Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

I prenë ëndrrën për kënduar që në nisje të karrierës së saj sepse vinte nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist. Kjo është historia e Jolanda Laloshit (Gjeluci) nga Shkodra, e rrëfyer në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në TV Klan, nga e bija Anjeze Gjeluci. Kjo e fundit është rritur gjithë jetën me brengën e të ëmës që nuk mundi të dilte në skenë si shoqet e saj.

“Mua më fillon emri me Jo-Landa dhe prandaj kudo më thonë jo, ti nuk do këndosh”, ky ka qenë përherë refreni i Jolandës sa herë i refuzohej e drejta për të ndjekur pasionin e saj. Më 20 Prill të këtij viti ajo organizoi një koncert modest në sallën e Katedrales Katolike në Shkodër, por Anjeza nuk pranoi të këndojë një duet me Jolandën, megjithëse edhe ajo ka trashëguar të njëjtën dëshirë dhe talent si e ëma. Aryseja ishte sepse Anjeza po mendonte për një koncert të përmasave më të mëdha që të kënaqte të ëmën ashtu siç e meritonte për gjithë vuajtjet që ka hequr në jetë.

E ndier në faj që edhe ajo për herë të parë në jetë i tha “jo”, erdhi në programin “E Diela Shqiptare” për t’i kërkuar falje të ëmës, për t’i premtuar që gjithmonë do t’i thotë “po” dhe për të kënduar një këngë së bashku me të. Gjatë rrëfimit të Anjezës nuk kanë munguar lotët, por është lexuar edhe gëzimi në sytë e të dyjave teksa kanë kënduar në duet “Këngën e Nënës”. Por si nisi historia e Jolandës?

Anjeza tregoi se e ëma rrjedh nga një familje intelektuale, ku babai i kësaj të fundit kishte studiuar në Itali, në nivel ekselent, me bursë shqiptare para viteve 1944. Me kthimin në Shqipëri dhe me instalimin e komunizmit, shtëpia e tij u kthye si një bazë ku mblidheshin intelektualët shkodranë, ata të cilët nuk pajtoheshin me ideologjinë politike të kohës. Këtu do të përcaktohej dhe fati i familjes, përfshirë edhe i Jolandës, që ende nuk kishte lindur. Ajo ka trashëguar talentin për muzikën, por për shkak të persekutimit nga regjimi komunist, kjo ëndërr i mbeti e paplotësuar.

Fillimisht ajo ka nisur rrugëtimin e muzikës me mjeshtrin Tonin Daia, i cili i mahnitur nga veshi muzikor dhe vokali i saj, e përzgjodhi për ta bërë pjesë të kuartetit në Festivalin Kombëtar të Fëmijëve. Ajo fitoi pikët maksimale në konkursin “Provoni aftësitë e tua” dhe prej aty kaloi soliste me Leonard Dedën në festivalin lokal të fëmijëve, ku fitoi çmimin e dytë, sepse çmimet e para ishin këngët që i kushtoheshin partisë.

Për shtatë vite ka studiuar paralelisht për kanto, dy vite fizarmonikë dhe dy vite aktrim. Këto kanë qenë si tip kursesh, por që në fund të jepnin një certifikatë për njohuritë e fituara. Pasi mori pak formim si këngëtare dhe regjisore, me mikeshat e saj këngëtare iu besua organizimi i një koncerti. Pak para daljes në shfaqje, një polic hijerëndë shkoi dhe e pyeti: “Ku është Jolanda?”. Me arrogancë i mori çantën dhe ia hodhi në një kamion, sipër rrobave të shtëpisë.

Në atë moment Jolanda pësoi traumën e parë sepse mësoi që do të internohej me gjithë familjen. Iu lut policit: “Aman më lejo ta bëj koncertin”, por ai e kapi me forcë për krahu dhe e shtyu në kamion. Në atë kohë ajo kishte fituar konkursin në shkollën e muzikës, por nuk arriti të shkonte kurrë. Duke qenë mikesha të ngushta me artisten Myfarete Laze, kjo e fundit i shkoi në shtëpi për ta kërkuar, por u përball me shtëpinë e zbrazur.

Ky do të ishte fillimi i një karriere të bukur artistike, por që iu pre në mes. Ajo qëndroi e internuar për shtatë vite në Mal të Jushit, në rrethinat e Shkodrës. Tre vite më pas, artistët e Qendrës Kulturore në fshatin ku qëndronte, e pyetën: “Ti je ajo vajza që këndon? Nëse po, ndërro mbiemrin dhe eja këndo me ne…”.

Vëllai i saj ishte i ndarë nga trungu familjar sepse ishte i martuar dhe jetonte në Shkodër. Kështu ajo u lut dhe me zor të madh e lejuan që të vazhdonte shkollën e mesme në qytetin e Shkodrës, pasi e kishte humbur një vit. Ajo shihej si një nxënëse mbetëse megjithëse ishte nxënëse shumë e mirë.

Në gjimnaz ajo u zgjodh si zëri më i mirë në konkurse mes shkollave të mesme dhe u pranua në një qendër rinore. Duke qenë se doli zë i dalluar e kaluan me disa shoqe në teatër, por kur morën vesh se kishte qenë e internuar, e ndaluan të shkonte. Për gjithë ato vite Jolanda mbeti spektatore e shoqeve të saj.

Pasi mbaroi gjimnazin e përgjithshëm, u rikthye për të mbaruar dënimin në internim, duke punuar në kooperativë me vëllezërit dhe me një motër të sëmurë. Ishin tetë fëmijë me një gjyshe të verbër dhe me babain në burg. Gjyshja mirditore ndërroi jetë dhe u varros me pak persona të pranishëm në ceremoninë mortore. Ajo ka vdekur me rruzare në dorë si besimtare katolike që ishte. Anjeza e kujton kështu një episod nga periudha e internimit të Jolandës, e treguar nga vetë ajo.

“Mamaja ime u rrit me një varfëri të tejskajshme ku fjalia e ditës ishte “doni të hani mëngjesin, drekën apo darkën?”, sepse nuk bëhej fjalë të haje më shumë se një vakt”, u shpreh Anjeza.

Pasi mbaruan internimin, familja u rikthye në Shkodër. Në vitin 1985, miqtë e saj artistë bënë të pamundurën që t’i jepnin një certifikatë të një kursi 9-mujor për kanto në Tiranë, ku doli si këngëtarja më e mirë nga Ansambli i Shtetit me pedagogë Syrri Rroi, Zyliha Sina, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizi, Hysen Koçia etj. Drejtori i ansamblit i dha Jolandës një letër që pas përfundimit të kursit të shkonte tek Televizioni Shqiptar për të filmuar tre këngë me këngëtarët e mirënjohur Shyqyri Alushi dhe Bik Ndoja. Por nuk e thirrën asnjëherë. Edhe aty iu tha “Jo”. Fjala “jo” iu bë aq e zakonshme ndër vite sa filloi të thoshte si për batutë “më fillon emri me Jo dhe prandaj më thonë gjithmonë jo mua”.

Në vitin 1986 u ftua në një premierë me Estradën e Shkodrës dhe pesë minuta përpara shfaqjes i thanë: “Ik se nuk do të këndosh”. Edhe për t’u martuar u martua në një moshë relativisht të madhe krahasuar me shoqet e saj. Bashkëshorti i saj vinte po ashtu nga një familje e persekutuar dhe nuk ngurroi të lidhte jetën me Jolandën, me të cilën patën tre fëmijë. Ishte ndër të paktat herë që dikush i thoshte “po”.

I vetmi vend ku ka kënduar ka qenë në ndërmarrjen Artistike në Shkodër për 10 vite. Pasioni për muzikën vazhdonte, por ajo nuk pati kurrë mundësi ta shprehte talentin e saj përveçse në gëzime familjare. Të njëjtin pasion për këngën Jolanda i’a nguliti në zemër dhe Anjezës, e cila mbaroi shkollën për kanto dhe në këtë mënyrë do të realizonte sadopak ëndrrën e të ëmës.

Edhe në vitet pas ’90-ës Jolanda u ftua rrallë në koncerte të vogla në qytetin e Shkodrës, jaret e famshme të të cilit ajo i këndonte me aq pasion e dashuri. Përpara se të ndahej nga jeta i shoqi, në bashkëpunim me miq të tjerë, i financuan një album muzikor, një ndër të vetmet surpriza që lidhej me karrierën e saj. Anjeza tregoi se prej 15 vitesh e ëma ngushëllohet të dielave në katedralen e Shkodrës si soliste, por asgjë më tepër.

Një vit më parë Anjeza formuloi një projekt me një producent muzikor në Shkodër për një koncert recital të Jolandës. Projekti kishte një vlerë të konsiderueshme financiare dhe ajo e dërgoi në disa institucione shtetërore, prej të cilave mori përgjigje negative. Pavarësisht kësaj, shpirti optimist nuk e la asnjëherë të bjerë në dëshpërim.

“Fshehtas meje organizoi me miqtë e saj më të ngushtë një koncert recital më 20 Prill të këtij viti, në një ambient të vogël që ia ofroi kisha dhe këtë lajm ma dha vetëm 10 ditë përpara, ndërkohë që kishte filluar me provat gjenerale. Në vend që të gëzohesha, u mërzita sepse koncerti nuk ishte ai që unë dhe ajo kishim ëndërruar dhe ishim përpjekur aq shumë. Me atë shpirtin e saj artistik, më fton që të këndoja një këngë duet me të. Duke qenë se u mërzita, nuk pranova. ‘S’ka gjë’, tha ajo, ‘jam mësuar të më thonë jo Landa’. Jam ndier në faj që i thashë ‘jo’, por ishte vonë për të ndërruar mendim dhe nga kjo gjë u nxita që të vij tek “Ka një mesazh për ty” që t’i kërkoj dhe ndjesë. Jam këtu që t’i them “Po Landa” e po të jetë e mundur të këndoj atë këngë që nuk e këndova kur kishte koncertin recital”.

Është pritur me duartrokitje të mëdha dueti i Anjezës me të ëmën, e cila me siguri e kishte pritur prej vitesh këtë moment e këto ovacione. Ajo ka rrëfyer edhe disa nga vuajtjet e saj të viteve të shkuara, por teksa shikonte të bijën dhe dëgjonte mesazhin e saj, u shpreh se tashmë ndihet e kompletuar dhe e lumtur si nënë.

“Le të shërbejë kjo si një pikënisje për projektin e madh. Le të jetë një këmbë e mbarë”, i ka uruar Ardit Gjebrea të dyja, të cilat u larguan me shijen e ëmbël të duartrokitjeve të publikut.

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

Në shumë raste sjelljen e mirë të tjerët ta marrin për dobësi dhe fare lehtë mund të biesh pre e nëpërkëmbjes dhe bullizmit. Kështu ka ndodhur dhe me adoleshentin 15-vjeçar, Sabjanin nga Dushku i Lushnjës. Natyra e tij e qetë, që nuk përzihet në “intrigat” e shokëve, që nuk di të kthejë të keqen me të keqe, të përdorë fjalë të pahijshme për të qenë në “modë”, e kanë bërë atë disi të përjashtuar nga rrethi shoqëror.

Përpos kësaj ata nuk sillen mirë me të dhe gjithë këtë energji negative ai e ka shkarkuar tek e ëma, Flutura në shtëpi. Pavarësisht se mamaja është pika e tij e dobët, kjo nuk e ka penguar që të rebelohet, duke mos iu bindur e shpesh duke i ngritur zërin. Kjo situatë është përshkallëzuar më shumë në dy muajt e fundit dhe duke e ditur se i ka sjellë shqetësim dhe mërzitje, Sabjani i kërkoi falje publikisht tek “Ka një mesazh për ty” në TV Klan.

Megjithëse i emocionuar, përballë moderatorit të programit Ardit Gjebrea ai nuk ka ngurruar të flasë për problemet e tij. Ky është një hap i madh për Sabjanin, duke patur parasysh se si natyrë e mbyllur që është, nuk e ka marrë guximin për të folur me askënd, as me të ëmën.

“Nuk kisha kujt t’i hapesha ndaj mendoja që ta thoja publikisht. Le ta kuptojnë që nuk jam ai tip që ata mendojnë”, i është përgjigjur 15-vjeçari moderatorit Ardit Gjebrea, kur ky i fundit e ka pyetur se përse vendosi të flasë pikërisht tani dhe publikisht. Mesa duket ka arritur një pikë që ai e ka menduar mirë që nuk mund të vazhdojë më me këtë gjendje dhe vendosi që në mënyrë indirekte t’i dërgojë mesazh edhe bashkëmoshatarëve të tij në shkollë se me natyrën e tij të qetë dhe të dashur nuk i bën dëm askujt, përkundrazi jep një shembull si duhet të sillet një njeri normal.

“Në shkollë ndihem paksa “ndryshe” nga të tjerët. Ato kanë tipin të thonë llafe të pahijshme. Kjo më ka bërë mua më të tërhequr. Kur ata më thonin diçka mua, unë nuk kam dashur që t’u kthej përgjigje. Ndoshta nuk mund t’ua ktheja dot atyre fjalën dhe ia ktheja më shumë mamit në shtëpi, në vend që t’ua ktheja personave që e meritonin. Për këtë gjë më vjen pak keq sepse nuk e kam treguar veten si në shtëpi edhe në shkollë”, rrëfeu 15-vjeçari.

Sabjani ndihej në faj për sjelljen e tij të ashpër ndaj të ëmës sepse si kryefamiljare ajo ka plot halle të tjera për t’u përballuar. Ajo ka rritur plot gjashtë fëmijë dhe aktualisht i duhet të kujdeset dhe për një djalë tjetër 30-vjeçar, i cili është invalid që prej lindjes. Duke jetuar në fshat, me punë të rënda fizike, barra e mbijetesës është akoma më e madhe.

“Kam dashur disa herë t’i hapem mamit, por s’e kam patur guximin sepse kam patur frikë se mami do thoshte pse nuk e ngre dhe ti zërin si të tjerët. Me mësime nuk shkoj mirë. Deri në klasën e pestë kam qenë nxënës shumë i mirë, ndërsa këto tre vitet e fundit jo”, shtoi ai.

Sjelljen jo korrekte të shokëve ai tha se e kanë vërejtur dhe mësuesit në shkollë, të cilët janë treguar disi indiferentë, duke qenë se priren të mbajnë afër ata nxënës që ata i shohin si më të “shkathët”. Ai ka provuar të hapet për ndjesitë e tij me një shoqe, e cila “sekretet” e Sabjanit ia tregoi gjithë shkollës dhe kjo e ka bërë të jetë akoma më i mbyllur, që të mos bjerë pre e talljes.

I vetmi vend ku ai ka gjetur “prehje” është komuniteti i krishterë ungjillor, tek një kishë protestante në fshat, ku Sabjani ndihet mirë sepse e kuptojnë dhe e përkrahin. Ai tha se nuk mund të dalë jashtë natyrës së tij dhe formimit të identitetit dhe kulturës që ka marrë nga familja. Për të është më mirë që të tjerët ta respektojnë për shkak të sjelljes së mirë dhe shpirtit human sesa nga arroganca apo frika. Të njëjtën gjë i ka thënë dhe të ëmës kur i dha mesazhin në studion e emisionit “E Diela Shqiptare”.

“Ti e di që kam shumë gjëra për të të thënë, por ngaqë kam emocione po i bie pak shkurt. Të falenderoj për gjithë sakrificat që ke bërë për gjithë ne fëmijët sepse të gjitha problemet ti i ke kaluar me një buzëqeshje. E mbaj mend qëkur isha fëmijë që ti më thoje mua që çfarëdo që të të thonë njerëzit, ti duhet t’ua kthesh me buzëqeshje, duhet të rrish gjithmonë pozitiv. Dua të të premtoj që do të të ndihmoj me punët në fshat sepse e di që aty ka shumë punë dhe nuk do të ngre më zërin. Dua të të kërkoj falje për ato gjëra që kam bërë e që ty të kanë mërzitur”, iu drejtua adoleshenti të ëmës.

Flutura u ndie e surprizuar nga fakti që ishte Sabjani përballë saj në një studio televizive duke i thënë ato fjalë, duke e ditur faktin se ai është natyrë e mbyllur. Ajo e ka pranuar ndjesën e djalit dhe është ndier edhe paksa në faj për faktin se ndoshta nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur për të biseduar për mbarëvajtjen në shkollë e për rrethin shoqëror.

Bullizmi mund të lerë pasoja të pariparueshme në shoqëri. Të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi e t’i paraprijmë të keqes duke folur me fëmijët, miqtë apo të afërmit për problemet që ata kanë. Sabjani sot foli dhe foli publikisht. Ai jo vetëm që ruajti marrëdhënien e mirë me të ëmën, por forcoi pozitat e tij shoqërore. Ndoshta që sot shokët e tij do e shohin ndryshe, si të guximshëm që nuk ka frikë të flasë për problemet e tij dhe që përpiqet t’iu bëjë ballë me dinjitet.

Në Shtator Sabjani do të shkojë në gjimnaz dhe tani për tani mendon që të jetë sa më larg asaj shkolle që ka qenë deri më tani. 15-vjeçari dëshiron të shkojë në një tjetër fshat, jo thjesht për të “harruar” problemet e bullizmit, por për të hapur një faqe të re në jetën e tij shoqërore.

PER DREKE ME MUA!

Ditën e sotme rubrika “Për drekë me mua” u zhvillua në shtëpinë e të vetmes femër në konkurrim. Këngëtarja Çiljeta Xhilaga zgjodhi një menu të sigurt për të kënaqur të ftuarit e saj, gazetarin sportiv Alban Xhihani, dietologen Blerina Bombaj dhe aktorin Gent Hazizaj.

Ajo përzgjodhi të konkurronte me një drekë tradicionale, tipike dibrane, prej nga ka dhe origjinën.

Pjata e parë “Edhe kështu edhe ashtu” ishte një sallatë fshati me perimet e stinës, pjata e dytë “Cucë dibrane” ishin jufka me zogj fshati, ndërsa e treta ishte një ndër ëmbëlsirat më në zë të kësaj treve, “Sheqerpare”, të cilën Çiljeta e emërtoi “S’ke ku vete”. Konkurrentët Albani dhe Genti mbetën mjaft të surprizuar nga dreka, të cilën e shijuan dhe e vlerësuan me 58 pikë.

Gjatë rubrikës “Për drekë me mua”, këngëtarja rrëfeu dy projektet që po përgatit për sezonin veror. Çiljeta Xhilaga ka preferuar që të sjellë dy duete, një me grupin “Alar Band” dhe tjetrën me këngëtaren e njohur Fatmira Breçani.

“Kam vetëm demon, por e shikoj që ka për të dalë një gjë shumë e bukur”, tregoi Çiljeta entuziaste për këtë bashkëpunim.

Në fund të drekës djali i këngëtares, Fernando, i cili e shoqëroi të ëmën gjatë gjithë programit, i shërbeu frutat të ftuarve.

“SHIHEMI NË GJYQ”

Një çift bashkëshortësh është bërë pjesë e seancës së ndërmjetësimit në rubrikën “Shihemi në Gjyq”. Pas 43 vitesh martesë z.Qani është nxjerrë jashtë shtëpie nga bashkëshortja e tij Fiqiretja. Shkak për këtë është bërë një pronë që ata kanë pasur dhe sot rezulton në emër të dikujt tjetër.

Znj. Fiqirete ka qenë gjatë gjithë seancës mjaft e acaruar me bashkëshortin e saj, duke fajësuar atë për problemin që ata kanë sot, duke u shprehur se ai ka ushtruar edhe dhunë fizike ndaj saj.

“E kam nxjerrë përjashta zonja Eni. Ky zotëri më ka sjellë shumë probleme. Është turp të ndahem në këtë moshë 60 vjeçe. Që në vitin `91 që mori pronën e deri në 2002 kam qenë e qetë. Pas 2002-shit e këtej ky njeri më ka sjellë dramë të madhe në familje, më ka sjellë dhunë në shtëpi”, tregoi znj.Fiqirete.

I përlotur, pothuajse që në fillim të seancës, Qaniu tha se nuk donte të vinte në këtë përballje. “Jam katandisur sot nga gabimet dhe fajet e mia, jam flakur në rrugë. Po nuk flakem në rrugë unë se jam burri i shtëpisë!”, u shpreh ai.

“Po nuk zgjidhe problemin me mua nuk bashkohesh ti. O do bashkohem me kalamajt o do marr rrugë tjetër. Ke paguar dhe nuk e ke pronën! Ta kanë marrë pronën. Ku e ke?”, kjo në fakt ishte kërkesa kryesore që znj.Fiqirete kishte ndaj bashkëshortit të saj, kërkesë të cilën ajo e artikuloi nga fillimi e deri në fund të seancës së ndërmjetësimit.

Në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj bashkëshortes, z. Qani tha se e ka bërë nga sikleti, por znj. Fiqirete iu kthye e agravuar: “Po pse mo, unë ta kisha fajin ty që u more me sekser? Çfarë faji të kam unë? 60 vjeç dhe të rrihem unë?”

Juristja Eni Çobani sqaroi se si qëndron problemi me pronën e familjes në fjalë. Familja e z.Qani është pajisur me një aktmarrje toke në pronësi në vitin `93, për një sipërfaqe prej 2020 metrash katrorë nga Komisioni i Tokës Valas.

Ata kanë përfituar nga 1 dynym e gjysëm tokë dhe 400 metra të tjera “në një vend ku rrokulliset breshka”, siç e tregoi vetë z.Qani. “E pagova vreshtin, kam paguar shtëpitë. Kanë ikur miliona. Po nuk e merr njeri atë pronë se jam gjallë unë. Nuk rri si qeni unë në këtë moshë, 70 vjeç! Nuk e lëshoj atë pronë. Atje do vdes”, theksoi ai.

Bashkëshortja nga ana tjetër tha: “Ka 16 vjet që më ke mashtruar! Më ke prishur familjen ore! Zonja Eni si ta besosh këtë? Ai ka 16 vjet që përdor dhunë në familje dhe ka dëmtuar gjendjen ekonomike! Sekseri, që i ka dhënë lekët ky, fle në vilë, ndërsa unë në kasolle!”

Deri në momentin që kanë shkuar në Hipotekë për të legalizuar një banesë të re, bashkëshortët nuk ishin në dijeni të problemeve që kishin me pronën.

Eni Çobani ia bëri të qartë palëve, por edhe publikut se pas KomisioniT të Valasit të vitit `93 është mbajtur dhe një tjetër komision i vitit 2000, Komisioni i Lugajt dhe pas këtij komisioni rezulton se familja e Aqif Allkjës është pajisur me tokë nga ky komision i dytë dhe ka përfituar tokë, e cila mbivendoset me tokën e familjes së z.Qani.

Aqif Allkja ka fituar gjyqin pranë Gjykatës së Apelit Durrës në datën 06.06.2017, me pretendimin se Komisioni i Valasit nuk ka patur kompetencën për ndarjen e tokave të Lugajt.

Pyetjes së Eni Çobanit nëse z. Qani ka marrë pjesë në gjyqet që janë zhvilluar dhe nëse kanë bërë rekurs kundër këtij vendimi të marrë, iu përgjigj bashkëshortja: “Bashkim Musai merrej me ato gjëra. Ky merrej si dëgjues. Merrej mashtruesi me këtë punë!” Pra z. Qani nuk i ka ndjekur vetë seancat gjyqësore që janë zhvilluar, por ka patur një sekser që ka ndjekur të gjitha procedurat dhe ky është Bashkim Musai.

“Ky vete në gjyq për favorin e të tjerëve. Avokat s`kishte kapur. Merrej me sekser. I ke dhënë lekët pa dijeninë time. 12 milionë lekë ka harxhuar”, i tha znj.Fiqirete bashkëshortit të saj.

“Nga mirëbesimi e bëra. Më thonin edhe njerëzit, kujdes se ata do të të hanë. Jo, i thosha unë, i kam vëllezër. Ata ma bënë gropën”, iu përgjigj ai.

“Ky ishte i zoti të sillte dhunë në familje dhe jo të zgjidhte problemet”, iu drejtua znj.Fiqirete juristes Çobani, e cila i konsideroi të pafalshme veprimet e z. Qani.

Eni Çobani u shpreh se shkaktari i këtij problemi është ndryshimi i numrit të parcelës, të cilat janë ndarë nga Komisioni i Ndarjes së Tokës Valas, në bazë të ligjit 7501. Në vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit Durrës, topografi Hysni Bahiti ka thënë se për ndarjen e parcelës numër 66 në terren ka vepruar Komisioni i Ndarjes së Tokës, fshati Valas, por ky arsyetim bazohet në faktorin “kohë”.

“Faktori ‘kohë’ nuk ka asnjë lloj rëndësie se prona merret në një kohë të caktuar dhe qëndron gjithë jetën! Nuk mund të ngrihet një komision sot në vitin 2018 dhe të thotë se ai komisioni i mëparshëm nuk i paska ndarë tokat mirë. Dhe do ia marrim njërit e t`ia japim tjetrit. Ky zotëri është pajisur me ceritifikatë pronësie dhe për këtë mban përgjegjësi shteti. Në këto kushte, z.Qani duhej t`i investohej nëpërmjet një avokati dhe të kërkonte të drejtën e tij, gjë të cilën edhe një herë rezervoj të drejtën, pasi nuk kam lexuar vendimet se zotëria nuk i ka pasur, përveç këtij aktit të ekspertimit. Atëherë unë duhet të shikoj a ka qenë i përfaqësuar ligjërisht. A është zbatuar procedimi përsa i përket dëgjimit të këtij zotërie? Se ky vërtet ka marrë pjesë, por nuk di se sa ka folur gjatë këtij gjykimi”, tha juristja Çobani.

Ndërkohë që znj. Fiqirete vazhdoi të këmbëngulte që nuk do të kthehet me bashkëshortin nëse kjo çështje nuk do të zgjidhet.

Znj. Fiqirete – Zonja Eni, po e zgjidhe problemin ti që të marrë pronën dhe shtëpinë, atëherë do të bashkohet me mua! Boll kam duruar!

Z. Qani – Pse tani do të më lësh ti mua? Në këtë moshë?

Znj. Fiqirete – Po ti e le vetë veten or burr! Ti më le mua, jo unë!

Në fund Eni Çobani premtoi se drejtësia do të vendoset në vend, por duhet durim, duke i bërë thirrje z. Qani që të mos përdorë dhunë ndaj bashkëshortes. Ky i fundit, pavarësisht insistimit të juristes Çobani dhe moderatorit Gjebrea, nuk i kërkoi falje bashkëshortes për dhunën që i ka ushtruar padrejtësisht gjatë gjithë këtyre viteve, por tha: “Fiqiretes i them të më hedhë dorën për fajin që kam bërë, që dhe unë të mos mbetem rrugëve!”

Bashkëshortja e tij ia hodhi poshtë kërkesën, duke thënë: “Dorën do të ta jap kur të zbardhet e vërteta, se jam mes 4 rrugëve!” Kjo seancë ndërmjetësimi u përmbyll me tentativa të kota për të bashkuar çiftin.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

EDHE UNE KENDOJ!