Talk Show nga Ardit Gjebrea!

PER DREKE ME MUA!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Arbeni dhe Ergina u njohën si nëpër filma. Portreti i një personi të dashur dha bekimin për lidhjen e tyre të përjetshme. Ajo që i mungon lumturisë së tyre është prezenca e Naunkës, nënës së Arbenit e cila jeton në Lushnje.

“Jemi tre fëmijë, dy motrat që jetojnë jashtë dhe unë në Tiranë. Papritur 6 muaj më parë babai u sëmur nga hemorragjia cerebrale dhe shkuam në spital, por pas 21 ditësh ai ndërroi jetë,u prekëm të gjithë nga kjo ngjarje, u trishtuam. Mendova që të bëja një tatuazh ose pikturë për babain tim. Në Instagram shikoj një faqe pikturash me emrin “erginahoxhaart”. Vendosa për një pikturë,por për momentin isha i trishtuar dhe nuk isha i fokusuar tek fotot e Erginës. Pasi i shkruajta e takova për t’i dhënë fotografinë dhe më tha pas disa ditësh do të jetë gati. Pas disa ditësh takohemi përsëri për të marrë pikturën dhe qëndruam pak më shumë teksa më tregonte për detajet e punës. Kur ndahemi po më tërhiqte, sepse po mendoja se nuk do të takoheshim më dhe kisha disa ndjenja për të. Ajo më shkruan për pikturën një ditë më vonë dhe më pyet:”A të pëlqeu?”. Dhe kështu nisi historia jonë,e ftova për kafe dhe më pranoi. Pas disa takimesh më thotë që duhet të takohesh me babain tim dhe të shkoja në familje për t’i kërkuar dorën. Babai i Erginës është polic, por takohemi dhe më pyet se si jemi njohur. Pasi i tregova historinë ai nuk më besoi dhe më thotë se kjo nuk është e mundur”, tregoi Arbeni.

Ergina thotë se që në momentin e parë i ka treguar familjes së saj për Benin dhe se historia e tij e ka prekur shumë që prej realizimit të pikturës. Ajo tani është studente në vitin e parë në Universitetin e Arteve në Tiranë, por ka një dashuri të madhe ndaj vjehrrës që e konsideron si një nënë.

Sot ata kanë ardhur për t’i dhënë një mesazh nënës së Arbenit, sepse ajo ka mbetur e vetme në Lushnje që prej ndarjes nga jeta të bashkëshortit dhe nuk vjen në pallat. Një pikturë nga nusja e të dyve së bashku do ta bënte atë më të lumtur.

Gazetari i rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” shkon në fshatin Bubullimë për t’i dhënë mesazhin zonjës Nanunka. Nënë Naunka e pranoi ftesën e nuses dhe djalit për të jetuar së bashku në Tiranë. Dhurata me portretin e saj me bashkëshortin e ndjerë i dha vlerë kërkesës së Erginës. Kujtimet e bukura të zgjasin jetën.

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

Ka katër vite që Kristina ka ndaluar së qeshuri pasi ka humbur një ndër personat më të dashur të familjes.

Sot nisi ndryshe rubrika “Ka Një Mesazh Për Ty” teksa Ardit Gjebrea dhe zonja Hamite na prezantojnë me mesazhin e dytë.

“Para 4 vitesh e 4 muajsh ka humbur jetën Ervini, i cili do festonte ditëlindjen e 24 pas dy ditësh. Ai erdhi nga shkolla në Tiranë për Vitin e Ri në datën 31 me djalin e vëllait dhe merr disa gjëra për të ikur tek daja. Kishin futur zgarën e qymyrit brenda në shtëpi pasi e kishin fikur dhe kishin mbyllur edhe derën, u asfiksua nga tymi i qymyrit. Kam vajzën Kristina dhe bashkëshortin. Mua nuk më dilte asnjë fjalë për më shumë se katër muaj, më mungonte Ervini. Ishte një djalë i qeshur, asnjëherë nuk e shikoja të mërzitur. Motivi që më ktheu dëshirën për të jetuar akoma ishte vajza. Një ditë më thotë:”Mami, të gjithë më thonë që je shumë sëmurë, nuk më do mua, vetëm Ervinin.” Nuk i ktheva përgjigje dhe fillova të flas me njerëzit që më qëndruan pranë, por më mbyste dhimbja. Tani është vajza, ajo që ka katër vite që nuk del më. Kristina ka mbrëmjen e maturës dhe nuk do të iki, por janë shokët dhe shoqet e klasës që i qëndrojnë pranë. Sot kam ardhur këtu vetëm për Kristinën. Unë sot jam, nuk e di sa do jem. Jam me shpirt tek Ervini, marr frymë për Kristinën. Unë jam dakord për gjithçka të mirë për Kristinën. Jam komplet e vrarë. Gëzimi i saj më bën të lëviz”, tregon Hamite.

Në studion e së Dielës Shqiptare vijnë shokët e klasës së Kristinës:

“Ne kemi ftuar shoqen tonë. Unë Kristinën e njoh që në klasën e parë, por në klasën e 8-të asaj i’u nda nga jeta vëllai dhe u transferua përsëri në shkollën tonë. Ajo ishte e trishtuar, rrinte ftohtë dhe nuk merrte pjesë në aktivitetet tona. Tani ajo është shumë e mbyllur,asnjëherë nuk kërcen. Pavarësisht se është e tërhequr ajo është shumë e lidhur me ne. Ditët kur ajo nuk vinte në shkollë ne e ndienim mungesën e saj. Të gjithë kemi firmosur për festën e maturës dhe mungon vetëm firma e saj. Sot kemi ardhur për të marrë një premtim që ajo të bëhet pjesë e mbrëmjes sonë, sepse nuk do të kishte kuptim pa atë.”

Gazetari i rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” shkoi në Roskovec për t’i dhënë mesazhin Kristinës, e cila e pranoi ftesën dhe erdhi në studio. Pas mesazhit nga miqtë e saj ajo pranoi dhe firmosi për të shkuar në mbrëmjen e maturës. Në momente të tilla të vështira si ai që po kalon Kristina, ilaçi më i mirë shërues është dashuria e pakufishme e të ëmës Hamite dhe miqve të saj të ngushtë.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Një histori e dhimbshme është trajtuar në rubrikën “Shihemi në Gjyq” të emisionit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Në studio kishte ardhur zonja Alketa, e cila kishte sjellë motrën e saj. Historia e znj. Alketa është e dhimbshme. Bashkëshorti i saj Feridon Bollguri u vra më 2 Tetor 2012 në një krim pasioni. Ai kishte një lidhje martesore me një grua tjetër të martuar, e cila para tij ka pasur një tjetër të dashur jashtë martese. I dashuri i parë, për shkak të xhelozisë, vrau brenda makinës ish të dashurën e tij dhe të dashurin e saj të ri, që ishte Feridon Bollguri. Më pas vrau edhe veten.

Në atë kohë, znj.Alketa nuk dinte asgjë për lidhjen jashtëmartesore të bashkëshortit të saj. Kur ndodhi ngjarja, kunatat dhe njerëzit e tjerë të burrit i thanë se Feridon Bollguri kishte humbur jetën në një aksident me makinë dhe vetëm pas një jave mësoi çfarë kishte ndodhur. Sipas saj, kunetërit, kunatat dhe vjehrrit po silleshin keq me të duke i kërkuar që të largohej nga banesa e tyre. Ajo dhe bashkëshorti i ndjerë, Feridoni, kishin blerë një shtëpi në qytetin e Korçës. Mirëpo sot këtë shtëpi nuk e ka dhe jeton në një banesë të rrënuar në fshatin Podgorie. Aty jeton me një prej vajzave, kurse dy vajzat e tjera thotë se ia kanë marrë të afërmit e ish-burrit dhe nuk e lënë që t’i takojë. Fëmijët, shprehet znj.Alketa, janë e vetmja arsye që i japin forcë për të vazhduar përpara.

Ajo kërkon nga motra që ta ndihmojë në këtë situatë, por znj.Myrvete shprehet se i ka qëndruar pranë të motrës për 7 vite ndërsa tani refuzon dhe nuk ka mundësi. Drejtuesja e seancës së ndërmjetësimit, Eni Çobani, zotohet se do ta ndihmojë znj.Alketa për të rifituar trashëgiminë që i përket nga pasuria bashkëshortore.

Alketa: Kam ardhur nga qyteti i Korçës vetëm se kam një hall shumë të madh që nuk e zgjidh dot. Unë me Feridon Bollgurin jemi martuar në vitin 2000 në fshatin Podgorie. Pas 8 vitesh ne morëm një shtëpi në qytetin e Korçës. Qëndruam aty 4 vjet, pastaj shkuam në fshat se fëmijët rrinin 3 muajt e verës te gjyshërit. Kaluam 1 muaj atje, ndodhi fatkeqësia e rëndë. Burrin ma vranë. Unë nuk dija asgjë, vetëm punoja.

Myrvete: Përse më ke thirrur mua këtu, duhet të thërrasësh njerëzit e burrit. Burri tënd të tradhëtonte.

Alketa: Nuk e dija. Ai merrte në telefon, do çoj njerëzit refugjatë thoshte.

Ardit Gjebrea: Po ti e dije që e tradhëtonte bashkëshorti?

Myrvete: Unë e dëgjova në televizor kur e dha ditën tjetër.

Eni Çobani: Kur u lidh me Feridonin, keni qenë dakord si familje juve?

Myrvete: Jo, ka ikur vetë. Ne nuk donim. E mori vetë, u lidh me atë. Nuk na pyeti. Kjo ka qenë e lumtur as edhe 1 minutë në atë shtëpi. Unë i thoja gjithmonë, motër nuk është mirë aty për ty. Përse më sjell mua? Merr njerëzit e burrit andej.

Alketa: Po, s’kam forcë. Kësaj radhe më mbështet.

Myrvete: 7 vite të kam ndihmuar qëkur u vra burri jot. Ja kanë marrë me fëmijë, me shtëpi e me të gjitha. Çfarë t’i bëj unë kësaj.

Eni Çobani: Po fëmijët pse t’i morën?

Alketa: I morën se ata kanë lekë.

Eni Çobani: Në momentin që ndodhi ngjarja, çfarë ju thanë juve?

Alketa: Mua më thanë ik zhdukur. Erdhën motrat e burrit atje. Zhduku tha tani, neve na iku vëllai, përse rri këtu? Si të iki unë, kam 17 vite martesë. Kam 3 vajza.

Myrvete: Këtë e kanë rrahur dhe çfarë nuk i kanë bërë. E prapë ajo nuk na tregonte ne.

Alketa: Xhaxhai i vajzave ndodhet në Amerikës.

Eni Çobani: Si more vesh që vdiq Feridoni?

Alketa: Unë mora vesh që u përplas, nuk e dija unë. Hyja në dhomë shikoja që hapnin e mbyllnin televizorin dhe s’më tregonin asnjëra. Pastaj filluan motrat e burrit, debatonin, zhduku. E mora vesh pas 1 jave. Nga ora 18:30 i them vajzës së madhe, merre babin ku ndodhet. E mori dhe i tha jam këtu në klub. Pastaj as telefonata, asgjë nuk patëm. Filluan pastaj vinin njerëzit. Erdhën motrat e burrit, ik qëroju, ik zhduku që atë natë. S’duhet të heqësh rrobat e zeza, s’duhet të dalësh jashtë më thanë motrat e burrit, se është turp.

Myrvete: Mbaje kokën lart, ti s’ke bërë turp. Unë të kam ndihmuar 7 vite, çfarë të bëj unë.

Alketa: Atje kishte dy iPhone. I mora unë telefonat e burrit. Atje hodha firmë. Kur dola në korridor, kunati m’i mori telefonat. Telefonat ia dha vajzës së madhe, tjetrin nuk e di.

Ardit Gjebrea: Tani me kë jeton ti?

Alketa: Unë jetoj vetëm me një binjake. Ndodhem në fshat në një dhomë të vjetër.

Eni Çobani – Myrvetes: Çfarë ke bërë ti si motër?

Myrvete: Ne jemi 4 motra. Kam dhe dy më të mëdhaja se vetja. Kemi dhe dy vëllezër. Po njëri vëlla na ka bërë aksident. Kjo është motra ime e vogël.

Eni Çobani: Pse nuk shkoje te apartamenti yt në Korçë?

Myrvete: Nuk më linin, nuk më jepnin çelësin. Një kopje e mbante motra e burrit.

Eni Çobani: Jam pa fjalë! Kjo zonja që jeton në Korçë, ekziston një marrëdhënie brenda familjes në këtë formë që këtë zonjën me apartament në Korçë e kanë marrë e kanë futur atje në një dhomë që çfarë bie jashtë hyn brenda. Apartamentin e kanë tjetërsuar këta zotërinjtë, prandaj e kanë sjellë Alketën sot. Se edhe këtu që ka ardhur nuk di ta thotë. E kuptoni se në çfarë gjendje jemi ne? Pra, kjo zonja është pronare e një banese në Korçë, ka institucione Korça, ka gjyqtarë ka juristë, dhe e kanë lënë këtë të vazhdojë të rrijë. Kjo zonja ka nënshkruar vërtetë disa dokumente, të nderuar prokurorë të qytetit të Korçës që keni pasur në dorë nuk kallëzim të kësaj zonje, dhe nga verifikimet që keni bërë ju keni thënë nënshkrimi është i zonjës. Jo vetëm firma, po kjo është gati të japi dhe shpirtin, se kaq kupton. Me gjithë respektin që kam për Alketën. Prandaj këta njerëz duhen mbrojtur. Zonja Alketa, bashkë me tre vajzat si trashëgimtare të z. Feridon Bollguri, kanë trashëguar një apartament në qytetin e Korçës. Këtë apartament ja kanë shitur shtetasit Edmond Bollguri, sot ndodhet në SHBA, i cili është kunati i zonjës. Është vëllai i Feridonit. Nuk e di pse ka lindur nevoja e një njeriu që jeton në Amerikë të marri apartamentin e vëllait të vdekur në këto kushte dhe të lërë këtë zonjë me 3 vajza në atë situatë. Zonja ka hedhur vetëm një firmë, atë firmë që ka hedhur vetëm para njerëzve të policisë për marrjen e sendeve personale. As sendet nuk i mori.

Alketa: Kishin edhe dy makina që i shitën.

Eni Çobani: Ka bërë një kontratë shitje në Gusht të vitit 2013. Kontrat e shitjes është bërë midis zonjës dhe Edmond Bollgurit. Prokuroria që ka marrë kallëzimin e zonjës, kanë thënë firma është e zonjës, nënshkrimi është i saktë dhe kanë pushuar këtë hetim duke mos e konsideruar vepër penale.

Alketa: Unë vetëm për telefonat hodha firmë.

Eni Çobani: Kam një kontratë shit-blerje të datës 07.08.2013 e cila është bërë në qytetin e Korçës. Dokumentacioni i cili është çuar në Prokurori është totalisht i saktë sepse zonja nuk mund të çonte dokumentacion tjetër se ky është dokumentacioni. Në 22 Maj 2013 është bërë një prokurë e posaçme, ku zonja Alketa jep të drejta përfaqësuesit të posaçëm z.Sherif Abaz i cili ka të drejtë të paraqitet përpara institucioneve shtetërore në lidhje me pasurinë që vjen si trashëgim nga bashkëshorti im Feridon Bollguri, e luajtshme apo e paluajtshme, duke pasur të drejtë të përpilojë kërkesa, kërkesë-padi, t’i nënshkruajë, t’i depozitojë në gjykatë, të marrë pjesë në gjykim duke nënshkruar çdo njoftim në lidhje me dhënien e autorizimit për tjetërsim të pasurisë së paluajtshme apo luajtshme në emrin tim dhe të fëmijëve të mi, gjithashtu të paraqitet përpara zyrave noteriale për të kryer veprime tjetërsimi të kësaj pasurie. Me këtë prokurë, z.Sherif është paraqitur në zyrën noteriale dhe ka bërë kontratën e shit-blerjes me z.Edmond Bollguri, dy kunetërit. Dhe shitës është Alketa Bollguri përfaqësuar me prokurë të posaçme nga Sherif Abaz. Ku janë paratë e këtij apartamenti? Unë dua ku ka kaluar shuma e lekëve të këtij apartamenti. Është marrë Prokuroria me këtë pjesë? Vlera e shitjes është me vlerën totale 54 milionë Lekë të vjetra. Unë dua të di nga Prokuroria e Korçës kush i ka marrë? Nëse i ka marrë zonja këtu, të na thotë.

Alketa: Unë s’kam marrë asgjë. Unë tani hyra në punë, 6 muaj kam.

Eni Çobani: Në fund të kësaj kontrate ndërmjetësimi, kontrata e shitjes e lidhur nga Sherif Abaz, ka elementë të pavlefshmërisë absolute dhe konkretisht veprimi juridik është fiktiv. Në mendimin tim, qëllimi i palëve nuk ka qenë kalimi i pronësisë, por qëllimi i vërtetë ka qenë që zonjës t’i hiqej e drejta e pronësisë mbi këtë apartament. Nuk ka qenë elementi çmim, ka qenë elementi që zonja mos kishte të drejtë ta rishiste.

Eni Çobani – Myrvetes: Me motrën tënde nuk merresh më. Pra me motrën tënde duhet të merrem unë. Ti je motra e një barku, e ke lënë.

Myrvete: Ajo po më shkatërron. Unë e erdha këtu për hatrin tënd, nuk do vija për atë.

Eni Çobani: Atëherë, Alketa bashkë do vemi në Korçë, do ta vazhdojmë. Nuk do të lë asnjë grua shqiptare që burrat shqiptarë të abuzojnë më me gra si ju të cilat nuk arrini dot as të thoni emrin tuaj, jo të hidhni firma. Është krim i madh që me gra të tilla të abuzoni dhe të thoni të nesërmen që firma është e saj. Ajo nuk di të artikulojë, jo më të hedhë firmë. Prandaj Alketa, bëhu e fortë dhe kërko të drejtat e tua. Së bashku do shkojmë deri në fund për të kërkuar apartamentin tënd dhe të vajzave të tua.

BE coffee!