#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
Dashuria për familjen e punën, 15-vjeçari frymëzohet nga mësimet e xhaxhait
Një nga diskutimet më të shpeshta sot për adoleshentët është individualizmi i tyre, indiferenca apo mungesa e vlerësimit ndaj të tjerëve. Por Arlindi, 15-vjeçari protagonist i rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan i rrëzon të gjitha këto kategorizime. Përmes historisë së tij dhe personit për të cilin na rrëfen, Arlindi nuk përcjell vetëm dashurinë e tij, por edhe një shembull frymëzues të brezit të ri.
Arlind: Lidhja me xhaxhin tim është shumë e fortë. Ndoshta ne me trupa mund të jemi shumë larg, por zemrat tona janë shumë afër.
Ardit Gjebrea: Vërtet?
Arlind: Po. Xhaxhi është gjëja më e rëndësishme për mua. Ai më ka dashur mua që i vogël, që sapo kam lindur. Ai është sjellë me mua si djalin e vet, jo si djalin e vëllait të vet.
Ardit Gjebrea: Pra qëkur ke lindur ti ke qenë pikë e dobët për xhaxhin.
Arlind: Po.
Ardit Gjebrea: Sa fëmijë ka xhaxhi?
Arlind: Xhaxhi ka dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë.
Ardit Gjebrea: Dhe ti je i treti, mund ta quajmë që ti je djali itij.
Arlind: Po.
Arlindi kujton të gjitha momentet kur xhaxhai, Aleksi nuk e ka ndarë kurrë nga fëmijët duke e marrë kudo me vete. Aleksi e merrte me vete edhe në punë duke i dhënë një mësim të vlefshëm për jetën.
Arlind: Gjithmonë më thoshte që “mos u lodh, jam unë këtu, nuk ke pse lodhesh ti, për çfarë jam unë?” Unë kisha pak atë qejfin që mos ta lodh xhaxhin se më vjen edhe keq dhe e dua shumë dhe nuk doja që ta lodhja atë, merrja ndonjë peshë pak më të madhe. Ai thoshte që “mos u lodh, m’i lër mua peshat” dhe gjithmonë thoshte që “unë të marr me vete që ti t’ia dish vlerën lekut”.
Ardit Gjebrea: Sa e bukur kjo! Dhe sa e rëndësishme!
Arlind: Dhe jo që unë të rrija si disa adoleshentë që jani tani që zënë një cep divani aty në shtëpi, me një telefon dhe presin t’u japin të shtëpisë lekë. Xhaxhi, edhe pse nuk bëja ndonjëherë punë fare ose bëja ndonjë gjë të vogël, gjithmonë më jepte lekë.
Ardit Gjebrea: Pra të mësonte që të kesh lekë duhet që të punosh, kjo është edukata që të jepte xhaxhi ty.
Arlind: Po.
Ardit Gjebrea: Po kur fillove kursin e berberit u gëzua?
Arlind: Po, u gëzua shumë. Ai ishte iniciativa ime për ta nisur kursin, më mbështeti shumë dhe thoshte që edhe nëse nuk ke lekë, të ndihmoj unë, ta paguaj unë kursin, nuk ka asnjë problem.
“Për ty, kundër gjithë botës!” Dy ‘shokët’ e ngushtë përqafohen mes lotësh
Arlindi, nipi 15-vjeçar i Aleksit, ishte “i dyshuari” i tij i parë për ftesën në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Lidhja e fortë mes tyre, për të cilën nipi rrrëfeu gjatë rubrikës së programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, nuk gaboi as këtë herë. Edhe pse deri diku ‘e kishte parashikuar’, Aleksi s’mundi t’i përmbante emocionet dhe lotët kur pa nipin në ekran.
“E kam mbajtur gjithmonë afër”, u shpreh ai duke iu referuar raportit të tyre si shokë të ngushtë. Pikërisht kjo afërsi është arsyeja pse Arlindi dëshironte ta surprizonte dhe t’i shprehte mirënjohjen e tij.
“Xhaxhi, ti je personi më i rëndësishëm për mua. Je personi që dua më shumë, je udhëheqësi im dhe frymëzuesi im. Nëse gjithë bota do të jetë kundër teje, unë do të jem kundër gjithë botës. Të falënderoj për të gjitha ato që ke bërë për mua dhe për familjen time. Ne nuk do t’i harrojmë kurrë ato që ke bërë ti për ne”, përfundoi Arlindi po aq i emocionuar e më pas shkon drejt xhaxhait të tij të dashur në një përqafim mes lotësh për të dy.