Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Historia e parë në programin “Ka një mesazh për ty”, në këtë sezon të ri të “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, është ajo e Edlirës. Pas divorcit nga bashkëshorti, ajo është braktisur nga gjithë familja e saj, nëna, motrat madje dhe nga djali 14-vjeçar.

Edlira jeton dhe punon në Itali prej shumë vitesh. Aty u njoh me ish-bashkëshortin në vitin 2001, me të cilin u martua dhe krijuan një familje. Më pas sollën në jetë djalin e tyre. Për të mbajtur familjen, ajo punonte pothuajse gjithë ditën, ndërsa bashkëshorti qëndronte në shtëpi duke rritur djalin. Gjërat u përkeqësuan në Maj të vitit 2017. Edlira tregon se një ditë, teksa punonte si kamariere në një piceri, u ndje keq dhe në urgjencën e spitalit e shoqëroi kolegu i saj. Bashkëshorti nuk e pëlqeu këtë veprim dhe akuzoi Edlirën për tradhti.

Edlira: “Më akuzoi për tradhti, gjë që nuk ishte e vërtetë dhe e dinte shumë mirë. Thjesht për një fotografi, thjesht për një shoqërim në urgjencë kur unë ndihesha keq. Unë jam ndjerë keq një natë në vendin e punës ku unë punoj tani aktualisht, në një piceri si kamariere, jam ndier keq një natë dhe ka qenë në fund të Majit 2017. Kam tentuar ta marr në telefon ish-bashkëshortin tim, nuk më është përgjigjur. Edhe unë jam shoqëruar nga kolegu i punës në urgjencë. Dhe për këtë kjo ishte tradhti. Aty filluan problemet”.

Ardit Gjebrea: Ti ke dhe një djalë. Sa vjeç është?

Edlira: “14 vjeç pothuajse”.

Ardit Gjebrea: Ke marrëdhënie me të?

Edlira: “Tani për tani jo. Kam rreth 1 muaj që i kam shkëputur marrëdhëniet dhe me tim bir. Isha e detyruar të shkëpusja marrëdhëniet dhe me tim bir, sepse në një vit e gjysmë kanë ndodhur shumë gjëra”.

Për shkak të divorcit me bashkëshortin, Edlira tregon se mamaja e saj e ka braktisur dhe nuk e beson. Sipas saj, e ëma mban lidhje me ish-bashkëshortin e Edlirës, ndërsa vajzën e saj refuzon që ta dëgjojë dhe ta takojë. Me lot në sy, tashmë edhe Edlira flet në kohën e shkuar për marrëdhënien me të ëmën.

Edlira: “Në muaji Maj 2017, unë kam ardhur në Shqipëri për të folur me nënë time dhe me motrat e mia (5 motra) për atë çfarë po kaloja, por jo se kisha vendosur për të lënë bashkëshortin. Doja vetëm që gjërat ata t’i dinin. Doja vetëm të kisha një mbështetje. Atë mbështetje që s’e kam pasur kurrë. Për momentin mamaja ime ishte e qetë. Edhe motrat e mia ishin të qeta. Kur ndodhi episodi i urgjencës, çdo gjë u përmbys. Sepse ishte fjala ime kundër fjalës së atij. Për atë kjo ishte tradhti. Ndërkohë ish-bashkëshorti komunikonte me nënën time dhe me motrat e mia, kurse me mua nuk fliste asnjë njeri. Mua më veçuan. Nëna besoi që kjo ishte tradhti. Kjo është e keqja. Si mund të besosh? Nëna dhe motrat e mia më mbyllën derën, të gjitha përveç njërës”.

Edlira thotë se ish-bashkëshorti dhe familja e saj janë e shkuara, ndërsa veçon djalin e saj për të cilin shprehet se i ka lënë kohë që të reflektojë, si dhe njërën prej motrave, e cila është e vetmja që i gjendet pranë në një moment kaq të vështirë.

Edlira: “Im bir është, por i kam lënë kohë, jam larguar prej tij në një farë mënyre, të dy bashkë, në mënyrë që t’i japim kohë njëri-tjetrit për të arritur të kuptojmë dashurinë nënë e bir. Im bir më tha: “Nuk arrita kurrë të ndjeja dashuri për ty”. Është 14 vjeç, por është shumë inteligjent. “Nuk arrita të ndjeja dashuri për ty sepse më le të vogël ti. Nuk arrita të ndjej dashuri për ty sepse ishe gjithmonë në punë, ishe gjithmonë jashtë ambientit familjar”. Mbase unë nuk dita të bëja nënën, por tim biri askush nuk i shpjegoi pse kjo nënë punonte kaq shumë, pse e la këtë fëmijë kaq të vogël me prindërit. Unë nuk e braktisa kurrë tim bir, sepse unë për atë fëmijë u sakrifikova. E për atë fëmijë po sakrifikohem akoma. Im bir është jeta ime, arsyeja e jetës sime. Në qoftë se unë tani jam vënë mënjanë, e kam bërë për të mirën e tim biri. Që ai të arrijë të kuptojë çfarë po ndodh në realitet, jo çfarë i thonë“.

Në programin “Ka një mesazh për ty” të “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Edlira na tregoi historinë e saj që pas divorcit nga bashkëshorti e ka braktisur e gjithë familja; djali 14-vjeçar, nëna dhe motrat me përjashtim të njërës.

Mamaja e saj beson versionin e ish-dhëndrit dhe jo të vajzës së saj. Sot e kësaj dite, Edlira thotë se mamaja nuk i flet, ndërsa vazhdon të mbajë lidhje me ish-burrin. Sa i përket djalit, ajo shprehet se prej disa kohësh është distancuar edhe me të, për t’i lënë kohë që të reflektojë.

Për t’i ardhur në ndihmë Edlirës, gazetarja e “Ka një mesazh për ty” shkoi në Fier, aty ku banon edhe familja e Edlirës. Ajo u përpoq që të kontaktonte me të ëmën dhe ta ftonte tek “E Diela Shqiptare” për t’u pajtuar me të bijën. Mirëpo znj.Drita sapo pa kamerën dhe mësoi se gazetarja i dha mesazhin, ajo refuzoi ftesën për t’u bërë pjesë e programit. Mbi të gjitha ajo refuzoi që të takonte të bijën.

Gazetarja: Unë vij nga “E Diela Shqiptare” nga Tv Klan.

Mamaja e Edlirës: Shumë faleminderit, ik! Hiqe kamerën të lutem.

Gazetarja: Ka një mesazh për ju zonjë, unë për këtë kam ardhur.

Mamaja e Edlirës: Nuk kam nevojë për mesazhe. Shumë faleminderit. Nuk kam nevojë për mesazhe. Ikni tani të tërë.

Edlira e pa në video këtë moment refuzimi nga e ëma e saj, e megjithatë thotë se për të kjo ishte diçka e pritshme.

Edlira: E dija që do të reagonte kështu. Nuk e di pse janë vendimet e saj. Vendos ajo si të dojë, ashtu siç unë do të vendos që sot e tutje për veten time. Do doja të më dëgjonte drejtpërdrejtë z.Ardit, kështu siç po më dëgjoni ju tani. Doja ta shikoja nënën time drejt në sy, e t’i thoja pse? Unë jam jot bijë, për çfarëdo lloj arsye, unë jam jot bijë, e do ngelem e tillë përjetë. Jam shumë e lënduar, jam shumë e vrarë shpirtërisht për çdo gjë.

E braktisur nga të gjithë, e afërmja e vetme që po e priste Edlirën ishte një nga motrat e saj, për të cilën tha se “ajo është një motër e vërtetë”.

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

Dorina është personazhi i dytë në programin “Ka një mesazh për ty” tek “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Dorina është e martuar me Klodianin dhe sëbashku kanë një vajzë 3 vjeç, Anabelën.

Dorina dëshiron t’i dërgojë bashkëshortit një mesazh, i cili është futbollist dhe luan për ekipin e Fushë-Krujës, Iliria.

Historia e tyre ka nisur kur Klodiani luante për ekipin e Burrelit. Në këtë qytet, Dorina ka kaluar gjysmën e jetës së saj. Kur ajo ishte në gjimnaz u njoh me Klodian Bakun.

Dorina: “Unë jam lindur dhe rritur në qytetin e Burrelit, aty vazhdova dhe gjimnazin. Në vitin e katërt në gjimnaz Klodiani u ble nga Burreli. Unë kam shtëpinë në katin e pestë tek stadiumi dhe çdo ndeshje e shikoj nga ballkoni. Ndeshjet i shikoja me babain. Edhe për Klodianin më fliste, më thoshte ka ardhur një futbollist i mirë. Kam dëgjuar fjalë të mira. Një ditë mami më dërgon që të blej bukë, aty po kalonte një djalë dhe më tha ‘lumë familja që të ka se qenke vazjë për shtëpi’. Nuk është se ia vura re dhe vazhdova. Të nesërmen shkova në shkollë normalisht. Në pushimin e gjatë një djalë më thotë që do të them diçka, unë i them që jo, sepse do të futemi për provim. Thotë dëgjo njëherë.

Dhe ai më tregon, më thotë një djalë është i interesuar për ty. Unë isha 18 vjeç, s’i kisha mbushur akoma. Unë i them boll. Pastaj kur më tha emrin… tha është Klodian Baku. Më erdhi një e qeshur. Më tha dashke? Jo jo i thashë unë, nuk dua. Edhe u futa në mësim. Klodiani vazhdon të kërkonte një takim me mua përmes një shoku të klasës. Por unë i thoja jo. Vendosa ta takoj dhe i thashë të gjithë klasës do vini të gjithë me mua. Në Burrel nuk mund ta takosh vetëm një djalë, sepse bie në sy dhe ftova gjithë klasën, diku 37 veta. Kur e takova ishte ai që e kisha imagjinuar”.

Dorina na tregon se më vonë i ati i bleu një celular dhe numrin e kishte me kontratë. Kur në fund të muajit erdhi pagesa e telefonit, babai dhe tre vëllezërit mësuan gjithçka, që Dorina komunikonte me mesazhe me Dorianin. Pas kësaj, ata e shoqëronin gjithmonë në shkollë dhe nuk e linin asnjëherë vetëm. Kjo histori vazhdoi për disa muaj, derisa Dorina u zhvendos në Tiranë për të vazhduar studimet e larta.

Dorina: “Pastaj unë u largova nga Burreli. Erdha në Tiranë se vazhdova studimet për matematikë. Gjatë muajve të verës nuk u takuam fare. Pasi fillova shkollën, ditën e tretë më erdhi në shkollë. Vazhdova me Klodin, pastaj u fejuam“.

Mirëpo, më pas ajo tregon se nuk ishte e sigurt nëse Doriani duhet të vazhdonte karrierën e tij si futbollist për shkak të të ardhurave.

Dorina: “Çdo gjë ishte e bukur, por unë vura re se futbollistët nuk është se kishin ndonjë rrogë kush e di se çfarë, që jeta e familjes të shkonte siç duhej. Dhe unë gjatë kohës po i kërkoja që të ndërpriste futbollin, por që nuk ndodhi asnjëherë. Futbolli nuk kishte të ardhura të garantuara. U martuam pas 4 viteve fejesë, unë vazhdoja punë. Morëm shtëpi në Tiranë dhe vazhduam të jetonim në Tiranë. Unë i kërkova gjatë gjithë kohës që ta ndërpriste futbollin. Nuk ndodhi që e la futbollin. Pastaj mbeta shtatzënë. Në muajin e katërt të shtatzënisë Klodiani na bën një surprizë. Në një vend ku luante, bën një gol dhe vendos topin në bark dhe drejton gishtin te Zoti, që një engjëll po vjen në jetë. Pasi lindi Anabela, Klodiani e mori dhe e prezantoi në fushën e lojës”.

Pasi ka bërë disa përpjekje që Klodiani të heqë dorë nga pasioni i tij dhe të ndërpresë futbollin, Dorina sot do t’i dërgojë bashkëshortit një mesazh dhe t’i kërkojë falje. Drejtuesi i programit Ardit Gjebrea shkon për të takuar Klodianin dhe i jep mesazhin.

Dorina: “Jam për të të mbështetur. Ne kemi 11 vite bashkë dhe gjatë këtyre 11 viteve nuk të kam mbështetur aq sa duhet për futbollin. Ti ke 20 vite tashmë që luan futboll dhe unë kam dashur që ëndrrën tënde ta ndërpres. Në fakt kam ndërhyrë edhe në familje edhe në shoqëri, të kam vënë dhe ty në disa situata shumë të sikletshme dhe dua të të kërkoj shumë falje. Unë dhe Anabela jemi tifozet e tua më të mira. Ti je kampioni ynë, të duam shumë”.

Klodiani: “Ky është vërtetë një mesazh shumë i bukur, që vërtetë unë kur u dëmtova tani pata një ndjesi që t’i duhet ta lësh futbollin se nuk është më, por gjithsesi e falenderoj shumë. Unë nuk e lë sportin deri sa të më lenë gjunjët”.

Dhe me një surprizë të bukur, ku në fushën e stërvitjes vajza Anabela dhe bashkëshortja Dorina shkojnë për të takuar Dorianin, mbyllet dhe pjesa e dytë e programit “Ka një mesazh për ty”.

BE coffee!

“BE Coffee” është programi më i ri që ka nisur në Tv Klan, i integruar brenda spektaklit “E Diela Shqiptare”. Erion Isai dhe Bes Kallaku janë dy drejtuesit e këtij programi, së bashku me aktorin Olsi Bylyku. Por çfarë do të thotë “BE Coffee”? Besi dhe Erion kafe apo…

Më mirë le të ndjekim protagonistët e këtij programi, të cilët na sqarojnë se çfarë do të thotë “BE Coffee”.

Erion Isai: Më pëlqen emri i emisionit, BE Coffee. Domethënë, Besi, Erioni, kafe.

Bes Kallaku: O Erion, unë e ti nuk jemi dashnorë që të gdhendim inicialet tek muri i shkollës.

Erion Isai: Po çfarë domethënë?

Bes Kallaku: BE Coffee domethënë Bashkim Evropian kafe.

Erion Isai: Po mirë dakord, Bashkimin Evropian e kuptoj dhe rri. Po kafeja mbrapa?

Bes Kallaku: A bëjnë dot shqiptarët pa kafe? Të jesh në shtëpi a rrihet dot pa kafe? Po kafja është institucion, është në qeveri, është në shoqëri, si në shtëpi, si në familje. A shihen dot telenovelat turke pa një kafe mi gra? Sot kafja në shoqërinë shqiptare është kult. Po ti je duke pirë kafe, vjen shoku të fut krahun vjen të thotë hajde pimë një kafe. Ti shkon në zyrë të tjerë për të mbaruar punë, thotë hajde ikim te kafja të mbaroj punë. Ti i jep zarfin dhe i thua mbaje një kafe. Ai pasi ka marrë kafen të thotë, po e do një kafe dhe ai atje lart. Ne pa kafe nuk bëjmë dot.

Erion Isai: Megjithatë, edhe Besi, Erioni rrinte si titull emisioni. Pse të mos jemi dhe ne të dy si Rudina? Pse të mos jemi dhe ne të dy si Xing me Ermalin. Apo si Luana, që ‘Shiko kush luan’ në fund vë kullën Eifel dhe në luan bëhet Luana.

Bes Kallaku: Ose pse mos të jemi si Aldo Morning Show?

Erion Isai: E shikon që Besi dhe Erioni rrinte bukur?

Bes Kallaku: Ore nuk rri!

Erion Isai: Pse?

Bes Kallaku: Sepse ne kemi edhe një tjetër mes nesh. Kemi atë…Zonja dhe zotërinj….

Olsi Bylyku: Stop! Çfarë ishte ky prezantim sikur po vijnë krushqit. Jepi çik muzik.

Bes Kallaku: Këtë që po thua ti e kemi bërë unë dhe Erioni në Këngën Magjike.

Olsi Bylyku: Na keni çarë kokën me këtë Këngën Magjike ju. A thua se e krijuat ju Këngën Magjike, jo e prezantuat.

Erion Isai: Vjen tani në skenë Olsi Bylyku.

“Pa sheqer” do të jetë rubrika e parë e programit “BE Coffee”, aty ku gjërat thuhen troç dhe të vërtetat sikurse janë. Sigurisht, edhe me disa doza humori. Si fillim, treshja e aktorëve diskutuan për atë që mund ta quajmë “merkato mediatike”. Blendi Fevziu ishte një prej lajmeve më të “nxehta” të kësaj vere.

Bes Kallaku: Gjithë vera më shkoi me ankth, me stres. Shikoja haluçinacione. A do ikte Fevziu nga Klani apo jo?

Olsi Bylyku: Ti mirë, po ne lamë dasmën e gocës së hallës pa bërë, se nuk e dinim çfarë do bënte Fevziu.

Bes Kallaku: Edhe Cristiano Ronaldo vonoi transferimin nga Reali te Juvja. Nuk ishte i sigurt nëse do lëvizte Fevziu nga Klani ose jo. Sepse nëse Fevziu do lëvizte, nuk do bënte kaq bujë Cristiano Ronaldo.

Olsi Bylyku: A e di si e bëri Fevziu? Si Big Brother. Unë ……(suspansë)…kam vendosur…(suspansë)….që…. Deri sa ia dha Sandri edhe ndejti në Klan. Kështu që sa më pak tum tum me Sandrin, se pastaj tum-tum edhe ne në shtëpi.

Në “BE Caffee” trajtohen edhe tema të tjera, e një ndër to është edhe fakti se shumica e këngëve shqiptare bëhen me dialekt kosovar. Duke folur për këtë, Olsi Bylyku nuk mund të kursente një batutë për Besin.

Olsi Bylyku: Po kur bën dhe ajo Xhensila, burrin katunar, vetë nga Kolonja, edhe këndon sikur të jetë goca e Sabri Fejzullahut.

Në “BE Caffee” çdo javë do të jepen edhe filma të shkurtër ku do të trajtohen tema të ndryshme, si dhe nuk do të mungojnë të ftuar të fushave të ndryshme.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Laureta është një nënë e re nga Pogradeci, e cila ka dy fëmijë me bashkëshortin e saj Armandon. Martesa e tyre nuk ka funksionuar kurrë siç duhet dhe tashmë ajo kërkon divorcin.

Kjo histori u trajtua sot në programin “Shihemi në gjyq” të Eni Çobanit, në E Diela Shqiptare. Ballë për ballë ishin Laureta dhe nëna e saj znj.Skënderie.

Laureta shpjegoi se gjatë 8 viteve të martesës, ajo kishte konsumuar vetëm 4 muaj e gjysmë kohë fizike me bashkëshortin, pasi ky i fundit jetonte dhe punonte në emigrim në Greqi, e më pas në Gjermani.

Ajo jetonte në një fshat të Pogradecit tek shtëpia e prindërve të Armandos. Mirëpo, tani vjehrrit e kanë përzënë nga shtëpia dhe Laureta është detyruar të kthehet tek familja e saj. E ëma, znj.Skënderie thotë se nuk ka mundësi ekonomike dhe as hapësirë fizike për ta mbajtur vajzën në shtëpi. Ajo këmbëngul që e bija duhet të kthehet tek vjehrrit, pavarësisht se bashkëshorti nuk jeton në Shqipëri.

Laureta tregoi gjatë programit se në Maj të vitit 2015, ajo dhe bashkëshorti Armando shkuan në Gjermani. Aty qëndruan në shtëpinë e një tjetër familje. Sikurse thotë ajo vet, ata qëndronin në shtëpinë e një zonje greke me dy fëmijët dhe bashkëshortin e saj. Kjo grua, shpjeguan nënë e bijë, ishte shoqe e Armandos. Kështu iu ka thënë edhe vet ky i fundit. Por, Laureta ngriti shqetësimin se në Gjermani ku qëndruan një muaj e gjysmë, burri nuk e preku me dorë edhe pse flinin bashkë. Gjatë orëve të natës, ai dhe shoqja e tij greke dilnin deri në orët e para të mëngjesit, dhe ky fakt shqetësoi Lauretën.

Pas kthimit nga Gjermania, Armando shkoi të prindërit e Lauretës dhe u tha që ta mbanin në shtëpi për disa kohë deri sa të rregullonte dokumentet për në Gjermani. Por, e ëma e Lauretës, znj.Skënderie shprehet se u mashtrua nga ky premtim i Armandos, pasi ai e ka braktisur familjen. Nga ana tjetër, nuk e pranon divorcin e së bijës, edhe për shkak të mentalitetit.

Laureta: Kemi 8 vjet martesë me Armandon, kemi sjellë në jetë dy fëmijë çupë e djalë, 7 edhe 6 vjeç. Armando nuk ka qenë prezent gjatë ardhjes në jetë të fëmijëve, ka qenë emigrant në Greqi. Unë kam jetuar te prindërit e Armandos. Pas këtyre 5 viteve jetesë me prindërit e Armandos, kam vajtur në Greqi, kam ndenjur 3 muaj. Atje Armandon e njoha mirë, që ai dilte, vazhdonte jetën e tij të natës. Pastaj i kam kërkuar llogari Armandos, që mos dil kështu se je vet i katërt. Armando më ka kthyer përgjigje që e di unë, punoj vet i prish vet lekët. Unë nuk i kam bërë shamatë më tej se ma preu shkurt. U ktheva pas 3 muajsh në shtëpi. Sot ndodhem te prindërit. Kthehu atje ku e ke vendin më thonë. Po mua më nxorrën jashtë, si vjehrri edhe burri.

Znj.Skënderie: Këtu duhet të ishin vjehrrit dhe bashkëshorti. Laureta të gjitha këto që ka kaluar, mua nuk m’i ka treguar. Kjo sot po i tregon. Mua si nënë duhet të më tregonte diçka. Unë mirë i kisha marrëdhëniet me vajzën, por Laureta nuk më ka treguar asgjë.

Laureta: Martesa ishte me shkuesi, nuk e kam marrë vet. Ndërhynë njerëzit e afërm tanë, edhe prindërit thanë jemi dakord. Mirë thashë unë, meqë jeni dakord juve, është e mira të shkoni të pyesni. Unë nuk e njihja.

Znj.Skënderie: Unë vajza pyeta. Laureta mos thotë që unë nuk vajta.

Laureta: Në Maj të 2015 unë kam vajtur në Gjermani me Armandon. Që nga Greqia merr vjehrrin në telefon, bisedon, kurse me mua jo. Erdhi e më mori dhe më ka thënë që do ikim në Gjermani. I thashë unë në azil? Jo tha, do ikim në një shoqe. Ishte greke. Mirë thanë unë, po nga doli kjo shoqe greke. Kam këtu e 15 vjet që e njoh atë, tha. Vendosa të iki në Gjermani. Ne ishim katër, edhe zonja ishte katër veta. Ishim tetë veta, kishin dy dhoma edhe kuzhinë. Ditën e dytë doli, do iki të pyes për dokumentet tha Armando. Po doli me atë. Erdhi darka, prapë që në 8 të darkës deri në 2 të natës dilte. Vazhdoi me atë, deri sa një ditë i thashë ‘ti mua nuk më ke grua, por grua ke atë’.

Znj.Skënderie: Unë atë greken e njihja se ai solli në shtëpi mua.

Laureta: Kam ndenjur një muaj e gjysmë në Gjermani. Jam kthyer në shtëpinë e prindërve të tij. Pastaj më nxorri vjehrri nga shtëpia. Ai më ka thënë që vet i deshe fëmijët, vet mbaji. Unë bëj edhe fëmijë të tjerë këtej. Zonja Eni të lutem më ndihmo për divorcin.

Znj.Skënderie: Unë nuk jam dakord që Laureta të bëjë divorcin. Ku do rrish ti tani. Nuk të mbaj Laureta, kam hyrë në konflikt me të gjithë. Unë nuk kam që të paguaj për divorc.

Laureta: Mama më mbështet!

Eni Çobani: Znj.Skënderie, arsyeja që ju nuk pranoni divorcin është mentaliteti?

Znj.Skënderie: Po! Dhe ajo është. Laureta i ka kërkuar Lekë Armandos se do shkoj të vizitohem. Pse çfarë ke ti që je e sëmurë, i ka thënë Lauretës. Përse je e sëmurë.

Laureta: Dua divorcin, të lutem znj. Eni më ndihmo.

Eni Çobani: E do Armandon më?

Laureta: Jo znj.Eni, por janë ata dy fëmijët që i sollëm në jetë. Se dilnin në lagje me fëmijët e tjerë, e më thoshin ‘mami ne s’kemi babi, kujt do t’i thërrasim’. Kam duruar znj. Eni vetëm për fëmijët.

Z.Shahin: Rasti i vajzës sime nuk është për herë të parë. Kjo ka 8 vjet që po i ndodhin ato gjëra. Ai ikën në Greqi, shikon jetën e tij. Ikën në Gjermani, prapë shikon jetën e tij. Tani asnjë kokërr leku për fëmijët e tij, lere për vajzën time. Për Vit të Ri s’ka gëzuar me gruan dhe fëmijët.

Laureta: Unë nuk vete te vjehrri, më ka kujtuar edhe bukën. Më ka thirrur edhe qene.

Në një situatë të tillë, Eni Çobani angazhohet për ta ndihmuar Lauretën në procesin e divorcit, por edhe për situatën ekonomike.

Eni Çobani: Divorci në të tilla raste është zgjidhje. Pra nuk mund të lëmë një vajzë kaq të re me dy fëmijë, të shkojë përsëri në një familje që nuk e duan. Është tjetër dashuria ndaj nipit dhe mbesës.

Zgjidhja për mendimin tim është patjetër që Laureta duhet të shkojë drejt ndarjes përfundimtare me këtë bashkëshort. Kjo martesë më në funksionon. Nuk ka as qëllimin as objektivin që e mban një martesë. Këtu nuk shikojmë asnjë motivim më që kjo martesë të jetojë.

Unë sot dua ta filloj këtë sezon të ri me një premtim personal, të vështirë në fakt, por nisur nga dëshira e mirë, prandaj Laureta këtë procedurë ne do ta nisim dhe do ta përfundojmë së bashku. Të gjitha shpenzimet do të jenë të miat dhe jo tuajat.

NE JEMI CFARE HAME!

KENGA MAGJIKE!