Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Dirigjenten e mirënjohur, Suzana Turku jemi mësuar gjithmonë ta shohim serioze dhe autoritare me lëvizjet harmonike të duarve teksa drejton kore të ndryshme. Por këtë herë studentët e Universitetit të Arteve na kanë sjellë një zyshë tjetër, atë që nuk duket në skenat e mëdha të koncerteve.

Suzana Turku ishte përzgjedhur nga studentët e saj për të qenë pjesëmarrëse tek “Ka një mesazh për ty” në TV Klan, pasi i kishin përgatitur një surprizë të këndshme. Siç treguan studentët, ata zhvillojnë dy lëndë me profesoreshën, e cila modestisht preferon të thirret thjesht zyshë Zana, pavarësisht se është “Artiste e Merituar”.

Disa prej 20 studentëve të pranishëm në studio kanë treguar përvojat e tyre të njohjes me zonjën Suzana, duke zbuluar dhe një pjesë të karakterit të saj. Sipas tyre, ajo nuk është thjesht ajo zysha autoritare dhe strikte që duket në fillim, por di të jetë dhe zemërmirë, tolerante dhe me shumë humor.

Xhon Jesku, njëri nga studentët ka treguar sesi në fillim është mërzitur nga rreptësia e profesoreshës, por asnjëherë nuk e ka urryer. Në studio kanë shkaktuar të qeshura pafund batutat e zyshë Zanës, të imituara nga studentët. Përtej “moralit” që mund t’iu bëjë shpesh herë që të jenë rigorozë në studime, ata ndihen të lumtur se çdo fjalë e saj ka zënë vend tek ata.

Njëri prej studentëve rrëfeu se nuk e frekuentonte fakultetin rregullisht deri në momentin që është bërë pjesë e klasës së Suzana Turkut. Duke ardhur nga gjimnazet e paksa të përkëdhelur, kjo iu ka vlejtur që të mësojnë të punojnë me disiplinë dhe në grup.

“Kam patur një vit të parë shumë dramatik me shkollën, nuk shkoja dhe klasa korale më dukej si gogol sepse është e vetmja orë ku bëjmë mësim mbi 150 veta. Ishte shumë e vështirë. Aty e kuptova se përse profesoreshë Zana sillej në atë mënyrë sepse ishte e vështirë të mbaje në kontroll një numër të tillë. Por sot ne jemi si miq sepse profesoreshë Zana na ka trajtuar si fëmijët e saj”, u shpreh ai.

Ata treguan sesi zysha shpesh herë punon jashtë orarit, thjesht duke u nisur nga dëshira e saj për të nxjerrë breza profesionistësh të muzikës. Përtej kritikave ajo përdor një ironi të këndshme, që studentët të mos ndihen keq, por përkundrazi të qeshin e në fund të reflektojnë për të ardhmen e tyre. Për të gjithë këta studentë është një fat që punojnë me një mjeshtre të tillë të muzikës, një nga dirigjentet dhe njohëset më të mira të vokalit, që i ndihmon aq shumë në profesionin e tyre.

Suzana Turku e ka pritur me shumë emocion surprizën e studentëve, aq më tepër kur i ka parë ata duke kënduar një ndër pjesët korale më të preferuara të saj. Dashurinë për profesionin e shprehu: “Unë nuk kuptohem dot pa kor”.

Studentët nuk kanë harruar t’i kërkojnë ndjesë profesoreshës së tyre për ato herë kur nuk kanë qenë korrektë apo në lartësinë e duhur artistike. Nga ana e saj ajo e ka pranuar se ndonjëherë është e rreptë, por nuk ka hezituar të shprehë mirënjohjen për studentët, të cilët ajo i cilësoi si artistë dhe njerëz të mirë.

“Unë kam përshtypjen që studentët sot përfaqësojnë qindra dhe qindra artistë që kanë kaluar nga arti juaj. Kam qenë dëshmitar i sa e sa koreve që ju keni drejtuar, i sa e sa emocioneve që ju keni thënë kështu që më konsidero dhe mua një pjesë të këtyre studentëve për të të dhënë një mesazh mirënjohje dhe falenderimi për artin tënd të madh që ke bërë”, iu drejtua Ardit Gjebrea zyshë Zanës.

Me një modesti fisnike ajo u përgjigj: “Artin nuk e kam bërë vetëm. Artin e kam bërë me juve dhe nga ju e kam suksesin”.

Nuk munguan batutat dhe të qeshurat mes saj dhe studentëve. Dirigjentja e mirënjohur na dhuroi një surprizë të këndshme, duke dirigjuar me mjeshtëri korin e të rinjve.8

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

Nuk i ka ndalur lotët thuajse gjatë gjithë rrëfimit të tij 54-vjeçari nga Dibra, Uran Sejdini. Ai kishte ardhur tek rubrika “Ka një mesazh për ty” në TV Klan për të ftuar të ëmën Beglie, pasi një brengë e madhe e ka trazuar shpirtin e tij dhe nuk e le të qetë prej dy vitesh.

Gjithçka ka nisur në Dhjetor të vitit 2016, kur e ëma e tij u shtrua në spital me urgjencë. Nga ana tjetër, i ati ishte i sëmurë dhe prej 16 vitesh qëndronte vetëm në shtrat.

“Kur po e përcillja nënën me urgjencë, ajo i shkoi të koka e krevatit babit dhe i tha: ‘Më fal për çdo gjë, unë do iki në spital se nuk jam në gjendje më’. Babai derdhi lot dhe që në atë moment nuk ngriti më kokë. Për dy ditë e gjysmë dha shpirt”, rrëfeu Urani.

Por duke qenë se Beglija ishte po ashtu në gjendje të rëndë në spital, ai vendosi të mos ia japë lajmin për humbjen e bashkëshortit në kohë. Ajo nuk ia fali kurrë Uranit që nuk i mundësoi që të ishte afër bashkëshortit për t’i mbyllur sytë.

“Sa e sollën pranë derës së jashtme, pa shumë njerëz dhe vetëm i ra kokës. Tha: ‘Uran, nuk do ta harroj në jetë këtë që më ke bërë. Do të mallkoj gjithë jetën!’ Më ka ngelur brengë dhe prandaj dua ta shpreh para publikut këtë dhimbje të madhe që kam mbi supe!”

Gjithë këtë mërzitje ajo ia ka shkarkuar djalit të saj, duke i folur ashpër e duke e bërë fajtor. Por Urani ka shpjeguar se ia ka mbajtur të fshehtë që të mos rrezikonte ndonjë fatkeqësi tjetër nga ky lajm i hidhur që do merrte Beglija.

“Për 50 vite e mbajta burrin tim, për 16 vite në shtrat dhe ti nuk më solle që t’ia mbyll sytë për herë të fundit”, i kishte thënë e ëma pak para se të përcillte të shoqin për në banesën e fundit.

Që atëherë ajo ka ndryshuar shumë, duke u bërë më nevrike e duke mos patur me atë dobësi që ka patur për djalin e saj të vetëm, Uranin. Megjithëse është përpjekur shumë herë për t’ia shpjeguar se kjo që ka ndodhur është fati i paracaktuar, ajo e ka përmendur vazhdimisht si një faj të djalit të saj.

Nënë Beglija nuk e ka fshehur nostalgjinë e saj për bashkëshortin e ndarë nga jeta, por as i ka ndalur lotët nga mesazhi i djalit.

“Nëse ti e ndien që unë nuk jam fajtor, të lutem më premto që nuk do ma përmendësh më derisa të jesh gjallë”, iu drejtua Urani të ëmës. Ajo nuk u mendua gjatë dhe duke fshirë lotët i tha e vendosur: “Të kam falur dhe nuk ta kujtoj më asnjëherë”.

Urani u ndje i çliruar nga kjo barrë, e cila po e mundonte aq shumë sa kishte menduar edhe t’i jepte fund jetës. Si shenjë mirënjohjeje për këtë “falje” nga ana e nënës, Urani i puthi dorën i ulur në gjunjë.

Prej ditës së sotme gjërat do jenë më ndryshe për nënë e bir, pasi në fund të fundit të gjithë e dimë se jeta dhe vdekja nuk është në dorën tonë.

PER DREKE ME MUA!

Këtë javë në rubrikën “Për drekë me mua” gazetaret Alma Çupi e Fatma Haxhialiu dhe dietologia Blerina Bombaj ishin të ftuara në shtëpinë e Jonida Shehut për të shijuar pjatat e saj.

Jonida gjeti mënyrën për ta pasur vogëlushen e saj Kristal dhe në drekën me mikeshat e saj. Njërën prej pjatave e ka emërtuar pikërisht kështu, sepse në të vërtetë ajo e bën shpesh këtë gatim për të. “Kristal” ishte një supë me perime, kryesisht me kungull dhe patate të ëmbël.

Pjata e dytë, të cilën e emërtoi “Antirrush”, ishte një pjatë e shijshme me qofte furre dhe salcë me domate e qepë. Ndërsa pjata e tretë “Ndërtimi”, që në fakt u duk që nuk pati sukses, ishte një ëmbëlsirë me pana e biskota.

Gjatë drekës gazetaret dhe dietologia nisën një diskutim në lidhje me meshkujt shqiptar. Gjithçka nisi nga një zhurmë trapani që ka shoqëruar gjatë gjithë kohës drekën e Jonidës. Pas shumë batutave me humor të vajzave të ftuara në drekë, u arrit në rezultatin se këtë zhurmë e krijonte pikërisht punëtori i komshiut të Jonidës, të cilin ajo e përshkroi si mashkullin tipik normal shqiptar.

Po pikërisht pas kësaj deklarate, biseda u fokusua tek karakteristikat e meshkujve shqiptarë. “Burrat shqiptarë nuk dinë te komunikojne”, tha Alma Çupi. “Janë maskilistë patriarkalë”, ia priti Fatma. “Arrogantë dhe dembelë”, shtoi Jonida, ndërkohë që Blerina Bombaj e ktheu situatën nga ana tjetër, duke numëruar vlerësimet pozitive për ta, por dhe duke i kujtuar zonjave në tryezë që janë martuar me meshkuj shqiptarë.

“Burrat tanë janë anormalë, kanë qenë me tendenca normaliteti derisa na njohën neve. Brumin e kishin, por ne i përpunuam”, tha me humor Jonida. Më pas Alma ngacmoi Fatmën, për faktin që e ka burrin kosovar, se mos ka ndonjë martesë tjetër në Suharekë.

“T’u thaftë goja, të paktën të jetë i martuar ne Zvicër që të ketë letra”, iu përgjigj ajo me humor. “Thamë ç’thamë këtu, po në të vërtetë meshkujt shqiptarë nuk janë dhe aq të këqinj”, e përmbylli bisedën Jonida, por menjëherë iu përgjgij Alma: “Kur s’ke gjë tjetër, këtë do thuash”.

Dreka e Jonida Shehut u vlerësua me 47 pikë, ndërkohë që padyshim 100 pikë i meriton nga atmosfera e krijuar dhe të qeshurat pafund.

Javën e ardhshme, që do të jetë edhe finalja e “Për drekë me mua” me këto personazhe të njohura televizive, do të shijohet në shtëpinë e Fatma Haxhialiut. Por ç’biseda do të gatuhen vallë?

“SHIHEMI NË GJYQ”

Protagonistët e sotëm të seancës së ndërmjetësimit në rubrikën “Shihemi në Gjyq” ishin dy vëllezër, Rolandi dhe Arbeni, të cilët ndodhen prej vitesh në konflikt për shkak të biznesit familjar. Në studion e emisionit “E Diela Shqiptare” ndodheshin e ëma, motrat si dhe bashkëshortja e Arbenit, Fatimja, të cilat u përfshinë në debatin e ashpër mes vëllezërve.

Gjithë problematika e familjes Resuli nis me blerjen e 100 krerë deleve në vitin 1992, duke krijuar në këtë mënyrë një fermë si biznes familjar. Protagonistët e seancës thanë se paratë për të blerë këto 100 krerë dele i ka dhënë Rolandi, i cili kishte punuar disa kohë në Greqi.

Fillimisht krerët e bagëtive i kishin të ndara, por babai i tyre Ismaili propozoi që tufa të bashkohej dhe të dy vëllezërit bashkë me të atin ta kenë të përbashkët këtë biznes, edhe pse Rolandi nuk ishte dakord.

Pas dhjetë vitesh punë tufa e bagëtive u shtua nga 200 në 1200 krerë. Me paratë e fituara nga ky biznes u ra dakord nga të gjitha palët që të ndërtohen 2 shtëpi; në njërën nga shtëpitë do të jetonte Arbeni me familjen, ndërsa në shtëpinë tjetër do të jetonte Rolandi bashkë me të atin.

Krizat në biznesin familjar u krijuan kur Rolandi u kthye nga Greqia dhe u punësua në Policinë e Shtetit, ku paga ishte shumë e ulët. Arbeni akuzoi Rolandin se është ushqyer me paratë e biznesit, por pa punuar asnjë ditë aty.

“Ti nuk e di se çfarë është ruajtja e deleve. Ke ardhur vetëm 1 vit sa më prishe mua të gjithë pasurinë!”, i tha Fatimja kunatit të saj.

Ndërsa ky i fundit ngriti pyetjen se përse i kalonin të vëllait të gjitha fitimet e biznesit për t’u menaxhuar, ndërkohë që ai nuk ishte më në certifikatën familjare dhe kishte krijuar familjen e tij. Ai pretendoi se në vitin 1992 ka dhënë 2 milionë e 200 mijë lekë të vjetra për biznesin familjar, ndërsa Arbeni dhe e ëma e tyre këmbëngulën që ka dhënë vetëm 1 milion e gjysmë lekë të vjetra.

“Mama mos u përdor, të lutem! Më ke djalë, e ke djalë! Ne këtu kemi ardhur që po mundëm ta zgjidhim, do ta zgjidhim, po nuk mundëm, gjithkush në rrugën e vet, nuk ka asnjë problem. Unë kam ardhur me dëshirën më të madhe për ta zgjidhur!”, u shpreh Rolandi, duke i mohuar të ëmës pretendimin që as ai nuk ishte më pjesë e certifikatës familjare.

Nga ana tjetër Arbeni shpjegoi se ka patur më pak bagëti, ndaj dhe vitin e parë ka marrë vetëm fitimin e shitjes së qumështit. Kur është barazuar sasia e bagëtisë atëherë janë ndarë edhe fitimet në mënyrë të barabartë.

Pas largimit nga puna në polici në vitin 2000, vëllai dhe babai i propozuan Rolandit që të punojë me ta me delet, duke i caktuar kështu një rrogë mujore, por Rolandi iu kthye: “Unë jam investitori. Babai më ka thënë: ‘Roland pse ikën në Greqi, ti ke pjesën tënde këtu’“.

Arbeni – Pusho more qen, pusho të thashë! Mos të të dëgjoj më harbut i qelbur! Qepe gojën!

Rolandi – Mos ofendo!

Arbeni – Pusho të thashë, të mbaroj unë!

Për shkak të gjithë konfliktit, Arbeni vendosi që të ndahet nga biznesi, duke i thënë babait dhe Rolandit që kur të shiteshin bagëtitë, ai donte pjesën e tij. Brenda vitit delet u zhdukën dhe atij i thanë që ngordhën, por ai pretendoi se i kanë shitur. Rolandi bashkë me të ëmën thanë se pas një përmbytjeje që ndodhi në zonën e tyre, dhentë u mbytën.

Arbeni – Ti u dole zot atyre, ti dhe babai. I shiti dhentë i ka dhënë me fajde lekët, i di unë me të dëgjuar nga njerëzit, 60-70 milionë lekë.

Rolandi – E kuptoni që ky merret me thashetheme.

Një tjetër çështje për të cilën konfliktohen dy vëllezërit është blerja e një magazine që në vitin 1995, por procesi i legalizimit të saj është bërë më vonë. Rolandi tha se në vitin 2016 vëllai i tij shkoi në hipotekë dhe nëpërmjet një ryshfeti prej 10 milionë lekësh ka marrë dhe pjesën e tij.

Por konflikti i vëllezërve nuk përfundon me kaq. Testamenti që ka lënë babai i tyre është kthyer në sherr jo vetëm për vëllezërit, por për të gjithë familjen.

Më 17 Prill të vitit 2010, Ismail Resuli, babai i djemve ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë që ai vuante. Ndërsa testamenti është nënshkruar në datën 15 Prill 2010, pra dy ditë para se i ndjeri të ndërronte jetë.

Juristja Çobani shtroi pyetjen se si është e mundur që të shkohet përpara një njeriu me sëmundje të rëndë dhe të merret një testament. “A ka qenë ai në gjendje të dëshifrojë ato që janë shkruar në testament?”, u shpreh ajo.

“Në 15 Prill, më vjen ky (Rolandi), pa lajmëruar fare, më solli aty testamentin të përgatitur”, tha zonja Krisanthi, mamaja e djemve, duke u shprehur se ka firmosur qorrazi, pa ditur se çfarë është shkruar në testament.

Eni Çobani iu drejtua zonjës duke thënë: “Zonjë po thoni një të vërtetë shumë të rëndë, nëse testamenti është hartuar përpara dhe është sjellë përpara zotërisë për të firmosur, ky është një gabim shumë i rëndë, një paligjshmëri shumë e madhe, një vepër penale e kryer nga noterja në fjalë, kështu që ju lutem bëni kujdes për gjërat që thoni. Noterja Arjana Dodi mban përgjegjësi për këtë testament të hartuar në datën 15 Prill, para një njeriu që jepte jetë sepse në datën 17 Prill ai ka ndërruar jetë.”

Me anë të këtij testamenti Ismail Resuli ka lënë si trashëgimtar të tij të vetëm, djalin Roland Resuli, duke përjashtuar nga trashëgimia çdo person tjetër të mundshëm. Motrat në studio replikuan duke thënë se janë gjashtë fëmijë dhe jo vetëm një, ndaj dhe ato duhet të ishin pjesë e kësaj trashëgimie.

“Kjo është një pasuri nga gjyshi ynë, nuk ka as Beni e as Landi të drejtë. Ata çfarë kanë të dy, le ta zgjidhin”, tha motra Alma.

Eni Çobani vijoi duke lexuar testamentin: “Testatori nuk është në gjendje të nënshkruajë për shkak të sëmundjes, por është në gjendje të kuptojë dhe të komunikojë shumë mirë. Për këtë shkak aktin ia lexon me zë të lartë dhe të kuptueshëm e besuara e tij, bashkëshortja Krisanthi Qako Resuli. Testatori pasi e dëgjoi aktin nga zonja dhe e gjeti në përputhje me vullnetin e tij të lirë, e miratoi dhe e nënshkroi me gisht, duke autorizuar të besuarën e tij, bashkëshorten për të vërtetuar nënshkrimin”.

Por Krisanthi këmbënguli që ka firmosur qorrazi, pasi Rolandi i solli njerëzit pa e lajmëruar, ndërkohë që bashkëshorti i saj ishte duke vdekur.

Ardit Gjebrea ndërhyri duke pyetur trashëgimtarin: “Roland pse mendon se babi ta ka lënë ty pasurinë?” Rolandi iu përgjigj: “Sepse të gjithë i ndihmoi, unë isha më i vogli i shtëpisë. Vazhdimisht thoshte: ‘Landi janë të tuat, këta t’i ndihmojmë e t’i rregullojmë!’”

Zonja Eni u shpreh: “Gabimi i parë dhe i vetëm është hartimi i këtij testamenti. Forma në të cilën është marrë ky testament është totalisht e paligjshme dhe detyrimisht i pavlefshëm sepse testamenti është vullnet i brendshëm. Nuk mund të jetë prezent asnjë anëtar i familjes apo trashëgimtar, që mund të përfitojë nga kjo trashëgimi. Ligji shikon firmën e zonjës Krisanthi dhe që normalisht ky testament është totalisht i vlefshëm nga ana formale. Por në momentin që ky testament është hapur gjykata ka patur për detyrë të verifikojë që a ka ndalesa nga rezerva ligjore që ky testament të qëndrojë në fuqi”.

Si përfundim vetë Rolandi propozoi një zgjidhje. Ai kërkoi 100 metra katrorë nga magazina, për të cilën ai dhe vëllai janë bashkëpronarë dhe nëse bëhet kjo, atëherë Rolandi do të shikojë mundësinë e rindarjes së pasurisë që ka përfituar nga testamenti.

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” i dha të drejtë Arbenit, i cili nuk pranoi marrëveshjen nga i vëllai. Ndërsa Rolandi tha: “Më ke grabitur aq vjet, më rrope. Më ke katandisur si një zot e di!”

Debati vazhdoi deri në momentin e fundit të seancës së ndërmjetësimit, ndaj dhe juristja Çobani u shpreh se kjo çështje do të vijojë të ndiqet në zyrën e saj.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

Edhe unë këndoj!