri – tjetrin, por filloi të më mbyllte portën dhe unë aty e kuptova. Unë thërrisja (të ma hapnin portën), ky vinte më shikonte që isha unë dhe ikte. Ç’bëja unë? I bija rreth e qark që shkoja te shtëpia ime. Kështu filloi ky muhabet. Edhe më ka ofenduar, edhe më ka sharë, edhe më ka kërcënuar, por unë asnjëherë nuk e kam denoncuar!”, thotë Zabiti.

Ai shprehet se pasi është ankuar në komunë, punonjësit kanë shkuar për të verifikuar dhe kanë vendosur piketimin, por Murati nuk ka pranuar të përgjigjet.

Murati – Po flet, por nuk thotë të drejtën.

Zabiti – Të lutem se do themi të drejtën këtu.

Murati – Mos më thuaj mua të lutem fare se më ke nxirë jetën!

Zabiti – Jetën ma ke nxirë ti mua!

Murati – Ktheji përgjigje publikut dhe zonjës Eni këtu, pa leji ato llustrat, ato fjalët e bukura.

Zabiti – Më dëgjo mua! Në vend të të sillja unë këtu, më ke sjellë ti mua?

Murati – Si? Pse, kush je ti? Pse ta kam nxirë jetën?

Zabiti – Nuk më ke lënë të kaloj, më ke kapur prej fyti!

Murati – Po ti me tualetin që ke bërë aty? Ku e ke hyrjen ti?

Zabiti – Mua rrugën ma ka dhënë shteti, nuk e kam bërë unë!

Murati – Në momentin që bëra shtëpitë, pse më the hiqe portën e sille këtu?

I ati i Zabitit, Myrtezai ndërhyn dhe thotë se familja e tij është shpërngulur në vitin 1970 në Orizaj dhe ka marrë një truall, por në vitin 1988 hyri “vija e verdhë” dhe më pas shpjegon vendosjen e shtëpive. Ndërsa i biri i Muratit thotë se rrugën që pretendojnë këta, ia paguan ky i fundit taksat dhe akuzon Zabitin për bashkëpunim me administratorin e njësisë, Lionelin, pasi kanë lidhje familjare.

Ndaj administratori Leonel Elezi, në lidhje telefonike me studion, tregon fillimisht se kjo problematikë ka nisur para se ai të nisë punë në këtë pozicion, ndaj nuk mund ta quajnë bashkëveprim me Zabitin. Ai shpjegon se në vitin 2015 Zabiti ka bërë kërkesë për hapjen e rrugës që ishte zaptuar dhe në vitin 2016 ka bërë një kërkesë tjetër, për të cilën administratori është konsultuar edhe me Zyrën e Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme. Për këtë kërkesë të Zabitit është vënë në dijeni Murati dhe avokati i tij, i cili sapo është njohur me dokumentet është tërhequr nga çështja.

“Ne kemi vazhduar procedurën ligjore, për të cilën kemi bërë njoftim dhe nuk është marrë masë nga ana e Muratit. Pastaj kemi vepruar duke ekzekutuar procesverbalin me grupin e punës të ardhur nga Policia Bashkiake, specialistë e juristë dhe unë isha i fundit që merrja pjesë”.

Juristja Eni Çobani shprehet se Murati i ka drejtuar një kërkesë Bashkisë Berat, ku pretendon se Zabiti i ka zënë me forcë 100 metra katrorë nga pasuria e parë (shtëpia) , ndërsa nga pasuria e dytë (magazina) i ka zënë rrugën me dokumente të falsifikuara.

Administratori i njësisë thotë se ka marrë masat për pjesën që i takon ligjërisht përsa i takon depozitimit të dokumenteve dhe shqetësimit që ka patur Murati, të cilat mund t’i verifikojë nëpërmjet organeve kompetente.

I pyetur nga Murati se përse e ka penguar në dokumentacion, Lioneli shprehet se nuk ka asnjë të drejtë të pengojë asnjë banor të njësisë së tij.

Murati tregon se prej 26 vitesh paguan taksat prej 375 metra katrorë dhe Zabiti ka ndërtuar një rrugë prej 2.5 metrash për të kaluar përmes shtëpive të tij dhe të të birit. Por Zabiti pretendon se ajo rrugë është publike.

Juristja Çobani shprehet se në dokumentin e pronësisë së Muratit thuhet se në tokën me sipërfaqe prej 375 metrash katrorë ndodhen 200 metra katrorë truall dhe 80 metra katrorë ndërtesë, por Murati thotë se ndërtesa ështe 110 metra katrorë.

Zabiti i agravuar i drejtohet Muratit: “Më dole edhe një herë përpara do të hedh në gjyq!”

Zonja Eni i kërkon ish – miqve të qetësohen dhe të rregullojnë marrëdhënien me njëri – tjetrin, pasi janë fqinjë. Zabiti e aprovon këtë gjë, duke i kërkuar të mos hedhë poshtë të gjithë shoqërinë që kanë patur dhe të mos shkelë me këmbë respektin që ka për të, por Murati refuzon, duke i kërkuar të mos e shqetësojë.

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” në këtë seancë ndërmjetësimi të rubrikës “Shihemi në Gjyq” i dha të drejtë Zabitit.

Murati shprehet se kërkon vetëm që të mos kalojnë më në mes të oborrit të tij dhe të largojnë tualetin që ndodhet pranë dritares së tyre, por Zabiti i përgjigjet se nuk kanë se ku të kalojnë tjetër.

Juristja Çobani premton se do të shkojë vetë në fshatin Orizaj për ta parë situatën nga afër për të gjetur një zgjidhje, vetëm ata duhet do të qetësohen dhe do ta presin bashkë.

Ish- miqtë i japin dorën njëri – tjetrit dhe përqafohen, duke e përfunduar në këtë mënyrë me sukses edhe këtë seancë ndërmjetësimi.

Telebingo shqiptare!

“POWER KIDZ 4”