Talk Show nga Ardit Gjebrea!

Për drekë me mua!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Pas përballjes së gjatë me tradhëtitë e bashkëshortit teksa zbuloi se ai kishte një tjetër familje, Elisona i rriti e vetme fëmijët e saj. Vështirësia më e madhe qëndronte tek shëndeti i djalit të vogël dhe “luftës” me diabetin. Vogëlushi 11-vjeçar Aleksandros vuan nga diabeti dhe mamaja e tij Elisona ka treguar kalvarin e gjatë për të përballuar këtë sëmundje të djalit që e ka zbuluar në moshën 4-vjeçare për herë të parë, kur u diagnostikua e kishte 871 mg/dl që mund të kalonte në gjendje kome.

Një nga vështirësitë më të mëdha është regjimi ushqimor që për Aleksin është një mision të cilin nuk e kryen gjithmonë me sukses. Nga qëndrimi i gjatë në spital ai është afeksionuar me kryeinfermieren Entela, e cila i ka falur shumë dashuri. Për t’i marrë një premtim që do i hajë rregullisht ato ushqime të cilat ndikojnë pozitivisht në shëndetin e tij, e ëma kishte zgjedhur si aleate pikërisht pikën e dobët të Aleksit. Ai e ka parandjerë praninë e saj por ka treguar vetëm gërmën e parë e të fundit të emrit që rastësisht përkonte dhe me ato të mamasë. Mes të qeshurave në sallë ai i ka pohuar Ardit Gjebresë se ajo ishte “E” dhe “A” që kishte në mendje. Ka shkaktuar të qeshura pafund prania e tij tek “Ka një mesazh për ty”.

Aleksi i ka premtuar mikes së tij infermiere se do e hante supën, do i bënte rregullisht insulinat dhe ecjet të cilat ndihmojnë fizikun për të qenë në formë. Në fund atij i është dhuruar nga ana e produksionit dhe një aparat modern që e lehtëson matjen e diabetit, procedurë të cilën ai duhet t’a bëjë disa herë gjatë ditës. Aleksi është dashuri dhe një fisnik i vërtetë. Ai i’a dha premtimin infermieres së tij të preferuar Entelës, e mbi të gjitha mamit që kujdeset aq shumë që do i ndjekë këshillat e tyre.

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

Naimi ka katër muaj që nuk komunikon me vajzën e tij Tean sepse kjo e fundit, sipas babait, është lënduar nga një fjalë e nxituar. Edhe pas lotëve e përgjërimeve të shumta, Tea e ka pasur të vështirë që t’a falë babain e saj. Vetëm ndërmjetësimi i Ardit Gjebresë tek “Ka një mesazh për ty” në Tv Klan, ka bërë që babë e bijë të shkëmbejnë një gjysëm përqafimi pas katër muajsh. Shkak për këtë konflikt është bërë një fjalë e nxituar e Naimit që ka lënduar jo vetëm vajzën e tij 18-vjeçare, por dhe të fejuarin e saj. Vajza nga Tirana është njohur disa muaj më parë në Facebook me Redin nga fshati Drenovicë i Beratit.

Ata kishin vendosur që lidhjen e tyre ta zyrtarizonin, por kjo nuk është pritur mirë nga prindërit e Teas. Në atë kohë ajo ishte vetëm 17 vjeçe, në shkollë dhe prindërit kishin të tjera pritshmëri për të. Por zemra ka dominuar mbi arsyen dhe një ditë, vajza vendos të largohet nga shtëpia duke e parë se me prindërit nuk do arrinte një kompromis. Në rrethana të tilla, Naimi e pranoi fejesën e Teas dhe bashkëjetesën me Redin. Ajo që e bëri të ndryshonte disi qëndrim ishte momenti kur shkoi për të vizituar vajzën në Drenovicë të Beratit.

“Nuk mund të gjeje një djalë tirane por një fshatar nga Berati”, i kishte thënë ai i zhgënjyer të bijës. Kjo fjali i ka rindezur tensionet mes Teas dhe babait të saj të cilit i ka kërkuar që të mos kishin më asnjë lloj kontakti. Pas katër muajsh tentativash të dështuara për t’u pajtuar, Naimi ka provuar mundësinë e fundit që të rregullojë marrëdhënien me të bijën. Tea dhe Redi nuk janë surprizuar kur nga krahu tjetër i murit tek “Ka një mesazh për ty” kanë parë Naimin e përlotur.

Redi, i fejuari i Teas, është larguar nga studio pak sekonda pasi ka parë vjehrrin e tij duke u shprehur që “unë nuk dua t’a takoj këtë person, vajza të vendosë si të dojë”. Por mesa duket çifti kishin bërë të njëjtin plan që të mos i jepnin një shans të dytë Naimit. Ky i fundit mes lotësh i ka kërkuar falje të bijës dhe të fejuarit për fjalët e nxituara.

“Je gëzimi im i parë. Të gabosh është njerëzore, të falësh është hyjnore. Do doja që të isha në dasmën tënde”, i ka thënë Naimi vajzës e cila ftohtë dhe prerë ka refuzuar që t’i japë një shans të afërt për t’u pajtuar. Pas insistimeve të shumta të Ardit Gjebresë, Tea ka pranuar përqafimin e babait duke hedhur një hap të vogël drejt sheshimit të këtij konflikti.

Sipas vajzës janë edhe disa aryse të tjera që e kanë shtyrë që të mos ketë kontakt me babain, të cilat nuk pranoi t’i bëjë publike. “Koka e falur, nuk pritet”, tha Naimi. Shpresojmë që marrëdhënia babë e bijë të normalizohet dhe Tea t’i japë një shans të dytë të atit.

“SHIHEMI NË GJYQ”

Në seancën e sotme të ndërmjetësimit në “Shihemi në Gjyq” në programin “E Diela Shqiptare”, ishin nënë e bir, Valbona dhe djali i saj, Egli. Konflikti mes tyre kishte lindur pas vdekjes së vajzës 23-vjeçare Lediona, pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin e Pogradecit. Vajza ishte ankuar për dhimbje barku dhe pas analizave që i ishin bërë në spital ishte diagnostikuar me apandesit akut.

Sipas deklaratës së nënës së të ndjerës Valbona, e cila kishte qëndruar pranë vajzës në spital, mjekët kishin deklaruar se operacioni kishte shkuar mirë. Siç dëshmon Valbona vajza pas daljes së narkozës kishte qenë e ndërgjegjshme dhe kishte kërkuar vëllain dhe të atin, por më pas kishte filluar të lëvizte shumë dhe pak minuta më vonë kishte ndërruar jetë.

“Vajzën e kam çuar bashkë me djalin në spital. Si zakonisht u ngritëm në mëngjes dhe vajza më tha që ndjente një dhimbje tek barku. E çova në tualet dhe s’po e ngrija dot më, erdhi edhe djali dhe të dy e kthyem në shtrat. Nuk ishte hera e parë që e zinte ajo dhimbje, e kishim çuar edhe në urgjencë më parë. Me aq informacion sa kisha, i vura një gjë të ftohtë tek barku, aq kisha dëgjuar. Nuk i pushoi dhimbja. I thash djalit ta çonim në spital me makinën e punës së pronarit të djalit, e çuam dhe djalit i thash ik në punë se qëndroj vetë në spital. Nuk e dija që po e çoja me duart e mia drejt vdekjes. Aty u përballëm me ndërrimin e turneve sepse ishte mëngjes. I treguam shqetësimet që kishte vajza. I bënë dy qetësues. Me thanë që duhej të bënte analiza, i bëri, bëri edhe eko. Më është thënë që ishte një krizë apandesiti. Hyri me këmbët e veta në operacion. Fjalët e doktorit ishin: “Gjendja është e avancuar dhe vajza duhet të hyj në operacion për apandesit”. I thash vajzës bëhu e fortë sepse edhe unë e kisha bërë këtë gjë. Kaq pashë. Prita, por nuk e mora djalin në telefon sepse thashë të mbarojë operacioni. Qaja ndërkohë që prisja, isha e këputur. Doli infermierja më tha që operacioni doli me sukses. Doli vajza nga operacioni, nuk kishte ndonjë shqetësim. Mjekët ishin aty. U përmend, tha emrin e saj. Filloi të lëvizte shumë dhe më tha: “Fryji plagës”. Më pyeti ku është babi dhe a po vjen vëllai. Në orën 11 vajza ndërroi jetë. Ishte 23 vjeç”, tregoi Valbona.

Por përveç historisë së dhimbshme dhe humbjes së vajzës në familjen e tyre kanë nisur konfliktet nënë e bir për shkak se Egli kërkon të merret vetë me çështjen që sipas mjekëve ligjorë të thirrur nga Prokuroria, shkaku i vdekjes ka qenë fotoksina.

Valbona: Përveç historisë së dhimbshme unë kam debat prej një viti me djalin, me të cilin nuk po gjejmë dot gjuhën e përbashkët. Ku nuk kam trokitur për të marrë një të drejtë. Askush nuk ma hapi derën.

Egli: Përse më ke thirrur mua këtu?

Valbona: Do ta dëgjosh edhe ti përse të kam thirrur. Të kam thirrur për të të mbrojtur, jo për të të dënuar.

Egli: Përse të më mbrosh mua?

Valbona: Zonja Eni, një fëmijë ma mbuluan me dhe, këtë dua ta mbroj se e kam si sytë e ballit, por konflikti në familje nuk ka të reshtur. Çdo gjë unë e kam marrë vetë në dorë.

Egli: Përse nuk më ke lënë edhe mua të marr pjesë në atë çështje?

Valbona: Nuk mundesh sepse nuk ka shtet.

Egli: Me ata njerëz që je ndeshur ti dua të ndeshem edhe unë.

Valbona: Nuk dua të të fus më në këtë çështje. Dua t’i dal vetë në krye. Ti e di vetë si e kam marrë vajzën e kam çuar në spital dhe të kam larguar. Në datë 6-të vajza ime mbush tre vjet që është ndarë nga jeta.

Egli: I thash nënës të më merrte në telefon për çdo gjë që mund të ndodhte. Më ka marrë vetëm kur ka ndërruar jetë motra ime. Mua më kanë vrarë motrën dhe unë do t’i vras.

Ndërkohë zonja Eni Çobani sqaroi se pas vdekjes së 23-vjeçares çështjen e ka ndjekur prokurori Erjon Pustina dhe sipas mjekëve ligjorë të thirrur nga Prokuroria, shkaku i vdekjes ka qenë fotoksina. Ajo deklaroi se ka komunikuar edhe me mjekun që ka kryer operacionin, i cili ka deklaruar se diagnoza e 23-vjeçares që kishte operuar ka qenë “apandesit akut” dhe në trupin e saj nuk ka pasur fotoksinë ashtu siç pretendon ekspertiza.

“Çështjen e ka ndjekur prokurori Erjon Pustina. Çuditërisht edhe pse vajza është futur në operacion me diagnozën “apandesit akut”, nga ekzaminimet e mjekësisë ligjore vajzës i ka dalë që në stomakun e saj kishte lëndë toksike, fotoksinë dhe shkaku i vdekjes është përcaktuar nga fotoksina. Pra fajtore ka dalë Lediona dhe jo mjekët që e mbajtën 5 orë në spital dhe i bënë analizat. Sipas mjekëve ligjorë të thirrur nga Prokuroria, shkaku i vdekjes ka qenë fotoksina. Ekspertiza mjeko-ligjore është bërë nga tre mjekë Hasan Laho, Fatos Sinani dhe Elmaz Shaqiri. Hasan Laho nuk e ka firmosur ekspertizën. E kam telefonuar, por nuk përgjigjet. Unë dua të di nëse ka qenë apo jo dakord ai me ekspertizën e mjekësisë ligjore. Ekspertiza është firmosur vetëm nga dy mjekë dhe jo nga tre. Kam telefonuar edhe mjekun që e ka operuar dhe është treguar i gatshëm për të thënë të vërtetën. “Për mua vajza ka pasur apandesit. Nuk mund të pranoj që vajza ka pasur fotoksinë në trup”, më tha mjeku që ka kryer operacionin”, tha Çobani.

“Kam tre vite që nuk gjej drejtësi, ky është shtet mikrob dhe këta janë gjakpirës, prandaj nuk dua ta përziej djalin në këtë histori sepse kam shumë frikë. Djali ka qenë aty kur është bërë autopsia, unë nuk kam qenë në gjendje. Kanë bërë masakër me të, trupi i saj ishte i gjithi i kapur me kapse. Kanë bërë masakër. Asnjëri nga ne nuk ka firmosur për autopsi aty. Vetëm vëllai im ka firmosur për marrjen e trupit”, shtoi më tej Valbona.

Në lidhje telefonike ishte edhe daja i 23-vjeçares së ndjerë Enveri, i cili konfirmoi se kishte hedhur firmën vetëm për të nxjerrë trupin e pajetë nga morgu dhe jo për të kryer ekspertizë. Sipas tij mjekët kishin deklaruar se vajza kishte ndërruar jetë pas një mpiksje gjaku në tru.

“Jam thirrur në katin e dytë të spitalit, kanë qenë katër veta të ekspertizës mjeko-ligjore aty dhe më kanë thënë që vajza ka ndërruar jetë nga një mpiksje gjaku në tru. Unë kam hedhur firmën vetëm për të nxjerrë trupin nga morgu, asgjë tjetër”, tha Enveri.

Në fund të rubrikës Çobani gjithashtu tha se këtë çështje do ta ndjekë vetë në një gjyq civil për t’i shkuar deri në fund dhe për të gjetur shkakun e vdekjes së 23-vjeçares.

“Ne do t’i drejtohemi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec bashkë me dosjen që kanë bërë këta drejtues të kësaj Prokurorie në një gjyq civil ku të nxjerrim përgjegjësinë përfundimtare të shkakut të vdekjes së vajzës. Është hera e parë që unë pranoj publikisht që do të shkoj në një gjyq. Pasi të mbaroj ky gjyq siç bëra publik vendimin e prokurorit, do të bëj publik edhe vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec”, tha Çobani.

BE coffee!