Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

I pari që erdhi në studion e “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” ishte babai i Kristinës, zoti Riza.

“Mos, po ti e bërë këtë mi shpirt i babit… o tu bëftë babi”, me këto fjalë dhe me sytë me lot iu drejtua zoti Riza vajzës së tij Kristinës, kur në ekran u shfaq fytyra e saj. Ai u shpreh shumë i surprizuar dhe tha se nuk ia merrte mendja që ishte pikërisht vajza e tij që e kishte thërritur në studio, mbi të gjitha pasi ajo jeton në Gjermani. Ai tregoi se kishte folur me të bijën një ditë më parë.

Sigurisht, zoti Riza e dëgjoi mesazhin e Kristinës me shumë kënaqësi, ndërsa u njoh edhe me kërkesën e saj.

“Ti e di që je pika ime e dobët, që të dua shumë. Kam ardhur këtu vetëm për ty dhe vetëm për nënën. E di sa rrugë e gjatë është apo jo, ti e di që unë e kam frik avionin dhe erdha me autobus. Në radhë të parë kam ardhur për të të falenderuar. Je kujdesur aq shumë për ne, sa tani do doja që të kujdeseshe më shumë për veten tënde. Doja të të thoja që ke një vullnet të paparë. Do doja shumë që siç le duhanin të lesh edhe atë tjetrën (alkoolin). Kjo për faktin sepse dua që nëna të vijë të jetojë me ju në Tiranë. Do doja që nënës t’i premtonim të dy bashkë që ti nuk do e teprosh me alkoolin”.

Zoti Riza: Po mirë ti e di që unë nuk abuzoj dot me alkoolin, sepse bllokohem.

Kristina: E di, po të mos abuzosh fare… fare, të mos pish asnjë pikë.

Kristina ka ardhur enkas nga Gjermania për t’i dhënë një mesazh babait dhe gjyshes. Ajo kërkon nga babai i saj Rizai që të mos konsumojë fare alkool, që jo vetëm të mbrojë shëndetin, por në këtë mënyrë të bindë edhe nënën e tij që të vijë e të jetojë me pjesën tjetër të familjes në Tiranë.

“Edhe dielli nuk do ishte kaq i bukur sa fytyra e kësaj gjysheje. Nuk mund ta konceptoj që një fytyrë kaq e ëmbël dhe kaq e mirë të ketë lidhje me traktorin…” tha Gjebrea, pasi në ekran u shfaq zonja Mediko, e cila ishte këtë të diel në “Ka një mesazh për ty”.Ajo e pranoi ftesën dhe e mbërritur në studio ajo iu drejtua Gjebreas me fjalët: “Të ndjek shumë, të kam në zemër shumë”.

“Ndërsa unë që në momentin e parë që dhamë mesazhin u dashurova me ty”, iu përgjigj Gjebrea.

Më kanë thënë që keni punuar traktoriste?

“Po 27 vjet…”

Po si ia ke dalë me traktorin? Kaq e ëmbël, kaq e brishtë, çlidhje ke ti me traktorin?

“Më mësoi burri”.

Zonja Mediko e kishte parandjerë që në studion e “Ka një mesazh për ty” e kishte thërritur mbesa e saj Kristina. Kjo e fundit, mes lotëve iu lut gjyshes që të mos jetonte më vetëm në fshat, por t’i bashkohej familjes në Tiranë.

“Unë kam ardhur vetëm për ty, për të të dhënë këtë mesazh. Ti e di që të dua shumë shumë. Dua që ti të më premtosh diçka. E mban mend kur ishte gjyshi gjallë, që ishim një familje e bashkuar, nuk ndaheshim asnjëherë? Tani unë jam larg dhe gjithë kohës e kam mendjen tek ty. Nuk dua që ti të rrish më vetëm në fshat dhe sa herë të kam thënë për të jetuar në Tiranë më ke thënë: ‘Të bëjë vitin gjyshi, të bëjë 3 vjet gjyshi, të bëjë 5 vjet gjyshi dhe do vij në Tiranë…” Gjithmonë e ke shtyrë. E kam pritur me padurim që të vish në Tiranë, të jetosh me familjen tënde. Të lutem do ta kërkoja me gjithë zemër që ti të vije në Tiranë”.

Zonja Mediko në fakt pranoi që t’ia plotësonte kërkesën mbesës së saj, por me një kusht…“Dhe nëna të premton do vijë, por të mbushë 5 vjet gjyshi, të bëjmë 5 vjetorin e gjyshit”.

Ajo insistoi se do të presë deri kur bashkëshorti të bëjë 5 vjet dhe pas kësaj tha se do të vinte në Tiranë. E për t’u siguruar se do ta mbajë fjalën, Gjebrea i tha zonjës Mediko se mëngjesin e parë që do të jetë në Tiranë do ta hanë mëngjesin sëbashku.

Ardit Gjebrea: Por kur mbush 5 vjet bashkëshorti?

Zonja Mediko: Më 17 Prill të vitit që vjen.

Ardit Gjebrea: Më 18 Prill mëngjesin do ta hamë bashkë në Tiranë, dakord?

Zonja Mediko: Dakord

Ardit Gjebrea: Dakord? E mban fjalën? Se po nuk e mbajte do të vij të të marr me traktor pastaj në Korçë.

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

Ndryshe nga herët e tjera, këtë të diel në “Ka një mesazh për ty” të ftuara ishin koreografja Kozeta Bakiu dhe balerinat e “E Diela Shqiptare”.

Arsyeja? Një surprizë që Ardit Gjebrea dhe stafi kishin rezervuar për Xhenin, balerinën e cila është pjesë e kësaj trupe prej shumë vjetësh e që këtë të diel festonte ditëlindjen.

Por cila ishte loja që kishin përgatitur për Xhenin? Në studio erdhën dy balerinët Xhoni dhe Avi. Gjebrea tha se ata do të zëvendësonin dy prej vajzave, ndaj dhe i kërkoi koreografes Bakiu që të vendoste cilat do të largonte.

Bakiu nuk pranoi dhe propozoi që kjo të hidhej në votë. Të gjitha vajzat shënuan me radhë emrin e balerinës që dëshironin të largohej nga trupa e baletit. E duke qenë një lojë e mirë menduar dhe e planifikuar në detaje, Xheni ishte ajo që mori më shumë vota për t’u larguar.

Me sytë e përlotur, Xheni tha se nuk e dinte përse koleget kishin vendosur ta largonin. Ajo tregoi se kishte shënuar emrin e saj në letër, ndërsa nuk pranoi që të zgjidhte një prej dy vajzave të tjera që kishin marrë gjithashtu nga një votë për t’u larguar.

Fjalën e fundit e tha Gjebrea, i cili vendosi që t’i largonte të treja vajzat. E duke qenë se Xheni ishte më e votuara, Gjebrea tha se stafi e “E Diela Shqiptare” i kishte përgatitur një insert me disa momentet më të bukura në këtë program.

Por ajo që Xheni nuk priste ishte që gjithçka të ishte një lojë dhe një surprizë ndryshe për ditëlindjen e saj. Në fund të insertit shkruhej: “Xheni, na Fal! Poor…. Ishte lojë! Gëzuar Ditëlindjen”.

“Ti sot ke ditëlindjen dhe ne për sa vite kemi kaluar bashkë donim të të bënim një surprizë… Zgjodhëm mënyrën më të keqe për ta bërë këtë surprizë. Por unë dua të të falenderoj dhe të jam mirënjohës, sepse ti je një njeri i shkëlqyer dhe një balerinë e jashtëzakonshme”, ishin fjalët e Gjebreas për Xhenin.

E në mesin e mesazheve të shumta për balerinën e “E Diela Shqiptare”, surpriza e fundit ishte nëna e saj, e cila mbërriti në studio me motor.

NE JEMI CFARE HAME KUJDES SHENDETIN

“TELEBINGO SHQIPTARE”

KENGA MAGJIKE!

“SHIHEMI NË GJYQ”

Burbuqe Tërbishta, nënë e 5 fëmijëve, ka kryer 11 muaj burg për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Pavarësisht kësaj, ajo e mohon me forcë këtë akuzë. Këtë të diel, e pranishme në “Shihemi në gjyq”, zonja Burbuqe kishte thërritur ish-bashkëshortin e saj, të cilin kërkonte ta bindte për pafajësinë.

Gjithçka, sipas saj ndodhi pasi punësoi një kamariere, e cila ushtronte prostitucion gjatë kohës që punonte në lokalin e familjes Tërbishta, fakt për të cilin ajo thotë se nuk ishte në dijeni.

Zonjat u arrestuan pas një muaji nën hetim nga policia. Dy ishin provat që i çuan në pranga. Një takim që kamarieja kishte pasur me një klient në lokalin e zonjës Burbuqe dhe një 5 mijë lekësh bakshish i lënë në lokal nga një oficer i infiltruar.

“Unë jam nga Elbasani, quhem Burbuqe Tërbishta. Unë kam një dhimbje shumë të madhe dhe një njollë shumë të madhe. Po ma hoqe këtë njollë mua, ti je nëna ime zonja Eni. Te ty i kam shpresat dhe të Zoti. Kisha marrë një lokal me qira, ushqeja kalamajtë. Mora një punëtore sepse do të operoja djalin, sepse ma nxori doktori me sëmundje shumë të keqe, më tha ka kancer. “

Kështu zonja Burbuqe punësoi në lokal një grua nga Librazhdi, të cilën nuk e njihte dhe e mori në punë nëpërmjet një njoftimi të afishuar në xhamin e lokalit. Edhe zoti Enver, tashmë i divorcuar nga Zonja Burbuqe për shkak të gjithë kësaj historie tregon ditën që ajo u arrestua.

“Atë kamarieren e lamë 3 ditë tek lokali sepse operuam çunin në Tiranë. Pas 3 ditësh vajtëm në shtëpi. Ditën e tretë vete në punë kjo (Burbuqe) nuk më vjen në shpi, i bija telefonit, s’ka. Ika në shpi, isha në pazar. Kjo i jep çunit të madh 15 mijë lekë për të blerë 2 kg mish. Ai shkon e blen dhe vjen në shtëpi, pas tij shkoj edhe unë. Edhe më fal për shprehjen, unë vajta në banjë. Kur dal nuk e gjej çunin në shpi. I them kësaj (nuses së djalit) ku vajti çuni? E mori policia tha nusja. Po pse moj ç’punë ka policia me çunin? Nuk e di më tha. E mori më thanë mos u mërzit, kemi një sqarim. Dy orë në shtëpi unë. Prit çunin hiç, prit Buqen hiç, as telefon, asgjë. Gjej këtë në polici. I thashë më kanë marrë çunin, për çfarë doja ta dija. Çuni do dalë më thanë tani, por ke edhe gruan brenda. Po gruaja i thashë, për çfarë? Nuk e di më tha. Doli çuni. Hë? Nuk e di tha, Buqen e mbajtën, ishte dhe Sania atje. Tani muhabetet e Sanijes t’i tregon ajo, se ajo i di. “

Po cila ishte akuza? Zot Enver tregon më tej versionin e tij.

“Akuza ishte kjo, që Sanija, atë ditë që kishte vajtur në punë, kishte vajtur një i infiltruar i policisë te lokali dhe kishte pirë një kafe me Sanijen. Si kishte pirë këtë, kur ishte ngritur dhe kishte ikur kishte lënë 15 mijë lekë mbi banak. Ato lekë ishin me numër serie, sepse lokali ishte nën vëzhgim. Kishte ikur ky zotëria tek hoteli. Pas një gjysmë ore, i thotë Sanija Buqes, që do më japësh leje se do blej ca ilaçe se kam nënën sëmurë. Ik i thotë kjo, por mos mu vono. Atë 15 mijë lekëshin kjo ia jep çunit, për të blerë mishin. Siç e la ai boti, e merr kjo ia jep çunit, na blej mish, se 6 mijë lekë xhiro kishte bërë.”

Eni Çobani: Pra zotëria që ishte në lokal në atë moment, kishte marrë diçka që shkonte në shumë 9-10 mijë lekë të vjetra. Por nuk ka lënë kaq, por ka lënë 15 mijë. Burbuqja këtë sigurisht e ka marrë si bakshish. Zotëria është larguar dhe pas 10 minutash është larguar edhe Sanija drejt një hoteli të qytetit të Elbasanit. Në hotel forcat e policisë kanë kapur në flagrancë zotërinë dhe Sanijen. Në pyetje e sipër, Sanija ka deklaruar që unë punoj në lokalin e zonjës Burbuqe dhe më pas është ngritur edhe akuza që zonja shfrytëzonte Sanijen me burra të ndryshëm, kundrejt shumave nga 30 deri në 50 mijë lekë të vjetra dhe këto shuma ndaheshin përgjysmë mes Sanijes dhe Burbuqes. Për këtë arsye është dënuar edhe zonja Sanie për prostitucion, është dënuar edhe zonja Burbuqe për shfrytëzim prostitucioni. Pra zonja Burbuqe nuk prostituonte, prostituohej Sanija për Burbuqen.

Por çfarë ka në letra?

“Në letra ka vetëm një takim, të datës 3 Shkurt që kjo zonja ka vajtur ka konsumuar veprën e prostitucionit, kanë dalë nga lokali, zotëria ka ikur në punë të vet, ka paguar zonjën, kjo është kthyer në lokal. Në e ka ditur Burbuqja se ky ishte kjo zonja, këtë ne nuk e dimë. Ky ishte rasti i parë. Rasti i dytë është ky i infiltruarit. Dhe në rastin e tij, birrat dhe e ngrëna që ka bërë kanë kushtuar rreth 10 mijë lekë. Ai ka lënë 5 mijë lekë. Lekët kanë qenë me numër serie sepse janë të policisë, të regjistruara. ”

“Këto lekë Burbuqja ia dha djalit dhe ky i fundit shkoi të blinte mish. Policia shkoi mori 15 mijë lekëshin, vërteton që ishte i të infirtruarit. 15 mijë lekëshi u dha në lokal për bakshish. 10 mijë ishte fatura, 5 mijë ishte bakshish. Në hotel nuk u konsumua vepra, pasi në hyrje e pret toga e policisë, arrestohet zonja e cila kishte marrë paragesën, 20 mijë lekë të vjetra.

“Unë dua të di kush janë lekët e prostitucionit, 15 mijë lekëshi i lokalit apo 20mijë lekëshi i hotelit. Sepse 15 mijë lekëshin e lokalit ma kanë bërë që është leku i prostitucionit. Ky 20 mijë lekëshi i hotelit i kujt është?”, pyeti juristja Çobani.

“Për 5 mijë lekë zonja Eni bëra 11 muaj burg”, tha mes lotëve zonja Burbuqe.

Juristja Çobani i premtoi Burbuqes që do ta ndjekë çështjen e saj, për t’i shkuar të vërtetës deri në fund.

“Kemi ngritur një akuzë, jemi gjykuar dhe hetuar një zonjë me një vepër penale shumë të rëndë. Kur vendoset për të akuzuar një grua, të paktën duhet të ketë fakte, argumente dhe prova të pakontestueshme. të vetmet provë që policia sjell është çështja e pagesës. 15 mijë lekëshi që u dha në lokal, është e prostitucionit, apo e lokalit që ky zotëria hëngri”.

E gjithë kjo histori nuk përfundoi me dënimin e nënës së 5 fëmijëve. Pas daljes nga burgu ajo u gjend e vetme, pasi të gjithë i kthyen krahët. I pari ishte bashkëshorti, i cili pranoi se ishte ndarë nga ajo, ndonëse e besonte që Burbuqja nuk kishte shfrytëzuar njeri për prostitucion.

Për ish-bashkëshortin e Burbuqe Tërbishtës, nuk ka rëndësi nëse e ka kryer vërtetë krimin për të cilin bëri 11 muaj burg. Ndonëse i bindur që gruaja me të cilën qëndroi 30 vjet i martuar nuk do ishte në gjendje të merrej me shfrytëzim prostitucioni, i pranishëm në “Shihemi në gjyq”, ai tha se fjalën e fundit e kishte thënë policia e prokuroria. Gjatë seancës, zoti Enver nuk i kurseu as batutat ndaj ish-bashkëshortes së tij.

Zoti Enver: Po Burbuqja ishte shefja. Burbuqja shefja, Sanija punëtorja. Hajde shefe hajde. U bërë shefe në pleqëri.

Zonja Burbuqe: Asnjëherë në botë o burrë. Unë haja në pjesën time. Haja në pjesën time, nuk haja në pjesë të Sanijes. Sanija nuk ka thënë gjë për mua, që Buqja më shfrytëzonte.

Zoti Enver: Mua nuk ka ç’më duhet, unë di këtë, që t’i ke bërë 11 muaj burg. Se ke qenë për drogë, për prostitucion, mua nuk më intereson.

Eni Cobani: Ky lokal që ju punonit, ishit pronare apo si e kishit këtë lokal.

Zoti Enver: Pronar isha unë, po e punonte Buqja.

Eni Cobani: Në këto kushte, ju keni marrë si punëtore Sanijen. Sa kohë punoi për ju?

Zonja Burbuqe: 1 muaj e dy javë.

Zonja Çobani sqaroi se më 23 Shkurt të vitit të kaluar, zonja Burbuqe kishte qenë nën vëzhgim për një periudhë prej 1 muaj e gjysmë dhe më pas në Prill ishte ngritur akuza për shfrytëzim prostitucioni dhe për prostitucion për Sanijen.

“Pra kjo nuk ka qenë rastësi, zonja është ndjekur në mënyrë të vazhdueshme“, tha juristja ndërsa e pyeti zonjën Burbuqe se si është e mundur që nuk e dinte, që një punëtore që duhet të qëndrojë disa orë në punë, si nuk kishte dyshuar?

Eni Çobani: Po qëndronte në orar të punës kjo zonja?

Zonja Burbuqe: Po qëndronte. Vetëm atë ditë më mashtroi, më tha që do merrte ilaçet e nënës. Vetëm atë ditë më ka mashtruar, asnjë ditë tjetër, sa kam qenë unë në lokal.

Zoti Enver: Buqe, dëgjo këtu. Edhe unë pi kafe në lokalet e tjera. Po atje ku dëshiroj mund të le një pesë qindëshe të vjetër, nuk le 5 mijë lekë se s’jam i shkalluar nga mend. Se 5 mijë unë duhet të punoj 3 ditë që t’i marrë. Prandaj ke bërë shumë gabime.

Gjatë seancës së ndërmjetësimit mes dy ish-bashkëshortëve nuk mungoi ironia, por edhe disa momente gazmore. Një ndër to ishin edhe kur u tregua për ditën kur u arrestua kamarierja, që sipas organeve të drejtësisë shfrytëzohej nga Burbuqe Tërbishta për prostitucion. Punonjësja u arrestua në momentin që hyri në hotel sëbashku me agjentin e infiltruar të policisë.

Ardit Gjebrea: Tani i infiltruari e konsumoi…

Zoti Enver: Jo… unë Ardit më vjen dhe zor të flas shqip mor burrë (qesh). Ai i dha lekët para kohe, me qëllim që të mos mbaronte punë, por të kapej. E kupton?

Ardit Gjebrea: Jo.

Zoti Enver: Për shembull, do hy unë me Buqen në hotel? Unë do nxjerr lekët dhe do t’i them Buqes, urdhëro! Tani jemi gati? Gati. Sa mbaroj punë me paratë, vjen policia.

Gjatë emisionit, ish-bashkëshorti i zonjës Burbuqe tregoi se Sanija nuk i kishte pëlqyer që në momentin e parë që ishte punësuar në lokalin e familjes. “Për atë njeri nuk e di përse kisha një parandjenjë dhe i thashë time shoqeje: Përzeje se do hysh në burg”.

BE coffee!