#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #flora#asllan#prinder#shtatzene#bolonja#park#supermarket#aksident

“Mamit i vunë kallashnikovin në kraharor”/Dita që ktheu Klajdën nga “princeshë në shërbëtore”

Jeta e Klajdës në Shqipëri ishte për t’u pasur zili. Vajza e madhe e një familjeje shumë të lidhur me njëri-tjetrin, ku edhe dy vëllezërit më të vegjël e mbanin në pëllëmbë të dorës, tregon ajo në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Çdo mëngjes babai i linte një çokollatë, ajo studionte frëngjisht dhe jepte mësime private, një princeshë e vërtetë në shtëpinë e saj.

Në moshën 18-vjeçare Klajda njohu bashkëshortin. Dashuria ishte e madhe, por mundësitë financiare të pakta dhe ai vendos të largohet në Itali me motoskaf. E vendosur për ta takuar e për të qëndruar me të, Klajda kërkon ndihmën e prindërve që bëjnë çmos për të siguruar vizën që do ndryshonte tërësisht jetën e saj.


Klajda: Mbaj mend që mami im dhe babi im morën 3000 euro borxh dhe kur po iknim që po merrnim vizën Shengen, në Tiranë ishte periudha e trazirave.

Ardit Gjebrea: Viti ’97.

Klajda: Po, dhe na dalin njerëzit me maska e kallashnikov që i vënë mamit kallashnikovin në kraharor. Mami im ia merr duke u dridhur dhe i thotë “ne jemi për hall, mos na bëni keq ju lutem” dhe njëri nga ata vjen edhe largon këtë djalin dhe ne me shumë ankth arrijmë të kthehemi në Elbasan.

Ardit Gjebrea: Shkove në Itali.

Klajda: Gjë e bukur, pashë bashkëshortin  tim.

Ardit Gjebrea: Në cilin qytet?

Klajda: Gjithmonë në Bolonja.

Ardit Gjebrea: Shkove në Itali, pe bashkëshortin, qytet i bukur dhe kur shkove në apartamentin ku banonte  ai…

Klajda: Aty ishin edhe punëtorë të tjerë sepse bashkëshorti im rrinte te shtëpia që ia kishte dhënë pronari me disa punëtorë të tjerë. Paguante qiranë bashkëshorti im dhe edhe unë duhej të paguaja qiranë por të ardhruat ishin shumë të  pakta dhe unë vendosa që t’i propozoja që të laja, të shpëlaja, t’u gatuaja dhe t’u hekurosja atyre.

Ardit Gjebrea: Ti princesha e shtëpisë.

Klajda: U ktheva në shërbëtore, por sakrificat janë edhe këto.

Kaloi shtatzëninë në park, sakrificat e paimagjinueshme të Klajdës: Haja produkte të skaduara, lahesha me letra duarsh

“Jetova për 5 muaj nëpër shtëpitë e të tjerëve

Jeta e rehatshme dhe e bukur e Klajdës në Shqipëri ndryshoi me largimin e saj drejt Italisë 24 vite më parë. Ajo rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se dashuria për bashkëshortin e bëri të duronte sakrifica të mëdha vetëm që të qëndronin bashkë.

Klajda pranoi të kujdesej për shtëpinë ku ata jetonin së bashku me punëtorët e tjerë por një ditë të dy përfunduan në rrugë. Ajo kishte mbetur shtatzënë dhe pritja e ëmbël, një nga momentet më sublime për një grua, u kthye në një pasiguri të madhe e luftë të përditshme mbijetese.


Klajda: Një ditë bashkëshorti im humb punën dhe duke humbur punën humbim edhe shtëpinë sepse shtëpinë e kishte pronari. Aty kishim vetëm një kuvertë. Atë kuvertën e morëm dhe ikëm të jetonim në park dhe unë isha shtatzënë me djalin.

Ardit Gjebrea: Dhe flinit nëpër parqe.

Klajda: Flinim te parku.

Ardit Gjebrea: Jashtë?

Klajda: Jashtë, dy muaj.

Ardit Gjebrea: Për t’u larë, për t’u shpëlarë?

Klajda: Nuk laheshim. Unë haja vetëm kumbulla, ishin ca kumbulla jeshile aty te parku dhe unë haja ato kumbulla sepse nuk kishim mundësi ku të gatuaje, rroga pothuajse humbi sepse humbi puna dhe me ato paikica që kishim. Për t’u larë unë ikja në supermarket te tualetet e supermarketit dhe atje me letrat e duarve, i lagnim dhe arrinim të laheshim. Ndërkohë bashkëshorti im gjen punë 50 km larg vendit ku ishim në Bolonja dhe transferohet atje për të bërë dokumentet. Unë vazhdoja akoma të jetoja në park.

Ardit Gjebrea: Vetëm?

Klajda: Vetëm.

Ardit Gjebrea: Po në shtëpi çfarë u thoje në Shqipëri?

Klajda: Në shtëpi që thoja që isha mirë. E merrja me kabinë telefonike  mamin se atëherëë nuk kishim as celular, u thoja që isha mirë, mërzitesha se më mungonin shumë vëllezërit, mami dhe babi dhe me sakrifica po mësoja gjuhën, thoja avash-avash.

E uritur, shtatzënë dhe e pastrehë, Klajda gjente alternativa nga më të pabesueshmet për të ushqyer veten dhe fëmijën. Një ditë, pati një fije shprese kur dëgjoi një zë që i foli në shqip.

Klajda: Në supermarket hidhnin gjërat e skaduara, gjërat e prishura dhe ai ishte i vetmi ushqim i imi. Unë ndihesha keq sepse fëmija duhet të ushqehej, shumë e vështirë.

Ardit Gjebrea: Derisa një ditë dëgjove një zë të fliste shqip.

Klajda: Një ditë isha në supermarket, po flisja shqip me veten time dhe ndalon një grua shqiptare që quhet Mide. Ajo ndalon dhe thotë “je shqiptare”, aty filloj të qaj sepse për mua ishte emocion i madh të dëgjoja pas shumë vitesh zërin e një shqiptareje. I tregova historinë time dhe ajo vendosi të më merrte në shtëpi. Ika te shtëpia e saj, hëngra, u ngroha, u lava dhe vendosën të më mbanin aty për disa javë por kushtet e saj, edhe ajo emigrante nuk lejonin praninë time të gjatë. Atëherë më njohu me një shqiptare tjetër, Vera, aty kam ndenjur një muaj, me sakrifica edhe ato. Pastaj bëra xhiron te një kosovare, te një vlonjate. Unë jetova për 5 muaj nëpër shtëpitë e të tjerëve, gjithmonë shtatzënë.

Humbi tragjikisht bashkëshortin, Klajda: Mendova se ishte fundi i jetës time!

Klajda hyri në studion e “Ka Një Mesazh  Për Ty” me një buzëqeshje të madhe që herë pas here shfaqet përgjatë rrëfimit të saj në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan. Pas buzëqeshjes, qëndron një grua që ka përjetuar sfida, sakrifica deri në vetëmohim, ka tejkaluar sprova të vështira për t’u përshkruar.

Teksa me bashkëshortin përpiqeshin të ndërtonin sadopak siguri në Itali, mbetën të dy në një park. Klajda priste djalin e tyre të parë, ushqehej me kumbulla e produkte të skaduara supermarketi dhe laheshin me letra në tualetet e tij. Bashkëshorti gjeti një punë 50 km larg Bolonjës ndërsa Klajda mbeti e vetme në atë park. Një ditë, një shqiptare e ndihmoi e për 5 muajt e tjerë të shtatzënisë gjeti ndihmë e strehë në shtëpitë e të tjerëve.

Pas kësaj situate, Klajda dhe bashkëshorti bënë ç’mundën dhe gjetën një shtëpi të vjetër e me myk për të jetuar së bashku me djalin.


Klajda: Gjetëm këtë shtëpinë që ishte me shumë myk, lindi Kevin dhe Kevin shumë shpejt u sëmur, pas  dy javësh nga myku i madh. Qiraja ishte shumë e lartë, na transferoi në spital në Bolonja ku kemi ngelur 3 muaj dhe 3 muaj ne nuk kishim mundësi të paguanim të ngrënën dhe rrija pa bukë. Ndonjë kanatiere e laja, e thaja te ngrohësja natën dhe kështu kaluan 3 muaj në spital.

Ata iu drejtuan Kryqit të Kuq dhe për 6 muajt e ardhshëm ushqeheshin me makarona, domate e qumësht ndërsa ishin edhe fqinjët që i ndihmonin me ç’të mundnin. Të dy kishin nisur të punonin, Klajda mbeti shtatzënë me vajzën dhe jeta dukej se po merrte një drejtim tjetër deri në ditën që gjithçka u përmbys.

Klajda: Ishte dita e fundit te puna e re që burri im punonte sepse pastaj mbyllej edhe ajo puna kur ai pëson një aksident në rrugë duke u kthyer. Pëson një aksident dhe aty mendova se ishte fundi i jetës time.

Ardit Gjebrea: Nga aksidenti shpëtoi bashkëshorti?

Klajda: Jo. Bashkëshorti vdiq 35 vjeç.

Prindërit në Shqipëri i luteshin të kthehej, por Klajda nuk e përtypte dot që të shkelte mbi sakrificën e tyre. Ata bënë gjithçka për ta ndihmuar, edhe pse vetë arritën në kufijtë e varfërisë.

Klajda: Nuk u kam treguar kurrë sepse ato 3000 euro që mami dhe babi im kanë marrë borxh dhe duhet të lanin këtë borxhin duke ngrënë bishta prasi dhe duke u dhënë vëllezërve të mi që të paguanin borxhin vetëm bishtat e prasit dhe bënin supën, unë nuk mund të kthehesha në Shqipëri as kur isha në rrugë dhe as kur u ndodha në këtë lloj situate. Por mami dhe babi im kanë vazhduar gjithmonë duke ndihmuar, biles ata 2-3 herë morën prapë lekë borxh, më sillnin makaronat, djathë kaçkavall, m’i dërgonin me postë.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë që për vete hanin bishta prasi.

Klajda: Dhe ato hanin bishta prasi. Vëllezërit e mi kanë vuajtur shumë sepse… kushtet e atilla. Babi punonte në zjarrfikëse, mami punonte në banak dhe për të larë borxhin që merrte për të më sjellë mua lekë ikte në punë në orën 6 dhe kthehej në 11 të natës.

Rigjeti dashurinë pas humbjes së bashkëshortit: Fëmijët i kërkuan leje që t’i thërrisnin “baba”

E mbetur e vetme në Itali pas humbjes së bashkëshortit nga një aksident fatkeq, Klajda duhet të rriste dy fëmijët. Sot ajo punon në një bankë, por duart e saj kanë arritur të prekin edhe llaçin për të siguruar bukën e gojës. Ajo u shpreh gjatë “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se kthimi në Shqipëri nuk ishte një alternativë.

Prindërit ishin në vështirësi prej borxhit që kishin marrë për të dhe bënin sakrifica që ta ndihmonin duke ushqyer veten e djemtë me bishta prasi. Klajda bënte dy punë që të mbante fëmijët por një ditë, pati edhe për të një fillim të ri.


Klajda: Kur mungoi bashkëshorti im, unë kisha dy fëmijët e mi për t’i rritur. Unë punoja dy punë, paradite punoja kamariere dhe lija dy fëmijët e vegjël në shtëpi, të mbyllur, nga ora 8 deri në orën 4 dhe pasdite nga ora 6 deri në 12 të natës bëja ndihmës muratore. Duart e mia të vogla siç thotë mami im arritën që të punonin llaçin. Fëmijët e mi rrinin vetëm, unë i gatuaja dhe ai ngrohte për motrën bukën, luanin dhe vizatonin, të mbyllur në shtëpi gjithë ditën dhe më prisnin mua deri në orën 2 të natës kur vija.

Ardit Gjebrea: Kaluan vite dhe në jetën tënde shfaqet një person.

Klajda: Shfaqet Klaudio.

Ardit Gjebrea: Si e njohe?

Klajda: Po një ditë dola nga puna që bëja kamarieren, kisha fëmijët në shtëpi, ishte fati, ishte engjëlli, nuk e di, më ndalon në rrugë dhe më thotë të kam parë shpesh duke shërbyer, “a mund të dalim një ditë bashkë për një picë?” Janë disa gjëra që i ndien nga shpirti dhe mendova që ndoshta ishte momenti që edhe unë mund të rifilloja jetën time. Aty fillova të njihja Klaudion, pas shumë kohe e njoha me fëmijët e mi, u njoha me familjen e tij dhe ishte direkt një mbështetje e madhe.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë ai pati një ‘feeling’  dhe anasjelltas bashkë me fëmijët, ai filluan që t’i thërrisnin “baba” Klaudios.

Klajda: Po, pas një viti që ne vendosëm të bashkëjetonim ata i kërkuan lejen nëse mund t’i thërrisnin “baba”.

“Jeni dashuri sipër fëmijëve të mi”, Klajda falenderon engjëjt e saj

Rrëfimi i Klajdës për jetën e saj në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, “Ka Një Mesazh Për Ty” pati kontraste të forta. Nga një jetë në gjirin familjar drejt emigracionit të vështirë në Itali, varfërisë, mbetjes nën qiell të hapur me bashkëshortin. Jetonin në park e ushqeheshin me ç’të gjenin ndërsa prisnin që në jetë të vinte fëmija i parë.

Më tej, djali u sëmur, bashkëshorti humbi jetën nga një aksident tragjik pak pas lindjes së vajzës ndërsa Klajda mbeti e vetme. Në asnjë moment ajo nuk  mendonte të kthehej sepse familja ishte në vështirësi të madhe e nuk dëshironte t’i rëndonte më shumë.

Klajda ia doli mbanë, edhe me ndihmën e Klaudios që u shfaq papritur në jetën e saj e u kthye në mbështetjen e madhe. Sot jeta e saj ka ndryshuar, por ndien se u detyrohet prindërve më shumë se kujtdo tjetër. Ata i dhanë gjithçka mundën pa përllogaritur asgjë, duke sakrifikuar për të dhe për djemtë.


Klajda: Yjet e mi, engjëjt e mi!

Flora: Shpirti im!

Klajda: Nuk kisha rrugë tjetër dhe më të rëndësishme dhe më me vlerë se sa t’ju ftoja këtu për t’ju falenderuar gjithë jetën për sakrificat që keni bërë për mua, për vëllezërit e mi, për fëmijët e mi dhe për fatin që kemi që ju kemi prindër juve.

Flora & Asllan: Faleminderit! të na rrosh ti!

Klajda: Ju jeni forca ime, jeni zemra ime, jeni dashuria më e madhe që unë kam edhe sipër fëmijëve të mi. Unë nuk mund të arrija më lart se deri këtu për t’ju shprehur sa të rëndësishëm jeni dhe sa ju dua unë juve.

Flora: Ti je prej çeliku të keqen mami, je shumë e fortë. Zoti të ka bërë të fortë që t’i dha ato lloj vuajtjesh.

Asllan: Unë dhe mami vetëm për ju mendojmë, për ty, për fëmijët e tu, për binjakët, për çunat. Ne japim shpirtin, jetën, gjakun për ju.

Klajda: Unë prandaj jam këtu, edhe në emër të vëllezërve të mi që nuk mundën të vinin, t’ju falenderojmë me gjithë shpirt si çdo prind tjetër shqiptar që bën sakrifica për të rritur fëmijët e tyre, edhe ju jeni të atillë.

/tvklan.al