#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Duart e sytë i kishte shumë të vogla, kokën s’e mbante”, prindërit tregojnë si e zbuluan sindromën e të birit

Manushaqja dhe Lutfiu janë prindërit e Adrit, një djali 19-vjeçar me sindromën Down. Në “Ka Një Mesazh Për Ty” ata kujtojnë lumturinë e ditëve të pritjes së ardhjes së djalit në jetë, e cila nuk vonoi të vishej me një vel trishtimi.

Vetëm pak pas lindjes së djalit,  ai pësoi një bllokim që e dërgoi menjëherë në spital. Lutfiu thotë në rubrikën nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se fillimisht mjekët e patën të vështirë diagnostikimin por më pas gjithçka u bë e qartë, përfshirë edhe sfidat e frikërat.

Ardit Gjebrea: Manushaqe, kur lindi djali, nëna gjithmonë ka një ndjesi për të. Ti kuptove gjë?

Manushaqe: Kur lindi djali që e mora në krahë pashë që nuk shkonte diçka se shihja fëmijët e tjerë dhe djali nuk ishte si ata. Duart e vogla, sytë, i kishte shumë të vegjël. Kokën s’e mbante. Thashë po gaboj unë por prapë diçka nuk shkonte.

Ardit Gjebrea: Kur e morët vesh të vërtetën se çfarë kishte djali juaj?

Lutfi: Pas 3 muajsh shkuam tek spitali dhe më shpjegoi ai disi, por asgjë që të thotë që Adri është me sindromën Down.

Ardit Gjebrea: Ju kishit dëgjuar më parë  për sindromën Down?

Lutfi: Absolutisht asgjë, fare.

Manushaqe: S’e dinim çfarë ishte sindroma.

Lutfi: Vendosa, thashë po hyj në farmaci të pyes,të mbledh ndonjë informacion. Ishte një grua, një farmaciste në moshë, më pa njëherë, tha “ua ç’të paska gjetur. Shpresoj të ketë jetën e gjatë. Me këtë diagnozë që shoh unë këtu, me këtë fëmijë duhet të punoni jashtë mase shumë. Ai do vijë, çdo gjë do e ketë me vonesë”. Faleminderit dhe ika.

Kishte momente që më frenonin, por prapë e mblodha veten. E mblodha se ç’të shikoja, ku do shkoja, kjo ishte e re dhe po mos të na ketë të dyve nesër, ku do shkojë ai fëmijë nesër? Ishin ditë të pakta, shumë të vështira dhe pastaj mblodhëm forcat, do ecim vetëm përpara. Nuk i çonte 10 ditë, çdo 10 ditë do shkonte në spital. Deri në moshën 2 vjeç ai është rritur me medikamente, me shurupë.

Shumë dashuri për Adrin, 19-vjeçari me sindromën Down realizon dëshirat

Prej 19 vitesh, e gjithë bota e Lutfiut dhe Manushaqes sillet rreth djalit të tyre Adrit i cili ka lindur me sindromën Down. Djali  ka kaluar shumë vështirësi, të cilat ata i renditën në “Ka Një Mesazh Për Ty”, por ndërkohë edhe ka përparuar shumë. Prej një viti e gjysmë, është i punësuar në “SPAR Albania” dhe ka një jetë shumë aktive.

Lutfiu dhe Manushaqja kanë ardhur në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për të bërë realitet të gjitha dëshirat e birit të tyre. Fillimisht ata e nisin me një mesazh dashurie.

Lutfi: Mami dhe babi të kanë sjellë sot këtu për të të realizuar çdo dëshirë që ti do të kesh në jetë.

Ardit Gjebrea: Mami me babin na treguan se sa djalë i mirë je.

Adri: E di.

Ardit Gjebrea: Se sa djalë punëtor je.

Adri: E di.

Ardit Gjebrea: Se sa djalë i bukur je.

Adri: Jam i bukur.

Ardit Gjebrea: Dhe mbi të gjitha, të gjithë ne konstatojmë që ti je i bukur, po shumë i bukur në shpirt. Është e vërtetë?

Adri: Është e vërtetë.

Ardit Gjebrea: Tani mami me babin do vijnë të të përqafojnë. Je gati?

Adri: Jam gati!

Pas përqafimit, në skenën e programit vjen punëdhënësja e Adrit, CEO i SPAR Albania, Elona Mema. E ndjekur nga shokët dhe shoqet e punës së Adrit, ata i dorëzojnë një certifikatë dhe një kupë si “Punonjësi i muajit”.

Më herët gjatë programit, prindërit e Adrit treguan dëshirën e tij për t’u veshur nga Joni Peçi në mbrëmjen e minimaturës. Adri nuk mori dot pjesë atëherë, por stilisti vjen me premtimin se 19-vjeçari do të veshë një prej kostumeve të tij në mbrëmjen e maturës.

Moderatori Ardit Gjebrea përmbyll ciklin e këtyre surprizave për Adrin. Prindërit e djalit, por edhe vetë ai shprehën entuziazmin që provon kur shikon rubrikën e “Telebingo” dhe dëshirën për të qenë pjesë e saj. Ndaj në puntatën e sotme të “Telebingo”, është Adri ai që do të ndodhet përkrah trupës së baletit për të përzgjedhur zarfet duke sjellë një tjetër buzëqeshje në ekran./tvklan.al