Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Nuk thonë kot se kush gjen një mik, gjen një thesar. Mark Ndoj nga Puka ka gjetur një mik italian si Masimo dhe një thesar prej vërteti. Nga një emigrant i thjeshtë në kufinjtë e mbijetesës, ai sot ka në dorë pasurinë e mikut të tij, që është një sipërmarrës i suksesshëm në kryeqendrën e Italisë.

Mark Ndoj është një nga ata shqiptarët e shumtë që ka provuar ta ndërtojë jetën jashtë Shqipërisë që në fillim të viteve ’90, atëherë kur largimi ishte e vetmja shpresë për të mbijetuar në një vend të rrënuar ekonomikisht.

Të gjitha vuajtjet e tij janë shpërblyer sepse sot ai mund të quhet pa frikë si një nga shqiptarët më me fat. Kur thuajse të gjitha mundësitë për të ndërtuar të ardhmen ishin shuar, ai gjeti një mik të vërtetë, i cili i ndryshoi tërësisht jetën.

Tek “Ka një mesazh për ty” në TV Klan ai tregoi historinë e njohjes me Masimon, një sipërmarrës i suksesshëm italian në fushën e hotelerisë. Prej disa vitesh Marku është bërë krahu i djathtë i tij dhe ftesa për ta falenderuar në program ishte më e pakta që mund të bënte për të. Por si nisi aventura e Markut?

Që në vitin 1992 ai provoi të ndjekë të njëjtat shtigje të rrezikshme si mijëra shqiptarë të tjerë, duke kaluar ilegalisht nëpërmjet maleve drejt Greqisë. Sa herë prekte tokën helene, ai binte pre e torturave të ushtarëve grekë. Si për të mos harruar kurrë ato momente të hidhura, tre brinjë të thyera e kthejnë në kohë sa herë që ndryshon moti apo bën ndonjë sforcim fizik. Pas 7-8 viteve tentativash të dështuara, Marku vendosi të heqë dorë përfundimisht nga Greqia.

Në vitin 1999 u martua dhe në 2001-in erdhi në jetë djali i tij, Enrik. Thonë që fëmija është gjithmonë mbarësi, por nga ana tjetër jeta në fshat ia bëri Markut të pamundur që t’i ofronte djalit dhe bashkëshortes një të ardhme më të mirë.

Në rrethana të tilla, ai u detyrua të marrë para borxh dhe të nisej me gomone drejt Italisë, duke vënë jetën në rrezik. Nuk dinte se ku të shkonte e as nuk dinte të komunikonte italisht, por si një person që nuk ka se çfarë të humbasë, u nis nga Bari drejt Romës.

Për 9 muaj jetoi tek djali i xhaxhait dhe çdo ditë dilte tek një shesh për të kërkuar punë dhe përherë kthehej bosh. Larg familjes dhe djalit që po rritej pa e parë, Marku vendosi që të kthehej në Shqipëri meqënëse nuk po arrinte të gjente një punë siç shpresonte në Itali. Përpara kësaj vendosi t’i japë një shans të fundit vetes, ta provonte dhe një ditë e pastaj ta ndante mendjen për t’u rikthyer.

“Për të shkuar atje unë ngrihesha çdo ditë në orën 5 të mëngjesit dhe bëja dy orë me autobusa që i ndërroja derisa të mbërrija tek vendi ku do kërkoja punë. Para se të shkoja aty piva kafen e mëngjesit pa shpresa fare. 200 metra pa mbërritur tek vendi ku kërkoja punë më ndalon një motorr tek këmbët. Më thotë “do vish në punë?”. E shikova si i habitur dhe ai më thotë sërish “do vish apo të shkoj të marr ndonjë tjetër?”. Unë pa e menduar fare i mora kaskën dhe hipa në motorr. Më çoi afër Koloseut, ku po ndërtonte një garazh. Më la aty dhe iku, nuk bisedova fare. Aty ishin dy rumunë, mjeshtra dhe unë bëja ndihmësin e tyre, llaç e pastrime. Pas dy ditësh që mbaroi puna vjen dhe më jep paratë e më përshëndet për të ikur. Mendova që t’i kërkoj punë sërish. Ai më tha që nëse ke nevojë për punë, kam sa të duash. I thashë që po dhe ai nxorri një letër e më shkruajti adresën e një hoteli, duke më thënë që do shkosh aty për të punuar si pjatalarës. Mendova t’i tregoj të vërtetën që unë jam klandestin, pa dokumenta dhe nuk mund të punoja, por ai më thotë që të shkoja gjithsesi. Të nesërmen shkova tek hoteli dhe pashë që ishte një hotel me 5 yje në një zonë, ku zakonisht rrinin personat VIP. Më vinte turp të futesha brenda dhe e mora në telefon. Ai më tha që të futesha brenda tek hoteli, por unë nuk u futa derisa doli ai vetë të më merrte. I tregova historinë e jetës time, vuajtjet që kisha kaluar për të ardhur në Itali dhe vendimin që kisha marrë për t’u rikthyer në Shqipëri nëse nuk do gjeja punë. Ai më tha që çdo gjë rregullohet, vetëm vdekja nuk ka zgjidhje”, rrëfeu ai.

Masimo nuk i tregoi që në fillim Markut që ishte ai pronari i gjithë atij hoteli luksoz dhe në këtë mënyrë ata flisnin lirshëm si dy miq. Marku filloi punë si pjatalarës dhe pas katër ditësh Masimo i tha që do punonte me kontratë të rregullt. Disa ditë më vonë, rastësisht Marku zbulon që Masimo në të vërtetë ishte pronari i hotelit dhe personi i cili mund t’i ofronte një punë të përhershme. Edhe për nëntë muaj të tjera vazhdoi si pjatalarës, por sërish shumë i kënaqur. Një ditë Masimo i tha që do punonte në një nga lokalet e tij në qendër të Romës dhe e prezantoi me pjestarët e familjes së tij.

Që nga ajo kohë, Marku ishte bërë njeri i besuar dhe Masimo e ndihmoi të bënte dokumentat e të sillte gjithë familjen në Itali, bashkëshorten me djalin, vëllezërit, motrat dhe dhëndurët. Fisi Ndoj thuajse ishte “adoptuar” nga bujaria e zotërisë italian, i cili u ofroi një të ardhme që as nuk e kishin ëndërruar. Besnikëria dhe ndershmëria në punë nga ana e Markut e bënë Masimon që pas katër vitesh t’i ofronte djalit nga Puka që të ishte ortak në bizneset e tij.

Bujaria e Masimos arriti kulmin kur vendosi emrin e Markut mes listës së pasardhësve të tij, të cilëve do iu trashëgonte pasurinë.

“Një ditë gjeta një zarf me emrin tim dhe meqë ishte i hapur vendosa ta lexoj. Aty mbeta pa fjalë. Më kishte bërë pjesë të testamentit, të cilin e kishte ndarë në katër pjesë, mes tre nipërve dhe meje”, shtoi Marku.

Duke parë pak edhe “xhelozinë” e nipërve dhe përballë faktit që Masimo kishte bërë shumë për familjen e Markut, ky i fundit nuk pranoi të ishte pjesë e testamentit. Pas kësaj Masimo i sugjeroi Markut që ta adoptonte dhe në këtë mënyrë të ishte trashëgimtar i ligjshëm i pasurisë së tij.

Masimo vetë nuk kishte patur kurrë fëmijë dhe kjo ndoshta e ka shtyrë për ta ndihmuar Markun, i cili nuk pranoi as këtë propozim.

Të gjitha këto episode të zemërgjerësisë së Masimos bënë Markun që t’i drejtohet rubrikës “Ka një mesazh për ty” në mënyrë që t’i një mesazh falenderimi mikut të tij italian. Përpos kësaj, Marku e ftoi në studion e programit për t’i bërë një propozim që në të ardhmen të jetojë me familjen e tij, të cilët do kujdesen për të njëlloj si për secilin pjesëtar të saj.

Masimo sot është 75 vjeç dhe mesa duket ende nuk e ka në plan të plaket sepse planet që ka thurur me Markun për vijimin e projekteve të përbashkëta nuk kanë të mbaruar. Ai tregoi sesi e ka ndihmuar Markun që nga pjatalarës të bëhet ortak i tij, apo për gruan që nga kamariere u bë drejtuese e një nga hoteleve të tij. Kunati i tij nga murator është bërë drejtor i një prej koktejl-bareve më të mira në Romë e shumë e shumë të afërm të tjerë, të cilët janë sistemuar nga Masimo. Masimo zotëron katër hotele, disa restorante dhe bare në Romë, në të cilat janë punësuar të afërmit e Markut.

Në mesazhin drejtuar Masimos, djali nga Puka i tha mes të tjerave se kishte ardhur për ta falenderuar për gjithçka që ka bërë për të e për të dhënë një premtim.

“Kam ardhur këtu për të të thënë se po e mbaj fjalën. Për çdo gjë që do kesh nevojë unë jam gati që të të ndihmoj. E ke derën e hapur sepse gjithmonë mbetet dhe shtëpia jote. Mund të vish tek unë”, iu drejtua pukiani 75-vjeçarit.

E ka ndjerë të nevojshme që ta bëjë një premtim të tillë sepse sipas Markut, miku i tij italian është shprehur skeptik për faktin që dikush do interesohet për të kur të jetë plakur akoma më shumë.

Masimo e vlerësoi shumë mesazhin e Markut dhe gatishmërinë për t’ia shpërblyer në njëfarë forme ndihmën e jashtëzakonshme që i ka dhënë ndër vite. Ai e pranoi ftesën e Markut për të jetuar me familjen e tij, por duke e shtyrë sërish në kohë, jo për tani.

Çelësi i miqësisë mes tyre sipas Masimos është ndershmëria e Markut. Ai tregoi sesi në fillimet e njohjes mes tyre, Marku kishte gjetur një çantë me para dhe dokumenta dhe ia kishte dorëzuar Masimos, duke i thënë se nuk do pranonte kurrë të prekte diçka që nuk i përket atij. Ky ka qenë momenti i duhur që e ka bindur Masimon se ky shqiptar i thjeshtë meritonte të ishte miku dhe ortaku i tij.

75-vjeçari rrëfeu gjithashtu detaje dhe jeta e tij, duke shpjeguar se dikur ka qenë dhe ai emigrant, fillimisht në Paris e më pas në Londër. Atje kishte njohur një çift anglez me origjinë hebreje, të cilët e morën nën kujdestari dhe e ndihmuan të niste një rrugë të gjatë drejt suksesit.

“Atëherë mendova që nëse një ditë do bëhem i pasur do ndihmoj dhe unë dikë po në të njëjtën mënyrë. Erdhi dita dhe e bëra” , shtoi Masimo.

Takimi me Markun i ka ndryshuar dhe opinionin për shqiptarët, të cilët shpesh herë sipas tij, bëhen publikë në kronikat e zeza të lajmeve italiane. Ai i ka vlerësuar shqiptarët si njerëz të mirë dhe shumë punëtorë.

Më 17 Qershor Masimo ka vendosur të hapë dhe një diskotekë me emrin e Markut, i lexuar mbrapsht. “Kram” do quhet një tjetër biznes i përbashkët i dy miqve, të cilët sjellin modelin më të mirë të solidaritetit dhe zhdukjes së paragjykimeve mes shteteve. E gjithë kjo nuk blihet me para sepse miqësia është pasuria më e çmuar që mund të kenë njerëzit.

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

PER DREKE ME MUA!

Një garë e re nisi sot në rubrikën “Për drekë me mua”, mes këngëtares Çiljeta Xhilaga, gazetarit sportiv Alban Xhihani dhe aktorit Gent Hazizaj.

Konkurrenti i parë që tregoi aftësitë e tij në gatim ishte aktori i njohur, i cili i surprizoi të gjithë. Jo vetëm se është i biri i një shefeje kuzhine, por më shumë për faktin se i është dashur të mësojë të gatuajë kur ka qenë emigrant në Itali.

“Atje kam mësuar të gatuaj dhe jam tip që gatuaj shpejt dhe madje nuk bëj dhe pis”, tregoi aktori i njohur. Ai përgatiti 4 pjata për të ftuarit e tij, edhe pse vetëm 3 nevojiteshin për konkurrimin.

Pjata e parë e quajtur “Uzo”, ishte një sallatë me lakër, ullinj dhe finok, madje për përbërësit të fundit ai kishte marrë frymëzimin dhe për t’i vënë emrin pjatës, pasi finoku ngjason me shijen e uzos.

“Edhe pse sallatë dimërore, lakra është evidentuar si një nga dy perimet që parandalojnë diabetin”, e ka vlerësuar dietologia Blerina Bombaj pjatën e parë, që sipas dy konkurrentëve të tjerë, kishte pak më shumë kripë se ç’duhej.

Ndërkohë pjatën e dytë, Genti e kishte emërtuar “Koktejli”, një pastë e ftohtë shumëngjyrëshe me perime, vezë të zier dhe pak majonezë.

“Për të gjithë ata që duan të bien në peshë, është më mirë që pastat të hahen kështu se kur janë të ftohta, pasi sheqeri shkon më pak në gjak”, këshilloi Blerina, ndërsa jepte vlerësimin për këtë pjatë.

Ndërsa pjata e tretë ishte “Verë e ngrohtë”, me biftek të gatuar në tenxhere me presion me hudhra e vaj ulliri, shoqëruar me një salcë të përgatitur me patëllxhan, karota, qepë e erëza të ndryshme.

Për ëmbëlsirë, Genti kishte përgatitur një recetë të thjeshtë që mund ta përgatisim të gjithë në shtëpi: luleshtrydhe të grira me limon e pak sheqer, e cila duhet të qëndrojë për disa orë në frigorifer. Por gjatë kësaj dreke, konkurrentët dhe dietologia zbuluan mjaft detaje interesante nga jeta e tyre private.

Çiljeta Xhilaga tregoi se e sheh veten si nënë djemsh dhe këtë e zbuloi për shkak se dadoja e telefonoi ndërkohë që ndodhej në tavolinë.

“Do i bësh një motër ose vëlla Fernarndos, që të mos e lesh vetëm?”, e pyeti Blerina Bombaj.

Këngëtarja, duke theksuar që po bënte shaka, tha: “Unë shoh veten si nënë çunash jo si nënë gocash. E di pse nuk dua gocë? Se dua që të më përkëdhelë gjithë jetën burri mua, jo të ma marrë dashurinë goca pastaj”. Por thuhet se shakaja është gjysma e të vërtetës…

Ndërsa dietologia Bombaj rrëfeu: “Kam punuar kamariere dhe jam kënaqur. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur që mua më ka mësuar më shumë në jetë në lidhje me komunikimin, shërbimin dhe natyrën njerëzore”.

Pas kamerës u zbulua se ajo kishte punuar jo pak, por 5 vjet si kamariere në një nga restorantet më të njohura në Athinë. Kjo ka ndodhur ndërsa ishte studente në Greqi dhe paralelisht shkollës i duhej të punonte.

Gjatë bisedës, ajo zbuloi gjithashtu se ëndrra e fëmijërisë nuk ka aspak lidhje me atë çfarë bën sot. “Kam dashur të bëhem balerinë, por për fat të keq m’u ndërpre në mes kjo ëndërr”, tregoi dietologia Bombaj.

Nga ana tjetër gazetari sportiv rrëfeu se ëndrra e tij e fëmijërisë ka qenë të bëhet pilot. Komentatori Alban Xhihani e kujtoi ëndrrën e tij, duke thënë: “Kam dashur të bëhem pilot, por kisha një problem se më thonin që s’ke për t’u bërë kurrë se të zë makina”.

Kjo pasi kishte dëgjuar se prova kryesore për t’u bërë pilot ishte rrotullimi brenda një sfere e më pas rrotullimi në të. “Aty thashë s’paskam për t’u bërë kurrë. Por problemi është që kur mësova makinën pashë që s’me zinte makina. Më erdhi keq që nuk insistova” , tregoi ai gjatë rubrikës “Për drekë me mua”.

“SHIHEMI NË GJYQ”

Motër e vëlla janë bërë pjesë e rubrikës “Shihemi në Gjyq” në programin “E Diela Shqiptare” për shkak të një ndodhie që ka bërë që Melsi të mos u përkushtohet prindërve dhe Natashës.

Melsi ka bashkëjetuar për disa vite me një grua dhe nga kjo bashkëjetesë ata kanë dy fëmijë. Ndarja me bashkëjetuesen e tij ka krijuar edhe probleme; Melsit i është mohuar e drejta nga nëna e fëmijëve të tij që ai të takojë fëmijët. Por nga ana tjetër motra, Natasha e akuzoi vëllain për mospërkushtimin e tij ndaj prindërve dhe vetë asaj, e cila nuk është martuar për t`u qëndruar afër prindërve

Natasha ftoi vëllain e saj, Melsin në seancën e sotme të ndërmjetësimit, por ky i fundit u shpreh se nuk e kupton përse, pasi nuk ka patur asnjë debat mes tyre.

“Realisht ne nuk kemi debatuar kohët e fundit, por kjo është arsyeja, nuk e gjejmë gjuhën e përbashkët. Arsyeja e ardhjes sime këtu është shumë madhore, familja është gjëja më e rëndësishme në botë. Unë këtë vit po shoh që familja ime po shkatërrohet. Ne kemi dy prindër, të cilët janë realisht në moshë të thyer dhe tepër të sëmurë me patologji shumë të rëndë kardiologjike dhe onkologjike. Ata më tepër qëndrojnë në spital se në shtëpi! Por Melsi është inekzistent në familje! Ai është djali i vetëm dhe shtylla e shtëpisë sonë, por nuk po mban përgjegjësitë që i takojnë!”, u shpreh ajo e zhgënjyer nga vëllai, pasi vetë ka sakrifikuar jetën e saj private për familjen e tyre.

“Dëshira ime e vetme është t’i shoh ata të lumtur”, tha Natasha për prindërit e saj.

Nga ana tjetër Melsi tregoi se ka bashkëjetuar në shtëpinë e prindërve të tij me të dashurën, me të cilën ka edhe dy fëmijë. Por më 2 Korrik të vitit 2016, ajo iu drejtua gjykatës për të kërkuar urdhër-mbrojtje dhe kujdestarinë e fëmijëve. Më 27 Korrik gjykata vendosi që fëmijët të qëndronin me Melsin gjatë javës, ndërsa në fundjavë me të ëmën. Pas shumë seancash gjyqësore, më 8 Korrik të vitit 2017 ish-bashkëjetuesja e tij mori fëmijët dhe nuk e lejoi më t’i takonte, çka i ka shkatërruar të gjithë familjarisht.

E motra ndërhyri duke thënë që është Melsi ai që nuk i lejon prindërit dhe atë vetë t’i takojnë fëmijët. “Edhe ti na ke mohuar neve të drejtën e takimit. Prindërit tanë i thonë çdo ditë që të marrë një taksi dhe t’i çojë të takojnë fëmijët që të mos vdesin pa i parë”, tha Natasha e përlotur.

Melsi shpjegoi se i ka ndaluar me vullnetin e tij të lirë, pasi çdo situatë mund të keqinterpretohet nga të tjerët, çka për motrën e tij është thjesht një justifikim.

“Isha me prindërit, babi ishte shumë rëndë. Ai është i sëmurë kardiak dhe nuk operohet dot, por mbahet në jetë vetëm nga disa unaza. E mora disa herë në telefon sepse nuk kisha njeri tjetër. Unë jam e vetme në atë familje, janë vetëm dy prindërit dhe unë. Marr e marr në telefon dhe Melsi hiç. Shtylla e familjes nuk m’u përgjigj, ndaj m’u desh që të merrja komshinjtë që ta çoja në spital dhe tani fatmirësisht është gjallë!”, rrëfeu Natasha.

Por i vëllai u shpreh se kur e ka telefonuar ai ka qenë në seanca gjyqësore dhe nuk mund të ndahet në “400 copa”.

Melsi – Unë një jam dhe kundër të gjithëve. Po bëj maksimumin tim për çdo gjë!

Natasha – Ti nuk e kupton arsyen time të ardhjes këtu… Ne kemi një qëllim të përbashkët, të mbajmë familjen tonë të bashkuar! Familja jonë nuk janë vetëm ato 2 fëmijët, që për shkak të tyre je inekzistent. Janë edhe prindërit tanë!

Melsi – Motër e dashur, ti nuk arrin ta kuptosh që unë që prej 8 Korrikut të vitit të kaluar nuk po shoh fëmijët e mi. Ndoshta ti, zonja Eni që është nënë dhe publiku femër nuk më kupton, por më kupton zoti Ardit dhe shumë baballarë të tjerë.

Juristja Çobani – Nuk do të doja të bëhej kjo ndarje sepse juve në jetë e keni sjellë bashkë me bashkëjetuesen tuaj dhe dashuria është patjetër njësoj. Të jesh i bindur që fëmijët i duam të dy njësoj, edhe burri edhe gruaja.

Natasha – Unë vërtetë nuk jam e martuar, nuk kam fëmijë, por unë kam zemër, shpirt.

Juristja Çobani – Ajo nuk ka krijuar dot një familje, por ju nuk duhet ta lëndoni sepse ajo ka bërë një sakrificë shumë të madhe, ka qëndruar me prindërit. Nuk e bëjnë shumë femra këtë gjë sot, prindërit janë shumë të shenjtë, por secila nga ne vjen edhe me një motiv në jetë që të krijojë jetë, pra të bëjmë familje. Motra që ke ti përballë ia ka hequr këtë të drejtë vetes dhe ia ka dhënë prindërve, ty, fëmijëve të tu dhe ish-bashkëjetueses tënde. Më respekt për Natashën!

Natasha – Nëse babait ose nënës do t’i ndodhte diçka dhe do të ndërronin jetë, ty në ndërgjegjen tënde do të mbetej ndopak peng?

Melsi – Unë në ndërgjegjen time ndihem shumë keq!

Natasha – Ti je njësoj si e ëma! Ajo t’i mohon ty dhe ti na i mohon neve.

Melsi e pranoi që nuk është më i njëjti në raport me familjen, por ngriti gjithashtu pyetjen sesi mund të jetë me këto probleme që ka hasur me ish-bashkëjetuesen e tij.

Ai tregoi se më 6 Prill 2017 është marrë vendimi përfundimtar për kujdestarinë e fëmijëve të tij, e cila iu caktua të ëmës, ndërsa Melsit iu la e drejta për t’i takuar një herë në javë. Por ky vendim është marrë në mungesën e tij dhe të avokatit, pavarësisht se kishte bërë një kërkesë për shtyrjen e kësaj seance gjyqësore për arsye shëndetësore.

Juristja Çobani u shpreh se nëse kjo kërkesë ka patur edhe një raport mjekësor dhe i është bashkangjitur procesverbalit, por gjyqi ka vijuar, atëherë ai duhet të kërkojë procesverbalin për ta vërtetuar këtë fakt.

Ndërkohë që në certifikatën familjare të familjes së tij, të datës 8 Maj 2018, vijojnë të jenë edhe dy fëmijët, të cilët ish-bashkëjetuesja i ka marrë dhe më pas nuk i ka lejuar që të takojnë të atin. Duke u bazuar në këtë certifikatë, Natasha i kërkoi të vëllait të shkojë në shkollën e fëmijëve dhe t’i kthejë në shtëpi.

Por problemi qëndron te vendimi për kujdestarinë e fëmijëve nga Gjykata e Shkallës së Parë, të cilin Melsi ka mundur ta marrë pas 17 ditësh, pasi nuk ka qenë në Tiranë për shkak të detyrës që ka si ushtarak. Në këtë mënyrë ai nuk ka patur më mundësi për ta ankimuar, pasi kishte kaluar afati për ta çuar çështjen në Gjykatën e Apelit. Vendimi mori formën e prerë, duke nisur një kalvar të gjatë gjyqësor nga ana e Melsit.

Në fakt gjithë zanafilla e këtij problemi ka nisur më 6 Prill të vitit 2017, kur Melsi ka bërë kërkesën për shtyrjen e seancës gjyqësore , duke menduar se nuk do të zhvillohej dhe se do të lajmërohej më pas për datën në të cilën do të kryhej. Por kjo seancë është zhvilluar, duke mos qenë prezent as Melsi e as avokati i tij.

Moderatori Ardit Gjebrea ngriti pyetjen nëse është detyra e avokatit për të verifikuar ecurinë e dokumenteve, pra në rastin konkret nëse ishte aprovuar kërkesa e Melsit për shtyrjen e gjyqit. Juristja Çobani shpjegoi se interesimi i avokatit për procedurat e gjyqit është një detyrim moral dhe profesional.

Publiku i programit “E Diela Shqiptare” në këtë seancë ndërmjetësimi votoi për të dy protagonistët, por kryesisht iu bashkuan dhimbjes së Melsit që prej 1 viti nuk mund të takojë fëmijët e tij.

Ai iu drejtua sërish Gjykatës së Shkallës së Parë për të fituar të drejtën e ankimimit, të cilën ia aprovuan, por pati një problem tjetër. Gjyqtarja e çështjes theksoi që për këtë vendim duhej të njoftohej edhe pala tjetër, pra ish-bashkëjetuesja e Melsit. Kjo e fundit iu drejtua Gjykatës së Apelit dhe asaj të Shkallës së Parë që të rrëzohej rivendosja e afatit për ankimim nga ana e Melsit, por nuk iu pranua.

Ndaj dhe juristja Çobani shpjegoi: “Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë është ankimuar, pra zotëria ka ushtruar të drejtën e ankimit dhe jemi akoma në fazat ankimore. Pra vendimi i Shkallës së Parë nuk ka marrë formën e prerë. Çka do të thotë që zonja duhet ta presë këtë kujdestari që të marrë formën e prerë, por deri në atë moment, duke u bazuar edhe në certifikatën familjare, duhet të qëndronin në shtëpinë e babait!”

Eni Çobani e përmbylli duke thënë se duhet të respektohen vendimet e gjykatave, pra masa e përkohshme do të vijojë të jetë në fuqi derisa të marrë formën e prerë vendimi i dytë. Ndaj dhe fëmijët duhet të qëndrojnë me të atin, ndërsa e ëma duhet t’i takojë vetëm në fundjavë.

Seanca e ndërmjetësimit përfundoi sërish me sukses, duke bashkuar sërish motrën dhe vëllain për t’iu përkushtuar familjes me dashuri.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

EDHE UNE KENDOJ!