#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
‘Mëkati’ i të qenët vajzë! Adriana: Hallat i dhanë mamit helm miu, babai donte të më shiste
I ka bërë të 18-at dhe tashmë është nënë e një vajze, por historia e Adrianës nuk i përngjan ndonjërës që jemi njohur më parë në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Ajo prezantohet në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan duke thënë se vjen nga Vora dhe gjëja e parë që kujton nga fëmijëria është dhuna.
I ati e rrihte nënën dhe e torturonte, madje donte edhe ta shiste të bijën jashtë vendit. Arsyeja? ‘Mëkati’ i vetëm i Adrianës ishte fakti që lindi vajzë. Ajo erdhi në jetë nga një shtatzëni binjakësh, por tjetri nuk ia doli sepse hallat i dhanë nënës së saj helm miu. Ironia e fatit ishte që Adriana erdhi në jetë, ndërsa binjaku që ishte djalë i aq shumëdëshiruar, nuk ia doli.
Adriana: Kur kam qenë e vogël, kam pasur probleme me babin.
Ardit Gjebrea: Me babin?
Adriana: Po.
Ardit Gjebrea: Po pse?
Adriana: Sepse ai e rrihte mamin, e torturonte, ka pasur raste që e lidhte përjashta, e linte gjithë natën jashtë.
Ardit Gjebrea: E lidhte?Ku e lidhte?
Adriana: Kemi pasur një fik te oborri dhe e lidhte aty.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe ti, e mban mend?
Adriana: 4 vjeçe.
Ardit Gjebrea: E mban mend atë skenë?
Adriana: Po, e mbaj mend. E mbaj mend edhe kur donte të më shiste jashtë shtetit.
Ardit Gjebrea: Të të shiste jashtë shtetit?
Adriana: Po, se nuk donte që të kishin goca, vetëm çuna.
Ardit Gjebrea: Kush donte të të shiste, babi?
Adriana: Po, me gjithë hallën.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe ti kur donin ta bënin këtë gjë?
Adriana: 4 vjeçe, nuk donin të kishin goca.
Ardit Gjebrea: Po pse, duhet të ishin vetëm çuna?
Adriana: Po, ashtu i donin. Madje mami im më ka treguar që kur ka qenë shtatzënë me mua, ka pasur edhe një fëmijë tjetër dhe…
Ardit Gjebrea: Domethënë ju kur keni lindur keni qenë binjakë?
Adriana: Po, dhe i kishin dhënë helm, kishin kujtuar se janë 2 goca.
Ardit Gjebrea: Dhe çfarë i dhanë mmait?
Adriana: Helm. Helm miu.
Ardit Gjebrea: Kush ia dha helmin e miut?
Adriana: Hallat.
Ardit Gjebrea: Mamit, që të mos lindte.
Adriana: Po, mos të më lindte mua por për rastësi, u dëmtua fëmija tjetër.
Ardit Gjebrea: Po fëmija tjetër çfarë ishte?
Adriana: Djalë.
E mbijetuara nga aborti selektiv në familje: Hallat i kanë abortuar vajzat, babai ka 11 djem
Ndërsa mendojmë se aborti selektiv është një plagë që ngadalë po mbyllet, rrëfimi i Adrianës në “Ka Një Mesazh Për Ty” është shokues. 18-vjeçarja nga Vora është e vetmja vajzë në familjen e saj. Ajo tregon në rubrikën e së “Dielës Shqiptare”në Tv Klan se nga ana e të atit, ai dhe familjarët e tij nuk dëshironin vajza.
Hallat kishin tentuar t’ia dështonin shtatzëninë nënës së saj e cila kishte binjakë, por Adriana mbijetoi ndërsa djali jo. I ati e rrihte nënën e Adrianës dhe më pas u ndanë sepse donte ta shiste vajzën.
Sot e kësaj dite Adriana nuk e di arsyen pse i ati nuk e donte. Ai e përbuzte që ishte vajzë, por kjo ndodhte jo vetëm tek ai. Edhe hallat i kanë abortuar vajzat, kurse tani që i ati është rimartuar, ka 11 djem.
Ardit Gjebrea: Po hallat kanë goca vetë?
Adriana: Jo.
Ardit Gjebrea: Kanë vetëm çuna?
Adriana: I kanë dështuar gocat, kanë vetëm çuna dhe prandaj mami është ndarë përgjithmonë prej babit. Tani që është martuar me gruan tjetër, ka 11 çuna.
Ardit Gjebrea: Babi?!
Adriana: Po. Ka pasur edhe goca, por i kanë dështuar.
Ardit Gjebrea: Domethënë ti je e vetmja vajzë që i ke mbijetuar?
Adriana: Po.
“Këtë s’ma kanë bërë as vajzat e mia!” Gjyshja preket nga surpriza, i jep premtimin mbesës
Adriana ndau një histori shumë të vështirë në “Ka Një Mesazh Për Ty”. 18-vjeçarja tregoi në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për dhunën në familje, mbijetesës nga aborti selektiv, dashurinë në mohshën 14-vjeçare prej të cilës ka edhe një vajzë 1 vjeçe.
Kjo dashuri qe shpëtimi i Adrianës nga e shkuara, por përreth ka pasur edhe njerëz që e kanë përkrahur si nëna apo gjyshja. Këtë të fundit e ka pikë të dobët dhe nuk ia harron kurrë të mirat që i ka bërë. Gjyshja, Sulltana ka 14 fëmijë por ka mbetur e vetme sepse të gjithë e kanë përzënë.
Momentalisht ajo jeton me mbesën dhe familjen e saj ku e kanë mirëpritur me shumë dashuri, por u duket se u është bërë barrë. Për këtë arsye, Adriana i kërkon që t’i premtojë se s’do ta lërë kurrë.
Adriana: Nëna! Ti për mua ke qenë gjithçka qëkur kam qenë e vogël, më ke rritur, më ke çuar në shkollë, më ke thënë fjalë të mira. Njëherë kur isha sëmurë më ke shpëtuar. Kur linda gocën, ti kishe djalin tënd që ishte duke vdekur, por mirë që kishe hallin e djalit a do të shpëtonte apo jo në spital… unë të kam prurë sot këtu sepse ti për mua je gjithçka dhe ti më the një ditë se do të largoheshe prej meje. Unë të kam sjellë se do të të premtoj se derisa të jesh gjallë, në frymën e fundit, unë do të të mbaj, unë dhe burri im. Dua mos të largohesh, dua të më premtosh sot këtu.
Sulltana: Faleminderit shumë! Të të rrojë goca, të të rrojë bashkëshorti! Shumë faleminderit, këtë s’ma kanë bërë vajzat e mia atë që më ke bërë ti mua sot këtu, që më ke sjellë këtu. E kisha për detyrë t’ju rrisja se ishit jetimë e pa babë, ashtu rrita edhe të mitë pa babë.
Adriana: Dua të më premtosh se nuk do të largohesh kurrë nga unë. Do të ma premtosh këtë gjë?Sulltana:Ta premton nëna, derisa të jap shpirtin nuk ndahem prej teje.
/tvklan.al