Talk Show nga Ardit Gjebrea!

Per dreke me mua!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Shumë vite më parë Lavdija humbi bashkëshortin e saj në krye të detyrës. Krejt e vetme ajo rriti dhe shkolloi dy fëmijë model. Vajza Alfredina ka fituar të drejtën e studimit në Harvard, por të ëmës i duhet të marrë një kredi që kjo ëndërr të bëhet realitet…

“21 vite që kam humbur bashkëshortin. Në vitin 90-të jam njohur me të dhe një vit më vonë më rrëmben për të ikur jashtë. Vëllezërit donin të ndiqnim traditën, por ai nuk duronte sepse do iknim në Greqi. Në 1992 vjen në jetë djali, u kthyem në vitin 1996-të në Shqipëri dhe në 97-ën nuk u larguam dot. Bashkëshorti filloi punë në polici. Gjatë një sherri në lagje djali u plagos nga një plumb. Ne duhet të shikojmë jetën tonë, jo Shqipërinë i thoja gjithmonë. Bandat e Vlorës shkëmbejnë plumbat gjatë një nate dhe më godasin mua në ballkon, por shpëtova. Jeta pa bashkëshort është shumë e vështirë. Një darkë teksa vinte për në shtëpi dhe na sillte peshk tek fusha e aviacionit e qëllojnë. Unë isha shtatzënë dhe nuk më tregonin, por e kuptova. Nuk doja ta vishja me rroba policie, sepse mendoja se e kishte fajin profesioni i tij. Djali e përjetoi shumë keq dhe që nga ajo ditë nuk ha më peshk. Në Qershor vjen në jetë vajza dhe i vë emrin e të atit, Alfredina. Nuk doja të filloja punë në policinë e Vlorës, por fillova si çentraliste dhe të dy fëmijët i kam rritur nga ajo punë. Djali donte shumë të bëhej polic, por unë kisha frikë dhe nuk doja. Ndërsa vajza ka fituar shumë olimpiada, kur erdhi koha për shkollë kisha një problem nga ana financiare. Ajo kishte mundësi për të studiuar në Harvard, por pamundësia ekonomike, kredia që kisha për shtëpinë nuk munda. Sot kam ardhur t’i kërkoj një falje të madhe. Ma shprehte gjithmonë po të kisha babain do kisha shkuar. Vajza sot punon edhe si asistente në Ministri”, tregon Lavdija.

Gazetarja e rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” shkon për t’i dhënë mesazhin Alfredinës, e cila vjen në studio.

Lavdija: Një nënë e denjë fëmijët nuk i lëshon kurrë. Unë dhe nga ana e zemrës nuk doja të ikje, por edhe nga ana ekonomike. Tani mami është gati të marrë edhe një kredi për të realizuar ëndrrën tënde. Dua të më premtosh para Arditit që në varreza nuk do shkosh vetëm më ke mua ke vëllain.

Alfredina tregon se ajo i ka plotësuar të gjitha kriteret për të studiuar në Harvard, tani po plotëson CV-në e saj me certifikime dhe eksperienca pune.

Tashmë Lavdijes nuk i duhet një kredi bankare sepse miqtë e mirë janë prezent në ditë të vështira. Kolegët policë të babait të ndjerë premtuan të realizojnë dëshirën më të madhe të Alfredinës për t’u shkolluar në Harvard, ashtu siç e meriton!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

Atëherë kur familja e saj ishin në skajet e mbijetesës, Mimoza rritej me përrallat plot fantazi të babait të saj Aliut. Në një kohë dhe vend tjetër ajo kërkon t’i plotësojë një dëshirë simbolike që ai s’ka pasur mundësi t’a arrijë.

“25 vite që jeton në Itali, nënë e 3 fëmijëve, ka sjell një kostum për babain e saj. Unë vij nga një familje e varfër, ndihem akoma e varfër në shpirt edhe pse jam mirë. Aq sa mundem ndihmoj familjen time. Ai nuk ka pasur asnjë rast për të veshur një kostum, nuk kemi bërë asnjë gëzim, asnjë festë në familje. Për herë të parë në jetën e tij doja ta sillja këtu në emisionin tënd për t’i bërë këtë surprizë të bukur. Shtëpia ka qenë e mbuluar me qese, çfarë binte jashtë hynte brenda, u rrita shumë shpejt edhe në mendime. Edhe ne ishim si gjithë të tjerët, por shumë të varfër. Nuk doja asgjë, vetëm një përshëndetje që nuk e merrja asnjëherë. Ata punonin të dy, por babai shlyente borxhet me paratë që fitonte. 22 vjeçe mendoja gjithmonë të ndihmoja babain, as të jetoja nuk doja dhe një mike e fëmijërisë më thotë: “Do të ikësh nga këtu?”. Kisha shumë besim sepse u rritëm bashkë dhe më tha të shkoja të punoja si kamariere, u nisa me skaf nga Vlora na hodhën në ujë, ishte edhe muaji janar, pas 2 ditësh shkuam tek një shtëpi, isha shumë e sëmurë dhe qëndrova e mbyllur në shtëpi. Edhe pse isha shumë e varfër jam rritur nga përrallat e babait. Gjatë dy javëve në Itali kuptova që nuk ishte vend për mua, vajzat dilnin natën, unë nuk isha kamariere. Aty më keqtrajtuan, më dhunuan dhe hidhem nga dritarja për t’u arratisur. Teksa më dhunoi një ditë më goditi fortë dhe rashë pa ndjenja, kur zgjohem isha në banjo dhe do më digjte me hekur në dorë aty u hodha nga dritarja. Më pas më morën kalimtarët dhe përfundova në spital. Në atë moment përfundoi gjithçka, denoncova dhe shpëtova. U njoha me bashkëshortin dhe lindën tre fëmijët e mi. Askush nuk e di historinë time, është hera e parë që e dëgjojnë. Të gjithë flasin fjalë jo të mira, prandaj vendosa ta rrëfej historinë time. Dua që familja ime ta mbajë kokën lart në çdo moment,” tregon Mimoza.

Gazetari i rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” shkon në Elbasan për t’i dhënë mesazhin Aliut i cili hyn në studio me kostumin e blerë nga vajza e tij.

Mimoza: S’ka qenë asnjëherë kaq i bukur sa sot.

Kur gjërat e vogla bëjnë diferencën e madhe. Pavarësisht statusit shoqëror, çdo fëmijë e shikon prindin e tij me “kostum mbretëror”. Kjo e bën ende dhe sot fëmijërinë e Mimozës një kujtim të bukur e të paharruar.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Në 2011-n, Klarenc Lelaj humbi dy fëmijët e tij të mitur 3 dhe 4 vjeç, si pasojë e një shkarkese elektrike në banesën ku ata ndodheshin, në Vlorë. Për këtë fatkeqësi, familja e Klarencit ka përfituar një shpërblim për të cilin pretendon se ia ka marrë avokati dhe njëra prej motrave, Mimoza, të cilën këtë të diel e kishte sjellë në një seancë ndërmjetësimi në “Shihemi në gjyq”.

Humbja e dy fëmijëve të mitur për familjen Lelaj ishte një tragjedi e cila nuk ka fjalë për t’u përshkruar. Në gjendje tejet të rënduar psikologjike dhe në vështirësi të mëdha ekonomike, pak muaj pas vdekjes së të vegjëlve, zoti Lelaj tregon se atyre iu afrua një avokat. Adrian Dauti u tha se u takonte dëmshpërblim dhe i siguroi që do të merrej ai me të gjitha.

Zoti Lelaj thotë se avokati u kërkoi që të firmosnin nëpër letra të bardha dhe me mirëbesim, firmosën. Për ngjarjen e rëndë u bënë disa gjyqe, të cilat familja Lelaj i fitoi. Nga këto gjyqe, kjo familje u dëmshpërblye në total me mbi 1 miliardë lekë. Ndonëse sipas ligjit dëmshpërblimi i takonte vetëm familjes, pra bashkëshortëve që humbën fëmijët dhe fëmijëve të tjerë të tyre, gjyqe bënë dhe fituan edhe tezet, hallat dhe gjyshërit. Sot, bashkëshortët Lelaj thonë se kanë marrë vetëm 60 milionë lekë të vjetra, ndërsa Mimoza, motra e Klarencit e cila nga gjyqi i fituar përfitonte 50 milionë lekë, thotë se ka marrë vetëm 4 milionë.

“Motra ime, sipas fjalëve të Adrian Dautit, ish-avokati përfaqësues ligjor në dëmshpërblimin kundër kompanisë CEZ, ka përfituar 50 milionë lekë. Motra thotë unë nuk kam marrë fare, lekët e tua i ka marrë ai i të gjitha”, thotë në studio Klarenc Lelaj. Vetë Mimoza pranon se nga avokati ka marrë 4 milionë lekë të vjetra, por jo 50 milionë sa pretendon vëllai i saj.

Mimoza: Unë të kam vëlla, vëllai nuk hidhet poshtë.

Klarenc Lelaj: Çfarë vëllai, po ti ke marrë lekët e fëmijëve të mi të vdekur moj. Zonja Eni, avokati më ka thënë se i kam ndarë paratë me motrën tënde.

Mimoza: Të njëjtën gjë më ka thënë edhe mua. Lekët e tua i ka marrë avokati dhe ai na ka përplasur të dyve Zonja Eni. Kemi dy vjet që nuk flasim.

Klarenc Lelaj: Nuk je motra ime moj…

Të rënduar psikologjikisht, bashkëshortët Lelaj ia besuan të gjitha proceset gjyqësore avokatit. Ky i fundit mori edhe firmat e dy vajzave të tjera të Klarencit, të cilat vijnë nga një martesë tjetër dhe jetojnë në Itali. Njëra prej tyre, Ada, e cila ndodhej në studio tregoi se në kohën kur ndodhi fatkeqësia kishte qenë ajo dhe motra e saj që iu ishin gjendur pranë të atit dhe bashkëshortes së tij, askush tjetër. Por ajo thotë se situata ndryshoi kur të afërmit e tyre morën vesh për dëmshpërblimin…

“Babi im nuk kishte as lekë për të ngrënë bukë. Unë me motrën time që jetojmë në Itali, i kemi dalë përballë për çdo gjë. Nuk ishte as halla, as xhaxhai, as gjyshi, asnjë njeri. Pastaj kur e morën vesh këta njerëz që për vdekjen e këtyre dy fëmijëve mund të ishte një shpërblim i madh lekësh, u dukën që të gjithë, erdhën që të gjithë në atë shtëpi, u kujdesën për babanë time”, tha Ada.

Ardit Gjebrea: Kjo është gjëja më e rëndë…

Por përse u përfshinë në dëmshpërblim hallat, tezet dhe gjyshërit? Po familja e prekur nga kjo fatkeqësi e madhe, përse nuk i pa kurrë ato para që sigurisht nuk mund t’ia kthenin mbrapsht fëmijët e humbur, por të paktën do t’ia kishin bërë jetën disi më të lehtë. E gjithë historia është e mbuluar me mistere, megjithatë juristja Eni Çobani thotë se do t’i shkojë kësaj çështjeje deri në fund.

“E vërteta zhytet, por nuk mbytet, do të dalë dhe do ta çojmë deri në fund. Ju e keni filluar dhe jeni në një proces gjyqësor. Sigurisht çdo gabim që bëhet nga institucionet është i pafalshëm, por mbi të gjitha unë jam e prerë përsa i përket moralit të familjes shqiptare. Ku janë shqiptarët me familjet e tyre? Ku është dashuria? Solidariteti? Dhimbja dhe mëshirimi në raste të tilla, shtrirja e dorës vëllait dhe motrës? Dhimbja ndahet dhe gëzimi gëzohet gjithmonë sëbashku. Do t’i lutesha edhe njëherë Klarencit të durojë, sepse çfarë ka vendosur ligji, do t’i marrësh herët a vonë”, tha Çobani.

Një thirrje e kishte edhe për Mimozën: “Kur të marrë edhe 46 milionë se 4 i ka marrë, të paktën tek varri i atyre fëmijëve do të çoni ndonjë tufë me lule?”

Mimoza: Zonja Eni, unë nëse i marr, të 46-ta, do t’i bëj edhe ato 4 dhe do t’ia çoj vëllait në shtëpi, këtu do jemi. Do vij tek Klani, do ta shikojmë, këtu do të jemi.

Eni Çobani: Kjo është arritja më e madhe e kësaj seance, thënia e kësaj motre që këtë shumë do t’ia çojë Klarencit që edhe sot është në vështirësi ekonomike. Klarenc, siç të kam ndihmuar deri më sot, pa asnjëlloj detyrimi, ashtu do të vazhdojmë sëbashku derisa ti të marrësh çfarë të takon dhe prap do ta bëjmë publike sëbashku edhe me këtë thënie publike të Mozës.

“Unë jam Klarenc Lelaj, banoj në Vlorë. Në 4 Janar të 2011-s më ndodhi një ngjarje e rëndë, një fatkeqësi e rëndë… Më fal, më fal… do më falësh”. Ndonëse kanë kaluar 8 vjet nga kjo ngjarje tragjike, Klarenc Lelaj e ka të vështirë të përmbajë lotët. Atë 4 Janar, ai dhe bashkëshortja e tij humbën 2 fëmijët e vegjël, 3 dhe 4 vjeç. Për shkak të vështirësive ekonomike, ata punonin gjatë natës dhe fëmijët e mitur i linin vetëm në shtëpi.

Eni Çobani: Është totalisht e mirëkuptuar çdo lot i yti, kështu që kërkojmë ndjese ne, shqiptarët e tjerë, që akoma Shqipërisë nuk i kemi falur dot atë siguri jete që njerëzit të kenë mundësi të rrisin fëmijët e qetë. Sepse të dalësh natën, të dy bashkëshortët dhe të lesh dy fëmijë në shtëpi nuk është e lehtë, por nevoja ekonomike bën shumë familje të mbërrijnë në këto sakrifica.

Zoti Lelaj tregon më tej si ndodhi ngjarje e rëndë.

“Si pasojë e një tensioni të ardhur nga kabina brenda në shtëpi… pasi unë me bashkëshorten punonim në pastrim, e merrnim punën në orën 1 e gjysmë të natës dhe e linim në 3 të mëngjesin. Kishin një periudhë kohe që punonim, për të siguruar jetesën e fëmijëve”.

Eni Çobani: Kishit kaq siguri që t’i linit vetëm dy fëmijë të vegjël?

Klarenc Lelaj: Kishim siguri në kuptimin që unë i kisha lënë të gjitha të siguruara, të mbyllura. Madje edhe salvavitat atë ditë që ndodhi ngjarja unë i kisha ulur dhe nuk kuptoj sesi ka ardhur tensioni i lartë brenda në shtëpi. Kjo është absurde. Shumë të siguruar ikëm në punë dhe kur u kthyem gjetëm atë që kishte ndodhur.

BE coffee!