Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Suela kishte ftuar sot në “Ka një mesazh për ty”, miken e saj të ngushtë Milenën. Milena, është një nënë e vetme, e cila ka humbur bashkëshortin në moshë fare të re, duke ndërprerë në mes ëndrrën e tyre për një familje të madhe. Suela e ka ftuar miken e saj për t’i thënë që ajo nuk është e vetme përballë jetesës si një grua e ve dhe se do të ketë gjithmonë mbështetjen e saj si edhe i kërkon të qëndrojë e fortë. Suela është modeli i një mikeje të vërtetë dhe të përkushtuar.  Milena, nga ana tjetër është mishërimi i gruas dhe nënës luftarake, që pavarësisht sfidave të shumta ajo përballon çdo betejë me dinjitet.

Suela: 

Unë jam Suela, me Milenën njihemi që prej viteve të universitetit. Historia e Milenës është një histori pak e dhimbshme. Milena bashkë me Gentin lindin fëmijën e tyre të parë, ishin shumë të lumtur. Ata kishin ëndërruar gjithmonë të kishin shumë fëmijë. Ata donin të paktën gjashtë fëmijë. Takohemi me një grup nënash me fëmijë të vegjël dhe Milena vjen me ëmbëlsira në duar. Ne menduam se ajo po na gostiste me ëmbëlsira me rastin e ardhjes në jetë të vajzës së tyre, Dea, por ajo në fakt na tha se ishte sërish shtatzënë.

 

Edhe ne ishim shumë të lumtura për të.  Kalojnë ditët, muajt dhe unë takohem me Milenën në ditët e fundit të shtatzënisë së saj. Ajo më tha se duhej të kishte lindur por nuk dinte arsyen pse shtatzënia e saj ishte shtyrë. Bashkëshorti i saj Genti e dërgon atë në maternitet dhe mjekët i thonë që ajo duhej të lindte me operacion të nesërmen. Milena i kërkon Gentit që t’i premtojë se në rast se gjërat nuk shkojnë siç duhet dhe Gentit do t’i duhej të vendoste mes jetës së Milenës dhe bebes së tyre, ai të zgjidhte djalin.

Suela tregon momentin tragjik që ndryshoi jetën e mikes së saj:

Genti i kërkon mamasë së tij që të qëndrojë në shtëpi me vajzën e vogël 10-muajshe Dean, pasi ai do të ishte të nesërmen në maternitet me Milenën. E ëma vjen në shtëpi, hap derën me çelësin e saj duke menduar se vajza do të ishte në gjumë por gjen Gentin të shtrirë pa jetë.

Ata morën vendimin që varrimi të bëhej të nesërmen, pa ia thënë Milenës.

Suela tregon me emocionesh se ky ka qenë një peng që e ka shoqëruar Milenën përgjatë gjithë jetës, fakti që ajo nuk i dha dot lamtumirën të shoqit.

Ata duheshin me një dashuri të veçantë, Genti i mbante sytë gjithmonë nga e shoqja. Ishte tepër i dashuruar dhe i pasionuar pas saj.

Me gjithë dhimbjen e madhe që ajo ndjente, mikja e Milenës tregon se ajo mblodhi forca për të vënë situatën nën kontroll. Ajo u shndërrua në nënë dhe baba për fëmijët e saj, duke i bërë çastet e tyre të gëzueshme dhe duke ngulur në mendjet e tyre kujtimin e bukur për të atin.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë unë di që ajo ka një zemër të madhe? Dhe me gjithë vështirësitë për të rritur fëmijët e saj ajo ka menduar edhe për fëmijë të tjerë?

Suela: 

Përpara gati dy vjetësh Milena përfshihet në skemën e kujdestarisë së fëmijëve. Ajo përveç fëmijëve të saj merr në kujdestari edhe një fëmijë tjetër

.

Unë sot e kam thirrur Milenën sepse dua t’i jap kurajo për të vazhduar, ashtu siç ka qenë deri tani, e qeshur, e fortë, punëtore…e dashur me fëmijët dhe të vazhdojë jetën.

Stafi i “Ka një mesazh për ty”, fton Milenën në studio. Ajo e pranon ftesën me kënaqësi dhe njëkohësisht me shumë kërshëri për të zbuluar kush është personi që i ka bërë asaj një surprizë.

Milena, me një buzëqeshje të ëmbël dhe pamje fisnike mbërrin në studion e së dielës shqiptare.

Kur ajo zbulon se është ftuar nga mikesha e saj Suela nuk mund ta fshehë habinë: 

Është një nga personat e mi të afërt, por nuk mendoja se do të zgjidhte televizionin për të më bërë një surprizë ose për të më thënë çfarë do që ka për të më thënë.

Mesazhi i Suelës në studio: 

Zemra ime, të kam dashur gjithmonë dhe do të të dua për shumë gjatë. Të kam vlerësuar gjithmonë sepse ke qenë një grua e fortë. Kam vlerësuar shumë forcën, se si ke përballuar të gjitha sfidat e tua të jetës. Për mënyrën si je kujdesur për fëmijët e tu dhe kjo patjetër që buron vetëm nga një zemër e madhe si e jotja.

Milena: 

Di që Suela është një nga njerëzit që e ka përjetuar humbjen e Gentit si të ishte vëllai i saj. Sa herë flasim për Gentin dhe për vështirësitë si e ve, ajo qan bashkë me mua dhe i ndjen situatat si nën lëkurën e saj.

Ardit Gjebrea: Ka momente Milena që dorëzohesh?

Milena: 

Ka, në gjithë këto vite ka pasur momente kur kam thënë as nuk dua më të vazhdoj. Humbja e Gentit ka qenë e papritur e pamenduar, ka qenë një “mirupafshim” që nuk ia kam dhënë kurrë Gentit, duke qenë se isha në maternitet të lindja djalin. Janë shumë gjëra me të cilët përballohet çdo grua e ve, mentaliteti, edukimi i fëmijëve dhe sigurisht ka momente kur unë dorëzohem.

Ardit Gjebrea: Duke qenë e lodhur dhe me dy fëmijë, cili ishte momenti që të bëri të vendosësh që të kujdesesh edhe për nje fëmijë tjetër?

Milena: 

Me Gentin, kishim shumë plane. Një nga plane që kishim ne, ishte krijimi i një familje me shumë fëmijë. Kur vdiq Genti, të dy fëmijët erdhën, Dea me Aronin, që janë dhuratë e paimagjinueshme. Por unë vendosa që planet dhe ëndrrat që kishim të dy, t’i realizoja e vetme. Unë vendosa që t’i përfshi të dy fëmijët e mi në planet tona dhe vendosëm që të merrnim një fëmijë tjetër nga jetimorja.

Pjesa e parë përfundoi me premtimin që Milena i dha mikes së saj të shtrenjtë Suelës, për të vazhduar duke qëndruar e fortë përballë sfidave. I ftuar si pjesë e këtij mesazhi ishte edhe një nga këngëtarët e preferuar të Milenës dhe fëmijëve të saj Flori Nazifi. Milena shpjegon se ata të tre pëlqejnë këngën e prezantuar në “Kënga Magjike”, “Mos ik”, duke qenë se teksti ishte shumë domëthënës për ta. 

Në fund këngëtari i mirënjohur Flori Nazifi përcjell edhe një mesazh: 

Në fakt për mua është emocion shumë i madh, të jem këtu sot për ju. E ndoqa historinë edhe jam shumë i prekur. Në të gjithë këtë histori të trishtë, plot dhimbje, unë mendoj se ti ke pasur një shpatull ku të mbështesësh kokën dhe ai është Jezusi. Unë besoj se ti do t’ia dalësh gjithmonë.

 

Rasti II

Thonë se dashuria e motrës për vëllanë nuk ka të sosur dhe këtë erdhi të na e vërtetonte në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, Ledia, një vajzë nga Rrësheni. Ajo kishte thirrur në studio vëllain e saj të vetëm, Nikun, për t’i thënë atij që nuk do ta linte kurrë vetëm. Niku ka pësuar vite më parë një aksident të rëndë, ku ka humbur njërën këmbë dhe bashkë me të, shpresat për të ndjekur ëndrrën e tij të cilat u pakësuan. Mesazhi i Ledias për vëllain pasohet edhe nga një surprizë tepër e këndshme që sjell shumë shpresë për protagonistët tanë.

 Ledia: 

Unë quhem Ledia, jam 18 vjeçe. Kam ardhur këtu për vëllain tim, dua t’i jap një mesazh atij.

Ardit Gjebrea: Nikut? Çfarë diference moshe keni ju me Nikun?

Ledia: 

Ne kemi 8 vite diferencë moshe, ai është më i madh. Ne jemi 6 fëmijë, 5 motra dhe 1 vëlla.

Ardit Gjebrea: Çfarë ëndrrash ka Niku, vëllai yt?

Ledia: 

Ai ka qenë marrë gjithmonë me sporte, ka qenë gjithnjë në lëvizje. Dhe ëndrra e tij ka qenë që të vazhdonte, të merrej me palestër. Ai kujdesej shumë për trupin e tij, derisa një ditë pësoi një aksident. Kur po shkonte të ndihmonte prindërit në fshat, atij do t’i duhet të kalonte një autostradë, ku është goditur nga një makinë.  Më vonë kanë lajmëruar babain tim, ai ka qenë i pari që e ka parë. Kur e ka parë, babai ka menduar se nuk ka pasur më shpresa që ai të jetonte, kështu që ka tentuar edhe ai të vetëvritet duke u hedhur nga ura. Megjithatë, ka arritur të mbledhë veten dhe Nikun e kanë dërguar në spitalin e Rrëshenit. Nga atje ai është transportuar për në Tiranë. Niku kishte humbur shumë gjak, për katër ditë me rradhë ne nuk kishim asnjë shpresë që ai do të jetonte.

Kaluan disa orë dhe një nga doktorët thirri babain tim dhe i tha që Nikut i duhej prerë njëra këmbë nga gjuri e poshtë sepse ndryshe nuk mund të shpëtonte. Babai e dha autorizimin sepse atë natë më e rëndësishme për ne ishte jeta e tij.

Ledia shpjegoi situatën e vështirë në të cilën gjendej familja e saj kur jeta e djalit të tyre të vetëm ishte në rrezik. Ajo tregon se momenti më i vështirë për familjen ishte kur ata mendonin se si do e priste Niku, humbjen e këmbës së tij.

Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti i parë kur Niku pas gjithë atij pasioni që kishte për fizikun e tij kuptoi që ishte me një këmbë të prerë, me duart e ngjitura me hekur?

Ledia: 

Ne prisnim një reagim të tmerrshëm nga ai, duke qenë se do t’i pritej ëndrra në mes.  Por në fakt ndodhi e kundërta, ishte ai që na jepte forcë dhe kurajo ne.

Ledia tregon për momentet e vështira kur Niku ishte në proces rikuperimi. Ai ecte me paterica në atë kohë dhe kishte gjithnjë ndihmë për familjarët. Ledia ishte ajo që qëndronte gjithmonë pranë vëllait duke e ndihmuar të ecë. Bashkë me përkrahjen e familjes dhe asaj të miqve të tij, Niku dita-ditës nisi të rikuperohej derisa një ditë mori  një protezë , të mundësuar nga një shoqatë bamirëse, gjë që ia lehtësonte atij gjendjen.

Pavarësisht asaj çfarë i ndodhi Niku nuk e ka lënë pas pasionin e tij për palestrën dhe fizikun. Ai ka kryer një kurs për instruktor palestre dhe gjithashtu ushtrohet gjashtë ditë të javës pa ndërprerje. Ai kalon pjesën më të madhe duke iu përkushtuar pasionit të tij ndaj dhe ftesën për të qenë pjesë e “Ka një mesazh për ty”, ai e merr në vendin që do më shumë.

Mesazhi në studio: 

Nik, unë e di që ti ke kaluar një dhimbje shumë të madhe si fizike ashtu edhe shpirtëtore, edhe pse nuk e shfaq asnjëherë. Ti ke qenë forca jonë, na ke dhënë kurajo në momentet e tua më të vështira. Kur ke qenë keq vetë, ke bërë që ne të jemi mirë.

Dua që të vazhdosh gjithmonë, të jesh kështu fortë dhe energjik, siç ke qenë gjithmonë dhe siç je. Do të të mbështesim gjithmonë, do na kesh gjithmonë në krah. Edhe të dua shumë.

Pjesë e programit u bë edhe sportistja e famshme shqiptare Klodiana Shala. Ajo e kishte pranuar me shumë gatishmëri ftesën e Gjebreas për të qenë pjesë e programit.

Shala erdhi në studio për të dhënë një mesazh shumë të vlefshëm por jo vetëm. Sportistja i ofroi një vend pune Nikut në palestrën që ajo ka në pronësi si edhe u shpreh e gatshme për ta ndihmuar Nikun për marrjen e një proteze të re.

 

“TELEBINGO SHQIPTARE”

 

“SHIHEMI NË GJYQ”

Babë e bijë janë bërë pjesë e rubrikës “Shihemi në Gjyq” në emisionin “E Diela Shqiptare” për shkak të konfliktit për një pronë. Brunilda Trakalaçi ka sjellë të atin, Qerimin në këtë seancë ndërmjetësimi pasi pretendon se tokën që i takon fëmijëve, ai ia ka dhënë nipit.

 

“Babai im ka 10 vjet që na kërkon lekë ne fëmijëve për të bërë dokumentet. Na ka thënë që në fillim që ta ndihmojmë ekonomikisht që t’i lej gjërat në rregull dhe ju të keni pronën tuaj. Më ka futur në sherr me burrin e më ka futur në vështirësi ekonomike me familjen, si e si që t’i rregullojmë gjërat. Nuk e kuptoj pse më gënjye babai im deri në këtë pikë se prona del në emrin tonë, por të nipit të tij. Si ka mundësi një gjë e tillë se lekët na i kërkoi neve për të bërë pronën për ne!”

Qerimi e ndërpret duke thënë se është shumë e rëndë për të si prind që e bija e ka sjellë për t’u ballafaquar në publik. Ai thotë se edhe vetë ka punuar për 10 vjet në mënyrë që të kontribuojë për pronën e fëmijëve të tij, ndaj dhe nuk mund t’ia ketë dhënë dikujt tjetër me kompromis.

Qerimi tregon se pronën në Pojan, komuna Dërmenas, me sipërfaqe 1000 metra katrorë tokë kopsht dhe 400 metra tokë truall,  e ka trashëguar nga i ati në vitin 1976. Në vitin 1982 Këshilli i Bashkuar i fshatit vendosi që t’i japë 200 metra katrorë nga toka e tij nipit, Kadriut. Ndërsa në vitin 1991, nga ligji 7501 iu dha edhe 416 metra katrorë, që sot i disponon nipi i tij. Më pas ai emigroi në Greqi dhe kur u kthye u përball me një ndarje të re të sipërfaqes së pronës së tij, të cilën sipas tij, Kadriu e ka bërë me dokumente jo të rregullta.

Juristja Eni Çobani shpjegon se bëhet fjalë për familje bujqësore, të cilat kanë marrë akt-marrje toke në bazë të numrit të personave që përmban familja. Qerimi nuk ka marrë 16000 metra katrorë siç i takonte, por ka marrë vetëm 15000 metra katrorë. Ajo lexoi ndarjen e pasurisë së Kadriut, për të cilën Qerimi pretendon se nuk i disponon në të vërtetë.

Kryetari i Këshillit të Bashkuar Pojan asokohe, Sokrati u shpreh nëpërmjet një lidhjeje telefonike me studion se është në dijeni të konfliktit dhe ka ndërhyrë për të ndihmuar në mënyrë shoqërore.

“Ai mund të jetë dhe konflikt i ri. Unë nuk jam në gjendje dhe as isha në atë kohë sepse nuk ka qenë dhe nuk është kompetenca ime të shoh rregullat se si duhen regjistruar këto. Unë e di problemin, por nuk e di si qëndron problemi. Ato që kam çuar në atë kohë unë që janë me firmën dhe vulën time, i qëndroj asaj çfarë kam çuar”

, tha Sokrati.

Qerimi e pyet sa metra tokë i ka dhënë Kadriut në vitin 1982, pasi ky i fundit pretendon se i ka dhënë 800 metra katrorë, ndërkohë që kanë qenë vetëm 196 metra katrorë. Sokrati thotë se nuk ka asnjë informacion për ato çka thotë Kadriu dhe ndarjen e pasurisë së tyre.

Qerimi tregon se dokumentin origjinal të pronës së tij e ka dorëzuar në Hipotekë për ta regjistruar, por i kanë thënë që nuk korrespondon me formularin numër 6. Ndërsa e bija ndërhyn dhe thotë që i ka gënjyer dhe ia ka dhënë ai të drejtën Kadriut për të qenë në pronën e tyre.

Ardit Gjebrea ngre pyetjen se përse nevojiteshin kaq shumë para dhe Qerimi thotë se janë shpenzuar për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm për të zgjidhur çështjen në gjyqe.

Brunilda – Na le fukarenj! Na le pa bukë!

Ardit Gjebrea – Janë të ligjëruara këto para?    

 

Qerimi –

 Janë të ligjëruara me fatura e me të gjitha. I kam këtu.

Brunilda – Ç’më duhen mua faturat që thua ti? Më jep letrën mua, siç na  premtove! Të gjitha këto janë paguar me lekët tona dhe në fund  të marrë shtëpinë nipi i babit dhe jo ne!

Qerimi tregon se ka bërë dy ekspertiza me ekspertë të ndryshëm, të cilët i kanë nxjerrë sipërfaqe të ndryshme toke. Por Brunilda thotë se nuk i intereson, por kërkon që i ati ose t’i kthejë paratë ose pronën. Ai shpjegon se i ka të dokumentuara të gjitha paratë që ka shpenzuar për të zgjidhur problemin e pronës së tyre, por ajo ka 1 vit e gjysmë që nuk i flet dhe nuk ka pranuar të mësojë se ku kanë shkuar ato para.

Brunilda – Unë s’të flas! Si të të flas unë ty kur më ke marrë gjithë ato lekë?!

Qerimi – 

Të kam thënë …

Brunilda – Ore zotëri! Kërkon ti të flasësh me mua? Ça thua? Po fare! Gjithë ato lekë! Na ke gënjyer!

Qerimi  –

 Unë të kam thënë hajde, ja ku i ke të gjitha faturat!

Brunilda – Ti më kthe lekët që më ke marrë ose më jep letrën me emrin tim!

Qerimi – 

Plus që kam futur edhe kontributin tim për juve…

Brunilda – Apo doje lekë që të bridhje ti e të mos na jepje gjë neve?

Qerimi – 

Unë i kam të tëra. Të kam thënë 100.000 mijë herë ty dhe vëllait tënd. Vëllai i kësaj nuk më merr asnjë herë në telefon vetëm nga ky problem se kujton se ia kam dhënë unë nipit tim dhe ia kam shitur me lëkë.

Brunilda – Po si të mos mendoj kështu unë? Se unë s’kam asgjë në dorë, as lekët të m’i japë mbrapsht se s’ka për vete e as pronën!

Qerimi – 

Zonja Eni ti je vetë familjare. A mund ta bësh diçka të tillë kundrejt fëmijëve?

Eni Çobani – Tani, çudira shqiptare ka patur shumë Qerim. Çfarë s’kemi dëgjuar në seancat e ndërmjetësimit. Çdo gjë ndodh!

Juristja e rubrikës “Shihemi në Gjyq” shprehet se nëse disa anëtarë të familjes kanë kontribuar më tepër në pronë, atëherë ata duhet të marrin më tepër tokë se të tjerët që nuk kanë kontribuar.

Ndërsa publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” i jep të drejtë Qerimit, duke e shpallur të pafajshëm në këtë çështje. Ai thotë se nipi i tij ka ndërhyrë 600 metra katrorë në pronën që ka trashëguar nga i ati dhe për këtë gjë endet nëpër gjyqe prej 10 vitesh.

Juristja Çobani thotë se në bazë të nenit numër 16 të Kodit të Procedurës Civile, gjykata nuk ka arritur për kaq vite të saktësoje se ku gjendet kjo pronë, çfarë sipërfaqe ka dhe ku hyjnë akt – marrjet e Qerimit me atë të Kadriut. Ajo shprehet se faktet dhe provat nuk janë argumentuar mirë dhe janë gjykuar në mënyrë të njëanshme nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit, ndaj beson se ky gjykim do të rishqyrtohet dhe më pas do të zgjidhen të gjitha problemet.

Zonja Eni i kërkon Qerimit që të dëmshpërmblejë të gjithë kontributin e familjes së Brunildës me sipërfaqe më të gjerë toke nga prona e tyre dhe ai premton se do t’ia japë.

Juristja gjithashtu bën apel që të gjithë të gëzojnë çdo moment pranë prindërve të tyre, pasi janë të pazëvendësueshëm, duke përmendur kështu edhe mungesën që ajo vetë ndjen për të atin.

Brunilda përqafohet me të atin, pas 1 viti e gjysmë pa folur, duke e mbyllur në këtë mënyrë me sukses edhe këtë seancë ndërmjetësimi.

 

Për drekë me mua!

“POWER KIDZ 4”