#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
Drita e shuar e Deas, tragjedia e nënës që jeton me kujtimin e fëmijëve
Veshja e tëra e zezë e Deas u duk se paralajmëroi dhimbjen dhe vuajtjen e historisë që ajo ndan në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Rrëfimi i saj nis me familjen, e cila përbëhet pesë motra e një vëlla. Kur Dea erdhi në jetë, babai u sëmur nga Parkinsoni dhe nëna u kthye në një heroinë duke u kujdesur për të e për fëmijët.
Në vitin 1985, Dea u martua me mblesëri dhe një vit më vonë, erdhi bekimi i parë, një djalë. 4 vite pas tij, lindi vajza dhe për Dean s’kishte lumturi më të madhe, edhe pse zemrën e kishte të trazuar.
“Në ‘86, Zoti më solli një yll të bukur, djalin tim, Sildi. Unë isha shumë e kënaqur e shumë e gëzuar sa nuk mund t’i shpreh dot emocionet si një nënë e lumtur dhe kur djali mbushi 4 vjet, linda gocën, vajzën time të bukur si drita, Erën. Teksa fëmijët rriteshin, sa më shumë rriteshin e zbukuroheshin, ata ishin të zgjuar, të dashur, punëtorë. Unë isha shumë e lumtur për këta fëmijë pavarësisht se problemet e mia kishin nisur prej kohësh nga bashkëshorti.
Pavarësisht problemeve të tyre, alkoolit e tradhtisë bashkëshortore nga burri, Deas nuk ia bënte zemra t’i shqetësonte fëmijët. Ata ishin dritë për të derisa një ditë, asgjë nuk do të ndrinte si më parë. Dea humbi vajzën 14-vjeçare dhe pikërisht kur mendoi se do të mund të ngushëllohej me djalin, zemra iu vesh përgjithmonë me të zeza.
Dea: Një e mërkurë e zezë e 1 tetorit të vitit 2003, më iku njëri sy, m’u pre një këmbë e një krah, më iku vajza ime e vetme në moshën 14 vjeçe, pa bërë 15.
Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi?
Dea: Ajo ishte në një gjendje gripale. E morëm, e çuam në spital në Korçë, në pediatri. Atje pati komplikacione, e morën urgjent me ambulancë ta sillnin për në Tiranë dhe ndërroi jetë rrugës. Djali u prek shumë. Kaloi një dhimbje shumë të madhe, mbyllej në vetvete. Unë përpiqesha t’i qëndroja pranë, babai i tij nuk e mori asnjëherë me vete ta mbante pranë që të mos e ndiente mungesën e motrës. Ata ishin shumë të lidhur. Djali kishte shumë ëndrra, punonte përkrah meje por kishte filluar t’i kuptonte se po rritej, kishte filluar t’i kuptonte të gjitha ato çka bënte i ati. Thosha kam një dritë që shkëlqen dhe do të më ndriçojë gjithë botën ky djalë.
Ardit Gjebrea: Ishte motivi pse merrje frymë.
Dea: Më premtoi, se vazhdoi shkollën e mesme, ç’i shikonte syri, i bënte dora. “Mami, unë do të vazhdoj edhe shkollën e lartë”, tha. Në moshën 20-vjeçare ai kaloi një gjendje të fikëti, atak kardiak. Pasi humba djalin, unë kalova një gjendje shoku. As haja, as pija. Aty përkrah më ndenji nëna ime e cila nuk i dinte marrëdhëniet që kisha unë me bashkëshortin. Unë nuk iu kisha treguar.
Ardit Gjebrea: Nëna erdhi të jetonte aty me ju?
Dea: Po, që të më mbështeste mua në ato momentee.
Ardit Gjebrea: Pastaj me siguri përjetoi edhe marrëdhënien tuaj.
Dea: Shumë e drejtë. Unë ia kisha bërë të qartë që do të jetoj me kujtimin e fëmijëve të mi. Puthja dorezat e dritareve, atje ishte gjithçka që kisha me kujtimin e fëmijëve.
“Më përzuri nga shtëpia kur humbëm fëmijët!” Martesa e shkatërruar nga alkooli dhe tradhtia
Që prej lindjes së saj, Dea pa sakrificën dhe mundimin e cila do ta ndiqte edhe vetë atë në vitet e jetës. Nëna e saj rriti e vetme 6 fëmijë, babai i të cilëve u sëmur me Parkinson. Ndërsa vitet iknin, seciliprej fëmijëve gjeti strehën e tyre dhe kështu u duk edhe për Dean.
Por siç rrëfen në”Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, jeta bashkëshortore kishte probleme të forta. Lindja e dy fëmijëve për të ishte gëzim e shpresë, por burrit nuk i interesonte aspak. Për të, fokusi ishin alkooli dhe gratë e tjera, ndërsa Dea s’bënte zë për të mos shqetësuar fëmijët.
Dea: Si u martuan të gjithë, 4 motrat e mia dhe vëllai, më pas u martova unë në vitin 1985.
Ardit Gjebrea: Me dashuri?
Dea: Me mblesëri.
Dea: Në ‘86, Zoti më solli një yll të bukur, djalin tim, Sildi. Unë isha shumë e kënaqur e shumë e gëzuar sa nuk mund t’i shpreh dot emocionet si një nënë e lumtur dhe kur djali mbushi 4 vjet, linda gocën, vajzën time të bukur si drita, Erën. Teksa fëmijët rriteshin, sa më shumë rriteshin e zbukuroheshin, ata ishin të zgjuar, të dashur, punëtorë. Unë isha shumë e lumtur për këta fëmijë pavarësisht se problemet e mia kishin nisur prej kohësh nga bashkëshorti.
Ardit Gjebrea: Cilat ishin këto probleme?
Dea: Ai ishte shumë i alkoolizuar. Ai vetëm pinte. Nuk ishte i përgjegjshëm as për fëmijët, as për familjen.
Ardit Gjebrea: Po me ty si shkonte?
Dea: Këta fëmijë kaq të bukur, kaq të zgjuar, kaq të dashur, kaq të mrekullueshëm, këta dy yje që më fali Zoti, si mund t’ua prishësh qetësinë dhe unë nuk e jepja veten që të mos i shqetësoja.
Ardit Gjebrea: Bashkëshorti yt vetëm pinte apo kishte edhe vese të tjera?
Dea: Kishte edhe vese të tjera. Unë i kisha kuptuar, por nuk e jepja veten.
Ardit Gjebrea: Ai kishte ndonjë marrëdhënie tjetër ndërkohë?
Dea: Ai kishte marrëdhënie, por gjithsesi ai e mohonte gjithmonë. “Ti bëhesh xheloze”, fillonte pastaj më kërcënonte, më thoshte “do të të marr familjen, mos bëj zë”.
Ardit Gjebrea: Këtë e bënte në sy të fëmijëve?
Dea: Jo, kur ishim vetëm. Unë asnjëherë nuk doja t’i shqetësoja fëmijët.
Në vitin 2003, mbi familje ra tragjedia e parë. Vajza, Era ndërroi jetë në moshën 14-vjeçare nga një gjendje e rëndë gripale. Pak vite më vonë, djali 20-vjeçar pësoi atak kardiak duke lënë një boshllëk të përjetshëm në zemrën e Deas. Gjithë çfarë dëshironte tanimë, ishte të jetonte me kujtimet e fëmijëve. Pranë iu gjend nëna që deri në atë moment s’dinte asgjë për martesën e së bijës, por pa nga afër si trajtohej ajo.
Dea tregon se bashkëshorti s’iu gjend aty në asnjë moment. Kur ajo u kthye në shtëpi, ai i bënte presion për t’u larguar ose të qëndronte dhe t’i shërbente atij dhe gruas së re që do të merrte.
Dea: Në momentin që kisha unë nevojë më tepër se kurrë, mua të sëmurë më çuan te motra. Kam motrën në Vranisht të Bilishtit dhe më çuan atje, ai ka ardhur vetëm dy herë që më ka parë, thjesht për sytë e botës. Unë e dija që ai nuk kishte asnjë farë interesi për mua. E dija që më tradhtonte, ishte në gjendje të dehur, ia merrnin patentën, s’çante kokën. Atje te motra, jo vetëm motra, por edhe bashkëshorti i saj, çunat e saj bashkë me të fejuarat e tyre më rrinin te koka. Si u ktheva pastaj, ky filloi “tani ngrihu e ik”.
Ardit Gjebrea: Të thoshte ik?
Dea: “Do të marr grua tjetër, po të duash rri shërbëtorja ime”. Ikte në punë, thoshte “kur të vij, mos të të gjej”. I thosha po ti ik më vete, bëj ç’të duash, unë do të rri në dhomë më vete. Ti bëj si të duash me jetën tënde, unë dua të jetoj me kujtimin e fëmijëve që të paktën të bëj përkujtimoren e djalit sipas traditës. Jo, Ardit.
Ardit Gjebrea: Qëllimi i tij ishte të të përzinte nga shtëpia që të merrte tjetrën?
Dea: Po. Në pamundësi për ta shtyrë, nënën e kisha të sëmurë nga zemra. Merrte çantën dhe më thoshte “eja bir i nënës të ikim, hajde Dea të ikim”. I thosha unë, po unë kam kujtimin e fëmijëve, ku të shkoj? Në fund fare, me gjithë nënën, na nxori në rrugë. Unë ngela në mes të katër rrugëve dhe imagjino, s’kishim as të hanim, as të pinim, por na sillnin komshiet.
Ardit Gjebrea: Po ajo shtëpi të takonte edhe ty apo jo?
Dea: Po sigurisht, atje kisha punuar 24 vite. Kisha rritur dy fëmijë dhe ai nuk ia dinte lopës ngjyrën se çfarë ngjyre kishte. Të gjitha punët i bëja unë.
Dashuria shëron, Dea rigjen dritën pas dhimbjes: Na ke pranë deri në frymën e fundit!
Furtunat e jetës kanë qenë stërmunduese për Dean. Një martesë e dështuar, e thërrmuar nga tradhtia dhe alkooli. Më pas, humbja e dy fëmijëve që ia ka vrarë zemrën duke e lënë të jetojë veç me kujtimet e tyre. Ajo e njeh mirë ndjesinë e të prekurit fundin, por ka gjetur forcë të vazhdojë përpara.
Në këtë errësirë, i janë gjendur pranë të gjithë familjarët. Të gjithë janë përpjekur që nga pak, çdo ditë e me shumë dashuri të shërojnë shpirtin e saj dhe ta mbështesin. Dea nuk gjen fjalë për t’i falënderuar mjaftueshëm ndaj shpreson që me ftesën ndaj dy personave në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ta bëjë sadopak.
Ajo ka ftuar njërën nga motrat, Bukurien dhe bashkëshortin e saj, Bujarin në rubrikën nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për t’u thënë një falënderim mirënjohjeje për dashurinë.
Bujar: Ta dish si i ka hallet kjo! Unë kisha dy motra. E madhja më ka vdekur dhe një e kam në Bilisht, të martuar. Këtë e kam motrën e tretë. Më ka respektuar dhe e kam respektuar.
Bukurie: Po të mblidhje lotët e saj mund të ishin bërë oqeane.
Bujar: Nuk kemi fjalë çfarë të themi.
Ardit Gjebrea: Dea tha siç ka emrin ashtu është, Bujar.
Bujar: Jam munduar jo vetëm me të, por metë gjithë njerëzit.
Ardit Gjebrea: Ka një mesazh për ju, do ta dëgjojmë?
Bukurie: Do ta dëgjojmë.
Dea: Motra ime e shtrenjtë dhe Bujar, vëllai im! Ju kam sjellë këtu sot për t’ju shprehur mirënjohjen për suportin që më keni dhënë, për mbështetjen që më keni dhuruar, më keni dhuruar dashuri pa kushte. Kur isha e sëmurë, jo vetëm motra ime, edhe ti, edhe djemtë, edhe nuset e tyre, më keni qëndruar te koka. Në çdo situatë më keni qëndruar gjithmonë pranë. Ju gjithmonë kudo që të shkoni më merrni edhe mua. Po si nuk u lodhët së mbështeturi mua? Dashuria që më keni dhuruar ju ma ka bërë dritë jetën përpara dhe të jem kjo që jam sot.
Bukurie: Na ke pasur dhe do të na kesh! Të falënderojmë nga zemra!
Bujar: Të falënderojmë që na solle këtu në Tv Klan! Ne na ke pasur mbështetje dhe do të na kesh mbështetje deri në frymën e fundit!