Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

E diela e fundit e Prillit solli plot emocione në “Ka një mesazh për ty”. Eva kishte thirrur në studio tri hallat e saj, me profesion mësuese. Ato kanë pasur dhe kanë një rol të veçantë në jetën e Evës dhe ajo është në studio për t’u shprehur gjithë mirënjohjen dhe dashurinë. Në familjen e tyre vërtet nuk kanë munguar fatkeqsitë dhe problemet, por ata kanë qëndruar gjithnjë të bashkuar.

Eva tregon me dhimbje humbjen e babait, ngjarje e cila i ka lënë shumë gjurmë, pikërisht sepse ndodhi në momentet kur ajo kishte më shumë nevojë. Pavarësisht të gjithave, ajo është një grua e fortë e rrethuar me plot njerëz që e duan dhe me dy fëmijë, të cilët ajo i ka dëshiruar dhe ka luftuar shumë vite për t’i pasu

Eva:

Unë sot këtu kam sjellë tre hallat e mia. Janë tre halla me halle. Janë tre halla plot me thinja në kokë dhe po aq të mira kanë. Janë hallat më të mira në botë. Janë bashkëshorte të dedikuara, janë gjyshe të përkushtuara, janë mësuese nderi në Elbasan. Janë figura të respektuara, po Zoti deshi t’i plagosi. Hallat e mia kishin një vëlla të vetëm e kishin si dritën e syve, babin tim.

Gjyshja ime ka vdekur në moshë të re dhe babai ngeli jetim, kështu që hallat u kujdesën për të. E rritën e martuan. Babai im vdiq në vitin 2012, kur kisha më shumë nevojë për të.

Ardit Gjebrea: Pse thua që kishe më shumë nevojë për të?

Eva:

Unë kisha shumë vite që po përpiqesha për një fëmijë. Kam shkuar nga njëri spital te tjetri anë e mbanë botës. Kam bërë 12 fekondime artificiale që rezultuan të dështuara.

Eva tregon vështirësitë me të cilat është përballur gjatë viteve kur po përpiqej aq shumë të kishte një fëmijë:

U bëra armike me Zotin, me të gjithë. Ndihesha xheloze për gratë që shihja që kishin barkun e madh dhe unë jo

.

Pasi më vdiq babi, që ditën që më vdiq çdo natë e shihja në ëndërr. Më thoshte “do të bësh një vajzë të bukur, do ia vësh emrin Jasemina”. Më thoshte shko për të provuar sërish për një bebe. Unë atë kohë do nisesha për në Turqi.

Shkoj te halla dhe i kërkoj mendim. Më tha nisu, babai të ka dhënë bekimin. Më tha babai ka shkuar atje që të të japë ty një fëmijë. U bëra shumë keq.

Eva thotë se ajo beson se i ati ishte shkëmbyer me fëmijën e saj që do të vinte në jetë më vonë. Ajo në njëfarë mënyre nënkupton se duhej të bëhej “kurban” babai që ajo të bëhej me fëmijë.

U nisa për në Turqi. Megjithëse doktoresha atje nuk ishte dakord që unë të provoja përsëri për shkak se 12 herë fekondim artificial është i dëmshëm për trupin dhe mendjen e femrës, unë përsëri bëra një të 13-të. Doktoresha duke qarë më jep lajmin e bukur që unë prisja dy fëmijë.

Nga momenti që mora vesh këtë lajm, për tre muaj babai më ka dalë çdo natë në ëndërr, më prekte barkun. Një natë pas 3 muajsh shtatzëni, më doli në ëndërr dhe më tha “do bësh vetëm një vajzë, por mos u mërzit”. Unë u zgjova e trembur dhe pashë gjak gjithandej. Më dërguan në spital me urgjencë, humba njërën nga bebet, ishte djalë. Megjithatë nuk qava, u bëra e fortë, mendova për beben që po rritej në trupin tim. Nuk doja të derdhja asnjë pikë lot gjatë gjithë shtatzënisë. 

Unë gjeta më pas forcën te bija ime, Jasemina. Gjatë kohës kur ishte foshnje, ajo qante shumë dhe gjente qetësi vetëm pasi unë i vija pranë foton e babait tim. Babai im lart në qiell ishte ëngjëlli im dhe i fëmijëve të mi, sepse më vonë u bëra edhe me një djalë.

Ardit Gjebrea: Dalim te hallat e tua…

Eva:

Halla ime e madhe është nga ato gra që nuk i bie një fjalë poshtë. Është nga ato gra që kanë lindur për të shërbyer dhe për të mos u ankuar kurrë. Është martuar në derë bejlerësh, është persekutuar është bastisur. Ja kanë marrë nga trupi stolitë, rrobat, shtëpinë, pronat dhe nuk e ka ulur kokën kurrë.

Ardit Gjebrea: Pse i ke thirrur të trija?

Eva:

I kam thirrur të trija sepse që ditën që më vdiq babi nuk kam mundur të iki shpesh në Elbasan. Sepse nuk iki dot. Sa herë që shkoj ndjej sikur babai do të dalë nga dhoma e gjumit…

Të tri zonjat, Natasha, Lumturia dhe Shpresa e pranuan me kënaqësi ftesën për të qenë pjesë e “Ka një mesazh për ty”. Ashtu siç edhe Eva, mbesa e tyre i përshkroi, ato të trija karakterizohen nga një qetësi, portret i ngrohtë dhe mishërim i mirësisë dhe dashurisë. Të trija nuk ngurojnë të falënderojnë edhe moderatorin Gjebrea që i mirëpriti në studio duke iu dhënë shansin të çmallen edhe me njëra-tjetrën. Të pyetura nëse kanë ndonjë ide se kush mund t’i ketë thirrur, ato mendojnë menjëherë për fëmijët e vëllait të tyre të ndjerë.

Mesazhi në studio:

Gjithë jetën keni vuajtur. Gjithë jetën u keni shërbyer të tjerëve, nuk u dorëzuat kurrë, nuk e ulët kokën kurrë. Po unë jam plagosur. Kur vdiq babi, ju keni thënë disa fjali të hidhura dhe mua nuk më erdhi mirë. Ju qortonit Zotin pse nuk ju mori juve. Fakti që nuk vi dot shpesh në Elbasan, nuk do të thotë që nuk më merr malli për juve. Po ju e dini që e kam pak të vështirë të vij. Te të tre fytyrat e hallave shoh babain tim. Ato janë pjesë e shpirtit tim.

Hallë Lumturia:

Edhe te neve je ti, bashkë me Elion. Të dy ju jeni amaneti i vëllait tonë. Jeni shpirti, zemra jonë. Ne duam që ju të jeni të lumtur dhe t’ju lëmë mbrapa me gjithë të mirat e botës. Babin do ta kujtojmë gjithmonë.

Hallë Shpresa:

Ti, Elio, mamaja jote, mamaja jote është pjesë e jona. 

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

PER DREKE ME MUA!

“SHIHEMI NË GJYQ”

Drita dhe Sabrija janë dy zonja që kanë patur të njëjtin bashkëshort. Ato sot ishin protagoniste të seancës së ndërmjetësimit në “Shihemi në Gjyq”, pasi bashkëshorti i tyre ka ndërruar jetë, duke i lënë në konflikt për një pasuri.

Drita është martuar në vitin 1984 me ish – bashkëshortin, Shaqirin dhe sollën në jetë dy fëmijë. Pas disa vitesh ajo vendosi të emigronte në Itali për të krijuar një ekonomi më të mirë, duke menduar se më pas do t’i bashkohej edhe Shaqiri me fëmijët. Ndërkohë që në vitin 1991 kishin përfituar 2500 metra katrorë tokë bujqësore në bazë të ligjit 7501, ku ndërtuan me të ardhurat që fitonte Drita.

Familja u bashkua në Itali në vitin 2000, por Shaqiri vendosi të kthehej në Shqipëri, të divorcohej nga Drita dhe më pas të martohej me Sabrien, pa e vënë në dijeni nënën e fëmijëve të tij.

“Kjo ma mori burrin, tha se do kishte pasuri. E mbushi xhepin plot dhe më vinte deri në Berat!”, u shpreh Drita. Ndërsa Sabrija tregoi se i ka prezantuar një e afërmja e Shaqirit dhe duke qenë se në gjendjen civile rezultonte i divorcuar, pranoi të martoheshin.

Drita – Ti ke ardhur e më ke shkatërruar jetën! Më ke shkatërruar fëmijët mua!

Sabrija – Nuk ta shkatërrova unë jetën moj zonjë që më solle këtu!

Drita – Fëmijët i rrita vetë se ti nuk i doje të shtëpia jote! Ti më ke shkatërruar se ke firmosur!

Sabrija – Ti deshe vetë dhe ike! Unë isha jetime, pyeta gjendjen civile, nuk ishte i kurorëzuar dhe unë e mora atë.

Drita – Do ma gjejë zonja Eni të drejtën e fëmijëve të mi!

Sabrija rrëfeu se ka qenë e martuar më parë, por bashkëshortin ia vranë dhe ngeli e vetme me tre vajzat e saj. Kur u martua me ish – bashkëshortin e Dritës, ajo nuk e dinte që ishte i sëmurë dhe tha se ka vuajtur për 16 vite me të.

Drita e ndërpreu duke thënë se ia ka marrë bashkëshortin për lekët e tij dhe se nuk kishte qenë i sëmurë në atë kohë. Por Sabrija tha se nuk kishte informacion për pasurinë e Shaqirit dhe se u martua me të për të kaluar jetën sepse ishte e vetme.

Juristja Eni Çobani tregoi një deklaratë noteriale, ku Shaqir Avdillari, Sabrije Nexhipi, Marjeta Avdillari dhe Sokol Avdillari kanë firmosur për t’ia dhënë shoqërisë “Pirgu” pronën me cilësinë e sipërmarrjes. Por Sabrija tha se nuk ka firmosur në këtë deklaratë noteriale, pasi nuk di të shkruajë e të lexojë, si dhe tregoi që bashkëshorti nuk e ka përfshirë në këtë situatë.

Ndërkohë që Drita u shpreh se në deklaratën noteriale është vendosur Sabrije Nexhipi me atësinë e saj, pra me emrin e babait të saj, Samiut.

Sabrija – E ka bërë kunati im, e ka falsifikuar.

Drita – Të lutem shumë! Kunati jot dhe kunati im, Xhevahir Demneri dhe Sali Avdillari të vijnë atje të hedhin firmat se kështu më thanë.

Sabrija – Unë kam vuajtur 16 vjet me atë burrë, s’më lë dhe kjo tani rehat! Nuk haja bukë me javë dhe ti më sjell këtu!

Drita – Te burri jot do shkosh ti moj! Do më japësh përgjigje se më more burrin!

Sabrija – Nuk ta mora burrin moj, ti ike në Itali me fëmijët. Nuk e dija, unë isha jetime.

Drita – Ma shkatërrove familjen! I rrita fëmijët vet, nuk m’i rrite ti që më hëngre djersën e fëmijëve të mi dhe timen!

Zonja Eni tregoi se ish – bashkëshortët Avdillari kishin vendosur që Drita të punonte në Itali për pak kohë në mënyrë që të mblidhnin të ardhura. Por kur ajo do të kthehej në Shqipëri mësoi nga të afërmit që Shaqiri ishte martuar me dikë tjetër. Ai kishte përfunduar të gjitha procedurat e divorcit në mënyrë ligjore pa e lajmëruar fare Dritën lidhur me këtë fakt.

Juristja Çobani shpjegoi se pjesëtare e pasurisë së familjes bujqësore është Drita dhe jo Sabrija, ndaj dhe nuk kishte pse të firmoste kjo e fundit në deklaratën noteriale për dhënien e tokës. Ajo gjithashtu tregoi se në dokumente të ndryshme Sabrijes i janë vendosur të dhënat e Dritës dhe herë është përdorur mbiemri i bashkëshortit të saj të parë e herë e bashkëshortit të dytë.

“Ka patur falsifikime të njëpasnjëshme në disa kontrata. Këtu problemi është që pjesa më e madhe e kësaj pasurie është shitur për së gjalli, kur zoti Shaqir ishte gjallë. Ai pa firmën e zonjës Drita ka shitur pasuri, apartamente, mbi të cilat janë bërë dhe ndërtime. I ndjeri i ka shitur, ka marrë paratë dhe ka jetuar”, tha Eni Çobani.

Por përspos kësaj, Drita pretendon se janë falsifikuar edhe firmat e fëmijëve të saj, pasi ata kanë qenë në Itali dhe nuk kanë firmosur në asnjë dokument.

Sabrija nga ana tjetër e përlotur tha se të gjitha këto falsifikime i ka bërë kunati i saj, i cili edhe atë e ka lënë pa gjë. “Unë jam pa shkollë, ata ma fusin kur të duan moj motër! Duan vetëm të hanë, mua më lanë pa bukë!“, u shpreh ajo.

Një fakt tjetër i rëndë është një certifikatë që gjendet në dosjen e shit-blerjes së pronës. Certifikata e lindjes është me gjeneralitetet e të birit të Dritës dhe Shaqirit, Sokol Avdillarit, por me fotografinë e Artur Avdillarit, djalit të vëllait të Shaqirit.

Drita akuzon për gjithçka Armand Dilen, i cili ka ndërtuar apartamentet në pronën e tyre. Ndryshe nga Drita, Sabrija akuzon kunetërit duke thënë: “Kunetërit e mi e morën në qafë se e mernin me të mira dhe ai gënjehej me një karamele. Nuk qante një hall për shtëpinë e vet, por qante vëllezërit e tij”.

Përsa i përket pretendimit të Dritës që Shaqiri nuk ishte i sëmurë kur ishte me të, moderatori i emisionit “E Diela Shqiptare”, Ardit Gjebrea tha se ai mund të jetë sëmurur gjatë 4 viteve që ajo ka qenë në Itali dhe nuk janë parë.

Drita – Kjo kushedi… rrezik se i ha burrat! Kësaj i vdiq i pari, i vdiq dhe i dyti.

Sabrija – S’jam unë moj, është Zoti. E kam zemrën e mirë unë!

Drita – Ça zemre më thuaj ti moj? Ti po i ha! Dashke dhe të tretin ti.

Sabrija – Sabrija nuk i ha burrat, është fatkeqësi e zezë!

Dita – Moj zonjë ti e ke marrë tamam burrin tim, s’e ke marrë të sëmurë!

Sabrija – Ai ishte me diabet, e bëri me zemër. Merr pensionin Xhevahiri, por gjynah nga Zoti t’ia hajë kunati dhe mos t’ja haj unë që i bëra hysmet. Kunetërit më futën në hak, tani s’më lë as kjo rehat!

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” në këtë seancë ndërmjetësimi i dha të drejtë Sabrijes, pasi e besuan që nuk ka ndërhyrë për të përfituar në pasurinë e Dritës.

Juristja Çobani u shpreh se janë kryer shumë veprime të kundraligjshme, të cilat do të kenë pasoja juridike shumë të rëndësishme mbi ata persona që i kanë ndërmarrë këto veprime.

Drita është bashkëpronare në këtë pronë bujqësore, ndaj duhet t’i drejtohet gjykatës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për të nxjerrë të pavlefshme të gjitha kontratat e shitjes së kësaj pasurie. Ndërsa Sabrija, pas vdekjes së bashkëshortit, ka trashëguar pjesën e tij të pasurisë.

Juristja – Të lutem qetësojeni shpirtin! Jeni dy zonja, e kuptoj që nuk është e lehtë kjo që keni ndarë një burrë, por shikoni …

Drita – Aman se ishte yll. Ma mori kjo!

Sabrija – Ishte si ishte, ishte i Zotit ai. Ishte yll a ishte i keq ai, e ka bërë Zoti dhe s’ke punë ta shash atë ti sot. Të lutem shumë mbaje vendin aty, e kam patur unë në momentin e fundit, jo ta shash ti!

Drita – Moj nuk e shaj burrin se ishte dhe i imi. Unë e mora beqar!

Sabrija – Lavdërohu me atë bukurinë që ke ti. Aman moj aman ti!

Seanca e ndërmjetësimit në rubrikën “Shihemi në Gjyq” përfundoi me sukses, duke bërë të mundur që dy zonja që kanë patur një bashkëshort, tanimë të bashkohen për të një qëllim, të rifitojnë pasurinë që u takon.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

EDHE UNE KENDOJ!