Talk Show nga Ardit Gjebrea!

Per dreke me mua!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Emocione të forta në puntatën e sotme të rubrikës “Ka një mesazh për ty” në emisionin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Oriklinda Paiusco është një vajzë 35-vjeçare, shtetase italiane, por me origjinë shqiptare. Ajo jeton në Vicenza prej 28 vitesh dhe së shpejti do të bëhet nënë.

Që në moshë të vogël është birësuar nga një çift italian në shtëpinë e fëmijës në Vlorë. Oriklinda ka ardhur në “E Diela Shqiptare” për të zbuluar familjarët e saj, nënën biologjike dhe dy motra më të vogla. I ati biologjik i ka vdekur, ndërsa nëna e saj u martua sërish me të cilin ka dy vajzat e tjera, që në fakt janë motrat e Oriklindës.

Në studio fillimisht vjen Marinela, njëra nga motrat, e cila jeton në Vlorë ku dhe punon. Ardit Gjebrea ka menduar për një surprizë dhe e ul Marinelën tek publiku. Ndërsa motrat tjetër, Klea, në fakt jeton në Vicenza, në të njëjtin qytet si dhe Oriklinda. Por kjo e fundit nuk e di këtë gjë, madje nuk di as emrat e motrave, por vetëm të mamasë biologjike, që quhet Thëllëza.

Oriklinda na tregon historinë e saj kur jetonte në shtëpinë e fëmijës në Vlorë deri në moshën 7-vjeçare, kur dhe u birësua nga prindër italianë dhe që prej atëherë jeton në Vicenza të Italisë. Linda aktualisht është në pritje të ëmbël dhe ka thënë se nuk do që të bëhet nënë pa njohur më parë nënën e saj biologjike.

Oriklinda Paiusco: Unë doja të njihja origjinën time, sepse unë jam me origjinë shqiptare. Kam lindur në Vlorë. Jam birësuar 28 vjet më parë, por do të më pëlqente të njihja gjithsesi prejardhjen time. Prandaj kërkova ndihmën tuaj. Unë jam Oriklinda Paiusco, jam 35 vjeç. Kam lindur në Orikum, në Vlorë, dhe në vitin 1991 jam birësuar nga prindërit e mi italianë.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe asokohe?

Oriklinda Paiusco: 7 vjeç.

Ardit Gjebrea: Pra, ke humbur edhe gjuhën shqipe?

Oriklinda Paiusco: Krejtësisht. Për fat të keq.

Ardit Gjebrea: Por deri në moshën 7-vjeçare ti flisje vetëm shqip dhe kur shkove në Itali nuk dije as edhe një fjalë.

Oriklinda Paiusco: As edhe një të vetme. Asnjë. Pra, ishte mjaft e vështirë që të komunikoja me prindërit e mi, sepse ata flisnin vetëm italisht ndërsa unë vetëm shqip.

Ardit Gjebrea: Atëherë, gjatë kohës që ke qëndruar në Shqipëri, përpara se të shkoje në Itali, si ishte jeta jote dhe ku rrije?

Oriklinda Paiusco: Unë në fakt kam jetuar gjithmonë në shtëpinë e fëmijës. Nga mosha 0-3 vjeç u rrita në shtëpinë e fëmijës. Pastaj nga mosha 3-7 vjeç kam jetuar në shtëpinë e fëmijës në Vlorë.

Ardit Gjebrea: Gjatë kësaj periudhe, ç’të thonin rreth prejardhjes tënde?

Oriklinda Paiusco: Asgjë. Unë nuk mora vesh asgjë deri para 3 vjetësh kur ritakova edukatoren time, Viktorian, dhe falë asaj, e sidomos një mikeje shqiptare e cila bëri rolin e përkthyeses, zbulova se kisha prejardhje shqiptare. Unë e dija, por nuk dija si kam qenë e vogël. Pra më tregoi historinë dhe më tregoi edhe që kisha dy motra.

Ardit Gjebrea: E si janë këto dy motra?

Oriklinda Paiusco: Nuk e di. Unë di vetëm që edhe këto dy motra kanë jetuar në shtëpinë e fëmijës. Këto janë informacionet që kam marrë. Dhe asokohe ishin bionde. Pra, tani nuk e kam idenë fare. Kureshtja ime për t’i njohur, se do të më pëlqente, më solli deri këtu.

Ardit Gjebrea: Ti e di emrin e nënës?

Oriklinda Paiusco: Po, nëna quhet Thëllëza. Babai im Tomorr. Mbiemrat në fakt nuk i di.

Ardit Gjebrea: Është e çuditshme sepse një vajzë 7 vjeç mund të kujtojë diçka. Sepse ti u largove nga Shqipëria kur ishe 7 vjeç apo jo.

Oriklinda Paiusco: Po, unë kujtoj jetën që bëja tek shtëpia e fëmijës, por nuk kujtoj shumë. Jeta në shtëpinë e fëmijës ishte mjaft e vështirë. Në kuptimin që edukimi ishte shumë i rreptë.

Ardit Gjebrea: Doja të pyesja nëse nëna vinte të të takonte në shtëpinë e fëmijës?

Oriklinda Paiusco: Jo, nëna nuk vinte, unë di që vinte gjyshja nga ana e mamit, por vinte të takonte motrat. Të paktën kështu më kanë treguar. Nuk vinte të më takonte mua. Më kujtohet kjo zonja që vinte takonte dy vajzat bionde binjake, por nuk më kujtohet me saktësi kush ishte dhe mbi të gjitha s’e dija që ishte gjyshja nga ana e mamit. Për mua ishte një zonjë, një zonjë e thjeshtë.

Ardit Gjebrea: A mund të të ketë takuar ndonjë zonjë pa të treguar se ishte mamaja jote?

Oriklinda Paiusco: Sinqerisht s’kam as idenë më të vogël. Nuk e di. Po nisem nga hamendësimi se unë e dija që isha jetime deri 3 vite më parë. Faktin që nëna biologjike, Thëllëza është gjallë dhe shëndoshë e mirë dhe jeton akoma në Vlorë, e mora vesh 3 vjet më parë.

Ardit Gjebrea: Kush ta tha?

Oriklinda Paiusco: Edukatorja ime.

Ardit Gjebrea: Si e takove?

Oriklinda Paiusco: Ishte një aventurë në kuptimin që para tre vjetësh unë dhe i dashuri im u nisëm nga Italia me qëllimin për të gjetur edukatoren. Kjo ishte dëshira ime, sepse ajo, kur unë isha e vogël, për mua ishte mamaja ime. Dëshira ime më e madhe ishte ta ritakoja dhe të rishikoja shtëpinë e fëmijës ku kisha jetuar. Dhe brenda një dite arritëm të gjenim si shtëpinë e foshnjes ashtu dhe edukatoren.

Ardit Gjebrea: Prindërit e tu nuk ta kishin thënë kurrë një gjë të tillë? Që ti vije nga Shqipëria e gjëra të tilla?

Oriklinda Paiusco: Po. Duhet të keni parasysh që kur isha rreth moshës 10-vjeçare ata më treguan gjithçka. Më parë natyrisht që ekzistonte problemi i gjuhës. Brenda 3 muajve unë arrita të flisja, të mësoja italishten, por dalëngadalë ata arritën të kuptonin se si të silleshin me mua dhe më thanë gjithçka. Më thanë që isha me prejardhje shqiptare, që isha birësuar, sepse isha jetime. Dhe ata dëshironin shumë të kishin një vajzë, që isha unë. Mamaja më ka thënë se isha një fëmijë i terrorizuar. Unë deri në moshn 12-vjeçare isha e terrorizuar. Sepse kisha frikë mos më rrihnin. Sepse në shtëpinë e fëmijës, edhe mund t’i kuptoj, na trajtonin mjaft ashpër. E kështu, që kur duhej bërtitur apo rrahur, të rrihnin. Unë kisha shumë frikë nga kjo gjë. Në fund të fundit unë nuk e kisha pasur kurrë një figurë atërore dhe amësore. Të shihja mamin dhe babin bashkë me vëllain, se prindërit e mi kishin edhe një djalë, që më trajtonin mirë, që më donin dhe vazhdojnë të më duan edhe sot, ishte diçka e mrekullueshme. Por, gjithsesi në adoleshencën time kam qenë gjithmonë pak e tërhequr. Kisha pak frikë. Pastaj e lëshova veten dhe jetova e po vazhdoj të jetoj një jetë fantastike.

Ardit Gjebrea: Kur është momenti i parë që të shkrepi në mendje të kërkoje origjinën tënde?

Oriklinda Paiusco: Shumë vonë në fakt. Mendoj se ndoshta 3 vjet më parë doja të njihja me këmbëngulje origjinën time. Më parë kisha frikë. Sepse kisha njëfarë zemërimi të brendshëm. Ndoshta nuk doja më t’ia dija për Shqipërinë. Dhe madje nuk doja më as të kthehesha në Shqipëri. Në fakt, për herë të parë u ktheva në Vlorë pas 25 vjetësh. Kaluan shumë vite para se të përballesha me të. Kujtoja shtëpinë e fëmijës, detin. Kujtoja që na dërgonin në plazh. Kujtoja copëza nga ajo jetë që kam kaluar në shtëpinë e fëmijës. Kujtime të bukura dhe të këqija.

Ardit Gjebrea: Pas shumë vitesh erdhe në Shqipëri të kërkoje familjen tëndë.

Oriklinda Paiusco: Dëshira ime në fakt, ishte të ritakoja edukatoren time. Sepse duke mos e ditur që kisha motra apo vëllezër, duke mos ditur që kisha një nënë biologjike që jeton ende, dëshira ime ishte të takoja edukatoren time. Mbi të gjitha doja të më tregonte historinë time. Kush isha. Sepse ajo më ka rritur në njëfarë mënyrë nga mosha 3 deri në 7 vjeç. Kishte ndjenjur me mua për 4 vite. Të bukura dhe me intensitet. Prandaj, kur më thanë se në fakt nuk isha e vetme dhe kisha këto motrat binjake, m’u hap një botë e tërë. I thashë vetes që kërkimi im nuk mund të ndalej këtu, por do të vazhdonte. E deri në fund duhet t’i gjej. Prandaj jam këtu.

Ardit Gjebrea: Si na gjete?

Oriklinda Paiusco: Edhe unë jam pak investiguese. Kam folur me një zotëri shqiptar që jeton në Itali prej 20 vitesh. Miku im Xhoni. I shpjegova se çfarë do të më pëlqente të gjeja. Dhe ai më tha, mos u shqetëso jam unë këtu. Dhe prej andej, i biri kontaktoi me gazetarin që më pas kontaktoi me mua. Dhe aty filluan historitë. I tregova dokumente të ndryshme. I rrëfeva gjithçka që unë dija.

Ardit Gjebrea: Tani ti je në pritje të ëmbël.

Oriklinda Paiusco: Po, dhe ky moment është i mrekullueshëm në fakt. Është një emocion fantastik, sepse sipas meje, fakti që po bëhem nënë më bën të kuptoj shumë gjëra të tjera. Nuk dua të gjykoj askënd, por dua të kuptoj.

Ardit Gjebreda fton në studio një zonjë që quhet Klea. Ajo është mikesha e Xhonit, mikut të Oriklindës. Klea ulet pranë Oriklindës dhe thotë se kujton kur kanë qenë në shtëpinë e fëmijës në Vlorë. Emocionet janë të forta.

Klea: Oriklinda për mua është një person që 30 vite më përpara e kam njohur në një institucion.

Ardit Gjebrea: Jeni dy motra pranë njëra-tjetrës.

Oriklinda Paiusco: Ti je motra ime? Atëherë jetojmë në Vicenza që të trija. O Zot çfarë ankthi.

Klea: Më kujtohet kur rrinim në shtëpinë e fëmijës në Vlorë .

Nga publiku, Arditi pyet Klean, e cila është motra tjetër dhe që ndiqte në distancë të gjithë historinë e Oriklindës.

Ardit Gjebrea pyet Marinelën (e ulur te publiku): Çfarë janë ato të dyja për ty?

Marinela: Motra!

Oriklinda Paiusco: Në fakt unë e realizova ëndrrën time.

Ardit Gjebrea: Janë më të vogla se ty.

Oriklinda Paiusco: Unë jam plaka e radhës atëherë.

Dhe kështu u realizua ëndrra e Oriklindës, të tre motrat u bënë bashkë. Por, mbetet takimi me nënën, Thëllëzën. A do të vijë në studio zonja Thëllëza dhe a do ta njohë vajzën e saj Oriklindën, të cilën ka 30 vite pa e takuar? Historia vijon në pjesën e dytë të “Ka një mesazh për ty”.

Në pjesën e parë të rubrikës “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Oriklinda u njoh dhe u takua me dy motrat të cilat kishte rreth 30 vite pa i parë. Në pjesën e dytë të kësaj rubrike, është takimi më nënën biologjike, Thëllëzën. Ardit Gjebrea udhëtoi drejt Vlorës për t’u takuar me znj. Thëllëza.

Historia e saj nuk është e lehtë. Që në moshë të re u përball me peripecitë dhe vështirësitë e jetës. Kur ishte 20 vjeç takoi dashurinë e parë. Me të bëri edhe një vajzë, Oriklindën. Por, familja e saj nuk e pranonte djalin që ajo kishte zgjedhur. Madje, prindërve u tha shumë vonë që kishte mbetur shtatzënë. Kështu që, ajo lindi e vetme dhe u largua nga Selenica. Shkoi në Orikum tek kushërinjtë e saj, dhe për shkak të këtij vendi, i vendosi dhe emrin vajzës Oriklinda. Fatkeqësisht, u detyrua ta çonte të shtëpia e fëmijës. Babai i vajzës kishte vdekur aksidentalisht.

Më pas u martua me bashkëshortin e dytë, me të cilin ka edhe dy vajzat, Klean dhe Marinelën. Edhe burri i dytë vdiq pas 5 vitesh martesë në një aksident në punë. Vështirësitë e jetës e detyruan që edhe dy vajzat e tjera t’i linte tek shtëpia e fëmijës. Aty i kishte njohur tre vajzat me njëra-tjetrën, megjithëse ato ishin shumë të vogla.

Pas disa vitesh, znj. Thëllëza shkoi të merrte dy vajzat që kishte me partnerin e dytë dhe mësoi se vajzën e parë, Oriklindën, e kishin birësuar tek një çift italian, por këtë fakt ja kishin mbajtur të fshehtë. Ajo shprehet se ka bërë përpjekje për ta gjetur vajzën e madhe, por nuk ka mundur.

Ardit Gjebrea: Më treguan që ke një histori shumë interesante.

Thëllëza: Kam lindur në Selenicë të Vlorës. U shkollova, bëra 8-vjeçaren. Kam qenë shtëpiake herë pas here. Punova ca kohë në pyjore. U njoha me njërin, isha 20 vjeç. Ishte dashuria e parë e jetës time. Nuk funksionoi nga mentaliteti atje në Selenicë. Nuk ma deshën njerëzit e mi. Nuk e dinin se si isha unë. Mbeta shtatzënë. Ai quhej Tomor, ka vdekur. Pas lindjes time nuk u pamë më. Ishim bashkëmoshatar. Pastaj më thanë që ka vdekur duke ikur në një sebep. Unë ika, kisha ca njerëzit e mi në Orikum të Vlorës. Dhe vajzës ia vura emrin Oriklinda. Pastaj e çova në shtëpinë e fëmijës pas 2 muajsh në Vlorë. Pas 1 muaj e gjysmë që linda, u martova me lajmësi. Atje në fshat nuk e merrte vajzën. Megjithatë, unë bëra dhe dy vajza me të. Një e quajnë Klementina, një e quajnë Marinela. Oriklinda ka lindur në 23 Mars 1984. Pas vdekjes së burrit të dytë pas 5 vitesh martesë, nuk u martova prapë. Pas 1 viti, ngaqë nuk i kishim kushtet, edhe dy vajzat e tjera i çova në shtëpinë e fëmijës. U njohën me Oriklindën. I prezantova që atje që ishin të vogla. E madhja ishte 3 vjeç, kurse e vogla 2 vjeç. Nuk i lashë shumë atje. Në ’99 erdhëm këtu në Vlorë. I mora vajzat të dyja. Të madhen më thanë që u adoptua dhe ka ikur nga Shqipëria, më ra pika, se nuk më thanë gjë. Nuk më thanë që këtë vajzë do ta adoptojmë. Se unë i shkoja gjithmonë, fshehurazi nga fshati se atëherë ishte kohë e vështirë. Me kalimin e kohës, çupat e mia e kërkonin në Google, interesoheshin. Papritur, vjet në 2 Tetor më vjen i plotfuqishmi i lagjes. Më thotë mua që si e ke emrin. Thëllëza Meminaj i thashë, mbiemrin e burrit. Më tha të kërkon një nga jashtë shtetit. Unë kujtova se mos më kërkonte çupa e madhe, se e kam martuar në Itali me italian, në Vicenza. Mendova kush do më kërkonte. Se me vajzën unë flisja natë për natë. Jam interesuar shumë për vajzën. Dhe para dy viteve, vajta në konsullatën italiane në Vlorë. U interesova, nuk ma treguan. Nuk e gjeja dot. Vajza e vogël do marrim një ditë pushime, do vemi të dyja në ambasadën italiane në Tiranë. Rastisi, ishalla të jetë mrekulli për mua.

Zonja Thëllëzë vjen në studio dhe në ekran shfaqen fillimisht dy motrat, Klea dhe Marinela. Kjo e fundit i thotë të ëmës që i ka bërë surprizë dhe ka sjellë nga Italia Klean, meqënëse ka dy vite pa e takuar. Bashkë me Klean, thotë Marinela, ka ardhur edhe shoqja e saj nga Vicenza.

Marinela: Ne të bëmë një surprizë, meqë unë për një javë kam ditëlindjen e djalit. Dhe motrën kishe 2 vjet pa e parë, doja ta bëja të madhe ditëlindjen e djalit. Kështu që solla dhe motrën që dhe ju të gëzoheshin edhe djali im të lumturohej. Unë kam Vicenza nuk kam marrë vetëm një, por kam sjellë dy. Kam sjellë dhe një tjetër. Kjo është një shoqe e ngushtë e Kleas.

Por, zemra e nënës nuk gabon. Zonja Thëllëzë e kupton shakanë e Kleas dhe ndjen që vajza tjetër është Oriklinda, ajo e cila është adoptuar nga prindër italianë.

Ardit Gjebrea: Kush është ajo vajzë? Ajo është shoqe e Kleas?

Thëllëza: S’ma ha mendja të jetë shoqe e Kleas.

Ardit Gjebrea: Si e ka emrin ajo vajzë?

Thëllëza: Oriklinda!

Ardit Gjebrea: Ajo është Oriklinda.

Oriklinda shkon të takojë e përqafojë nënën e saj biologjike. Atyre u bashkohen edhe dy motrat e tjera, Klea dhe Marinela. Dhe kështu, familja u bashkua pas 30 vitesh. Oriklinda tani do të ketë mundësinë të njohë nga afër nënën biologjike dhe dy motrat e saj, të cilat i kishte njohur në shtëpinë e fëmijës në Vlorë.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Rezarta është nënë e tre fëmijëve, dy vajza dhe një djalë, por për shkak të problemeve të emigracionit është ndarë nga bashkëshorti. Përpos mungesës së fëmijëve, Rezarta sot përballet edhe me konfliktet që i kanë lindur me mamanë e saj Zegjine. Cila është kërkesa e mamasë të cilën Rezarta nuk e plotëson dot?

Rezarta Hoxha: Sot kam ardhur këtu të përballem me nënën time se kam një hall shumë të madh. Kam tre fëmijë. Kam bërë gjyq që në 2016 që mori formën e prerë në Elbasan. Deri tani s’kam marrë asnjë fëmijë. Më ka dhënë gjykata fëmijën e vogël, djalin Denis. Unë u martova në vitin 2002 me mblesëri, me ish-burrin tim. Vitet e para shkonim mirë bashkë. Më vonë pasi erdhi në jetë goca e dytë, ish-bashkëshorti u largua shumë sepse jetonte në Itali. Tre muaj pasi u martuam iku emigrant në Itali. Njohu një femër tjetër atje, krijoi një lidhje tjetër. Më patën thënë dhe njerëzit e mi, por unë nuk e besoja. Ai e nxorri dhe në Facebook pastaj. I kam parë vetë mesazhet që kishte folur. Ajo nuk është shqiptare, është moldave. Që aty i thashë boll. Ai më la aty me prindërit e vetë. Nuk më donte mua për grua, më donte për prindërit e vetë edhe të rrisja fëmijët. Fëmijën e tretë ai donte ta bënte, se dontë të më bllokonte mua akoma. Unë i kërkoja gjithmonë të më merrte në Itali. Unë nuk u martova të rri këtu me vjehrrën dhe me vjehrrin.

Zegjine: Kjo donte ta afronte familjen, ta bashkonte. I kam thënë, o goc nuk është burrë për ty. Ai njëherë vinte. Çfarë kërkon ti nga ai burrë. Ai vinte nga Italia, nuk e çonte njëherë për kafe, nuk e nxirrte. E mbante vjehrra atje në shtëpi.

Eni Çobani: Ky njeri ju mbante ekonomikisht?

Rezarta Hoxha: Pak fare dërgonte, se kishin pension prindërit e tij. Vjehrra më thoshte ec puno te toka, se ti nuk do hash pensionin tim. Shkoja te toka punoja, punët e shtëpisë të gjitha i bëja, fëmijët i çoja në kopësht. Veja dhe tek toka pastaj, do punoja, do gërrmoja te dheu. Vjehrra ime s’donte t’ia dinte fare.

Eni Çobani: Sa vite jetove në këto kushte?

Rezarta Hoxha: 14 vjet. Me këtë shpresë që ai do më marrë bashkë me fëmijët. Ai ishte njeri me dy fytyra. Vinte aty sillej mirë me mua, kurse andej shikonte jetën e vetë. Për 10 ditë që rrinte aty sillej mirë. Po mua më mashtronte. Vjehrra më turpëronte shumë. Ajo më rrihte. Ish-vjehrri i thoshte lere nusen. Ishte një femër shumë e keqe.

Eni Çobani: Kur erdhi divorci juaj dhe kush ishte arsyeja që u divorcuat?

Rezarta Hoxha: E vërtetova që ai fliste dhe bashkëjetonte me këtë femër. Ndarja ndodhi tek shtëpia e mamit tim, tek prindërit e mi. Vajtëm një ditë për drekë bashkë me fëmijët, të pestë. Edhe aty filluam. I thoshte vëllai, mami, edhe unë, më merr bashkë me fëmijët. Aty filloi ai, jo nuk e marr, thoshte çfarë i mungon asaj.

Zegjine: I mori fëmijët, mbaje plehrën tha për bashkëshorten.

Rezarta Hoxha: Unë e padita në gjykatë. Unë i thashë që ti ke femër tjetër prandaj s’më merr mua andej. Ai justifikohej gjithmonë, thoshte nuk kam shtëpi, rri me çuna. Se 14 vjet nuk e merr një shtëpi ai që të marri gruan dhe fëmijët e vetë. Kishte tjetrën, bashkëjetonte.

Zegjine: Unë jam në debat se kam 4 vjet që e mbaj te shtëpia. Unë s’kam çfarë të bëj se me pension jam. Mua s’më del për ilaçe.

Rezarta Hoxha: Po ku të vete unë, çfarë të bëj. Kështu më ra fatkeqësia.

Eni Çobani: Divorci ka përfunduar në 11.01.2016 pranë Gjykatës së Elbasanit. Dy vajzave u është lënë kujdestaria babait dhe djali 3-vjeçar në atë kohë i është lënë nënës. Kjo është një vendimmarrje e gjykatës, që e kanë gjykuar kështu dhe në bazë të një akti psikologjik, të cilin në fakt zonja nuk ka arritur dot që ta ketë. Pra nëna nuk e ka lexuar aktin e ekspertimit, kush kanë qenë arsyet që psikologia ka vendosur që vajzat të qëndrojnë me babain dhe fëmija 3-vjeçar të qëndronte me nënën. Vajzat sot janë 15 vjeç e madhja dhe 13 vjeç.

Rezarta Hoxha: Unë s’kam as djalin. Përmbaruesi më thotë që është e vështirë, atë fëmijë me të qarë unë nuk e marr. Po ai fëmijë mësohet, ndikohet se po jetohet atje. Ish-vjehrra u thotë fëmijëve të mi ‘mami juaj është martuar në Elbasan dhe e ka burrin të varfër, edhe po ju mori mami burri asaj do ju nxjerri të mbështillni kanaçet e Elbasanit’. M’i tmerron fëmijët. Ajo më ndau dhe nga burri, se i thoshte çunit shiko jetën tënde. Unë jetoj me mamin tim, nuk jam martuar.

Ardit Gjebrea: Gjykata ia ka lënë vajzat babait, kur babai është në Itali. Mund t’i mbajë mamaja e babait?

Eni Çobani: Kam dëgjuar shumë burra në jetën time, kam folur me shumë prej tyre kam diskutuar, por gjuhë të atillë si ai zotëri, të cilit i kam thënë edhe në telefon, unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë! Një gjuhë e ashpër, e paedukatë, fjalë fyese kundrejt një njeriu të cilit, ju më njihni sa e edukuar jam në komunikime si private dhe publike, jam befasuar Ardit, nuk kam qenë në gjendje t’i kthej as përgjigje. I kam thënë vetëm një fjalë, ti ke përfituar vetëm se ke pasur bashkëshorte Rezartën, se po të kishe pasur ndonjë bashkëshorte tjetër, ti do ishe në tjetër vend. Dhe sigurisht, fjala e tij e fundit ishte po aq fyese, që jo ti të më marrësh në telefon tha, po kushdo të më marri nëpër telefona ajo punë është mbyllur dhe fëmijët ajo nuk ka për t’i parë ndonjëherë. Atëherë i thashë, zotëri i sheh apo nuk i sheh nëna fëmijët, ky është një problem tjetër. Por unë gjykoj me kë qëndrojnë këta fëmijë. Prandaj fjala ime sot është kundrejt gjykatës, psikologëve, policisë, i cili i njeh shumë mirë zonat dhe rrethet, dhe një babai të tillë t’i lësh për rritje dhe edukim tre fëmijë në këto mosha, kjo është një situatë alarmante. Sigurisht që ju mendoni se ka qenë thjesht një komunikim dhe unë nuk mund të vlerësoj deri në fund se kush ka qenë ai njeri. Por, njeriu tregon edukatën dhe me një fjalë se kush është.

Një moment i rëndësishëm për gjykatën në dhënien e kujdestarisë është raporti i psikologut.

Eni Çobani: Ka dy momente, varet sesi psikologia e ndërton detyrën që i jep gjykata. Një takim bëhet në prezencë të prindërve, një takim vetëm me fëmijët, një takim veç e veç me secilin nga prindërit dhe më pas shkohet në ambientet ku pretendohet që këta fëmijë do të qëndrojnë pas marrjes së kujdestarisë. Zonja psikologe, ka vajtur, ka parë ambientet, ka parë kushtet? Ka ditur që babai është në Itali dhe jo në Shqipëri? Pra si mundet t’i jepen dy fëmijë një babai që jeton në Itali dhe sot ata rriten nga gjyshërit e tyre dhe njëkohësisht zonja nuk ka as fëmijën që i ka lënë gjykata. Unë dua të di, a është marrë më ligji, drejtësia, që a ka vajtur në vend zbatimi dhe ekzekutimi i këtij vendimi? Sepse sot, pretendimi i ish-bashkëshortit në telefonatën me mua dhe pak kërcënues ishte: Po të vijë tha, t’i marrë, edhe të shikojë e duan fëmijët apo jo. Atëherë edhe ky komunikim tregon edhe njëherë që qëndrimi i gjatë me njërin nga prindërit, bën që të urrehet deri diku prindi tjetër, në mënyrë tepër të gabuar, sepse fëmijët kanë ardhur në jetë nga të dy dhe këtë i kam thënë edhe zotërisë. “Zotëri, kur i bërë fëmijët, i mendove që i ke bërë me këtë bashkëshorte dhe kjo është nëna e fëmijëve? Atëherë si ti mendon që këta fëmijë mund t’i largosh nga nëna? Fëmijët, tha, nuk e duan nënën. Kjo më ka ngelur si një fjalë, që jo vetëm është e rëndë, por si mund ta artikulojë një bashkëshort, sepse nuk ka fëmijëve sot në botë që nuk e do nënën?”

Eni Çobani: Unë i ftoj (vjehrrit e Rezartës), nëse ata preken nga fjalët e zonjave që janë këtu, por edhe nga komenti që unë po bëj, unë i ftoj të jenë publikisht përballë Rezartës dhe mamasë së saj, pikërisht për këto fjalë që ato po thonë, për familjen e ish-bashkëshortit. Jam shumë e hapur dhe do të isha e lumtur nëse kjo vjehrrë dhe kjo gjyshe do të vijë sot këtu dhe do të thotë arsyen përse i mban ajo fëmijët? Ka mundësi ta dëgjojmë këtë grua dhe të thotë, përse i mban këto fëmijë? Unë vetëm këtë dua të di.

Më tej juristja Çobani e pyeti Rezartën se përse vajza e madhe, në moshën 11-vjeçare, thotë nuk do të rrijë me nënën, por me babain?

Rezarta Hoxha: Ma mori vjehrra që të vogël, sepse më thoshte ec te toka puno dhe e mbante ajo… Ma bëri për vete gocën e vogël. E mbante tek dhoma vet dhe ma largoi komplet. Nuk më donte mua dhe ma vinte gocën kundra”.

Zegjine: Ajo flinte me gocën e kësaj, kjo flinte me gocën e dytë, ajo mbante të madhen. Prandaj nuk i duan ata të gjithë, sepse kjo rrinte me shpresën se do vijë burri. Ai vinte bënte ndonjë fëmijë, ikte. Rrinte dy vjet, vinte prap bënte edhe ndonjë…”

Rezarta e ka marrë të drejtën e kujdestarisë për djalin që në 2016-n, por si është e mundur që nuk e ka marrë atë?

Rezarta Hoxha: Kemi vajtur me përmbaruesin, kushedi sa herë tek shtëpia atje, për ekzekutimin e vendimit dhe përmbaruesi më thotë: Unë atë fëmijë nuk e marr, ai fëmijë është shumë i acaruar me ty, nuk e marr. Unë jap dorëheqjen që sot nga puna edhe atë fëmijë unë me zor nuk e marr. Një herë e mora, qau pak sa dola nga shkallët. Dola deri tek rruga, erdhi ma mori polici i zonës, ma mori nga krahu. Ti e ke marrë fëmijën me zor më tha dhe ty do të të denoncoj. Ma mori fëmijën nga krahu dhe e futi në shtëpi. ”

Rezarta Hoxha: Kam bërë edhe kallëzim në prokurori, për braktisje fëmijësh, por prokuroria e pushoi çështjen. Arsyeja është se ai po punon atje dhe po i ushqen ata fëmijë, thotë prokuroria. Unë i kam thënë që ai ka tokë këtu, të kujdeset këtu për fëmijët e vetë, të punojë këtu Shqipëri. Nuk ka përse të vejë në Itali dhe t’i lejë ato fëmijë. Nëse ai shkon në Itali le të mi japë mua, jam unë nëna gjallë, unë nuk kam vdekur, jam gjallë, i mbaj unë fëmijët e mi. Përse duhet të rrinë fëmijët e mi me gjyshërit zoti Ardit, ata janë të dy të paralizuar, të sëmurë, vete fqinja e merr fëmijën tim nga kopshti, djalin e vogël…

Eni Çobani: Është e palejueshme dhe jo ligjore, që fëmijët të mbahen nga gjyshërit dhe jo nga prindërit që u është lënë kujdestaria. (Babai) Të vendosë përfundimisht se çfarë do të bëjë me fëmijët e tij. Pra do të qëndrojë në Itali dhe do t’i marrë fëmijët atje, apo do të rrijë këtu dhe do të qëndrojë pranë fëmijëve. Në kushtet që kjo nuk zgjidhet, unë e ftoj edhe njëherë Rezartën t’i drejtohet edhe njëherë gjykatës për përfitimin e të tre fëmijëve, sepse kemi një braktisje që dihet nga të gjithë personat që janë të implikuar në këtë rast dhe fshihet rasti. Qëllimin unë nuk e di dhe nuk dua të vë emër. Por unë i ftoj edhe njëherë, Rezartën dhe ish-bashkëshortin, për t’u ulur me njëri-tjetrin dhe për të vendosur se çfarë do të bëjnë me këta fëmijë. Fëmijët janë të tyre, vendimet i marrin prindërit për fëmijët e tyre, pastaj është ligji dhe gjykata. Kështu që, pavarësisht gjuhës së ashpër të komunikimit, e ftoj ish-bashkëshortin të vijë të ulet dhe të zgjidhë problemet me ish-bashkëshorten.

Në kushtet kur ish-bashkëshorti ka pak gjasa që ta bëjë këtë, Çobani tregon se çfarë parashikon ligji.

Eni Çobani: Në këto kushte, ligji parashikon që kur fëmijët braktisen nga prindi kujdestar, detyrimisht i merr fëmijët prindi tjetër. Atëherë, këtu nuk ka zgjidhje tjetër. Fëmijët ose do të qëndrojnë në kujdestarinë që ka vendosur gjykata, ose Rezartës i takon që nga ky moment, të hapë sërish gjyq për fitimin e kujdestarisë e të tre fëmijëve, në kushtet që bashkëshorti i ka braktisur ata. Ai baba që ka marrë përsipër të mbajë dy fëmijë me ligj dhe një pa ligj, sepse e ka pa ligj atë fëmijën e tretë. Atëherë këtu duhet të përgjigjet si gjykata, si prokuroria, si policia, që përse situata është në këtë gjendje.

Në fund Rezarta iu drejtua fëmijëve të saj me këto fjalë: I ka mami princesha, i dua shumë zonja Eni, nuk jetoj dot pa ato 3 fëmijë. Të lutem zonja Eni, gjykatat e Elbasanit kanë 4 vjet që më sorollasin, për asgjë nuk më kanë ndihmuar deri tani. Shpresa ime e fundit ti je zonja Eni. I dua të tre fëmijët e mi.

Eni Çobani: Edhe unë e dashur derisa të solla në këtë seancë ndërmjetësimi, e kam marrë përgjegjësinë për të të qëndruar në krah, për ta vazhduar luftën me ty dhe deri në fund të respektohet ligji, nga gjykata, nga policia dhe nga të gjithë. Do të bëjmë ç’është e mundur të marrësh fillimisht djalin, që ta ka caktuar ligji. Dhe nëse vajzat vazhdojnë dhe jetojnë me gjyshërit, ne do të hapim një proces tjetër gjyqësor, për braktisjen e fëmijëve nga ish-bashkëshorti dhe marrjen e kujdestarinë nga ana juaj.

BE coffee!