Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Peripecitë e emigrantëve shqiptarëve për t’u integruar në shoqëritë e vendeve ku jetojnë janë të njohura tashmë. Nuk janë pak por gati një milionë e gjysmë që e kanë gjetur të ardhmen e tyre jashtë vendit. Por sa prej këtyre shqiptarëve kanë arritur të ruajnë traditat dhe gjuhën e tyre në shtetin ku jetojnë e punojnë? Me statistika është e vështirë ta thuash, por me siguri që ekziston si problem.

Për Nuredinin, i cili ka 21 vite që ka emigruar me familjen në Itali, kjo gjë është një shqetësim më vete. Ai erdhi enkas nga Brindisi për të marrë pjesë tek rubrika “Ka një mesazh për ty” në mënyrë që t’i kërkonte vajzës së tij Ada që t’i mësojë shqip nipit 6-vjeçar.

Megjithëse Mikele është gjysëm italian nga ana e të atit, sipas gjyshit, kjo nuk duhet të jetë pengesë që të përfitojë sa më shumë nga kultura e dy vendeve. Ai kërkoi që të paktën të dijë të flasë e të shkruajë shqip, pasi për të është e pa konceptueshme që fëmija të mos flasë gjuhën e nënës.

Duke u kthyer pas në kohë, Nuredini tregoi sesi u detyrua të emigrojë me gjithë familjen në vitin e tmerrshëm të 1997-ës. Ada në atë kohë sapo kishte filluar gjimnazin dhe udhëtonte çdo ditë me tren nga Durrësi në Tiranë dhe anasjelltas. Duke e parë situatën që sa vinte dhe përkeqësohej, Nuredini mori një vendim, të cilin nuk do e kishte marrë asnjëherë në kushte normale.

Mes krismave që dëgjoheshin nga të katër anët, ai mori bashkëshorten, dy fëmijët e moshës 9 dhe 16 vjeç dhe hipën në një anije të vjetër për të shkuar drejt Italisë, duke lënë pas prindërit dhe gjithë jetën që kishin ndërtuar deri në ato momente. Pas 24 orësh udhëtimi me rreziqe, mbërritën në Brindisi dhe autoritetet i strehuan në një kamp. Duhej t’ia nisnin nga e para sepse ishin mes katër rrugëve, me dy fëmijë.

Me kalimin e kohës, Ada u njoh dhe u dashurua me Roberton, një italian, i cili sot është bashkëshorti i saj. Aty filloi të normalizohej jeta e familjes sepse gjetën një shtëpi, fëmijët u shkolluan dhe pas disa vitesh u pajisën me dokumente të rregullta. Nuredini gjatë këtyre viteve punoi shumë që jo vetëm të ndihmonte familjen e tij, por edhe të afërmit në Shqipëri, ashtu siç bëjnë shumica e emigrantëve.

Një ndihmesë të madhe ka dhënë dhe Ada duke u përkujdesur në maksimum për të afërmit e saj. Ashtu siç u shpreh Nuredini, kjo ishte një nga arsyet për të cilën kishte ardhur në studio, pasi dëshironte ta falenderonte për kontributin dhe dashamirësinë që ka treguar për familjarët. Por kjo ishte gjysma e mesazhit të ëmbël që i ati donte t’i jepte të bijës. Gjysma tjetër, ajo paksa më e athët e më pikante ishte shqetësimi se Ada nuk i ka mësuar djalit të saj, Mikeles gjuhën shqipe.

“Djali kupton shqip, por nuk e flet. Ai reagon po të flasësh keq për atë, por nuk na e kthen në shqip, por në italisht”, u shpreh Nuredini. Sipas tij, ky është një fenomen tek shumë shqiptarë, jo vetëm tek vajza e tij dhe për këtë sjell në vemendje një situatë konkrete.

“Dëgjoj një ditë një zonjë në një supermarket që i fliste italisht fëmijës. E njihja atë zonjën sepse ishte nga fshatrat e Kavajës. I thashë: ‘Me këtë italishten që flet ti, si mund t’i flasësh fëmijës? Fliti ore shqip! Kur do ta mësojë ky?’ Më tha që kështu jemi mësuar. I bëra një pyetje: ‘Ti si i shikon ëndrrat, në shqip apo në italisht?’ ‘Pse ma bën këtë pyetje’, më tha. Jo i thashë unë, sepse atëherë njeriu është pa ndienja. ‘Shqip i shikoj’, më tha.

‘Atëherë je shqiptare puro’, i thashë, andej nga Kavaja ndaj fliti fëmijës shqip”.

Ada, vajza e Nuredinit është surprizuar së tepërmi kur e ka parë që nga krahu tjetër i murit të studios ishte babai i saj. Ajo nuk i ka ndalur dot lotët kur janë përmendur njerëzit e dashur, të cilët Ada i ka mbështetur në vështirësi e fatkeqësi e që tashmë nuk janë më.

“Nuk e kam patur kurrë iniciativën për të të falenderuar. Para 10 vjetësh vdiq motra ime. Ti e di sa ke bërë për atë. Ti ia zgjate jetën asaj dhe 3 vjet të tjera. Rasti i dytë ishte dhe për mamin tënd e bashkëshorten time. I ke qëndruar në kokë gjatë operimit që bëri te valvula në zemër. Po të mos ishe ti edhe ajo sot nuk do të ishte. Me një fjalë ti ke qenë gjithmonë e gatshme për të ndihmuar nënën tënde, por edhe të tjerët. Për këtë doja të të falenderoja publikisht dhe besoj që ti je ajo vajza që kanë qejf ta kenë të gjithë prindërit!”, iu drejtua Nuredini të bijës, duke e falenderuar për gjithçka që ka bërë.

Ndërsa Ada iu përgjigj: “Në qoftë se unë jam sot kjo që jam është falë këtyre prindërve! Çdo gjë që bëj nuk e mendoj, por më vjen natyrshëm sepse prindi është i pazëvendësueshëm dhe nuk kam nevojë për faleminderit”.

Por asaj iu rikthye buzëqeshja nga mesazhi tjetër i të atit në lidhje me gjuhën shqipe. Ajo u mundua të “justifikohet”, duke thënë: “Djali di shqip, por nuk flet sepse ka frikë se gabon”.

Nuredini ishte i përgatitur sepse tregoi “penalitetet” në rast se Ada nuk i mëson shqip Mikeles. Ai u la afat deri në fund të vitit që nipi të flasë shqip, përndryshe nuk do jenë më të mirëpritur në fundjavë tek shtëpia e gjyshit, siç tashmë e kanë bërë traditë që të mblidhen.

“Po i lej afat deri në fund të Dhjetorit. Djalit nuk do i flasësh kurrë më italisht, vetëm shqip dhe brenda kësaj kohe t’ia mësojë. Por nëse djali më 31 Dhjetor nuk më flet mua shqip, atëherë ajo nuk do të vijë më në shtëpinë time, siç mblidhemi të dielën”, “kërcënoi“ Nuredini.

Nga ana tjetër Ada tregoi se djalit i flet edhe shqip edhe italisht, pasi bashkëshorti dhe prindërit e tij janë italianë, si dhe në shkollë mëson në gjuhën italiane, ndaj dhe duhet të ruajë një balancë mes të dyja gjyhëve.

Mikele i premtoi gjyshit se do ta mësojë gjuhën shqipe, duke e lumturuar pa masë. Por Nuredini gjithashtu “e kërcënoi” se nëse nuk do ta mësojë, nuk do t’i blejë më lodra.

Pasi e solli të bijën nga Brindisi në Tiranë për t’i dhënë këtë mesazh të rëndësishëm, Nuredini bëri gjithashtu një apel edhe për shqiptarët nëpër botë e për shtetin shqiptar që të ndërmarrin hapa konkretë për ruajtjen e gjuhës shqipe tek brezat e rinj.

“I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që t’u mësojnë shqip fëmijëve. Me këtë rast u bëj thirrje edhe qeverisë që të bëjë ndonjë gjë për të hapur shkolla që të mësojnë të paktën për një vit që të shkruajnë e të flasin gjuhën amtare”.

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

Takimi nënë e bir për herë të parë pas 45 vitesh është pritur me emocion të madh në studion e “E Diela Shqiptare” në TV Klan. Nisur nga rrethanat, Lumturi Bregu ishte detyruar ta braktiste djalin e saj kur ishte veçse një foshnje 3 muajshe, por nuk ka rreshtur kurrë së kërkuari për të.

Përtej dëshirës për ta takuar, Lumturia ka qetësuar shpirtin nga dilema e mundimshme se a do arrinte Fatjoni ta falte që e braktisi. Nga sot nuk ka më asnjë dyshim. Përqafimi i ngrohtë mes tyre i ka hapur rrugën një kapitulli të gjatë pranimi dhe njohje mes të dyve.

Lumturia kishte udhëtoi enkas nga Palermo e Italisë, ku jeton prej 25 vitesh, drejt Tiranës për të kërkuar të birin. Teksa tregonte historinë e saj në studion e emisionit, ajo nuk e dinte që stafi i’a kishte gjetur djalin dhe ai ishte pak metra më tutje, përtej murit, duke dëgjuar me kureshtje të vërtetën e ardhjes së tij në jetë.

Fatjoni është birësuar nga një çift nga Pogradeci dhe pas disa vitesh është zhvendosur me banim në një fshat të Elbasanit. Teksa e ëma biologjike, Lumturia e kërkonte pa pushim, nuk e dinte që familja që e kishte birësuar e kishin sjellë aq afër saj, pak minuta larg qytetit të Elbasanit. Ai mësoi që ishte fëmijë i adoptuar që në moshë të re, por kurrë nuk e ka ditur se cila ishte nëna që e solli në jetë.

Por cila është historia e Lumturies dhe Fatjonit?

Ende pa mbushur 16 vjeç, Lumturia u dashurua me një djalë nga Elbasani, me të cilin mbeti shtatzënë. Dy familjet nuk e dinin për lidhjen e të rinjve dhe as ata vetë nuk ishin të përgatitur për të sjellë në jetë një fëmijë. Sapo i dashuri i saj mori vesh faktin se do bëhej baba, këmbënguli që Lumturia ta hiqte fëmijën, por ajo nuk pranoi. Ai e braktisi dhe Lumturia duhej të përballej e vetmje me pasojat që do vinin pasi të mësohej fakti se ishe shtatzënë. Ka qenë një moment thuajse prag tragjedie dita kur i ati i Lumturies ka marrë vesh të vërtetën për të bijën. Si një ish-ushtarak e veteran i nderuar në qytetin e tij, shteti i kishte dhuruar armën e shërbimit, të cilën e mbante në shtëpi. Në një moment dëshpërimi të thellë nga braktisja e të dashurit, në prag të lindjes së një fëmije e vetme dhe frikës nga “persekutimi” i opinionit publik, Lumturia mori armën e të atit dhe vendos t’i japë fund jetës.

Fatmirësisht i ati e vërejti që ajo kishte marrë armën dhe lajmëroi policinë, e cila mundi ta parandalonte tragjedinë në kohë. Nga marrja në pyetje, ajo u detyrua të tregonte të fshehtën e saj dhe kështu familja mësoi se vajza e tyre priste një fëmijë. Vështirësitë për adoleshenten që priste të bëhej mama u shtuan edhe më tepër, pasi i ati nuk arrinte ta pranonte këtë gjë. Edhe kur lindi, Lumturia ishte e vetme, pasi nuk i tregoi asnjërit prej pjesëtarëve të familjes që t’i gjendej pranë.

Mëngjesin e 22 Janarit të vitit 1973 ajo shkoi në maternitet për të sjellë në jetë Fatjonin. Për tre muaj ajo qëndroi bashkë me të birin në maternitet, duke e ushqyer vazhdimisht me gji. Imazhi i foshnjes ende nuk i shqitet nga mendja, megjithëse kanë kaluar plot 45 vjet.

Duke iu dridhur zëri ajo tha: “Nuk më hiqet nga mendja. Ai ishte bjond, me pak flokë të rëna si i ati, sytë i kishte me qerpikë të kthyer. Çuni ishte i bukur. Ia vura emrin Fatjon Bregu, me mbiemrin tim”.

Pas tre muajsh Lumtria duhej të linte spitalin dhe të kthehej në punë tek Uzina Kimike në Mjekës. U largua zemërthyer sepse djalin nuk e mori dot me vete. Ajo kujtoi e trishtuar sesi babai nuk e lejoi ta merrte djalin në shtëpi, për shkak të opinionit të njerëzve.

Përpos kësaj ajo kishte probleme shëndetësore, të cilat vazhdon t’i ketë edhe sot. Lumturia si një adoleshente pa përkrahje, pa mundësi ekonomike e shëndetësore dhe e paragjykuar nga njerëzit u detyrua të hidhte firmën me dorën që i dridhej, që djali të kalonte nën kujdestarinë e shtetit.

“Vajta për ta parë çunin prapë në maternitet, ato ma nxorrën dhe ika prapë në shtëpi. Kur vajta herën tjetër e kishin larguar dhe nuk e gjeta sepse e kishin çuar në befotrof. Një komshia ime që ishte mami më tha që e kanë çuar në Shkodër. Vajti çuni i xhaxhait për ta kërkuar dhe vëllai im po ashtu, por u thonin që “nuk kemi këtu Fatjon Bregu” e nuk tregonin”, rrëfeu ajo.

Kështu Lumturia u nda nga Fatjoni pa mundur ta shohë më kurrë. Çdo derë ku trokiste i mbyllej dhe kjo e bënte ta përjetonte aq keq sa sot pas 45 vitesh i janë shteruar dhe lotët. Ajo tregoi se herë pas here djali i dilte në ëndërr dhe ngrihej nga gjumi duke qarë, por këtë dhimbje nuk mundej ta ndante me askënd.

Në vitin 1982 Lumturia u martua me një minoritar, me të cilin u divorcua pas 10 vitesh. Në vitin 1993 u njoh në Elbasan me një shtetas italian, me të cilin u martua dhe u zhvendosën në Palermo për të jetuar. Pas 15 vitesh italiani u nda nga jeta dhe tashmë Lumturia jeton e vetme që prej vitit 2008.

E vetmja gjë që e mban në jetë është kujtimi për djalin e saj të vetëm, Fatjonin. Ajo erdhi enkas nga Italia për ta kërkuar tek rubrika “Ka një mesazh për ty” dhe e priti me shumë gëzim lajmin që stafi i emisionit kishte rënë në gjurmët e djalit. Për herë të parë pas 45 vitesh ajo mundi të shohë fytyrën e t’i dëgjojë zërin Fatjonit nga mesazhi që gazetarët i kishin dërguar në Selanik, aty ku jeton që prej fillimit të viteve ’90.

E humbur në mendime teksa nuk ngopej duke e parë, ajo u shpreh: “Nga fytyra mua më ngjan. I ngjan dhe pak atij, por ka ndryshuar shumë nga tre muajsh në 45 vjeç”. Ajo nuk po u besonte syve dhe nuk mundi të thoshte shumë fjalë.

“Jam e lumtur që e shoh. Më ka munguar, por nuk e kam harruar dhe gjithmonë e kam kërkuar. Unë kërkoj që të më mirëkuptojë. I kërkoj falje që e lashë se nuk kisha mundësi ta mbaja për momentin”, tha Lumturia pak para se të përshëndetej me djalin përballë e t’i jepnin njëri – tjetrit përqafimin e munguar.

Nga ana tjetër Fatjoni ka qenë akoma dhe më fjalëpak, duke u mjaftuar me shprehjen: “I ka jeta këto gjëra…”. E teksa e përqafonte me shumë dashuri, i tha të ëmës: “Do të mirëkuptohemi për çdo gjë, pa merak”.

Lumturia nuk mundi të priste fund më të lumtur sesa ky që e kishte ëndërruar për vite me radhë. Jo vetëm që gjeti djalin e saj të vetëm, por mori prej tij mirëkuptim dhe falje. Derisa u mbyll emisioni, ata nuk ndalonin së pyeturi njëri – tjetrin për të mësuar sa më shumë gjëra. 45 vite mungesë nuk janë pak, por nuk janë dhe shumë, nëse do arrijnë të ruajnë të njëjtin respekt dhe dashuri që shfaqën sot tek “Ka një mesazh për ty”.

PER DREKE ME MUA!

Finalja e “Për drekë me mua” ishte në shtëpinë e Fatma Haxhialiut, e cila kishte zgjedhur të servirte tri pjata me emërtime mjaft interesante. Pjata e parë “Sevdaja e gjyshes” ishte një pispili me miell misri me lakra të egra e spinaq.

E dyta, të cilën ajo e quajti “Thumbi vienez”, ishte një biftek i mbushur dhe i shoqëruar me karrota e bizele, ndërsa ëmbëlsira “Sa më…, aq më…” ishte një zup me fruta pylli.

Konkurrentet, që shijuan të treja pjatat, dolën në përfundimin që s’kishin fare sevda për gjyshen, aq më tepër për thumbat vienez, por u dorëzuan plotësisht para zupit fantastik “Sa më…, aq më…”.

Ndërkohë që gjatë drekës, Alma Çupi tregoi se nuk i ka ngelur asgjë pa bërë në dy dasmat e saj, duke thënë: “Unë kur martohem, martohem tamam, jo kështu …Unë gjithmonë nusëroj njëlloj!”.

Ajo gjithashtu zbuloi se një dasmë e ka mbajtur në malin e Dajtit, ku ka veshur fustan të bardhë të gjatë, por shumë “të çarë”, ndërsa tjetrën në Paris, ku ka veshur po fustan të bardhë, por të shkurtër. Moderatorja me humor shtoi: “Është bukur të martohesh me dasmë!”

Kjo finale s’kishte si të mbyllej ndryshe, përveçse me të qeshura e situata të pazakonta. Kjo sepse i takonte të skualifikuarës, që në këtë rast ishte Jonida Shehu, të zgjidhte mes dy rivaleve të saj në kuzhinë, Fatma Haxhialiut dhe Alma Çupit, pasi këto të dyja rezultuan me pikë të barabarta.

E gjendur mes mëdyshjeve, si përfundim ka vendosur që këtë fitore t’ia jepte Almës, që në fakt ka qenë dhe shpirti i kësaj tresheje simpatike, me mjaft kimi mes tyre.

Alma e ekzaltuar për fitoren u shpreh: “Nëse do të fitoj apartamentin, unë do të martohem prapë. Është deklaratë se e kam gati partnerin!”

Që tani na mungon kjo treshe fantastike që na solli aq shumë hare në shtëpitë tona, por ndërkohë jemi kuriozë se kush do drekojë me ne të dielën e ardhshme.

“SHIHEMI NË GJYQ”

Babë e bir janë bërë pjesë e seancës së ndërmjetësimit në rubrikën “Shihemi në Gjyq” të emisionit “E Diela Shqiptare” për shkak të një problemi ka patur djali në punë, prej të cilës i ati e ka nxjerrë nga shtëpia.

Elton Sulejmani ka shërbyer pranë Zjarrfikses së Përmetit për 2 vite e gjysmë, por për shkak të një ngjarjeje e kanë pezulluar nga puna dhe i kanë vendosur një masë disiplinore për “shkelje dhe shpërdorim të detyrës”. Ndaj dhe i ati, Njaziu e ka përzënë nga shtëpia.

“Më datë 26.09.2017 nisem për të marrë shërbimin. Shërbimi duhet të jetë me 3 veta, por atë ditë ishim 2 veta, unë dhe Fatmir Canga (shoferi)”, tha Eltoni.

Atë ditë komandanti i turnit mungonte për arsye familjare dhe kjo detyrë iu ngarkua Eltonit nga eprori i tij, Agron Pani. Por kjo nuk ishte kompetencë e këtij të fundit dhe Eltoni nuk duhej ta pranonte, pasi e kishin shkarkuar nga ky post kohë më parë.

“Në orën 23:15 u njoftuam për një rënie zjarri në familje nga administratori i komunës Sukë, Shahin Isufi. Unë mora eprorin tim, Agron Panin dhe i thashë njofto komandantin që ka rënë zjarr në Sukë. Problemi është që telefoni i punës ishte pa lekë atë ditë. 128-ta, është celular që e merr çdo njeri dhe përgjigjesha unë atë ditë, se ishte fati im, isha unë komandant shërbimi. Jam detyruar që nga telefoni im ta marr në telefon eprorin tim”, tregoi ai.

Agron Pani, që ndodhej në shtëpi, i kërkoi kontaktin e administatorit të komunës Sukë, të cilin Eltoni ia dërgoi me mesazh. Pas pak Pani i tha të merrte Vladimir Shehun dhe të shkonin në vendngjarje, por ky i fundit ishte shofer, duke u bërë në këtë mënyrë dy drejtues automjeti dhe një polic.

Por nga ana tjetër Njaziu tregon se ka vendosur ta përzejë të birin nga shtëpia me arsyen se përse priti 27 minuta në rajon për t’u sqaruar me komandantin dhe nuk shkoi menjëherë në vendngjarje, pa marrë parasysh asnjë gjë tjetër, por vetëm të bënte detyrën e të shuante zjarrin.

Eltoni vijoi të tregojë që telefonoi edhe shefin e sektorit, Fredi Lipen, i cili pasi iu shpjegua situata, i aprovoi nisjen për të shuar zjarrin.

Ndërkohë që edhe policia dhe banorë të fshatit Sukë e telefononin, duke e pyetur se përse po vonohej. Eltoni shkoi në vendngjarje dhe pas 2 orësh e gjysmë fiku zjarrin, si dhe njoftoi komandantin Pani për përfundimin me sukses të operacionit.

Ditën tjetër ai u pushua nga puna me pretendimin se eprori i ka thënë ta presë, por ai ka shkuar i vetëm për të fikur zjarrin. Ndërkohë që Eltoni e priti 27 minuta Agron Panin që të merrte një konfirmim për t’u nisur apo jo për në vendngjarje.

Juristja Eni Çobani lexoi vendimin e pushimit nga puna të Elton Sulejmanit, ku thuhej: “Më datë 25.10.2017 është ngritur Komisioni i Disiplinës për shqyrtimin dhe dhënien e masës disiplinore ndaj punonjësit Elton Sulejmani. Komisioni i Disiplinës, bazuar në prpozimin e kryetarit të bashkisë, drejtuar këtij komisioni, në referencë të relacionit të Agronit Pani, mori dhe në shqyrtim çështjen që ka të bëjë me shkeljen e rëndë të disiplinës në punë nga Elton Sulejmani”.

Në këtë vendim përmendet një urdhër shërbimi që ka marrë Eltoni, të cilën ai nuk e ka marrë kurrë. Gjithashtu thuhet se ai ka vepruar në kundërshtim me urdhrat e eprorit të tij, Agron Panit, duke lëvizur mjetin zjarrfikës dhe trupën e shërbimit pa pritur drejtuesin e shuarjes së zjarrit si dhe autorizimin nga titullari i bashkisë për ndihmë për bashkitë fqinje.

Por një fakt tjetër i çuditshëm është që ngjarja ka ndodhur më datë 26.09.2017, ndërsa njoftimi për largimin nga puna është bërë më datë 03.09.2017, pra 23 ditë para ngjarjes.

Qytetari Ymer Isufi, të cilit iu përfshi kullota nga flakët, falenderoi zjarrfiksat për shërbimin e tyre, pasi e kanë shpëtuar.

Eltoni i shqetësuar tha: “Ku është gabimi im këtu? Unë hiqem nga puna se shkoj dhe shuaj zjarrin”.

Ndërsa Juristja Çobani iu përgjigj: “Gabimi jot është që pavarësisht që u mor vendimi, ti nuk duhet ta leje kaq qetë sepse ka shumë institucione në të cilat ju duhet ta ngrinit zërin. Për mua kjo është një ngjarje e paprecedentë. Pra, një njeri që duhet të kthehet në hero në atë qytet, bashkë me shumë të tjerë nëpër qytetet e Shqipërisë, se ju jeni vërtet njerëz që futeni mes zjarrit dhe nuk dihet do dilni të gjallë apo të vdekur. Ky duhet të ishte interesi i këtyre njerëzve, a u dëmtuat ju që u futët në zjarr me ato mjete të pakta mbrojtjeje që kanë zjarrfikësit sot nëpër Shqipëri”.

Ajo shtoi se e solli këtë rast në rubrikën “Shihemi në Gjyq” për të sensibilizuar shtetin që të kthejë vëmendjen nga personat të cilët vendosin jetën e tyre në rrezik për të mbrojtur qytetarët.

Ndërsa Njaziu u shpreh: “Ymerit i ra zjarri, mua m’u dogj shtëpia! Në momentin që Eltoni po ndiqej penalisht në çështje gjyqësore, papritur unë në shërbim marr urdhrin e pushimit nga puna. Pse? Se jam babai i Eltonit”!

Ai tregoi se i është drejtuar tre herë Prokurorisë së Përmetit për këtë çështje, por i kanë thënë që nuk ka të drejtë të ankohet.

I ati e ndërpreu duke thënë: “Unë jam vrarë moralisht! Më kanë hequr mbesën dhe nipin nga puna, më kanë “vrarë” djalin, që më dhemb zemra dhe mua. A do bëhet ky shtet? Merreni djalin arrestojeni, pushkatojeni, unë jam dakort!”

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” i dha të drejtë Eltonit, të cilin e kanë pushuar padrejtësisht nga puna dhe që i ati e ka përzënë nga shtëpia.

Ky i fundit pranoi ta marrë sërish në shtëpi të birin vetëm me një kusht, që çështjen ta ndjekë Eni Çobani. Juristja pranoi dhe bab e bir u përqafuan, duke e mbyllur me sukses edhe këtë seancë ndërmjetësimi.

GERALDINA SPOSA 2018!