#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
Trokitja në derën e ‘ferrit’: Po i jepja gji djalit kur më fshikullonte me rripin e pantallonave
Rrëfimi i Anjezës nga Lushnja në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan nis me një kalvari mundimesh ende pa ardhur në jetë.
Prindërit iu divorcuan kur nëna ishte 3-muajshe shtatzënë me Anjezën. Më pas ajo u martua dhe bëri fëmijë të tjerë, ndërsa vajzën e la te e ëma dhe vëllai. Me rritjen, Anjeza ndihej e tepërt në atë shtëpi dhe me nënën nuk i kishte marrëdhëniet të afërta. Kur shkoi 14 vjeçe, gjyshen po e linin fuqitë dhe përpiqej t’i gjente një bashkëshort, por Anjeza nuk lëshoi pe.
Në moshën 18-vjeçare provoi të jetonte në Tiranë, por nuk ia dilte dot ekonomikisht dhe u kthye në Lushnje. Kur Anjeza ishte 21 vjeçe, gjyshja ndërroi jetë dhe ajo vendosi që bashkë me një fqinjë, të jetonin në Durrës. Ky qe momenti kur ajo u gjend përballë shpresës për një të ardhme që rezultoi veçse iluzion.
Anjeza: Kur trokitëm në një derë që mendonim se mund të kishte shtëpi me qira, aty njoh personin që u bë bashkëshorti im.
Ardit Gjebrea: Aty e njohe?
Anjeza: Po. Më tha që “mua më pëlqen si person dhe rri këtu, mos më ik më dhe kemi mundësi që të njihemi disa ditë dhe të martohemi”. Faktikisht mendova unë, për të rregulluar problemet e mia arrita të martohesha brenda javës me të. Pas një muaji martesë, mua më ka dhunuar për herë të parë. Më ka thënë “deri në këtë moment unë mezi e kam mbajtur veten”, por ai pinte dhe ishte i dhunshëm gjatë gjithë kohës.
Ardit Gjebrea: Pra një muaj mezi mbajti veten nga dëshira që kishte për të të dhunuar.
Anjeza: Po dhe 3 vjet të tjera unë arrita të kaloj shumë depresion dhe mora shumë mbipeshë nga stresi, nga depresioni që ndonjëherë mua edhe nga duart e tij më ka hequr pronarja e një shtëpie që ishim me qira.
Ardit Gjebrea: Po pse nuk e denoncoje?
Anjeza: Sepse nuk kisha ku të shkoja. Isha e dobët. Në atë moment isha e dobët, shumë e dobët nga ana mendore, nuk kam qenë kjo që jam sot. Nuk kisha ku të shkoja. Pas lindjes së çunit u kapa shumë pas çunit dhe kam pasur raste që kam menduar edhe të ndahem, kam menduar edhe të vdes, të gjitha, por thosha çuni, do të ma rrisë çunin do ta bëjë si vetja, gjithmonë çuni më ka mbajtur gjallë, çuni. Herën e fundit që mua më dhunoi keq, ka qenë duke i dhënë gji çunit, ai më ka gjuajtur me rrip pantallonash, këtej i jepja gji çunit, këtej më gjuante me rrip pantallonash. Nuk po mundesha dot, më ishte lodhur shpirti si i thonë fjalës. Në atë moment unë iki, në orën 10, e mbaj mend edhe orën, çuni me karrocë, shkoj te komisariati i Durrësit dhe u them këtu-këtu puna. Unë e denoncova, mora urdhër mbrojtjeje por për momentin nuk dinin ku të më strehonin. Kam ndenjur dy ditë në spital dhe një herë tjetër prapë më strehoi një infermiere që të flija aty. Një byrektore ngjitur me komisariatin më la mundësi të laja edhe çunin aty brenda e ta ndërroja.
Më pas, Anjeza u vendos në një qendër për gratë e dhunuara në Elbasan. Atje, veç ndihmës nga psikologët, arriti të kryente divorcin, të mësonte një kurs kuzhine dhe djalin ta regjistronte në çerdhe duke lënë pas një pjesë të vuajtjeve.
“Unë që flija në stola, sot jam në shkollë të lartë!” Ëndrra e realizuar e një jete me trazira
“Sot jam 40 vjeçe, them kam arritur atë që kam dashur”. Kjo ishte fjalia e parë e Anjezës në nisje të rrëfimit në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Përgjatë 40 viteve të jetës së saj, ajo është ndier sikur nuk i përkiste asnjë vendi, e tepërt, ka ndier mungesën e dashurisë, gërryerjen e urisë, dhunën, pafuqinë për t’i dhënë një jetë më të mirë djalit dhe humbjen e shpresës.
Në të gjitha këto, ka gjetur edhe forcën për të mos u dorëzuar në asnjë moment. Pas divorcit me bashkëshortin e dhunshëm, Anjeza u përpoq që jeta e saj dhe e djalit të merrte një orientim tjetër. Njëkohësisht, ajo nuk dëshironte në asnjë moment që djali të kishte fatin e saj dhe të mos afrohej me të atin.
Ajo dhe djali u vendosën në Vlorë dhe disi arritën të sistemoheshin, edhe pse Anjeza ndien peshën e fajit që djali s’ka kaluar një fëmijëri të bukur. Gjithsesi ia doli të gjente një punë dhe aty ndodhi edhe realizimi i ëndrrës së saj të parë: të përfundonte shkollën e mesme. Në rrugën e saj u gjend njeriu i parë që e përkrahu në këtë rrugëtim.
Anjeza: Në Vlorë ishte mundësia që unë të punoja në një resort me 5 yje, Marina Bay”.
Ardit Gjebrea: Ti hyre aty me një kusht ama.
Anjeza: Po.
Ardit Gjebrea: Cili ishte?
Anjeza: Unë hyra me një kusht, administratorit Besnik Lulaj i thashë dëgjo unë do të vij në punë, i tregova gjithë jetën si po e tregoj këtu me 2-3 gjëra, por unë i thashë dua të vazhdoj shkollën.
Ardit Gjebrea: Çfarë të tha Besi?
Anjeza: Më tha “lejen e ke nga unë”. Kur personat e tjerë nuk ishin dakord të administratës ose edhe menaxherët e hotelit, z. Besnik ka ndërhyrë “kjo do të vazhdojë shkollën” dhe unë bëra 2 vjet në Vlorë…
Ardit Gjebrea: Shkollën e mesme flasim?
Anjeza: Shkollën e mesme, 2 vitet e fundit u transferova në Tiranë me mendimin që pas 2 viteve unë do të vazhdoja të lartën.
Ardit Gjebrea: E mbarove shkollën e mesme?
Anjeza: E mbarova shkollën e mesme.
Në fund të shkollës së mesme, Anjeza lindi vajzën me bashkëjetuesin i cili është kthyer në shokun dhe mbështetjen e saj më të madhe. Në moshën 39-vjeçare, uria e saj për shkollën vijonte dhe arriti të fitonte një degë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, por u përball edhe me një disfatë.
Anjeza: Kur ishte momenti që të bëheshin pranimet, regjistrimet e shkollës së lartë, më duhej që të paguaja një faturë në atë moment që unë të vazhdoja. Në atë moment unë nuk kisha…
Ardit Gjebrea: Nuk kishe lekë?
Anjeza: Në atë moment sikur më ra qielli në tokë dhe të arrish deri në gjysmë të ëndrrës, nuk doja as shtëpi, as katandi, nuk dua asnjë gjë, edhe sot e kësaj dite unë jam e pastrehë te Qendra e Emergjencave në Tufinë. Unë doja vetëm shkollën, thosha ta mbaroj atë dhe të vdes, s’e kam problem më të jetoj se dua t’u jap një shembull edhe fëmijëve të mi që mami gjithë këto probleme kishte dhe prapë shkollën nuk e la.
Mes lotëve e ngashërimave që ‘e shkundnin’ në atë moment, kujton Anjeza, pranë saj u afrua një grua që i dhuroi mundësinë e jetës.
Anjeza: Një zonjë më vjen, më afrohet, “çfarë ke”, më tha mua “se po të bie të fikët, çfarë ke?” I thashë nuk kam mundësi të paguaj faturën, a ka mundësi nesër ose pasnesër ta paguaj? “T’i jap unë”, tha. Në momentin e parë pa më njohur “t’i jap unë”. Kur më tha “t’i jap unë”, sikur më hapi sytë e mendjes, seriozisht. Për një person tjetër kjo duket e parëndësishme, për mua në atë moment sikur më dha jetën ajo.
Ardit Gjebrea: U regjistrove?
Anjeza: Po, u regjistrova. Ditën e parë që jam futur në universitet, jam ulur aty te guri i universitetit dhe kam qarë, qarë, qarë. I kam thënë vetes vetëm kaq: je një person që ke vuajtur dhe ke qenë e tepërt gjithandej. Je një person i pastrehë, ka raste me bukë dhe pa bukë. Ke vajtur në shkollë, në gjimnaz ndoshta dhe pa bukë dhe sot arrin të vazhdosh shkollën e lartë, i bie që kjo ishte për mua gjë shumë e madhe edhe është, gjë që sot e kësaj dite nuk arrij dot ta mendoj këtë gjë që unë jam në shkollë të lartë, unë, ajo që flinte nëpër stola, unë jam në shkollë të lartë sot. Unë jam krenare për veten time!
Dora e ngrohtë e një momenti të vështirë, Anjeza: Nuk ta harroj sa të jem gjallë!
Një dorë e zgjatur në një moment vështirësie i riktheu shpresën Anjezës për të vazhduar ëndrrën e saj. Në jetë, rrëfimin e së cilës e ndau përmbledhtazi me “Ka Një Mesazh Për Ty”, përtej çdo vështirësie, në mendje e zemër e udhëhiqte veç një dëshirë: shkollimi.
Pasi arriti që të linte pas dhunën dhe të rindërtonte jetën, mori diplomën e shkollës së mesme. Nga aty synoi universitetin dhe ia doli sërish, por hasi edhe pengesën e parë: një faturë që s’e paguante dot. “Sikur më ra qielli në kokë”, kujtoi Anjeza në rrëfimin për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Pranë iu gjend një grua, sekretarja e shkollës e cila i pa lotët dhe dhimbjen e saj e pa hezitimin më të vogël, e pagoi atë faturë. Sot Anjeza vijon ëndrrën për të kryer shkollën e lartë, gjithçka falë Sonilës të cilën e ka ftuar për ta falënderuar nga zemra.
Anjeza: Më je gjendur në një moment, ti e di që isha shumë kritike në atë moment, si isha bërë në atë periudhë që ti mua më ndihmove me pagesën e faturës në atë moment. Shkolla e lartë ka qenë ëndrra ime e fundit nga gjithë vuajtjet e jetës sime dhe në atë moment është njësoj sikur ti më dhe shtëpi dhe unë nuk ta kam harruar sa të jem gjallë dhe gjithë universiteti, gjithë klasa ime e di që ekziston ti. Unë dua të të them edhe diçka, me këtë shpirt që ke të lutem mos ndrysho.
Sonila: Shumë faleminderit, unë s’kam bërë asgjë.
Anjeza: Jo, ti ke bërë shumë për mua në krahasim me atë që unë jam… unë jam në borxh me ty në atë moment. Shkolla e lartë për mua në atë kohë 39 vjeçe, ishte kulmi i ëndrrës sime gjatë gjithë vuajtjeve të jetës sime dhe ndaj desha të të falënderoja publikisht shumë, shumë faleminderit dhe të lutem po ta them prapë, mos ndrysho me këtë shpirt që ke! Qofsh e lumtur!