Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Dashuria, sakrifica e nënës për fëmijën, është arsyeja që ka sjellë sot Elenën, një vajzë 17-vjeçare, në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, te “ E diela shqiptare”. Pavarësisht se panorama e familjes së saj, nuk është ajo që çdo fëmijë do të ëndërronte, ajo, vëllai dhe mamaja e tyre kanë qenë gjithmonë të bashkuar. Elena ka ardhur për të falenderuar mamanë e saj e cila ka luajtur rolin e nënës dhe të babait për ta. Thonë se çfarë nuk të vret, të bën më të fortë dhe këtë e dëshmojnë më së miri protagonistët e kësaj të diele.

Elena: Unë jam Elena, jam 17 vjeç, vij nga qyteti i Bulqizës. Unë dhe familja ime jetojmë te shtëpia e dajës në Durrës, sepse babai vendosi të na braktisë.

Ardit Gjebrea: Si ju braktisi?

Elena: Babai i dha mamasë sime disa dokumente për të firmosur, gjoja do të shkonim të gjithë si familje në Itali. Mami, duke i besuar verbërisht, i firmosi ato. Por ato dokumente kishin qenë për shitjen e shtëpisë. Ai kishte vendosur të largohej vetëm në Itali, pa ne. Kaluan disa ditë dhe na thanë të largoheshim nga shtëpia, sepse shtëpia ishte shitur. U detyruam që të iknim te shtëpia e gjyshërve.

Unë isha vetëm tre vjeç, ndërsa vëllai katër. Pritëm disa muaj dhe ai më në fund mori mamin në telefon. E vetmja gjë që i tha ishte “unë kam ndërtuar jetën time këtu, ti vazhdo me tënden”.

Elena tregoi për periudhën e vështirë që ka kaluar duke pritur kthimin e babait të saj, gjë që nuk ndodhi kurrë. Ditët, muajt, vitet kalonin dhe ai nuk kujtohej kurrë për familjen. Elena tregon për momentin kur e takoi pas disa vitesh, pasi ai u kthye nga Italia: “Shkuam në Bulqizë pasi morëm vesh që ai kishte ardhur te prindërit e vet, vendosëm të shkonim ne. Ishim akoma të vegjël por donim një shpjegim. Erdhi na takoi, tha që ishte penduar dhe do kthehej prapë”.

Ardit Gjebrea: Takimin e parë me babin, ti dhe vëllai, si e përjetuat?

Elena: Nuk e njihnim fare. Pavarësisht se mami na tregonte gjithmonë fotot e atij, na thoshte gjithmonë, pavarësisht gjithçkaje, ky është babai juaj. Ai na takoi, na përqafonte. Na tha që duke filluar nga sot ne do jemi familje si më parë. Do kujdesem për ju, do ju lë numrin tim të telefonit. Por nuk e mbajti premtimin, iku të nesërmen direkt në Itali dhe s’na u përgjigj më kurrë në telefon.

Ai nuk ishte me ne kur kishim më shumë nevojë për të.

Në Gusht të 2017, vendosëm të shkonim për pushime në Itali pasi edhe dajat dhe tezet jetojnë atje. Ne menduam të shkonim ta takonim babin duke qenë se këtë herë ishim më të rritur. Ai na shikonte me një nënqeshje, dukej sikur nuk i interesonim fare.

Ardit Gjebrea: Po përse shkuat ta takonit atëherë?

Elena: Donim shpjegim, donim arsyen pse s’ka qenë me në gjatë gjithë kohës. Ai mendonte se gjithçka mund të blihej me para, edhe dashuria e fëmijëve. Por ne nuk kishim nevojë për para sepse falë dajës dhe tezeve nuk na ka munguar asgjë.

Elena vazhdoi më tej duke treguar se sa shumë mamaja e saj kishte vuajtur dhe sakrifikuar gjatë gjithë jetës.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç është mami sot?

Elena: Mami është 40 vjeç. Babai e ka lënë që në moshën 26 -vjeçare.

Ardit Gjebrea: Sot kam ardhur t’i them mami që ajo nuk është vetëm. Ne jetojmë në shtëpinë e dajës. Ai kalon shumë kohë pranë nesh dhe që në moshën 13-vjeçare ka dalë të punojë për ne. Nuk është martuar vetëm për të na mbajtur ne.

Enea, gazetari i rubrikës “Ka një mesazh për ty”, vajti në qytetin e Durrësit për t’i dërguar mesazhin zonjës Manushaqe, mamasë së Elenës.

Manushaqja e pranoi ftesën dhe erdhi me kënaqësi në studion e së Dielës Shqiptare.

E pyetur nga Gjebrea nëse kishte ndonjë ide se kush mund ta kishte ftuar, ajo tha se dyshonte te vajza e saj. Prandaj edhe nuk u surprizua kur në ekran u shfaq e bija, Elena.

Mesazhi i Elenës për mamanë: Mami si fillim dua të të falenderoj shumë, për gjithë kujdesin e treguar ndaj nesh, per faktin që mbylle jetën tënde vetëm për të ndenjur me ne. I di shumë mirë sakrificat e tua, edhe pse nuk e ke shfaqur veten, e di shumë mirë çfarë ke kaluar. Nuk dua të të shoh më të mërzitur, për të menduar për gjërat që kanë kaluar. Falenderoj dajën që falë tij jemi mirë dhe nuk na ka munguar asgjë. Premtoj që unë do të ndjek shkollën, të të bëj krenare.

Manushaqja u shpreh se dëshironte që fëmijët e saj të ishin të suksesshëm në jetë. Ajo tha se nuk do të dëshironte të kalonin atë që ajo kishte kaluar.

Stafi i së dielës kishte menduar edhe për djalin e saj, Erneston i cili jeton prej një muaji në Itali. Ata i kishin dhënë mundësinë që ai të përcillte një mesazh për nënën e tij nëpërmjet nje videoje.

Ernesto: Përshëndetje mami. Dua të falenderoj motrën time dhe zotin Ardit Gjebrea për këtë mundësi që na dha. Në radhë të parë dua të të falenderoj për çdo gjë që ke bërë deri më sot për ne, nga momenti që kemi hedhur hapat e parë, deri më tani. Ti ke qenë një prind shembullor për ne, edhe për këtë falenderoj Zotin që më dha një nënë të mrekullueshme si ti. Në radhë të dytë, doja të të thoja që unë do të jem krahu juaj për çdo gjë, deri në fund të jetës unë do të jem me ju. Ti je e shtrenjta jonë dhe s’do të të lëmë asnjëherë vetëm, ti për mua je nënë dhe baba, ju dua shumë!

Manushaqja: Shumë faleminderit. Të dy janë dritë e syve të mi.

Rasti II

Historia e dytë në “Ka një mesazh për ty” ishte e mbushur plot emocion, lot dhimbjeje por edhe ngazëllimi. Elida ka ardhur enkas nga Gjermania, për të falenderuar ish mësuesen e saj, e cila më shumë se mësuese, ka luajtur rolin e një prindi në jetën e saj. Elida është model i përsosur i mirënjohjes ndërsa mësuese Valentina është përfaqësuesja e denjë e figurës së arsimtarit. Këto dy zonja i lidh së bashku, një ngjarje e së shkuarës dhe në të njëjtën kohë forca e dashurisë, respektit dhe mirënjohjes.

Elida: Në kohën e regjimit diktatorial, babai im kishte punuar për shumë vite si minator. Ai ishte brigadier, në sajë të punës që kishte bërë. Ne jemi me origjinë nga Burreli por më pas familjen time e transferuan në Kamëz, Tiranë, për shkak të punës së babait. Gjithçka shkonte mirë ne ishim familje e lumtur, deri në momentin që babai im u sëmur nga kanceri. Isha 12 vjeç kur ai vdiq. Ne ishim 6 fëmijë.

Unë e kam përjetuar shumë keq atë periudhë. Qaja në vetvete derisa fillova të sëmuresha, kisha temperaturë të lartë, të vjella. Isha 14 vjeç. Shkuam në spital, por pasi u treguam mjekëve që babai im ka vdekur nga një sëmundje, ata dyshonin se unë mund të vuaja nga e njëjta sëmundje. Mjekët më larguan nga spitali duke thënë se unë nuk kisha sëmundje infektive, kështu që ata s’mund të bënin asgjë për mua.

Në këtë situatë, më vjen në ndihmë mësuesja ime. Ajo më dha jetën për së dyti. Mësuese Vali e kishte treguar me kohë që ishte një njeri me zemër të madhe. Ajo nuk bënte diferencime midis nxënësve, trajtonte çdo nxënës njëlloj, nuk ka rëndësi nëse ishe fëmija i një profesori ose i një minatori.

Elida tregon se si ajo sëmurej çdo ditë e më shumë dita ditës. Dhe në momentin kur ajo dhe njerëzit përreth saj, i kishin humbur shpresat se Elida do jetonte, mësuese Vali erdhi si një ëngjëll. Ajo u ofrua ta dërgonte Elidën në spital me shpenzimet e saj dhe bëri gjithçka që mundi në mënyrë që ta shëronte nga turbekulozi.

Elida tashmë një zonjë me dy fëmijë, me një jetë të stabilizuar në Gjermani, nuk e ka harruar kurrë mësuesen e saj dhe të mirat që ajo ka bërë për të. Ajo e konsideron mësuesen si ëngjëllin e saj dhe shpreh dëshirën që ata tani e tutje të jenë nënë e bijë për njëra tjetrën.

Stafi i “Ka një mesazh për ty” i dërgon ftesën mësuese Valit e cila duket vërtet e befasuar. Mësuese Valentina, tashmë një zonjë e moshuar, mban mbi supe peshën e viteve të shumta që kanë kaluar dhe siç shihet, gëzon gjithë respektin e nxënësve të dikurshëm, por jo vetëm.

Ajo mbërrin në studio shumë e emocionuar, ku shprehet se sot ndihet si “nxënëse” dhe jo si mësuese, profesion të cilin e ka ushtruar gjithë jetën me shumë përkushtim. Në ekranin e murit ndarës shfaqet Elida, të cilën mësuese Vali e njeh menjëherë.

Elida: Mësuese Vali, unë kam ardhur sot këtu, megjithatë nuk do të mjaftonte asnjë emision dhe nuk do mjaftonte një jetë e tërë për të folur për ty. Ishte një brengë që unë e kisha gjithmonë në jetën time, doja publikisht ta shprehja atë që ju bëtë për mua, që më dhuruat jetën për së dyti, që unë të jem sot pranë jush, që unë të kem dy fëmijë të mrekullueshëm. Kështu që unë erdha sot, për t’ju falënderuar juve. Nëse unë sot nënën time biologjike e kam humbur, unë do kisha dëshirë të madhe që ti për mua të ishe nëna ime, ashtu siç më dhurove dikur jetën time. Ne kemi qenë larg por unë kurrë nuk të kam harruar, të kam mbajtur gjithmonë në zemrën time.

Mësuese Vali: E falenderoj shumë, shumë, shumë…me pika pa mbarim. Por i them që, kam bërë detyrën, me përgjegjësi, me përkushtim, dhe me ndjenjën për të arritur diçka ajo në jetën e saj. Nuk kam bërë asgjë më tepër, veç detyrës.

Ardit Gjebrea: Ajo thotë që ju i keni shpëtuar jetën…

Mësuese Vali: Më takonte, përderisa ishte në duart tona, të të gjithë brezit të gjithë arsimtarëve. Të gjithë nxënësit kudo që janë, për muaj janë një familje e madhe. Për mua, çdo ditë që më përshëndet një nxënës, them me vete “sa mbarë do të më shkojë dita sot, se kam takuar nxënësit”.

Në përfundim të minutazhit të kësaj historie, Elida dhe ish mësuesja e saj e dashur shkëmbejnë përqafime të ngrohta me njëra tjetrën. Elida i dhuroi asaj një varëse, simbolikë e pemes së familjes, ku kishte përfshirë edhe mësuese Valentinën.

“BLACK BOX”

Pas dhjetë javësh të “Black Box”, një rubrikë e cila ka ngjallur mjaft interes, sot ishte puntata finale. Ky program, i cili mund të konsiderohet si një risi për ekranet shqiptare, ka arritur të mbërthejë amvisat pas ekranit por jo vetëm.

Drejtuesi i programit, Ardit Gjebrea e quajti puntatën e sotshme, një “event kulinar”, ku ishin të ftuar të gjithë shefat pjesëmarrës në garë përgjatë këtyre javëve. Ai vijoi me falenderime për shefat Ilir Hysaj, Armand Alushi, Arjaldo Merko, Arti Sejdini dhe Tedi Çopja.

Dy shefat të cilët arritën të triumfojnë duke u bërë pjesë e finales, ishin Gledis Qershori dhe Ermal Lohja.

Rregullat e garës:

Përbërësi sekret i fshehur në kutinë e zezë, ishte peshku gjuzë.

Shef Ermali përzgjedh këtë recetë:

Ndërkohë që shef Gledisi zgjedh ta gatuajë peshkun gjuzë në këtë mënyrë:

Nën survejimin e shef Maggi dhe dietologes Blerina Bombaj Troci, shefat përgatisin pjatat e tyre për t’ia servirur jurisë.

Shef Maggi: Ky është momenti më i vështirë, sepse të gjithë shefat janë treguar shumë profesionistë. Por gara ka vetëm një fitues.

Me vetëm 1 pikë në avantazh, shef Gledis shpallet fitues i garës “Black Box”.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Seanca e ditës së sotme, në rubrikën “Shihemi në gjyq”, është vazhdimësi e një seance e cila është zhvilluar më 24 Dhjetor 2017, mes Ramizit dhe vajzës së tij Eridës. Por këtë herë Ramizi është thirrur nga kunata e tij, Safetja dhe dy vajzat e saj të cilat janë të pranishme në publik. Ata janë të gjithë bashkëpronarë të një trualli, të cilin ia kanë besuar investitorit Olsi Xhymerti për të ndërtuar një pallat. Ramizi pretendon se është mashtruar nga Olsi ndërkohë që kunata dhe mbesat e Ramizit, akuzojnë atë se ka bërë veprime për ta përfituar pasurinë të gjithën për vete, duke mënjanuar familjen e vëllait të tij të ndjerë.

Safete: Unë sot zonja Eni kam ardhur, sepse jam shumë e shqetësuar për gjyqin që ka ndodhur më 24 Dhjetor dhe unë ndodhesha në Itali pasi kisha vajzën shumë të sëmurë. Emisionin tuaj unë e ndjek gjithmonë, dhe një të dielë shoh kunatin tim Ramizin, i cili ishte thirrur në seancë ndërmjetësimi nga e bija. Ne kemi truallin me katër bashkëpronarë, ajo tokë nuk është vetëm e Ramizit. Ramizi e di shumë mirë që ne jemi katër bashkëpronarë, janë tre vëllezër dhe një motër. Pas vdekjes së tim vëllari edhe unë pretendoj pjesën time. Menjëherë sapo dëgjova gjyqin unë mora në telefon Olsin dhe i thashë çfarë është ky gjyq, pse ka dalë Ramizi te zonja Eni. Paska bërë katër kontrata false. I kërkova llogari, pse i ke bërë i thashë ne jemi katër bashkëpronarë. Ai më tha që dokumentet i ka në rregull. Më tha që kur të vija në Shqipëri të kontaktoja me të.

Juristja Eni Çobani tregon se gjenden 4 dokumente, nga të cilat ka nisur konflikti. Gjithçka nisi nga një kontratë sipërmarrjeje më 27.03.2012, ku Ramizi ia dha truallin Olsi Xhymertit në këmbim të një apartamenti 50 deri në 55 metra katrorë. Më pas u bë një kontratë dhënie trualli për ndërtim, më 04.06.2013, ku thuhej se Ramizi do të merrte një apartament prej 62 metrash katrorë në ndërtesën që do ngrihej në truallin e tij dhe një kat papafingo në Golem.

Eni Çobani: Ju më keni sjellë një kontratë kalimi pronësie, mbi parcelën ndërtimore, të cilën e keni lidhur: Ramiz Zylyfi, Mereme Zylyfi, Safete Zylyfi, Juliana, Marinela, Resmie, Rudina Çakri, Flora Zeqiraj dhe Xhoana Drini. Janë të gjithë pjesëtarë të kësaj pronë. Pronë e cila z. Ramiz na ka thënë se është 208 metra katrorë. Unë duhet të di nëse ju keni bërë me njëri tjetrin ndonjë deklaratë noteriale, për sa i përket pjesës takuese dhe përqindjes që do të merrnit në këtë ndërtim, sepse problemi i këtyre kontratave është pikërisht fakti që ju nuk keni të përcaktuar përqindjen që do të merrnit si bashkëpronarë, të këtij ndërtimi që do të bëhej mbi truallin 208 metër katrorë.

Safete: Ka ardhur vetë Ramizi në shpi, një vit pasi më kishte vdekur im shoq. Ne i bëmë dokumentet. I lidhëm dokumentet të gjithë dhe u mblodhëm te lokali i pronarit, Olsi. Dhe unë i thashë zoti Olsi ti që na ke mbledhur të gjithëve, katër bashkëpronarë, kontratat që do bëjmë je dakord që t’i bëjmë më afat i thashë, dhe me përqindje? Ai nuk pranoi. Pasi ai nuk pranoi unë i thashë që refuzoj të lidh kontratë me ju. Duke qenë se unë refuzova kunati im Ramizi bashkë me Olsi Xhymertin i kanë mbledhur certifikatat e familjes sime dhe kanë kryer çdo veprim pa dijeninë time.

Eni Çobani: Unë dua të di, cili është pretendimi që keni kundër kunatit tuaj Ramiz?

Pretendohet që të gjithë pronën prej 208 metra katrorë, për të cilën keni lidhur një kontratë, e keni bërë të gjithën në emrin tuaj dhe jo në emër të bashkëpronarëve. Ky është shqetësimi i zonjës.

Safetja dhe dy vajzat e saj akuzojnë Ramizin se ka kryer çdo veprim në interesin e tij pa menduar aspak për familjen e vëllait të tij.

Juliana – xhaxhait të saj: Unë kërkoj prej teje që këto prona që u përmendën edhe seancën tjetër, të mos i bësh më personale. Ti duhet të na ndihmosh ne, sepse ne jemi jetime, jemi tre femra të vetme. Ti na ke eliminuar ne xhaxhi Ramiz. Unë të kam si babain tim dhe jo si xhaxha, ama nuk lejoj që ti të na mënjanosh.

Eni Çobani sqaron nëpërmjet dokumenteve ligjore që Olsi Xhymerti nuk është pajisur asnjëherë me leje ndërtimi.

Çobani: Unë dua të bind sot, zonjën Safete dhe Zotin Ramiz, ata janë bashkëpronarë, në bazë të një leje, të dhënë nga Drejtoria e ALUIZNI, Durrës, në shtator të vitit 2012. Ndërkohë që të gjitha kontratat e sipërmarrjes Olsi Xhymerti i ka bërë që në Mars dhe Prill të vitit 2012. Ka një kontratë shitjeje me këtë drejtori, e cila i njeh këta të tërë si bashkëpronarë, mbi tokën 208 metra katrorë. Të gjithë kontratat e sipërmarrjes, janë lidhur para kësaj date, të kontratës së shitjes, gjë e cila nuk dihej që do të ndodhte. Të gjithë pjesëmarrësit, duke filluar nga zoti Olsi, zyra noteriale dhe në vazhdim, kanë vepruar para se leja e legalizimit të jepej dhe para se të bëhej kontrata e shitjes me bashkëpronarët. Ky është ngërçi i parë juridik që duhet të zgjidhet nga palët me investitorin.

Ajo iu bën thirrje palëve të bashkohen për të ndjekur hap pas hapi çdo procedurë ligjore, në mënyrë që të përfitojnë pjesën që iu takon. Ajo sqaron për Safeten dhe vajzat e saj, se personi që i ka mashtruar në këtë rast nuk është Ramizi, por investitori Olsi Xhymerti, i cili ka mashtruar edhe Ramizin.

“POWER KIDZ 4”