Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Megjithëse duke qenë dhe vetë një fëmijë, Xhena nuk ka kursyer asgjë për të zhvilluar aftësitë e vëllait të vogël autik që të flasë e të shkojë në shkollë si të gjithë bashkëmoshatarët e tij. Pas 14 vitesh përpjekjet e saj janë shpërblyer më së miri, duke i dhuruar një burse studimi për psikologji.

Edlira ftoi të bijën tek emisioni “E diela shqiptare” në TV Klan për t’i dhënë një mesazh tek rubrika “Ka një mesazh për ty”. Që prej diagnostikimit të Lorencos me autizëm, kur ai ishte vetëm 18 muajsh e deri më tani, jeta e familjes ka ndryshuar krejtësisht.

E gjithë energjia e prindërve është përqëndruar tek ai, duke lënë padashur pas dore Xhenën, e cila pas pak muajsh duhet të vazhdojë universitetin. Duke u ndier në faj që nuk ka mundur t’i plotësojë dëshirat si fëmijë e adoleshente të bijës, Edlira kishte dhe një shqetësim tjetër, se mos i kishte imponuar të bijës shumë zgjedhje në jetë, përfshirë dhe dëshirën për të studiuar psikologji që në të ardhmen të kujdeset për vëllain e saj.

Ky merak i nënës buronte pikërisht nga disa shenja “rebelizmi” të Xhenës kohët e fundit, që sipas Edlirës janë krijuar nga fryma e të afërmve të familjes, të cilët kërkonin që ajo të pranonte realitetin e të dorëzohej.

Sipas tyre, Lorenco thjesht duhej të ushqehej sepse për të tjerat nuk mund të bëhej asgjë. Këto fjalë e kjo frymë e ka lënduar e lodhur më shumë Edlirën dhe bashkëshortin e saj, më shumë sesa përkushtimi 14-vjeçar për të birin autik.

Si shumica e fëmijëve edhe ai kishte ardhur në jetë si fryt i dashurisë. Për Edlirën, lindja e Lorencos ka qenë një gëzim akoma më i madh, duke qenë se nuk ka pasur kurrë një vëlla dhe fëmijën e parë e kishte vajzë.

Kur ishte vetëm 18 muajsh ajo e kuptoi se diçka nuk shkonte me të birin, që nga mënyra sesi ngjiste shkallët. Pas vizitave dhe konsultimeve të vazhdueshme u përball me termin “autizëm”, që për të ishte i panjohur.

Nëna e kujton me dhimbje momentin e parë kur ka testuar aftësinë e djalit për të reaguar e për të kuptuar më shumë se cila do jetë pak a shumë e ardhmja e tij.

“Atë ditë nuk kam për ta harruar kurrë se e mora nga Qendra e Zhvillimit në Kombinat dhe deri tek “Zogu i Zi” në këmbë. Binte dhe një shi atë ditë dhe mendo, si mundet një fëmijë që mos të të dalë një herë përpara e të të kërkojë që ta marrësh në krahë se është lodhur? Kjo do të thotë shumë. Ai nuk bëri as lëvizjen më të vogël, ashtu siç e tërhiqja unë në shi… Nuk e kuptoja se çfarë po bëja, por në logjikën time doja të dija se çfarë është autizmi. Vetëm kjo më shtynte. Aty ndalova dhe i thirra mendjes se çfarë po bëj. Shoh Lorencon qull, vetë qull. E mora në krahë dhe më dha shumë për të kuptuar”, rrëfeu ajo e emocionuar.

Pasi bëri këtë “test” të vështirë, Edlira u përpoq të gjente informacion me sa kishte mundësi se si mund të trajtohej një fëmijë me autizëm. Për t’i ardhur në ndihmë maksimalisht, ajo shiti shtëpinë dhe çdo kursim i familjes shkonte për terapinë e Lorencos. Kjo përpjekje titanike e nënës dukej si një luftë me mullinjtë e erës për rrethin familjar, të cilët e kishin të lehtë të logjikonin nga pozitat e tyre e t’i sugjeronin Edlirës zgjidhje të thjeshta.

“Ky qe fati, lëre. E rëndësishme është ta lash e ta shpëlash, mos t’i ngeli gjë mangët e të vazhdojë jetën. Dikush më thoshte që s’ke për t’ia dëgjuar zërin kurrë. Vazhdova me kokën time aq sa në fund jam hasur me presionin: në shtëpinë tonë mos trokit kurrë. Dihej që kostoja ishte shumë e lartë për këtë fëmijë. Por unë i kisha vënë një qëllim vetes. O do i’a dëgjoja zërin ose do vdesim të dy. Njerëzit e afërm më kthyen shpinën 100% dhe këtë luftë duhej ta përballoja e vetme. Burri duhej të mbante punën. Kishim dhe një vajzë që nuk kujdesej njeri për të hante apo nuk hante”, u shpreh Edlira.

Pikërisht për fjalët që thonin të afërmit, Edlira tha që ata kanë krijuar të çara të forta në familje. Për vite të tëra nuk ka folur me njerëzit e familjes sepse ata nuk e konceptonin faktin që ajo të shiste gjithçka për një fëmijë që sipas tyre “as nuk do i dëgjohej zëri ndonjëherë”.

Por sot ajo tha se është e lumtur sepse jo vetëm që ka arritur t’ia dëgjojë zërin, por ta çojë edhe në shkollë. E gjithë kjo sakrificë ka rënduar mbi Xhenën, e cila është rritur vetë, jo si një fëmijë që llastohet e përkëdhelet nga prindërit, por përkundrazi duke qenë një dorë e fortë ndihmese.

Edlira e pranoi se falë ndihmës së Xhenës, vëllai i saj sot është ai që askush nuk priste të ishte sepse ajo nuk është lodhur kurrë duke u kujdesur e duke e mësuar të jetë social.

Pasi kaluan disa vite, Edlira vendosi “paqe” me të afërmit e saj, pikërisht që fëmijët të mos ndiheshin vetëm. Që nga ajo kohë është rritur një tjetër shqetësim. Të afërmit e kanë “fryrë” Xhenën me idenë se e ëma kontrollon jetën e saj përtej limiteve. Kjo është vënë re edhe në zgjedhjen e degës së psikologjisë si preferencë studimesh për të ardhmen. Ka patur nga ata të cilët kanë hamendësuar se kjo ka qenë zgjedhje e nënës për të bijën që në të ardhmen Lorenco të ketë një “kujdestare”.

Kjo e ka vrarë shumë Edlirën sepse siç thotë ajo, psikologjia është zgjedhje personale e Xhenës dhe jo nxitje nga ana e saj. Duke qenë adoleshente, ajo mund të jetë “rebeluar” ndonjëherë ndaj të ëmës dhe kjo është përkthyer nga Edlira si një shenjë refuzimi nga vajza. Ky ka qenë meraku i saj që e ka sjellë deri në studion e “Ka një mesazh për ty” që t’i japë përgjigje publikisht edhe atyre që fusin hundët në marrëdhënien nënë e bijë.

Përgjigjen më të mirë e ka dhënë Xhena e cila me sytë e përlotur është shprehur: “Dua të studioj psikologji që t’i jap shtysë një personi që e dua shumë. Kam vëllain me autizëm”.

Pasi i kërkoi falje për të gjithë ato gjëra që nuk ka mundur t’i ofrojë gjatë jetës dhe pasi mori përgjigje për pyetjen që e shqetësonte, nënë e bijë janë përqafuar mes lotësh pa e ditur se i priste një surprizë.

Të gjithë këtë histori prekëse po e ndiqte nga regjia Arbi Agalliu, administratori i Universitetit Europian të Tiranës, i cili po ashtu i emocionuar i ka dhënë lajmin e mirë Xhenës se asaj i është ofruar një bursë e plotë studimi falas për psikologji si dhe 25 mijë lekë në muaj për gjithë vitet e studimeve. Universiteti ka marrë përsipër dhe punësimin në profesionin e saj pas studimeve, duke e çuar ëndrrën e Xhenës drejt realizimit përfundimtar.

Këto janë ato gjërat e “vogla” që bëhen me dashuri të madhe. Xhena fitoi një bursë studimi për psikologji jo vetëm për të qenë e dobishme për vëllain e saj Lorencon, por edhe për shoqërinë. Tashmë edhe Edlira është më e qetë sepse një prind i mirë sakrifikon dhe orienton fëmijën drejt vlerave më sublime.

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

“Të jetosh për vetveten, jo për të tjerët”, kjo është ajo çfarë ka kuptuar Ermelinda pas dy martesave të dështuara ndër vite. Në të dyja rastet familja ka qenë “shkuesi” i martesave të saj.

Megjithëse kjo është thjesht një rastësi e fatit, babai i saj ndihet në faj. Vajza erdhi tek emisioni “E Diela Shqiptare” në TV Klan për t’i thënë prindërve që të lirohen nga kjo barrë dhe se pavarësisht gjithçkaje ajo ndihet e lumtur.

Prej tre vitesh ajo jeton në Zvicër, vend i cili i ka ofruar mundësi të reja për të punuar e për ta parë jetën në një tjetër këndvështrim. Duke qenë mësues me profesion, babai i saj Aliu nuk e ka patur të lehtë të pranojë faktin që vajza nuk vazhdoi studimet e larta dhe se bashkëjetesa i qëlloi dy herë me personat e gabuar. Përtej dëshirës së prindit për ta parë fëmijën të jetë i lumtur e të ecë përpara, është edhe opinioni i zonës ku jetojnë ai që i vret vazhdimisht.

Pasi mbaroi gjimnazin, 12 vite më parë, Ermelinda nuk dëshironte të vazhdonte shkollën e lartë megjithëse babai i saj i lutej sepse donte të vazhdonte në gjurmët e tij. Në moshën 19-vjeçare u fejua me shkuesi me një person, të cilin ia sugjeruan prindërit. Pas një bisede jo më shumë se 30 minuta dy të rinjtë i dhanë fjalën njëri – tjetrit dhe këtu nisi bashkëjetesa e tyre. Ajo shkoi të jetonte tek familja e të fejuarit dhe vetëm dy ditë më pas filluan sherret me vjehrrën.

“Një nuse duhet të ngrihet në mëngjes e t’i bëjë kafen vjehrrit dhe vjehrrës. Një nuse duhet të lajë, të shpëlajë, të pastrojë e të kujdeset për shtëpinë”, kanë qenë fjalët tipike të vjehrrës së Ermelindës, si pikënisje për grindjet e vazhdueshme.

Megjithëse bashkëshorti i kishte thënë që të mos i jepte rëndësi fjalëve të nënës së tij, ai u largua drejt Greqisë si emigrant dhe nuses së re i duhej të përballej çdo ditë me “tekat” e vjehrrës, që i shtonte sulmet nga dita në ditë.

Ermelinda tregoi se ajo bënte çdo përpjekje për ta ulur, ofenduar dhe dekurajuar që të vazhdonte martesën. Gjërat arritën deri aty se vjehrra i thoshte “vizitohu sepse duhet të jesh e sëmurë me leuçemi që je kaq e dobët”. Rezultatet e analizave duhej t’ia jepte vjehrrës për të provuar të kundërtën që nuk kishte asnjë problem shëndetësor.

Ajo kontrollonte telefonatat që Ermelinda bënte me bashkëshortin në Greqi, kontrollonte paratë që ai i dërgonte dhe duke parë se çifti i ri e mbante konstante lidhjen pavarësisht sulmeve, ndoqi taktikën tjetër. Filloi t’i fliste keq të birit për nusen dhe ai fatkeqësisht besoi të ëmën. Rralloi telefonatat deri në heshtjen e plotë. Kështu u prish martesa e parë, pa i shijuar asgjë të bukur, por vetëm grindje e intriga.

Normalisht që prindërit e Ermelindës e përjetuan shumë keq këtë që i ndodhi vajzës së tyre, por dy vite më vonë i sugjeruan një tjetër person për të lidhur jetën. Me keqardhje Ermelinda kujtoi se u përsërit e njëjta histori.

“E meta e tij ishte sepse ai pinte alkool dhe luante bixhoz dhe kur e kam marrë vesh këtë më ka rënë si bombë”, rrëfeu ajo. Të gjitha problemet dhe sfidat që u përballën, ajo i ka kaluar vetë dhe me ndihmën e familjes, pasi bashkëshorti i dytë nuk kontribuonte në asgjë. Pas 8 vitesh martesë, duke provuar fatin sa në Shqipëri dhe jashtë saj, Ermelinda vendosi t’i thotë “stop” vuajtjeve. Ajo kishte filluar ta donte atë person me gjithë të metat e tij, por duke e parë se ai nuk kishte dëshirë të ndryshonte, mori vendimin që të mos vuajë më as ajo e as familja e saj.

Ndërkohë që Ermelinda e ka kaluar tashmë këtë kapitull të errët në jetën e saj, ata të cilët ndihen në faj dhe ende nuk e mbledhin veten, janë prindërit e saj. Prindërit ndihen në faj që nuk kanë këmbëngulur që vajza të vazhdojë studimet e larta dhe mbi të gjitha që i kanë sugjeruar dy persona, të cilët jo vetëm që nuk arritën të krijojnë një familje të shëndoshë, por i morën disa nga vitet e rinisë vajzës së tyre.

“Unë vërtetë nuk vazhdova shkollën e lartë, por kam vazhduar shkollën e jetës që ndonjëherë është akoma më e vlefshme. Më ka bërë kjo që unë jam sot. Nuk dua të shoh më lot në sytë tuaj sepse dhe në sytë e mi kanë mbaruar tashmë lotët. Unë e kam gjetur lumturinë e shpirtit tim dhe nuk dua të merakoseni për mua e të ndiheni fajtorë apo të dëgjoni opinionin publik. Ky ishte fati im. Unë prej një viti kam parë vetëm gjëra të bukura”, u tha Ermelinda prindërve në studion e emisionit “E Diela Shqiptare”.

Betejën më të madhe çdo njeri e ka me vetveten për të kuptuar rrugën që të çon drejt lirisë personale, pa cenuar atë të tjetrit. Ermelinda ka krijuar “imunitet” ndaj opinionit të të tjerëve dhe këtë gjë kërkon që ta kenë dhe prindërit e saj. Në fund të fundit, si i thonë? Çfarë nuk të vret, të bën më të fortë!

PER DREKE ME MUA!

Këngëtarja Çiljeta Xhilaga ka mbyllur me fitore finalen e fundit të rubrikës “Për drekë me mua”.

E ftuar nga konkurrenti i saj, gazetari sportiv Alban Xhihani bashkë me aktorin Gent Hazizi, vetëm me një pikë më shumë, Çiljeta siguroi fitoren.

Edhe Albani, sikurse ajo, garoi me gatim tradicional. Pjata e parë, që e quajti “Karamele”, ishte byreçka me rikota të stiluara në formë karameleje. E dyta, e quajtur “Gjellë pasanikësh”, ishte një pulë me petë dhe me domate. Ndërkohë që pjata e tretë ishte ëmbëlsira me shërbet “Paçavure”.

Vetëm një pikë vendosi fitoren mes Albanit dhe Çiljetës, në favor të kësaj të fundit. Pikë që sipas llogaritjeve është fituar nga pjata e tretë e saj, që ishte një sheqerpare tradicionale dibrane.

“SHIHEMI NË GJYQ”

Një borxh është bërë shkak që dy vëllezër të përballen me njëri-tjetrin në seancën e ndërmjetësimit, në rubrikën “Shihemi në Gjyq”. Nuriu ka qenë ai që ka kërkuar përballjen me vëllain e madh Haxhiun, që e konsideron në vend të babait, për shkak të moshës së tij.

Nuriu i ka ardhur shumë në ndihmë të vëllait, por ka ardhur një moment që ai nuk mund të tolerojë më. Ai tregoi se është stresuar shumë për këtë problem dhe ka pasur edhe kontradikta me gruan.

“E kam prurë këtu byrazerin se në vitin`91 mori 16 dynym tokë pa 24 metra. Byrazeri më tha do iki në Greqi se nuk kam mundësi ekonomike dhe më tha që të ndihmoja nipërit dhe kunatën”, u shpreh ai.

Nuriu tregoi se edhe pse vëllai e kishte tokën me tapi, kunata kishte grindje me banorët e tjerë të zonës për shkak të saj.

“Ishte një Bari aty që nuk e linte të punonte tokën. Bariu ishte ai që i kishte zaptuar tokën Haxhiut”, tha Nuriu, duke treguar se i ka dalë zot tokës së vëllait, si dhe e ka ndihmuar nga ana ekonomike. Ai tha se Bari Ymeraj i kishte shkuar në shtëpi dhe i kishte kërkuar të largonte kunatën nga ajo tokë, pasi ishte toka e tij.

“Bleva naftën, mora traktorin dhe doja të punësoja dikë që të lëronte tokën. Traktoristi nuk vinte sepse thoshte që Haxhiu nuk ka lekë, është dobët. Do vish ta lërosh tokën i thashë se lekët e tua janë këtu në xhepin tim”, tregoi Nuriu që i pagoi vetë paratë për të ndihmuar vëllain.

Ndërkohë që po lëronte tokën, shkoi Bariu me dy vëllezërit dhe djalin për ta penguar, me pretendimin se tapia e Haxhiut ishte e falsifikuar. Por Nuriu ishte i sigurt që do ta zgjidhte keqkuptimin me ta, pasi ishin rritur bashkë dhe i konsideronte vëllezër. Por përpos kësaj, Nuriu është shqetësuar me të vëllanë, pasi pretendon se i ka dhënë para borxh vëllait disa herë, madje edhe kur ai ka ikur në Greqi.

“Të kam ndihmuar dhe jam bërë copash.Ça të bëj tani? Më ke futur në konflikt me gruan! I kam dhënë 400 mijë Dhrahmi”, u shpreh ai, por Haxhiu nuk pranoi që t’i ketë borxhe të tjera të vëllait, përveç shumës prej 435 mijë lekë të vjetra që i ka dhënë për të ndjekur gjyqet.

“Unë s`kam marrë kurrë Dhrahmi te ky!”, tha Haxhiu, ndërsa i vëllai iu kundërpërgjigj: “Ne kemi kaluar mirë dhe unë të kam respektuar. Por më ke 2 milionë lekë. Kam lënë punën time. Unë lekët t`i dhashë ty, ti s`mban mend!”

“Unë mend s`mbaj, i mbajnë gratë që kanë shënimet. Te jot shoqe unë s’kam marrë asnjë kokërr leku”, kundërshtoi Haxhiu.

Pas replikave, herë pas here edhe me humor të vëllezërve, Nuriu i bëri Haxhiut një propozim: nëse nuk ka para për t’i shlyer borxhin, ta shpërblejë atë me 2 dynym tokë. Haxhiu iu përgjigj propozimit të vëllait: “Në këtë moshë më nxorre bojën në publik, kur të vemi atje (në shtëpi) do i zgjidhim këto muhabete. Po të pata 2 milionë lekë, do të të jap 4 dynym , jo 2 dynym. Por po s`të pata borxh, asnjë dynym nuk të jap!”

Ai këmbëngulte që ia ka shlyer borxhin vëllait, por ky i fundit e mohoi vazhdimisht këtë gjë. Nuriu e justifikoi vëllain që nuk i mban mend borxhet, pasi kanë qenë 11 persona në një shtëpi dhe problemet ekonomike kanë ndikuar shumë te ai.

Haxhiu u shpreh se i vjen turp që gjenden në këtë situatë, ndërsa i vëllai iu drejtua: “Po të të vinte turp, nuk do mohoje lekët e vëllait dhe gjakun. Se unë të jam gjendur pranë, të kam ndihmuar jo me interes. Borxhin ta kam dhënë borxh, por jam bërë dhe unë me stres dhe me kontradikta me gruan”.

Nuriu tha se nëse nuk do ta kishte ndihmuar të vëllanë do të kishte përfunduar ndërtimin e pronave të tij dhe më pas do t’i kishte shitur. Por pa hezituar fare ai vendosi ta ndihmojë Haxhiun, pa e ditur se ky i fundit do t’ia mohonte borxhet.

I pyetur nga juristja Eni Çobani nëse kanë dokumente për të vërtetuar borxhin, Haxhiu tha se “gratë i kanë sekretare”, pasi ato i mbajnë të gjitha llogaritë.

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” i dha të drejtë Haxhiut, çka e habiti shumë Nuriun. Ky i fundit u shpreh se ka bërë gjithçka për vëllain, por nuk ka besim më te ai se herë i thotë që do t’i japë tokë në një terren tatëpjetë dhe herë në një terren të mirë.

Vëllezërit u pajtuan vetëm pasi Haxhiu premtoi që do të firmoste një deklaratë te znj. Eni Çobani për premtimin e dhënë, duke e përfunduar kështu me sukses seancën e ndërmjetësimit mes dy vëllezërve.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

EDHE UNE KENDOJ!